Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Thursday, June 23, 2011

FORUM (Dy pyetje nga Gazeta “Shqip”)

Si e shikoni situatën aktuale në KQZ, nisur nga hapja e një tjetër procesi rinumërimi?

Ajo që po ndodh në KQZ është një spektakël i sforcuar televiziv që fsheh një prapaskenë perverse. Pavarësisht dramacitetit me të cilin forcat politike dhe shërbëtorët e vet të kamufluar si opinionbërës po mundohen ta mveshin, kjo shfaqje meriton të shihet vetëm si një proces teknik nën interesin strikt të vetë organizatave politike. Shkurt: në KQZ të emëruarit e dy forcave politike po zbatojnë detyrat e tyre politike brenda një institucioni-instrument të vetë forcave politike. Nuk ka asnjë surprizë për këtë sjellje të KQZ-së. Atje, vendimmarrësit janë disa të punësuar të partive politike dhe jo profesionistë të pavarur në shërbim të interesit publik. Zanafilla e kësaj që po ndodh nuk është 8 maji. 8 maji dhe KQZ-ja politike në veprim, janë vetëm verifikimi i një krimi të vjetër. Ky krim ndaj interesit publik, kjo pengmarrje e një institucioni që normalisht duhej të ishte i pavarur, ka ndodhur me bekimin, bashkëpunimin dhe bashkëfajësinë e vetë PD dhe PS shumë kohë më parë. Për këtë arsye, sot, kur këto dy palë bashkëfajtore janë viktima të kurthit që vetë kanë ngritur kundër njëra-tjetrës, do të ishte ironike dhe intelektualisht jo-serioze të shfaqje interes ndaj mosmarrëveshjes mes tyre. Do të ishte njëlloj sikur një qytetar i ndershëm të ftohet të pranojë si të paanshëm një person me precedentë penalë që e kanë ngarkuar si gjykatës të vetin dy keqbërës që po zihen për plaçkë. KQZ e ka djegur karburantin e vet të besueshmërisë jo në momentin kur siç pritej nisi të anonte në favor të njërës palë. Diesel-i moral i KQZ-së ka marrë fund në ditën kur dy forcat politike e uzurpuan këtë institucion duke dëbuar prej andej nëpunësit teknikë dhe duke e populluar atë me militantët besnikë. Nuk u pyet populli për këtë vendim të marrë me arrogancë nga partitë ndaj edhe populli s’ka as edhe detyrimin më minimal për ta marrë seriozisht këtë luftë brenda llojit të së njëjtës specieje kafshësh ku bën pjesë PD, PS, LSI e gjitarë të tjerë të së njëjtës familje. Partitë politike e gatuan vetë këtë çorbë dhe sot që s’u pëlqen shija e saj, s’kanë pse presin që ndokujt që s’bën pjesë në oborrin e tyre t’i vijë keq për këtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në momente pune është sot demaskimi i plotë i skadencës së një produkti të vetë politikës në Shqipëri. Qytetarët duhet të mos bien në grackën e këtij spektakli që synon të legalizojë në mënyrë arrogante një institucion-vegël të politikës duke synuar ta shndërrojë atë në një institucion nga i cili duhet të kemi pritshmëri civile.

Si e parashikoni ecurinë e mëtejshme të çështjes së mandatit të Tiranës?

Kryetari i radhës në Bashkinë e Tiranës, kushdoqoftë ai, nuk do të jetë një individ për të cilin populli i këtij qyteti ushqen ndonjë respekt të veçantë. Zgjedhjet e 8 majit e thelluan edhe më shumë humnerën që qëndron midis interesave të qytetarëve dhe ofertave të politikës. Në një qytet me afro 1 milionë banorë, kryetari i Bashkisë do të jetë një njeri i zgjedhur me votat e vetëm 120 mijë qytetarëve. Shikoni sasitë e përbindshme të parave që harxhohen fushatë pas fushate për aspektin viziv të tyre, për të realizuar spote apo për të paguar militantë që mbushin mitingjet në mënyrë që të krijohet perceptimi fals i masivitetit përmes ekranit. Shikoni sesi ashpërsohet gjuha populiste e mbështetësve të tyre publikë dhe sesi ajo sa vjen e bëhet më ulëritëse, imponuese dhe e mbushur me terma bombastikë. Partitë politike në Shqipëri janë nën një pikiatë të vazhdueshme rënieje të besueshmërisë reale dhe kapacitetit të tyre përfaqësues. Në këtë kontekst, është për t’u dyshuar nëse vërtet ethet që shoqërojnë këto kohë në media problematikën tërësisht teknike të mandatit të Tiranës, përbëjnë vërtet një preokupim jetik për qytetarët. Fryma militariste që rrezatohet nga politika në përplasjen e saj të radhës në kërkim të pushtetit, e ka dukshëm shumë më të vështirë që të zerë ndonjë vend nderi në hitparade-n e interesave të njerëzve. Në fund, brenda katrahurës dhe mishmashit të paragrafëve, neneve e rregulloreve të zhgarravitura prej vetë organizatave politike që konkurrojnë me njëra tjetrën, njëra nga këto organizata politike do të dalë fituese. Pavarësisht psikozës apokaliptike që do të mundohet të përhapë pala humbëse, sistemi do të vazhdojë të funksionojë normalisht pasi edhe në rast të një rotacioni nominal, me këto forca politike njëlloj të babëzitura për të shkelur me këmbë principet e interesave qytetare në favor të pushtetit të tyre, nuk do të arrijmë dot të shohim në Tiranë e në Shqipëri ndonjë rotacion të vërtetë që sjell ndryshim të ndjeshëm në jetën e njerëzve.

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 23 Qershor 2011

Tuesday, June 14, 2011

Sheraton Party

Ndodhi vetëm tri ditë më parë dhe sa për t’ua hequr merakun atyre që e kishin këtë merak: po, u duk sexy në televizor. Një nga party-t më mondane të muajve të fundit, ajo e SP (që në këtë rast duhet lexuar jo si “Sheraton” por si “Socialist” Party) of Albania, u kremtua në një moment kur opozita shqiptare ndjen se ka prekur realisht fundin.
Të marrë tek e tek, shumë nga përfaqësuesit socialistë flasin këto ditë të zymta qershori për një klimë të rrënuar moralisht brenda organizatës së tyre, për diçka të thyer, për një lloj zie që mbahet për dyzetë ditë pasi vdes dikush, për helmim përfundimtar të atmosferës, për këputje të shpresave. Janë zhdukur nga ekrani propagandistët kinse të pavarur. Janë tretur trumpetat luftarake të dekorit të aleatëve. Mbeten ende teknicienët juridikë që i thërrasin në skenë vetëm në raste pazarllëqesh të pamundura apo tentativash për të interpretuar të zezën për të bardhë. Gjithsesi në Sheraton gjithçka shkëlqente para tri ditësh, fytyrat, buzëqeshjet, kostumet madje edhe orët e florinjta, duke të kujtuar ty pakashumë atë që ndodhi vitin që shkoi për Krishtlindje, kur në mes të “krizës” së hapjes së kutive, befas kupola socialiste shpalli një ndërprerje publicitare, sa për të lejuar udhëheqjen e saj të kalonte disa ditë pushime. Jashtë shtetit, sigurisht.
Të kthehemi tek party i Sheratonit: gjithçka ishte ujdisur kasten për të ofruar pak relaks në pauzën kur luanët socialistë duhej të shkonin pas pak sërish të përlesheshin në mbrojtje të votës nga sistemi i korrupsionit. Dukej se një dorë e kujdesshme dhe nikoqire kishte marrë masat me merak atje për çdo detaj. Edhe për pijet e shtrenjta, edhe për ceremonialin dhe radhën e kronometruar të lëvizjeve, edhe për këndin e kalkuluar të objektivit të kamerave e deri edhe për një fashë dritash rozë që derdhej gjithë lezet mbi sallë duke krijuar një dekor fluoreshent që ishte adapt për të bërë efekt tek teleshikuesi i lajmeve të darkës. Nën këtë kujdes prej gruaje, imperfeksionet s’binin fare në sy dhe shkëlqimi ekzaltohej në maksimum. Fjalë të mira thuheshin nga të gjithë. Në parkingun e hotelit më luksoz të Shqipërisë mund të prezantoheshe në ato momente të paharrueshme me katalogun më të fundit të automjeteve më potente, më të kushtueshme dhe më të zeza të ndoshta mbarë gadishullit ballkanik. Por, me tërë mend? A është kjo Partia Socialiste? A janë këta njerëzit që lypin solidaritet nga shtresa e të pa-privilegjuarve të këtij vendi? Një muaj pas zgjedhjeve vendore të cilat Partia Socialiste i fitoi, do të ishte i mirëkuptueshëm gjithsesi ky entuziazëm dhe ky afishim brutal arsenali pasuror si ai i tri ditëve më parë në Sheraton.
Por kujdes. Në Partinë Socialiste nuk flasin aspak për fitore. Atje këto zgjedhje konsiderohen të vjedhura e të manipuluara. Ndaj më shumë sesa një manifestim i bujshëm luksi, kremtimi në Sheraton duhet parë thjesht si një stil i rëndomtë jetese, si një ritual i zakonshëm i lidershipit rozë, që s’ka të bëjë aspak me gëzimin e fitores a hidhërimin e humbjes. Socialistët kremtojnë dolce vita-n, e kjo e Sheratonit është mënyra sesi ata e bëjnë këtë, ndonëse siç thotë një proverb skocez, një festë është vendi ku secili shfaqet si njeriu që do donte të ishte. Në këto vite të modelit socialist Rama, kjo ka qenë në të vërtetë Partia Socialiste. Një spekullim festiv me detaje të kuruara vizualisht që ngjan bukur nga jashtë, ndonëse përmban asgjënë përbrenda.
E megjithatë, pavarësisht imponimit të këtij modeli piktural, nuk mund të themi se në rastin e Partisë Socialiste kemi të bëjmë me asgjënë perfekte në ekspozim të plotë. Anëtarësisë e shumë prej militantëve të thjeshtë anekënd, sivjet u doli prapanica vendit dhe kjo u shpërblye: Partia Socialiste fitoi për herë të parë në një shkallë aq të gjerë qytetesh saqë 8 maji mund të arkivohet si një datë suksesi për ta. Kandidatë që kësaj partie që garonin për herë të tretë a të katërt korrën fitore edhe më të thella se në zgjedhjet e kaluara në bastionet e tyre tradicionale. Njerëzit tejpërtej Shqipërisë thanë se duan të qeverisen në mënyrë socialiste, se ua besojnë atyre pushtetin dhe ua delegojnë atyre administrimin e të ardhurave në nivel lokal në shumicën e qyteteve të mëdha e të vogla.
Krejt ndryshe ndodhi me njërin prej kandidatëve socialistë, që përkon edhe me kryetarin e kësaj partie. Zoti Rama pavarësisht fushatës së nderë që udhëhoqi, pavarësisht gjuhës së ashpër, pavarësisht inkuadrimit shpesh edhe haptaz të një numri tmerrësisht të madh opinionbërësish që thuajse e “bënë” vërtet opinionin sikur fitorja e tij ishte e padiskutueshme, nuk e arriti dot këtë fitore të padiskutueshme. Pas shock-ut, zjarrmisë dhe skandalizimit të ditëve të para, më në fund duket se ka ardhur bashkë me davaritjen e zhurmës, edhe konfirmimi se sa pak e besonin edhe vetë mbështetësit e Ramës legjendën e fitores së merituar por të grabitur. Askush nuk del më në favor të tij sepse shumë nga ish-zyrtarët e administratës socialiste të dërguar në media me mision agjitatori e ndjejnë që Rama tashmë është i pambrojtshëm. Kauza e tij është e humbur ndaj dhe argumentet e mbështetësve janë përherë e më të zvargur. Njerëz të ndryshëm po ftohen ndaj tij për arsye të ndryshme. Industrialistë e biznesmenë të fuqishëm që e shihnin deri tani si një bashkëpunëtor dhe partner në punën e tyre, s’e shohin më si të tillë. Idealistë dhe dashnorë të rinisë së përjetshme në politikë, e quajnë atë tani një avaz të vjetër. Eksperimenti i tij për kapitalizimin e socializmit dështoi ndërkohë që të gjithë e dinë se ishte pikërisht e kundërta që ai duhej të advokonte. Bashkë me të humbi edhe shpresa për të ardhur në pushtet e për t’u shpërndarë nesër ofiqe sekretarësh ministrie shërbyesve të sotëm. Deri edhe Muç Nano ndjehet i ofenduar nga Edi Rama kur bën zbulimin (më mirë vonë se kurrë) se kryesocialisti është katandisur në atë derexhé saqë askush nuk e merr më seriozisht as kur shkruan letra të hapura.
S’ia vlente të tërhiqej edhe ky shkrim në katakombën miniatureske rreth numërimit të asaj a kësaj kutie, a të aq apo kaq votave, por diçka duhet thënë edhe për këtë histori të fryrë e të mitizuar këto kohë kaq shumë. Mendimi është pak a shumë i njëjtë dhe i hasur e i artikuluar në forma të ngjashme nga shumë e shumë njerëz të thjeshtë që e klasifikojnë veten përgjithësisht majtas: dhjetë votat e avantazhit të Ramës mbi Lul Bashën janë njolla më e turpshme që një lider opozite mund të mbartë mbi ndërgjegjen e tij. Dhjetë vota të mjera më shumë se një kandidat i konsideruar vrasës, hajdut ordiner, sahanlëpirës dhe tradhtar i atdheut, janë prova se kjo retorikë nuk të bind, ose më mirë akoma, se e thënë prej një lideri aq jo-frymëzues dhe jo të besueshëm sa Edi Rama, të nxisin vetvetiu të bësh të kundërtën. E nëse brenda katër vjetësh numri i atyre që kanë votuar kundër teje ka shkuar nga 75 mijë në thuajse dyfishin, para kësaj situate çdo njeri normal që ka lypur rikonfirmim me votë duhej të arratisej një orë e më parë nga sytë këmbët duke i vënë më pas edhe gishtin kokës për të zbuluar se çfarë u ka bërë këtyre njerëzve që e neverisin në këtë shkallë. Në të kundërt, Rama po na servir përrallën e ulët të “kosovarëve që janë shpërngulur në Tiranë për të votuar Bashën”, një shaka pa kripë dhe pa bazë për sa kohë askush ndër ne banorët e Tiranës s’ka qenë dëshmitar i haluçinacionit të këtij bumi kaq të madh demografik të qytetit, e për sa kohë pasaportizimet në këtë qytet i administron po ajo Bashki e kontrolluar gjatë gjithë kohës nga zoti Rama.
Partia Socialiste dhe e majta në Shqipëri, nuk kanë nevojë për një fitore të Tiranës me 10 a 100 vota plus, ose të përftuar përmes ankesave të pafundme në Kolegj Zgjedhor e zvarritjes deri në mërzi të një procesi tashmë të marrë vesh sesi do të jetë edhe pa kallauzin përkatës. Zgjedhjet morën fund ditën kur dy kandidatët rezultuan ngjitur me njëri tjetrin dhe të paktën për ata që i kishin mëshuar për dy vjet rresht teorisë së hendekut të thellë që ndante dy palët dhe “të vetmes rrugë”, ato, zgjedhjet, janë të humbura përfundimisht e pa kthim. Ky rezultat nuk është fitore e askujt por dëshmi sesa identik është kandidati i së majtës me atë: vrasësin, hajdutin ordiner, tradhtarin e atdheut. Ndaj largimi prej kësaj fitoreje do të ishte distancimi i vetëm që do ta ndante zotin Rama nga perceptimi i përbashkët me konkurrentin e tij.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë justifikim e asnjë qarje që mund ta shpëtojë kryetarin e Partisë socialiste nga fakti i hidhur se përkundër gjithë socialistëve të tjerë, ai është i vetmi që herë nuk guxon të konkurrojë fare në zgjedhje (si në ato të përgjithshmet parlamentare) e herë e humbet turpshëm mbështetjen popullore kur garon (si në këto vendoret për Tiranën). Ky nuk është lideri për të cilin e majta shqiptare ka nevojë dhe këtë është mirë të fillojnë ta kuptojnë të majtët e inkuadruar institucionalisht se sa për ata të parreshtuarit, kjo ka qenë e ditur me kohë e vakt.
Një lider i vërtetë i së majtës në Shqipëri do të ishte një burrë a një grua që do të sillte më në fund në skenë e do t’u jepte peshën që u takon debateve të rënda për të cilat çdo shqiptar që e sheh mirëqenien me dylbi vret mendjen përditë. Si ta bëjmë më të begatë jetën e çdo qytetari? Si ta ndalim hovin e ndërsyer të privatizimit që flak në rrugë njerëz, që ua merr atyre pasurinë e ndërtuar me djersë nga prindërit e ua shet pastaj po të njëjtëve njerëz me çmime ku shteti s’ndërhyn dot, se normale – ka hequr dorë nga administrimi i kësaj prone? Si ta bëjmë që të paguajë më shumë njeriun që përfiton më shumë nga shfrytëzimi i pasurisë së vendit, nga infrastruktura e tij, nga forca punëtore dhe krijuese e shqiptarëve? Si t’i orientojmë pastaj këto para drejt pagave të punëtorëve publikë? Drejt spitaleve të shtetit që sot ngjajnë si një rrjet barrakash përballë ofensivës arrogante të spitaleve private ku jeta shitet e blihet me çmime ligjërisht të pakontrollueshme? Si ta shpëtojmë arsimin dhe dijen që e ka krijuar njerëzimi nga paketimi dhe tregtimi i saj në shitoret private të dijes ku i pasuri blen gjithçka, e i varfëri lihet në paditurinë e magazinës popullore publike ku askush nuk interesohet për të derisa ai vetë t’ia bëjë bam e të shkojë edhe ai të shpenzojë kursimet tek privatët? Si t’i thërrasim njerëzit në rrugë sa herë secili prej këtyre interesave preket sadopak e si të bëhemi barrikadë trupash jo për të mbrojtur mandate deputetësh milionerë, por interesa shqiptarësh anonimë? E në fund, nëse sërish nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë atë energji që do ta shndërronte partinë e tij, opozitarizmin siç thotë Muç Nano, në një frymë e modë të përgjithshme, ky lider të kishte kurajon të telefononte kundërshtarin e tij për t’i uruar fitoren e të tërhiqej me dinjitet.
Këtë mision që zoti Rama e paraardhësi i tij nuk arritën ta përmbushin dot, duke iu dorëzuar ankthit burokratik të marrjes së pushtetit për veten e grupin përreth, është koha që ta marrë përsipër dikush tjetër që të ketë kurajon, dëshirën dhe energjinë për ta realizuar. Partia Socialiste ka një mision për të përmbushur dhe ofiqarët e saj teknikë janë thjesht të përkohshëm dhe të shkarkueshëm në rast dështimi. Ndaj edhe pse ekziston përpjekja për t’ia adresuar humbjen personale të zotit Rama gjithë Partisë Socialiste, e për t’i bërë thirrje zgjimit më në fund të gjenisë krijuese të këtij kryetari që vazhdojnë ta presin të zgjohet e që vazhdon të ofrojë artific pas artifici vetëm për të mos u gjykuar si humbës, është mirë që të bëhet përfundimisht leximi i duhur i asaj që ka ndodhur. Humbësi i vërtetë nuk është Partia Socialiste. Kjo parti i fitoi zgjedhjet. Shqiptarët nuk kanë asgjë kundër saj. Humbësi për herë të disatë qyshse ka marrë timonin e kësaj partie është kryetari i saj aktual. Shqipëria foli dhe ajo ka një problem personal me këtë lider dhe modelin e ofruar prej tij. Fajin nuk e ka kurrë populli dhe të ulësh qepenat e partisë së shndërruar në dyqan sa herë s’i del fitimi pronarit, është shantazhi më i ulët që një biznesmen mund t’i bëjë të majtës dhe pronës publike të një vendi ku bën pjesë edhe një Parti e deklaruar si Socialiste.
Ndaj Rama duhet të gjejë kurajon të zbulojë për herë të parë jo gabimet që të tjerët kanë ndaj tij, por ato që ai ka ndaj gjithë të tjerëve. E në fund, të hapë rrugën për shpëtimin e Partisë Socialiste që s’është pronë e tij, nga një epokë eksperimentimi që jo vetëm s’prodhoi sukses por po ka kosto të lartë për të gjithë shqiptarët që rrezikojnë të humbasin prej tij mundësinë e shenjtë të zgjedhjes mes dy të ndryshmeve.

Sokol Shameti (Gazeta "Shqip", 15 qershor 2011)