Nga Sokol Shameti
Gjenden ende njerëz që mendojnë se shoqëritë njerëzore e përmbajnë brenda natyrës së vet prirjen për auto-emancipim: sot jemi më të avancuar se dje; nesër do të jemi shumë më përpara shoqërisht, se sot. Ky pohim evokon fatkeqësisht një ftesë paralizuese. Një strukturë mendore që të zhvesh nga pjesëmarrja dhe të redukton në pësues. Një ftesë për të hequr dorë nga nxitja drejt përparimit dhe për ta lënë gjithçka në kompetencën e një agjencie supreme; diçkaje të pakontrollueshme siç është vetë koha apo karakteri i shoqërisë njerëzore.
Dhe është e udhës të hiqet një verejtje e shkurtër historike këtu. A është televizioni që shohim sot, në lartësinë e misionit të tij emancipues sikundër ishte në vitet e rinisë së tij prej rockstari të zhvillimit, kampioni të çlirimit të mendjes, dhe Elvisi të good taste-it (për ta përshkruar përmes një figure mitike që u mundësua gjithsej prej vetë televizionit)? A është shëndeti i tij i painfektuar nga sëmundje vrasëse të sistemit të sotëm konsumist që josh kah paradoksi hedonistik dhe uniformizimi i të jetuarit?
Nuk është e paktë literatura që përshkruan robërinë e shoqërisë së sotme nën magjinë pushtuese të ekranëve xixëllues që siç i përshkruan Ervin Hatibi, janë vatrat moderne pa zjarr dhe tym të çdo shtëpie që kanë zëvendësuar vatrat e dikurshme rreth prushit të të cilave mblidhej gjithë familja në një ritual të përnatshëm nderimi. Ndërkaq është i paktë, pothuaj i pa pranishëm, sinjalizimi i televizionit si një skllav i imagjinatës përherë e më perverse të vetë shoqërisë së cilës i shërben. Të një shoqërie që funksionon në disa kushte sociale që ia zvetënojnë asaj karakterin duke e shtyrë drejt perversionit të pandalshëm, duke e kthyer kësisoj në një fëmijë të prapë, të pakënaqur e sidomos, të pakënaqshëm.
Gjenden ende njerëz që mendojnë se shoqëritë njerëzore e përmbajnë brenda natyrës së vet prirjen për auto-emancipim: sot jemi më të avancuar se dje; nesër do të jemi shumë më përpara shoqërisht, se sot. Ky pohim evokon fatkeqësisht një ftesë paralizuese. Një strukturë mendore që të zhvesh nga pjesëmarrja dhe të redukton në pësues. Një ftesë për të hequr dorë nga nxitja drejt përparimit dhe për ta lënë gjithçka në kompetencën e një agjencie supreme; diçkaje të pakontrollueshme siç është vetë koha apo karakteri i shoqërisë njerëzore.
Si një nga mrrokllat më të festuara në nxitjen e
progresit të njeriut, televizioni dallon në këtë debat si parja e kuqe poetike mes
një sfondi të mërzitshëm gri proze administrative. Televizioni është kopertina,
rrufepritësja më e lartë, ajo që bie më tepër në sy; krejt si një aktor i
pajtuar për të mbajtur një monolog dy orësh në një skenë, ai është pa rrugëdalje
në fokusin e shikimit të të gjithëve. Por mbase edhe jo krejt padrejtësisht.
Dhe është e udhës të hiqet një verejtje e shkurtër historike këtu. A është televizioni që shohim sot, në lartësinë e misionit të tij emancipues sikundër ishte në vitet e rinisë së tij prej rockstari të zhvillimit, kampioni të çlirimit të mendjes, dhe Elvisi të good taste-it (për ta përshkruar përmes një figure mitike që u mundësua gjithsej prej vetë televizionit)? A është shëndeti i tij i painfektuar nga sëmundje vrasëse të sistemit të sotëm konsumist që josh kah paradoksi hedonistik dhe uniformizimi i të jetuarit?
Fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet më dhe tashmë loja e
televizionit me teleshikuesin ka hyrë në dekadën e saj të dytë të një gjuetie të
ndërsjelltë. Skena është e hapur për sytë dhe interpretimin e të gjithëve: mund
të konstatojmë sesi teleshikuesi sa vjen e bëhet më absurd në kërkesat e veta përherë
e më të paqarta ndaj tezgës televizive, ndërsa vetë televizioni i alarmuar përgjigjet
duke eksperimentuar forma novatore përmes së cilave mungesa e gjësë brenda tezgës
justifikohet me numrin e madh të tezgave apo shumëngjyrësinë e tyre.
Nuk është e paktë literatura që përshkruan robërinë e shoqërisë së sotme nën magjinë pushtuese të ekranëve xixëllues që siç i përshkruan Ervin Hatibi, janë vatrat moderne pa zjarr dhe tym të çdo shtëpie që kanë zëvendësuar vatrat e dikurshme rreth prushit të të cilave mblidhej gjithë familja në një ritual të përnatshëm nderimi. Ndërkaq është i paktë, pothuaj i pa pranishëm, sinjalizimi i televizionit si një skllav i imagjinatës përherë e më perverse të vetë shoqërisë së cilës i shërben. Të një shoqërie që funksionon në disa kushte sociale që ia zvetënojnë asaj karakterin duke e shtyrë drejt perversionit të pandalshëm, duke e kthyer kësisoj në një fëmijë të prapë, të pakënaqur e sidomos, të pakënaqshëm.
Një vështrim mbi ekranë. Kaq mjafton dhe mund të hetohet
sesi përfundimisht, në këtë epokë historike, njerëzimi mund të thuhet pa frikë
se e ka humbur shpatën e vet, kurën shëruese në formën e një televizioni të
madh, përndritës dhe plotësues. Në vend të tij është televizioni që djersitet të
ngjajë i denjë, të plotësojë rolin e tij, të bëjë figurë të mirë.
Por kjo disfatë ka ardhur sepse televizioni ka humbur
koracën e vet, në formën e një shikuesi kritik, të qartë dhe të artikuluar në kërkesën
e vet ndaj televizionit. Njeriu i ditëve tona është i paqetë, i frustruar dhe i
papërqendruar. Televizioni i tij përmbledh të njëjtat epitete. Një marrdhënie psikiatrike
torture reciproke. Në një referencë religjoze, sikurse Zoti krijoi njeriun
sipas shëmbëlltyrës së vet, në rastin e televizionit kemi një “zot” të deformuar
sipas shëmbëlltyrës së njeriut të sotëm.
***
Çfarë po ndodh me televizionin nuk është fare larg asaj që
po ndodh me vetë audiencën e tij në jetën “jashtë” marrdhënies me televizionin.
Teleshikuesi është në një proces transformues që po e shndërron nga një
prodhues të specializuar e të domosdoshëm, në një qënie të vënë në pikëpyetje
dhe pa themele solide përballë një ekonomie globale vazhdimisht në shndërrim. Edhe
televizioni po reagon njëlloj. Edhe ai është tashmë i vënë në pikëpyetje dhe i
konkurruar. Në një shtyrje më ekstreme, ai deri orvatet të ngjajë me konkurrentët
e vet duke rezultuar në shembëlltyra transgresive herë të aparatit DVD, herë të
televizorit pay per view të hotelit luksoz, e herë të deri vetë internetit.
Publiku po thërrmijëzohet në miliona e miliarda njësi ku
joshja për uniformitet përjetohet në mënyrë individuale? Idem edhe televizioni
që furnizon këtë lloj publiku. Ai po platformizohet njëkohësisht duke u
atomizuar në specialitete e disiplina të ndara: një kanal vetëm për muzikën, një
për lajme, një për sport, një kanal vetëm për aventurë, një tjetër vetëm për
seks.
Njeriu i erës së re televizive shfaqet më i dobët cilësisht
në edukim, nivel kulturor dhe uniteti social? E njëjta gjë me televizionin që
krahasuar me vetëm pak dekada më parë, ofron gjithashtu produkte e personazhe
cilësisht më defektive në bagazhin e vet edukues, kulturor apo frymëzues.
Karakteri josfidues i televizionit po përftohet si pjesë
e denatyrimit të gjithçkaje në epokën ku jetojmë. Kërkesa për diçka radikalisht
të ndryshme në kontent, ka shkaktuar një ofertë të boshatisur nga përmbajtja.
Mjafton të shohim përreth dhe ajo që do të dallojmë nuk ndodh vetëm me
televizionin: jetojmë në kohëra kur çmohet më shtrenjtë kafja e dekafeinuar,
birra e dealkoolizuar, sheqeri i desheqerizuar dhe deri riprodhimi i defertilizuar.
Televizioni i një gjenerate është vitrina e saj. Ne s’jemi
gjë tjetër veçse historia që i tregojmë vetes rreth vetes. Realisht, një akt
auto-sabotazhi për të shënjuar pozicionin tonë social. Narrativë personale në
trajtë ideologjie të pastër për konsum të brendshëm. Televizioni që shohim është
ndërkaq mjeti difuziv i kësaj ideologjie sonës të ushtruar ndaj po nesh. Një
propagandë e re, që na gërryen gjatë kohës kur ne s’jemi të ndërgjegjshëm rreth
saj, për të na kthyer në kompatibël brenda këtij sistemi ku tregtohet asgjëja.
Shqetësimi është i pranishëm dhe shumë sensorë e kanë
kapur prej kohësh. E konstaton edhe Ardian Vehbiu në artikullin “Efekti
televiziv” të 19 nëntorit 2010: “Çuditërisht,
televizioni i sotëm në Shqipëri po ndihmon për të rikrijuar një botë të
mbyllur, të dominuar nga imazhi i kërthizës – kërthizës së botës, që është bërë tashmë
Shqipëria virtuale e mediumit televiziv, dhe kërthizave të vetes, që shohin në
ekranin-pasqyrë protagonistët e hiçit”. Dhe më tej: “…televizioni i
sotëm shqiptar, me gjithë pluralitetin fals të materialit që ofron, po vjen
duke e thelluar konsumin vetë-referencial nga publiku në përgjithësi dhe
qytetarët në veçanti. Ndërsa elitat vështrojnë veten në ekranet, publiku tjetër
zbavitet me reality shows, të
cilat ushqejnë iluzionin se kushdo mund të ngjitet në majë të piramidës”.
Televizioni si qark i mbyllur, në një karusel
personazhesh të selektuara nga kërkesa për të përfaqësuar të panevojshmen,
boshen, të kotën, është megjithatë vetëm njëra anë e medaljes; thjesht përkufizimi
gjenerik i asaj çka ofron si kontent kutia dikur e vogël dhe e mirë që tashmë edhe
vizualisht është shndërruar në një pllakë pa volum. Por kjo është vetëm maja e
ajsbergut.
Slavoj Zizek nënvizon deri praninë dërrmuese të
karaktereve sociopatike midis heronjve më të duartrokitur të serialëve
televizivë. “Këta pacientë patologjikë,
janë kudo. Nga përbindësha gangsterë si Tony Soprano-ja, serial-killerë si
Dexter-i, antiterroristë torturues si Jack Bauer-i e deri tek etër të dështuar
dhe primitivë si Homer Simpson-i”. Të mos i hyjmë me themel përvojës
shqiptare dhe “serialëve” tanë televizivë në trajtuar në formë superprodhimi lajmesh
nga bota e kriminalitetit: s’është e vështirë të krijosh një hitparade të
bollshëm sociopatësh nga who’s who’s-i i katalogut tonë të gangsterëve, vrasësve
e hajdutëve të pranuar si pika reference e të turlilloj gomerëve të katapultuar
pa asnjë seleksion, pa asnjë kontroll, pa asnjë frenim bash mu në pjatën e
atyre që hanë bukën e përnatshme televizive.
Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për këtë dominancë modelesh asgjësuese
të ngritur në lartësinë e emulacionit televiziv, përveç kalbëzimit të stofit
tonë social në një teleologji makabriteti politik; një shoqëri e cila ka nevojë
për sociopatët në mënyrë që të funksionojë normalisht në eskatologjinë e saj.
Rregullat e shoqërisë duhet të dhunohen si një mënyrë e vetme për të shpëtuar përfundimisht
vetë shoqërinë.
***
A po emigrojnë ndërkohë njerëzit larg prej televizionit? Shifrat
janë kontradiktore, por edhe domethënëse: Në një javë një amerikan shikon rreth
28 orë televizion dhe bisedon 38 minuta me fëmijët e tij. Nëse një banor i tokës
ka televizor në shtëpi ai e ndez atë mesatarisht 7 ditë në javë. Çdo fëmijë, përpara
se të arrijë moshën shkollore ka parë tashmë të kryhen rreth 8000 vrasje në
televizor. Rreth 75% e prindërve thonë se fëmijët e tyre shohin më shumë
televizion se ç’duhet. Etj, etj.
Njerëzit ndërkohë, si sardelet prej dritës, thuhet se tërhiqen
prej territoreve me përqendrim të lartë parash. Për herë të parë në histori,
shpenzimet e sektorit të reklamave në internet kapërcyen televizionin në një
ekonomi kryesore si ajo britanikja në vitin 2009. Prej atëherë prirja nuk ka
ndryshuar. Çdo akt refuzimi, siç dihet, është nga pak edhe një shenjë e dërguar
nga e ardhmja.
Televizioni që bota e sotme mban si pasqyrë përballë
vetes, sikurse diskutohet në debatet më të mëdha intelektuale në Perëndim,
rrezaton ekzistencën e një krize të fortë strukturore të sistemit kapitalist në
të cilin funksionon kjo shoqëri. Që shoqëria kapitaliste e konsumit të
funksionojë ka nevojë për dy kategori njerëzish. E para është kategoria e të inkuadruarve
në sistemin e pagës (ti ke një punë përmes së cilës ti prodhon diçka më shumë
sesa vlera me të cilën paguhesh). E dyta është kategoria e armatës së përhershme
kërcënuese të kësaj kategorie (njerëz të lënë në mënyrë të përkohëshme jashtë
sistemit të pagës, të cilët shërbejnë si një revolver i përhershëm në ndërgjegjen
e kategorisë së parë).
Ky lloj sistemi në sofistikimin e tij për të mbajtur përherë
në tension kategorinë e robërve të pagës, ka krijuar një varietet edhe më
perfekt të kategorisë së dytë të të papunësuarve. Ky është varieteti i njerëzve
të papunësueshëm. Ata janë fabrikuar që në gjenezë për të qenë jashtë sistemit
të prodhimit. Jo thjesht “intelektualët” e dikurshëm, apo artistët, letrarët,
politologët e filozofët. Sistemi superprodhon stoqe të rënda juristësh,
ekonomistësh, menaxherësh, modelësh gjithëfarësoj. Askush prej tyre nuk di sesi
gatuhet një bukë. Shumë prej tyre janë madje të ndërgjegjshëm që në vitet e
shkollës, se punësimi i tyre do të jetë një fantazmë që do t’i përndjekë gjer në
vdekje.
Televizioni ofron sot justifikimin për ekzistencën e kësaj
kategorie. Në televizion, njerëzit e shkëputur nga puna janë në shtëpinë e vet.
Televizioni sot është një nga elementët që mundohet të legalizojë në mënyrë
kontrabandë pseudo-normalitetin e situatës. Përmes tij kryhet sot lartësimi i
shoqërisë së punës absente dhe inkurajimi i njeriut që s’punon.
Jo rastësisht, sot është zakonshme të gjesh të
portretizuar në televizion deri vrasësin, sociopatin, boshin dhe vanitozin. Ndërkohë
është një nga fenomenet më të rralla të hasësh në televizionin e sotëm gjurmët e
njeriut punues, atij prodhues, apo edhe thjesht referenca të një pune prodhuese
që është në kryerje e sipër. Puna si proces është e padukshme në ekran, duke bërë
që edhe në realitet ajo të mos ngjajë e domosdoshme.
Për botën e spektaklit, ç’të thuash? Në serialë dhe
realizime të tjera të inskenuara televizive, personazhet duket sikur jetojnë me
frymën e shenjtë. Femrat përherë të indinjuara të “Sex and the city” apo
adoleshentët inoksidabël të “Friends” do të marrin nëpër gojë gjithçka që mund
të prodhojë fantazia e njeriut, por kurrë shqetësimin se nga do të burojnë të
ardhurat për të bërë atë lloj jete që ua kanë zili njerëzit që i shohin.
Personazhet e televizionit nuk punojnë. Ata thjesht
jetojnë. Mirë ose keq. Ajo që mungon në këtë fotografi familjare është
dimensioni i tyre ordiner; amputimi i procesit prodhues nga historia e tyre,
ose kalimi i saj në një rol episodik krejt në funksion të argëtimit që
propagandohet si gjendja natyrore e njeriut të sotëm edhe në specialitete
televizive si reality show-s ku pjesëmarrësit thjesht vegjetojnë. Përmes
shembullit të tyre ata ofrojnë sugjerimin që askush të mos e shohë tek puna a
mungesa e saj, burimin e mirëqenies apo problemeve të tij. Duke na ndërhyrë kështu
pa u ndier në strukturën tonë mendore e duke e bërë të logjikshëm këtë nonsens,
televizioni na ushqen ngadalë me të vetmin ushqim që sistemi ynë shoqëror mund
të prodhojë: kontentin e zbrazët ku ideologjia vjen e maskuar si zgjedhje
personale.
Revista “AKT”
Vjeshtë-dimër
2012-2013