Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Wednesday, December 8, 2010

Rrethimi i pestë

Këtu e një vit më parë, gjatë emergjencës së atëhershme të përmbytjes së Nënshkodrës, qeveria shqiptare u betua se për herë të parë pas 20 vjetësh gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriteshin. Do të ndërhyhej në shtretërit e lumenjve dhe rreziku i përmbytjeve të tjera do të minimizohej. Shqiptarët përballeshin me perspektivën e zhdukjes përfundimtare të kësaj dukurie që shkretonte ekonomitë e zonës dhe rrezikonte jetë njerëzish.
Javën e fundit ndodhi apokalipsi. Jo thjesht në disa toka bujqësore e disa ferma. Nënshkodra dhe Mbishkodra. Vetë qyteti u fundos thuajse i tëri nën ujë. Të 90 mijë banorët e tij u shndërruan befas në kandidatë për refugjatë. Por si arritëm deri këtu?
Shkalla e rëndimit të gjendjes erdhi në progresion. Gjatë shirave të parë të vjeshtës, lokaliteti martir quhej Obot. Ditët e fundit po flasim për lagje të qytetit të populluara nga mijëra banorë. Po flasim për evakuime masive, ikje nga sytë këmbët, sirena alarmi nëpër natë, forca ushtarake që marrin në dorë situatën dhe deri thirrje S.O.S drejt NATO-s e cila herën e fundit të ndërhyrjes në Ballkan e ka pasur gjatë luftës së Kosovës. Faturën ekonomike s’merr guximin njeri as ta llogarisë. Skenat që kemi parë të gjithë këto ditë, mjaftojnë për të na bërë të mendojmë se limiti është shtyrë shumë larg.
Ujërat e lumenjve shqiptarë janë tashmë të papërmbajtshëm dhe kërcënimi i një kolapsi total nderet mbi krejt ultësirën perëndimore ku jetojnë më shumë se dy të tretat e shqiptarëve, ku është instaluar industria jonë e paktë dhe shumica e qyteteve më të mëdha e prodhimtare, portet, autostradat, hekurudhat, aeroporti, bujqësia, bankat, e në një shikim më të përgjithshëm, masa dërrmuese e pasurisë së vendit. Edhe nëse vala e kësaj përmbytjeje do të kalojë siç po kalon, një fakt mbetet i pandryshueshëm: Shqipëria ka kapitulluar. Jemi tërësisht të pambrojtur përballë goditjes së radhës.
Dikur në pozicionin komod të opozitës që thjesht fajësonte kundërshtarët se s’bënin aq sa duhet për të ndalur përmbytjet, qeveritarët e sotëm po shohin se mes administrimit të prurjeve të ujit në kaskadat e hidrocentraleve dhe evitimit të përmbytjes poshtë në fushë, kjo s’qenka një punë edhe aq e lehtë.
Ky është tashmë një fakt i njohur dhe një formë e përsëritur mallkimi mbi çdo qeveri shqiptare. Mbi të gjitha, kjo është një fatkeqësi këmbëngulëse që rëndon mbi kokat e njerëzve. Politikanët i ndjejnë pasojat vetëm në formën e kostos elektorale. Por teksa ndërrojnë duart në pushtet, të zgjedhurit shqiptarë harrojnë se janë edhe ata rezidentë të Shqipërisë. Në dallim, ata vazhdojnë të tregojnë se thjesht s’kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të kuptuar se ky është një rrezik që i tejkalon ndasitë e tyre formale, se pavarësisht konfesionit politik jemi të gjithë brenda të njëjtës anije që ka marrë ujë dhe se të paktën në këtë rast, të gjithë duhet të jenë në një mendje së paku për ca kohë.
Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të natyrës, sistemi dështoi diku, mekanizmi nuk u përgjigj dhe fatkeqësia ndodhi. Përtej gjuhës pompoze të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe lirisë së tregut, diçka nuk funksionon realisht. Nevojitet një autopsi e vërtetë për të zbuluar shkaqet e kësaj vdekjeje klinike të sistemit të organizuar shtetëror që kemi ndërtuar të gjithë të majtë e të djathtë, në mënyrë që të ndërtojmë një tjetër më të mirë sa nuk është vonë.
Fenomeni është i njohur, i qartë, dhe të gëzohesh sa herë që kjo ndodh në periudhën kur skeptrin e përgjegjësisë e ka në dorë kundërshtari yt, është më keq se një krim që bëhet nga cinizmi - është një gabim i bërë nga budallallëku. Qeveria aktuale ka fajin kryesor për atë që ndodhi, por opozita e sotme me vetëdijen e pozitës së nesërme duhet të ndalë galopin e saj triumfal të “inspektimeve” dhe tundjen e gishtit denoncues mbi atë që bëri apo s’bëri qeveria. Përkundrazi, ajo lypset të ofrojë konkretisht idetë dhe bashkëpunimin e saj në një tryezë për herë të parë në shërbimin direkt të qytetarëve dhe jo të ndonjë konjukture të sistemit politik.
Shqipëria ka nevojë urgjente për t’u shpëtuar dhe nga ana e saj, qeveria e sotme duhet të mësojë nga gabimet e djeshme, të ndalë ekskluzivizmin krahinor, të kërkojë falje për ngazëllimin e dikurshëm dhe të shtrijë e para dorën për bashkëpunim dhe për të gjetur mënyrën sesi të arrihet shpëtimi.
Sigurisht ajo që ndodhi në Shkodër mund të shërbejë si një premisë për një diskutim të gjerë kombëtar. Një masë urgjente: refreni sipas të cilit Shkodra është një çështje e brendshme e PD-së dhe qeverisë së saj që i merr parasysh faturat është një nga shfaqjet më të turpshme dhe absurde që mund të dëgjojë veshi i një taksapaguesi shqiptar. Por të paktën ekziston shpresa që në qeveri të jenë të ndërgjegjshëm se nuk ka taksa demokrate dhe socialiste por taksa shqiptare. Askush s’ia ka për borxh askujt që të paguajë e të ripaguajë me lekët që i mblidhen për përmirësim të rrogave, pensioneve, shkollave e spitaleve publike të vitit 2010, riparimet e një dëmi që s’do bënte sens as nëse do të ndodhte në mesjetë. Nëse kjo s’është e qartë tek njerëzit që paguajmë për t’i pasur gjërat e qarta, atëherë kemi arsye të plota për të besuar se po cekim fundin.
Situata është periodikisht dramatike dhe çfarë ndodh konkretisht e di edhe një fëmijë që njeh fabulën e gjinkallës dhe milingonës. Gjatë verës basenet ujore që prodhojnë energji për njerëzit e këtij vendi goditen rregullisht nga thatësira dhe prurjet e pakta. Për këtë arsye i lejojmë vetes luksin për t’u sjellë si pasanikë. Eksportet frenohen, portat shkarkuese mbahen mbyllur dhe akumulohet sa më shumë ujë që të jetë e mundur. Por shirat e vjeshtës nisin me vrull dhe e tejkalojnë me shpejtësi nivelin që mund të mbajnë pritat e digave. Mbajtja e tyre në nivelin e duhur bëhet përmes shkarkimeve rregullisht të kontrolluara. Teknikët të vendosur nën urdhëra politikë, ashtu siç detyroheshin të bllokonin shkarkimet, janë tani të detyruar të shesin energji me grushte dhe me çmime qesharake, e jo vetëm kaq. Ata hapin dyert e digave duke çliruar poshtë në fusha tepricat e ujrave.
Së bashku me prurjet e mëdha natyrore që kanë zakonisht vetë lumenjtë që kalojnë përmes këtyre digave, sasia e ujit që rrjedh në fushë bëhet e papërballueshme për shtretërit e tyre. Lumenjtë vërshojnë në fushat përreth dhe aty nuk gjejnë asgjë nga rrjeti i dikurshëm drenazhues që do ta kanalizonte atë duke shmangur përmbytjen. Copëzimi i pronës dikur të përbashkët, ka sjellë edhe thërrmijëzimin e këtij sistemi. Dikush e mirëmban pjesëzën e vet të kanalit kullues. Shumë të tjerë nuk dinë, nuk duan, ose thjesht kanë emigruar. Nga këtu është vetëm një rrahje qepallash larg vargut të pandalshëm të katastrofave gjigandeske që vijojnë të godasin herë me një të tundur të bishtit e herë me tërë zemërimin e tyre duke i kthyer shkodranët në lagunarë e krutanët në bregdetarë.
Të ndara në pika, janë tri justifikimet që dëgjohen sot në Shqipëri si arsye pse ndodhin këto që ndodhin. a) Ky është një akumulim degradimi. Prej 20 vjetësh nuk ndërhyn askush në ruajtjen e performancës së rrjetit kullues, forcimin e argjinaturave dhe thellimit të shtretërve të lumenjve. b) Ky është një problem menaxhimi të kaskadave. Prej 20 vjetësh nuk ka një administrim largpamës të shkarkimeve në basenet ujore të hidrocentraleve. Nuk interesohet njeri për prognozat meteorologjike. Nuk e çon njeri nëpër mend se ka kosto më të lartë të përmbytësh qytetarët e vendit tënd sesa të shesësh energji me humbje. c) Situata ka qenë gjithnjë kështu dhe kjo që po ndodh sot ka ndodhur edhe në vitet e kaluara të tranzicionit. Thjesht tani skandalizohemi më shumë sepse jemi më të pjekur nga pikëpamja sociale, më të ndërgjegjshëm dhe patjetër më të informuar. Kohët, siç thotë Marilyn Manson, s’janë bërë aspak më të vrazhdëta. Ato thjesht sa janë bërë më televizive.
Sadoqë secili nga arsyetimet ka grimcën e vet të së vërtetës të përfshirë, asnjë nga këto pikëpamje nuk shpreh megjithatë qartë atë që përbën zemrën e problematikës. Struktura e organizimit shtetëror që kemi ngritur është një ndërmarrje që nuk i merr përsipër punët që nuk gjenerojnë ndonjë lloj fitimi, ekonomik apo politik. Në zanafillën e të gjitha aksioneve apo investimeve që kryhen në territorin shqiptar qëndron premisa se ky është një sistem që funksionon mbi logjikën e tregut.
Së pari, tregu duhet ta rregullonte vetë mënyrën për të mbajtur funksional rrjetin e kullimit. Do të duhej të ishin ngritur vetvetiu ndërmarrje private që ta ofronin këtë shërbim. Por e thamë, tregu funksionon me kriterin e përfitimit. Askush s’sheh përfitim në ndërtimin e një ndërmarrjeje të tillë që do ta kalonte vitin duke u endur poshtë e përpjetë fushave për të pastruar kanalet që vetë fshatarët nuk interesohen t’i pastrojnë. Po a s’duhet ta bëjë këtë qeveria? Hej, prej njëzetë vjetësh jetojmë në një sistem neoliberal. Shteti duhet të jetë i vogël. Mundësisht inekzistent.
Së dyti, tregu duhet të diktojë edhe mënyrën sesi menaxhohen prurjet në basenet ujore të hidrocentraleve e në prodhimin e energjisë elektrike. Nëse nuk nxirret fitim nga shitja e energjisë përmes eksportit, uji më mirë të derdhet në fushë paçka se përmbyt njerëz.
Së fundi, a është lajmi i përmbytjeve masive një përshtypje e pompuar nga tregu i medias dhe i informacionit që kërkon të shesë produktin e vet tek shikuesi? Teksa media forcohet dhe i mundëson vetes mjete më moderne teknike për mbulimin e ngjarjeve, a nuk tundohet ajo nga dëshira për ta dramatizuar artificialisht për sytë e publikut të largët një dukuri që mund të përbëjë thjesht një fenomen natyror për banorët lokalë? Nëse po, atëherë do të jetë vetë tregu i informacionit që pas pak do të tejngopet me këtë lloj raportimi dhe do ta zhvlerësojë dramacitetin e tij.
Siç mund të shohim, është diskutimi mbi terma tregtarë, kompromisi dhe besimi të verbër në fenë integraliste të tregut ai që përbën premisën mbi të cilën sot ulemi të diskutojmë deri mbi çështje jetike si ajo e rregullimit të regjimit të ujërave nga të cilat varet fati i një pjese të madhe të popullsisë së vendit.
E nëse siç thamë do të duhej të kishim më në fund një marrëveshje kombëtare mbi të cilat të hidhen themelet e ndërtimit të një sistemi të ri të mënyrës si e organizojmë jetën në këtë vend, i cili të ketë në thelb mbrojtjen e qytetarit nga kapriçiot e tregut, natyrës apo faktorëve të jashtëm, nga këtu do të duhej të niste edhe diskutimi.
Kur në momente dëshpërimi dhe fatkeqësie të gjithë i kthejnë sytë nga shteti dhe ndërhyrja e tij, kjo është një shenjë e qartë se qytetarët e duan shtetin, rolin e tij dhe forcën e tij rregulluese. Ky është një sinjal se përkundër shtetit të vogël dhe impotent, një shtet i madh, i fortë dhe dinjitoz është ai që kanë në mendje qytetarët e këtij vendi kur dorëzojnë taksat me të cilat paguhen burokratët. Të aplikosh sot në Shqipëri teori eksperimentale që i lënë dorës magjike të tregut (apo Zotit) fatin e miliona njerëzve të pambrojtur, ky është në rastin më të mirë një ekstremizëm që është e vështirë tanimë ta maskosh me terma properëndimorë. Kostot njerëzore janë të larta. E nëse dikush e dyshon këtë ende pas kësaj që ndodhi para syve tanë, është e kotë ta kërkojmë ende emrin e fajtorit për rrethimin e pestë të Shkodrës.

Sokol Shameti (Gazeta “Shqip”, 8 dhjetor 2010)

Tuesday, November 30, 2010

Me kë është amerikani?

Ajo që pritej, ndodhi. Bomba e Wikileaks plasi, duke i paraprirë një epidemie globale ethesh kurioziteti dhe ankthi. Brenda disa orësh website-i i organizatës ku ndodheshin dokumentet kompromentuese u mbingarkua aq shumë, saqë u kthye në nonsens edhe vetë ideja e publikimit të këtyre materialeve. Rrugët e komunikimit u zunë nga trafiku i atyre që udhëtonin përmes internetit për të mbërritur tek arkiva sekrete, kështu që pa pasur fare nevojë pezullimi apo bllokimi zyrtar për orë të tëra askush nuk arriti të kishte më akses atje.
Kjo që ndodhi është një tregues sesa shoqëria e sotme ka etje për të vërtetën. E vërteta është një bekim në çdo rast e megjithatë fatkeqësisht nuk mund të themi se pas publikimeve të Wikileaks bota po e bën gjumin më e qetë. Atë ndjenjë uniteti dhe bashkësie që zakonisht e krijon ndonjë kërcënim terrorist e më rrallë ndonjë transmetim i kampionatit botëror të fubollit, kësaj radhe po e ofron faqja e internetit të një 39 vjeçari nga Australia që thonë se fshihet poshtë një bunkeri.
Nga Nju Jorku në Tokjo, nga Riadi në Buenos Aires mbizotërojnë ndërkohë ndjenja të përziera: nga njëra anë padurim dhe dëshirë për hakmarrje tek të privuarit e deridjeshëm të informacioneve sekrete; nga ana tjetër hutim dhe befasi tek ata të cilëve u referohet ai material që diplomatët amerikanë përdornin për komunikim mes vedi. E gjithë kjo i ngjan një skenari të kinematografisë futuriste.
E megjithatë, po ndodh e gjitha sot, këtu, dhe të gjithë ne të gjallët e vitit 2010 jemi dëshmitarë okularë. Gazetarë dhe publicistë e barazojnë zbulimin e dosjeve të Wikileaks me atë të një thesari. Zyrtarë që vetëm ata e dinë se në ç’dollap i kanë fshehur skeletet, po djersijnë. Hakmarrja e Xhorxh Oruellit apo shpërthimi i brendshëm i një sistemi të ndërlikuar burokratik kontrolli duket se frymëzon shumë njerëz.
Sidoqoftë, jemi aktualisht në një nga momentet e rralla kur e ashtuquajtura “Perandori Globale” po ndjehet dhe merr frymë si një e tërë. Jehona botërore, kërshëria dhe pesha e ndikimeve që pasojnë valët e publikimeve të Wikileaks rikonfirmojnë Amerikën si lider të kësaj perandorie apo zembrekun që luhat lavjerrësin e humorit global.
Të gjithë duan të dinë se çfarë mendojnë amerikanët, sa seriozisht i marrin amerikanët, sa i urrejnë amerikanët apo në varganin e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve - në anën e kujt janë amerikanët? Kërkohen gjurmë cinizmi në dokumenta. Kërkohen elementë që siç e do moda, të tregojnë dyfytyrësi amerikane, por shërbimi më i mrekullueshëm që Wikileaks mund t’i bëjë opinionit publik – të paktën në vende si Shqipëria – është zhveshja nga komplekset e vetë opinionit publik, heqja e dorezave dhe të folurit troç.
Shikoni, lakrori të cilit po i hapen petët me anë të Wikileaks është një punë e imtë. Para se të jetë një çisternë sekretesh ai është një rrëfyes sesi duhet të punojë një shërbim diplomatik. Një shtet ka nevojë të ketë një opinion mbi shtetet e tjera në mënyrë që të dijë si të sillet me to. Të dijë ku i kanë ata pikat e dobëta, çfarë ua ndez emocionet dhe çfarë i dekurajon.
Ekzistojnë shërbimet sekrete, por ato janë vetëm njëra anë e medaljes. Informacioni është pushtet dhe ai është i mirëpritur nga cilidolloj burimi ardhtë. Edhe një pikëpamje zyrtari ambasade rreth zyrtarit vendas me të cilin atij iu desh të takohet, ka vlerë. Harrojini buzëqeshjet e stampuara që diplomatët mbajnë në fytyrë sa herë janë duke bërë punën e tyre. Edhe një përshtypje për mënyrën e sjelljes së një titullari gjatë takimit, shërben për të nxjerrë një përfundim.
Deri ku mund të shkojë përpunimi i informacionit? Përpunimi i informacionit mund të shkojë deri aty sa edhe këto të dhëna që vijnë nga njerëz fare periferikë të misioneve diplomatike mbi mënyrën sesi i shohin ata gjërat në vendin ku janë caktuar, të mblidhen, kategorizohen, përpunohen dhe t’i japin vlerë një pikëpamjeje më të madhe që institucioni amerikan ka mbi vendin në fjalë.
Ky është një gur ndihmës në mozaikun e pikturës rajonale e më pas globale që qeveria amerikane ndërton përpara syve të vet. Merret me mend që ata pastaj e krahasojnë këtë panoramë me planin e interesave amerikane (që për shumë kritikë nuk janë interesat e publikut amerikan, por ato të biznesit të atjeshëm). Prej këtu lindin pastaj miqësitë dhe zemërimet, ata që e ndjejnë dorën e ndihmës së Uashingtonit dhe ata që u përvëlohen mollëzat nga shuplakat.
Mrekullia është se, ndërsa ndodh i gjithë ky proces të gjithë janë shokë me të gjithë. Diplomatët buzëqeshin, thonë batuta dhe u rrahin shpatullat bashkëbiseduesve. Në mbrëmje kthehen në zyrë dhe i dërgojnë Foggy Bottom-it (selisë së Departamentit të Shtetit) raportin e vet, të shkruar qartë, shkurt dhe me objektivitetin tipik të anglo-saksonizmit.
Zyrtari i korruptuar dhe i paaftë mund të jetë quajtur mik i shtrenjtë në takimin dypalësh. Në raport ai do të quhet pikërisht “i korruptuar dhe i paaftë”. A është apo jo në interes të Amerikës që ai të jetë i korruptuar e i paaftë, kjo është tjetër çështje. Rama dhe Berisha mund të fshikullohen të dy barabar në një deklaratë publike të ambasadës amerikane në Tiranë. Në shkresën “secret” që i vihet mbi tavolinë të dërguarit të Uashingtonit përpara se të bisedojë me ta, thuhet copë se kush po e çon vendin drejt greminës. A i volit Uashingtonit, kjo, prapë tjetër mesele. Shqipëria dhe Greqia zyrtarisht nxiten të gjejnë gjuhën e përbashkët sa herë i skërmisin dhëmbët njëra-tjetrës në mërinë e vet shekullore. Në raportet e brendshme amerikane do të dalë qartë se kush po i bie më qafë kujt. Sërish, nuk mund të mësohet se a përfiton a humb Amerika nga kjo çështje.
Kjo punë e imtë e voluminoze, siç thamë, është gjithçka që ofron Wikileaks. Sigurisht, në materialet e rrjetit të dekonspirimit – siç quhet me një zhargon në krijim e sipër sajti i famshëm – nuk do të mund të gjejmë dot mënyrën sesi ky informacion përpunohet. Nuk do të mund të shohim dot shprehjen e fytyrës së zyrtarit të Uashingtonit që merr radiogramën sekrete nga Tirana, sesi ai e vendos atë në një renditje tok me informacione të tjera në një tip hit-parade sipas rëndësisë. Sesi ato pastaj seleksionohen dhe formojnë raporte më të zgjeruara me të cilat ushqehen njerëzit e ngarkuar për t’u marrë me Shqipërinë. Të gjitha këto, ne duhet t’i marrim vetë me mend.
Burokracia si e keqe e domosdoshme, ka edhe risqet e veta. Për hir dhe në sajë të këtij komoditeti që të jep të qënurit nga ana tjetër e gardhit, qytetari i sotëm i botës mund t’i lejojë vetes lloj lloj fantazimesh. Qofshin ato edhe të ngjashme me fiksionet e Xhorxh Oruellit.
Qytetari shqiptar ndërkohë, mund të shpresojë që tok me zbardhjen fletë fletë të trafikut me korrespondencë diplomatike nga Tirana në Uashington të shohë se perceptimet e tij ndaj njerëzve, ngjarjeve dhe dukurive që ia bëjnë jetën e vështirë këtu në atdheun e vet proamerikan, të përputhen me konstatimet e qytetarit amerikan që rastis të shërbejë si i dërguar diplomatik tek ne. Të zbulojë se përtej gjuhës diplomatike, buzëqeshjeve formale dhe interesave amerikane (të cilat, e përsërisim, disa ankohen se s’janë vërtet të qytetarëve amerikanë), çfarë mendon realisht vëllai i tij, rrogëtar zyre, që e kanë dërguar të kuptojë shqiptarët. Në një farë mënyre shqiptari i zakonshëm, i lodhur, i mërzitur e i tradhtuar në luftën e tij të përditshme me keqpërfaqësuesit e vet, pret të zbulojë: me kë është amerikani?
Sokol Shameti (Gazeta “Shqip”, 30 Nëntor 2010)

Monday, November 22, 2010

Vrasës

Një inxhinier i ri rreth të tridhjetave u gjet i varur me një tel kompjuteri teksa agonte e enjtja në një qendër interneti të periferisë. Ai po vdiste në kohën kur të gjithë ne, njerëzit që shohin punën e vet në këtë vend kishim mbyllur ditën tonë duke bërë ëndrrën që do na transportonte drejt një dite tjetër.
Komunikatat policore, të shkurtra dhe sterile. Njoftimet e shtypit, plot me pasaktësitë e përhershme e të kuptueshme rreth gjeneraliteteve të viktimës së radhës që për pikëpamjen e një lajmëtari të kronikës së zezë, s’kishte pse dallonte nga ajo paraardhësja.
Lajmet e dhanë të gjitha. Dikush duke u munduar ta telenovelizojë ngjarjen edhe me ngapak intrigë prej dashurie të humbur, frymëzim kinematografik e peshë borxhesh që rëndonin mbi shpinë të fatkeqit.
Në një konstatim tërësor mbi atë që mund të konsiderohet versioni zyrtar i opinionit publik (nëse opinioni publik e ka një linjë zyrtare): i riu u vetëvar për arsye kryesisht “të pashpjegueshme”. E vërtetë. Të pashpjegueshme. Por kjo, vetëm nëse bëjmë më parë një marrëveshje për atë që quhet e shpjegueshme apo qoftë edhe e kuptueshme në këtë vend.
Në këtë vend, është e kuptueshme që nëse rrëzohesh, askush mos të të japë dorën për t’u ngritur. Është e shpjegueshme që nëse të rrëshket këmba, e humbet statusin tënd social, ta harrojnë emrin, s’të përgjigjen më në telefon e të evitojnë në rrugë. Është e zakonshme dhe normale që nëse jeta të lë në baltë, në baltë të lënë edhe miq të deridjeshëm që me ty i kishte afruar puna e vet, sepse siç thamë, në këtë vend të gjithë shohin punën e vet.
Pra, nëse dikush vdes ngaqë në jetën e tij has në gjëra kaq të zakonshme e kaq “normale”, kjo është vërtet e pashpjegueshme.

***
Ky stil egoist jetese e kjo mënyrë jo-intervencioniste të menduari, ku të gjithë mbyllen brenda guackave të veta të ngushta duke mbajtur brenda fokusit të interesit vetëm veten e në rastin më të mirë vetëm rrathë të ngushtë familjarë po na shndërron dalëngadalë në një shoqëri të pashpirt që gjen fare pak arsye për t’u ndjerë pjesë e ndonjë bashkësie.
Feja e ditëve tona? Girls like bad boys. Por kaubojsi vetmitar dhe 99-sh që krenohet për paudhësitë e veta dhe ndjen turp për çdo fije njerëzillëku është një model i krijuar jo vetëm nga televizioni. Një labirint i tërë marrdhëniesh biznesi, kulture dhe politike amplifikon përditë e pa u lodhur të njëjtin hero të epokës së re që ia del mbanë në sajë të superpozimit të vetes dhe injorimit të tjetrit.
I riu shqiptar që kërkon të diplomohet, ndeshet që në fillim me moskokëçarjen e sistemit arsimor publik. Askush përveç vetë të interesuarit nuk kujdeset a po nxë diçka ky individ që ka nesër një rol në shoqëri. Nëse 18 vjeç s’ka mendtë e një 30 vjeçari për të investuar tek e ardhmja, në fund të viteve të shkollës ai është i mbaruar. Një dështim i plotë, një shpenzim i çuar dëm. Në sistemin privat e njëjta gjë. Sërish askujt nuk i intereson sasia e dijes së akumuluar nga studenti por vetëm sasia e banknotave të dorëzuara në arkën e kompanisë-shkollë.
Ofrohet arsim me cilësi të dobët? Kërkohet shërbim me cilësi të dobët. I diplomuari shqiptar që kërkon të punojë del nga bangat e shkollës me një ndjenjë faji. I duket sikur duke marrë një diplomë pa mësuar ka përfituar më shumë se ç’meritonte. Ky njeri është një pre e lehtë për klasën e re të punëdhënësve me etje të pashtershme për t’u konfirmuar sikur janë ashtu siç nuk janë në të vërtetë: kaubojsë nga ata të televizorit. Nga këtu s’është larg mbushja e zyrave, laboratorëve, shitoreve e ndërmarrjeve krijuese e zbatuese të këtij vendi, me punonjës kokëulur, të keqpaguar, të nëpërkëmbur e të shantazhueshëm. Ata s’kanë kurajo të kundërshtojnë marrëzitë e pronarëve të tyre, babëzinë e tyre për të fituar pafundësisht, pa ndonjë limit, pa ndonjë kriter, pa ndonjë fill vramendjeje.
E prej këtyre duarve lindin pastaj produktet e shërbimet e degjeneruara e të super-shtrenjta që kjo klasë prodhuese i ofron qytetarit në këtë vend.
Por ky është një rreth i mbyllur. Të angazhuar direkt në zvetënimin e procesit prodhues, të punësuarit e rinj janë pas pak edhe vetë viktima të tij. Ata janë kryesisht njerëz që sapo po krijojnë të ardhmen e familjet ndaj janë edhe konsumatorë të asaj çka përpunon zinxhiri i ndërlikuar prodhues ku edhe ata bëjnë pjesë. Pasi bëhen fabrikues të këtyre produkteve e shërbimeve manipuluese, ata janë vetë edhe blerësit e tyre të parë. Kërkesa për para është e ngutshme dhe e pashmangshme.
Nevojë për një strehë, për një jetë të denjë sociale, në kushtet kur puna është e gjatë, e lodhshme dhe e keqshpërblyer. E lehtë t’i shohësh ata pas pak përpara një udhëkryqi: borxh, korruptim ose aventurë. Shumë konformohen me sistemin dhe hyjnë në ingranazhin vetëgërryes të huasë dhe këstit që ofron mirëqenien dhe grabit kurajon. Disa përthyejnë karakterin dhe shndërrohen në specien e urryer që sheh një gjah në çdo mundësi për të performuar atë ç’ka kanë mësuar në jetë. Disa më të paktë tentojnë rebelimin në një përpjekje për t’i dalë përanash gjithë kësaj bote kurthesh dhe pabesish, përmes manipulimit me fatin, bixhozin a skedinën.
Dhe më në fund, ja ku e kemi përpara syve edhe një gjeneratë tjetër të përbërë nga njerëz me një shpirt që sipas rastit e kanë të përdhunuar, të korruptuar ose të luajtur me zara. Vendi zhytet në errësirë, shoqëria s’funksionon dhe të gjithë dorëzojnë qafën pa bërë naze për t’u bërë sakrificë e flijimit të asaj çka ofron e nesërmja.

***
Është bërë vonë dhe s’e kemi kuptuar. Nga Otranto në Gërdec. Nga të ngrirët e orvatjes së arratisë prej mjerimit tek autobusët e përmbysur të Gjegjanit e Fratarit. Nga fostoksina e ëmbël e atyre që s’ia dalin dot më me helmin e jetës deri tek fëmijët e asfiksuar të Sukthit, e të dërrmuarit nga aksidentet në skllavërimin që ua shesin për punë.
Sa jetë të çuara dëm, e në njëzetë vjet askush s’i numëroi ndonjëherë viktimat e një terrori aspak më njerëzor se ai komunist. A ka diçka që nuk shkon apo kjo është një frazë cinike teksa shohim se për shumëkënd shumëçka nuk shkon. Ajo “diçkaja” e vogël dhe e parëndësishme, s’funksionon vetëm për të paktët që shumica e gjërave u shkon vaj.
Miku im i fëmijërisë, inxhinieri dhe djali përherë i qeshur Ervin Skëndaj vdiq me brengë këtë të enjte në një qendër interneti të periferive të Tiranës. Sa do të kisha dashur të kisha folur një herë të fundit me të. T’i kisha shtrënguar dorën e t’i kisha dhënë zemër. T’i kisha thënë se mërzia e tij është mërzia ime. T’i kisha thënë të bëhet i fortë se nuk është i vetëm në këtë vend ku trishtimin e vetmisë e nxisin si premisë suksesi. Se jashtë është natë dhe stuhi, por është së brendshmi që vdesim nga pak përditë ndaj duhet të jemi të gjithë bashkë si njerëz për të mos u vënë përfund veç e veç. Se humbja e gjithsecilit prej nesh është tepër e shtrenjtë për t’u dhuruar. Për t’ua vënë në dispozicion atyre që e quajnë atë thjesht një efekt anësor, një bilanc të ftohtë policesk. Një përqindje e shpjegueshme statistikore e sistemit ku jetojmë i cili i kthen njerëzit në armiq të njëri tjetrit, e në fund kur s’është më aty askush tjetër me të cilin të jesh armik, të kthen kundër njeriut të fundit që s’ka si shpëton prej teje – vetes tënde. Sa do të kisha dashur që në këto kohëra kur të gjithë japin mend përballë kujt s’i ecën në jetë, unë të kisha bërë të kundërtën, duke ndenjur për ta dëgjuar se ç’kish për të thënë të paktën një herë, atë, njeriun e gjunjëzuar nga mbrapshtia e fatit të vet.
Por nuk bëra dot asnjë nga këto. Futa duart në xhepa dhe vazhdova rrugën duke ndjekur një itinerar vetmitar për të cilin na thonë se është shtegu ku ecën drejt suksesit njeriu me ambicie i ditëve tona.
Nga titujt e gazetave, lajmet televizive e njoftimet mortore portreti i dëshmorit më të fundit të kapitalizmit duket sikur thotë: Unë nuk vdiqa vetë. Më vratë të gjithë ju.


Sokol Shameti
shameti@gmail.com

Wednesday, November 17, 2010

Ora e zezë e opozitës

Opozita e qeverisë së djathtë në Shqipëri, po jeton ndoshta një nga periudhat e saj më të errëta qysh se humbi pushtetin më 2005. Shfaqjet në televizor me atë tryezën e komentatorëve të papunë politikë të cilën ata e quajnë madje “tryeza e opozitës së bashkuar”, thuajse s’po i lënë më gjë mangut Portokallisë.
Retorika luftarake e dragonjve të mendimit progresiv të majtë si Ngjela me Milon, apo Veliaj me Ndokën që janë gati t’u vënë gjoksin protestave të papara e të padëgjuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, ka arsyet dhe frymëzimet e veta. Arsye dhe frymëzime që përshkruajnë fatkeqësisht një histori dështimi për gjithë çka përfaqëson institucioni i opozitës sot në këtë vend.
Teksa në prapaskenë vazhdon pazari “më jep mua kutitë bosh, ti mbaj fletët e votimit”, në vitrinë grupi i çunave truphedhur të “tryezës” së majtë është gati të përqafojë edhe kauza pronarësh që vërvisin bomba molotov mbi policët dhe të bëjë të vetat edhe luftëra të privates mbi publiken, të cilat çdo e majtë në botë do t’i neveriste.
Në një kontekst më të gjerë, e majta shqiptare vijon të bëjë opozitë në po atë mënyrë siç ka opozituar e djathta kur ora me rërë ishte e përmbysur. Nuk ka presion dhe kërkesa konkrete ndaj qeverisë për të qeverisur sipas një axhende në favor të qytetarit të mesëm dhe të varfër. Ka vetëm denoncime ndaj teprimeve individuale që nuk po e lënë këtë sistem shtypës të të varfërve të funksionojë në perfeksionin e vet. Nuk ka rezistencë ndaj ndërtimit të perandorisë së koorporatave që mund ta blejnë politikën për të zhvatur pastaj kollaj qytetarin. Ka vetëm rezistencë ndaj praktikave që s’i mundësojnë një pjese të politikës të përfitojë nga festa me shpërndarje karamelesh e koorporatave.
Dhe fatkeqësisht kjo nuk është ndonjë dukuri e re dhe e papritur. Po t’i hedhim një sy mënyrës sesi është administruar opozita në këto pesë vjet, nuk mund të themi se kjo ka qenë ndonjë fije më mirë nga mënyra sesi jemi qeverisur. Ajo që ka ndodhur në këtë vit e gjysmë të fundit pas rikonfirmimit të humbjes së të majtës është thjesht përkeqësimi i gjërave siç ndodh me një sëmundje kur pacientit ia bëjnë injeksionet tjetër për tjetër.
Rama hyri në garën e tij elektorale duke u besuar qorrazi sugjerimeve që e çuan drejt mesazhesh të gabuara. Në një Shqipëri me kontekst tërësisht të ndryshëm dhe specifik, ai humbi kohë duke përkthyer në mënyrë simultane mesazhet që Obama kishte përdorur për një fushatë tjetër, në një vend tjetër, me probleme dhe kontekste krejt të tjera (të cilat gjithashtu koha po i provon të gabuara edhe në origjinal).
Sikundër amerikani Obama, edhe shqiptari Rama u miklua t’u thotë zgjedhësve se problemi më i madh i vendit nuk ishte udhëheqja e papërgjegjshme e disa njerëzve, por përçarja politike që i bënte të papërgjegjshme vendimet e njerëzve të përgjegjshëm. Ai po vinte ta eleminonte këtë anomali luksi, këtë ndarje, sepse “ka vetëm një Shqipëri”, e cila në thelb është e mirë.
Viti i fundit duhej t’i kishte mësuar Ramës – përveç leksionit se është fëminore t’ia besosh garën më të rëndësishme të jetës, habitjes nga interneti të disa fëmijëve – edhe diçka tjetër: nuk ka vetëm një Shqipëri. Ose më saktë, një Shqipëri gjithmonë njëlloj.
Po. Ekziston Shqipëria e njerëzve që duan ta fitojnë jetën me ndershmëri dhe punë. Por kjo ndodh kryesisht në teori. Paralelisht me të ekziston edhe Shqipëria që e degjeneron përmbajtjen e saj, që i dorëzohet lehtë shantazhit nën kërcënimin e papunësisë, urisë, borxhit apo burgut sepse ky është sistemi që kemi ndërtuar dhe që po mbajmë në këmbë. Të njëjtët shqiptarë që kur bisedojnë në kafe me njëri tjetrin janë të gjithë parimorë dhe aspirues të një perifrazimi më të denjë për veten, shtrëngohen që t’i jepen menjëherë kompromisit sapo vendosen në realitetin dramatik ku jetojnë shumica e banorëve të këtij vendi.
Konteksti çnjerëzor ku ata shtyjnë jetët - për ndërtimin e të cilit Rama dhe partia e tij janë bashkëfajtorë - është mekanizmi ku thërrmohet çdo sens integriteti shoqëror, principi moral dhe dinjiteti. Kjo është Shqipëria e keq-edukuar, me sistem arsimor të gërryer në vite së cilës mund t’ia hedhësh kollaj po ishe në pushtet. Që mund ta manipulosh mediatikisht, ta ekzaltosh me ca drita e llampushka, apo ta dëshpërosh e frikësosh me një të bërtitur në Parlament.
Para këtij sistemi nuk ka të pasur e të varfër, pronarë të mëdhenj apo punëtorë krahu, intelektualë apo karagjozë. Që të gjithë në mënyrën e tyre janë subjekte të formave të ndryshme të të njëjtit terror ndaj humanizmit. Të gjithë brenda këtij kopshti zoologjik që kanë krijuar brenda kufijve të këtij vendi, janë të detyruar që në mënyrën e vet t’i kthehen instiktit vetëmbrojtës që e shndërron njeriun në predator.
Rama dështoi ta kuptojë këtë dje dhe këtu origjinon edhe rrënja e nervozizmit të tij politik sot.
Ja pse nuk ka pamje më dekurajuese në televizion sesa ajo që shitet si “tryeza e opozitës”. Pse ajo që trumbetohet sikur është diçka midis besëlidhjes së Lezhës së Skënderbeut dhe Konferencës së Mukjes së Abaz Kupit, është në fakt një “tea party” ku gatiten vetëm parrulla dhe shprehje frazeologjike sa për t’ua thënë pas pak kamerave.
Vetëm show dhe përpjekje për t’u demonstruar të fortë kur në të vërtetë dekadenca është në festë; kjo “tryezë” asnjëherë nuk ka prodhuar ndonjë ide, ndonjë mendim a ndonjë metodë për ta konvertuar në strategji politike atë që përbën pakënaqësinë e njerëzve – gjë që fundja është edhe puna që bëjnë politikanët. Në të kundërt, rezultat i saj janë vetëm batuta të shkëputura, retorikë nervoze kërcënimi dhe një linguazh ku sforcimi për ta ngjyrosur me terminologji heroike është fare i lexueshëm dhe qesharak.
Fishekët janë ezauruar, idetë kanë shterur, s’impresionon më askënd as gojëtaria me bomba e Ngjelës sikurse është zbërdhylur e veleritur edhe jeleku me romba i Veliajt. Tashmë është përditë e më e kotë të fshehësh një të vërtetë të madhe. Në PS ka ardhur koha për një ndryshim të madh. Një ndryshim për të lejuar pak ajër të freskët të qarkullojë brenda dyerve të mbyllura hermetikisht për çdo mendim të cilit i tremben ndaj e demonizojnë farisenjtë e Ramës. Ky i fundit është tani përpara një zgjedhjeje të vështirë: të ndryshojë veten, ose të ketë kurajon t’ia dorëzojë ndryshimin dikujt tjetër dhe ta mbështesë atë, si një shërbim ndaj së majtës që thotë se përfaqëson.
Këto janë kohët e fundit kur mund të ndodhë ky proces vetëpastrues. Këtë e ndjejnë edhe çakej të vjetër në prapaskenë: aktorë si Fatos Nano, të cilët janë afruar në rrethinat e skenës ku shërbehet gostia e pushtetit duke u kujtuar të gjithëve se e kaluara nuk dorëzohet lehtë. Rama i cili është edhe vetë tashmë një histori e vjetër dhe e ezauruar pothuajse si Nano, ka shansin e fundit të mos shndërrohet në një të ngjashëm të përpiktë të tij.

Gazeta "Shqip", 17 Nentor 2010

Saturday, October 30, 2010

Operacion plastik


Sa e vështirë mund të jetë për një shoqëri që të gatisë antitrupat e vetë të qëndresës? Vite të tëra apatie, politikë mospërfaqësuese, promovim i individualitetit dhe përçmim i së përbashkëtës, media dhe shoqëri civile e kontaminuar nga klientelizmi, arsim dekurajues që prodhon tulla pas tullash për murin e indiferencës. E megjithatë, shpresat s’vdesin kurrë tërësisht.
Opinioni publik po e distilon gjithë vëmendjen e vet te Piramida dhe te këmbëngulja e qeverisë për ta kthyer atë në një Rosinant beteje në luftën e saj kundër fantazmës së komunizmit. Megjithatë vitrina publike e Tiranës përjetoi këto ditë disa ngjarje më të vogla por domethënëse për atë që po ndodh me reagimin civil ndaj trasgresionit politik.
Mëngjesin e së enjtes, fytyra e Muzeut Kombëtar u zgjua me një operacion tjetër plastik. Një bisturi e panjohur, kishte amputuar fragmentin e banderolës gjigande që njofton në mënyrë të shproporcionuar se viti i Nënë Terezës mundësohet nën kujdesin e Sali Berishës.
Ndërhyrja prerëse që dukej sikur ishte kryer nën anestezinë lokale të ndonjë doze të fortë alkooli pas mesnate, kishte pasur ndërkaq syçeltësinë e duhur për të kursyer bamirësen por për të nxjerrë jashtë loje “mundësuesin” e saj.
Qytetarët kishin ndjekur episodet e njëpasnjëshme të përndjekjes politike ndaj mozaikut “komunist” që përbën edhe shtresën e parë të propagandës në fasadën e këtij institucioni publik. Projektet për shkatërrimin e puzzle-t me partizanë dhe punëtorë kishin vite që qarkullonin. Mes tyre kishte pasur edhe ide disi më inovative, për shndërrimin e tij në ndonjë lloj pikture kubiste duke përdorur të njëjtët gurë nga të partizanëve dhe punëtorëve.
Ndërsa vitet iknin me këtë debat, në skenë kishte dalë një magji e re. Si Circja në epin e Uliksit merrte detarët e i kthente në gica, kjo magji i merrte hapësirat publike e i shndërronte në publicitet (me figurën e femrës të pamungueshme e joshëse nëpër të). Kjo ishte faza kalimtare. Mozaiku heroik, u mbulua me një grim të përkohshëm dhe me xixa reklame dhe kjo ishte shtresa e dytë e propagandës mbi fasadën e vjetër të mozaikut.
Shoqëria shqiptare e zënë në kllapinë e tregut të lirë dhe krenar, po i tregonte botës nga sheshi i saj më i madh, fytyrën e saj të re. Dikur e përbërë nga vetulla të ashpra proletarësh dhe grash heroina. Tashmë, e trukuar nën fytyrën joshëse të koketës që bën me sy: “mund të më kesh, nëse paguan”.
Por kjo ishte një histori që s’zgjati. Shumë shpejt, mbi shtresën e dytë dhe kalimtare, u nder shtresa e tretë, e rëndë dhe arrogante. Shtresa e slloganit totalitar politik që vinte nën një përzierje mistike dhe divine, në një simbiozë të çuditshme dhe domethënse shtet-fe.
Ky ishte anëtarësimi i parë në një parti politike i Nënë Terezës, një personazhi tepër të dashur për shqiptarët më shumë për shkak të etnisë së saj, sesa për shkak të besimit. Për ne, qytetarët që e ndiqnim me retina gjithë këtë ndërrim “lëkurërash” mbi fytyrën e Muzeut, ky ishte një përjetim i llojit të veçantë. Kjo ishte gara për të na fituar ne dhe vëmendjen tonë. Një tabletë përgjumëse me brenda të tria shtresat narkotike të epokës ku jetojmë: politikë, ekonomi, religjion.
E ndërsa në opinionin publik ngrihej vazhdimisht shqetësimi i sigurt dhe i sterilizuar verbal ndaj kësaj që po ndodhte, asgjë që të provonte se njerëzit bezdisen nga kjo dhunë vizive nuk po shfaqej. Ndaj në këtë kuadër, sllogangrisja e së enjtes, mbetet ndoshta një nga gjestet e para dhe të brishta që tregojnë se reagim qytetar, realisht ka.
Ky mbetet gjithsesi një reagim në kushte primitive, instiktiv dhe i kompleksuar. Por është një veprim selektiv proteste dhe pakënaqësie që ç’ke me të.
Politika do të mundohet pas pak që përmes një kombinati të sofistikuar retorike ta kthejë gjithsesi këtë akt, në një vepër të sajën. Do të ketë politikanë që do të duan ta përvetësojnë atë duke e quajtur një gjest mbështetjeje ndaj partisë së tyre, e do të ketë të tjerë që do t’ia faturojnë këtë “akt vandal” kolegëve nga ana tjetër e peshores. E rëndësishme për ta është që ashtu si Nënë Tereza, edhe kirurgu anonim dhe i dehur i pasmesnatës, të mos mbetet pa teser partie.
Sulmi me preçizion të lartë ndaj politikës së slloganeve, duhet parë ndërkohë edhe si një koordinatë shpjeguese për psikën e shqiptarit të shqetësuar të ditëve tona. Shqiptari i nervozuar i vitit 2010, mund ta durojë dhe nuk ndjehet i bezdisur nga trashëgimia real-socialiste në veprat publike. Ai i quan ato pjesë të së kaluarës së tij dhe asgjësimi apo fshehja e tyre është e njëjta gjë si mohimi apo fshehja e kushërinjve të sikletshëm nga fshati.
Shqiptari në fjalë, s’ka gjë as me simbolet kombëtare dhe etnike, e po të doni, as me ato fetare, ndaj Nënë Tereza e Kalkutës mund të qëndrojë e qetë. Ai madje, shpërfill e s’e quan agresion ndaj lirisë së shijes së tij, as përpjekjen publicitare për t’i shitur pikërisht atë që ai s’ka ndërmend të blejë.
Kësisoj, mund të themi se urrejtja është e përqëndruar në një drejtim të vetëm. Ajo është një sinjal alarmues me sens unik për klasën politike shqiptare, kundër së cilës personalizohet gjithë dëshira për heqje qafe, eleminim, fshirje emri apo amputacion.
Mbase një shenjë e qartë se e kanë tepruar.
Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip”, 30 tetor 2010)

Tuesday, October 26, 2010

Listë e zezë

Disa njerëz këtu në Shqipëri janë mërzitur pse qytetarët nuk e kanë më entuziazmin e dikurshëm ndaj kauzës së tyre. Dhe për këtë arsye kanë vendosur të imponohen me çdo kusht.
Zaten, këto lloj misionesh realizohen përmes ndonjë gjesti të zhurmshëm, të dukshëm dhe të ndjeshëm. Dhe jo. Nuk është fjala për dasmën e Edi Ramës. Është fjala për gjestin e zhurmshëm të shkatërrimit të një godine të njohur dhe të rëndësishme për kujtesën e kryeqytetit. Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Asaj godinës në formë piramide ku fotografohen zakonisht turistët, e cila u ndërtua për të inkurajuar kultin e diktatorit të sapovdekur Enver Hoxha çerek shekulli më parë, por që qëndron sot aty ku është edhe si një provë se përballë një të ardhmeje “të ndritur” kohët e errëta kanë ekzistuar vërtet.
“Të mërziturit” nuk janë të persekutuarit nga komunizmi që ende ëndërrojnë sikur marrin nga shteti ndonjë kompensim për vuajtjet që shteti u shkaktoi atyre. Është fjala për Njerëzit Tepër të Rëndësishëm që rrotullojnë çikrikët e shtetit dhe që po u dhurojnë të persekutuarve, në vend të kompensimeve, ca pllaka të thyera mermeri.
Ofensiva e tyre e radhës mbi pronën publike - në këtë rast mbi Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës – po manifestohet së fundi më hapur, më pa cipë dhe ç’është e vërteta, më krenarisht. Deri edhe motivacioni për prishjen e Piramidës ka mbërritur tani në kufijtë e një talljeje. Përfaqësues të së djathtës marrin poza nga foltoret duke bërë ca sy dinakë: “na duhet një Parlament i ri. Të mos e kenë shqiptarët një tempull modern të demokracisë”? Por ky recitim i ngjan shantazhit të kujdestarit të strehës vorfnore tek “Lulëkuqe mbi mure” teksa i kërkon jetimit Sulo t’i kallëzojë emrat e atyre që e rrëzuan nga shkallët: “Hë fol, a e do ti kujdestarin tënd?”.
Nën vështrimin e hutuar dhe apatisë endemike që ka gozhduar qytetarinë e cila është tamam në syrin e këtij cikloni që kërcënon esencën e saj – qytetarisë – është duke u zhvilluar heshturazi, një proces tragjik. Ajo që po ndodh, është lufta e egër dhe e pamëshirshme midis dy aspekteve të natyrës njerëzore: principit politik dhe principit social.
Po ndodh pikërisht ajo që vëren Martin Buber kur flet për rivalitetin mes dy formave të sjelljes njerëzore: politikes dhe sociales. Por ku dallon Njeriu politik nga Njeriu social? Filozofët në këtë pikë bien dakord. Është njeriu gjahtar, asgjësues dhe konsumues nga njëra anë dhe njeriu kultivues, ndërtues dhe produktiv nga ana tjetër. Individi në konfirmim përballë individit në solidaritet. Karakteristikat e principit politik janë pushteti, autoriteti, hierarkia dhe dominimi. Karakteristikë e principit social është solidariteti spontan përreth një nevoje apo interesi të përbashkët.
Këto dy kahje në konflikt ndodhen vetvetiu brenda shoqërisë shqiptare si brenda çdo shoqërie tjetër. Por antagonizmi midis tyre, përpjekja që njëra palë të dominojë tjetrën ka hyrë së fundi në një fazë ku vërtet janë kapërcyer disa caqe. Sigurisht nuk mund të pretendohet që këto dy fytyra, politikja dhe socialja, që njeriu i tregon vetvetes në kushte të caktuara të tijat në shoqëri, të funksionojnë në harmoni. S’ka sesi, për shkak se në thelb ato janë të kundërtat e njëra tjetrës. Por megjithatë, ajo që ndodh si rregull është ngritja krye e njërës prej këtyre dy palëve të një shoqërie, në momentin kur pala tjetër merr revanshin dhe ushtron trysni.
Në gjithë këtë histori primitive, përfshihet edhe një paradoks modern. Ata që po sulmojnë, janë Njerëzit Tepër të Rëndësishëm. Ata të sjelljes politike.
Shikoni, për shumë njerëz në këtë vend, këto janë kohë të rënda. Çmimet rriten e rriten dhe leku vlen tani shumë më pak. Pensionistët dhe ata më të varfërit janë të parët që e ndjejnë. Emigrantët e kanë rrudhur qesen. Industritë e vetme që dikur rriteshin në këtë vend, si ajo e ndërtimit, kanë pezulluar punën për shkak të stoqeve të mëdha të apartamenteve të pashitura dhe masa më e madhe e punëtorisë aktive shqiptare është sot në kërkim të dëshpëruar për qoftë edhe një ditë të vetme punë me kohë të pjesshme.
Sigurisht, në arkën e shtetit shkojnë më pak para, për faktin e thjeshtë se para ka vërtet më pak. Qeveria po detyrohet të nxjerrë lekë deri edhe nga plehërat italiane. Investimet publike janë pakësuar dhe kjo s’mund të injorohet. E gjithë kjo, ka një kosto sociale. Shkurtimet, fjalë e ditës në çdo ndërmarrje private por sidomos publike. Qindra mësues janë hedhur në rrugë. Kryengritje të vogla lokale të shkollave publike të mbingarkuara me nxënës, shtypen pa zhurmë gati përditë. Javën e kaluar ishte radha e “Ismail Qemalit”. Javës tjetër ku i dihet. Të jesh qytetar shqiptar sot nuk është aspak e lehtë, por ky nuk është një realitet që e sheh shumë në televizorin për të cilin madje ka ankesa – edhe këtu në shtyp – për zell të tepërt në pasqyrimin e “punëve” të Njerëzve Tepër të Rëndësishëm dhe për kalimin në plan të dytë të Njerëzve Krejt të Parëndësishëm.
E megjithatë ndonëse i kanë të gjitha arsyet, nuk janë qytetarët, fytyra sociale e shoqërisë ata që u ndjehet zëri teksa po i shkelin. Elementi njerëzor dhe social mungon në çdo formë të organizuar proteste. E kundërta ndodh. Masat njerëzore, ndonëse të vendosura nën morsën e atij presioni të fortë të përshkruar më sipër, pajtohen të demonstrojnë solidaritet për votën, kutitë, sukseset e qeverisë dhe të tjera forma të shprehjes së veprimtarisë politike në këtë vend.
Përmes hedhjes në akte destruktive siç është shembja apo përvetësimi i Piramidës, pala politike po tregon se tanimë ka arritur në fazën ku aq i bën për ndjeshmërinë dhe shqetësimin social të publikut.
Dhe e gjithë kjo është një luftë e pajustifikuar, pasi siç thamë, arsyet për të qenë të pakënaqur, nuk i kanë politikanët, por qytetarët. E megjithatë, po shohim ata të parët teksa luftojnë të faktorizohen përmes një fushate tjetër frikësimi.
Hakërrimet dhe madje edhe legjitimimi i hakërrimeve përmes pudrosjes së tyre me një lloj formalizmi institucional siç është votimi në Kuvend për ndezjen e fadromave që duhet të rrafshojnë QNK-në, janë thjesht dëshmia se kjo kontradiktë primitive është ashpërsuar në Shqipëri. Thonjtë, kthetrat, brirët dhe dhëmbët primordialë politikë kanë marrë revanshin përballë evolucionit logjik, racionalizmit dhe të menduarit social në përgjithësi.
Dhe me tërë mend, ku janë qytetarët? Në një luftë si kjo midis instiktit kafshëror dhe arsyes njerëzore, ku janë njerëzit? Apo mos ndoshta kemi mbërritur në momentin fatkeq kur duhet t’i nxjerrim këta nga inventari që përfshin shoqëria shqiptare dhe t’i përkushtohemi sëbashku shkatërrimit.
Nëse është kështu, kemi punë plot përpara ndaj le të përvishen mëngët, le të vringëllijnë çekanët dhe matrapikët, le të hartohen listat e zeza të ekzekutimit me vdekje të hapësirave publike me njollë në biografi. Pushtimi otoman, i dhunshëm, i egër, antishqiptar si çdo pushtim. Le t’ia fillojmë nga ndonjë hamam apo çezmë. Pushtimi fashist? Ç’bën ajo kuestura e maskuar si Universitet publik? T’i vëmë kazmën. Po kompleksi i ministrive? Po teatri kombëtar? Tutela sovjetike dhe guri i Nikita Hrushovit në themelet e Teatrit të Operas. Kryeministria, Kryesia e Kuvendit. S’ka tullë në këtë qytet që nuk është pagëzuar më herët në propagandë. Le të vazhdojmë kështu duke ngritur pirgje gërmadhash. E në fund, kur të mos ketë mbetur më gur mbi gur e lëre më ndonjë mur ku të mund të pushojë shikimi, të presim me durim sesi brezat e rinj që do të vijnë pas nesh, të zbulojnë me arkeologjinë e tyre rrënimin tonë, tok me mbishkrimin e vizatuar me urinë mbi pluhurin e rrënojave: Nën kujdesin e veçantë të Neronit.

Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip” – 26 Tetor 2010)

Thursday, October 21, 2010

Lojë luftash

Këtu tek ne kanë filluar të ankohen se populli nuk e kupton politikën. Dhe jo vetëm kaq. Po thonë gjithashtu me përbuzje se edhe një numër i madh kontribuuesish në opinionin publik kanë rënë në nivelin e popullit. PS dhe PD (dhe LSI, dhe PR, e të tjerë, e të tjerë…) nuk janë vërtet aq njëlloj sa ç’shfaqen, por këtë s’mund ta dallojë dot një sy dosido.
Imazhi që opinioni publik ftohet të braktisë në këmbim të këtij iluzioni optik, është ai që shohin të gjithë me sytë e tyre dhe ndjejnë të gjithë në xhepat e tyre.
Me fjalë të tjera, është degradimi i pandalshëm dhe i pafshehshëm i këtij ekuipazhi njerëzish që kanë vendosur të quhen “politikanët” e Shqipërisë, të cilët prej inkompetencës profesionale dhe zvetënimit të tyre moral, e kanë degjeneruar punën që bëjnë në thjesht grabitje ordinere dhe sharje banale të sho-shoqit.
Po kush janë predikuesit e kësaj dogme të re që i fajëson njerëzit se s’janë të denjë për politikanët që kanë? Për këtë, mjafton një vëzhgim i shpejtë por i kujdesshëm i who’s who’s-it të teoricienëve të ditëve të fundit në shtyp dhe jo vetëm. Bëhet fjalë ose për një shtresë të re analistësh të parashutuar me mision në fushëbetejën e opinionit drejt e nga ai avioni i prishur që është vetë politika, ose për analistë dikur të pavarur por të hyrë ndërkaq si kollovarë po në politikë. Me pak fjalë, politika vetë po i dikton opinionit këndvështrimin e vet mbi politikën.
Megjithatë në pamje të parë, teoria që ata po na ftojnë të përvetësojmë, ngjan deridiku si e bazuar në një arsyetim të kuptueshëm.
Në debate televizive ju mund t‘i dëgjoni ata sesi shtjellojnë idenë se partitë tona politike të akuzuara për falimentim, në realitet s’janë dhe aq keq. Ato fshehin veçori ideologjike, taktika zgjidhjesh dhe rezerva intelektuale të bollshme brenda tyre, por imazhi që paraqesin para publikut është lënë kasten prej tyre kaq prozaik.
Partitë e bëjnë këtë me kalkulim dhe ndërgjegje të plotë, me qëllimin për ta dekurajuar qytetarin të votojë dhe për të yshtur militantin të shtrëngojë radhët. Në këtë mënyrë, duke i neveritur qëllimisht njerëzit me imazhin e vet, pretendohet se partitë po ndjekin ndonjë skenar të ri të politikës postmoderne. Ndonjë variant ende të paeksploruar gjetiu por që duket si shpikje gjeniale shqiptare ku subjektet politike e shkëpusin fatin e tyre nga ndjeshmëritë publike duke e bërë publikun me marifetet e tyre, që t’i urrejë ato – subjektet politike.
Vetë karakteri suicidal i kësaj teorie flet qartë për dëshpërimin e thellë që mund të ketë shërbyer si mjedis ku ajo është mbrujtur. Por le të supozojmë se ajo është e vërtetë dhe kemi të bëjmë me një strategji të menduar. Cilat do të duhej të ishin simptomat që do të na bindnin se këtu kemi të bëjmë me një situatë reale?
Në radhë të parë, nëse arrijmë deri në pikën kur partitë vetë mundohen t’i shfaqin publikut një pamje të përthyer të vetvetes, ky quhet një mashtrim. Kjo quhet afishim i një gënjeshtre dhe përpjekje për ta mburrur madje atë. Ky skenar mund të ndodhë vetëm në kushtet kur mashtrimi është përjashtuar nga lista e zezë e amoralitetit për t’u rreshtuar tek ajo e vlerave. Kjo ende s’ka ndodhur në Shqipëri (dhe me sa di unë, në asnjë shoqëri tjetër njerëzore). Një parti politike që mashtron publikun rreth përmbajtjes dhe qëllimeve të saj, edhe nëse ato janë të mira, meriton të skualifikohet direkt dhe të ndëshkohet siç ndëshkohet çdo mashtrues. Ky paradoks i parë, është thjesht një pikëpyetje e madhe mbi gjithë strukturën me të cilën ekspertët e politikës po mundohen të na mbushin mendjen se funksionon strategjia e stërholluar e partive ndaj elektoratit.
Një rekuizitë e dytë, që do të shërbente për të na bindur se partitë janë të sinqerta në përpjekjen për t’u dukur si pjesë e së njëjtës lojë, është që ato më herët të kenë qenë qartësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Vetëm si nevojë e kësaj situate, ato mund të fillonin të gdhendnin imazhin e tyre të ri, të kundërt nga i pari. Shumë e thjeshtë: më parë ishim të ndryshëm? Tani në ndryshim nga më parë, jemi njëlloj. Për ta urbanizuar paksa diskursin, kjo është pakashumë një zgjatim në politikë i poezive hermetike të Hatibit (tip: krejt ndryshe nga të tjerët, vetëm unë s’kam ndryshuar – etj, etj.)
Por pamja reale është tërësisht e përmbysur. Në të paktën 13 vjetët e fundit forcat kryesore politike kanë shpalosur vetëm e vetëm një mënyrë të bëri politikë, një mënyrë të vetme e të përbashkët qeverisjeje, një mënyrë të vetme e të përbashkët të bëri fushata elektorale, një mënyrë të vetme e të përbashkët të bëri opozitë.
Do të ishte vërtet bukur sikur të përjetonim një situatë idilike, kur pas betejash të ashpra politike të së kaluarës, politikanët, me një kujdes prekës për popullin e shokuar nga gjëmimet, ta bënin veten palaço duke improvizuar lojëra luftash mes vedi në mënyrë që populli t’i shohë me ç’maskarenj ka të bëjë dhe t’u japë duart. Por problemi është se kjo lojë luftash është e vetmja partiturë që ata kanë ditur të luajnë. Shëmtueshëm dhe keq. Për vite e vite me radhë.
Njeriu ka të njëjtët armiq me librin: ujin, zjarrin dhe përmbajtjen e vet. Një arsye tjetër përse s’mund të jetë e vërtetë që partitë politike fshehin një përmbajtje origjinale teksa shfaqin një fytyrë uniforme, janë pikërisht ata. Njerëzit e tyre. Më saktë, përmbajtja e tyre. Historia e vjetër dhe e re e “politikës” shqiptare njeh rritjen dhe lulëzimin e një biznesi tregtar aq të zhvilluar, ku lëndë e parë kanë qenë vetë politikanët dhe shitblerës partitë e të gjitha kahjeve, saqë është e panevojshme të komentosh më tej. Tipologjia e politikanit shqiptar nuk është aspak ajo e njeriut që e njeh politikën, që e ka profesion atë, që mundohet të zgjidhë problemet praktike të njerëzve përmes aplikimit të teorive të ndryshme idealiste ku ai beson, e të tjerë. Portreti i politikanit shqiptar është thjesht ai i një zanatçiu çfarëdo (vitet e fundit, ai i përket përherë e më shumë “zanatit” të biznesmenit), që i bie llotaria të jetë katër vjet në karrigen e deputetit.
Oh, dhe kush do ishin ato partitë që nuk i duan më votat e popullit? Partia Demokratike e cila në zgjedhjet e fundit nga babëzia për çdo votë ndërtoi një koalicion aq heterogjen dhe surreal saqë rrallëherë e ka parë historia? Ku u mblodhën me kuç e me maç pa asnjë fije seleksionimi deri edhe organizata inekzistente me dy anëtarë, vetëm që të mos shkonin dëm ato dy vota? Ku u gjendën bashkë në një sahan edhe republikanë edhe monarkistë, edhe ballistë edhe antifashistë, edhe ish-pronarë edhe reformistë agrarë, edhe çamë edhe grekë (pa harruar këtu romët)?
Apo Partia Socialiste që pasi i pa anëtarët e koalicionit të vet t’i ngrinin pusira e stërkëmbësha njëri tjetrit nëpër skërka e qendra të humbura votimi, e futi më pas edhe veten në një krizë imagjinare ku tani ajo beson edhe vetë se ndodhet realisht, pikërisht në emër të hipotezës që s’ka nevojë për vërtetim se në një sistem jo-demokratik votat tjetërsohen? Kjo është vërtet një shaka pa kripë.
Me tërë mend, më shumë se një taktikë e llogaritur e organizatave politike që ndodhen sot në kuotat e tyre më të ulëta të popullaritetit, i gjithë ky operacion është vetëm një përpjekje qesharake për të mbrojtur nderin e politikanëve nga kolegë të tyret të veshur tebdil si gazetarë. Mbreti dykokësh i bixhozit politik është krejtësisht lakuriq dhe s’ka më asnjë gjethe fiku që mund t’ia fshehë hallatet.
Përballë faktit se organizatat tona politike kanë dështuar që t’u përgjigjen kërkesave të votuesve të vet, ato po mundohen të na bindin se kjo është pjesë e një loje që s’e rrokin dot mendjet tona. Ok. Që t’i kursejmë që të gjithë vetes kohë dhe nerva: kjo përpjekje s’funksionon. Ka ndonjë tjetër?

(Gazeta "Shqip" - 21 tetor 2010)

Saturday, October 9, 2010

Shqipëria natyrale dhe një tezë fashiste

Një njoftim i gëzueshëm për gjithë vëllezërit tanë patriotë nga Ballkani: ky gadishull nuk është epiqendra e sistemit diellor. Këtë dukuri natyrore mund ta shohësh me sy të lirë edhe nga kjo gjerësi gjeografike ku ndodhemi, por ama disa luftojnë me çdo kusht që të mos ta shohin. Megjithatë prova se siujdhesa jonë është thjesht një rrethinë e lënë pas dore dhe e mosmarrë seriozisht disponon baza të forta. Fjala vjen, si pasojë e këtij fakti, atje artikulohen me lehtësinë më të madhe teori nga më monstruozet të likuiduara kahmot në kontinentin dikur të vjetër e tashmë të modernizuar, të Europës. Por çmenduria vazhdon më tej. Këto lloj marrëzish me afat të kaluar skadence, pasi nuk gjejnë kritikën e duhur nga padituria apo thjesht dembelizmi për të nxënë, nisin madje të imponohen si me qenë ideologji të pranuara gjerësisht. Se ç’mund të përftohet në fund nga ky festival sharlatanizmi të ngritur në nivel serioziteti, mund ta sodisim të ilustruar me ngjyra të forta, në kasaphanat përkatëse të ish-Jugosllavisë. Siç thotë Noam Chomsky tek Liberating the mind from Orthodoxies, “tirania aplikohet atëherë kur i përvetësojnë legjitimitetin”.
Debati konstant – por më mirë, monologu - mbi Shqipërinë natyrale, (siç ndodh me debate të ngjashme në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari e Kroaci) është për shembull, një nga temat e preferuara të një turlie amatorësh folklorikë, historianësh të përciptë dhe atdhetarësh të minutës së fundit edhe këtu në Tiranë. E parë me një sy praktik, Shqipëria natyrale mund edhe të mos merret fare seriozisht. Ajo lindi në panik e sipër më 1999 pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, si një përgjigje qetësuese ndaj kritikëve të shumtë që pas asaj që ndodhi në Kosovë rindezën alarmin e Shqipërisë së Madhe. Vetë Shqipëria e Madhe është një lloj krijese maksimaliste me themelet në kohën e Lidhjes (apo më saktë Lodhjes) së Prizrenit, por më 1999 ajo u ripaketua si një referencë e qartë e kohës së Großdeutschland-it nazist, nën kujdesin e posaçëm të të cilit u krijua për herë të vetme në histori një shtet i përbashkët i gjithë shqiptarëve (që koinçidon pikë për pikë edhe me hartën e Shqipërisë natyrale). Megjithatë, duket sikur kjo e fundit, e mbështjellë me këtë ambalazh kaq bio, kaq ekologjik dhe kaq pranë virgjërisë së egjër të natyrës, shpreh qartë si prirjet artistike të shpikësit të saj ashtu edhe një ironi tallëse ndaj atyre që me daljen në qarkullim të Shqipërisë natyrale do t’u ngecej në dorë “derri maç” i Shqipërisë së Madhe. Në këtë kontekst, krijesa metaforike e Shqipërisë natyrale, e ka realizuar misionin e vet. Problemi është se ka njerëz këtu në Shqipërinë “artificiale” që e kanë marrë atë seriozisht dhe që vazhdojnë të merren me të ende sot më 2010-ën. Dikush mund të justifikohet: të mos kapemi pas termave. Por termat janë të rëndësishëm. Ata përcaktojnë mënyrën e të menduarit të atyre që i përdorin.
Cili është koncepti i Shqipërisë Natyrale? E përmbledhur në dy fjalë, ajo është po aq “luftë territoresh” sa edhe Shqipëria e Madhe. Ky koncept nënkupton faktin se Republika e Shqipërisë me përmasat aktuale, është një lloj anomalie apo çrregullimi. Territori i saj i momentit është lënë gabimisht i vogël, i pamjaftueshëm dhe jo fizibël, pasi përfaqëson vetëm atë çka mbeti pas një gjymtimi të padrejtë më 1913. Rrjedhimisht, ky produkt defektoz duhet riparuar. Shqipëria duhet të bëhet natyrale dhe kjo arrihet duke përfshirë brenda saj edhe territore të tjera (mundësisht etnikisht të pastra) me shpresën, madje bindjen, se kështu ajo do të nisë të funksionojë normalisht si një trup i shëndetshëm. Sesi mund të ndreqet një mekanizëm që s’funksionon duke i montuar përsipër një vegël tjetër që gjithashtu s’funksionon, kjo i takon ndonjë studimi me natyrë psikiatrike, megjithatë, kjo lloj gjetjeje gjeniale prej 1999-ës e tëhu është hedhur në treg si alternativa e vetme pa konkurrentë e Shqipërisë së Madhe. Fatkeqësisht, ky formulim, mban të maskuar në nëntekstin e saj, disa klishe naive si dhe një kërcënim serioz. Këmbëngulja tek Shqipëria Natyrale, ka në themel të saj mbi të gjitha, një ankesë. Ajo është ankesa ndaj një Shqipërie anormale, të denatyralizuar dhe problematike. Përpjekja drejt Shqipërisë natyrale, është rrugëdalja imagjinare nga këto probleme. Është një shteg i shkurtër drejt një parajse të ëndërruar. Ekziston vetëm një sjellje tjetër politike që shënohet nga ky preokupim obsesiv ndaj zvetënimit të shoqërisë, çnderimit dhe viktimizimit të saj si dhe që krijon kulte kompensuese uniteti, energjie dhe pastërtie. Sipas përkufizimit të Paxtonit, kjo filozofi s’është asgjë më pak se fashizmi.
Disa nga klishetë që përfshihen brenda konceptit të Shqipërisë natyrale, qëndrojnë qysh në mënyrën e formulimit të terminologjisë që e përshkruan atë. Fjalorthi i xhepit me termat që gërmëzojnë për publikun atë që ndodhi derisa mbërritëm tek kjo Shqipëri jo-natyrale dhe e padurueshme ku jetojmë sot, i përket një prodhimi të tejkaluar me kohë e vakt nga diskursi modern i gjeopolitikës. Një nga këto terma për shembull është ai i “padrejtësisë historike”. Ky togfjalësh është në vetvete një paradoks tepër qesharak. Në disa plane. Së pari, drejtësia është një nocion mjaft relativ. Çfarë konsiderohet veprim i drejtë për dikë, për dikë tjetër është t’ia kesh bërë borxh. S’ka sot asnjë komb në Ballkan që s’është i bindur se ndaj tij s’është bërë ndonjë padrejtësi në të kaluarën.
Gjithashtu, koncepti i “padrejtësisë historike”, vuan edhe nga problemi i atrofizimit dhe shkëputjes nga konteksti. Një vendim i 1913-ës i gjykuar në rrethanat dhe sofistikimet e viteve 2000, mund të duket i habitshëm, i padrejtë dhe deri çnjerëzor. Por shoqëria e organizuar njerëzore është rrekur të krijojë ekuilibra në çdo fazë të sajën të historisë. Në çdo formë me të cilën ajo ka ekzistuar sado e palogjikshme të duket sot, ka pasur një argumentim logjik që është konsideruar i mjaftueshëm për kohën në të cilën është krijuar ky ekuilibër.
Ajo që mund të përbënte një diskurs më të përditësuar me logjikën dhe zhvillimin e mendimit të shoqërisë bashkëkohore referuar ndryshimit të statuskuo-ve të shumta “të padrejta” trashëguar nga e kaluara, do të ishte një terminologji evolucioniste që e përshkruan kombformimin dhe shtetformimin si një proces në zhvillim të pandalshëm kah ndonjë drejtimi që mund të jetë pozitiv ose negativ. Vetëm përmes kësaj optike, mund të shihnim më qartë dhe më pa emocion mbi pikturën që kemi para syve.
Piktura që kemi para syve është e thjeshtë. Në dekadën e parë të shekullit të XXI, teksa gjithë bota është zvogëluar, bashkësitë e njerëzve që e banojnë atë, po ndajnë dita ditës fate më të përbashkëta. Të gjithë po jetojmë përherë e më njëlloj, po mendojmë përherë e më njëlloj, po mrekullohemi apo indinjohemi nga të njëjtat dukuri dhe teksa edhe informohemi të gjithë në të njëjtën mënyrë, po ndjehemi përherë e më shumë pjesë e një identiteti të përbashkët. Zhvillimi i teknologjisë, influencat kulturore, robërimi përmes kapitalit, madje edhe krizat ekonomike, janë përherë e më të përbotshme dhe të tilla sa vijnë e po bëhen edhe perceptimet e njerëzve.
Njësitë e vjetra shtetërore sa vijnë e po e humbasin sovranitetin e tyre, duke shthurur format e vjetra të organizimit federal apo unitar e duke u shkrirë dalëngadalë, në një proces që sapo ka nisur, në struktura më të sofistikuara. Njësia brenda së cilës organizohen shoqëritë tashmë, është detyrimisht më e madhe sesa ajo e shtetit-komb të dikurshëm, edhe pse shteti-komb është një hap kalimtar drejt këtyre strukturave. Vini re sesi deri edhe Zvicra shkon e anëtarësohet në OKB. Sesi deri edhe Shqipëria me Kroacinë bëhen pjesë e NATO-s apo e procesit të liberalizimit të vizave që paraprin dorëzimin e sovranitetit të tyre në një strukturë më të madhe që quhet BE. Simptomat janë të shumta dhe ky shkrim s’ka për qëllim të trajtojë format sesi po rendim me shpejtësi drejt realizimit të profecisë për krijimin e Shtetit Global. Ajo që ndodhi me shqiptarët në fund të shekullit të kaluar e që po vazhdon pandalshëm edhe këtë shekull, është thjesht pjesë e një procesi më të madh e më të ndërlikuar se një rapsodi e vjetër me lahutë që këndon baladën e Shqipërisë së Madhe, asaj natyrale apo qoftë edhe të asaj shkencores. Shqiptarët këtu s’kanë ndonjë rol apo meritë, përveç favorit që mund t’i bënin vetes, duke u çliruar një herë e mirë nga praktikat mburravece dhe ksenofobe, e duke e parë veten siç janë realisht. Në sfondin e madh të një bote që po i transformon pa i pyetur, si plastelinë.

Sokol Shameti
(Gazeta "Shqip", 9 tetor 2010)

Wednesday, October 6, 2010

Secilit karrigen e vet

Përkundër ç’sugjerojnë bookmakers-at, ndërrimi i vrullshëm i fanellave që po ndodh këto ditë mes lojtarëve në dy kampet e politikës në Shqipëri ka mbërritur në finale. Ndeshja e realizoi qëllimin e saj dhe s’ka më ndonjë shans real që të vazhdojë në kohën shtesë. Kush kishte për të marrë leksione i mori, kush thjesht kishte dëshirë të demonstronte muskulaturën, e demonstroi.
PS, PD dhe LSI qarkulluan lojtarët, i shënuan secila njëra tjetrës nga një gol dhe ajo çka rezulton tani në tabelën përfundimtare është një pikavarazh aritmetikisht identik me atë që kishim në fillim. Situata iu rikthye gjendjes së mëparshme pasi ofensiva e PS-së u zmbraps pas një kundërsulmi me të njëjtën “monedhë” nga ana e mazhorancës. Kjo e fundit, me shumë gjasë do t’ia kursejë vetes bezdinë e vazhdimit të avazit, më shumë për arsye strategjike sesa për mungesë mundësie apo epshi. Për këtë arsye, kampionati mund të deklarohet formalisht i mbyllur.
Por kjo lojë në dukje e thjeshtë, e drejtë dhe e barabartë, pati edhe të humburit e vet. Nga gjithë kjo histori, socialistët, ata që predikojnë një moral dhe një alternativë më të mirë përballë pikturimit të kundërshtarëve si një çetë banditësh, ishin ata që dolën më të diskredituarit. Anipse numrat në Kuvend sugjerojnë se numerikisht ata janë po aq sa ç’ishin në fillim të censusit. Kjo i ngjan konstatimit tragjikomik të një statisticieni shqiptar të vitit 1990 në kulmin e eksodit të desperados-ve vendas drejt Italisë: “Para një viti ishim 3 milionë banorë. Sivjet jemi 1 milionë më pak, por si kilogramë jemi po aq sa vjet”. Sipas një logjike të ngjashme, humbjet e “së majtës” nga spekullimet e fundit në bursën e deputetëve, janë mbi të gjitha një disfatë cilësie dhe imazhi.
Ironikisht, PS vazhdon të ketë po aq popullsi parlamentare sa kishte në fillim të kësaj Vaterloje vetëvrasëse. Por e gjithë retorika opozitare, si dhe përpjekja për ta shitur përmbajtjen e saj si cilësisht sipërore ndaj rropullive që thuhet se përmban plënci i pushtetit, përfunduan me një lëvizje të vetme fëminore, drejt e në kosh të plehërave. Dhe pavarësisht mundimeve të punditëve “të pavarur” për t’i dhënë ndonjë parfumim disi më higjienik socialistëve e për t’i veçuar ata nga kutërbimi i kalbjes morale tërësore të klasës politike, hundët e shqiptarëve të mësuara ndër beteja me aroma kufomash politike janë në gjendje ta nuhasin sesi njëra kadavër s’dallon aspak nga tjetra. Korpusi ynë politik është dekompozuar i tëri si grup, sepse po në grup ai ka kullotur në grazhdin e helmatisur të degjenerimit. Parodia me tre akte e merkatos së deputetëve është një tjetër provë publike për këtë.
Përfundimi që mund të nxirret nga gjithë kjo aventurë e turpshme për të cilën sot lidershipi socialist s’ka më as kurajo e as gojë të flasë, është se dallimi midis të djathtës dhe “të majtës” këtu tek ne mjerisht është thjesht teatral. Njerëzit e ndjejnë këtë. Neveritja është e përgjithshme. Mjedisi ku gjallon ideja trans-socialiste e versionit të Ramës, është i tillë që në të është i mirëpritur dhe mund të notojë për bukuri si në elementin e vet çdo peshk që arratiset nga akuariumi i Berishës. Ujërat “politike” janë po aq të zeza në të dyja anët dhe fauna që vegjeton andej dhe këndej kësaj ene bashkuese, është e njëjtë. Këtë s’ka më asnjë lloj mashtrimi që mund ta mbulojë.
Organizatat politike dalin kështu para syve të publikut krejt lakuriq. Ashtu siç janë në të vërtetë. Një faliment politik. Por ama një projekt i suksesshëm shoqatash jo qeveritare, të cilat vërtet nuk denjojnë të përfaqësojnë vullnetin e popullit, por që u është lejuar me ligj të aplikojnë çdo katër vjet me stafet e tyre për marrë në dorëzim paratë që i mblidhen popullit me taksa. Që me pretekstin e ndërtimit të atdheut ua japin këto para atyre kompanive që u lyejnë atyre rrotën. Dhe që kur duan të vënë gjoba 20 përqindshe ose të bëjnë biznese akulloresh me ortakë puljezë, ia lidhin duart Kushtetutës dhe aparateve publike të ruajtjes së rendit dhe drejtësisë përmes një rrjete legjislacioni dhe rregullash loje që e thurin dhe e shthurin po vetë.
Këto shoqata joqeveritare të maskuara si shprehëse të vullnetit popullor, banohen nga e njëjta gjini hajdutësh dhe matrapazësh. Lufta e tyre politike është thjesht grindje për territore, ashtu si dikur banda e “Pesë dyqaneve” kacafytej me atë të “Çobenëve” në netët e thikave nëpër basifondet e viteve ’80.
Në këtë peizazh të përgjitshëm degradimi ngjyrë gri, bandat politike kanë rafinuar edhe ato metodat e veta të dominimit duke u specializuar në mënyrën sesi i zgjidhin punët e tyre. Ato ushtrojnë forca tërheqëse ndaj të ngjashmëve në karakter, interesa dhe aspirata. Kësisoj edhe qarkullimi i anëtarëve të tyre nga një celulë në tjetrën është thjesht rigjetje e vetvetes brenda sojit të të njëjtëve.
Po ta shikojmë në këtë kontekst, ajo që ndodhi me lëvizjen e deputetëve nga një grup parlamentar në tjetrin gjatë këtyre dy javëve të fundit, merr kuptim. Drejt Partisë Demokratike u afrua një pragmatist i akullt i përgatitur në shkollën e pashpirt anti-sociale të neoliberalizmit amerikan. Tek Partia Socialiste gjeti strehë një biznesmen pa ndonjë stërhollim politik por me përvojë të gjatë në disiplinat ekzibicioniste të sporteve të rënda dhe forcave speciale. Ndërsa drejt LSI-së thuhet se do të përfundojë një dishepull i shkollës së vjetër nanoiste të batutës dhe konjukturës. Gjërat shkuan në vendin e vet natyral njëlloj si të ishin ulëse të rezervuara mysafirësh në ndonjë darkë private në Durrës. Gjithçka duket për mrekulli.
Mungon vetëm një detaj. Të vetmit që ngjajnë se s’janë aspak rehat në ulëset e tyre, janë liderët e bandave (më falni, partive) politike që kontrollojnë sot punët në këtë vend. Nuk do të përbënte më asnjë çudi, madje përkundrazi, do të shërbente si një motiv i mirë për t’u tjerrë nëpër debate shqiptarësh, sikur edhe ata vetë t’i këpusnin ndonjë xhirim të shpejtë karrigeve të tyre. Pak a shumë si ajo loja që luanim kur ishim fëmijë. Të gjithë vrapojnë me ritmin e muzikës rrotull tri karrigeve të vendosura në formë rrethore. Kur muzika ndalon, kush të mundet ulet ku të mundet, sepse helbete, karriget janë identike. Si rregull, më i ngathëti mbetet në këmbë dhe largohet nga loja. Sepse, karrige ka gjithmonë një më pak se pjesëmarrës në lojë.

(Gazeta "Shqip", 6 Tetor 2010)

Saturday, October 2, 2010

Të martën

"A nation, no more than a woman, is excused for the unguarded hour when the first adventurer who comes along can do violence to her"

Në vend të zbukurimeve të festave të pafajshme, neutrale dhe unisex të fundvitit, Tirana është mbjellë me mijëra banderola blu të paguara nga taksat publike, të cilat synojnë të mbivendosin një festë që ende pret të marrë miratimin qytetar për t‘u pranuar si celebrim nacional. Në një status facebook-u të dikujt, mendimin e të cilit e vlerësoj, shkruhej me një sens pesimizmi gri: "They put slogans instead of Christmas lights" (Po vënë slogane në vend të dritave të Krishtlindjes). Por përveç avancimit deri në mërzi të një lufte të kotë yjesh që ka nisur qysh më 28 nëntor, 8 dhjetori i sivjetshëm i Shqipërisë do të jetë venerimi më i bujshëm i një tradhtie ndaj një gjesti heroik.
Në arkeologjinë politike, 8 dhjetori i shqiptarëve është manifestimi i dy momenteve me domethënie diametralisht të kundërt, ku njëri emblematizon robërimin e tjetri një akt lirie. Më 8 dhjetor 1912, ushtria greke pushtoi Korçën. Më 1990, në Tiranë u ndez flaka e rezistencës studentore kundër një "pushtimi" stalinist, i cili prej 45 vjetësh po shtypte çdo liri dhe çdo aspiratë progresiste të banorëve të këtij vendi dhe që po e bënte këtë përmes diskreditimit të pamëshirshëm të idealeve humaniste të barazisë, internacionalizmit, progresit shoqëror dhe madje edhe të vetë lirisë.
8 dhjetori i 1990-ës dhe lëvizja studentore që zuri fill në këtë ditë kanë meritën, se për herë të parë i shkulën idealizmin nga duart një klike nepotike, e cila e përdorte mjekrën e Marksit si maskë për terrorin, ashtu siç inkuizicioni përdorte gjakun e Krishtit si vinovil për kanonizimin e frikës. Lëvizja studentore e dhjetorit, sikurse çdo lëvizje revolucionare, kishte edhe ajo frymëzimet dhe heronjtë e saj. Pa shumë ndërlikim, të thjeshtë dhe popullorë, ata ishin libertinët e një bote që kapërcente zhurmuesit televiziv për të zbarkuar brenda burgut tonë të madh, tretur në muzikën e ndaluar të Jim Morrison-it apo John Lennon-it (ironi e fatit: i pari i lindur më 8 dhjetor, e i dyti i vdekur në po këtë datë). Një filozofi e cila përmes thirrjes "no countries - no religions - no possessions" promovonte zëvendësimin e një bote të mbërthyer nën armaturën e nacionalizmit, religjionit dhe materializmit, me një botë të re kozmopolitaniste, humane dhe idealiste.
19 vjet më vonë, është e pamundur të mos vësh re, se kjo aspiratë ka degjeneruar në instalimin e një sistemi në thelb po aq represiv dhe çnjerëzor sa edhe ai kundër të cilit ajo drejtohej. Shqipëria e 2009-ës është më nacionaliste, më e budallallepsur nga lloj-lloj disiplinash spirituale dhe shumë-shumë herë më materialiste se ajo e 1990-ës. Nacionalizmi krenar i Shqipërisë fanar ndriçimi është ndërruar me nacionalizmin folklorik në kufijtë e ksenofobisë, besimi integralist në fenë e komunizmit është zëvendësuar me atë në integrimet veriatlantike, ndërsa materializmi dialektik me obsesionin eksplicit ndaj fitimit. Nuk ka të internuar me urdhër nga lart në kampe pune, por ka të destinuar ta shtyjnë jetën në mjerimin më ekstrem të provincës apo periferive. Nuk ka të dënuar me vdekje me pushkatim, por ka të dënuar me dëshpërimin e vetëvrasjes për t‘i ikur jetës pa rrugëdalje. Të pasurit dhe të privilegjuarit janë edhe më të pasur e më të privilegjuar, ndërsa të varfrit, edhe më të varfër. Liria për të lëvizur në perëndim është po aq e cunguar dhe sistemi i votës së lirë po aq i diskredituar. Diktatura virtuale dhe teorike e proletariatit është zëvendësuar nga diktatura konkrete dhe e pamëshirshme e tregut. Nënshtrimi ndaj frikës është zëvendësuar nga servilizmi ndaj pushtetit dhe parasë, ndërsa rrjeti "inteligjent" i propagandës dhe spiunazhit të dikurshëm ngjan si një zeje amatorësh përballë sistemit të sofistikuar të manipulimit mediatik dhe të marketingut të sotëm, i cili garanton trushpëlarje efektive, të shpejtë dhe cilësore, pa pasur nevojën për t‘i ndyer duart fare me gjak në luftën e elitës sunduese për paqe sociale.
Te "Domethënia e Sarkozisë", filozofi bashkëkohor francez, Alain Badiou, flet për dy fytyrat e historisë. Ndodhte në Francë dhe ndoshta krejt fatalitet, por thuajse çdo arritje e madhe e lirisë dhe përparimit shoqëror është pasuar nga një kohë e errët terrori dhe privimi lirie, ironikisht po në emër të mbrojtjes së asaj që sapo ishte arritur. Kujtojmë termidorianët e përgjakshëm që pasuan Revolucionin Francez, shtypjen e Komunës nga Versaja dhe masakrën frenetike pas saj, apo kasaphanën shoviniste të luftërave botërore. Kjo diagramë represioni ciklik ngjan se ka referenca thuajse kudo në botë, ku një regjim shtypës provokon një revolucion, menjëherë pas të cilit dalin në dritë establishmente politike të gatshëm për të kamufluar me një gjuhë klishesh origjinare të revolucionit, formën e re të një përmbajtjeje të vjetër konservatore.
Revolucioni shqiptar i 1990-ës, i cili në thelb ishte anti-stalinist dhe socialdemokrat, është manipuluar për t‘u reklamuar si një lëvizje e së djathtës konservatore. E gjithë terminologjia, filozofia dhe aspiratat e tij, janë shndërruar sot në municion për të mbushur karikatorët e një ofensive neo-staliniste të shfaqur në trajtën e një "demokracie putiniane", si kjo që është instaluar sot në Shqipëri. Po njëlloj si në Shqipërinë staliniste, kemi sot të njëjtën gjuhë të dhunshme që dikur fliste në emër të pushtetit popullor dhe që sot flet në emër të vullnetit popullor. Pas faqes së ndritur të 8 dhjetorit 1990, kjo e sotmja është fytyra e dytë e Shqipërisë. Një histori e errësirës dhe shtypjes në emër të lirisë dhe progresit. Një formë terrorizmi shtetëror "demokratik" që e përdor kujtesën e revolucionit jo si motiv për të ecur përpara, por si moment frikësimi prej asaj që ndodhte më herët. "Frika s‘ka të ardhme tjetër veç terrorit", shkruan Alain Badiou dhe në një Shqipëri që sponsorizon histerinë kolektive duke inkurajuar frikën ndaj hipotezës marksiste dhe çdo lloj hipoteze tjetër që vë në diskutim lulëzimin e kësaj parajse gangsterësh që e quajnë madje "demokraci", është ndoshta momenti për t‘i thirrur djallit në emrin e vet të vërtetë.
Sivjet John Lennon do të tradhtohet për herë të nëntëmbëdhjetë në Tiranë. Shqiptarët do t‘i thërrasin për të gjetur në sheshin e festës njëri-tjetrin jo më si dikur vëllezër në fe a vëllezër në ideal, por tashmë si vëllezër në frikë. Do të ketë drita, rock dhe brohoritje. Do të jetë e martë.

(Gazeta "Shqip", 8 Dhjetor 2009)

Heronj të ndaluar

Kjo është një kohë pa heronj të gjallë. Dhe kjo, për arsye jo tërësisht subjektive. Sidoqoftë, ia vlen të radhisim pak statistikë: narrativa heroike nis përherë me Shqipërinë e Skënderbeut dhe qëndresës anti-okupatore. Dy hapa larg – Shqipëria e kryengritjeve dhe e burrave të vrerët me balle të gjera dhe mjekra të dendura, me papijonë rilindas dhe revolverë atentatorësh. Nëse për heroizmin prodhim kastriotas ka ende disa dyshime, për këta, të rilindjes, të dhënat janë të bollshme. Disponohen emra, mbiemra, fotografi, së fundi edhe emaila dhe adresa mitologjike interneti tip www.floknajetrimash.org, ose www.dykrismaneparis.net. Me një llaf, gjithçka që i domosduhet historisë qoftë konvencionale apo postmoderniste. Dhe prapëseprapë, historia s’mbaron kaq shpejt. Pas derës përgjon sakaq Shqipëria e iluzioneve të humbura me rezistencë antifashiste. Ajo me ndërtim rendesh të reja shoqërore që rënduan mbi lodhjen e shpatullave të heronjve të punës. Kjo ishte njëkohësisht edhe Shqipëria e disidencës së marrë me shpulla politike dhe e “heronjve” të heshtur. Heronjve të inteligjencës të vënë në shërbim të regjimit me bindjen se ky ishte një shërbim ndaj atdheut. Vijon Shqipëria e heronjve në formë pishtarësh të demokracisë. Zjarre të djegur në ngadalësinë intime dhe kritike të anonimatit. Për të mbërritur ashtu si në fund të edicioneve të lajmeve në një zonë të lehtë por po aq interesante si rubrika sportive, ku ka zënë pritë Shqipëria futbollistike e 2 me 1-shave kuqezi kundër Partizanit tepër serb të Beogradit dhe kampiones tmerrësisht greke të Europës. Tekefundit kjo është Shqipëria që ofron shumë për t’u mbajtur mend dhe krenuar me të.

Vitrina heroike është e kompletuar dhe asgjë nuk mungon në të për një komb që planifikon pavdekësinë duke e ndjellë atë me gjithçka, nga himni kombëtar deri tek humori urban. Industria heroike do të duhej ta mbaronte në këtë pikë misionin e vet. Atë të krijimit të infrastrukturës dhe furnizimit të lëndës së parë. Por mjerisht, heroizmit, ashtu si edhe programeve të kompjuterëve, i duhet të updat-ohet.

Skënderbe i padëshirueshëm

Qeveria polake publikoi javët e fundit një listë të përbërë nga personalitete historike vendase dhe të huaja të cilat do të duhej të zbriteshin nga piedestali i lavdisë së fituar me dhunë, diktat, vrasje dhe padrejtësi për t‘u skeduar në who’s who‘s-in e njerëzve për t’u evituar nga polaku i racës. Mes një dyzine aparatçikësh vendas ish-komunistë, në listë spikasnin edhe figura të huaja si për shembull Ernesto Che Guevara. Shpallja non grata e Che Guevarës në Poloni ndonëse pas vdekjes, është një shenjë e dukshme e asaj që po ndodh në botën e sotme ku heronjtë dhe modelet shpirtërore marketohen ose censurohen si të ishin produkte industriale. Në ekranin e reklamës së përnatshme thërritet me të njëjtën forcë decibelësh si “Always Coca Cola“ ashtu edhe “Duhani shkakton kancer“ ose “Ndal drogës“.

Ndonëse pa lista dhe formalizim, Shqipëria është një tjetër rast kuptimplotë sesi vetëm idealizmi i shitur me manual, të drejta përdorimi dhe kod personal mund të funksionojë ndërkohë që programet pirate ndalohen me ligjin që në Poloni është zyrtar e në Shqipëri siç ndodh përherë me ligjet morale, ekzekutimi është kanunor. Përndjekja shumëvjeçare e bronxit të monumenteve është vetëm pjesa e dukshme. Listës i shtohet gjuha letrare e nxjerrë në gjyq të përditshëm politik dhe e braktisur qëllimisht nën vrullin shkatërrimtar të injorancës. Pason demonizimi absurd dhe mendjelehtë i vlerave civile nën perceptimin idiotik se ishte komunizmi (???) ai që i prezantoi për herë të parë këto vlera në Shqipëri. Solidariteti midis të njëjtëve, nderimi për punën dhe heroin e saj të djersitur, ndjenja e përgjegjësisë për produktin publik të krijuar nga mundimi i përbashkët I kombit, kërkesa e llogarisë ndaj kastave administruese. Sistemi ka arritur në atë pikë që jo vetëm toleron, por tashmë edhe i inkurajon dhe legalizon epshet animale për të dehumanizuar dhe de-komunizuar bashkësinë kombëtare në Shqipëri. Dëshira pasionale për të fshirë ç’do gjurmë të aktivitetit human të prodhuar në Shqipërinë e periudhës nga viti 1944 deri më 1990 ngjan me tundimin e adoleshentit për të eleminuar me dhunë puçrrat identifikuese dhe të domosdoshme të fytyrës qoftë edhe nën koston e stigmimit të përjetshëm. Ç’instalimi i Vojo Kushëve, heronjve të Vigut, e deri Skënderbenjve nga piedestalet e lavdisë, teknikisht është një listë polake e ekzekutuar sipas mënyrës origjinale shqiptare. Eshtë komanda e çmontimit të programit kompjuterik që pësoi kolaps. Dëshmorët e markës komuniste mund të kenë vdekur vërtet pa ditur ç’regjim nepotik dhe pseudo-social po sponsorizonin me “rroftë parti”-në e tyre finale dhe idealiste, por 50 vite përvetësim dhe grabitje e sakrificës së tyre për ta shndërruar në kopertinën mashtruese të një diktature absurde janë një justifikim shumë i mirë për t‘i shitur edhe ata si vegla të tepërta të një mekanizmi që dështoi. Hipermitizimi i Skënderbeut gjatë së njëjtës periudhë, vuan nga e njëjta simptomë që e bën heroin vitet e fundit kaq vulnerabël ndaj përfshirjes në “death list“-at e pogromeve morale.

(Gazeta "Shqip", 10 maj 2009)

Pse jo?

Po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Është e mrekullueshme se ç’mund të bëjë urgjenca për të gjetur justifikim për të pajustifikueshmen. Prej disa javësh, teksa opinioni publik në Shqipëri vlon nga debati i sikletshëm rreth proklamatës së kryeministrit Berisha për legalizimin e martesave gay, veprimtarë të pashërueshëm të së djathtës po mundohen ta përshtasin këtë thagmë të paparë për çdo formacion politik të pavijonit të tyre me ndonjë logjikë, boll që ajo të mos duket ashtu siç është, domethënë, pa pikë logjike.

Shtypi po njeh këto ditë përpjekje të lavdërueshme për të mbuluar diellin me shoshë dhe për të gjetur ndonjë arsye përse martesa e burrit me një burrë tjetër s’bie ndesh me vlerat e familjes, traditën, kanunin, librat e shenjtë, atdheun, folkun, tregun e egjër, ligjin e xhunglës, shtetin e dobët, individualizmin dhe secilin nga gjithë ato avantazhet që na sjell ne njerëzve të thjeshtë mendimi i djathtë. Ndërsa militantët i kanë dhënë karar si përherë duke mos i vënë asnjë pikëpyetje vendimit të prijësit, një gjetje gjeniale që mund të haset sot rëndom në tryezat ku kritikë të djathtë e të majtë nuk shmangen dot pa ndeshur brirët, është edhe përgjigja: pse jo? Pse jo nëse tregu e kërkon këtë? Pse jo nëse këtë e kërkon shoqëria e cila në axhendën e vet tërësisht të pavarur nga mefshtësia e shtetit të hyrë në ujë, e ka legalizuar me kohë e vakt dukurinë në fjalë? A nuk ka në Shqipëri tashmë me shumicë homoseksualë të deklaruar? A nuk bashkëjetojnë ata në shumë raste në formë çiftesh të cilat s’hasin më madje as çudinë e dikurshme ndër fqinjët e tyre? Pse të mos pranohet fakti i kryer dhe të legalizohen pra edhe ata, ashtu siç u bë edhe me ndërtimet pa leje në Bathore të cilat e sfiduan aq kokëfortësisht shtetin sa që në një moment u shndërruan në një realitet të paneglizhueshëm me të cilin shteti deshi s’deshi e më në fund “u martua”? Madje, pse jo, shtyhen më tej më të pashërueshmit e sindromës së neoliberalizmit, pse të mos legalizohet edhe hashashi sipas po këtij principi?

Dhe është ky tamam momenti kur duhet përsëritur edhe një herë pyetja me të cilën zë fill ky shkrim: po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Pse jo? Imagjinoni pak tani këtë skenar që është vënë në lëvizje me t’u kurdisur mekanizmi i logjikës së mësipërme. A nuk është edhe prostitucioni një realitet i paneglizhueshëm në Shqipëri? Pse të mos legalizohet edhe ai, në qoftë se hashashi, kultivimi dhe tregtimi i tij mund të luftohen duke u formalizuar brenda tregut? Pse të mos i hiqet policisë barra e rëndë e gjurmimit të kodoshëve dhe shtëpive publike ilegale në mënyrë që oficerët të merren me gjëra më të rëndësishme? Pse të mos hapen fronte pune për vashat me cilësi të posaçme, nga të cilat shteti do të mblidhte taksa dhe nga të cilat Shqipëria do të fitonte brenda vitit famën e parajsës së seksit duke u shndërruar në ndonjë lloj “tigri turistik të Adriatikut”? Po armët, pse jo? A nuk janë ato të përhapura mjaftueshëm në duart e kriminelëve për t’u quajtur të paneglizhueshme? Pse të mos ligjërohen tërësisht, në mënyrë që ato të kenë të drejtë t’i vringëlljnë pa problem edhe qytetarët e ndershëm të cilët hë për hë konsiderojnë si armë Policinë (e cila – duhet pranuar – jo përherë “shkrep” në shenjë)? Kur të gjithë supozohohet se kanë armë, a nuk e ruan frika e përgjithshme vreshtin e rendit publik? Pse të mos jetë një vend çapajevësh si Shqipëria, Miçigani i Europës? Ç’është ky dënimi absurd për armëmbajtje pa leje? Pse të merret policia me këtë stres të përditshëm dhe të mos fokusohet aty ku vërtet duhej ta shkrinte tërë talentin e vet: domethënë në menaxhimin e trafikut rrugor dhe në parandalimin e zjarreve? Po për torturën? A nuk të rreh policia sa i dhemb dora nëse i bie në dorë? Pse të mos e formalizojmë me një ligj tërë këtë mishmashin: jo ushtrim dhune- jopo shkelje të drejtash? Po aborti pastaj? Kur dihet se të gjithë e bëjnë, pse të mos njihet dhe financohet nga shteti? Pse çiftet e varfra t’i flakin fshehurazi foshnjet e padëshiruara në kazanë plehërash? Po eutanazia apo vrasja klinike? Pse të mos u jepet dorë e lirë doktorëve dhe farmacistëve të të ujdisin ndonjë hape lehtësuese për t’i dhënë lamtumirën jetës e për të ngritur patkonjtë pa pengesa në momentin më të parë që do kesh ndonjë dilemë a përshtypjen se kjo botë s’është për ty, se lekët për kredinë s’mjaftojnë, se punë s’ka, se gruaja s’të do, se fëmijët s’të njohin dhe se vizë për jashtë shtetit s’merr dot? A nuk shitet lirshëm këtu fostoksina për po të njëjtat arsye? A nuk i japin fund halleve shqiptarët pa shumë formalitete nëpër plevica në cep të litarëve apo nëpër skuta duke shkumëzuar nga efekti i barit të miut?

Ky skenar anarkie të përgjithshme që sigurisht nuk ekziston as në imagjinatën më të çartur të çdo të djathti me taban është arsyeja pse janë kaq të dëshpëruara dhe pa sens përpjekjet për të marrë në mbrojtje vrullin revolucionar të një kryeministri të djathtë që zë e legalizon martesa gay dhe që kërcënon “borgjezinë” me fushata ndëshkimore. Kjo orvatje për justifikim është devijanca nga ideologjia për llogari të militantizmit, për të pranuar qorrazi çdo direktivë partiake a më keq akoma çdo vullnet të supozuar të udhëheqësit që në dalldinë e vet gjatë kalërimit të lirë majë pushtetit s’e vret shumë mendjen për liberalizmin, Keynes-in, laissez fair-in e limitime të tjera teorike.

Kjo është gjithashtu përpjekja për t’i hedhur velin e një mendjelehtësie argëtuese, një të vërtete trishtuese. Martesat gay nuk janë gjë tjetër veçse një faturë. Ato nuk kanë lidhje me ndonjë krizë të papritur emancipimi të Shqipërisë a kryeministrit të saj. Ato nuk janë gjithashtu as ndonjë krismë në drejtim të kundërt për të larguar vëmendjen e opinionit prej andej nga me të vërtetë po ndodh diçka që meriton vigjilencë.

Paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe për ta merituar integrimin në NATO a BE, e bën pushtetin në këtë vend të jetë i gatshëm për çdo koncension sado turpërues qoftë ai. Kjo është arsyeja pse me këtë rast Greqia s’e ka të vështirë ta shtyjë kufirin e saj detar deri në brigjet shqiptare dhe të instalojë kryqe varresh në territore betejash inekzistente në zemër të vendit. Kjo është arsyeja pse kompani të lidhura me zona gri të pushtetit në SHBA, Turqi, Francë a Hollandë fitojnë si me magji tenderat kryesorë ku shpenzohen shumica e milionave të buxhetit të shqiptarëve. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria jo vetëm i thotë “po” pa mëdyshje marrëveshjeve të ripaketimit të emigrantëve klandestinë, por teksa mijëra shqiptarë në Britani, Belgjikë e gjetkë në Europë autodeklarohen nga halli si gay për të fituar strehim, gjejeni se çfarë bën qeveria shqiptare? Legalizon martesat gay. Por fundja, pse jo? A nuk e kërkon këtë tregu europian i punës? Sikur Shqipëria tok me andrallat e saj befas të mos ekzistonte, atëherë Europa brenda natës do ta shpikte atë nga e para.

(Gazeta "Shqip", 20 Gusht 2009)

Mbi partitë menaxheriale dhe socializmin fast-food

Në vitin 2009, po rastise në edicione lajmesh plot fatkeqësi natyrore, aksidente, gjak, atentate, skandalistikë, vetëvrasje, pushtime, luftëra dhe diskordancë, mos bëj gabimin të mendosh se ky akumulim negativiteti është sinjali se fundi i botës është në prag. Gjithçka po shkon normalisht dhe alarmuese mund të ishin edicionet me lajme ekskluzivisht të mira plot paqe, begati e bilbila. “Kohët s’janë bërë aspak më të dhunshme”, thotë Merilyn Manson, “ato thjesht sa janë bërë më televizive”.

Në një spektakël prej të cilit mbërriti në publik vetëm një murmurimë nga matanë mureve, Partia Socialiste, ajo që sot do të duhej të ishte investimi më i madh i popullit të të pakënaqurve të këtij vendi, vendosi ta kthejë kohën mbrapsht drejt epokave të pa-televizuara, atyre të krimeve pa dëshmitarë dhe që pikërisht prej këtij keqkuptimi, gabimisht perceptohen si më paqësore. Por duke ua fshehur retinave të kamerave çrregullimin e vet, Asambleja socialiste krijoi me sukses pikërisht të kundërtën e përshtypjes që do të donte të linte.

Diçka nuk shkon mirë brenda këtij organizimi njerëzish që sikur edhe vetëm për arsye definicioni supozohej të ishte përfaqësues i atyre qindramijërave që sot qëndrojnë në disidencën vetëpërjashtuese të anës tjetër të gardhit militant; dorëzan teorik i atyre që shohin kah progresi përkundër konservimit, që përqafojnë kriticizmin dhe përbuzin rreshtimin; njerëzve që me idealizëm rreken të bëjnë realitet ëndërrat për një jetë më të mirë përkundër atyre që jetojnë me iluzionin e një realiteti më të mirë pas vdekjes, i atyre që nuk dorëzohen dhe që sërish duke perifrazuar dikë të famshëm: “preferojnë më mirë një rol këmbësori në luftë sesa një funksion drejtuesi në kafaz”.

Papajtueshmëria karakteristike e së majtës e cila qëndron në thelb të ekzistencës së saj, u mohua, u injorua dhe u konsiderua një stigmë turpi. Akti i fundit i amputacionit të së majtës si njëra nga dy gjymtyrët e nevojshme për një trup të shëndoshë shoqëror u krye nga vetë partia që do të duhej të ishte denoncuesja e kësaj anomalie që po vazhdon ta mbajë Shqipërinë të gozhduar në shtratin e invaliditetit politik dhe ekonomik. Por mjerisht, në një histori të gjatë e intensive po aq sa edhe të re, gjesti më i fundit i tradhtisë ndaj së majtës, nuk ishte as i pari.

Si një fenomen i bekuar në heshtje nga kujtimi i hidhur i diktaturës së deri ’90-ës partitë kryesore në Shqipëri po vazhdojnë shndërrimin e pandalshëm nga parti ideologjike, në disa agjenci menaxhimi. Nga furnizuese idesh të mëdha, në subjekte punëdhënëse. Nga mbrujtëse projektesh vizionare për përparimin e kombit, në zbatuese yçklash minore dhe pjesëmarrëse në tenderin më të madh publik që zhvillohet çdo katër vjet dhe për të cilin shpesh shkohet deri në kacafytje. Dëgjoni deri edhe Blushin, lexoni analizat e të indinjuarve nga disfata socialiste: kritika më e ashpër që këto lloj partish marrin nëse humbin zgjedhjet, është se lanë pa punë militantët e vet, që në një rast më fatlum do të duhej të mbushnin zyrat e boshatisura nga homologët e tyre opozitarë në një cikël të pambarim që po ia merr frymën lirisë dhe zhvillimit të këtij vendi.

Nëse për Partinë Demokratike si një përfaqësuese e së djathtës, ky transformim nga ideologjikja drejt menaxheriales mund të quhet një evolucion logjik nga parardhësja e frymëzimeve populiste të viteve ’90, në rastin e socialistëve nonsensi sa vjen e bëhet më absurd. Peshorja e ka humbur kuptimin e vet dhe tashmë në garat elektorale kjo po reflektohet edhe përmes votës. Në kandar po vihen përherë e më shpesh dy të djathta identike që duke qenë dy “të njëjta”, është normale që do të peshojnë po njëlloj. Ngërçi në të cilin është futur lidershipi socialist është kurthi ku ata kanë kallur vetveten që nga epoka kur heshtnin teksa Fatos Nano shpërndante tesera duke e mbushur partinë me drejtorët dhe menaxherët e suksesshëm të sh.p.k-ve të kohës, miqtë e batutës dhe të alkoolit dhe financuesit e luksit dehës të pushtetit.

Kjo ishte koha kur PS rreshti së qeni një parti dhe nisi të funksionojë si një ndërmarrje dhe kjo sëmundje që duhej kuruar nga pasardhësi i tij Rama, u shty më tej teksa ky e zëvendësoi, tjetërsoi ose e margjinalizoi këtë shtresë artizanale teknikësh që ai gjeti në parti, duke i mbivendosur asaj versionin e tij të menaxherëve me cv, zotërim anglishteje dhe mastera perëndimorë. Ky bord i ri administratorësh për një luftë të re territoresh e tregjesh me ndërmarrjen konkurrente, hyri me vrull në zyrat rozë me premtimin – e njëkohësisht edhe me paftësinë – për të zëvendësuar të vjetrën. Në thelb ai që duhej të ishte një ndryshim kursi me një ofertë më të mirë ideore, u bë thjesht një riciklim militantësh të brendshëm si ai që ndodhte me militantët në një plan më të gjerë kur pushteti ekzekutiv në shkallë vendi ndërronte duart. Ishte më se e pritshme që kjo skuadër menaxherësh të ishte e paaftë të ngjizte një program idesh, pasi menaxherët si rregull nuk krijojnë por thjesht menaxhojnë situata.

Ndërsa Shqipëria kishte nevojë për një ide të re, për një shpresë të re që do t’i tregonte rrugë alternative për të shëruar sëmundjen e saj të zgjatur të varfërisë, prapambetjes dhe papunësisë, asaj iu ofrua vetëm inflacionimi deri në velje i fjalës “ndryshim”. Një ambalazh të cilin “menaxherët” e tij e dinin që në zanafillë që ishte bosh përbrenda por që u rrekën me kokëfortësi ta shisnin si gjenuin deri në fund, me shpresën se shqiptari i 2009-ës do ta blinte si të ishte ai i 1989-ës. Një ambalazh të cilin duke qenë një skotë pa fantazi e pa pikë kreativiteti, menaxherët në fjalë e kishin edhe atë të huazuar siç bëjnë menaxherët e ndërmarrjeve të vogla tek aplikojnë modelet e suksesshme të menaxherëve të mëdhenj pasi janë impresionuar më parë për vdekje nga leximi i ndonjë libri komercial nga ata me tituj tejet amerikanë: “Si të bëhesh lider i suksesshëm brenda 12 ditëve”.

Gjithë ky sharlatanizëm i cili, për hir të së vëretës, ishte verifikuar si model humbës qysh më 2005, u vesh me një parafernali termash ku ai “politikë e re” tingëllonte më magjepsësi. Tok me matrapazët e rastit, rrotull këtij projekti që ishte i vetmi në ofertën socialiste u grumbulluan si naivët, ashtu edhe ata që s’ishin të verbër por që luteshin që problemi me këtë idenë moderne të de-ideologjizimit të partisë të kishte qenë vetëm tek paaftësia e ekipit të dikurshëm të Nanos.

Fjalët mënjanë, socializmi kapitalist tip fast-food nuk ekziston. Shqipëria nuk është Britania e Madhe eksperimentale apo shteti i Lousianës pas uraganit Katrina, Edi Rama nuk është Barak Obama dhe G99 s’mund të jetë dot NDI. Trazimet, krizat dhe dilemat e asaj bote nga vijnë këto modele janë shumë të largëta dhe të paadoptueshme me realitetin shqiptar që ka trazime, kriza dhe dilema të vetat që kërkojnë zgjidhjen e vet të përputhshme me karakterin e vet. Shmangia nga identiteti dhe huazimi i recetave nuk është rruga e duhur.

Kjo është arsyeja pse pavarësisht heshtjes së mëparshme, shënjestrës së tij nganjëherë të gabueshme dhe tundimit të vëzhguesve për ta parë kryqëzatën e tij postelektorale si një schadenfreude (perversiteti i gëzimit nga humbja e tjetrit), Ben Blushi i cili thotë se është Ben Blushi dhe se Partia Socialiste humbi ngaqë deshi të mos ishte socialiste, tingëllon sot si diagnoza më e saktë prej së cilës mund të dalë kura që mund të shërojë të majtën shqiptare.

(Gazeta "Shqip", 30 shtator 2009)

Hajde bacë

Teksa ora përparon drejt mesnatës, vezullimi i Aeroportit nga distanca nis e bëhet verbues. Zonat përreth nisin të kridhen në errësirë duke e theksuar edhe më tepër kontrastin mes asaj copëze tokësore të veshur me asfalt, mermer, alumin dhe qelq ku ulen avionë dhe flitet kryesisht në gjuhë të huaj dhe gjithçkaje tjetër përreth ku dominon balta, blegërijnë bagëti dhe ku ndërsa tashmë ka ngjarë gjithçka që kishte për të ngjarë brenda një dite, nuk flitet, por gërhitet shqip.

Shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se pikëtakimi kryesor ku përballemi “ne” dhe “Europa” janë kangjellat e ambasadës italiane, gjermane ose britanike. Duke qenë një derë që funksionon kryesisht vetëm në konceptin hyrës (shqiptarët që hyjnë atje për të kërkuar një vulë të vogël që do t’u mundësojë atyre të udhëtojnë për në perëndim), paradigma e ambasadës mbetet e cungët, ndaj unë vajta të shoh se çfarë ndodh tek një portë e afërt ku edhe merret edhe jepet, nje portë hyrëse dhe njëkohësisht dalëse, pritëse e njiherit përcjellëse. Në aeroport.

“Hajde bacë”, mërmërit nëpër dhëmbë me vete shoferi i paligjshëm i taksisë teksa shikon pasagjerin e hutuar që del nga salla e mbërritjeve në hollin gumëzhitës të aeroportit. Por “baca” kalon afër shoferit pa ia hedhur sytë. Pak çaste më pas, shoferi që pret “gjahun” sajon aty për aty një tjetër nofkë për pasagjerin e radhës që shfaqet në hyrje të sallës. “Hajde komandant” portretizon plot fantazi teksa flet me vete taksisti ilegal ndërsa vëren me kujdes lëvizjet e “komandantit”. “Bacët” dhe “komandantët” në fjalë janë kryesisht austriakë, gjermanë apo europianoqëndrorë të tjerë të skuqur të linjës Vienë-Tiranë, turistë, zyrtarë, biznesmenë, profesorë, tifozë të Rapid-it të Vienës. Shoferi u shkel syrin policëve apo punonjësve të aeroportit që vërdallosen përtueshëm në hapësirën midis shiritave që ndajnë mbërritësit nga pritësit. Ata nuk e shqetësojnë. Nëse “baca” apo “komandanti” i pikasur në fillim afrohet, ai stampon një buzëqeshje kinse babaxhane të stërvitur mirë dhe pyet me një ton krejt tjetër kësaj radhe plot familjaritet: “Taksi mister?”. Kjo e folur dyfytyrëshe, me ironi dhe tallje për përdorim vetjak apo brendashqiptar dhe gjithë përulje e servilizëm në sytë e perëndimit është një refren i gjatë. Teksa oferta refuzohet ose thjesht injorohet, kjo skenë përsëritet në dhjetëra e dhjetëra raste, e shumëfishuar në një mizëri shoferësh, lypësish apo spekullantësh të llojeve të ndryshme që bubrrojnë në sallën e madhe të aeroportit të Rinasit. Brenda shkëlqimit të pastër të mermerit dhe ftohtësisë moderne të këtij impianti ata, tok me fytyra të tjera të nxira nga dielli dhe takimet e rralla me sapunin, flokët e ngjitur nga djersa, dhëmbët e zverdhur, çehret e liga, veshjet e errëta e të zymta, bizhuteritë e rënda, shtatet e kërrusura dhe përherë abnormale (ose tejet obeze ose tejet thatime), si dhe mendimi trishtues për arsyen pse të gjitha këto detaje të vogla janë kaq të kudondodhura, të kujtojnë ty shqiptarit që mendon se je aq i civilizuar sa të mund të bësh vëzhgime të tilla, se sa artificiale dhe e papërshtatshme është kjo martesë midis “shqiptares” dhe “europianes”. Se sa të huaja dhe të largëta janë këto dy botë. Se çfarë ishulli i paadoptueshëm, i padëshirueshëm, i refuzueshëm dhe i injorueshëm është “shqiptarja” brenda kësaj miniature ku Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë shkrirë tashmë së bashku në një territor eksperimental-aeroportual që ngjan si një parathënie e sikletshme e asaj sesi do të dukej në realitet një shkrirje e tillë në përmasa më të gjera.

Të tillë shembuj të mospërshtatshmërisë sonë me mjedisin ku haset “Europa” janë të shumtë dhe i sheh ngado në jetën e përditshme. Nuk është thjesht fizionomia jonë tipari më i dukshëm dhe elementi më i dallueshëm në çdo kontakt fare rastësor midis “nesh” dhe “atyre” pasi ajo është thjesht produkt. Është një filozofi e tërë jetese të cilën krejt pa pasur as vullnetin më të vogël për ta ndryshuar ne synojmë ta legalizojmë si ndërtimet pa leje në Bathore të Tiranës. Është këmbëngulja psikopatike dhe e rrënjosur në mënyrë sugjestive në popull tek sistemi ekonomik që kemi adoptuar tok me varfërinë dhe injorancën që pjell ai, të cilin ne synojmë ta mbartim me vete brenda Europës me shpresën se me të hyrë atje “ata” do ta shërojnë. Është varianti shqiptar i tregut të lirë deri në çakërdisje përballë traditës së konsoliduar europiane të tregut të drejtë. Është mjerimi ynë i vrazhdë i “kompeticionit social” përballë historisë së gjatë europiane të “drejtësisë sociale”. Është korrupsioni dhe të menduarit korruptiv të shndërruar në mënyrë jetese sot ndër shumë shqiptarë ai që vetvetiu ushqen përmes rryshfetit dhe anashkalimit të devocionit dhe obligimit ndaj detyrës një ambient të infektuar dhe që ne synojmë ta transportojmë me vete në Europë pasi edhe këtë do ta kurojnë “ata”. Është vetë struktura dhe organizimi ynë shtetëror, institucionet jo-funksionale, rezultatet e zgjedhjeve që kurrë nuk pranohen nga humbësit, kultivimi i militantizmit si meritokracia e vetme, klientelizmi i imponuar politik i medias, kastrimi i artit dhe frymës kritike (përfshi këtu shoqërinë civile). Është mbjellja dhe ujitja e përditshme e një ndjenje pafuqie dhe dorëzimi përballë këtij realiteti. Është psikoza se ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjendje dhe shpresa e vetme mbeten të huajt të cilëve ndaj edhe u varemi, u servilosemi dhe u nënshtrohemi me shpresën se do binden një ditë se jemi të devotshëm aq sa duhet dhe do na lejojnë edhe ne një copëz vend në sofrën e tyre të begatë. Është ideja se “ata” japin detyra të cilat ne i plotësojmë dhe lutemi pastaj me ankth, shpresë e besim se do të shpërblehemi për këtë përkushtim. Askush nga lidershipi shqiptar nuk ka marrë ende guximin të thotë se inferioriteti është dera e gabuar nga mund të hyhet në Europë. Se fundja “Europa” është një koncept gjeografik ku shqiptarët bëjnë pjesë do apo s’do komisioneri i zgjerimit të BE-së. Se nëse ka disa standarde të organizimit shtetëror, ekonomik apo social që duhen përmbushur, këto duhen bërë për t’u përmirësuar jetën qytetarëve të këtij vendi dhe jo për të plotësuar progres-raportet e disa burokratëve nga Brukseli.

Shqipëria ka sot një nevojë urgjente që t’i rikthehet autoriteti dhe krenaria. Kjo është një nevojë e pavarur nga proceset integruese. Në momente të tilla dekadence të plotë kombëtare, më shumë se për qaravitje dhe ankesa është nevoja për një projekt kombëtar që duhet të çrrënjosë me themel këtë kompleks inferioriteti ndaj perëndimit dhe burimet nga ushqehet ky kompleks: varfërinë, injorancën, prapambetjen. Një projekt që mund të përfshijë deri një moratorium apo ngrirje të të gjithë procesit të integrimit në BE derisa ne të jemi gati. Një projekt kurajoje që do të kushtojë vërtet disa vite por që do t’i kthejë shqiptarët kësaj radhe seriozisht drejt punës, progresit dhe drejtësisë. Drejt dijes, kulturës dhe zhvillimit. Dhe që më në fund do ta kthejë integrimin tonë në familjen ku përkasim, nga një kërkesë mëshire në një të drejtë të pamohueshme.

(Gazeta "Shqip", 26 shtator 2009)