Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Monday, February 23, 2009

Ç'kërkoi shqiptari në shekuj?

Më në fund dje, vendosa të ulem dhe ta zbardh regjistrimin e hershëm të një dialogu të interceptuar në distancë përmes mureve të holla të një moteli periferie, aty nga ora 4 e mëngjesit pas një nate relativisht alkoolike. Një prove e pakundërshtueshme për vërtetësinë e legjendave rreth hakmarrjes seksual-politike të çunave prodhim 100% shqiptar, me shumë namuz dhe pa asnjë prezervativ :)

***

- Ajo: Uh çfarë nate!

- Shqiptari: Lëri përsiatjet. Do vijnë komshinjtë të ankohen: "keni ngatërruar derë, kjo s'është biblioteka kombëtare".

- Ajo: Atëherë?

- Shqiptari (duke i hedhur nga koka tek këmbët një vështrim të ngrysur nga ata që të kallin datën dhe me nervin që dalëngadalë merr trajtë kaçurreli diku sipër vetullës së majtë): Zhvishu. Shpeeeeeeeejt.

- Ajo: Ua, sa i paduruar ky.

- Shqiptari: Ta tregoj unë ty.....bushtër, mafioze, okupatore, tradhtare e atdheut. Do të t'i shkatërroj kordat zanore. Do të t'i heq dilemat për jetën. Zhvishu të thashë, naaa....(dëgjohet flakërima e një shpulle ekspress-makiato).

- Ajo: (mes dënesash) Ti qenke një përbindësh. Kafshë.

- Shqiptari: (hungërimë e patranskriptueshme).

Në këtë pikë pason një heshtje e mundimshme e ndërprerë nga disa si punë ofshamash dhe gurgullitjesh nga më të ndryshmet, zhurmë zinxhirësh pantallonash apo kushediseçfarëveshjejetjetër, zhvendosje mobiljesh, grisje pëlhurash dhe në përgjithësi efektet e plota zanore nga repertori i një përleshjeje të heshtur por njëkohësisht edhe mjaft shprehëse. Pas pak teksa situata duket se ka mbërritur në një rrugë pa kthim, rikthehet dialogu. Ose më saktë monologu.

- Shqiptari (me një ton prej barbari të uritur vizigot të cilit sapo i ka rënë në dorë një tortë elegante e gatitur enkas për ditëlindjen e ndonjë fisniku të Europës në periudhën baroke): Na. Na. Na. Bushtër. Na, këtë për rrethimin e parë të Krujës. Këtë për të dytin. Këtë për
tradhtinë e Hamza Kastriotit. Na. Na.Na...

Gjithçka shoqërohet me një bum-bum-bum ritmik si koka e një njeriu që përplaset pas një tavoline dërrase në çaste dëshperimi. Dhe monologu vazhdon gjatë gjithë natës. Padrejtësitë ndaj kombit shqiptar s'paskan pasur të numëruar. Aty nga ora 8 e mëngjesit kemi arritur tek kapitulli i firmave piramidale (dhe bum-bumi që kishte pësuar një zbehje të përkohshme aty tek pjesa e pushtimit të 7 prillit dhe tek atentati i Vasil Laçit, merr një intensitet të ri).

- Shqiptari: Na...na...na, këtë për Vefën, këtë për Suden, na...këtë për Gjallicën. Këtë për rojen e repartit ushtarak numër 321 që s'na la të futeshim tek depoja ku ruheshin sntitankët. Këtë për vrasjen e Azemit dhe këtë...të fundit....për sistemin elektoral të Dushkut. Uhhhh. Sa është ora darling?

Ajo: zzzZZZzzZZZZzzzzZZZzzZZ

This is (not) BBC

Ora 15.30. Dimër. Tiranë. E martë. Ose e premte. S'ka pikë rëndësie. Një shqiptar i ndershëm (dhe njëkohësisht skeptik) sapo ka ngrënë drekë dhe, në këtë orë, ka një nevojë fiziologjike për lajme - një lëndë kjo e njohur dhe efikase mesdhetare tretjeje.

Lajmet ndodhen brenda një kutie ambalazhi të blerë me paret e tij ose të ndonjë të afërmi që punon si distributor "farmaceutik" në Bashkimin Evropian.

Por, kutia televizive në fjalë nuk është thjesht një kuti që bën lajme të ndërprera çdo pesë minuta, nga 30 lepuj publicitarë, që dalin duke kërcyer në tentativë për të të shitur ty detergjentë enësh. Ajo është edhe një aparat ëndërrimi.

Disa e quanin "dritare", atëherë kur Shqipëria s'kishte as derë. Shqiptari vërtet i mirë, i ndershëm dhe i lodhur, por gjithmonë skeptik, fiks në orën 15.30 nis seancën e tij të përditshme spirituale të ëndërrimit përballë dritares prej xhami.

Ëndërrimet e çojnë larg. Sigla e njohur ku lexohen inicialet e TVSH-së publike, nis e i valëzohet ndër sy, me anë të disa efekteve vizuale magjike, që përdoreshin në fëmijërinë e kinemasë fantastiko-shkencore, duke iu shndërruar në BBC.

Ora 15.30 e dimrit të tij tiranas, në atë të martë apo të premte - kjo s'ka pikë rëndësie - i zhvendoset në orën 15.30 të një dimri tjetër, kësaj radhe londinez, në një të martë a të premte paralele - të cilat sërish s'kanë pikë rëndësie.

Shqiptari i mirë dhe skeptik, shpreson se në këtë realitet të ri, ai do të jetë dikush tjetër. Dikush pa këto cilësi kaq të thjeshta për këto kohëra të ndërlikuara. Ai është tani një britanik. Por, përsëri i mirë. Skeptik? Këtë do ta shohim.

Çfarë bën një britanik i mirë në ekuivalentin e orës 15.30 të shqiptarit të mirë? Sigurisht, edhe ai përgatitet të shohë lajmet tretëse pas "british lunch"-it të tij. Për aperitiv, urdhëro nja dhjetë minuta spot i Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme. Meqenëse kjo është BBC-ja britanike, edhe spoti është sajuar me humor ishullor:

"Lajm sensacional. Qeveria e di se kush je ti. Pas 18 vjetësh bashkëpunimi të mundimshëm mes Home Office-it (Ministria e Brendshme) dhe Department for Local Government-it (Ministria e Pushtetit Vendor), u arrit suksesi më i madh i të gjitha kohërave.

Britaniku nuk është më një qenie pa identitet, pa emër, pa fytyrë dhe pa adresë. Qeverisë i ra bretku dhe më në fund arriti ta zbulojë se kush është shtetasi i vet dhe për të mos e humbur prapë, i dha atij një kartë identiteti".

Anglezi i mirë teleshikues merr frymë thellë dhe nis të krijojë një mendim më pozitiv se ç'duhet për qeverinë e tij. Por, pastaj përmendet nga ky mendim i rrezikshëm: "Prit një moment. Po a s'është kjo puna e zakonshme e qeverisë?

Pse duhet bërë reklamë për këtë punë? Reklamë bëjnë kompanitë komerciale për produktet që duan t'i shesin. U reklamohet klientëve dhe jo zgjedhësve".

Sidoqoftë, ai s'ka kohë të vazhdojë me revoltën e vet. BBC-ja, në këtë moment, e bombardon me tingujt e disa fanfarave triumfale, që pikërisht në orën me audiencën më të lartë, kur anglezi i mirë dhe skeptik ka ngrënë drekë dhe ka ngritur receptorët, i shpallin se "Her Majesty's treasury" (Ministria e Financave) ka bërë kërdinë me dogana e taksa dhe ka mbledhur 7348003759284538,3402434 sterlina, pra 229,32 mijë herë më tepër se në kohën kur në pushtet ishin opozitarët e urryer dhe të paaftë, ata lapangjozët e Dejvid Kameronit, që tani kanë fytyrë të kërkojnë prapë pushtetin, që kështu të mbledhin sërish 229,32 mijë herë më pak sterlina si të ardhura doganore apo nga taksat, duke i marrë në qafë qytetarët anembanë ishullit, nga Skocia deri në Dover.

Britaniku i mirë, si fillim kujton se mos ka filluar edicioni i lajmeve dhe kjo s'është reklamë, por ndonjë reportazh nga ata të paanshmit dhe profesionalët, me të cilët është mësuar jet' e mot. Për këtë arsye, si fillim pëson një tjetër ofensivë nderimi solemn për heronjtë kokulur të qeverisë së tij, që ngrysin jetët e tyre aty në labirintet e pashpirta të Thesarit Mbretëror.

Por pastaj i kujtohet se, përveçse një shtetas mirënjohës, ai është njëkohësisht edhe skeptik i pashërueshëm dhe i rikthehet buzëqeshjes së vet cinike. Pas pak kutia televizive shndërrohet në "rrugë drejt ferrit".

Chris Rea shfaqet aty bashkë me kitarën e tij, në një fushatë sensibilizuese të "Department of Transport"-it. Pikërisht në momentin kur kënga kulmon me vargun "this is the road to hell" (kjo është rruga drejt ferrit), Chris-i qesh në ekran, ul syzet me një gjest teatral dhe fiks atëherë kur askujt s'ia pret mendja, deklaron: "Në fakt, kjo është rruga drejt integrimit evropian.

Qeveria ka ndërtuar në katër vjet, aq rrugë sa nuk janë ndërtuar që nga koha e Oliver Kromuellit. Madje, edhe disa hekurudha. Mos ngurro. Bashkohu edhe ti me ne".

Në këtë pikë, britaniku i mirë, ngrihet në këmbë me një respekt të ndarë 50 me 50 midis muzikës rock të viteve '80 dhe heroizmit të dragonjve qeveritarë, që po çajnë një tunel në Murin e Hadrianit për ndërtimin e autostradës Birmingham - Glasgow.

Por, qëndrimi gatitu nuk zgjat shumë. Pas pak, ëndrra merr fund. Fillojnë lajmet. "This is not BBC". Anglezi shkund gjumin, rikthehet shqiptar, merr telekomandën dhe ndërron kanalin.

Gazeta "Shekulli", 13 shkurt 2009

Manual përdorimi për orën e koprifuokos

Nuk kemi kohë. Këtë fillimvit, këtu përmblidhet gjithë kredoja politike e kombit. Opozita është e shqetësuar rreth pamjaftueshmërisë së kohës për t’u marrë shenjat e duarve gjithë votuesve. Mazhoranca thotë se kemi humbur shumë kohë duke i lënë kaq gjatë në detyrë zyrtarë të drejtësisë me duart të përlyera në “komunizëm”. Nikollë Lesi nuk ka kohë për të humbur me ministra të paaftë të cilët thotë se i ka votuar po vetë. Deri edhe Eduard Shalësi thotë se koha për realizimin e tërë atyre projekteve për Tiranën, skadoi, ngaqë Berisha dhe Meta i ngulën thikën buxhetit të Bashkisë.

Në përgjithësi, ne si shoqëri shqiptare kur na kap ndonjë moment i rrallë kthjellimi mendojmë se, netëve mes grackash dhe batakçillëqesh të vogla që pamë në rrugën e pafundme deri këtu, shumë kohë kemi humbur me këtë tranzicionin. Njëzetë janari, thonë, ishte dita më e trishtuar e historisë, kriza ekonomike që pak vetë e kuptojnë po na gllabëron, dimri është i ashpër dhe në përgjithësi të gjithë kanë një ndjenjë pesimizmi për jetët e çuara dëm në pritje të një dite të bardhë që s’erdhi kurrë.

Gjithkush në mënyrën e vet, përtej nevojave personale nga ato më proletaret për bukë, ujë e drita e deri tek shqetësimet intelektuale që mezi shpjegohen, ndjen këto ditë një si mungesë kohe. I vetmi në këtë vend që duket se nuk e ka problem kohën pa kthim është Skënderbeu dhe kali i tij, që sivjet festuan me një indiferencë prej bronxi deri 541 vjetorin e asaj vdekjes që u garantoi atyre përjetësinë.

Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag. Në qarqe të kalitura militantësh por edhe zgjedhësish – nga ata lehtësisht të manipulueshmit - atmosfera e “koprifuokos” politike është thuajse një stil jetese për të cilën në kohëra paqeje ka deri deri nostalgji. Shumë njerëz kanë mall për adrenalinën që të jep rreziku, suspansën si në filmat hollivudianë dhe në përgjithësi, të jetuarit nën alarm.

Por vërtet, teksa thellë në shpirt të gjithë shqiptarët normalë ëndërrojnë që më në fund të kemi ato zgjedhjet e vërteta të lira, të drejta, pa asnjë cen dhe pa asnjë arsye ku të kapen kundërshtuesit e rezultatit të tyre, a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?

Ku ka vullnet gjendet një rrugëzgjidhje, thonë të mençurit. Nëse qëllimi ynë final është të zhvillojmë gjallë a vdekur një palë zgjedhje që të mos kenë të sharë, atëherë çdo vendim, proces apo afat institucional do të duhet ta lërë peng përkohësisht sublimitetin e vet. Arsyeja është madhore.

28 qershor? Dekret presidencial? Afat kushtetues? Po ç’janë këto pallavra. Ne që Kushtetutën e kemi shndërruar në topth plasteline edhe për çështje absolutisht banale, a thua e quajmë atë një tabu të paprekshme për një motiv ekzistencial? Si fjala vjen, nëse vjen puna për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po u shndërrua në një pengesë që këto zgjedhje të jenë sipas atij qëllimit kryesor që thamë në fillim. Dhe të mos dalë njeri e të na thotë, ne, shqiptarëve që lamë peng 18 vitet e fundit të jetës sonë mbi altarin e iluzionit për dritën në horizont, se agonia jonë do të zgjatet për shkak të një hollësie administrative. Sepse, e thamë: ku ka vullnet politik, do të gjendet një rrugëzgjidhje institucionale.

Ja sesi edhe alarmi se s’kemi kohë të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të mira është kallp dhe gjithë kjo klimë false tensioni e induktuar në mendjet e shqiptarëve për t’i bindur ata se zgjedhjet e lira mund të na shkasin prapë për duarsh, është fund e krye artificiale.

E përçarë, e dobët, e paqartë dhe kompleksive, e majta shqiptare përbën në këtë teatër, shëmbëlltyrën e atyre personazheve që në festivalet e filmit marrin zakonisht çmimin “aktori më i mirë jo-protagonist”. Një alternativë që duhet të gjenerojë shpresë dhe të rizgjojë ëndrrat e humbura të një kombi, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë vetes rolin e tellallit të fatkeqësive. Jo demokraci me çdo çmim. Jo shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga e keqja – e cila jo domosdoshmërisht ka një emër frymori por që sigurisht është një mënyrë inferiore të menduari. Në kushtet e tanishme, hiq “vallen e shpatave” Rama-Meta, e majta në këtë vend duket se preokupim kryesor ka krijimtarinë e një terminologjie të re tek e cila më parë ka nevojë që të nisë të besojë vetë ajo.

Por kurrë s’është vonë për të qëmtuar mes rreshtave kaotikë të urgjencave të ditës mesazhin e palëvizshëm të aspiratave që kanë njerëzit e tu. Nëse ka barriera për t’u kapërcyer dhe sfida për t’u vënë gjoksin, nuk është koha ajo që përbën problem për një popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet. Nëse ekziston një aspiratë që ka sot nevojë për artikulim, është pikërisht kjo. Për çështje të mëdha që na kanë bërë ta humbim kohën në trajtën e saj më tragjike të shprehur në jetë njerëzore, shanse që s’kthehen më, lumturi të varrosura një herë e përgjithmonë dhe një gjeneratë pa shpresë e rrugëdalje, të dashur njerëz që kurdisni orën e kombit, ne s’e kemi luksin e të mos paturit kohë.

Gazeta "Shekulli" 21 janar 2009

Rroftë kriza

Ajo që për pjesën tjetër të botës po projektohet tashmë si një tragjedi e paralajmëruar – kriza e afërt ekonomike në horizont – për Shqipërinë mund të shndërrohet befas në një ngushëllim qetësues.

Qeveria, e cila s’është më në gjendje të reklamojë efikasitetin e vet si çelësin që e shpëtoi Shqipërinë nga kriza, tani që kriza u bë aq e madhe saqë s’do të na kursejë as ne, mbase do ta përdorë atë si sebepin pse s’ia doli dot kurrë të sillte në Shqipëri parajsën e premtuar ekonomike.

Kjo fatkeqësi “qiellore”, tërësisht jashtë kontrollit qeveritar, mund të binjakëzohet fare lehtë me kujtesën e krizës së fundit energjetike kur u justifikua me thatësirën më të ashpër që nga koha e Skënderbeut, para një viti, nëse e mbani mend.

Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku gjashtë muaj që zhvillohet. Në fillim qarkullonte teoria e tri “mungesave” për të dëshmuar arsyet se pse kjo sëmundje importi nuk do ta prekte vendin e rreth 3,5 milionë banorëve - shkëmb graniti mes Adriatikut.

Ato ishin: mungesa e çdo industrie të rëndësishme prodhuese, që mund të goditej nga kriza në fjalë, mungesa e ndonjë lidhjeje thelbësore e tregut financiar shqiptar me atë ndërkombëtar, por sidomos, sidomos, mungesa e premisës bazë të kësaj krize që po i tërbon teoricienët anekënd botës – aplikimi, pjekuria dhe kalbëzimi i sistemit ekonomik neoliberal në formën e tij funksionale.

Shqipëria s’trashëgonte asgjë nga ky luks dhe për sa kohë ky mjerim në terren shitej si një avantazh nga ata që qeverisin, ishim të gjithë më të lumtur. Të varfër dhe të poshtëruar vërtet, por të ndërgjegjshëm dhe fare të qetë, absolutisht të qetë.

Këto dhe plot mungesa të tjera ulërinin shqip “jo krizë”, në fazën kur kriza sapo nisi të lulëzonte me naivitet filizat e saj të parë. “Jo” këndonte me bindje të plotë edhe orkestra ekzekutive në krye të vendit. Qeveria që administron paratë e mbledhura në trajtë taksash nga puna e shqiptarëve, Banka Qendrore që bën sinoptikën tonë financiare, bankat e nivelit të dytë që i xhirojnë këto para, a ju kujtohen?

Të gjithë në fillim tundnin kokën urtësisht dhe pasi rreshtonin ose nënkuptonin tri mungesat e mëdha, na jepnin sigurinë relaksuese, se të paktën vuajtjet tona një të mirë e kishin: krizën globale as që do ta ndjenim hiç.

Një ekspert çek, të cilin unë e takova vjeshtën e shkuar, teksa po flisnim për mundësinë që edhe Shqipëria të përfshihej nga kriza në horizont, hodhi sytë në rrugën pranë restorantit ku ndodheshim dhe tha: “Që të hysh në një krizë, duhet që më parë të kesh qenë jashtë saj”.

Por ndërkohë, prej afro një muaji, mund të konstatohet një ndryshim thelbësor kursi, të paktën nga sa kuptohet në deklaratat e autoriteteve. Kriza ekonomike globale këtu, nuk do të kalokërka edhe aq lehtë. Në fillim mbërritën deklaratat për një rënie eksponenciale të remitancave. Emigrantët, bletët punëtore që Shqipëria ka dërguar për të mbledhur nektar në lëndina jashtë vendit, sikur e prishën pak dorën.

Nga 1 miliard euroshi i përvitshëm, Shqipëria arriti të arkëtojë vetëm 70% sivjet, sipas vlerësimeve. Por, paratë e ndershme nuk janë i vetmi burim prurës në Shqipëri. S’ka ndonjë statistikë, por rënia botërore e fuqisë blerëse duhet t’ua ketë dhjetuar fitimet edhe trafikantëve të drogës, prostitucionit dhe armëve, ndër të cilët, patriotët tanë kanë edhe ata hisen e vet.

Dërgesat financiare s’mund të fshihet më se kanë firuar ndjeshëm dhe, dikush, dikur, u kujtua të thotë se ky është një aspekt i krizës ekonomike globale që, tërthorazi vërtet, por po e prek edhe Shqipërinë. Kriza financiare globale, në mos dukshëm, së paku heshturazi po shihet edhe tek rënia e ndjeshme e kredive, që bankat e nivelit të dytë po japin për qytetarët.

Si pa u ndier dhe pa publicitet, mund të thuhet se po vërehet një tendencë që këta të fundit të tërheqin kursimet nga bankat, të prekur nga një krizë besimi për sigurinë e parave të e tyre të investuara në banka vendore, të cilat në të vërtetë janë thjesht degë bankash të huaja që i investojnë këto para në vendet e tyre, andej nga zona e krizës.

Qeveritarë, autoritete financiare, ekspertë që më parë bënin be se siujdhesa jonë do t’i dilte përanash stuhisë financiare botërore, tani po detyrohen të pranojnë se sidoqoftë, Shqipëria do të ndjejë disa pasoja. Duke ndjekur kurbën e qëndrimeve të tyre pakmujore, nga garancia absolute për imunitetin shqiptar ndaj epidemisë globale e deri tek aktet e tanishme të kapitullimit, mund të besohet se ky është vetëm fillimi.

Shqipëria do të preket sigurisht nga ajo që pritet të ndodhë në vitin problematik 2009, por në ç’masë e deri në ç’nivel, kjo mbetet një mister, pasi askush s’është në gjendje ta thotë. Dinamika e deritanishme tregon se në radhët e ekzekutivit dhe ekspertëve që merren me prognozat tek ne, mbizotëron një inkompetencë aq e lartë, saqë gjithçka është lënë në mëshirë të fatit dhe vendi po ecën qorrazi në një monopat pa krye.

Teksa të gjitha vendet e botës po përgatiten të injektojnë shuma të mëdha që i ndajnë nga buxhetet e tyre për këtë ditë të zezë, në Shqipëri, ky proces i ndërlikuar u katandis në një fjali fare ekspres në një mbledhje rutinore qeveritare, ku u shpall premtimi se paratë e siguruara nga disa privatizime të pritshme, mbase do të mund të përdoreshin për të kuruar krizën. A thua ajo është thjesht një proces krejt i zakonshëm, ashtu si ndarja e përvitshme e çmimeve “Penda e artë” në letërsi.

Në këtë vit elektoral, kur organizatat tona politike do të duhet të shpalosin platformat e tyre, të cilat do të duhet doemos të kenë disa ingredientë të fortë ekonomikë, nëse duan të kenë vëmendjen popullore, lypsen të thuhen hapur disa të vërteta. Qeveria e djathtë në pushtet, por edhe e majta në opozitë, duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që ndoshta për shkak të inercisë së entuziazmit tonë post-komunist, s’kemi pasur kurrë kohë ta mendojmë, të bindur se gjithçka, veç ekonomisë së centralizuar, ecën. Por vërtet, teksa kapitalizmi tip far west po jeton orën e tij të zezë, cili është modeli ekonomik që do të ndjekim?

Gazeta "Shekulli", 7 janar 2009

Çështje këpucësh

Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo prapësi liderët tanë të hanin nga një këpucë kokës, atëherë 3 milionë e ca banorët e këtij vendi do të ishin sot një popull që ecën zbathur. Por ja që Shqipëria nuk është një vend ku të zënë me këpucë as atëherë kur vret njerëz, kur i lë ata pa shkollë, pa punë ose kur u shet cave nga Milano a Beogradi deri edhe oksigjenin që u takon fëmijëve të tu për hise.

Këtu në vend që të vënë përpara me këpucë si Bushin në Irak, të durojnë 4 vjet rresht të shesësh dëngla e të këpusësh mufka. Pse të mos kesh qejf të ngulesh në kolltukun e pushtetit në Shqipëri, të hedhësh rrënjë aty e të mos shkulesh prej andej, jo sikur të të votojnë kundër në zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe sikur bomba atomike të bjerë? Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo Aleksandros Grigoropulos që bie viktimë e antiqytetarisë shtetërore të kishim nga një reagim qytetar, atëherë sheshi “Skënderbej do ta kishte popullsinë rezidente më të dendur edhe se Manhatani. Por shqiptarët e racës së sotme, janë shndërruar në ca njerëz që rrinë përpara televizorit duke soditur dokumentarët me ngjyra të këqia nga vitet ’90, ku po këta shqiptarë por të veshur si kinezë dhe të krehur me favorite teksane, mbushnin sheshet me dallgëzime aq masive sa të bëjnë edhe sot të të përshkojnë të dridhura. Po. Mjerisht është e vërtetë. Shqiptari i sotëm, është më në fund një individualist kronik. Një njeri që po ta lësh në dëshirën e tij, nuk e shikon më veten të asociuar kurrkund. Një krijesë që duket tërësisht e dorëzuar përballë nevojave të veta strikte personale, aspak e gatshme të sakrifikojë diçka qoftë edhe të vogël e të parëndësishme në emër të një qëllimi të madh e të përbashkët. Ca njerëz që kanë frikë nga vetja, nga e kaluara dhe që në emër të kësaj frike deri edhe gjuhën e tyre e kanë transformuar, deri edhe fjalorin e kanë censuruar duke i eliminuar fare prej andej terma si solidariteti, vullnetarizmi apo interesi shoqëror e duke bërë që nga frika se mos i quajnë komunistë, të shndërrohen në anti-qytetarë. Shqiptari është një njeri që mbahet nën një shantazh të përditshëm verbal, për ta bërë të mendojë se s’ka fare të bëjë me epokën e zezë 1944-1992. Dhe ndonëse të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ajo ishte një kohë në të cilën të gjithë ishin nga pak bashkëpunëtorë dhe viktima njëherësh, shqiptarët përsëri kanë frikë ta pranojnë këtë, duke vetë injektuar përditë drogën me iluzionin turpërues dhe çburrërues se një njeri i vetëm bashkë me një grusht maskarenjsh rreth tij, arritën t’i vënë ata në rresht si delet dhe t’i përdhunojnë për 50 vjet. Askush nuk flet për këtë dhe të gjithë përdorin një gjuhë të kripur në klishé, që ngjan aq shumë me parrullat dogmatike të po asaj epoke të zezë, tullat e së cilës shqiptarët i ngritën së bashku, disa nga frika e shumica nga padituria. Sepse moskokëçarja e përgjithshme në këtë vend, lidhet më shumë se me dorëzimin e njerëzve përballë realitetit të pandryshueshëm, me mungesën e tmerrshme të informacionit për atë që ndodh jashtë kufijve tanë, qoftë edhe fare pranë nesh. Kjo ndodhte gjatë komunizmit. Për këtë kujdesen posaçërisht që të ndodhë edhe tani, ndonëse me metoda më të kamufluara, se helbete, jemi vend demokratik. Shqiptarëve u thonë se jemi prapë një vend i lumtur, se “Shqipëria po ndryshon”, se rritja jonë ekonomike është me dy shifra. Por ama nuk u thonë se mesatarisht në Shqipëri një banor i ka të ardhurat vjetore rreth 5.800 dollarë (që do të thotë rreth 48.000 lekë të reja në muaj), ndërsa deri edhe Maqedonia i ka 8.400 USD, e Serbia 10.400 USD. Çfarë kanë më shumë se Shqipëria këto vende pa dalje në det, të zhuritura nga luftërat, konfliktet etnike dhe fetare, të kontestuara ndërkombëtarisht dhe me dilema të brendshme ekzistenciale? Përgjigjja është e thjeshtë. Ato kanë qeverisjen që meritojnë qytetarët e atjeshëm. Si minimum këto vende kanë një qytetari të tillë që u kall datën qeverisjeve të tyre. Kjo frikë i frenon ato deri në atë pikë sa ato të mos i shkelin interesat e vendit me të dyja këpucët. Në të kundërt në mos 1 milion njerëz do i kenë në shesh me daulle e bomba molotov, së paku, nga një këpucë kokës do e kenë të garantuar. Sepse demokratike janë ato vende ku këpucët s’përdoren vetëm për shëtitje.

Gazeta "Korrieri", 18 dhjetor, 2008

Mbi turizmin mediatik

Se çfarë ndikimi do kenë në Shqipëri zgjedhjet amerikane, këtë është herët ta thuash, ndonëse s’duhet diplomë Harvardi për të kuptuar se rrota e historisë botërore mund të marrë një kthesë te re nga data e sotme – varësisht se kush merr çelësat në zyrën ovale. Por ja që ne në Shqipëri – një vend i varfër, pa ndikim, i vogël dhe pothuajse i parëndësishëm për nga kualiteti i gazetarisë që ofrojmë në tregun global – po zhvillojmë së fundi edhe një nga paradat më donkishoteske që mund të ketë parë historia kryesisht e medias vizive por e ndjekur këmba këmbës edhe nga disa pinjoj të kamur, të llastuar dhe të vetëkënaqur të shtypit të shkruar. Kjo është parada, apo më mirë gjuetia e destinacioneve mediatikisht ekzotike. Ka një garë të ethshme deri në migrenë për të imituar gjithçka që bëjnë mediat e mëdha, ato, artileritë e rënda, byrotë mediatike ku punon Kristianë Amanpuri apo Timoti Garton Eshi. Shqipëria mund të mos ketë mbase CNN apo BBC por ama ka edhe ajo miniaturat e veta të Anderson Kuperit të famshëm të CNN-it apo Alan Xhonstonit korrespondent nga Gaza i BBC-së. Një televizion që ka mendim të mirë për vetveten në Shqipëri, nuk quhet i tillë nëse nuk është në gjendje që pavarësisht kostove marramendëse financiare, të dërgojë njeriun e vet aty ku është syri i ciklonit. Por e gjithë kjo histori nuk është edhe kaq e simplifikuar. Ka edhe ajo ndërlikimet e veta. Syri i ciklonit, vendi i ngjarjes, vëmendja e botës, bën mirë të bjerë në ndonjë shtet me tingëllimë moderne, ndonjë qytet i kualifikueshëm për të dërguar atje jo gazetarin e thjeshtë, atë që gris këpucët nëpër konferenca shtypi në Tiranë apo në ndonjë zonë të humbur elektorale kur ka zgjedhje në Shqipëri. Jo. Destinacioni i turizmit mediatik është zakonisht Amerika, ose Franca ose Brukseli, ose Old Trafordi ose Grand Prix of Formula 1. Turisti mediatik është zakonisht kryeredaktori ose vetë drejtori që shndërrohet në ekspert të gjithçkaje. Dhe ja ku mbërritëm si pa e kuptuar nga shkolla e “analizmit” të Bar Westit të vjetër tek ish-Blloku, direkt e në raportimin live, via satellite nga gjellëtorja përbri hotel Uotërgejtit. Sepse, ti s’futesh tek kasta e zgjedhur nëse ti si minimum s’po interviston ndonjë shofer taksie tek lulishtja 500 metra larg Shtëpisë së Bardhë në të njëjtën kohë kronometrikisht ekzakte kur edhe Kristianë Amanpuri po interviston brenda vetë Zyrës Ovale vetë Obamën të cilin fshehtaz, gjithkush nga “korrespondentët e luksit” ëndërron ta çarmatosë një ditë prej ditësh gjatë intervistimit me kundërmimin e vet të parfumit, me orën firmato apo qoftë edhe me aksentin e shkujdesur të anglishtes. Për të justifikuar pastaj gjithë këtë kotni euforike pa bereqet, mbërrijnë edhe ato gjysmë-raportime gjysmë-analizat të cilat nëse ka ndonjë shqiptar që ka interes për zgjedhjet amerikane, hiç s’ka pse lodh kokën me klonet shqiptare, por i ndjek nga vetë origjinali CNN apo FOX news. E gjithë kjo përndjekje informative alla filmat western, më kujtoi mua kohën kur duke jetuar në Shtetet e Bashkuara gjendesha shpesh viktimë i hiper-mbulimit mediatik, super-raportimit të çdo hollësie, nga çdo kënd, të çdo detaji të çdo ngjarjeje që ty mund të të rrente mendja se s’kishte ndonjë ndikim për jetën tënde. Por teksa i mbijetoja heroikisht bombardimit që të ofronte bollëku i ultra-kualifikuar mediatik që udhëheq sot botën moderne të shtypit, mbërrinte pas pak edhe ideja qetësuese se kjo ishte Amerika, vendi i madh, konkurrenca e fortë, potenciali global ekonomik, intelektual dhe ushtarak, ndikimi në fatet e botës. Një babëzi e tillë mediatike, tok me faturën e vet financiare, e kish sigurisht edhe një arsye. Zakonisht njerëzit që dalin në televizor nuk para shohin televizor ngaqë televizori janë vetë ata. Por në Shqipëri televizorët shohin televizora dhe jo vetëm i shohin, por nëse televizori që shohin kap ndonjë stacion amerikan, italian, francez a britanik, ata nisin e reflektojnë pamjen që shohin. Ky s’është ndonjë malinjizim i punës vërtet simpatike që bëjnë shumë kolegë që sjellin për publikun shqiptar formate të suksesshme të provuara në mediat ndërkombëtare. Por kjo është një parodi për gjithë atë zell të pajustifikuar, absurd dhe deridiku hipokrit për të imituar rrjetet ndërkombëtare me një papagallizëm që është kokë e këmbë dhe kurrgjë tjetër veçse, qesharak.

Gazeta "Korrieri", 6 Nentor 2008