Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Monday, December 1, 2014

INTIFADA E TRISHTUAR E PD-së

Partia Demokratike duhej të ishte sot subjekti politik më i lumtur për mënyrën sesi po qeveriset Shqipëria. Nëse – ashtu siç teorizon rëndom PD – gjithçka që ajo aspiron nuk është pushteti i vet partiak por mbrothtësia e përgjithshme, atëherë, ajo mund të rrijë e qetë: socialistët në pushtet po sillen pikë për pikë siç do të ëndërronin ata. Vërtet këta po tradhtojnë premtimet e tyre elektorale që kundërmonin blair-izëm dhe rrugëtretizëm në krye të herës. Por, në nivel narrativ, a nuk ishte PD gjatë fushatës kundër premtimeve të PS-së? A nuk paralajmëronin ata, se po të zbatoheshin planet e së majtës ato do të shkaktonin apokalipsin mbi faqe të dheut? A nuk këmbëngulte PD se rruga e vetme funksionale për vendin ishte ajo e tyrja, e djathta: taksa të ulëta për të pasurit, tregu-magjistar që zgjidh papunësinë, varfërinë e gjithçka, e kaluara - kontejner që mund të mbartë fajin për çdo mbrapshti të sotme, etj? Na falni zotërinj të djathtë, por a nuk po bën PS pikërisht këtë? Ndonëse nuk janë në pushtet nominalisht, këta të PD-së minimalisht mund të ngushëllohen: duke shkelur premtimet e saj, PS po e qeveris Shqipërinë ashtu siç do të donin të djathtët. Të paktën ata ideologjikët mes tyre.

Në këtë kontekst, protesta masive e PD-së me kredon e saj, mbaj premtimet ose largohu, tingëllon më e pakta një absurditet po aq masiv sa edhe pjesmarrja në të. Megjithatë, ky është vetëm një zbërthim i pjesshëm i kuptimit të kësaj proteste, brenda përpjekjes sizifiane të PD-së për të organizuar ndonjë lloj lëvizjeje frymëzuese kundër qeverisë. Tensioni më i madh që ka kjo parti sot, është pikërisht ky: të gjejë një lajtmotiv për intifadën e vet e cila për të synon, ashtu si për çdo klub tjetër partiakësh në Shqipëri, të rrimarë territor politik, pushtet dhe akses në fonde publike për anëtarët e vet.

Por jemi në Shqipëri, në skenën e saj pseudopolitike. Gjithçka shitet për “politikë” prej protagonistëve të kësaj skene, është thjesht një depozitë antagonizmi bosh. Brenda abstracizmit të këtij këndvështrimi, skuadrat partiake tek ne, nëse nuk kanë një kundërshtar imagjinar, nuk mund të realizojnë vetveten. Pra, antagonizmi me çdo kusht, edhe nëse s'ekziston askush ndaj kujt të jesh antagonist në fushën tënde është kriter bazë me anë të të cilit PS ose PD mund të justifikojnë veten. Pa këtë cak përplasjeje, pa këtë makinë që të vjen përballë me tërsëllimë, retorika e tyre nuk funksionon, militantët nuk galvanizohen dhe – paradoksale por - vdekja si subjekt është afër.

Prej afro një viti e gjysmë në pushtet, Partia Demokratike ka vuajtur më shumë se prej traumës së rrëzimit, prej mungesës së shënjestrës. Duket tërësisht i sforcuar dhe zgjidhje emergjente preteksti që PD po përdor për braktisjen e Kuvendit – rrahjet mes deputetëve për çështje aspak të rëndësishme për qytetarin. Arsyeja për degradimin në këtë derexhe banale të të gjithë papajtueshmërisë politike tek ne, vjen në fakt si arsye e një anomalie të madhe. Qysh në muajt e parë të pushtetit, partia socialiste ia hoqi PD-së mundësinë për ta kritikuar në mënyrë thelbësore. Ajo u soll dhe po sillet si një qeverisje tërësisht e djathtë, duke e bërë kësisoj tërësisht të pavlefshme kritikën e kursit të saj prej pozitash të djathta. A ka ndodhur kjo si rezultat i kushtëzimit prej kupolës së nginjur në biznesmenë të PS-së, apo po ndodh si rezultat i thjesht paaftësisë së së kësaj të fundit për të përputhur imazhin që i krijoi vetes me aftësitë reale? Këtë nuk e dimë ende.

Ajo që dimë është se mazhorancës aktuale pak gjë i ka mbetur nga sharmi liberator i kohës kur ishte në opozitë. I ka marrë lumi frymëzimet e saj pro shtresave të varfëra apo shprehjet e preokupuara të fytyrës duke dëgjuar ankesat e atyre që me zor ia dilnin të mbyllnin muajin. Teksa pulsonte me ankth për të marrë me çdo kusht pushtetin gati 1 vit e gjysmë më herët, Partia Socialiste pak shqetësohej për domethënien e premtimeve të saj në kushtet kur do të kishte pushtetin në dorë. Për të rimarrë një shprehje të shpërdoruar ditën e zgjedhjeve, PS shkoi shumë larg me populizëm. Aq larg sa çdo partiak i saj me mend, duhej vërtet të merakosej nëse kjo parti do të merrte pushtetin.

Mënyra më e mirë për të mbajtur një premtim është të mos e japësh atë, por ajo së cilës PS duhej t'i trembej më shumë, ndodhi – ajo e mori vërtet pushtetin. Tashmë rolet janë ndërruar. Së shpejti miratohet buxheti i dytë në pushtet për këtë qeveri dhe gradualisht gjysma e mandatit mund të quhet e ezauruar. Periudha e vrullit revolucionar të muajve të parë plot lyerje dhe emërime është tretur. Vendin e tyre tani e ka zënë një dimër i zymtë hesapesh, pagash që duhen shpërndarë, detyrimesh që duhen paguar, marrëveshjesh me FMN-në që u duhet bindur ose bërë rezistencë etj. Me pak fjalë, PS në pushtet po zbulon se të qeverisësh në mënyrë sociale, të majtë, nuk është aq bukë e djathë sa ç'dukej nga dritarja e opozitës.

Ku ndryshon një qeverisje e djathtë nga një e majtë zbulohet nga këndvështrimi i tyre mbi botën. Ky këndvështrim është ai që motivon jo thjesht llojin e punëve që kryen një qeveri, por edhe mënyrën sesi ajo i kryen këto punë. Nuk ia vlen tani të bëjmë një zbërthim akademik të asaj çka quhet këndvështrim i majtë dhe këndvështrim i djathtë i gjërave, por mjafton të themi se përmes syve të Partisë Demokratike, qeveria aktuale duket se jo thjesht ka shkelur vijën e demarkacionit duke hyrë ilegalisht në territore të djathta, por madje e ka bërë këtë me aq vrull saqë ka dalë matanë së djathtës. E parë si një grupim partiak tipik shqiptar, pa ideologji dhe pa asnjë aspiratë zhvillimore për vendin, PD është vërtetë në pikë të hallit. Ka të paktën, pesë pika thelbësore në qeverisjen e socialistëve, për të cilat në Partinë Demokratike – së paku ideologjikisht - nuk kanë çfarë të thonë:

1 - PD po shikon një qeveri që taksën e sheshtë nuk e këmbeu me atë progresiven, por me të vetmen taksë edhe më të keqe se e sheshta – taksën në formë rombi. Një tip takse allasoj, e qepur me porosi, e cila takson vërtet pak skamnorët ekstremë, po aq pak miliardierët dhe e derdh gjithë barrën mbi supet e shtresës së mesme. Por kjo shtresë e mesme në Shqipëri nuk është edhe aq e ndryshme nga ajo e varfëra në çdo vend normal. Ajo përbëhet prej mësuesish, pensionistësh, studentësh, punëtorësh dhe punëmarrësish të tjerë të specializuar, pra njerëz që kanë një të ardhur çfarëdo. As vetë Partia Demokratike në ëndrrën e saj më ekstremiste nuk do të kishte guxuar ta kryente këtë akt të pastër harakiri.

2 - Gjithashtu, PS po imponon një model të ashpër policor të zbatimit të padiskutueshëm të ligjit, pa u shqetësuar aspak – ashtu siç do të bënte çdo forcë e majtë – për një analizë me theks social të efikasitetit të ligjit që po zbatohet, kostove të tij humane, shtresave që penalizohen më shumë prej tij direkt ose indirekt, etj. Arrestimet e debitorëve të energjisë elektrike, rrënimet masive të burimeve të vogla të vetëpunësimit, fushatat e gjobave, etj. Të gjitha justifikohen me pretekstin e një projekti modernizues dhe shtetndërtues nga ana e qeverisë. Për një shoqëri që ka vuajtur rëndshëm nga disa forma totalitarizmi (pushtimi turk, zogizmi, enverizmi etj), qysh në këtë moment duhej të fillonin të binin sirenat e alarmit. Nuk ka asnjë projekt totalitarist në botë, qoftë fashist e qoftë stalinist, që nuk nis me premtimin e modernizimit. Madje modernizimit pa kompromis. Në fund të fundit, kredoja e gjithë këtij operacioni të dhimbshëm s'është gjë tjetër veçse rezonanca në kohë e aspiratës PD-iste “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Ideologjikisht, përsëri, selia blu s'ka asnjë argument ndaj qeverisë në këtë pikë.

3 – Tregu dhe punësimi janë një tjetër aspekt i pakritikueshëm nga ana e opozitës së djathtë tek mazhoranca tashmë po e djathtë. Nëse një nga kritikat më të ashpra të protestës së PD-së ishte pikërisht kjo – mungesa e punësimit – qeveria nxitoi qysh të nesërmen ta asgjësojë këtë pretendim me anë të një aksioni mediatik. Një biznes fason u inspektua, ca pamje grash të përkulura mbi punë u publikuan, disa fytyra të lumtura biznesmenësh dhe qeveritarësh u filmuan krah për krah dhe misioni u quajt i realizuar: punësimi po lulëzon, tregu e ka zgjidhur, ata që ankohen – shpifin. Një qeveri e majtë do të duhej të shpallte projektin e saj për punësime publike. Por duke mos pasur as mundësi e as dëshirë të jetë e majtë, PS vazhdoi të bëjë pikërisht atë që ka bërë PD për 8 vjet në pushtet – të kompensojë me lehtësirat ndaj biznesit që hap vende pune paaftësinë e saj për të hapur konkretisht, vetë, fronte pune.

4 – Marrdhënia me biznesin e qeverisë së vetëquajtur të majtë, do t'u ngjallte zilinë edhe nxënësve më të zellshëm të shkollës së Çikagos. Ndër aktet e para të zotit Rama në qeveri, ishte vendimi për të hequr një llokmë të mirë parash nga buxheti i shqiptarëve dhe devijimi i tyre për të kryer atë që me gjuhë skenike u quajt “pagim borxhi” ndaj biznesit. Pa hyrë në detaje se sa i verifikuar ishte ky borxh, sa i merituar pagimi i tij, sa i rëndësishëm për ekonominë pagimi i tij urgjent, etj, ka këtu brenda dy aspekte. Dy aspekte problematike ama, që e bëjnë zellin e neoliberalëve të qeverisë të tejkalojë çdo oreks djathtist. Së pari preokupimi për të begenisur biznesmenët dhe të pasurit, u krye në një mënyrë tërësisht të shproporcionuar me atë për të shlyer një borxh tjetër, më të madh dhe më jetik se borxhi ndaj biznesit: ai është borxhi ndaj publikut. Ky është një borxh në shërbime të padhëna, standarde punësh publike të shkelura, cilësi jete të shkatërruar etj. Së dyti, duke krijuar psikozën e një gjendje të përgjithshme faji dhe borxhliu ndaj të pasurve, kjo qeveri “e të gjithëve” po synon të vrasë ngritjen e një ndërgjegjeje sociale më tepër llogari-kërkuese, më pak të kompleksuar nga dhuna e kapitalit dhe më tepër të sigurt nga mbështetja e qeverisë së vet. Nëse PD do të ishte në pushtet, s'ka dyshim se do të kishte vepruar njëlloj.

5 - PS nuk po i lë gjë mangut PD-së as në menaxhimin që ajo po i bën trashëgimisë së majtë të Shqipërisë. Ndonëse një rezervë e madhe votash në favor të kësaj partie vijnë pikërisht nga ish-pjesëmarrës të luftës antifashiste apo kontributorë idealistë dhe naivë të ndërtimit të një Shqipërie të re socialiste pas luftës, qeveria e sotme po vazhdon retorikën e paraardhëses së saj në raport me këtë të shkuar jo edhe aq të largët. Ajo për të cilën Partia Demokratike kritikohej në logjikën e saj ekstremiste të gjykimit të Luftës Antifashiste nga njëra anë dhe Diktaturës Staliniste nga ana tjetër ishte e thjeshtë. Nga njëra anë, PD mundohej të zhvishte luftën antifashiste nga komponenti komunist dhe meritat e liderit komunist Enver Hoxha në të, ndërsa nga ana tjetër ndiqte standard të kundërt në rastin e vlerësimit të diktaturës staliniste pas saj. Ajo i mvishte çdo aspekti të saj anormal markën “komuniste” dhe përgjegjësinë personale të Enver Hoxhës. Sigurisht edhe në këtë pikë, një debat serioz dhe shterues është ende në pritje për t'u zhvilluar në Shqipëri. Ajo që konstatojmë është se edhe Partia Socialiste në pushtet, po dëshmon një paaftësi perfekte për ta trajtuar me objektivitet këtë çështje dhe për ta futur atë në rrugën e zgjidhjes. E vetmja gjë që po bën ajo, është të fryjë në mënyrë të papërgjegjshme edhe më shumë polarizimin mes qytetarëve dhe të ushqejë legjenda urbane bunkerësh për arsye publiciteti ndërkombëtar denigrues për shqiptarët. Fundja, jo edhe aq ndryshe nga ç'do të bënte Sali Berisha.

Lista sigurisht që mund të vazhdonte më gjatë, duke sjellë këtu edhe përputhshmërinë e plotë ideologjike të PS-së me PD-në edhe në aspekte të tjera të qeverisjes aktuale në Shqipëri. Marrdhënia me fenë dhe laicitetin e shtetit, vasaliteti diplomatik, nëpërkëmbja e universitarizmit, uria për kontroll të drejtësisë etj, janë disa (vetëm nëse duhen përmendur disa të tilla).

Askush nuk do të donte të ishte në krye të një opozite të djathtë në kushte të tilla, kur qeveria të vjedh jo thjesht idenë, punën dhe metodat e punës, por e bën këtë edhe duke u vetëquajtur gjithë ditën e ditës “e majtë”. Prandaj intifada e PD-së ngjan aq e trishtueshme dhe aq e dëshpëruar në përpjekjen e saj për të nxitur PS-në të zbatojë premtimet e saj, pra të kthehet aty ku ka shtratin ideologjik. Prandaj Luli duhet mëshiruar vërtet në ngjirjet e tij ilarizuese të zërit në mitingje. Ajo nuk është një ngjirje e zakonshme. Eshtë klithma e një viktime të grabitur.
Sokol Shameti