Kjo, s’është lufta finale. Më 1914, Shqipëria e Luftës së
Parë botërore ishte ferri mbi tokë. Njëqind vjet më vonë, më 2014 ajo është sërish
një fushëbetejë tritoli, bombash e alarmesh, por të vetmes bombë që duhej t’i
kishte përfunduar fitili djegës me kohë, po mundohen t’ia asfiksojnë lëndën
plasëse me çdo kusht. Kjo është “bomba” sociale e realitetit ku ndodhet
aktualisht pjesa dërrmuese e njerëzve që banojnë këtë territor.
Gjithëfarëlloj hesapesh lahen përditë në Shqipëri duke përdorur
mjetin e vjetër, të zhurmshëm e njëherit elokuent, të eksplozivit. Vetëm hesapi
kryesor, ai i madhi që do t’i shihte njerëzit të linin në mes luftën shfarosëse
mes vedi për ta drejtuar zemërimin kah vatra e vërtetë e infeksionit – kasta
sunduese – nuk është pjesë e planit të askujt. Ky është treguesi sesi tensioni
në këtë shoqëri sistematikisht të dhunuar po ezaurohet në mënyrë vetëvrasëse midis
anëtarëve të saj. Vetë konflikti është shndërruar në një koleksion guerriljesh
vetiake për çështje tërësisht personale. Ky gërrmërr i pandalshëm bën punën e
një lloj motori që përmes djegies së kuajfuqive të veta të brendshme, tërheq
mbi shpinë tërë karrocerinë e sistemit.
Edhe 1 Maji i këtij viti po shpërdoron një tjetër shans që
mund të shërbente për t’i dhënë fund komedisë së zezë që vazhdon të luhet mbi
skenën e tragjedisë së tejzgjatur shqiptare. Arsyet për ta shpërthyer mu në mes
të kësaj skene bombën e një revolte të përligjur sociale dhe politike (kujdes:
detyrimisht politike dhe absolutisht jo partiake) - do të ishin të shumta.
Prej të paktën një viti, Shqipëria është një vend jo vetëm i
varfër e i abuzuar po aq sa më parë, por tashmë edhe i zhgënjyer. Papunësia gërryese
që pritej të zhdukej nga qeveria e re, tani mundohet të maskohet me metoda më
arrogante se ato të qeverisë së kaluar, asaj haptaz-djathtistes. Armata e madhe
e të papunëve e cila mbetet këmbëngulëse përherë aty, po përdoret ndërkohë si
një kobure kërcënuese për ata pak shqiptarë që e kanë një punë. Përballë hijes
së saj kanosëse, këta të punësuar pranojnë të shtypen në mënyrë monstruoze nga
punëdhënësit e tyre.
Po ashtu hapësira e shprehjes së papajtueshmërisë sa vjen e
po ngushtohet. Kabineti qeveritar tashmë refuzon deri të shohë realitetin nëse
s’është filtruar më parë përmes syzeve rozë të marrdhënieve publike. Ai po
orkestron një censurë e cila ngjan sikur po zbatohet në një vend që s’ka për të
marrë statusin e BE-së në qershor. Për të drejta punonjësish as që flitet. Shumica
e shqiptarëve të angazhuar në forcën punëtore sot, mbahen nën kushtet e
shantazhit të përhershëm e të heshtur i cili ua vjedh gradualisht
produktivitetin, qetësinë, shëndetin dhe dinjitetin. Kontratat e punës janë
letra higjienike të mbushura me varganë detyrimesh për punëmarrësit e me
rreshta të pafundëm abuzivë kushtesh favorizuese për punëdhënësit. Sindikatat
janë një barceletë e partiakizuar skajshëm. Shoqëria civile, një pazar plaçkash
të përdorura.
Sikur të mos mjaftonte kjo, vendi ndodhet aktualisht në mes
të një vale të ashtuquajturash “reforma” të cilat në të vërtetë janë një
koncert i paturp tallës me shqiptarët. Përmes topitjes së përgjithshme dhe
qorrllëkut të së majtës radikale që është kthyer në një injeksion anestezie në
shërbim të pushtetit, Shqipëria po përgatitet të kryejë reforma në arsim, pensione
dhe territor.
Reforma arsimore për herë të parë në historinë e Evropës sociale
po hakërrehet se do të devijojë hapur para të buxhetit publik që mblidhen nga
populli, drejt xhepave të universiteteve private ku shkojnë të pasurit ngaqë
nuk preferojnë universitetet e popullit. Po të ndodhte në Francë ajo që po
mundohet të zbatojë qeveria “e majtë” me arsimin në Shqipëri, atëherë studentët
e këtij 1 maji do t’i bënin ata të 1 majit të 1968-ës të dukeshin si trupë
valltarësh tangoje.
Reforma territoriale mban edhe ajo të fshehur tinëzisht
brenda saj armiqësinë ndaj qytetarit. Me një akt që po kamuflohet si “kujdes për
pakicat etnike”, reforma në fjalë synon të thellojë edhe më tej humnerën që
ndan sot qytetarët shqiptarë të përkatësive të ndryshme etnike. Ai synon që në
secilin territor të Shqipërisë ku gjuha amtare nuk është vetëm shqipja, të
krijojë disa rezervate të privilegjuara të ngjashme me Graçanicën serbe të
Kosovës. Prej 20 vjetësh në Shqipëri shkollat e minoritetit dhe ato të
mazhoritetit përgatisin armiq të së ardhmes mes fëmijëve të cilëve u mësojnë të
urrehen për shkak të gjuhës edhe pse ndajnë të njëjtën varfëri dhe shtypje
sociale. Tashmë kufiri do të bëhet edhe territorial; komunikimi midis shqiptarëve
dhe minoritarëve qoftë edhe për arsye burokratike, do të jetë edhe më i paktë.
Armiqësia e së nesërmes, edhe më e fortë. Përçarja, më efikase. Manipulimi, më
i sigurt dhe sundimi më total.
Por nëse në çdo vend tjetër normal, do të mjaftonin edhe vetëm
këto shembuj për ta hedhur popullin në barrikada në rrugë, në Shqipëri ka edhe
më. Reforma e pensioneve është edhe më skandaloze ndaj për këtë arsye, edhe më
e mediatizuar dhe e mbuluar me fjalë kumbuese për ta shitur si sukses.
Ministria e mirëqenies dhe rinisë ka marrë përsipër të udhëheqë një kurs aq
ekstremist të djathtë të rritjes galopante të moshës së pensionit të pleqërisë,
saqë do ta kishte zili edhe Kili i Pinoçetit. Pësuesit e kësaj reforme quhen
nga qeveria “përfitues”. Në një ironi të zezë e të pacipë, shqiptarëve që e kanë
moshën mesatare 20 vjet më të ulët se japonezët apo suedezët, u thuhet se për
shkak të rritjes së jetëgjatësisë do të dalin në pension shumë më vonë se këta
të fundit. Një i ri i sapodiplomuar që do të hynte në punë në janar të vitit
tjetër duhet të shtrëngojë rrypin edhe për muaj të tjerë, derisa të lirohet
vendi në të cilin qeveria po shtrydh një të moshuar i cili po ngjit me mundim
metrat e fundit të malores së jetës.
Në një kontekst si ky, vigjilja e 1 majit në Shqipëri do të
duhej realisht të mbante erë revolte. Në të vërtetë, ajo mban erë tradhtie. Po
si ka mundësi që po ndodh kjo? Si mund të çmontohet me kaq lehtësi një bombë si
kjo që duket sikur dita ditës do të shpërthejë – e madje që duket se është një
mrekulli që s’ka plasur deri tani?
Pika ku ndodhemi është kjo: reagimin civil e kanë marrë në
dorë celulat jozyrtare rinore të kastës partiake që alternon pushtetin çdo katër
vjet. Këto trupa xheniere, okupatorë të fushë-protestës ofrohen sot në formate të
ndryshme në Shqipëri. Ata janë krijesë e së njëjtës ideologji neoliberale të
ekonomisë së tregut e cila e ka kthyer në supermarket edhe vetë politikën,
sindikalizmin, shoqërinë civile e çdo gjë tjetër. Vitrina e protestës rreket të
plotësojë edhe ajo kushtin bazë të kërkesë-ofertës. Ajo prezanton një larmi të atillë
e cila synon ta mbingopë urinë e ngutshme të klasës politike për idiotë që
tregohen me gisht. Nga ana tjetër, përmes teprimit me larmi, ajo synon të
krijojë konfuzion, copëzim e në fund edhe çaktivizim të mekanizmit shpërthyes
brenda minës sociale në Shqipëri.
Kjo është arsyeja pse “pronarët” e 1 majit, na shfaqen sot të
veshur tebdil: ca si patriotë, ca si revolucionarë. Ama të dyja këto nënprodukte
të skenës defektoze politike në Shqipëri janë thjesht objekte të
paidentifikuara fluturuese që orbitojnë posaçërisht secila përreth yllit të vet
polar, qendrës së vet punëdhënëse.
Kështu, ndërsa pseudo-patriotët janë sateliti spiun i së
djathtës që godet me topin e retorikës së vet të ashpër sundimtarët në pushtet
por jo edhe aq të ashpër ata në opozitë; pseudo-revolucionarët majtistë janë
sputniku që asgjëson për vdekje nga distanca këmishëzinjtë e opozitës, ndërsa
thjesht u bën rikoshetë atyre të pushtetit.
Ky është në fund të ditës edhe funksioni që kanë këto
agjenci shërbimesh partiake. Nga njëra anë ata duhet të kënaqin syrin e atyre që
mendojnë se statuskuoja në Shqipëri mund të ndryshojë vetëm përmes aksionit
kundër stabilimentit politik; t’u japë atyre nga një lodër me të cilën të
engledisen në ditën kur mund të ishin duke vërvitur bomba Molotov; t’i veshë me
flamur me shkabë ose bluza me çegevarë; t’u kënaqë egon me sllogane në dukje
denigruese ndaj kastës – por sigurisht jo ndaj TË GJITHË kastës – t’i vërë të
valëvisin banderola, flamuj, postera, të lexojnë kërkesa, ndoshta edhe t’i
“krruajë” nga një çikë me policinë a mbase edhe me njëri tjetrin.
Në fund, duhet që vetë këto lëvizje të shërbejnë si
emulacion në tabelën e së cilit të gjithë të shohin sa të çekuilibruar dhe
qesharakë janë ekstremistët. Mbi të gjitha, njerëzit duhet të shohin se sa ekstremiste
është të protestosh për të drejtat e tua në këtë vend. Këto lëvizje duhet të
ilustrojnë përmes paaftësisë artikuluese të lidershipit përkatës, përmes sharlatanizmit
dhe fytyrës së tyre karikatureske, sesi pushteti është tepër i madh dhe
kompleks për t’u vënë seriozisht në pikëpyetje.
Duke e shfryrë bombën sociale shqiptare brenda një karnevali
butaforik të veshur me citate nga të teatrove të kohës së Enver Hoxhës plot
heroizëm folk dhe revolucionar, ata po mundohen t’i vënë emrin “luftë” diçkaje që
është në të vërtetë një formë manipulimi masiv. Ashtu si ripërtypjet e bollëkut
të mohuar në festimet e 1 majëve të dikurshëm, kjo është skërmitje e një lufte
të mohuar. Luftë, e cila sigurisht, vetëm ajo finalja s’mund të jetë.
Sokol Shameti
No comments:
Post a Comment