Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Thursday, April 28, 2011

Zdu!

Pse s’shkruan ndonjë gjë – thotë një mik, punëtor shtypi në një gazetë si shumë të tjera sot në Shqipëri – ku s’ka rëndësi a je një naim i vonë i Rilindjes, a veteran i Konferencës së Labinotit, a fare somelier birre të zezë - se njëlloj ta lënë në dorë faqen e parë, pa shumë llafe, si me qenë jo faqe e parë gazete po ndonjë nga ato gocat tmerrësisht mirëkuptuese të banhofit të Frankfurtit. Në shumicën e rasteve, kjo situatë pakashumë e sikletshme anashkalohet me një buzëqeshje pakashumë neutrale. Vërtet, s’është mirë të shkruash e botosh – zaten ç’t’i biesh daulles “ja ku jam” - në kohë si këto kur ka plot nga dynjaja që lektisjen e zakonshme pranverore e përjetojnë si kapje nga një dhunti e befasishme gjenialiteti. Përgjithësisht s’është mirë të shkruash e botosh kurdoherë, në mos paç diç të vlershme për të ndarë me atë që njëmend e çmon, sado specie e rrallë qoftë ai, e që mund të fshihet diku mes lexuesit aksidental të ca radhëve si puna e këtyre.
Situata kalohet me një buzëqeshje, por pastaj, të nesërmen, duke kryer prapë veprimtarinë aspak rekreative të punës së përditshme, takohesh sërish me mikun tënd punëtor shtypi në një gazetë si shumë të tjera e pyetja “pse s’shkruan ndonjë gjë” është dhe një herë aty, tek dilema: ka a s’ka vërtet diçka të vlershme për të thënë në këto kohë të zymta? Ç’të shkruash? – ngre supet ti dhe miku, punëtor shtypi, aq do: S’jeton këtu? Boll të hedhësh sytë vërdallë e të shohësh si po rrihen e po shuhen për fushatë. Ja ç’të shkruash. A s’e sheh sa seriozisht e kanë?
Por në fakt, të shohësh vërdallë, a ka vërtet diçka që mund ta bëjë gazetarin e opinionit ta ngjyejë pendën me vrull në bojë e të nxijë faqe të tëra për të shpjeguar atë diçkanë që s’ka ndodhur më parë a që s’pritej të ndodhte e që mund ta ndryshojë jetën tonë në atë farë feje që mos ta njohim më më vonë?
Ç’po ndodh? A nuk jemi në mes të një fushate kokë e këmbë të zakonshme si dhjetëra të tjerat në të kaluarën? Do të kishte diçka për të shkruar me indinjatë a emocion nëse s’do të kishte fushatë fare. Logjikisht, s’do të duhej të kishte. Por fushatë po ka që ç’ke me të. Dhe situata duket tërësisht zhgënjyese dhe dekurajuese, aq sa të mos e marrësh fare mundimin për të humbur kohë me të. Kush po shkon në zgjedhje? Një parti që ka mbi një vit që i bërtet botës me zhurmë, qaravitje, greva serumesh dhe deri ofensiva mbi bulevard, se sa herë shkon në zgjedhje ia vjedhin votën. Në këtë mes ka vetëm dy mundësi - të dyja të denja për t’u dënuar me injorim të plotë: ose një delir i shfrenuar madhështie, ose një gënjeshtër e ulët, e vockël dhe banale. Zgjidh e merr. Ose votat vidhen por s’ka problem se Partia e çunave modernë ka bërë palestër dhe kjo mjafton për të vënë nderin e demokracisë në vend. Ose votat s’vidhen por Partia e çunave modernë thjesht ka gënjyer për të justifikuar dështimin e shkuar.
T’i kthehemi edhe një herë pyetjes së mëparshme, ç’po ngjet? Asgjë që të ketë ndonjë lidhje logjike me ç’ka ndodhur përgjatë një viti. Dhe – të jemi të qartë - ky ka qenë një vit anormal. Një vit agonie. Krize. E përsëritën aq shumë fjalinë “krizë politike” saqë nisën ta besojnë edhe vetë. Por vërtet, ç’u bë kriza? Pse s’dëgjojmë më ta përmendin në mitingje, debate e intervista? Të na kenë gënjyer vallë se ishim mu në mes të krizës, sa për të na bindur të merrnim molotovët për 21 janar? Në qoftë kështu, një parti e cila e trajton opinionin publik si të ishte lepur eksperimentesh të cilit herë ia japin dietën me bazë karrotash e herë ia këmbejnë në speca djegës, vërtet s’meriton të merret seriozisht nga opinioni publik.
E gjithë anomalia e paneglizhueshme e këtyre zgjedhjeve, si dhe garancia qetësuese se në Partinë Socialiste e kuptojnë se këto janë zgjedhje në kushte të jashtëzakonshme, u përmblodh në një fjalë: do të bëjmë fushatë “politike”. Shkurt, pas gjithë atij lëmshi njëvjeçar u mbars mali e polli një mi. Por gjithsesi nga hiçi, është prapë diçka. Shumë njerëz shpresa s’i ka braktisur ende ndaj janë gati ta pranojnë “rezistencën” qoftë ajo edhe në formë fushate politike. Ç’të jetë, boll të jetë diçka e ndryshme. Ka nga ata që vërtet e ndjejnë sugjestionin e krizës sikur të jetë reale e jo krijesë e një zyre mediokre shtypi si ajo e Alastair Campbellit – më falni, e “strategjistëve” të PS-së - që ende ka probleme deri me ortografinë shqipe.
Fushatë politike? Një llaf goje. Kjo është në të vërtetë fushata e tramvajit. Ndër kryqëzime e vende të dukshme të Tiranës qysh tani kanë nisur të mbillen natën kunjat e shtyllave nga do kalojë treni me korrent që do na bredhë varavingo nga Qendra në Sauk e nga aty kushediseku. Njerëzit qesëndisin: kur paska qenë e mundur, pse s’u kujtuan nja katër vjet më parë? Fushatë politike kjo? Të jetë vërtet politik argumenti tram-Tirana që është kthyer në refrenin e kësaj fushate? Po xhirot me biçikleta në garën kush të duket më sporty, më sexy, më trendy dhe më chilly? Po një dorë basketboll me çunat? Po ndeshjet e Barcelonës, birra me klering e këngët e Vedatit “ke çadra” me drita? Po muhabetet vendshe nëpër lagje ku vihet këmbë vetëm një herë në katër vjet me një fytyrë aq të preokupuar e me barceleta në majë të gjuhës sa të të duket vetja ty - që banon atje po s’ke pasur kohë të engledisesh me komshinjtë – se je një turist i llastuar?
Me një fjalë, as nam e as nishan s’mbeti nga fushata “politike” e cila u tha vetëm sa për të larë gojën. S’do mend që Partia Socialiste po i rikthehet metodës së saj të të bërit fushatë dhe “politikë”, me denoncime të zgarës model emisioni investigativ dhe me makijazh modernist model emisioni fashion TV. Pavarësisht përbetimeve, kurrfarë fushate e argumentesh me tërë mend politike s’do të dëgjojmë realisht, pasi që ta mbash gjallë një debat politik është e nevojshme të kesh substratin politik të atyre bindjeve që socialistët e rinj s’i kanë dot.
Që të kryesh sot një debat politik në Tiranën e mërzitur dhe depresionuar nga kaosi urban, nga trafiku asfiksues, nga misioni i pamundur i të parkuarit apo i të lëvizurit me transport publik, nga mungesa e strehimit të bollshëm, të leverdisshëm e të mjaftueshëm për të gjithë, e nga mungesa e punës dinjitoze e të depolitizuar, është e nevojshme një përqasje ideologjike ndaj problemeve. Është e nevojshme të kuptosh se qyteti ku jetojmë është i pajetueshëm jo sepse prej tre vjetësh është bllokuar këshilli bashkiak, por sepse trupat tona të qeverisjes vendore prej të paktën dhjetë vjetësh e kanë lënë zgjidhjen e çdo problemi në dorë të “individit” të “tregut” dhe të “rastësisë”.
Si t’ia kthejmë publikut publiken e grabitur? Kjo duhej të ishte arena e betejës politike të këtyre zgjedhjeve – që fundja as që duhej të ishin bërë fare nëse divergjencat mes partive do të ishin aq të thella sa që përpak të na dërgonin drejt luftës civile. Por jo. Debati i tyre është: kush nga ne do të mbretërojë mbi këtë anarki gladiatorësh.
Siç trafiku bllokohet në një kryqëzim e janë vetë shoferët që ia gjejnë dermanin mishmashit, kështu edhe gjithçka tjetër në këtë qytet të rrëmujshëm. Koinçidencë, ligj xhungle e psikologji të forti. Për vite me radhë copat e qytetit janë hedhur për t’u shqyer mes tufave të uritura të ndërtuesve që s’kanë lënë centimetër katror pa i vënë një çmim. Rrugët u janë lënë sërish në dorë privatëve që zhvatin fondet publike e inaugurojnë ato rrypat e ngushtë ku është kursyer e vjedhur asfalti, forca punëtore, hapësira e parkimit, e si rezultat ne, të njëmiliontët e këtij qyteti shkumëzojmë përditë e gati vritemi me njëri tjetrin të rrasur brenda një ngushtice ku s’ka zot të të nxjerrë pa humbur tri kilogramë për rrotullim unaze. Parkingjet publike janë një pikë uji në një shkretëtirë sepse siç thamë, paratë që mund të shkonin për të krijuar këtë lehtësi për të gjithë, janë monedhat e çmueshme në xhepin e parkingjeve private që zënë çdo hapësirë mes pallateve e deri në mes të rrugës a trotuarit. Kështu edhe parqet për të moshuarit e lodrat për fëmijët. Kështu edhe fushat për të luajtur rinia basketboll a calcetto. Kështu edhe shkollat e kopështet e pakta, të pamjaftueshme e të degjeneruara publike. Kështu edhe gjithçka tjetër. Asgjë në favor e ndihmë të publikes. Çdo qindarkë, me marifet drejt biznesmenëve privatë.
Ky është qyteti i privatëve dhe jo i komunitetit dhe nëse dikur të zbarkuar nga totaliteti i “pronës socialiste” kjo punë sikur na vinte ëmbël, tani që po shqyejmë njëri tjetrin për pak hapësirë, për pak oksigjen e për pak dinjitet, prapë s’marrim kurajon t’i kapim për xhakete ata që na menaxhojnë paratë e t’i bëjmë t’i thërrasin mendjes.
E derisa të vazhdojë kështu prej nesh, kështu do të vazhdojnë edhe ata të luajnë teatër. Duke krijuar në laboratorë kriza false e duke na i shitur ato pastaj përmes televizorit, përmes analistëve të paguar e të lidhur me një mijë fije me interesa private, si të ishin drama të thella, të rënda e serioze që edhe ne duhet t’i marrim seriozisht. Teatër, film televiziv, show, kjo do të jetë edhe sjellja e tyre elektorale, tok me rrahjet e gjoksit dhe telendisjet e njëri tjetrit, tok me tritolin, grushtat, shpimet guerrilase të gomave e luftën “kush e ka më të madh” billboard-in dhe kush më të bardhë peroksidin e dhëmbëve. Ekzibicion do të jetë edhe gara e premtimeve futuriste dhe shpërndarja e valëve të panikut sikur humbja e secilës prej palëve do të sillte fashizmin, terrorin, luftën e tretë botërore si dhe fundin e civilizimit njerëzor në formën që ne njohim.
Ndaj, veç injorimit dhe indiferencës, s’mbetet shumë për të ofruar në këtë panoramë trishtuese ku nëse kontribuon qoftë edhe me një rresht, thjesht i jep një dorë blindimit të idesë se kjo luftë gjelash është domethënëse e vendimtare për ne. Pse s’shkruan ndonjë gjë – thotë miku punëtor shtypi, njëherazi viktimë dhe vajisës i sistemit që na ka zënë të gjithëve për fyti? Përgjigjja është e thatë, lakonike, deri diku edhe dembele për ta shkruar siç duhet: zdu!

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 28 Prill 2011