Partia Demokratike duhej të ishte sot subjekti politik më i lumtur
për mënyrën sesi po qeveriset Shqipëria. Nëse – ashtu siç teorizon
rëndom PD – gjithçka që ajo aspiron nuk është pushteti i vet partiak por
mbrothtësia e përgjithshme, atëherë, ajo mund të rrijë e qetë:
socialistët në pushtet po sillen pikë për pikë siç do të ëndërronin ata.
Vërtet këta po tradhtojnë premtimet e tyre elektorale që kundërmonin
blair-izëm dhe rrugëtretizëm në krye të herës. Por, në nivel narrativ, a
nuk ishte PD gjatë fushatës kundër premtimeve të PS-së? A nuk
paralajmëronin ata, se po të zbatoheshin planet e së majtës ato do të
shkaktonin apokalipsin mbi faqe të dheut? A nuk këmbëngulte PD se rruga e
vetme funksionale për vendin ishte ajo e tyrja, e djathta: taksa të
ulëta për të pasurit, tregu-magjistar që zgjidh papunësinë, varfërinë e
gjithçka, e kaluara - kontejner që mund të mbartë fajin për çdo
mbrapshti të sotme, etj? Na falni zotërinj të djathtë, por a nuk po bën
PS pikërisht këtë? Ndonëse nuk janë në pushtet nominalisht, këta të
PD-së minimalisht mund të ngushëllohen: duke shkelur premtimet e saj, PS
po e qeveris Shqipërinë ashtu siç do të donin të djathtët. Të paktën
ata ideologjikët mes tyre.
Në këtë kontekst, protesta masive e
PD-së me kredon e saj, mbaj premtimet ose largohu, tingëllon më e pakta
një absurditet po aq masiv sa edhe pjesmarrja në të. Megjithatë, ky
është vetëm një zbërthim i pjesshëm i kuptimit të kësaj proteste, brenda
përpjekjes sizifiane të PD-së për të organizuar ndonjë lloj lëvizjeje
frymëzuese kundër qeverisë. Tensioni më i madh që ka kjo parti sot,
është pikërisht ky: të gjejë një lajtmotiv për intifadën e vet e cila
për të synon, ashtu si për çdo klub tjetër partiakësh në Shqipëri, të
rrimarë territor politik, pushtet dhe akses në fonde publike për
anëtarët e vet.
Por jemi në Shqipëri, në skenën e saj
pseudopolitike. Gjithçka shitet për “politikë” prej protagonistëve të
kësaj skene, është thjesht një depozitë antagonizmi bosh. Brenda
abstracizmit të këtij këndvështrimi, skuadrat partiake tek ne, nëse nuk
kanë një kundërshtar imagjinar, nuk mund të realizojnë vetveten. Pra,
antagonizmi me çdo kusht, edhe nëse s'ekziston askush ndaj kujt të jesh
antagonist në fushën tënde është kriter bazë me anë të të cilit PS ose
PD mund të justifikojnë veten. Pa këtë cak përplasjeje, pa këtë makinë
që të vjen përballë me tërsëllimë, retorika e tyre nuk funksionon,
militantët nuk galvanizohen dhe – paradoksale por - vdekja si subjekt
është afër.
Prej afro një viti e gjysmë në pushtet, Partia
Demokratike ka vuajtur më shumë se prej traumës së rrëzimit, prej
mungesës së shënjestrës. Duket tërësisht i sforcuar dhe zgjidhje
emergjente preteksti që PD po përdor për braktisjen e Kuvendit – rrahjet
mes deputetëve për çështje aspak të rëndësishme për qytetarin. Arsyeja
për degradimin në këtë derexhe banale të të gjithë papajtueshmërisë
politike tek ne, vjen në fakt si arsye e një anomalie të madhe. Qysh në
muajt e parë të pushtetit, partia socialiste ia hoqi PD-së mundësinë për
ta kritikuar në mënyrë thelbësore. Ajo u soll dhe po sillet si një
qeverisje tërësisht e djathtë, duke e bërë kësisoj tërësisht të
pavlefshme kritikën e kursit të saj prej pozitash të djathta. A ka
ndodhur kjo si rezultat i kushtëzimit prej kupolës së nginjur në
biznesmenë të PS-së, apo po ndodh si rezultat i thjesht paaftësisë së së
kësaj të fundit për të përputhur imazhin që i krijoi vetes me aftësitë
reale? Këtë nuk e dimë ende.
Ajo që dimë është se mazhorancës
aktuale pak gjë i ka mbetur nga sharmi liberator i kohës kur ishte në
opozitë. I ka marrë lumi frymëzimet e saj pro shtresave të varfëra apo
shprehjet e preokupuara të fytyrës duke dëgjuar ankesat e atyre që me
zor ia dilnin të mbyllnin muajin. Teksa pulsonte me ankth për të marrë
me çdo kusht pushtetin gati 1 vit e gjysmë më herët, Partia Socialiste
pak shqetësohej për domethënien e premtimeve të saj në kushtet kur do të
kishte pushtetin në dorë. Për të rimarrë një shprehje të shpërdoruar
ditën e zgjedhjeve, PS shkoi shumë larg me populizëm. Aq larg sa çdo
partiak i saj me mend, duhej vërtet të merakosej nëse kjo parti do të
merrte pushtetin.
Mënyra më e mirë për të mbajtur një premtim
është të mos e japësh atë, por ajo së cilës PS duhej t'i trembej më
shumë, ndodhi – ajo e mori vërtet pushtetin. Tashmë rolet janë ndërruar.
Së shpejti miratohet buxheti i dytë në pushtet për këtë qeveri dhe
gradualisht gjysma e mandatit mund të quhet e ezauruar. Periudha e
vrullit revolucionar të muajve të parë plot lyerje dhe emërime është
tretur. Vendin e tyre tani e ka zënë një dimër i zymtë hesapesh, pagash
që duhen shpërndarë, detyrimesh që duhen paguar, marrëveshjesh me FMN-në
që u duhet bindur ose bërë rezistencë etj. Me pak fjalë, PS në pushtet
po zbulon se të qeverisësh në mënyrë sociale, të majtë, nuk është aq
bukë e djathë sa ç'dukej nga dritarja e opozitës.
Ku ndryshon një
qeverisje e djathtë nga një e majtë zbulohet nga këndvështrimi i tyre
mbi botën. Ky këndvështrim është ai që motivon jo thjesht llojin e
punëve që kryen një qeveri, por edhe mënyrën sesi ajo i kryen këto punë.
Nuk ia vlen tani të bëjmë një zbërthim akademik të asaj çka quhet
këndvështrim i majtë dhe këndvështrim i djathtë i gjërave, por mjafton
të themi se përmes syve të Partisë Demokratike, qeveria aktuale duket se
jo thjesht ka shkelur vijën e demarkacionit duke hyrë ilegalisht në
territore të djathta, por madje e ka bërë këtë me aq vrull saqë ka dalë
matanë së djathtës. E parë si një grupim partiak tipik shqiptar, pa
ideologji dhe pa asnjë aspiratë zhvillimore për vendin, PD është vërtetë
në pikë të hallit. Ka të paktën, pesë pika thelbësore në qeverisjen e
socialistëve, për të cilat në Partinë Demokratike – së paku
ideologjikisht - nuk kanë çfarë të thonë:
1 - PD po shikon një
qeveri që taksën e sheshtë nuk e këmbeu me atë progresiven, por me të
vetmen taksë edhe më të keqe se e sheshta – taksën në formë rombi. Një
tip takse allasoj, e qepur me porosi, e cila takson vërtet pak skamnorët
ekstremë, po aq pak miliardierët dhe e derdh gjithë barrën mbi supet e
shtresës së mesme. Por kjo shtresë e mesme në Shqipëri nuk është edhe aq
e ndryshme nga ajo e varfëra në çdo vend normal. Ajo përbëhet prej
mësuesish, pensionistësh, studentësh, punëtorësh dhe punëmarrësish të
tjerë të specializuar, pra njerëz që kanë një të ardhur çfarëdo. As vetë
Partia Demokratike në ëndrrën e saj më ekstremiste nuk do të kishte
guxuar ta kryente këtë akt të pastër harakiri.
2 - Gjithashtu,
PS po imponon një model të ashpër policor të zbatimit të padiskutueshëm
të ligjit, pa u shqetësuar aspak – ashtu siç do të bënte çdo forcë e
majtë – për një analizë me theks social të efikasitetit të ligjit që po
zbatohet, kostove të tij humane, shtresave që penalizohen më shumë prej
tij direkt ose indirekt, etj. Arrestimet e debitorëve të energjisë
elektrike, rrënimet masive të burimeve të vogla të vetëpunësimit,
fushatat e gjobave, etj. Të gjitha justifikohen me pretekstin e një
projekti modernizues dhe shtetndërtues nga ana e qeverisë. Për një
shoqëri që ka vuajtur rëndshëm nga disa forma totalitarizmi (pushtimi
turk, zogizmi, enverizmi etj), qysh në këtë moment duhej të fillonin të
binin sirenat e alarmit. Nuk ka asnjë projekt totalitarist në botë,
qoftë fashist e qoftë stalinist, që nuk nis me premtimin e modernizimit.
Madje modernizimit pa kompromis. Në fund të fundit, kredoja e gjithë
këtij operacioni të dhimbshëm s'është gjë tjetër veçse rezonanca në kohë
e aspiratës PD-iste “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.
Ideologjikisht, përsëri, selia blu s'ka asnjë argument ndaj qeverisë në
këtë pikë.
3 – Tregu dhe punësimi janë një tjetër aspekt i
pakritikueshëm nga ana e opozitës së djathtë tek mazhoranca tashmë po e
djathtë. Nëse një nga kritikat më të ashpra të protestës së PD-së ishte
pikërisht kjo – mungesa e punësimit – qeveria nxitoi qysh të nesërmen ta
asgjësojë këtë pretendim me anë të një aksioni mediatik. Një biznes
fason u inspektua, ca pamje grash të përkulura mbi punë u publikuan,
disa fytyra të lumtura biznesmenësh dhe qeveritarësh u filmuan krah për
krah dhe misioni u quajt i realizuar: punësimi po lulëzon, tregu e ka
zgjidhur, ata që ankohen – shpifin. Një qeveri e majtë do të duhej të
shpallte projektin e saj për punësime publike. Por duke mos pasur as
mundësi e as dëshirë të jetë e majtë, PS vazhdoi të bëjë pikërisht atë
që ka bërë PD për 8 vjet në pushtet – të kompensojë me lehtësirat ndaj
biznesit që hap vende pune paaftësinë e saj për të hapur konkretisht,
vetë, fronte pune.
4 – Marrdhënia me biznesin e qeverisë së
vetëquajtur të majtë, do t'u ngjallte zilinë edhe nxënësve më të
zellshëm të shkollës së Çikagos. Ndër aktet e para të zotit Rama në
qeveri, ishte vendimi për të hequr një llokmë të mirë parash nga buxheti
i shqiptarëve dhe devijimi i tyre për të kryer atë që me gjuhë skenike u
quajt “pagim borxhi” ndaj biznesit. Pa hyrë në detaje se sa i
verifikuar ishte ky borxh, sa i merituar pagimi i tij, sa i rëndësishëm
për ekonominë pagimi i tij urgjent, etj, ka këtu brenda dy aspekte. Dy
aspekte problematike ama, që e bëjnë zellin e neoliberalëve të qeverisë
të tejkalojë çdo oreks djathtist. Së pari preokupimi për të begenisur
biznesmenët dhe të pasurit, u krye në një mënyrë tërësisht të
shproporcionuar me atë për të shlyer një borxh tjetër, më të madh dhe më
jetik se borxhi ndaj biznesit: ai është borxhi ndaj publikut. Ky është
një borxh në shërbime të padhëna, standarde punësh publike të shkelura,
cilësi jete të shkatërruar etj. Së dyti, duke krijuar psikozën e një
gjendje të përgjithshme faji dhe borxhliu ndaj të pasurve, kjo qeveri “e
të gjithëve” po synon të vrasë ngritjen e një ndërgjegjeje sociale më
tepër llogari-kërkuese, më pak të kompleksuar nga dhuna e kapitalit dhe
më tepër të sigurt nga mbështetja e qeverisë së vet. Nëse PD do të ishte
në pushtet, s'ka dyshim se do të kishte vepruar njëlloj.
5 - PS
nuk po i lë gjë mangut PD-së as në menaxhimin që ajo po i bën
trashëgimisë së majtë të Shqipërisë. Ndonëse një rezervë e madhe votash
në favor të kësaj partie vijnë pikërisht nga ish-pjesëmarrës të luftës
antifashiste apo kontributorë idealistë dhe naivë të ndërtimit të një
Shqipërie të re socialiste pas luftës, qeveria e sotme po vazhdon
retorikën e paraardhëses së saj në raport me këtë të shkuar jo edhe aq
të largët. Ajo për të cilën Partia Demokratike kritikohej në logjikën e
saj ekstremiste të gjykimit të Luftës Antifashiste nga njëra anë dhe
Diktaturës Staliniste nga ana tjetër ishte e thjeshtë. Nga njëra anë, PD
mundohej të zhvishte luftën antifashiste nga komponenti komunist dhe
meritat e liderit komunist Enver Hoxha në të, ndërsa nga ana tjetër
ndiqte standard të kundërt në rastin e vlerësimit të diktaturës
staliniste pas saj. Ajo i mvishte çdo aspekti të saj anormal markën
“komuniste” dhe përgjegjësinë personale të Enver Hoxhës. Sigurisht edhe
në këtë pikë, një debat serioz dhe shterues është ende në pritje për t'u
zhvilluar në Shqipëri. Ajo që konstatojmë është se edhe Partia
Socialiste në pushtet, po dëshmon një paaftësi perfekte për ta trajtuar
me objektivitet këtë çështje dhe për ta futur atë në rrugën e zgjidhjes.
E vetmja gjë që po bën ajo, është të fryjë në mënyrë të papërgjegjshme
edhe më shumë polarizimin mes qytetarëve dhe të ushqejë legjenda urbane
bunkerësh për arsye publiciteti ndërkombëtar denigrues për shqiptarët.
Fundja, jo edhe aq ndryshe nga ç'do të bënte Sali Berisha.
Lista
sigurisht që mund të vazhdonte më gjatë, duke sjellë këtu edhe
përputhshmërinë e plotë ideologjike të PS-së me PD-në edhe në aspekte të
tjera të qeverisjes aktuale në Shqipëri. Marrdhënia me fenë dhe
laicitetin e shtetit, vasaliteti diplomatik, nëpërkëmbja e
universitarizmit, uria për kontroll të drejtësisë etj, janë disa (vetëm
nëse duhen përmendur disa të tilla).
Askush nuk do të donte të
ishte në krye të një opozite të djathtë në kushte të tilla, kur qeveria
të vjedh jo thjesht idenë, punën dhe metodat e punës, por e bën këtë
edhe duke u vetëquajtur gjithë ditën e ditës “e majtë”. Prandaj intifada
e PD-së ngjan aq e trishtueshme dhe aq e dëshpëruar në përpjekjen e saj
për të nxitur PS-në të zbatojë premtimet e saj, pra të kthehet aty ku
ka shtratin ideologjik. Prandaj Luli duhet mëshiruar vërtet në ngjirjet e
tij ilarizuese të zërit në mitingje. Ajo nuk është një ngjirje e
zakonshme. Eshtë klithma e një viktime të grabitur.
Sokol Shameti