Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Tuesday, June 11, 2013

Anti!

Nga Sokol Shameti

Ndërsa vijon agresioni verbal me destinacion 23 qershorin - dita kur shqiptarët do të kandisen për të zgjedhur midis së djathtës së milionerëve në pushtet dhe së djathtës së milionerëve pretendentë për pushtet - vëzhgues të shumtë po kërkojnë një mënyrë sesi të papërfaqësuarit të bëjnë të ditur se janë të papërfaqësuar e të pazëshmit të marrin zë. Ata po vënë re se më në fund mënyra e vetme që politika në Shqipëri të detyrohet të bëhet përfaqësuese është ndonjë lloj forme bojkoti ndaj forcave aktuale politike; ndonjë lloj vote proteste e cila të lexohet në mënyrë të pangatërrueshme vetëm si votë proteste dhe të mos interpretohet si diçka tjetër. Mbi të gjitha, një votë e cila të mos ketë mundësi të manipulohet nga ata që manipulojnë edhe votën e njëri tjetrit e jo më atë të asnjërit prej tyre.

Idetë sesi mund të realizohet kjo janë të shumta, ashtu si edhe iniciativat. Disa burojnë nga dëshira e mirë dhe e çiltër për të nxitur një lloj mobilizimi shoqëror të qytetarëve që gjenden aktualisht në një masë të madhe politikisht të pastrehë; disa të tjera nga qëllimi për të ndihmuar në mënyrë djallëzore kastën e politikanëve.
Nga ana e tyre, këta të fundit – politikanët - dukshëm po e ndjejnë përditë e më shumë rrezikun e delegjitimimit të tyre moral përmes braktisjes nga ana e qytetarëve. Dëgjojini me vëmendje. Nëse ka një argument për të cilin janë të gjithë në unison edhe Rama, edhe Berisha, edhe Meta e madje edhe ambasadat e huaja, kjo është kërkesa për pjesëmarrje masive në votime, për mosrënie të interesimit për këtë klasë të skaduar politike e për mbajtjen e saj në lojë.
Që kjo të ndodhë, duhet që qytetarët të shkojnë më 23 qershor e të dorëzojnë vullnetin e tyre për t’u qeverisur në kutitë e votimit. Vajhallit nëse gjendet një mënyrë që t’i bëjë esëll shqiptarët. Këta të fundit, i kanë ndarë me marifet në dy skuadra ultrasish futbolli të cilëve u mbahet truri në alarm ditë-natë me anë mitingjesh me daulle, koncertesh me këngëtare joshëse, fjalimesh nevrastenike në podium, sms-sh këmbëngulëse në celular, spotesh hollivudiane në ekran, artikujsh delirues në shtyp, debatesh patetike në televizor, statusesh analfabetike në facebook etj.

I

Një nga idetë më të kollajshme kur flitet për bojkot të kësaj klase politike jo-përfaqësuese, është bojkoti fizik, mospjesëmarrja në zgjedhje, injorimi i vetë procesit të votimit në ditën e caktuar për të votuar. Megjithatë, bojkoti i zgjedhjeve është një mjet i papërdorshëm në Shqipëri. Dy forcat politike PD dhe PS, të cilat ngjajnë kaq të papajtueshme dhe armiqësore në këto ditë fushate – në një situatë paraardhëse, qetësisht, në mënyrë vëllazërore dhe pa bujë e zhurmë - kanë ujdisur një sistem zgjedhor që u garanton atyre përjetësinë.
Nuk ndodh në asnjë vend jetër demokratik të botës. Shikoni çfarë kanë sajuar në bashkëpunim Rama me Berishën të cilët sot bëjnë sikur janë në gjakmarrje me njëri tjetrin: kanë ndërtuar një sistem që prodhon pushtet për ta edhe sikur shumica e qytetarëve të mos shkojnë fare të votojnë.
Fundja ata kanë të tyret edhe KQZ-në, ministrinë e brendshme, komisionet zonale, papagajtë analitikë të medias, si dhe këdo që mund të konstatonte se politika në këtë vend nuk po çon ujë në interes të qytetarëve ndaj qytetarët po largohen nga pjesëmarrja. Pra ti, në daç shko të votosh, daç mos shko, kjo pak rëndësi ka. Me konsensus, zgjedhjet quhen të vlefshme edhe nëse votojnë vetëm 3 vetë. Ti do të qeverisesh nga pakica dhe parlamenti i dalë nga votat e kësaj pakice do të ketë të drejtë të hartojë ligje që të marrin ty paratë me taksa, që të shtypin me polici, që të ngarkojnë me detyrime dhe masa shtrënguese dhe që në fund të fundit, të shtyjnë të çosh një jetë krejtësisht të ndryshme nga ajo që kishe menduar për veten dhe fëmijët e tu. Mënyrë ankese s’ka. Qarku është i mbyllur.
Përveç kësaj, mospjesëmarrja në votime, mbetet një thirrje memece. Ajo mbart një mesazh që gjithsekush e lexon si t’ia volisë vakti. Askush nuk mund ta dijë nëse mospjesëmarrja jote në zgjedhje është për shkak të pakënaqësisë me të gjitha forcat politike, apo sepse të dhimbte dhëmballa. Për ta minimizuar pastaj peshën e masës së bojkotuesve, kujdesen analistët-nëpunës të dy forcave politike, të cilët kanë për detyrë t’i japin nota epike çdo banaliteti të punëdhënësve të tyre e të skartojnë si jo-relevante gjithçka që defaktorizon punëdhënësit e tyre e si rrjedhojë edhe vetë ata.
                                                                                                                     
II

Meqenëse bojkoti përmes mospjesëmarrjes shmanget kollaj, stadi tjetër fillestar ku shkon mendja e atij që do të kërkonte t’u jepte një mësim politikanëve shqiptarë është bojkoti përmes abstenimit, pra mos-përzgjedhja e asnjë prej alternativave në fletën e votimit dhe hedhja e kësaj flete votimi pa e përdorur atë.
Në një iniciativë të para disa muajve të quajtur “vota e bardhë” një grupim të rinjsh me shumë ambicje por pa shumë kontakt me realitetin, tentuan të popullarizojnë këtë lloj alternative, duke pasur ndoshta përshtypjen se gjithçka është kaq e thjeshtë. Do të ishte bukur në fakt, sikur më 23 qershor në mbrëmje, në një sfond idilik kur sapo ka nisur edhe numërimi i fletëve të votimit, komisionerët do fërkonin sytë me habi duke parë përmes fletëve boshe të lëna nga shqiptarët, realizimin e skenarit të Saramangos në novelën e tij “Le të ulërijmë”.
Fatkeqësisht, Shqipëria e natës së numërimit të votave është një pritë ujqish, pabesish dhe intrigash nëpër terr. E gjithë trupa e administratorëve të vullnetit të shqiptarëve përbëhet nga politikanë batakçinj ose militantë të tyret. Historia e manipulimit të fletëve të votimit që madje janë të shënuara qartë se shkojnë për një parti të caktuar, është tashmë një traditë e konsoliduar në Shqipëri. Imagjino se çfarë dhurate hyjnore do të ishte një kuti përplot me fletë të bardha votimi – të gatshme për t’u plotësuar sipas qejfit - për një komisioner të një force politike i cili përmes rryshfetit apo kërcënimit në errësirën e 23 qershorit sapo ka bërë zap tërë grupin e numëruesve. 
“Vota e bardhë” është kësisoj jo vetëm një alternativë e padobishme për të shprehur me anë të saj protestën qytetare. Ajo madje mund të shndërrohet në një armë të rrezikshme në duart e manipulatorëve të votave nëpër zgëqet e heshtura pa dëshmitarë të Shqipërisë elektorale. Jo më kot, pikërisht kjo iniciativë (vota e bardhë), u përkrah në mënyrë entuziaste dhe gjeti jehonë mediatike në Shqipëri, ndonëse u braktis shumë shpejt, ngase, tepër e lexueshme.

III

Një tjetër ide e cila ngjan njëherit e sofistikuar po aq sa brutale, është ajo e zhveftësimit të fletës së votimit përmes ndonjë shenje të unifikuar; ndonjë lloj simboli popullor i cili të përbashkojë nga njëra qendër votimi në tjetrën, anekënd Shqipërisë, të gjithë elektoratin e të pakënaqurve, si në një network njerëzish solidarë që edhe pse s’njihen, mendojnë njëlloj. Ndër të gjitha idetë dhe propozimet që po qarkullojnë së fundi, ajo që po gjen përsëri më tepër përkrahje, madje edhe nga agjentë të lidhur direkt a indirekt me kastën politike (dhe kjo duhet të na bëjë skeptikë) është ideja e një kryqi të madh mbi fletën e votimit, me shpresën se kësisoj, ajo do të bëhet e pavlefshme.
Por, ia vlen të bëjmë përsëri një parantezë në këtë pikë. Le të dërgojmë përsëri fokusin e vëmendjes tek tradita e konsoliduar e politikanëve shqiptarë për ta shkulur me thonj përfitimin nga vullneti i qytetarëve edhe atëherë kur ai dukshëm është kundër tyre. Ata që kanë qenë dëshmitarë të procesit të ankimit të votave të pavlefshme në zgjedhjet e shkuara lokale, mund të dëshmojnë për dhjetëra raste sesi, kur rezultati ishte i ngushtë, çdo votë e diskutueshme që ndoshta ishte zhvleftësuar qëllimisht prej zgjedhësit, u lexua dhe u interpretua si e vlefshme. Për numëruesit politikanë të votave, vota e pavlefshme nuk ekziston.
Ishin me dhjetëra precedentët kur votat me kryq janë lexuar si vota që shkonin në favor të atij subjekti që përkonte me pikëprerjen e brinjëve të kryqit. Janë me qindra rastet kur vota të shkarravitura, “të qëndisura” me fjalë të ndyra, karikatura, përqeshje, organe gjenitale etj, janë lexuar si vota të vlefshme në favor të atij apo këtij kandidat – në varësi të kujt kishte marrë në kontroll komisionin zonal në fjalë. Për këtë arsye, votimi i protestës me kryq është edhe ai një vakt i shijshëm dhe i gatshëm, që qytetarët mund t’i blatojnë ujqërve të politikës.

IV

Zgjidhja duhet të jetë diçka tjetër. Pavarësisht pengesave të këtij sistemi armiqësor dhe plot gracka që politikanët kanë ngritur në dëm të qytetarëve, këta duhet të gjejnë mënyrën e tyre për t’u thënë të gjithëve se kupa u mbush.
Qytetarët duhet të gjejnë rrugëdaljen që të kuantifikojnë forcën e vërtetë të atyre që duan realisht shpëtimin nga kjo klasë politike që promovon rotacionin pushtet-opozitë duke u rrotulluar në formën e një rrote që po e rrokullis në greminë qerren e të gjithëve. Dhe duhet të mbjellin, ashtu siç të gjithë shpresojnë, farën e një bime të re në truallin e dhunuar të demokracisë sonë tashmë tërësisht jopërfaqësuese: farën e demokracisë direkte të qytetarëve. Bimën e atij sistemi i cili kur politikanët dalin nga binarët dhe prodhojnë më shumë dëm sesa dobi, ua kthen pushtetin qytetarëve, pronarëve të tij të vërtetë.

(Gazeta "Shqip", 12 qershor 2013)

Sunday, May 19, 2013

Një herë si farsë, pastaj si tragjedi

Nga Sokol Shameti

E pandalshme seria e profkave që vetë Partia Socialiste po i kurdis Partisë Socialiste për ta çuar këtë të fundit drejt humbjes. A do aleancë turpi më 1 prill? A do kryetarin që shkon e bën skandal në Vjenë? A do Koçon në listën e Vlorës? A do autobusin e luksit që shet tangërllëk mes mjerimit të përgjithshëm? S’kalon javë pa një surprizë. Megjithatë kemi arritur në orën kur ithtarëve të rotacionit, u ka mbetur vetëm një flamur për ta valëvitur si arsyen pse duhet të ndodhë rotacioni.

Siç është kapur edhe nga sensorët e shumë vëzhguesve të tjerë - arsyeja tepër bindëse që rrotullojnë tani në ajër rotacionistët është: “Le ta provojmë një herë qeverisjen e Ramës. Po doli për hajër, veç nesh fitoni edhe ju. Po ishte e keqe, ju humbisni ne bëjmë pallë”. Me pak fjalë, opozita që e ka zakon ta quajë vetveten të majtë, po i fton shqiptarët të luajnë lloto më 23 qershor. Një lloj bixhozi ku vetë ata, në të dyja rastet, e kanë të garantuar fitoren dhe ku populli investon qorrazi të ardhmen e fëmijëve të vet. Ka megjithatë edhe një mënyrë tjetër sesi ne, populli i thjeshtë, mund ta filtrojmë këtë lojë e kuqe-e zezë ku po na nxisin të përfshihemi.
Ajo çka nuk fshihet dot është se nëse Partia Socialiste humbet, kjo do të jetë një humbje që ajo vetë ia ka shkaktuar vetvetes. Nëse përballë një kundërshtari të diskredituar i cili është ezauruar për 8 vjet në pushtet e që është gërryer nën erozionin e çdo skandali të mundshëm, përsëri kjo biçim opozite nuk arrin të fitojë, nuk ka më gojë askush të qortojë prapë pushtetin. Vetëm herën e parë e kanë fajin hajdutët në të grabitshin shtëpinë. Po ndodhi për herë të dytë, të tretë e të katërt, fajin mbaje vetë, pasi me shumë gjasë, mund të jetë duke të të lezetuar ky lloj përdhunimi i përsëritur. Në këtë rast i mbetet vetë Partisë Socialiste ta lokalizojë vatrën e saj të infeksionit dhe ta kurojë atë.
Nga ana tjetër, nëse kjo parti fiton kjo do të jetë një nga fitoret më të rrezikshme për shqiptarët që do të qeverisen prej saj. E rrezikshme sepse ajo do të jetë një fitore që kjo lloj opozite e ka arritur pa begenisur madje as të pretendojë se ajo është e mira por thjesht sepse kundërshtari i vet qëllon që është dordoleci i ngulur në arë për të kallur datën dhe për t’u urryer nga të gjithë. Poshtëruese, sepse njerëzit që do t’i blatojnë fitoren një krushqie si kjo që vetëquhet sot “e majta”, do të shikohen pasandaj prej Ramës me shokë, si një tufë gomerësh. Si ca leshko që arritën deri aty sa t’ua dhurojnë pushtetin kur këta vetë po bënin çmos për të treguar se nuk ishin ata njerëzit që do t’i shpëtonin nga varfëria që buron prej paaftësisë së qeverisë për të ndalur grykësinë e biznesit.
Sigurisht që shumë njerëz të përndezur nga zjarrmia e fushatës dhe që e duan me zemër të majtën do të rrudhin buzët dhe do ta rendisin autorin e këtyre radhëve në stanin e atij Nastradini që sundon sot Shqipërinë (zaten, edhe për shkak se përballë tij ka një karikaturë të së majtës siç është Edi Rama). Por po të gjykojmë paksa më me realizëm e të shohim një renditje të fakteve, do të na rezultojë se vërtet një fitore eventuale e Partisë Socialiste në këto zgjedhje s’do të ishte thjesht një nga grushtet më të rënda që e majta do të merrte përfundimisht në Shqipëri. Ajo do të ishte edhe një cunami i vërtetë për gjithë shoqërinë dhe shpresën tonë për një demokraci funksionale.
Kjo do të ishte një fitore që PS do ta arrinte pasi është tallur për tetë vjet rëndshëm me idealizmin e njerëzve. Një fitore e partisë e cila u shtir se qau kur plasi Gërdeci dhe pastaj shkon e na cakton si kandidat të sajin një garant të mos-hetimit të Gërdecit. Partisë që ulëriti “na vranë” më 21 janar e që pastaj u shtri lakuriq në krevat me sponsorin gjeneral të 21 janarit. Partisë që për 8 vjet akuzoi modelin zhvatës të qeveritarëve dhe që pastaj në mënyrë donkishoteske vajti e përzgjodhi Sançon më të babëzitur midis qeveritarëve si shqytar e ndihmës për të rrëzuar ç’ka tepruar nga karabinaja e qeverisë. Partisë e cila në një vend fukarenjsh dhe punëtorësh krenohet se është në aleancë me biznesmenët dhe milionerët. Partisë së cilës të paktën 10 persona i figurojnë në dy lista: edhe në atë të kandidatëve të saj për deputetë, edhe në atë të të kërkuarve të Interpolit. Partisë që ka për kryetar një personazh i cili me grushtin diktatorial sesi po qeveris brenda selisë së tij sot, s’po lë gjë pa bërë që të na paralajmërojë sesi do të jetë qeverisja e tij në ekzekutiv nesër. Çdo element në këtë Parti Socialiste thërret: Ruajuni!

***                                                                                                               
Skenari i një fitoreje të Edi Ramës në këto zgjedhje është mjerisht ai më i keqi. Nëse ai realizohet, të gjithë ata që mendojnë se klasa politike ka skaduar dhe se demiurgët e saj duhen zëvendësuar, do të zhgënjehen. Si Rama si Berisha do të mbeten në lojë. Rama, si kryeministri që ia nënshtroi përdhunshëm popullin e së majtës idesë së tij apolitike për një parti të depolitizuar që s’ka ideale, s’ka principe, s’ka ndjeshmëri, por që ka vetëm batuta autobuzi, ortakë biznesi, servilë që e gëlltisin aragostën që u jep Rama ndonëse ai ka pështyrë në të, si dhe disa sharlatanë marketingu tregtar.
Po ky skenar, nga ana tjetër, e përjetëson Berishën si një baba kombëtar. Si një Gorbaçov me një portret dikur të përgjakur por tashmë të shpëlarë nga detergjenti fisnik i dorëzimit paqësor të pushtetit. Si një Les Valesë me një cv të stolisur prej anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave. E madje edhe si një Ataturk tunelesh brenda të cilëve brezat e urithëve do ta përmendin emrin e tij siç bënin me emrin e Zogut udhëtarët e urës italiane mbi lumin Mat. Modeli i tij do të nderohet dhe ndiqet dhe edhe nëse Berisha ikën fizikisht, ai do të mbetet këtu, trashëgimia e tij do të vijojë të na mundojë.
Të vetmit që dalin të humbur nga kjo histori, janë shqiptarët. Vetëm përmbysja e këtij skenari mund të sjellë shpëtimin. Një ndëshkim i Edi Ramës me votat e të majtëve që ai nuk i përfaqëson do të ishte një karton i kuq që të majtët ia japin asaj partie që ka rrëshqitur nga binarët, si dhe një shans që ajo të korrigjojë shënjestrën, udhëheqjen dhe kursin e saj. Një disfatë e PS-së më 23 qershor do të ishte realisht jo një disfatë e PS-së por vetëm një disfatë e projektit të Edi Ramës për ta de-socializuar Partinë Socialiste e për të legalizuar ndikimin e kapitalit të madh mbi të. Ajo do t’i jepte fund një epoke që nisi me Fatos Nanon: epokës së çmontimit të ideologjisë së majtë nga partitë e majta dhe zëvendësimit të saj me taktikat e menaxherëve dhe specialistëve të Marrdhënieve Publike që rreken të të shesin sapunin për djathë apo erashkat për programe politike.
Vetëm një rikthim majtas i Partisë Socialiste, pas dëbimit të brejtësve që sot kanë ngritur koloninë atje, do t’i jepte asaj argumentet dhe aftësinë për të ringjallur frymën për të cilën kanë nevojë njerëzit. Ai do të gjeneronte bashkimin e vërtetë të të gjithë të majtëve, për të mundësuar një përmbysje të shpejtë e përfundimtare të sistemit të instaluar të biznesmenëve që shtrëngojnë për testikujsh cilindo kryeministër që vjen në pushtet. Të humbë “e majta” për të shpëtuar të majtën, kjo është penincilina. Por a është e sigurtë se pas humbjes do të vijë shpëtimi i saj përmes reformimit? Kjo është një e panjohur e madhe. Një mister që do të zgjidhet gjithsesi prej dialektikës së kalitur nga disfata në disfatë, pas gjithë modeleve të saj të dështuara jo-socialiste deri tani.
Pa fjalë, një qeverisje e tretë e Sali Berishës do të ishte po ajo përmbledhje vuajtjesh, lëngate ekonomike, arrogance me pushtetin, shpërdorimi me buxhetin dhe degjenerimi të krejt konceptit të publikes në përgjithësi. Por fitorja e Berishës qoftë edhe përkohësisht në këto zgjedhje deri në një palë të tjera të parakohëshme, është ironikisht zgjidhja e vetme për të shpëtuar të majtën nga klonimi në pushtet i berishizmit me sigël socialiste.


“Historia – kanë vënë re njerëz me mend – përsërit vetveten. Herën e parë si tragjedi, të dytën si farsë”. Por jemi në Shqipëri. Një vend ku deri edhe telashet shtjellohen së prapthi. I kemi kaluar mjerisht tejpërtej farsës së atij që më 2005-ën deshi të hyjë në histori teksa kishte dhënë gjithë provat se do të ishte një tiran. Ajo që po na e bën me sy kërcënueshëm përtej reve në horizont, është vetë tragjedia. Disfata e një populli të vogël, pa përvojë, që e tërheqin për hunde.


Gazeta "Shqip", 19 maj 2013

Friday, April 5, 2013

Çfarë kanë bërë romakët për ne?

Nga Sokol Shameti

“Shokë, ilegalë” – e nis fjalimin lideri revolucionar i një grupi guerrilas hebrenjsh në Jeruzalemin e pushtuar nga Perandoria Romake siç përshkruhet në filmin e famshëm kontroversial “Life of Brian”, - “romakët na kanë grabitur gjithçka. Por jo vetëm neve, por edhe baballarëve tanë. Dhe çfarë na kanë dhënë në këmbim? Asgjë!”. Në këtë moment, dikush nga ilegalët befas kujtohet dhe thotë me gjysëm zëri: “Ata na sollën ujësjellësin”. “Edhe sistemin e kanalizimeve”, shton druajtur një i dytë. “Në rregull, në rregull”, vazhdon lideri revolucionar, “por çfarë kanë bërë ata përveç këtyre dy gjërave? Ja ku po ua them unë: asgjë”. Por më pas, teksa ilegalët lëvizin me shqetësim në karrige, nisin të dëgjohen prej tyre në fillim ngurrueshëm e më pas më me forcë njëra pas tjetrës edhe fjalë si: “sistemin rrugor”, “kanalet vaditëse”, “mjekësinë”, “edukimin”, “alkoolin”, “transportin”, “rendin publik”. Lideri revolucionar tund kokën i vënë në siklet dhe pasi i dëgjon të gjithë thotë: “Në rregull. Çfarë kanë bërë romakët për ne, përveç: ujësjellësit, kanalizimeve, rrugëve, kanaleve vaditëse, mjekësisë, edukimit, verës, transportit dhe rendit publik”?

Mbi dhomën e vogël papritur pllakos heshtja. “Asgjë”, thotë pas pak mendueshëm njëri prej shokëve. “E shikoni pra që romakët nuk kanë bërë asgjë për ne”, merr zemër lideri dhe mbledhja rigjallërohet e filmi vazhdon me skena përpjekjesh titaniko-satirike për liri e rimëkëmbje…

***

“Më jepni votën më 23 qershor”, thotë kryetari i një partie që pretendon se nuk ngjan në asgjë me rivalin që kërkon të zëvendësojë në kolltukun e qeverisë. Gjithçka do të jetë ndryshe, do të rilindim, është kredoja e tij. Por është vendi këtu të bëjmë një sprovë të vogël alla “Life of Brian”. Nëse ndjekësit e Ramës dhe Rama vetë do të goditeshin befas nga e njëjta çiltërsi traumatike me atë të ilegalëve në skenën e mësipërme, dialogu do të riprodhohej pak a shumë me një dozë të fortë ngjashmërie. Nga inventari i gjithë gjërave që nënkupton një mendje normale kur flitet për ndryshim të plotë të situatës, do të fillonin të skartoheshin disa gjëra “të vogla”. Në vijim do të shohim se nëse idesë së kësaj “rilindjeje” që premton të sjellë Rama ia pezullojmë ato që kjo Rilindje nuk mund të sigurojë dot, do të na rezultonte një rilindje pa asgjë nga ato që e bëjnë një rilindje - rilindje. Shkurt, një “rilindje minus”, ose një rivdekje, pra vdekje për së dyti. Për këtë vdekje për së dyti, Rama na fton të luftojmë më 23 qershor.

Kështu, nëse perifrazojmë liderin revolucionar të ilegalëve në Jeruzalemin e pushtuar nga romakët, oferta e Ramës do të tingëllonte pikërisht kështu: “Më zgjidhni mua kryeministër, sepse gjithçka do të jetë ndryshe”.
“A do të luftohet korrupsioni nga kjo qeveri, kur dihet se nëse ai luftohet, duhet të luftohet edhe një komponent i kësaj qeverie”, do të pyesë një nga ilegalët. “Jo, korrupsionin nuk e luftojmë dot”, do të përgjigjet Rama “por prapë, ne do të jemi ndryshe”. “A do të shkëputet qeveria nga influenca e biznesmenëve, ndërkohë që thuajse gjithë grupi i kandidatëve që do të formojnë këtë mazhorancë, janë njëfarësoj-biznesmenë”, do të pyesë ilegali tjetër. “Jo, as këtë nuk e bëjmë dot”, do të thotë Rama. “Po demokracia a do të jetë më e shëndetshme, lidershipi jo aq autoritar saqë të mos pyesë për forume e gjithçka ta zgjidhë vetë?”, është pyetja tjetër dhe përgjigja: “U çmende? Siç është PS, ashtu do të jetë edhe qeverisja e PS”. “Po privatizimet a do të ndalen dhe ndërmarrjet e reja publike të rifillojnë të ngrihen për ta balancuar gjendjen”, do të pyesë tjetri. “Asnjëherë nuk e kemi premtuar këtë”, do të përgjigjet Rama. “Po krimi a do të goditet njëlloj, si ai i vrasësit serial ordiner, ashtu edhe ai i vrasësit serial në Gërdec? A do të ketë drejtësi TOTALE?”, do të lëshojë bombën tjetër ilegali i radhës. “Ah, jo fatkeqësisht. Nuk e bëjmë dot këtë por ju duhet të më mirëkuptoni”, do të tundë kokën Rama.

Si përfundim, ndryshimi që premton Rama, largimi i Berishës që ai kërkon, është një lloj ndryshimi formal, modifikim gërmash mbi titullin e një libri, brendia e të cilit është po ajo e mëparshmja. Nëse e mbyllim me shëmbëlltyrën e filmit të fillimit, Edi Rama duhej të thoshte: “Do të jemi një qeveri tërësisht e ndryshme nga kjo e Berishës, POR PA luftën ndaj korrupsionit, shkëputjen e qeverisë nga influenca e biznesit, demokratizimin e qeverisjes, ndaljen e privatizimeve, drejtësinë dhe moralin në politikë”.

Ah, por prit një sekondë. Nëse shqiptarët janë të lodhur me pushtetin e Berishës, ata janë të lodhur jo me ekzistencën fizike të një njeriu të vetëm– siç mundohet të trafikojë opozita - por me pushtetin e “Berishës” si një dukuri që përmban pikërisht këto anomali që qeveria e mundshme "Rama" nuk mund t'i ndreqë dot. Shqiptarët nuk duan të sundohen më nga "Berisha", jo sepse kryeministri është thjesht nga Tropoja dhe është i moshuar dhe jo sexy. Shqiptarët duan të ndahen prej kësaj lloj qeverisjeje sepse ajo gjeneroi korrupsion, pengoi drejtësinë të japë drejtësi për Gërdecin etj, e vuri qeverisjen në shërbim të interesave të të pasurve duke prodhuar mjerim masiv, absolutizoi pushtetin dhe i bëri aeroplana lodër prej letre faqet e Kushtetutës, shpërdoroi pronën publike dhe ekzaltoi atë private dhe të gjithë këtë sistem e mbajti në këmbë përmes llogarish imorale aritmetike me një pjesë të asaj që sot ka kurajon madje të vetëquhet “e majtë”.

E gjithë kjo, është një sfidë poshtëruese që Edi Rama po i bën publikut, duke përfshirë këtu edhe nota shantazhi ndaj kujtdo që guxon të vendosë në diskutim zgjedhjet e tij. Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta sillen ndaj qytetarëve me të njëjtën përqasje. Ata e konsiderojnë triumviratin e tyre në pushtet si të vetmen rrugëdalje për qytetarët që janë të dënuar të mos kenë asnjë zgjidhje tjetër. Edi Rama, shkon deri aty sa “t'i mirëkuptojë” pakënaqësitë, ankesat, neveritjen, vështirosjen e të gjithëve ndaj tij. Por vetëm kaq. Atij as i ngrohet e as i ftohet uji nga e gjithë kjo. E merrni vesh? Në rastin më të mirë ai “na mirëkupton” (në më të keqin, na quan “zagarë të Saliut”). Ne nuk jemi në lartësinë e duhur të zgjuarsisë për ta rrokur gjithë sistemin e ndërlikuar të gjërave që e shtyjnë atë të shndërrohet në një prostitutë. Por ai na mëshiron ne në injorancën tonë e ne s’mund të presim vlerësim më të lartë. Ky është niveli i inteligjencës që pret ai prej nesh, e po të jesh më i zgjuar se kaq, vdes. E shikoni pra që romakët s’kanë bërë asgjë për ne?

Monday, March 25, 2013

Demokraci pa popull

Nga Sokol Shameti

Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti me një Kushtetutë të paligjshme. Dokumenti i vitit 1998 me emrin “Këtu fillon e ardhmja” – e cila edhe ashtu ngjan si nëntitull i ndonjë filmi Sci fi - me të vërtetë i ka transportuar nënshtetasit e vet drejt një realiteti absurd. Kjo “e ardhme” që ka nisur 15 vjet më parë është një futurizëm postapokaliptik i përshkuar nga një krizë e thellë shoqërore, ekonomike dhe politike pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë këtu në Shqipëri.

Në këtë realitet, njerëzit luftojnë për mbijetesë duke u kacafytur me armiq të padukshëm të një natyre aliene (të huaj për qënien njerëzore). Një nga këta armiq është për shëmbull korrupsioni, i cili ka shtrirë nën sundimin e vet sistemin rregullues të shoqërisë - shtetin - dhe e përdor atë kundër vetë njerëzve.

Për të dalë nga parabola fantastike, mund të themi se Kushtetuta që rregullon punët e shqiptarëve sot më 2013, nuk është ajo për të cilën ata votuan me referendum më 1998. Ajo është korruptuar përmes axhustimeve të njëpasnjëshme me gomë dhe laps kopjativ që politika i ka bërë tekstit të saj, për t’ia përshtatur këtë dokument nevojave të saj ditore. Por siç do të shohim më poshtë, këto “nevoja ditore” të politikës shqiptare, nuk janë edhe aq politike. Këtu qëndron edhe mëkati fillestar; anomalia që e bën Kushtetutën tonë të tanishme një dokument që s’përfaqëson vullnetin e popullit.

Teksa nga viti në vit, partitë politike janë vendosur përballë një trysnie ekonomike që i shtyn t’i largohen thelbit idealist për t’iu përshtatur prakticitetit materialist dhe kalkulimeve personale, ndërhyrjet në Kushtetutë nga kjo politikë e shndërruar në një komitet të përbashkët shërbimesh ndaj jo-publikes, kanë qenë pikërisht të tilla: kundër interesit të publikut.

Nën presionin e hapur apo të fshehtë të interesave të biznesit, politika si një trup i vetëm, ia ka dalë të ndërhyjë “pa leje” në këtë dokument të popullit. Ajo e ka tjetërsuar tashmë atë. Tri herë me radhë gjatë kursit të ri “socialist” të Ramës, e majta dhe e djathta janë bërë bashkë për të vjedhur pak nga pak diçka nga legjitimiteti i Kushtetutës derisa e kanë shndërruar tashmë atë, në një fletushkë në përgjithësi pa legjitimitet. Të paktën moral.


Mbi një formë shovinizmi moral

Ndryshimet kushtetuese të janarit 2007, ato të prillit 2008 dhe të shtatorit të vitit që shkoi, kanë degjeneruar thelbin e vetë kushtetutës si një e tërë. Prej këtyre ndërhyrjeve në Kushtetutë, hapësira demokratike në Shqipëri është sot e minimizuar në ekstremin e saj. Këto ndryshime që nuk do të kryheshin dot kurrë nëse opozita nuk do t’i donte ato, i kanë kthyer të zgjedhurit e pushtetit vendor në ushtarë të partive të tyre. Ato e kanë kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një çerdhe njerëzish të papërgjegjshëm që nuk mund të shpërndahen nga Presidenti as nëse kalojnë në çmendje kolektive. Njëkohësisht po këto ndryshime, e kanë kthyer Presidentin e Republikës në një buratin të kryeministrit. Bashkë me të, edhe gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë që varet nga Presidenti. Kjo Kushtetutë e përdhunuar nuk garanton më as pavarësinë e KQZ-së duke e shndërruar atë në një defekt të përhershëm teknik brenda makinerisë së zgjedhjeve, që për këtë arsye, kurrë nuk janë as të lira e as të ndershme. Gjithashtu këto ndryshime kanë zhdukur sistemin e kaluar elektoral për ta zëvendësuar me një farsë ku ligjin e bëjnë kryetarët e partive që forcojnë sundimin e tyre autoritar mbi vetë partitë.

Kjo nuk është Kushtetuta për të cilën kanë votuar shqiptarët. Ajo nuk është më një produkt i cili qëndron në fuqi me vullnetin e popullit. Përmes një marifeti ligjor, ajo është tashmë ngrehinë së cilës i janë gërryer themelet. Kjo gërmadhë po mbahet në këmbë përmes një paterice formale.

Forca e saj qëndron sot vetëm tek të ushqyerit e frikës se rrëzimi i kësaj Kushtetute nga ana e popullit është diçka e paimagjinueshme e cila mund të sjellë destabilitet dhe një të panjohur të madhe. Por kjo e panjohur e madhe është e frikshme vetëm sepse trajtohet si e tillë. Shantazhi ndaj vullnetit sovran të popullit zbatohet në mënyrë të tërthortë nga të dyja forcat politike në bashkëpunim me njëra tjetrën në një akt të përsëritur shovinizmi moral.

Teksa i mbajnë duart e zëna me pendën me të cilën shkarravisin kur t’u teket nene në Kushtetutën që s’është e tyrja, politikanët e PS dhe të PD kujdesen që të mbajnë në profil të ulët apo në terr informativ, pikërisht ato elemente të Kushtetutës të cilat mund të lëviznin pakëz balancën e pushtetit nga politika si e tërë, për tek populli.

I gjithë ky zell pervers për të ruajtur ekskluzivitetin në vendimmarrje, ka vetëm një shpjegim: Ligjvënësit shqiptarë kanë reshtur së qenuri të punësuarit e publikut andaj edhe zelli i tyre nuk shkon në drejtim të shërbimit ndaj këtij “punëdhënësi”. Punëdhënësi i ri i ligjvënësve duhet kërkuar tek ata që përfitojnë më shumë nga korruptimi i sistemit politik dhe shtetit në Shqipëri. Ata janë një klasë biznesmenësh të cilët e përdorin politikën si një vegël për t’u ruajtur stabilititetin e sundimit. Për këtë arsye, politikanët shqiptarë dërsijnë që të dëshmohen përpara punëdhënësve të tyre (shpesh këta punëdhënës janë direkt kolegë të tyret në karrigen ngjitur në Kuvend), si të domosdoshëm.

Kjo luftë e pabesë guerrile e politikanëve kundrejt popullit të tyre, për t’i marrë këtij të fundit të drejtën e sovranitetit, buron kryesisht nga tradhtia e hapur që forcat politike i kanë bërë interesit publik. Ajo frymëzohet prej armiqësisë së tyre me këtë Kushtetutë ku sanksionohet se privatja dhe publikja në Republikën e Shqipërisë trajtohen në mënyrë të barabartë.

Nga disa agjenci publike siç duhej të ishin në versionin e tyre origjinal, partitë politike janë shndërruar në të kundërtën e tyre. Dhe më në fund, gjithë kjo qasje e denatyruar e politikës ndaj vetë politikës është pasojë e zbrazjes nga kontenti që është ofruar si alternativa e pakundërshtuar zhvillimore neoliberale në Shqipërinë e 22 vjetëve të fundit.

Depolitizimi i politikës

Deindustrializim i prodhimit, demilitarizim i ushtrisë, deintelektualizim i arsimit, depersonalizim i individit. Të gjitha produktet me përmbajtje të boshatisur të historisë së re shoqërore shqiptare kanë shtruar terrenin për shndërrimin e kulturës së asgjësë në një kulturë dominuese tek ne. Hija e përbindëshme e neoliberalizmit të pa-sfiduar është shtrirë përditë e më bindshëm kudo.

Ky përbindësh që e shpronëson shoqërinë nga vetvetja për të lënë pas thjesht një lëvozhgë të shtrydhur nga brendia njëlloj si në filmin “Alien” të Ridli Skotit, ia ka dalë që të ketë tashmë edhe një bazë ligjore: një Kushtetutë jo-kushtetuese. Mbi të, vigjëlon roja e saj: Një politikë e depolitizuar.

Prej 22 vjetësh nën të njëjtën plojë zvetënuese politika shqiptare është nxitur të përfshihet në një kurs zhveshjeje nga thelbi për t’u transvestuar në një miniaturë butaforizmi dhe marrdhëniesh publike. Debatet e saj janë pa esencë. Krizat, aspak gjenuine por të programuara dhe të telekomanduara nga kullat e partive apo ato të bulevardit. Acarimi artificial i debatit teknik dhe personal, shërben si një suplement për debatin e vërtetë politik.

Fushata e fundit pseudopolitike ofron disa shembuj të freskët. Pseudo e majta, përmes aktesh të njëpasnjëshme të një retorike me ngjyrime deri raciste e gjen veten të përfshirë në komente kundër origjinës veriore të zyrtarëve të pushtetit, si dhe duke dhënë referenca të njëpasnjëshme përbuzëse ndaj të gjithë të moshuarve të Shqipërisë, kur e arsyeton keqqeverisjen e Berishës me moshën e tij të plakur, apo shpinën e kërrusur, etj. Nga ana tjetër djathta është e angazhuar në portretizimin e socialistëve si “marksistë” (lexo: enveristë të vegjël, gjakpirës potencialë), apo të inkurajimit të nënteksteve për pasuesit e Ramës dhe Erion Velisë si narkomanë dhe homoseksualë.

Kjo shfaqje që ekzalton kontrastin teatral midis palëve, fsheh zbehtësinë e argumenteve të vërteta mes diferencave të tyre politike. E megjithatë, për sa kohë retorika e tyre mbahet në terma jo-politikë, por thjesht teknikë, madje propagandistikë, ata ngjajnë brenda habitatit të vet natyral. Sapo detyrohen që ta politizojnë mendimin ata shndërrohen në karagjozë që mundohen të shpëtojnë përmes përdorimit të një gjuhe të sforcuar dhe të panatyrshme. Shikoni Ramën kur rrotullon fjalë të përgjithshme fjalimesh të kopjuara nga fushata amerikane teksa s’di sesi të shpjegojë sistemin e taksimit progresiv; apo Berishën që lufton me mullinjtë e marksizmit për të njëjtën arsye.

Politika pa politikë është pazari i lirë me të cilin politikanët shqiptarë synojnë të qëndrojnë me çdo kusht në piacë. I gjithë ky ekuacion funksionon vetëm me kushtin që opinioni publik prej 22 vjetësh nën trysninë e gërryerjes së publikes, të ketë mbetur vetëm “opinion” pa komponentin e tij “publik”. Politika e depolitizuar funksionon kështu vetëm përballë një qytetarie të çarmatosur nga mendimi kritik.

Shpopullimi i demokracisë

Sistemi politik në Shqipëri është dëshmi për një grup individësh të shkëputur nga interesat e popullit të cilët modifikojnë me arrogancë vetë vullnetin e popullit e më pas vazhdojnë të vetëkonsiderohen prapë si “përfaqësues” të tij.

Nëse vetë pjesë të këtij sistemi që alternon vetveten në pushtet, e pengmarrin kauzën e demokracisë për të kamufluar me të ambicjen për rotacionin e hegjemonisë, ajo që ndodh nuk është më demokraci në veprim. Ajo është një akt reaksionar që i përgjum masat dhe i bën ato të besojnë se luftën e tyre mund ta kryejë dikush tjetër. Ajo është një demokraci pa komponentin “demos” (popull), përbrenda.

Në kushtet kur qytetari e delegon luftën e tij, ai ka hequr dorë nga thelbi i vet si qytetar dhe nga papajtueshmëria e tij me autoritarizmin. Dhe kjo formë kapitullimi, në mos është një vetëvrasje politike e popullit, mbetet një spastrim vullnetar “etnik” i tij nga territori i demokracisë.

Ky shpopullim i demokracisë është një transgresion i demokracisë së vërtetë, një korruptim i misionit të saj dhe devijim i destinacionit. Kjo demokraci pa demokraci është ajo që po synohet të zbatohet në Shqipëri nga e ashtu-quajtura “opozitë”. Kjo është ajo ndaj së cilës populli, por mbi të gjithë, ata që e konsiderojnë veten të majtë, duhet të organizojnë qëndresë.

Ç’të bëjmë?

Historia e re shqiptare mund të na ofrojë me qindra shembuj sesi nën miellin e demokracisë është pudrosur këmba e zezë e ujkut të autokracisë anti-qytetare. E megjithatë “demokraci” është fjala e duhur. Ai është emri për të përshkruar luftën kundër një sistemi autoritar që ia ka grabitur pushtetin politik popullit dhe ia ka vënë në dispozicion atyre që zotërojnë pushtetin ekonomik. Kjo luftë ushtrohet nga populli kundrejt gjithë këtij autoriteti politik të diskredituar, pavarësisht krahut të tij.

Kushtetuta duhet t’i rikthehet popullit, si një e drejtë e tij sovrane. Në vend të referendumeve për nevojat e sistemit, referendumi numër një, duhet të jetë ai për t’i kthyer Kushtetutës së Shqipërisë legjitimitetin e saj të grabitur nga kolaboracionizmi anti-qytetar midis PD-së dhe PS-së në këto 6 vjetët e fundit. Shqipërisë i duhet të gjejë rrënjët e së keqes në politikë dhe t’i shkulë ato: Një Kushtetutë e popullit, të cilën e miraton populli dhe mund ta ndryshojë vetëm populli, duke i garantuar përbrenda edhe një sistem sigurie që i mban larg duart e gjata ngatërrestare të politikës nga zembereku i saj i lirisë.

Ky mision nuk arrihet duke u dorëzuar në lojën e depolitizuar të politikës shqiptare që e përqendron vëmendjen e publikut tek emrat, moshat, prirjet seksuale dhe përkatësinë krahinore të atyre që duan të këmbejnë njëri-tjetrin në timonin e rotacionit. Ky mision kryhet duke kritikuar pa mëshirë axhendën e atyre “politikanëve” që duan të imponojnë për politikë këtë retorikë emrash të përveçëm, moshash, prirjesh seksuale dhe përkatësie krahinore. Janë pikërisht këta politikanë, të cilët në organizimin e atentateve të përsëritura ndaj Kushtetutës së popullit për t’i siguruar vetes pushtet të rehatshëm kurdoherë që t’u vijë radha, nuk influencohen aspak nga gjithë këto “barriera” primitive që ua servirin si katekizëm të detyrueshëm votuesve të tyre.

Jo zgjedhje të bazuara mbi një Kushtetutë të shpërfytyruar, por referendum për të çliruar Kushtetutën nga vargonjtë e politikës dhe për t’ua kthyer atë qytetarëve. Përndryshe, rotacioni i së keqes në pushtet do të vazhdojë ciklin e vet. Ndërsa shqiptarët do të mbeten përsëri spektatorë të pafuqishëm përballë atyre që rrotullojnë fatin e tyre dhe të fëmijëve në këtë ruletë periodike pushteti dhe abuzimi.

Monday, January 21, 2013

Ikja prej televizionit

Nga Sokol Shameti

Gjenden ende njerëz që mendojnë se shoqëritë njerëzore e përmbajnë brenda natyrës së vet prirjen për auto-emancipim: sot jemi më të avancuar se dje; nesër do të jemi shumë më përpara shoqërisht, se sot. Ky pohim evokon fatkeqësisht një ftesë paralizuese. Një strukturë mendore që të zhvesh nga pjesëmarrja dhe të redukton në pësues. Një ftesë për të hequr dorë nga nxitja drejt përparimit dhe për ta lënë gjithçka në kompetencën e një agjencie supreme; diçkaje të pakontrollueshme siç është vetë koha apo karakteri i shoqërisë njerëzore.

Si një nga mrrokllat më të festuara në nxitjen e progresit të njeriut, televizioni dallon në këtë debat si parja e kuqe poetike mes një sfondi të mërzitshëm gri proze administrative. Televizioni është kopertina, rrufepritësja më e lartë, ajo që bie më tepër në sy; krejt si një aktor i pajtuar për të mbajtur një monolog dy orësh në një skenë, ai është pa rrugëdalje në fokusin e shikimit të të gjithëve. Por mbase edhe jo krejt padrejtësisht.

Dhe është e udhës të hiqet një verejtje e shkurtër historike këtu. A është televizioni që shohim sot, në lartësinë e misionit të tij emancipues sikundër ishte në vitet e rinisë së tij prej rockstari të zhvillimit, kampioni të çlirimit të mendjes, dhe Elvisi të good taste-it (për ta përshkruar përmes një figure mitike që u mundësua gjithsej prej vetë televizionit)? A është shëndeti i tij i painfektuar nga sëmundje vrasëse të sistemit të sotëm konsumist që josh kah paradoksi hedonistik dhe uniformizimi i të jetuarit?

Fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet më dhe tashmë loja e televizionit me teleshikuesin ka hyrë në dekadën e saj të dytë të një gjuetie të ndërsjelltë. Skena është e hapur për sytë dhe interpretimin e të gjithëve: mund të konstatojmë sesi teleshikuesi sa vjen e bëhet më absurd në kërkesat e veta përherë e më të paqarta ndaj tezgës televizive, ndërsa vetë televizioni i alarmuar përgjigjet duke eksperimentuar forma novatore përmes së cilave mungesa e gjësë brenda tezgës justifikohet me numrin e madh të tezgave apo shumëngjyrësinë e tyre.

Nuk është e paktë literatura që përshkruan robërinë e shoqërisë së sotme nën magjinë pushtuese të ekranëve xixëllues që siç i përshkruan Ervin Hatibi, janë vatrat moderne pa zjarr dhe tym të çdo shtëpie që kanë zëvendësuar vatrat e dikurshme rreth prushit të të cilave mblidhej gjithë familja në një ritual të përnatshëm nderimi. Ndërkaq është i paktë, pothuaj i pa pranishëm, sinjalizimi i televizionit si një skllav i imagjinatës përherë e më perverse të vetë shoqërisë së cilës i shërben. Të një shoqërie që funksionon në disa kushte sociale që ia zvetënojnë asaj karakterin duke e shtyrë drejt perversionit të pandalshëm, duke e kthyer kësisoj në një fëmijë të prapë, të pakënaqur e sidomos, të pakënaqshëm.

Një vështrim mbi ekranë. Kaq mjafton dhe mund të hetohet sesi përfundimisht, në këtë epokë historike, njerëzimi mund të thuhet pa frikë se e ka humbur shpatën e vet, kurën shëruese në formën e një televizioni të madh, përndritës dhe plotësues. Në vend të tij është televizioni që djersitet të ngjajë i denjë, të plotësojë rolin e tij, të bëjë figurë të mirë.

Por kjo disfatë ka ardhur sepse televizioni ka humbur koracën e vet, në formën e një shikuesi kritik, të qartë dhe të artikuluar në kërkesën e vet ndaj televizionit. Njeriu i ditëve tona është i paqetë, i frustruar dhe i papërqendruar. Televizioni i tij përmbledh të njëjtat epitete. Një marrdhënie psikiatrike torture reciproke. Në një referencë religjoze, sikurse Zoti krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, në rastin e televizionit kemi një “zot” të deformuar sipas shëmbëlltyrës së njeriut të sotëm.

***
Çfarë po ndodh me televizionin nuk është fare larg asaj që po ndodh me vetë audiencën e tij në jetën “jashtë” marrdhënies me televizionin. Teleshikuesi është në një proces transformues që po e shndërron nga një prodhues të specializuar e të domosdoshëm, në një qënie të vënë në pikëpyetje dhe pa themele solide përballë një ekonomie globale vazhdimisht në shndërrim. Edhe televizioni po reagon njëlloj. Edhe ai është tashmë i vënë në pikëpyetje dhe i konkurruar. Në një shtyrje më ekstreme, ai deri orvatet të ngjajë me konkurrentët e vet duke rezultuar në shembëlltyra transgresive herë të aparatit DVD, herë të televizorit pay per view të hotelit luksoz, e herë të deri vetë internetit.

Publiku po thërrmijëzohet në miliona e miliarda njësi ku joshja për uniformitet përjetohet në mënyrë individuale? Idem edhe televizioni që furnizon këtë lloj publiku. Ai po platformizohet njëkohësisht duke u atomizuar në specialitete e disiplina të ndara: një kanal vetëm për muzikën, një për lajme, një për sport, një kanal vetëm për aventurë, një tjetër vetëm për seks.

Njeriu i erës së re televizive shfaqet më i dobët cilësisht në edukim, nivel kulturor dhe uniteti social? E njëjta gjë me televizionin që krahasuar me vetëm pak dekada më parë, ofron gjithashtu produkte e personazhe cilësisht më defektive në bagazhin e vet edukues, kulturor apo frymëzues.

Karakteri josfidues i televizionit po përftohet si pjesë e denatyrimit të gjithçkaje në epokën ku jetojmë. Kërkesa për diçka radikalisht të ndryshme në kontent, ka shkaktuar një ofertë të boshatisur nga përmbajtja. Mjafton të shohim përreth dhe ajo që do të dallojmë nuk ndodh vetëm me televizionin: jetojmë në kohëra kur çmohet më shtrenjtë kafja e dekafeinuar, birra e dealkoolizuar, sheqeri i desheqerizuar dhe deri riprodhimi i defertilizuar.

Televizioni i një gjenerate është vitrina e saj. Ne s’jemi gjë tjetër veçse historia që i tregojmë vetes rreth vetes. Realisht, një akt auto-sabotazhi për të shënjuar pozicionin tonë social. Narrativë personale në trajtë ideologjie të pastër për konsum të brendshëm. Televizioni që shohim është ndërkaq mjeti difuziv i kësaj ideologjie sonës të ushtruar ndaj po nesh. Një propagandë e re, që na gërryen gjatë kohës kur ne s’jemi të ndërgjegjshëm rreth saj, për të na kthyer në kompatibël brenda këtij sistemi ku tregtohet asgjëja.

Shqetësimi është i pranishëm dhe shumë sensorë e kanë kapur prej kohësh. E konstaton edhe Ardian Vehbiu në artikullin “Efekti televiziv” të 19 nëntorit 2010: “Çuditërisht, televizioni i sotëm në Shqipëri po ndihmon për të rikrijuar një botë të mbyllur, të dominuar nga imazhi i kërthizës – kërthizës së botës, që është bërë tashmë Shqipëria virtuale e mediumit televiziv, dhe kërthizave të vetes, që shohin në ekranin-pasqyrë protagonistët e hiçit”. Dhe më tej: “…televizioni i sotëm shqiptar, me gjithë pluralitetin fals të materialit që ofron, po vjen duke e thelluar konsumin vetë-referencial nga publiku në përgjithësi dhe qytetarët në veçanti. Ndërsa elitat vështrojnë veten në ekranet, publiku tjetër zbavitet me reality shows, të cilat ushqejnë iluzionin se kushdo mund të ngjitet në majë të piramidës”.

Televizioni si qark i mbyllur, në një karusel personazhesh të selektuara nga kërkesa për të përfaqësuar të panevojshmen, boshen, të kotën, është megjithatë vetëm njëra anë e medaljes; thjesht përkufizimi gjenerik i asaj çka ofron si kontent kutia dikur e vogël dhe e mirë që tashmë edhe vizualisht është shndërruar në një pllakë pa volum. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Slavoj Zizek nënvizon deri praninë dërrmuese të karaktereve sociopatike midis heronjve më të duartrokitur të serialëve televizivë. “Këta pacientë patologjikë, janë kudo. Nga përbindësha gangsterë si Tony Soprano-ja, serial-killerë si Dexter-i, antiterroristë torturues si Jack Bauer-i e deri tek etër të dështuar dhe primitivë si Homer Simpson-i”. Të mos i hyjmë me themel përvojës shqiptare dhe “serialëve” tanë televizivë në trajtuar në formë superprodhimi lajmesh nga bota e kriminalitetit: s’është e vështirë të krijosh një hitparade të bollshëm sociopatësh nga who’s who’s-i i katalogut tonë të gangsterëve, vrasësve e hajdutëve të pranuar si pika reference e të turlilloj gomerëve të katapultuar pa asnjë seleksion, pa asnjë kontroll, pa asnjë frenim bash mu në pjatën e atyre që hanë bukën e përnatshme televizive.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për këtë dominancë modelesh asgjësuese të ngritur në lartësinë e emulacionit televiziv, përveç kalbëzimit të stofit tonë social në një teleologji makabriteti politik; një shoqëri e cila ka nevojë për sociopatët në mënyrë që të funksionojë normalisht në eskatologjinë e saj. Rregullat e shoqërisë duhet të dhunohen si një mënyrë e vetme për të shpëtuar përfundimisht vetë shoqërinë.

***

A po emigrojnë ndërkohë njerëzit larg prej televizionit? Shifrat janë kontradiktore, por edhe domethënëse: Në një javë një amerikan shikon rreth 28 orë televizion dhe bisedon 38 minuta me fëmijët e tij. Nëse një banor i tokës ka televizor në shtëpi ai e ndez atë mesatarisht 7 ditë në javë. Çdo fëmijë, përpara se të arrijë moshën shkollore ka parë tashmë të kryhen rreth 8000 vrasje në televizor. Rreth 75% e prindërve thonë se fëmijët e tyre shohin më shumë televizion se ç’duhet. Etj, etj.

Njerëzit ndërkohë, si sardelet prej dritës, thuhet se tërhiqen prej territoreve me përqendrim të lartë parash. Për herë të parë në histori, shpenzimet e sektorit të reklamave në internet kapërcyen televizionin në një ekonomi kryesore si ajo britanikja në vitin 2009. Prej atëherë prirja nuk ka ndryshuar. Çdo akt refuzimi, siç dihet, është nga pak edhe një shenjë e dërguar nga e ardhmja.

Televizioni që bota e sotme mban si pasqyrë përballë vetes, sikurse diskutohet në debatet më të mëdha intelektuale në Perëndim, rrezaton ekzistencën e një krize të fortë strukturore të sistemit kapitalist në të cilin funksionon kjo shoqëri. Që shoqëria kapitaliste e konsumit të funksionojë ka nevojë për dy kategori njerëzish. E para është kategoria e të inkuadruarve në sistemin e pagës (ti ke një punë përmes së cilës ti prodhon diçka më shumë sesa vlera me të cilën paguhesh). E dyta është kategoria e armatës së përhershme kërcënuese të kësaj kategorie (njerëz të lënë në mënyrë të përkohëshme jashtë sistemit të pagës, të cilët shërbejnë si një revolver i përhershëm në ndërgjegjen e kategorisë së parë).

Ky lloj sistemi në sofistikimin e tij për të mbajtur përherë në tension kategorinë e robërve të pagës, ka krijuar një varietet edhe më perfekt të kategorisë së dytë të të papunësuarve. Ky është varieteti i njerëzve të papunësueshëm. Ata janë fabrikuar që në gjenezë për të qenë jashtë sistemit të prodhimit. Jo thjesht “intelektualët” e dikurshëm, apo artistët, letrarët, politologët e filozofët. Sistemi superprodhon stoqe të rënda juristësh, ekonomistësh, menaxherësh, modelësh gjithëfarësoj. Askush prej tyre nuk di sesi gatuhet një bukë. Shumë prej tyre janë madje të ndërgjegjshëm që në vitet e shkollës, se punësimi i tyre do të jetë një fantazmë që do t’i përndjekë gjer në vdekje.

Televizioni ofron sot justifikimin për ekzistencën e kësaj kategorie. Në televizion, njerëzit e shkëputur nga puna janë në shtëpinë e vet. Televizioni sot është një nga elementët që mundohet të legalizojë në mënyrë kontrabandë pseudo-normalitetin e situatës. Përmes tij kryhet sot lartësimi i shoqërisë së punës absente dhe inkurajimi i njeriut që s’punon.

Jo rastësisht, sot është zakonshme të gjesh të portretizuar në televizion deri vrasësin, sociopatin, boshin dhe vanitozin. Ndërkohë është një nga fenomenet më të rralla të hasësh në televizionin e sotëm gjurmët e njeriut punues, atij prodhues, apo edhe thjesht referenca të një pune prodhuese që është në kryerje e sipër. Puna si proces është e padukshme në ekran, duke bërë që edhe në realitet ajo të mos ngjajë e domosdoshme.

Për botën e spektaklit, ç’të thuash? Në serialë dhe realizime të tjera të inskenuara televizive, personazhet duket sikur jetojnë me frymën e shenjtë. Femrat përherë të indinjuara të “Sex and the city” apo adoleshentët inoksidabël të “Friends” do të marrin nëpër gojë gjithçka që mund të prodhojë fantazia e njeriut, por kurrë shqetësimin se nga do të burojnë të ardhurat për të bërë atë lloj jete që ua kanë zili njerëzit që i shohin.

Personazhet e televizionit nuk punojnë. Ata thjesht jetojnë. Mirë ose keq. Ajo që mungon në këtë fotografi familjare është dimensioni i tyre ordiner; amputimi i procesit prodhues nga historia e tyre, ose kalimi i saj në një rol episodik krejt në funksion të argëtimit që propagandohet si gjendja natyrore e njeriut të sotëm edhe në specialitete televizive si reality show-s ku pjesëmarrësit thjesht vegjetojnë. Përmes shembullit të tyre ata ofrojnë sugjerimin që askush të mos e shohë tek puna a mungesa e saj, burimin e mirëqenies apo problemeve të tij. Duke na ndërhyrë kështu pa u ndier në strukturën tonë mendore e duke e bërë të logjikshëm këtë nonsens, televizioni na ushqen ngadalë me të vetmin ushqim që sistemi ynë shoqëror mund të prodhojë: kontentin e zbrazët ku ideologjia vjen e maskuar si zgjedhje personale.

Revista “AKT”
Vjeshtë-dimër 2012-2013