Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Saturday, May 24, 2014

A ngulet gozhda ashtu?



“Nuk kemi opozitë” është sot motoja e vetëkënaqur me të cilën propagandistët pro-qeveritarë fshikullojnë të djathtët që rreken të konfirmohen si opozitë. “Nuk kemi opozitë”, i bën like vetes pa e fshehur libidon kryetari i Partisë Socialiste në pauzën midis dy batutave banale me Flamur Nokën dhe Jozefinën në Kuvend. Dhe – surreale ta thuash, por - ka të drejtë.
Nuk ka opozitë sot Partia Socialiste në pushtet për një arsye të thjeshtë. Partia Demokratike e djathtë mund të ofrojë vetëm një këndvështrim të djathtë të gjërave por PS është e mbrojtur nga ajo anë. Këtë qeveri nuk mund ta kritikosh dot nisur nga pozita të djathta. Kjo, thjesht s’është e mundur, pasi s’ke ç’t’i kritikosh asaj djathtas. Sot PS po e zbaton djathtizmin më me virtuozitet se PD-ja vaktit.
Siç shihet edhe nga dështimet e turpshme të përpjekjeve për trashje artificiale zëri të Lulit ndër mitingje me parulla e kolonë zanore heroike, kritikat e vetme që PD është në gjendje t’i bëjë sot Partisë Socialiste mund të lexohen thjesht si “për procedurë”. Pse droga transportohet me avionë dhe jo me ndonjë mjet transporti alla-turka? Pse PS është kaq e paaftë të fshehë mashtrimin e parealizueshëm për punësimin e 300 mijë spartanëve? Pse ajo u ndezi orekse njerëzve për shëndetësi apo legalizime falas, vetëm e vetëm për të marrë një karrige të përkohëshme administratori në krye të qeverisë? Po sikur nesër njerëzit ta kërkojnë me tërë mend këtë gjë? Ç’do të bëhet me spitalet private dhe depot e mëdha farmaceutike të grosistëve medicinalë?
Me fjalë të tjera, kritika e vetme është ajo e paaftësisë për të realizuar siç duhet djathtizmin (të cilin këtu tek ne e zëvendësojnë rëndom me termin “shtet demokratik”). Dhe ky shtet demokratik këtu tek ne ka fytyrën e dorëheqjes së shtetit nga puna e vet – mbrojtja e interesit të së tërës përballë agresionit të së veçantës, personales, individualistes.
Vini re sesi, për shembull, PD s’ka asnjë problem thelbësor me mënyrën e taksimit të të pasurve që mbetën të paprekur nga pseudo-progresiviteti socialist. Shikoni sesi PD nuk proteston për premtimin e pambajtur socialist të drejtësisë për 21 janarin, ku viktimat ishin popull dhe ku politika ishte siç e pranoi vetë Rama: ndjekëse kokëulur e kauzës së popullit. Përmes heshtjes së saj aprovuese PD duket solidare, gjithashtu edhe me draftin socialist të reformës së arsimit të lartë. Si ta kritikosh një reformë të djathtë ku supermarketet private të diplomave universitare do të përfitojnë përveç tarifave të kripura të klientë-studentëve të vet, edhe para nga xhepi yt që je shkolluar a po shkollohesh në mizerabilitetin e qëllimshëm të Universitetit publik?
Edhe pse e kamufluar si një sukses i përmasave kontinentale, reforma e pensioneve që ka nuanca protofashizmi në përmbajtjen e vet, nuk provokon asnjë lloj revolte tek PD e cila, as ajo vetë s’do të guxonte dot ta realizonte atë. Çdo vend tjetër i Evropës do të ishte gdhirë me barrikada në rrugë nëse dikujt do t’i shkonte ndër mend të hartonte një “reformë” si kjo e Veliajt që synon t’i shfrytëzojë shqiptarët e paktë që kanë një punë deri sa t’i lënë forcat, e pa të shijojnë ndonjë pension po aq mizerabël sa edhe ky që kanë aktualisht.
Shkurtimisht, PD është sot dakord dhe gjen veten në shumicën e veprave domethënëse dhe strukturale të socialistëve në pushtet. Pakënaqësitë e saj të vetme ngjajnë me një batutë të famshme filmash shqiptarë: “Pse, ashtu ngulet gozhda more karafil?”. Falë kinematografisë, batuta pasardhëse në një spirale të pandalshme banaliteti të dyanshëm, dihet.
Por cilat janë nga ana tjetër akuzat proceduriale me të cilat PD synon të kthehet në një agjent revolucionar që mobilizon masat e abuzuara prej 22 vjetësh të shqiptarëve që besuan tek sistemi kapitalist? Pse kultivohet drogë e pse ajo trafikohet me çdo mjet të shpikur nga gjenia e mendjes njerëzore? Përgjigjja për këtë pyetje, të cilën s’duan ta dëgjojnë e as ta shqiptojnë të dyja palët është dëshmia e falimentimit të të dyjave: sepse kultivuesit e drogës, si atëherë edhe tani janë thjesht njerëz të lënë në mes të rrugës në furinë shoviniste të një sistemi ku i papuni dhe i papunësueshmi janë zyrtarisht inekzistentë, jo-njerëz, të vdekur që marrin frymë pa dashje. Punësimi i është lënë në dorë tregut, panairit të shitblerjes së skllevërve me çmim të lirë. Për të kënaqur këtë treg, ata të papunët, këtë punë kanë gjetur – të kultivojnë drogë e të mundohen t’ia hedhin shtetit.
Shteti nuk mund të bëjë njëkohësisht dy gjëra: edhe t’ia dorëzojë përgjegjësinë për jetën e qytetarëve informalitetit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të tentojë ta kufizojë këtë informalitet pa ofruar ndërkohë asnjë rrugëdalje. Por sigurisht Partia e djathtë demokratike nuk e akuzon PS-në për mbajtjen në këmbë të këtij sistemi që i kthen bujqit në narkotrafikantë. Ankesa e saj është pse institucionet represive nuk janë në gjendje të shtypin anomalinë që prodhon vetë sistemi. PS e di që është e pakritikueshme në këtë drejtim, prandaj edhe thotë që s’ka opozitë.
Pamundësinë komike të PD-së për të kritikuar seriozisht PS-në, vetë kjo e fundit po e shfrytëzon me ngazëllim të shumëpritur deri në pikën e fundit. Ajo tallet e zbavitet me përpëlitjen e kundërshtarit të vet për të gjeneruar një kauzë, sepse e di që një kauzë e tillë s’mund të fabrikohet dot nga një strukturë si PD-ja e djathtë. PD-ja që është krejt e ngjashme strukturalisht me PS-në, një e majtë në emër dhe e djathtë në realitet. Me një fjalë, PS njeh limitet dhe përvojën e vetes dhe për këtë arsye njeh edhe pamundësinë e PD-së për të bërë të pabëshmen - atë që është jashtë takatit dhe fuqisë së saj argumentuese.
E gjithë kjo që ndodh është një déjà vu e asaj që ngjante më 2005. Edhe atëherë mazhoranca e re refuzonte ta njihte për opozitë rishtarin Rama që sapo ishte ulur mbi fronin e një PS-je të dalë nga rrënojat e disfatës elektorale. Edhe atëherë “nuk kemi opozitë” thërrisnin krenarë pushtetarët e rinj me asistentët e tyre intelektualë të pavarur. Si tani, edhe në atë kohë, e djathta s’mund të kritikohej nga e djathta. Vetëm pas një serie skandalesh e incidentesh konsumuese nisi të ngjisë më në fund retorika e socialistëve mbi pushtetin e harxhuar të Saliut të cilit po i vdisnin njerëz bujshëm në Gërdec dhe bulevard, dhe jo ashtu siç e do rregullorja e sistemit: pa zhurmë, në uri, sëmundje dhe anonimat.
Ngjashmëria dhe këndvështrimi i njëjtë mbi gjërat mes PD dhe PS të vendosura në situata të ngjashme, duket edhe tek sloganet. “Rama ik në shtëpi” është krejtësisht e ngjashme me thirrjen socialiste për nxjerrjen e Berishës në pension. Shtëpia dhe pensioni janë shembulli sesi të dyja palët kanë një mirëkuptim dashamirës për dështimin e njëra-tjetrës. Ato vërtet aktrojnë me zemërim e frazeologji dramatike përpara masave. Megjithatë dasia midis palëve nuk është aq fatale saqë opcioni i ndëshkimit që ata kërkojnë për tjetrin midis tyre të jetë burgu a drejtësia. “Gabimet” që PS dhe PD i njohin njëra tjetrës, nuk konsiderohen të pafalshme. Drejtësia e vetme që ato propozojnë është hapja e krahut që radhën për ta rrotulluar çikrikun shtypës të sistemit ta marrë shoferi tjetër i cili do të ofrojë një stil tjetër rrotullimi. Sigurisht çikriku do të mbetet po ai. Edhe të shtypurit prej tij, po ata.
Në fund, historia e re politike shqiptare i ka dhënë në mënyrë elokuente mësimet e saj. Sado dëshpërueshëm të mundohen propagandistët e partive, nuk ka kauza partiake që janë në gjendje të kërcënojnë stabilimentin qeveritar në Shqipëri. Ato thjesht nuk janë më në gjendje të frymëzojnë dhe mobilizojnë askënd. Kauzat e vetme që i lëkundin themelet sistemit duke e detyruar atë ose të kalojë në agresivitet ose të legenizohet në fjalime qaramane publike, janë ato ku frenat i merr në dorë vetë populli. 21 janari apo protestat kundër armëve kimike janë modeli i vetëm ku shfaqet vullneti i shqiptarëve i pakontaminuar nga partitë apo ku partitë janë të izoluara në periferi. Në të dyja këto raste partitë politike kanë ndjekur vorteksin kryengritës të popullit si hijena që presin të bjerë në tokë preja e luanit, për të brejtur ç’të mundin nga cofëtina e rrëzuar. Në raste si këto, ato s’mund të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjekin si spektatore përgjakjen e popullit nga kullat e biznesit, ose ta gjejnë veten të përzëna me fishkëllima nga sheshi.
Ja përse protestat dhe grevat false të partiakëve do të vazhdojnë të përfundojnë me dështim në këtë shoqëri të zhgënjyer e të kapur për prapanice nga të gjithë. Ja pse partitë politike thjesht do të vazhdojnë të defaktorizohen e të parazitojnë duke shpresuar për një momentum kur do të mund t’i vënë logon e tyre pakënaqësisë së njerëzve. Duke u lutur ndërkohë në heshtje, që kur ai moment të vijë, zemërata popullore të kursejë shembjen e sistemit i cili tash 22 vjet strukturon jetën tonë por të rifreskojë thjesht emrat e zbatuesve të tij.
Sokol Shameti

Thursday, May 1, 2014

Si çmontohet një bombë?



Kjo, s’është lufta finale. Më 1914, Shqipëria e Luftës së Parë botërore ishte ferri mbi tokë. Njëqind vjet më vonë, më 2014 ajo është sërish një fushëbetejë tritoli, bombash e alarmesh, por të vetmes bombë që duhej t’i kishte përfunduar fitili djegës me kohë, po mundohen t’ia asfiksojnë lëndën plasëse me çdo kusht. Kjo është “bomba” sociale e realitetit ku ndodhet aktualisht pjesa dërrmuese e njerëzve që banojnë këtë territor.
Gjithëfarëlloj hesapesh lahen përditë në Shqipëri duke përdorur mjetin e vjetër, të zhurmshëm e njëherit elokuent, të eksplozivit. Vetëm hesapi kryesor, ai i madhi që do t’i shihte njerëzit të linin në mes luftën shfarosëse mes vedi për ta drejtuar zemërimin kah vatra e vërtetë e infeksionit – kasta sunduese – nuk është pjesë e planit të askujt. Ky është treguesi sesi tensioni në këtë shoqëri sistematikisht të dhunuar po ezaurohet në mënyrë vetëvrasëse midis anëtarëve të saj. Vetë konflikti është shndërruar në një koleksion guerriljesh vetiake për çështje tërësisht personale. Ky gërrmërr i pandalshëm bën punën e një lloj motori që përmes djegies së kuajfuqive të veta të brendshme, tërheq mbi shpinë tërë karrocerinë e sistemit.
Edhe 1 Maji i këtij viti po shpërdoron një tjetër shans që mund të shërbente për t’i dhënë fund komedisë së zezë që vazhdon të luhet mbi skenën e tragjedisë së tejzgjatur shqiptare. Arsyet për ta shpërthyer mu në mes të kësaj skene bombën e një revolte të përligjur sociale dhe politike (kujdes: detyrimisht politike dhe absolutisht jo partiake) - do të ishin të shumta.
Prej të paktën një viti, Shqipëria është një vend jo vetëm i varfër e i abuzuar po aq sa më parë, por tashmë edhe i zhgënjyer. Papunësia gërryese që pritej të zhdukej nga qeveria e re, tani mundohet të maskohet me metoda më arrogante se ato të qeverisë së kaluar, asaj haptaz-djathtistes. Armata e madhe e të papunëve e cila mbetet këmbëngulëse përherë aty, po përdoret ndërkohë si një kobure kërcënuese për ata pak shqiptarë që e kanë një punë. Përballë hijes së saj kanosëse, këta të punësuar pranojnë të shtypen në mënyrë monstruoze nga punëdhënësit e tyre.
Po ashtu hapësira e shprehjes së papajtueshmërisë sa vjen e po ngushtohet. Kabineti qeveritar tashmë refuzon deri të shohë realitetin nëse s’është filtruar më parë përmes syzeve rozë të marrdhënieve publike. Ai po orkestron një censurë e cila ngjan sikur po zbatohet në një vend që s’ka për të marrë statusin e BE-së në qershor. Për të drejta punonjësish as që flitet. Shumica e shqiptarëve të angazhuar në forcën punëtore sot, mbahen nën kushtet e shantazhit të përhershëm e të heshtur i cili ua vjedh gradualisht produktivitetin, qetësinë, shëndetin dhe dinjitetin. Kontratat e punës janë letra higjienike të mbushura me varganë detyrimesh për punëmarrësit e me rreshta të pafundëm abuzivë kushtesh favorizuese për punëdhënësit. Sindikatat janë një barceletë e partiakizuar skajshëm. Shoqëria civile, një pazar plaçkash të përdorura.
Sikur të mos mjaftonte kjo, vendi ndodhet aktualisht në mes të një vale të ashtuquajturash “reforma” të cilat në të vërtetë janë një koncert i paturp tallës me shqiptarët. Përmes topitjes së përgjithshme dhe qorrllëkut të së majtës radikale që është kthyer në një injeksion anestezie në shërbim të pushtetit, Shqipëria po përgatitet të kryejë reforma në arsim, pensione dhe territor.
Reforma arsimore për herë të parë në historinë e Evropës sociale po hakërrehet se do të devijojë hapur para të buxhetit publik që mblidhen nga populli, drejt xhepave të universiteteve private ku shkojnë të pasurit ngaqë nuk preferojnë universitetet e popullit. Po të ndodhte në Francë ajo që po mundohet të zbatojë qeveria “e majtë” me arsimin në Shqipëri, atëherë studentët e këtij 1 maji do t’i bënin ata të 1 majit të 1968-ës të dukeshin si trupë valltarësh tangoje.
Reforma territoriale mban edhe ajo të fshehur tinëzisht brenda saj armiqësinë ndaj qytetarit. Me një akt që po kamuflohet si “kujdes për pakicat etnike”, reforma në fjalë synon të thellojë edhe më tej humnerën që ndan sot qytetarët shqiptarë të përkatësive të ndryshme etnike. Ai synon që në secilin territor të Shqipërisë ku gjuha amtare nuk është vetëm shqipja, të krijojë disa rezervate të privilegjuara të ngjashme me Graçanicën serbe të Kosovës. Prej 20 vjetësh në Shqipëri shkollat e minoritetit dhe ato të mazhoritetit përgatisin armiq të së ardhmes mes fëmijëve të cilëve u mësojnë të urrehen për shkak të gjuhës edhe pse ndajnë të njëjtën varfëri dhe shtypje sociale. Tashmë kufiri do të bëhet edhe territorial; komunikimi midis shqiptarëve dhe minoritarëve qoftë edhe për arsye burokratike, do të jetë edhe më i paktë. Armiqësia e së nesërmes, edhe më e fortë. Përçarja, më efikase. Manipulimi, më i sigurt dhe sundimi më total.
Por nëse në çdo vend tjetër normal, do të mjaftonin edhe vetëm këto shembuj për ta hedhur popullin në barrikada në rrugë, në Shqipëri ka edhe më. Reforma e pensioneve është edhe më skandaloze ndaj për këtë arsye, edhe më e mediatizuar dhe e mbuluar me fjalë kumbuese për ta shitur si sukses. Ministria e mirëqenies dhe rinisë ka marrë përsipër të udhëheqë një kurs aq ekstremist të djathtë të rritjes galopante të moshës së pensionit të pleqërisë, saqë do ta kishte zili edhe Kili i Pinoçetit. Pësuesit e kësaj reforme quhen nga qeveria “përfitues”. Në një ironi të zezë e të pacipë, shqiptarëve që e kanë moshën mesatare 20 vjet më të ulët se japonezët apo suedezët, u thuhet se për shkak të rritjes së jetëgjatësisë do të dalin në pension shumë më vonë se këta të fundit. Një i ri i sapodiplomuar që do të hynte në punë në janar të vitit tjetër duhet të shtrëngojë rrypin edhe për muaj të tjerë, derisa të lirohet vendi në të cilin qeveria po shtrydh një të moshuar i cili po ngjit me mundim metrat e fundit të malores së jetës.
Në një kontekst si ky, vigjilja e 1 majit në Shqipëri do të duhej realisht të mbante erë revolte. Në të vërtetë, ajo mban erë tradhtie. Po si ka mundësi që po ndodh kjo? Si mund të çmontohet me kaq lehtësi një bombë si kjo që duket sikur dita ditës do të shpërthejë – e madje që duket se është një mrekulli që s’ka plasur deri tani?
Pika ku ndodhemi është kjo: reagimin civil e kanë marrë në dorë celulat jozyrtare rinore të kastës partiake që alternon pushtetin çdo katër vjet. Këto trupa xheniere, okupatorë të fushë-protestës ofrohen sot në formate të ndryshme në Shqipëri. Ata janë krijesë e së njëjtës ideologji neoliberale të ekonomisë së tregut e cila e ka kthyer në supermarket edhe vetë politikën, sindikalizmin, shoqërinë civile e çdo gjë tjetër. Vitrina e protestës rreket të plotësojë edhe ajo kushtin bazë të kërkesë-ofertës. Ajo prezanton një larmi të atillë e cila synon ta mbingopë urinë e ngutshme të klasës politike për idiotë që tregohen me gisht. Nga ana tjetër, përmes teprimit me larmi, ajo synon të krijojë konfuzion, copëzim e në fund edhe çaktivizim të mekanizmit shpërthyes brenda minës sociale në Shqipëri.
Kjo është arsyeja pse “pronarët” e 1 majit, na shfaqen sot të veshur tebdil: ca si patriotë, ca si revolucionarë. Ama të dyja këto nënprodukte të skenës defektoze politike në Shqipëri janë thjesht objekte të paidentifikuara fluturuese që orbitojnë posaçërisht secila përreth yllit të vet polar, qendrës së vet punëdhënëse.
Kështu, ndërsa pseudo-patriotët janë sateliti spiun i së djathtës që godet me topin e retorikës së vet të ashpër sundimtarët në pushtet por jo edhe aq të ashpër ata në opozitë; pseudo-revolucionarët majtistë janë sputniku që asgjëson për vdekje nga distanca këmishëzinjtë e opozitës, ndërsa thjesht u bën rikoshetë atyre të pushtetit.
Ky është në fund të ditës edhe funksioni që kanë këto agjenci shërbimesh partiake. Nga njëra anë ata duhet të kënaqin syrin e atyre që mendojnë se statuskuoja në Shqipëri mund të ndryshojë vetëm përmes aksionit kundër stabilimentit politik; t’u japë atyre nga një lodër me të cilën të engledisen në ditën kur mund të ishin duke vërvitur bomba Molotov; t’i veshë me flamur me shkabë ose bluza me çegevarë; t’u kënaqë egon me sllogane në dukje denigruese ndaj kastës – por sigurisht jo ndaj TË GJITHË kastës – t’i vërë të valëvisin banderola, flamuj, postera, të lexojnë kërkesa, ndoshta edhe t’i “krruajë” nga një çikë me policinë a mbase edhe me njëri tjetrin.
Në fund, duhet që vetë këto lëvizje të shërbejnë si emulacion në tabelën e së cilit të gjithë të shohin sa të çekuilibruar dhe qesharakë janë ekstremistët. Mbi të gjitha, njerëzit duhet të shohin se sa ekstremiste është të protestosh për të drejtat e tua në këtë vend. Këto lëvizje duhet të ilustrojnë përmes paaftësisë artikuluese të lidershipit përkatës, përmes sharlatanizmit dhe fytyrës së tyre karikatureske, sesi pushteti është tepër i madh dhe kompleks për t’u vënë seriozisht në pikëpyetje.
Duke e shfryrë bombën sociale shqiptare brenda një karnevali butaforik të veshur me citate nga të teatrove të kohës së Enver Hoxhës plot heroizëm folk dhe revolucionar, ata po mundohen t’i vënë emrin “luftë” diçkaje që është në të vërtetë një formë manipulimi masiv. Ashtu si ripërtypjet e bollëkut të mohuar në festimet e 1 majëve të dikurshëm, kjo është skërmitje e një lufte të mohuar. Luftë, e cila sigurisht, vetëm ajo finalja s’mund të jetë.
Sokol Shameti