Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Thursday, December 3, 2009

Kurajo!

Nga bjerrakohësi më i thjeshtë tek intelektuali më i ndërlikuar, gjithsecili në këtë vend e ka kuptuar tashmë në mënyrën e vet se prej tyre po kërkohet të ndjejnë frikë. Frikë nga trazirat politike, frikë nga një 97-ë e dytë, frikë nga marshi indietro, frikë nga dhuna policore, kallashët nëpër duar, terrori i bardhë, arrestimet, atentatet, gjendja e luftës civile, e gjithë ato të tjerat. Kjo është një ndjenjë paranoje kolektive e cila po injektohet në mënyrë të pamëshirshme, konstante dhe cinike, a thua ndjellësit e saj janë mjekë me grada shkencore, ndërsa masa së cilës i destinohet kjo gjendje janë kavie për motive eksperimentale. Gjithë çështja tani është nëse njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi do të pranojnë t'i dorëzohen këtij shantazhi arrogant dhe të tërhiqen në gjeratoren thithëse të konsumit politik apo do të organizojnë qëndresën e tyre. Një rezistencë të fortë morale për të cilën ka sot kaq shumë nevojë që të zhvillohet në forumet e mendimit, faqet e publicistikës dhe kudo ku emocioni ka për detyrë t'i ulet në gjunjë logjikës.
Përtej britmave luftarake, kanosjeve me shkulje dhëmbësh, hakërrimeve për escalation të situatës, guerrilje urbane, thirrjen në ndihmë të figurave letrare nga Adolf Hitleri e deri tek Mikhail Shakashvili, përtej atyre që dështimin personal kërkojnë ta kthejnë në përshpirtje evangjelizmi kombëtar, ka disa arsye pse kjo psikozë e re paniku nuk do të ngjisë në mendjen e shqiptarëve. Arsyeja kryesore është se ajo po gjenerohet nga njerëzit e gabuar. Liderët politikë të vendit, të cilët janë angazhuar në këtë fushatë frikësimi social, janë tashmë thjesht dy kokat simetrike të së njëjtës kartë të diskredituar bixhozi. Si një ndër nxitësit kryesorë të klimaksit pseudorevolucionar, Edi Rama i cili deri para pak kohësh mund edhe të merrej si një kreaturë kurioze dhe e pazakontë e politikës, tashmë s’është gjë tjetër veçse “njëri prej tyre”. Ndaj për këtë arsye kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm. Me një seri sjelljesh të tijat, si refuzimin violent për të pranuar humbjen, tutkallizimin mbi kolltukun e kryetarit të partisë apo eleminimin politik të kundërshtarëve, ai i ka dhënë gjatë këtyre muajve, dorën kryesore transformimit të tij në krijesën e urryer që simbolizon sot në mendjen e shqiptarit të zakonshëm figura e politikanit tradicional. Nga ana tjetër me sulmin e fundit banal ndaj Edi Ramës, kryeministri i vendit dhe kryetari i partisë në pushtet i bëri atij edhe shërbimin e parë pas kaq kohësh. Edi Rama u çertifikua dhe u njoh në këtë mënyrë si kundërshtari i tij legjitim. Një njeri që është sjellë në mënyrë shembullore sipas normave që pranon sot politika në Shqipëri dhe që meriton për këtë arsye t’i jepet betejë. Fantazma e Fatos Nanos, apo orvatja e Ben Blushit quhen tani kapituj të mbyllur, rekluziviteti i gjatë, injorimi, tallja, mosmarrja seriozisht dhe karnevalizmi ndaj Edi Ramës mbaruan, dhe përmes një pagëzimi në baltë, ashtu siç e do zakoni i lashtë i politikës shqiptare, ai u emërua nga e djathta në postin e nderuar të armikut zyrtar të kryetarit. Ky shërbim kaq i shumëpritur që Sali Berisha bëri ndaj Edi Ramës duke kryer legalizimin e tij faktik si kryesues i opozitës si dhe hyrja e këtij të fundit në mënyrë fare të parashikueshme dhe me dëshirë në lojën e gërr-mërrit, është në anën tjetër edhe një nga dëmet më të mëdha që ai nuk e kupton se sapo iu bënë imazhit të tij. Një imazh deri dikur interesant sepse kontroversial. Për shumë aparatçikë, xhaketa gri, kope partiakësh apo servilë fondesh ai tashmë mund të ketë fituar staturën definitive të shefit. Për miliona të tjerët që takimin me politikën e kanë një temë përherë e më të bezdisshme, ai është tashmë një gur më shumë në koleksionin e tyre personal të skepticizmit. Qindra mijëra të rinjtë apolitikë të këtij vendi - të cilëve edhe pse ai s’i pati kurrë, të paktën mund t’u zgjonte shkëndija të rralla interesi - ai i humbi përfundimisht dhe për këtë duhet t’ia dijë për nder kolegut Berisha. Për këtë arsye, tromboni i rebelimit që Rama po sforcohet kaq shumë për t’i fryrë ditët e fundit, do të kumbojë në një tingull të trashë, të vjetëruar dhe komik për veshët e tyre. Ai nuk do të arrijë të zgjojë kurrë atë vrull përndezës, atë frymë “uprising” dhe atë efekt spektakolar që gjenitë e kreativitetit afër Ramës e kanë parë në youtube nga protestat e Otpor-it serb apo Pora-s ukrainase.
Këtu dalim vetvetiu tek një arsye tjetër përse psikoza e frikës që po mundohen të mbjellin liderët politikë, nuk do të gjejë një truall miqësor në asnjë mendje tjetër përveçse atyre të militantëve të thekur. Kjo nuk është një frikë reale, por plagjatura e një frike. Sikurse e gjithë platforma zgjedhore e Partisë Socialiste ishte një masë boshe e lyer me varak retorike impresionuese të kopjuar nga interneti (për të cilën tani madje edhe indinjohen pse nuk fitoi mbështetje), po kështu edhe metodat e marketimit të indinjatës, madje dhe indinjata vetë, janë një mall i importuar konsumi, tërësisht i huaj për shqiptarët. Deri para pak kohësh mund të ndodhte që të gjendeshin mjaftueshëm njerëz në Shqipëri që t’u bënte përshtypje një fjalim i flaktë me figuracion të pasur. Por ja që shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të dikurshmit dhe kërkesa e tyre është paksa më e lartë nga sa mendojnë shpërfillshëm ata që prodhojnë ofertën politike sot në këtë vend. Skepticizmi siç shkruante në një artikull të vetin Fatos Lubonja, mund të jetë veç të tjerash edhe ilaç. Nuk ka sesi të jetë gjenuine indinjata e lidershipit socialist për vjedhjen e votës dhe as kërkesa e tij për hapje kutish. Kjo është një kërkesë që nuk vjen aspak si një nevojë organike për demokraci, pasi nëse do të ishte e tillë do të kishte ardhur menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve tregoi se “politikës së re” i vodhën fitoren. Dhe vërtet, ndonëse nuk thuhet, ndjehet ngërçi që kanë agjitatorët socialistë për të mobilizuar masat, të cilave është vështirë sot gjysmë viti pas zgjedhjeve t’u thuhet se duhet të revoltohen që kryetari socialist të mos ndjehet i vetmuar. Se ata duhet të shpenzohen si mish për top pasi kryetari socialist që e hartoi vetë kodin zgjedhor, që e hartoi vetë barceletën me programin 1000 faqësh për zgjedhjet të cilin askush nuk e pa kurrë, që i emëroi vetë komisionerët në qendrat zgjedhore, që i quajti këto zgjedhje si më të mirat në histori dhe që tani, pas larjes së hesapeve me çdo zë kritik brenda partisë, gjashtë muaj pasi këto zgjedhje mbaruan, deri edhe pas pushimeve verore “abbronzato ed arrabiato” - siç e quan një mik sindikalist italian - ai kujtohet të ndjehet i ofenduar.
Prandaj, skenat teatrale të Berishës nga foltorja e Kuvendit, janë dhurata më e mirë që njëra gjysmë e kartës së bixhozit i bën siamezit të gjysmës tjetër. Janë thjesht një lojë mes dy ortakësh ku njëra dorë ndyn tjetrën në emër të një partneriteti të ri që duket se do të vazhdojë gjatë. Një partneritet të ngjashmish, që shqetësimin e vet real nuk ka aspak akuzat personale, por jetëgjatësinë e një sistemi të padrejtë që e ka katandisur Shqipërinë në vendin më të varfër, më të shfrytëzuar, më të korruptuar dhe më të padëshiruar të Evropës. Një partneritet i cili kujdeset që ky sistem i paskrupullt ekonomik që i detyron fëmijët të shërbejnë si qentë e gjahut të të huajve, të mbetet pa opozitë. Dhe që politika të mos ofrojë kurrë një alternativë shprese, por thjesht spektakël televiziv me sharje nga “robt e shpisë”. Është koha kur shqiptarët të kuptojnë se nuk mund të trajtohen më si masa pa tru, se ka një atdhe për ata që që nuk dorëzohen dhe se po rilind Shqipëria që refuzon shantazhin. Prandaj, kurajo!


* Botuar ne gazeten "Shqip", 04/12/2009

Thursday, November 5, 2009

Albania rocks

Nga Sokol Shameti

Si nën anestezi. Në epokat e mpirjes morale është e kollajshme të kryhen operacione të vështira. Këto kohë mund të na dhimbte një dhëmb tjetër: ngacmimi gjer në pushim zemre i nervit të nacionalizmit. Por pas krizave të shkuara me shpërnguljet e mëdha, holokaustin tonë personal, Mitrovicën e Veriut, kasaphanën çame, natën e kristaltë të Manastirit a dorëzimin e Himarës, asgjë e këtij lloji tashmë të harxhuar në mizorinë e vet, s’bën më efekt.
Shqiptarët po i stërvisin që të indinjohen tani nga gjëra më surreale, nga padrejtësi që meqenëse vetëm sa i afrohen konceptit të padrejtësisë deri në minimumin e vet, nuk janë tamam padrejtësi. Nga disa thuajse-mashtrime, apo imitacione mashtrimi, të cilat po t’i vësh veshin Sllavoj Zhizhekut, përbëjnë shenjën e zvetënimit të kohëve ku jetojmë. Shpërfillja për njerëzit është tashmë aq e thellë, saqë edhe të keqen kursehen t’ua servirin pa hile. Ndërsa nacionalizmi shtetëror kufizohet vetëm në inkursionet komike për të pajisur me pasaportizim në Tiranë ndonjë kockë nga ato të legenit të Fan Nolit apo Nënë Terezës, “fushëbetejat” popullore, ato ku është vendi të pësojmë disfatat tona kombëtare janë tërësisht fantazmagorike, jo-konkrete dhe shpesh fare të pakonceptueshme.
Shikoni se me çfarë abstraksionesh orvaten t’i acarojnë kohët e fundit shqiptarët: me ca gërma cirilike që na quajnë pikërisht ashtu siç e quajmë ne vetveten jetë e mot: malësorë. Me burgosje kolektive brenda pamundësisë për të shëtitur mbi copën e tokës që përkon pikërisht me gjeografinë tonë natyrore. Dhe mbi të gjitha, me vjedhjen e një koordinate të largët detare, që a thua se do të kishim se çfarë të bënim me të po të mos na e kishin “vjedhur”. Sistemi po perfeksionon kështu llojin e krizave që auto-gjeneron, në përpjekje për t’i mbajtur njerëzit në limbon fatale të pafuqisë.
Mjetet janë të gjitha aty. Organizatat politike që i ngrenë topin njëra-tjetrës, dordolecët joqeveritarë që recitojnë fjalë të cilave s’ua dinë kuptimin, mediat në pushimin midis dy spazmave politike që caktojnë dozën e pavarur të injeksionit me “qetësuesin” shqetësues për masat. Pas pak nis reaksioni zinxhir. Një nga një shtrëngohen radhët, tubime, revoltë e brendshme, lumë artikujsh e deri grupe facebook-u “A mund t’i bëjmë 1 milionë shqiptarë që i thonë ‘JO’ kufirit detar me Greqinë”.
Gjithnjë e më rrallë gjendet dikush që të ndalet për të menduar: Padrejtësi vërtet, por a ka një arsye pse ndodhi e gjithë kjo? Pse duhet të na revoltojë fakti që Greqia ka aftësi më të mira negociuese se Shqipëria? Pavarësisht nga koha kur ka ndodhur, a nuk është gjithçka në diplomaci apo luftë, rezultat i dy qëndrimeve të pabarabarta? A nuk ekziston sot Shqipëria vetëm sepse në momentin vendimtar ata që ishin rrotull nuk influencuan dot deri në dominimin e atyre që e banonin këtë hapësirë? A nuk ekziston secili nga vendet fqinjë si kompromis në pikën ku lodhet rivaliteti, e kështu me radhë fqinj pas fqinji në një qark të mbyllur ekuilibrash deri në plotësimin e krejt puzzle-it administrativ të planetit? A nuk është hapësira e ajrit që kontrollojmë rezultat i të njëjtës lojë force? Dikush s’mundi të kontrollojë këtë që kemi ngase aty mbaronte forca e vet dhe ja ku u krijua hapësira që mbushëm ne. Nëse s’do të ishte këtu ku është, do të shtyhej pak më tutje. Kështu edhe për ujërat. Fillojmë aty ku mbaron graviteti i të tjerëve dhe aty ku zbehet pushteti ynë nis të sundojë dikush tjetër. Asgjë tragjike s’ka në këtë sistem universal ekuilibri dhe asgjë fatale gjithashtu. Të 300 kilometrat katrorë që “u falën” ishin thjesht një hapësirë ujore që më parë s’i takonte askujt dhe që Greqia përfitoi ta merrte pa shumë mundim ngaqë ne s’rezistuam.
Ne të gjithë dështuam të meritojmë më shumë. Produkti ynë politik, forca jonë ekonomike, dhuntia jonë diplomatike, cilësia jonë e gazetarisë, mprehtësia e kritikës sonë e gjithçka nga kreativiteti i fizikës deri tek melodia e muzikës. Gjithçka ne bëjmë s’ishte në lartësinë e duhur për të krijuar atë situatë fatlume ku fjala jonë ka peshë, kur ndikimi ynë bën efekt dhe kur mëria jonë shkakton stres. Të dashur shqiptarë të momentit, është kaq e thjeshtë. Ne s’ishim gati dhe humbëm përsëri.
Dhe tani hajt të shkojmë të pijmë e të dëfrehemi përsëri. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe oburra ta shprehim sa fort e besojmë këtë duke trazuar eshtrat e të vdekurve jashtë shtetit a duke i hedhur një dorë bronz të shkrirë kallëpit standard që shërben për bustet tip “karafil me flokët me vizë anash” që u ngjajnë të gjithëve, nga Bill Klintoni e Xhon Kenedi, deri tek Pandi Majko dhe Erjon Veliaj.

***

Ajo ishte epoka e betejave të braktisura - tranzicioni ynë, nga një disfatë e vogël e përditshme me motive shqiptare. Tashmë ne jemi të gjunjëzuar. Një nga një i humbëm të gjitha çka mund të humbasë një komb i vogël që s’ka ç’të ekspozojë tjetër veç romantizmit të emrit dhe impresionizmit të peizazhit. Kujtohet një epokë e tingullt marrëzie e mbushur me eksploratorë yjesh tashmë të shuar dhe akullnajash imagjinare atje ku flamujt tanë s’arritën dot kurrë. Ishte koha e gëzimit të të tjerëve që si çdo dëshirë që ka nevojë për mungesë, të vret ngadalë teksa ia heton dritat e largëta të festës që nga mërzia e vetmisë tënde. Fill e për pe i deshëm të gjitha Amerikat, ato me metrazh të gjatë që na porositën t’i donim. Ç’të mbajmë mend nga ëndrra e keqe e këtyre 20 viteve kalimtarë ku miliona prej nesh dogjën adoleshencën, rininë e deri edhe pjekurinë e plotë? Ne do të mbajmë mend një pabesi të madhe. Do të mbajmë mend sesi vendi i shpërdoruar ku na lanë të jetojmë nuk ishte ai që dikur u mor në dorëzim me inventar.
Sindromë suicidale e albanicidit kronik, dhe këtu askush nuk ndjehet më rehat që nga intelektuali depresiv e deri tek kaubojsi (ç)etnik i bunkerizuar brenda offroad-it të vet, që ndonëse kokëtrashë ndjen befas të njëjtin shqetësim. E teksa një gjeneratë e re gatitet me neveri t’i zërë vendin të vjetrës, ja dhe Shqipëria që derdhet me shpejtësinë e çakërdisur të një treni të dalë jashtë kontrollit, nga tuneli i erës së zbulesave drejt një askundi tërësisht të ri.

Gazeta "Shqip", 5 Nentor, 2009

Thursday, March 5, 2009

Viva il Pango, Viva il Re!

Teksa në orët e mbrëmjes u mësua se kryeministri Berisha shkarkoi me telefon ministrin Ylli Pango nuk kishte sesi të mos përshkoheshe nga një ndjenjë komike keqardhjeje për viktimën e këtij blitzkrieg-u puritan. Kjo jo vetëm për efektin dramatizues që krijojnë ca terma me tinguj revolucioni si: “shkarkim në vend”, “pa një pa dy”, “automatikisht” etj etj.
Gjithashtu, keqardhja nuk buronte as nga fati i keq i ministrit Ylli Pango, të cilit s’iu la as luksi fiktiv i të qenurit “ylli i mbrëmjes” të paktën për një natë, derisa të nesërmen të mblidhej ndonjë ekip qeveritar që do t’i organizonte ndonjë shkarkim për të qenë. Yllin e Pangos e shoi vetëm një njeri që s’i pëlqeu videoja në televizor, dhe për ta zhveshur atë nga spaletat nuk u ndoq ndonjë procedurë formale ashtu siç shkarkohen zyrtarët në një vend normal, ku kryeministri nuk është mbreti absolut që u pret kokat oborrtarëve në varësi të humorit ose të problemeve me urthin. Pangos së gjorë s’ia lejuan as këtë kënaqësi të vogël dhe vëmendja e opinionit publik u zhvendos nga debati për videon e sikletshme dhe fenomenin trishtues që ajo demaskon, tek skrupulli i pakompromis dhe pastërtia e panjollë e moralit të qeverisë në përgjithësi dhe kryeministrit në veçanti si rojtar vigjilent i një liste imagjinare principesh mbi të cilat është themeluar gjithë konstrukti i kombit.
Por teksa kjo lloj keqardhjeje me nota – ta pranojmë – melodramatike, mbetet një përjetim kryesisht personal, në një vështrim më të tërësishëm të pikturës s’ka sesi të mos dallohen disa defekte të paanashkalueshme që marrin kuptim me rastin e shkarkimit të një ministri për çështje nderi.
Kryeministrit Berisha, të sulmuar rëndë pikërisht në territorin ku ai s’duron dot sulme, pra në nder, kjo “proçka” e Pangos mund t’i ketë ardhur si një dhuratë për ditëlindje. Një mundësi e artë, që në pragun e një fushate që parashikohet e ashpër, ai t’i shtojë portretit të vet të çngjyrosur disa penelata shpëtimtare për rekuperimin e imazhit të kampionit të ndershmërisë. Dhe jo të ndonjë tip ndershmërie nga ato që mezi shpjegohen për shqiptarin e thjeshtë dhe që kanë nevojë për statistika, si për shembull ndershmëria në administrimin e fondeve publike apo në kalkulimin e raporteve politike. Jo. Kjo është ndershmëria e thjeshtë si buka, ajo e drejtpërdrejta. Ndershmëria e moralit, e virtytit dhe e vlerave të familjes. Kjo është një gjuhë që e flet mirë shqiptari i zakonshëm dhe kryeministri diti me sukses sesi të dërgojë një mesazh të përshtatshëm për këto lloj veshësh. Një mjerim i vërtetë ky, nëse do të kemi parasysh se i njëjti kryeministër në raport me të njëjtin ministër, ka miratuar pa asnjë hezitim një vargmal “proçkash” edhe më me zarar se kjo e fundit që kishte fundja fundit një sfond tërësisht njerëzoro-seksual. Në këto vite qeverisjeje demokrate, ministri Pango ishte në fokus të kritikave të opinionit për një seri vendimesh. Nuk e shkarkoi njeri Pangon për asnjë nga shqetësimet që ai direkt apo indirekt i krijoi qeverisë dhe kryeministrit në këto vite. Menyja ishte shumë e pasur. Që nga mësymja mbi Federatën e Futbollit e deri tek shpërndarja revoltuese e trojeve turistike për ngritje mullinjsh me erë, nga kufizimi i gjithë politikave nxitëse të turizmit kulturor në një projekt 40 hanesh e në shndërrimin e vetë ministrisë në hanin e 41-të të këtij projekti e për të arritur deri tek bëma më e fundit, ajo e paaftësisë për të zgjidhur në mënyrë burrërore, civile e të argumentuar debatin etik nëse iniciativat private me karakter kulturor duhen lejuar ta shkelin pakëz ligjin apo jo. Ndjekës më sistematikë të ecurisë së dikasterit të kulturës nën udhëheqjen e tij sigurisht mund të kenë lista më të gjata. Ajo që i mbetet një vëzhguesi të paangazhuar, është artikulimi i një shijeje të keqe që të mbetet në gojë nga lajmi i heqjes për arsye sa banale aq edhe qiellore të një zyrtari të lakuar për plot zullume fare konkrete e tokësore. Si dhe selektiviteti spektakolar dhe tërësisht televiziv i shkarkimit të tij dhe vetëm të tij midis një repertori të larmishëm ministrash e zyrtarësh nga më të lartët në orkestrën qeveritare, të cilët, sikur ta kishte vërtet namuzin kaq të ndjeshëm zoti kryeministër, do të duhej të ishin tashmë duke i hapur një vend Pangos në një qeli burgu me krevat marinari.

*Gazeta Shekulli, 5 Mars 2009

Monday, February 23, 2009

Ç'kërkoi shqiptari në shekuj?

Më në fund dje, vendosa të ulem dhe ta zbardh regjistrimin e hershëm të një dialogu të interceptuar në distancë përmes mureve të holla të një moteli periferie, aty nga ora 4 e mëngjesit pas një nate relativisht alkoolike. Një prove e pakundërshtueshme për vërtetësinë e legjendave rreth hakmarrjes seksual-politike të çunave prodhim 100% shqiptar, me shumë namuz dhe pa asnjë prezervativ :)

***

- Ajo: Uh çfarë nate!

- Shqiptari: Lëri përsiatjet. Do vijnë komshinjtë të ankohen: "keni ngatërruar derë, kjo s'është biblioteka kombëtare".

- Ajo: Atëherë?

- Shqiptari (duke i hedhur nga koka tek këmbët një vështrim të ngrysur nga ata që të kallin datën dhe me nervin që dalëngadalë merr trajtë kaçurreli diku sipër vetullës së majtë): Zhvishu. Shpeeeeeeeejt.

- Ajo: Ua, sa i paduruar ky.

- Shqiptari: Ta tregoj unë ty.....bushtër, mafioze, okupatore, tradhtare e atdheut. Do të t'i shkatërroj kordat zanore. Do të t'i heq dilemat për jetën. Zhvishu të thashë, naaa....(dëgjohet flakërima e një shpulle ekspress-makiato).

- Ajo: (mes dënesash) Ti qenke një përbindësh. Kafshë.

- Shqiptari: (hungërimë e patranskriptueshme).

Në këtë pikë pason një heshtje e mundimshme e ndërprerë nga disa si punë ofshamash dhe gurgullitjesh nga më të ndryshmet, zhurmë zinxhirësh pantallonash apo kushediseçfarëveshjejetjetër, zhvendosje mobiljesh, grisje pëlhurash dhe në përgjithësi efektet e plota zanore nga repertori i një përleshjeje të heshtur por njëkohësisht edhe mjaft shprehëse. Pas pak teksa situata duket se ka mbërritur në një rrugë pa kthim, rikthehet dialogu. Ose më saktë monologu.

- Shqiptari (me një ton prej barbari të uritur vizigot të cilit sapo i ka rënë në dorë një tortë elegante e gatitur enkas për ditëlindjen e ndonjë fisniku të Europës në periudhën baroke): Na. Na. Na. Bushtër. Na, këtë për rrethimin e parë të Krujës. Këtë për të dytin. Këtë për
tradhtinë e Hamza Kastriotit. Na. Na.Na...

Gjithçka shoqërohet me një bum-bum-bum ritmik si koka e një njeriu që përplaset pas një tavoline dërrase në çaste dëshperimi. Dhe monologu vazhdon gjatë gjithë natës. Padrejtësitë ndaj kombit shqiptar s'paskan pasur të numëruar. Aty nga ora 8 e mëngjesit kemi arritur tek kapitulli i firmave piramidale (dhe bum-bumi që kishte pësuar një zbehje të përkohshme aty tek pjesa e pushtimit të 7 prillit dhe tek atentati i Vasil Laçit, merr një intensitet të ri).

- Shqiptari: Na...na...na, këtë për Vefën, këtë për Suden, na...këtë për Gjallicën. Këtë për rojen e repartit ushtarak numër 321 që s'na la të futeshim tek depoja ku ruheshin sntitankët. Këtë për vrasjen e Azemit dhe këtë...të fundit....për sistemin elektoral të Dushkut. Uhhhh. Sa është ora darling?

Ajo: zzzZZZzzZZZZzzzzZZZzzZZ

This is (not) BBC

Ora 15.30. Dimër. Tiranë. E martë. Ose e premte. S'ka pikë rëndësie. Një shqiptar i ndershëm (dhe njëkohësisht skeptik) sapo ka ngrënë drekë dhe, në këtë orë, ka një nevojë fiziologjike për lajme - një lëndë kjo e njohur dhe efikase mesdhetare tretjeje.

Lajmet ndodhen brenda një kutie ambalazhi të blerë me paret e tij ose të ndonjë të afërmi që punon si distributor "farmaceutik" në Bashkimin Evropian.

Por, kutia televizive në fjalë nuk është thjesht një kuti që bën lajme të ndërprera çdo pesë minuta, nga 30 lepuj publicitarë, që dalin duke kërcyer në tentativë për të të shitur ty detergjentë enësh. Ajo është edhe një aparat ëndërrimi.

Disa e quanin "dritare", atëherë kur Shqipëria s'kishte as derë. Shqiptari vërtet i mirë, i ndershëm dhe i lodhur, por gjithmonë skeptik, fiks në orën 15.30 nis seancën e tij të përditshme spirituale të ëndërrimit përballë dritares prej xhami.

Ëndërrimet e çojnë larg. Sigla e njohur ku lexohen inicialet e TVSH-së publike, nis e i valëzohet ndër sy, me anë të disa efekteve vizuale magjike, që përdoreshin në fëmijërinë e kinemasë fantastiko-shkencore, duke iu shndërruar në BBC.

Ora 15.30 e dimrit të tij tiranas, në atë të martë apo të premte - kjo s'ka pikë rëndësie - i zhvendoset në orën 15.30 të një dimri tjetër, kësaj radhe londinez, në një të martë a të premte paralele - të cilat sërish s'kanë pikë rëndësie.

Shqiptari i mirë dhe skeptik, shpreson se në këtë realitet të ri, ai do të jetë dikush tjetër. Dikush pa këto cilësi kaq të thjeshta për këto kohëra të ndërlikuara. Ai është tani një britanik. Por, përsëri i mirë. Skeptik? Këtë do ta shohim.

Çfarë bën një britanik i mirë në ekuivalentin e orës 15.30 të shqiptarit të mirë? Sigurisht, edhe ai përgatitet të shohë lajmet tretëse pas "british lunch"-it të tij. Për aperitiv, urdhëro nja dhjetë minuta spot i Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme. Meqenëse kjo është BBC-ja britanike, edhe spoti është sajuar me humor ishullor:

"Lajm sensacional. Qeveria e di se kush je ti. Pas 18 vjetësh bashkëpunimi të mundimshëm mes Home Office-it (Ministria e Brendshme) dhe Department for Local Government-it (Ministria e Pushtetit Vendor), u arrit suksesi më i madh i të gjitha kohërave.

Britaniku nuk është më një qenie pa identitet, pa emër, pa fytyrë dhe pa adresë. Qeverisë i ra bretku dhe më në fund arriti ta zbulojë se kush është shtetasi i vet dhe për të mos e humbur prapë, i dha atij një kartë identiteti".

Anglezi i mirë teleshikues merr frymë thellë dhe nis të krijojë një mendim më pozitiv se ç'duhet për qeverinë e tij. Por, pastaj përmendet nga ky mendim i rrezikshëm: "Prit një moment. Po a s'është kjo puna e zakonshme e qeverisë?

Pse duhet bërë reklamë për këtë punë? Reklamë bëjnë kompanitë komerciale për produktet që duan t'i shesin. U reklamohet klientëve dhe jo zgjedhësve".

Sidoqoftë, ai s'ka kohë të vazhdojë me revoltën e vet. BBC-ja, në këtë moment, e bombardon me tingujt e disa fanfarave triumfale, që pikërisht në orën me audiencën më të lartë, kur anglezi i mirë dhe skeptik ka ngrënë drekë dhe ka ngritur receptorët, i shpallin se "Her Majesty's treasury" (Ministria e Financave) ka bërë kërdinë me dogana e taksa dhe ka mbledhur 7348003759284538,3402434 sterlina, pra 229,32 mijë herë më tepër se në kohën kur në pushtet ishin opozitarët e urryer dhe të paaftë, ata lapangjozët e Dejvid Kameronit, që tani kanë fytyrë të kërkojnë prapë pushtetin, që kështu të mbledhin sërish 229,32 mijë herë më pak sterlina si të ardhura doganore apo nga taksat, duke i marrë në qafë qytetarët anembanë ishullit, nga Skocia deri në Dover.

Britaniku i mirë, si fillim kujton se mos ka filluar edicioni i lajmeve dhe kjo s'është reklamë, por ndonjë reportazh nga ata të paanshmit dhe profesionalët, me të cilët është mësuar jet' e mot. Për këtë arsye, si fillim pëson një tjetër ofensivë nderimi solemn për heronjtë kokulur të qeverisë së tij, që ngrysin jetët e tyre aty në labirintet e pashpirta të Thesarit Mbretëror.

Por pastaj i kujtohet se, përveçse një shtetas mirënjohës, ai është njëkohësisht edhe skeptik i pashërueshëm dhe i rikthehet buzëqeshjes së vet cinike. Pas pak kutia televizive shndërrohet në "rrugë drejt ferrit".

Chris Rea shfaqet aty bashkë me kitarën e tij, në një fushatë sensibilizuese të "Department of Transport"-it. Pikërisht në momentin kur kënga kulmon me vargun "this is the road to hell" (kjo është rruga drejt ferrit), Chris-i qesh në ekran, ul syzet me një gjest teatral dhe fiks atëherë kur askujt s'ia pret mendja, deklaron: "Në fakt, kjo është rruga drejt integrimit evropian.

Qeveria ka ndërtuar në katër vjet, aq rrugë sa nuk janë ndërtuar që nga koha e Oliver Kromuellit. Madje, edhe disa hekurudha. Mos ngurro. Bashkohu edhe ti me ne".

Në këtë pikë, britaniku i mirë, ngrihet në këmbë me një respekt të ndarë 50 me 50 midis muzikës rock të viteve '80 dhe heroizmit të dragonjve qeveritarë, që po çajnë një tunel në Murin e Hadrianit për ndërtimin e autostradës Birmingham - Glasgow.

Por, qëndrimi gatitu nuk zgjat shumë. Pas pak, ëndrra merr fund. Fillojnë lajmet. "This is not BBC". Anglezi shkund gjumin, rikthehet shqiptar, merr telekomandën dhe ndërron kanalin.

Gazeta "Shekulli", 13 shkurt 2009

Manual përdorimi për orën e koprifuokos

Nuk kemi kohë. Këtë fillimvit, këtu përmblidhet gjithë kredoja politike e kombit. Opozita është e shqetësuar rreth pamjaftueshmërisë së kohës për t’u marrë shenjat e duarve gjithë votuesve. Mazhoranca thotë se kemi humbur shumë kohë duke i lënë kaq gjatë në detyrë zyrtarë të drejtësisë me duart të përlyera në “komunizëm”. Nikollë Lesi nuk ka kohë për të humbur me ministra të paaftë të cilët thotë se i ka votuar po vetë. Deri edhe Eduard Shalësi thotë se koha për realizimin e tërë atyre projekteve për Tiranën, skadoi, ngaqë Berisha dhe Meta i ngulën thikën buxhetit të Bashkisë.

Në përgjithësi, ne si shoqëri shqiptare kur na kap ndonjë moment i rrallë kthjellimi mendojmë se, netëve mes grackash dhe batakçillëqesh të vogla që pamë në rrugën e pafundme deri këtu, shumë kohë kemi humbur me këtë tranzicionin. Njëzetë janari, thonë, ishte dita më e trishtuar e historisë, kriza ekonomike që pak vetë e kuptojnë po na gllabëron, dimri është i ashpër dhe në përgjithësi të gjithë kanë një ndjenjë pesimizmi për jetët e çuara dëm në pritje të një dite të bardhë që s’erdhi kurrë.

Gjithkush në mënyrën e vet, përtej nevojave personale nga ato më proletaret për bukë, ujë e drita e deri tek shqetësimet intelektuale që mezi shpjegohen, ndjen këto ditë një si mungesë kohe. I vetmi në këtë vend që duket se nuk e ka problem kohën pa kthim është Skënderbeu dhe kali i tij, që sivjet festuan me një indiferencë prej bronxi deri 541 vjetorin e asaj vdekjes që u garantoi atyre përjetësinë.

Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag. Në qarqe të kalitura militantësh por edhe zgjedhësish – nga ata lehtësisht të manipulueshmit - atmosfera e “koprifuokos” politike është thuajse një stil jetese për të cilën në kohëra paqeje ka deri deri nostalgji. Shumë njerëz kanë mall për adrenalinën që të jep rreziku, suspansën si në filmat hollivudianë dhe në përgjithësi, të jetuarit nën alarm.

Por vërtet, teksa thellë në shpirt të gjithë shqiptarët normalë ëndërrojnë që më në fund të kemi ato zgjedhjet e vërteta të lira, të drejta, pa asnjë cen dhe pa asnjë arsye ku të kapen kundërshtuesit e rezultatit të tyre, a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?

Ku ka vullnet gjendet një rrugëzgjidhje, thonë të mençurit. Nëse qëllimi ynë final është të zhvillojmë gjallë a vdekur një palë zgjedhje që të mos kenë të sharë, atëherë çdo vendim, proces apo afat institucional do të duhet ta lërë peng përkohësisht sublimitetin e vet. Arsyeja është madhore.

28 qershor? Dekret presidencial? Afat kushtetues? Po ç’janë këto pallavra. Ne që Kushtetutën e kemi shndërruar në topth plasteline edhe për çështje absolutisht banale, a thua e quajmë atë një tabu të paprekshme për një motiv ekzistencial? Si fjala vjen, nëse vjen puna për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po u shndërrua në një pengesë që këto zgjedhje të jenë sipas atij qëllimit kryesor që thamë në fillim. Dhe të mos dalë njeri e të na thotë, ne, shqiptarëve që lamë peng 18 vitet e fundit të jetës sonë mbi altarin e iluzionit për dritën në horizont, se agonia jonë do të zgjatet për shkak të një hollësie administrative. Sepse, e thamë: ku ka vullnet politik, do të gjendet një rrugëzgjidhje institucionale.

Ja sesi edhe alarmi se s’kemi kohë të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të mira është kallp dhe gjithë kjo klimë false tensioni e induktuar në mendjet e shqiptarëve për t’i bindur ata se zgjedhjet e lira mund të na shkasin prapë për duarsh, është fund e krye artificiale.

E përçarë, e dobët, e paqartë dhe kompleksive, e majta shqiptare përbën në këtë teatër, shëmbëlltyrën e atyre personazheve që në festivalet e filmit marrin zakonisht çmimin “aktori më i mirë jo-protagonist”. Një alternativë që duhet të gjenerojë shpresë dhe të rizgjojë ëndrrat e humbura të një kombi, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë vetes rolin e tellallit të fatkeqësive. Jo demokraci me çdo çmim. Jo shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga e keqja – e cila jo domosdoshmërisht ka një emër frymori por që sigurisht është një mënyrë inferiore të menduari. Në kushtet e tanishme, hiq “vallen e shpatave” Rama-Meta, e majta në këtë vend duket se preokupim kryesor ka krijimtarinë e një terminologjie të re tek e cila më parë ka nevojë që të nisë të besojë vetë ajo.

Por kurrë s’është vonë për të qëmtuar mes rreshtave kaotikë të urgjencave të ditës mesazhin e palëvizshëm të aspiratave që kanë njerëzit e tu. Nëse ka barriera për t’u kapërcyer dhe sfida për t’u vënë gjoksin, nuk është koha ajo që përbën problem për një popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet. Nëse ekziston një aspiratë që ka sot nevojë për artikulim, është pikërisht kjo. Për çështje të mëdha që na kanë bërë ta humbim kohën në trajtën e saj më tragjike të shprehur në jetë njerëzore, shanse që s’kthehen më, lumturi të varrosura një herë e përgjithmonë dhe një gjeneratë pa shpresë e rrugëdalje, të dashur njerëz që kurdisni orën e kombit, ne s’e kemi luksin e të mos paturit kohë.

Gazeta "Shekulli" 21 janar 2009

Rroftë kriza

Ajo që për pjesën tjetër të botës po projektohet tashmë si një tragjedi e paralajmëruar – kriza e afërt ekonomike në horizont – për Shqipërinë mund të shndërrohet befas në një ngushëllim qetësues.

Qeveria, e cila s’është më në gjendje të reklamojë efikasitetin e vet si çelësin që e shpëtoi Shqipërinë nga kriza, tani që kriza u bë aq e madhe saqë s’do të na kursejë as ne, mbase do ta përdorë atë si sebepin pse s’ia doli dot kurrë të sillte në Shqipëri parajsën e premtuar ekonomike.

Kjo fatkeqësi “qiellore”, tërësisht jashtë kontrollit qeveritar, mund të binjakëzohet fare lehtë me kujtesën e krizës së fundit energjetike kur u justifikua me thatësirën më të ashpër që nga koha e Skënderbeut, para një viti, nëse e mbani mend.

Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku gjashtë muaj që zhvillohet. Në fillim qarkullonte teoria e tri “mungesave” për të dëshmuar arsyet se pse kjo sëmundje importi nuk do ta prekte vendin e rreth 3,5 milionë banorëve - shkëmb graniti mes Adriatikut.

Ato ishin: mungesa e çdo industrie të rëndësishme prodhuese, që mund të goditej nga kriza në fjalë, mungesa e ndonjë lidhjeje thelbësore e tregut financiar shqiptar me atë ndërkombëtar, por sidomos, sidomos, mungesa e premisës bazë të kësaj krize që po i tërbon teoricienët anekënd botës – aplikimi, pjekuria dhe kalbëzimi i sistemit ekonomik neoliberal në formën e tij funksionale.

Shqipëria s’trashëgonte asgjë nga ky luks dhe për sa kohë ky mjerim në terren shitej si një avantazh nga ata që qeverisin, ishim të gjithë më të lumtur. Të varfër dhe të poshtëruar vërtet, por të ndërgjegjshëm dhe fare të qetë, absolutisht të qetë.

Këto dhe plot mungesa të tjera ulërinin shqip “jo krizë”, në fazën kur kriza sapo nisi të lulëzonte me naivitet filizat e saj të parë. “Jo” këndonte me bindje të plotë edhe orkestra ekzekutive në krye të vendit. Qeveria që administron paratë e mbledhura në trajtë taksash nga puna e shqiptarëve, Banka Qendrore që bën sinoptikën tonë financiare, bankat e nivelit të dytë që i xhirojnë këto para, a ju kujtohen?

Të gjithë në fillim tundnin kokën urtësisht dhe pasi rreshtonin ose nënkuptonin tri mungesat e mëdha, na jepnin sigurinë relaksuese, se të paktën vuajtjet tona një të mirë e kishin: krizën globale as që do ta ndjenim hiç.

Një ekspert çek, të cilin unë e takova vjeshtën e shkuar, teksa po flisnim për mundësinë që edhe Shqipëria të përfshihej nga kriza në horizont, hodhi sytë në rrugën pranë restorantit ku ndodheshim dhe tha: “Që të hysh në një krizë, duhet që më parë të kesh qenë jashtë saj”.

Por ndërkohë, prej afro një muaji, mund të konstatohet një ndryshim thelbësor kursi, të paktën nga sa kuptohet në deklaratat e autoriteteve. Kriza ekonomike globale këtu, nuk do të kalokërka edhe aq lehtë. Në fillim mbërritën deklaratat për një rënie eksponenciale të remitancave. Emigrantët, bletët punëtore që Shqipëria ka dërguar për të mbledhur nektar në lëndina jashtë vendit, sikur e prishën pak dorën.

Nga 1 miliard euroshi i përvitshëm, Shqipëria arriti të arkëtojë vetëm 70% sivjet, sipas vlerësimeve. Por, paratë e ndershme nuk janë i vetmi burim prurës në Shqipëri. S’ka ndonjë statistikë, por rënia botërore e fuqisë blerëse duhet t’ua ketë dhjetuar fitimet edhe trafikantëve të drogës, prostitucionit dhe armëve, ndër të cilët, patriotët tanë kanë edhe ata hisen e vet.

Dërgesat financiare s’mund të fshihet më se kanë firuar ndjeshëm dhe, dikush, dikur, u kujtua të thotë se ky është një aspekt i krizës ekonomike globale që, tërthorazi vërtet, por po e prek edhe Shqipërinë. Kriza financiare globale, në mos dukshëm, së paku heshturazi po shihet edhe tek rënia e ndjeshme e kredive, që bankat e nivelit të dytë po japin për qytetarët.

Si pa u ndier dhe pa publicitet, mund të thuhet se po vërehet një tendencë që këta të fundit të tërheqin kursimet nga bankat, të prekur nga një krizë besimi për sigurinë e parave të e tyre të investuara në banka vendore, të cilat në të vërtetë janë thjesht degë bankash të huaja që i investojnë këto para në vendet e tyre, andej nga zona e krizës.

Qeveritarë, autoritete financiare, ekspertë që më parë bënin be se siujdhesa jonë do t’i dilte përanash stuhisë financiare botërore, tani po detyrohen të pranojnë se sidoqoftë, Shqipëria do të ndjejë disa pasoja. Duke ndjekur kurbën e qëndrimeve të tyre pakmujore, nga garancia absolute për imunitetin shqiptar ndaj epidemisë globale e deri tek aktet e tanishme të kapitullimit, mund të besohet se ky është vetëm fillimi.

Shqipëria do të preket sigurisht nga ajo që pritet të ndodhë në vitin problematik 2009, por në ç’masë e deri në ç’nivel, kjo mbetet një mister, pasi askush s’është në gjendje ta thotë. Dinamika e deritanishme tregon se në radhët e ekzekutivit dhe ekspertëve që merren me prognozat tek ne, mbizotëron një inkompetencë aq e lartë, saqë gjithçka është lënë në mëshirë të fatit dhe vendi po ecën qorrazi në një monopat pa krye.

Teksa të gjitha vendet e botës po përgatiten të injektojnë shuma të mëdha që i ndajnë nga buxhetet e tyre për këtë ditë të zezë, në Shqipëri, ky proces i ndërlikuar u katandis në një fjali fare ekspres në një mbledhje rutinore qeveritare, ku u shpall premtimi se paratë e siguruara nga disa privatizime të pritshme, mbase do të mund të përdoreshin për të kuruar krizën. A thua ajo është thjesht një proces krejt i zakonshëm, ashtu si ndarja e përvitshme e çmimeve “Penda e artë” në letërsi.

Në këtë vit elektoral, kur organizatat tona politike do të duhet të shpalosin platformat e tyre, të cilat do të duhet doemos të kenë disa ingredientë të fortë ekonomikë, nëse duan të kenë vëmendjen popullore, lypsen të thuhen hapur disa të vërteta. Qeveria e djathtë në pushtet, por edhe e majta në opozitë, duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që ndoshta për shkak të inercisë së entuziazmit tonë post-komunist, s’kemi pasur kurrë kohë ta mendojmë, të bindur se gjithçka, veç ekonomisë së centralizuar, ecën. Por vërtet, teksa kapitalizmi tip far west po jeton orën e tij të zezë, cili është modeli ekonomik që do të ndjekim?

Gazeta "Shekulli", 7 janar 2009

Çështje këpucësh

Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo prapësi liderët tanë të hanin nga një këpucë kokës, atëherë 3 milionë e ca banorët e këtij vendi do të ishin sot një popull që ecën zbathur. Por ja që Shqipëria nuk është një vend ku të zënë me këpucë as atëherë kur vret njerëz, kur i lë ata pa shkollë, pa punë ose kur u shet cave nga Milano a Beogradi deri edhe oksigjenin që u takon fëmijëve të tu për hise.

Këtu në vend që të vënë përpara me këpucë si Bushin në Irak, të durojnë 4 vjet rresht të shesësh dëngla e të këpusësh mufka. Pse të mos kesh qejf të ngulesh në kolltukun e pushtetit në Shqipëri, të hedhësh rrënjë aty e të mos shkulesh prej andej, jo sikur të të votojnë kundër në zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe sikur bomba atomike të bjerë? Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo Aleksandros Grigoropulos që bie viktimë e antiqytetarisë shtetërore të kishim nga një reagim qytetar, atëherë sheshi “Skënderbej do ta kishte popullsinë rezidente më të dendur edhe se Manhatani. Por shqiptarët e racës së sotme, janë shndërruar në ca njerëz që rrinë përpara televizorit duke soditur dokumentarët me ngjyra të këqia nga vitet ’90, ku po këta shqiptarë por të veshur si kinezë dhe të krehur me favorite teksane, mbushnin sheshet me dallgëzime aq masive sa të bëjnë edhe sot të të përshkojnë të dridhura. Po. Mjerisht është e vërtetë. Shqiptari i sotëm, është më në fund një individualist kronik. Një njeri që po ta lësh në dëshirën e tij, nuk e shikon më veten të asociuar kurrkund. Një krijesë që duket tërësisht e dorëzuar përballë nevojave të veta strikte personale, aspak e gatshme të sakrifikojë diçka qoftë edhe të vogël e të parëndësishme në emër të një qëllimi të madh e të përbashkët. Ca njerëz që kanë frikë nga vetja, nga e kaluara dhe që në emër të kësaj frike deri edhe gjuhën e tyre e kanë transformuar, deri edhe fjalorin e kanë censuruar duke i eliminuar fare prej andej terma si solidariteti, vullnetarizmi apo interesi shoqëror e duke bërë që nga frika se mos i quajnë komunistë, të shndërrohen në anti-qytetarë. Shqiptari është një njeri që mbahet nën një shantazh të përditshëm verbal, për ta bërë të mendojë se s’ka fare të bëjë me epokën e zezë 1944-1992. Dhe ndonëse të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ajo ishte një kohë në të cilën të gjithë ishin nga pak bashkëpunëtorë dhe viktima njëherësh, shqiptarët përsëri kanë frikë ta pranojnë këtë, duke vetë injektuar përditë drogën me iluzionin turpërues dhe çburrërues se një njeri i vetëm bashkë me një grusht maskarenjsh rreth tij, arritën t’i vënë ata në rresht si delet dhe t’i përdhunojnë për 50 vjet. Askush nuk flet për këtë dhe të gjithë përdorin një gjuhë të kripur në klishé, që ngjan aq shumë me parrullat dogmatike të po asaj epoke të zezë, tullat e së cilës shqiptarët i ngritën së bashku, disa nga frika e shumica nga padituria. Sepse moskokëçarja e përgjithshme në këtë vend, lidhet më shumë se me dorëzimin e njerëzve përballë realitetit të pandryshueshëm, me mungesën e tmerrshme të informacionit për atë që ndodh jashtë kufijve tanë, qoftë edhe fare pranë nesh. Kjo ndodhte gjatë komunizmit. Për këtë kujdesen posaçërisht që të ndodhë edhe tani, ndonëse me metoda më të kamufluara, se helbete, jemi vend demokratik. Shqiptarëve u thonë se jemi prapë një vend i lumtur, se “Shqipëria po ndryshon”, se rritja jonë ekonomike është me dy shifra. Por ama nuk u thonë se mesatarisht në Shqipëri një banor i ka të ardhurat vjetore rreth 5.800 dollarë (që do të thotë rreth 48.000 lekë të reja në muaj), ndërsa deri edhe Maqedonia i ka 8.400 USD, e Serbia 10.400 USD. Çfarë kanë më shumë se Shqipëria këto vende pa dalje në det, të zhuritura nga luftërat, konfliktet etnike dhe fetare, të kontestuara ndërkombëtarisht dhe me dilema të brendshme ekzistenciale? Përgjigjja është e thjeshtë. Ato kanë qeverisjen që meritojnë qytetarët e atjeshëm. Si minimum këto vende kanë një qytetari të tillë që u kall datën qeverisjeve të tyre. Kjo frikë i frenon ato deri në atë pikë sa ato të mos i shkelin interesat e vendit me të dyja këpucët. Në të kundërt në mos 1 milion njerëz do i kenë në shesh me daulle e bomba molotov, së paku, nga një këpucë kokës do e kenë të garantuar. Sepse demokratike janë ato vende ku këpucët s’përdoren vetëm për shëtitje.

Gazeta "Korrieri", 18 dhjetor, 2008

Mbi turizmin mediatik

Se çfarë ndikimi do kenë në Shqipëri zgjedhjet amerikane, këtë është herët ta thuash, ndonëse s’duhet diplomë Harvardi për të kuptuar se rrota e historisë botërore mund të marrë një kthesë te re nga data e sotme – varësisht se kush merr çelësat në zyrën ovale. Por ja që ne në Shqipëri – një vend i varfër, pa ndikim, i vogël dhe pothuajse i parëndësishëm për nga kualiteti i gazetarisë që ofrojmë në tregun global – po zhvillojmë së fundi edhe një nga paradat më donkishoteske që mund të ketë parë historia kryesisht e medias vizive por e ndjekur këmba këmbës edhe nga disa pinjoj të kamur, të llastuar dhe të vetëkënaqur të shtypit të shkruar. Kjo është parada, apo më mirë gjuetia e destinacioneve mediatikisht ekzotike. Ka një garë të ethshme deri në migrenë për të imituar gjithçka që bëjnë mediat e mëdha, ato, artileritë e rënda, byrotë mediatike ku punon Kristianë Amanpuri apo Timoti Garton Eshi. Shqipëria mund të mos ketë mbase CNN apo BBC por ama ka edhe ajo miniaturat e veta të Anderson Kuperit të famshëm të CNN-it apo Alan Xhonstonit korrespondent nga Gaza i BBC-së. Një televizion që ka mendim të mirë për vetveten në Shqipëri, nuk quhet i tillë nëse nuk është në gjendje që pavarësisht kostove marramendëse financiare, të dërgojë njeriun e vet aty ku është syri i ciklonit. Por e gjithë kjo histori nuk është edhe kaq e simplifikuar. Ka edhe ajo ndërlikimet e veta. Syri i ciklonit, vendi i ngjarjes, vëmendja e botës, bën mirë të bjerë në ndonjë shtet me tingëllimë moderne, ndonjë qytet i kualifikueshëm për të dërguar atje jo gazetarin e thjeshtë, atë që gris këpucët nëpër konferenca shtypi në Tiranë apo në ndonjë zonë të humbur elektorale kur ka zgjedhje në Shqipëri. Jo. Destinacioni i turizmit mediatik është zakonisht Amerika, ose Franca ose Brukseli, ose Old Trafordi ose Grand Prix of Formula 1. Turisti mediatik është zakonisht kryeredaktori ose vetë drejtori që shndërrohet në ekspert të gjithçkaje. Dhe ja ku mbërritëm si pa e kuptuar nga shkolla e “analizmit” të Bar Westit të vjetër tek ish-Blloku, direkt e në raportimin live, via satellite nga gjellëtorja përbri hotel Uotërgejtit. Sepse, ti s’futesh tek kasta e zgjedhur nëse ti si minimum s’po interviston ndonjë shofer taksie tek lulishtja 500 metra larg Shtëpisë së Bardhë në të njëjtën kohë kronometrikisht ekzakte kur edhe Kristianë Amanpuri po interviston brenda vetë Zyrës Ovale vetë Obamën të cilin fshehtaz, gjithkush nga “korrespondentët e luksit” ëndërron ta çarmatosë një ditë prej ditësh gjatë intervistimit me kundërmimin e vet të parfumit, me orën firmato apo qoftë edhe me aksentin e shkujdesur të anglishtes. Për të justifikuar pastaj gjithë këtë kotni euforike pa bereqet, mbërrijnë edhe ato gjysmë-raportime gjysmë-analizat të cilat nëse ka ndonjë shqiptar që ka interes për zgjedhjet amerikane, hiç s’ka pse lodh kokën me klonet shqiptare, por i ndjek nga vetë origjinali CNN apo FOX news. E gjithë kjo përndjekje informative alla filmat western, më kujtoi mua kohën kur duke jetuar në Shtetet e Bashkuara gjendesha shpesh viktimë i hiper-mbulimit mediatik, super-raportimit të çdo hollësie, nga çdo kënd, të çdo detaji të çdo ngjarjeje që ty mund të të rrente mendja se s’kishte ndonjë ndikim për jetën tënde. Por teksa i mbijetoja heroikisht bombardimit që të ofronte bollëku i ultra-kualifikuar mediatik që udhëheq sot botën moderne të shtypit, mbërrinte pas pak edhe ideja qetësuese se kjo ishte Amerika, vendi i madh, konkurrenca e fortë, potenciali global ekonomik, intelektual dhe ushtarak, ndikimi në fatet e botës. Një babëzi e tillë mediatike, tok me faturën e vet financiare, e kish sigurisht edhe një arsye. Zakonisht njerëzit që dalin në televizor nuk para shohin televizor ngaqë televizori janë vetë ata. Por në Shqipëri televizorët shohin televizora dhe jo vetëm i shohin, por nëse televizori që shohin kap ndonjë stacion amerikan, italian, francez a britanik, ata nisin e reflektojnë pamjen që shohin. Ky s’është ndonjë malinjizim i punës vërtet simpatike që bëjnë shumë kolegë që sjellin për publikun shqiptar formate të suksesshme të provuara në mediat ndërkombëtare. Por kjo është një parodi për gjithë atë zell të pajustifikuar, absurd dhe deridiku hipokrit për të imituar rrjetet ndërkombëtare me një papagallizëm që është kokë e këmbë dhe kurrgjë tjetër veçse, qesharak.

Gazeta "Korrieri", 6 Nentor 2008