Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Monday, March 25, 2013

Demokraci pa popull

Nga Sokol Shameti

Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të 23 qershorit të këtij viti me një Kushtetutë të paligjshme. Dokumenti i vitit 1998 me emrin “Këtu fillon e ardhmja” – e cila edhe ashtu ngjan si nëntitull i ndonjë filmi Sci fi - me të vërtetë i ka transportuar nënshtetasit e vet drejt një realiteti absurd. Kjo “e ardhme” që ka nisur 15 vjet më parë është një futurizëm postapokaliptik i përshkuar nga një krizë e thellë shoqërore, ekonomike dhe politike pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë këtu në Shqipëri.

Në këtë realitet, njerëzit luftojnë për mbijetesë duke u kacafytur me armiq të padukshëm të një natyre aliene (të huaj për qënien njerëzore). Një nga këta armiq është për shëmbull korrupsioni, i cili ka shtrirë nën sundimin e vet sistemin rregullues të shoqërisë - shtetin - dhe e përdor atë kundër vetë njerëzve.

Për të dalë nga parabola fantastike, mund të themi se Kushtetuta që rregullon punët e shqiptarëve sot më 2013, nuk është ajo për të cilën ata votuan me referendum më 1998. Ajo është korruptuar përmes axhustimeve të njëpasnjëshme me gomë dhe laps kopjativ që politika i ka bërë tekstit të saj, për t’ia përshtatur këtë dokument nevojave të saj ditore. Por siç do të shohim më poshtë, këto “nevoja ditore” të politikës shqiptare, nuk janë edhe aq politike. Këtu qëndron edhe mëkati fillestar; anomalia që e bën Kushtetutën tonë të tanishme një dokument që s’përfaqëson vullnetin e popullit.

Teksa nga viti në vit, partitë politike janë vendosur përballë një trysnie ekonomike që i shtyn t’i largohen thelbit idealist për t’iu përshtatur prakticitetit materialist dhe kalkulimeve personale, ndërhyrjet në Kushtetutë nga kjo politikë e shndërruar në një komitet të përbashkët shërbimesh ndaj jo-publikes, kanë qenë pikërisht të tilla: kundër interesit të publikut.

Nën presionin e hapur apo të fshehtë të interesave të biznesit, politika si një trup i vetëm, ia ka dalë të ndërhyjë “pa leje” në këtë dokument të popullit. Ajo e ka tjetërsuar tashmë atë. Tri herë me radhë gjatë kursit të ri “socialist” të Ramës, e majta dhe e djathta janë bërë bashkë për të vjedhur pak nga pak diçka nga legjitimiteti i Kushtetutës derisa e kanë shndërruar tashmë atë, në një fletushkë në përgjithësi pa legjitimitet. Të paktën moral.


Mbi një formë shovinizmi moral

Ndryshimet kushtetuese të janarit 2007, ato të prillit 2008 dhe të shtatorit të vitit që shkoi, kanë degjeneruar thelbin e vetë kushtetutës si një e tërë. Prej këtyre ndërhyrjeve në Kushtetutë, hapësira demokratike në Shqipëri është sot e minimizuar në ekstremin e saj. Këto ndryshime që nuk do të kryheshin dot kurrë nëse opozita nuk do t’i donte ato, i kanë kthyer të zgjedhurit e pushtetit vendor në ushtarë të partive të tyre. Ato e kanë kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një çerdhe njerëzish të papërgjegjshëm që nuk mund të shpërndahen nga Presidenti as nëse kalojnë në çmendje kolektive. Njëkohësisht po këto ndryshime, e kanë kthyer Presidentin e Republikës në një buratin të kryeministrit. Bashkë me të, edhe gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë që varet nga Presidenti. Kjo Kushtetutë e përdhunuar nuk garanton më as pavarësinë e KQZ-së duke e shndërruar atë në një defekt të përhershëm teknik brenda makinerisë së zgjedhjeve, që për këtë arsye, kurrë nuk janë as të lira e as të ndershme. Gjithashtu këto ndryshime kanë zhdukur sistemin e kaluar elektoral për ta zëvendësuar me një farsë ku ligjin e bëjnë kryetarët e partive që forcojnë sundimin e tyre autoritar mbi vetë partitë.

Kjo nuk është Kushtetuta për të cilën kanë votuar shqiptarët. Ajo nuk është më një produkt i cili qëndron në fuqi me vullnetin e popullit. Përmes një marifeti ligjor, ajo është tashmë ngrehinë së cilës i janë gërryer themelet. Kjo gërmadhë po mbahet në këmbë përmes një paterice formale.

Forca e saj qëndron sot vetëm tek të ushqyerit e frikës se rrëzimi i kësaj Kushtetute nga ana e popullit është diçka e paimagjinueshme e cila mund të sjellë destabilitet dhe një të panjohur të madhe. Por kjo e panjohur e madhe është e frikshme vetëm sepse trajtohet si e tillë. Shantazhi ndaj vullnetit sovran të popullit zbatohet në mënyrë të tërthortë nga të dyja forcat politike në bashkëpunim me njëra tjetrën në një akt të përsëritur shovinizmi moral.

Teksa i mbajnë duart e zëna me pendën me të cilën shkarravisin kur t’u teket nene në Kushtetutën që s’është e tyrja, politikanët e PS dhe të PD kujdesen që të mbajnë në profil të ulët apo në terr informativ, pikërisht ato elemente të Kushtetutës të cilat mund të lëviznin pakëz balancën e pushtetit nga politika si e tërë, për tek populli.

I gjithë ky zell pervers për të ruajtur ekskluzivitetin në vendimmarrje, ka vetëm një shpjegim: Ligjvënësit shqiptarë kanë reshtur së qenuri të punësuarit e publikut andaj edhe zelli i tyre nuk shkon në drejtim të shërbimit ndaj këtij “punëdhënësi”. Punëdhënësi i ri i ligjvënësve duhet kërkuar tek ata që përfitojnë më shumë nga korruptimi i sistemit politik dhe shtetit në Shqipëri. Ata janë një klasë biznesmenësh të cilët e përdorin politikën si një vegël për t’u ruajtur stabilititetin e sundimit. Për këtë arsye, politikanët shqiptarë dërsijnë që të dëshmohen përpara punëdhënësve të tyre (shpesh këta punëdhënës janë direkt kolegë të tyret në karrigen ngjitur në Kuvend), si të domosdoshëm.

Kjo luftë e pabesë guerrile e politikanëve kundrejt popullit të tyre, për t’i marrë këtij të fundit të drejtën e sovranitetit, buron kryesisht nga tradhtia e hapur që forcat politike i kanë bërë interesit publik. Ajo frymëzohet prej armiqësisë së tyre me këtë Kushtetutë ku sanksionohet se privatja dhe publikja në Republikën e Shqipërisë trajtohen në mënyrë të barabartë.

Nga disa agjenci publike siç duhej të ishin në versionin e tyre origjinal, partitë politike janë shndërruar në të kundërtën e tyre. Dhe më në fund, gjithë kjo qasje e denatyruar e politikës ndaj vetë politikës është pasojë e zbrazjes nga kontenti që është ofruar si alternativa e pakundërshtuar zhvillimore neoliberale në Shqipërinë e 22 vjetëve të fundit.

Depolitizimi i politikës

Deindustrializim i prodhimit, demilitarizim i ushtrisë, deintelektualizim i arsimit, depersonalizim i individit. Të gjitha produktet me përmbajtje të boshatisur të historisë së re shoqërore shqiptare kanë shtruar terrenin për shndërrimin e kulturës së asgjësë në një kulturë dominuese tek ne. Hija e përbindëshme e neoliberalizmit të pa-sfiduar është shtrirë përditë e më bindshëm kudo.

Ky përbindësh që e shpronëson shoqërinë nga vetvetja për të lënë pas thjesht një lëvozhgë të shtrydhur nga brendia njëlloj si në filmin “Alien” të Ridli Skotit, ia ka dalë që të ketë tashmë edhe një bazë ligjore: një Kushtetutë jo-kushtetuese. Mbi të, vigjëlon roja e saj: Një politikë e depolitizuar.

Prej 22 vjetësh nën të njëjtën plojë zvetënuese politika shqiptare është nxitur të përfshihet në një kurs zhveshjeje nga thelbi për t’u transvestuar në një miniaturë butaforizmi dhe marrdhëniesh publike. Debatet e saj janë pa esencë. Krizat, aspak gjenuine por të programuara dhe të telekomanduara nga kullat e partive apo ato të bulevardit. Acarimi artificial i debatit teknik dhe personal, shërben si një suplement për debatin e vërtetë politik.

Fushata e fundit pseudopolitike ofron disa shembuj të freskët. Pseudo e majta, përmes aktesh të njëpasnjëshme të një retorike me ngjyrime deri raciste e gjen veten të përfshirë në komente kundër origjinës veriore të zyrtarëve të pushtetit, si dhe duke dhënë referenca të njëpasnjëshme përbuzëse ndaj të gjithë të moshuarve të Shqipërisë, kur e arsyeton keqqeverisjen e Berishës me moshën e tij të plakur, apo shpinën e kërrusur, etj. Nga ana tjetër djathta është e angazhuar në portretizimin e socialistëve si “marksistë” (lexo: enveristë të vegjël, gjakpirës potencialë), apo të inkurajimit të nënteksteve për pasuesit e Ramës dhe Erion Velisë si narkomanë dhe homoseksualë.

Kjo shfaqje që ekzalton kontrastin teatral midis palëve, fsheh zbehtësinë e argumenteve të vërteta mes diferencave të tyre politike. E megjithatë, për sa kohë retorika e tyre mbahet në terma jo-politikë, por thjesht teknikë, madje propagandistikë, ata ngjajnë brenda habitatit të vet natyral. Sapo detyrohen që ta politizojnë mendimin ata shndërrohen në karagjozë që mundohen të shpëtojnë përmes përdorimit të një gjuhe të sforcuar dhe të panatyrshme. Shikoni Ramën kur rrotullon fjalë të përgjithshme fjalimesh të kopjuara nga fushata amerikane teksa s’di sesi të shpjegojë sistemin e taksimit progresiv; apo Berishën që lufton me mullinjtë e marksizmit për të njëjtën arsye.

Politika pa politikë është pazari i lirë me të cilin politikanët shqiptarë synojnë të qëndrojnë me çdo kusht në piacë. I gjithë ky ekuacion funksionon vetëm me kushtin që opinioni publik prej 22 vjetësh nën trysninë e gërryerjes së publikes, të ketë mbetur vetëm “opinion” pa komponentin e tij “publik”. Politika e depolitizuar funksionon kështu vetëm përballë një qytetarie të çarmatosur nga mendimi kritik.

Shpopullimi i demokracisë

Sistemi politik në Shqipëri është dëshmi për një grup individësh të shkëputur nga interesat e popullit të cilët modifikojnë me arrogancë vetë vullnetin e popullit e më pas vazhdojnë të vetëkonsiderohen prapë si “përfaqësues” të tij.

Nëse vetë pjesë të këtij sistemi që alternon vetveten në pushtet, e pengmarrin kauzën e demokracisë për të kamufluar me të ambicjen për rotacionin e hegjemonisë, ajo që ndodh nuk është më demokraci në veprim. Ajo është një akt reaksionar që i përgjum masat dhe i bën ato të besojnë se luftën e tyre mund ta kryejë dikush tjetër. Ajo është një demokraci pa komponentin “demos” (popull), përbrenda.

Në kushtet kur qytetari e delegon luftën e tij, ai ka hequr dorë nga thelbi i vet si qytetar dhe nga papajtueshmëria e tij me autoritarizmin. Dhe kjo formë kapitullimi, në mos është një vetëvrasje politike e popullit, mbetet një spastrim vullnetar “etnik” i tij nga territori i demokracisë.

Ky shpopullim i demokracisë është një transgresion i demokracisë së vërtetë, një korruptim i misionit të saj dhe devijim i destinacionit. Kjo demokraci pa demokraci është ajo që po synohet të zbatohet në Shqipëri nga e ashtu-quajtura “opozitë”. Kjo është ajo ndaj së cilës populli, por mbi të gjithë, ata që e konsiderojnë veten të majtë, duhet të organizojnë qëndresë.

Ç’të bëjmë?

Historia e re shqiptare mund të na ofrojë me qindra shembuj sesi nën miellin e demokracisë është pudrosur këmba e zezë e ujkut të autokracisë anti-qytetare. E megjithatë “demokraci” është fjala e duhur. Ai është emri për të përshkruar luftën kundër një sistemi autoritar që ia ka grabitur pushtetin politik popullit dhe ia ka vënë në dispozicion atyre që zotërojnë pushtetin ekonomik. Kjo luftë ushtrohet nga populli kundrejt gjithë këtij autoriteti politik të diskredituar, pavarësisht krahut të tij.

Kushtetuta duhet t’i rikthehet popullit, si një e drejtë e tij sovrane. Në vend të referendumeve për nevojat e sistemit, referendumi numër një, duhet të jetë ai për t’i kthyer Kushtetutës së Shqipërisë legjitimitetin e saj të grabitur nga kolaboracionizmi anti-qytetar midis PD-së dhe PS-së në këto 6 vjetët e fundit. Shqipërisë i duhet të gjejë rrënjët e së keqes në politikë dhe t’i shkulë ato: Një Kushtetutë e popullit, të cilën e miraton populli dhe mund ta ndryshojë vetëm populli, duke i garantuar përbrenda edhe një sistem sigurie që i mban larg duart e gjata ngatërrestare të politikës nga zembereku i saj i lirisë.

Ky mision nuk arrihet duke u dorëzuar në lojën e depolitizuar të politikës shqiptare që e përqendron vëmendjen e publikut tek emrat, moshat, prirjet seksuale dhe përkatësinë krahinore të atyre që duan të këmbejnë njëri-tjetrin në timonin e rotacionit. Ky mision kryhet duke kritikuar pa mëshirë axhendën e atyre “politikanëve” që duan të imponojnë për politikë këtë retorikë emrash të përveçëm, moshash, prirjesh seksuale dhe përkatësie krahinore. Janë pikërisht këta politikanë, të cilët në organizimin e atentateve të përsëritura ndaj Kushtetutës së popullit për t’i siguruar vetes pushtet të rehatshëm kurdoherë që t’u vijë radha, nuk influencohen aspak nga gjithë këto “barriera” primitive që ua servirin si katekizëm të detyrueshëm votuesve të tyre.

Jo zgjedhje të bazuara mbi një Kushtetutë të shpërfytyruar, por referendum për të çliruar Kushtetutën nga vargonjtë e politikës dhe për t’ua kthyer atë qytetarëve. Përndryshe, rotacioni i së keqes në pushtet do të vazhdojë ciklin e vet. Ndërsa shqiptarët do të mbeten përsëri spektatorë të pafuqishëm përballë atyre që rrotullojnë fatin e tyre dhe të fëmijëve në këtë ruletë periodike pushteti dhe abuzimi.