Nga Sokol Shameti
Ndërsa vijon agresioni verbal me destinacion 23 qershorin -
dita kur shqiptarët do të kandisen për të zgjedhur midis së djathtës së
milionerëve në pushtet dhe së djathtës së milionerëve pretendentë për pushtet -
vëzhgues të shumtë po kërkojnë një mënyrë sesi të papërfaqësuarit të bëjnë të
ditur se janë të papërfaqësuar e të pazëshmit të marrin zë. Ata po vënë re se më
në fund mënyra e vetme që politika në Shqipëri të detyrohet të bëhet përfaqësuese
është ndonjë lloj forme bojkoti ndaj forcave aktuale politike; ndonjë lloj vote
proteste e cila të lexohet në mënyrë të pangatërrueshme vetëm si votë proteste
dhe të mos interpretohet si diçka tjetër. Mbi të gjitha, një votë e cila të mos
ketë mundësi të manipulohet nga ata që manipulojnë edhe votën e njëri tjetrit e
jo më atë të asnjërit prej tyre.
Idetë sesi mund të realizohet kjo janë të shumta, ashtu si
edhe iniciativat. Disa burojnë nga dëshira e mirë dhe e çiltër për të nxitur një
lloj mobilizimi shoqëror të qytetarëve që gjenden aktualisht në një masë të madhe
politikisht të pastrehë; disa të tjera nga qëllimi për të ndihmuar në mënyrë
djallëzore kastën e politikanëve.
Nga ana e tyre, këta të fundit – politikanët - dukshëm po e
ndjejnë përditë e më shumë rrezikun e delegjitimimit të tyre moral përmes braktisjes
nga ana e qytetarëve. Dëgjojini me vëmendje. Nëse ka një argument për të cilin
janë të gjithë në unison edhe Rama, edhe Berisha, edhe Meta e madje edhe
ambasadat e huaja, kjo është kërkesa për pjesëmarrje masive në votime, për mosrënie
të interesimit për këtë klasë të skaduar politike e për mbajtjen e saj në lojë.
Që kjo të ndodhë, duhet që qytetarët të shkojnë më 23
qershor e të dorëzojnë vullnetin e tyre për t’u qeverisur në kutitë e votimit.
Vajhallit nëse gjendet një mënyrë që t’i bëjë esëll shqiptarët. Këta të fundit,
i kanë ndarë me marifet në dy skuadra ultrasish futbolli të cilëve u mbahet truri
në alarm ditë-natë me anë mitingjesh me daulle, koncertesh me këngëtare joshëse,
fjalimesh nevrastenike në podium, sms-sh këmbëngulëse në celular, spotesh
hollivudiane në ekran, artikujsh delirues në shtyp, debatesh patetike në
televizor, statusesh analfabetike në facebook etj.
I
Një nga idetë më të kollajshme kur flitet për bojkot të kësaj
klase politike jo-përfaqësuese, është bojkoti fizik, mospjesëmarrja në
zgjedhje, injorimi i vetë procesit të votimit në ditën e caktuar për të votuar.
Megjithatë, bojkoti i zgjedhjeve është një mjet i papërdorshëm në Shqipëri. Dy
forcat politike PD dhe PS, të cilat ngjajnë kaq të papajtueshme dhe armiqësore
në këto ditë fushate – në një situatë paraardhëse, qetësisht, në mënyrë vëllazërore
dhe pa bujë e zhurmë - kanë ujdisur një sistem zgjedhor që u garanton atyre përjetësinë.
Nuk ndodh në asnjë vend jetër demokratik të botës. Shikoni çfarë
kanë sajuar në bashkëpunim Rama me Berishën të cilët sot bëjnë sikur janë në
gjakmarrje me njëri tjetrin: kanë ndërtuar një sistem që prodhon pushtet për ta
edhe sikur shumica e qytetarëve të mos shkojnë fare të votojnë.
Fundja ata kanë të tyret edhe KQZ-në, ministrinë e
brendshme, komisionet zonale, papagajtë analitikë të medias, si dhe këdo që
mund të konstatonte se politika në këtë vend nuk po çon ujë në interes të
qytetarëve ndaj qytetarët po largohen nga pjesëmarrja. Pra ti, në daç shko të
votosh, daç mos shko, kjo pak rëndësi ka. Me konsensus, zgjedhjet quhen të
vlefshme edhe nëse votojnë vetëm 3 vetë. Ti do të qeverisesh nga pakica dhe
parlamenti i dalë nga votat e kësaj pakice do të ketë të drejtë të hartojë
ligje që të marrin ty paratë me taksa, që të shtypin me polici, që të ngarkojnë
me detyrime dhe masa shtrënguese dhe që në fund të fundit, të shtyjnë të çosh
një jetë krejtësisht të ndryshme nga ajo që kishe menduar për veten dhe fëmijët
e tu. Mënyrë ankese s’ka. Qarku është i mbyllur.
Përveç kësaj, mospjesëmarrja në votime, mbetet një thirrje
memece. Ajo mbart një mesazh që gjithsekush e lexon si t’ia volisë vakti.
Askush nuk mund ta dijë nëse mospjesëmarrja jote në zgjedhje është për shkak të
pakënaqësisë me të gjitha forcat politike, apo sepse të dhimbte dhëmballa. Për
ta minimizuar pastaj peshën e masës së bojkotuesve, kujdesen analistët-nëpunës
të dy forcave politike, të cilët kanë për detyrë t’i japin nota epike çdo
banaliteti të punëdhënësve të tyre e të skartojnë si jo-relevante gjithçka që
defaktorizon punëdhënësit e tyre e si rrjedhojë edhe vetë ata.
II
Meqenëse bojkoti përmes mospjesëmarrjes shmanget kollaj,
stadi tjetër fillestar ku shkon mendja e atij që do të kërkonte t’u jepte një mësim
politikanëve shqiptarë është bojkoti përmes abstenimit, pra mos-përzgjedhja e
asnjë prej alternativave në fletën e votimit dhe hedhja e kësaj flete votimi pa
e përdorur atë.
Në një iniciativë të para disa muajve të quajtur “vota e
bardhë” një grupim të rinjsh me shumë ambicje por pa shumë kontakt me
realitetin, tentuan të popullarizojnë këtë lloj alternative, duke pasur ndoshta
përshtypjen se gjithçka është kaq e thjeshtë. Do të ishte bukur në fakt, sikur
më 23 qershor në mbrëmje, në një sfond idilik kur sapo ka nisur edhe numërimi i
fletëve të votimit, komisionerët do fërkonin sytë me habi duke parë përmes fletëve
boshe të lëna nga shqiptarët, realizimin e skenarit të Saramangos në novelën e
tij “Le të ulërijmë”.
Fatkeqësisht, Shqipëria e natës së numërimit të votave është
një pritë ujqish, pabesish dhe intrigash nëpër terr. E gjithë trupa e
administratorëve të vullnetit të shqiptarëve përbëhet nga politikanë batakçinj ose
militantë të tyret. Historia e manipulimit të fletëve të votimit që madje janë
të shënuara qartë se shkojnë për një parti të caktuar, është tashmë një traditë
e konsoliduar në Shqipëri. Imagjino se çfarë dhurate hyjnore do të ishte një
kuti përplot me fletë të bardha votimi – të gatshme për t’u plotësuar sipas
qejfit - për një komisioner të një force politike i cili përmes rryshfetit apo
kërcënimit në errësirën e 23 qershorit sapo ka bërë zap tërë grupin e numëruesve.
“Vota e bardhë” është kësisoj jo vetëm një alternativë e
padobishme për të shprehur me anë të saj protestën qytetare. Ajo madje mund të
shndërrohet në një armë të rrezikshme në duart e manipulatorëve të votave nëpër
zgëqet e heshtura pa dëshmitarë të Shqipërisë elektorale. Jo më kot, pikërisht
kjo iniciativë (vota e bardhë), u përkrah në mënyrë entuziaste dhe gjeti jehonë
mediatike në Shqipëri, ndonëse u braktis shumë shpejt, ngase, tepër e
lexueshme.
III
Një tjetër ide e cila ngjan njëherit e sofistikuar po aq sa brutale,
është ajo e zhveftësimit të fletës së votimit përmes ndonjë shenje të unifikuar;
ndonjë lloj simboli popullor i cili të përbashkojë nga njëra qendër votimi në
tjetrën, anekënd Shqipërisë, të gjithë elektoratin e të pakënaqurve, si në një
network njerëzish solidarë që edhe pse s’njihen, mendojnë njëlloj. Ndër të
gjitha idetë dhe propozimet që po qarkullojnë së fundi, ajo që po gjen përsëri
më tepër përkrahje, madje edhe nga agjentë të lidhur direkt a indirekt me kastën
politike (dhe kjo duhet të na bëjë skeptikë) është ideja e një kryqi të madh
mbi fletën e votimit, me shpresën se kësisoj, ajo do të bëhet e pavlefshme.
Por, ia vlen të bëjmë përsëri një parantezë në këtë pikë. Le
të dërgojmë përsëri fokusin e vëmendjes tek tradita e konsoliduar e politikanëve
shqiptarë për ta shkulur me thonj përfitimin nga vullneti i qytetarëve edhe atëherë
kur ai dukshëm është kundër tyre. Ata që kanë qenë dëshmitarë të procesit të
ankimit të votave të pavlefshme në zgjedhjet e shkuara lokale, mund të dëshmojnë
për dhjetëra raste sesi, kur rezultati ishte i ngushtë, çdo votë e diskutueshme
që ndoshta ishte zhvleftësuar qëllimisht prej zgjedhësit, u lexua dhe u
interpretua si e vlefshme. Për numëruesit politikanë të votave, vota e
pavlefshme nuk ekziston.
Ishin me dhjetëra precedentët kur votat me kryq janë lexuar
si vota që shkonin në favor të atij subjekti që përkonte me pikëprerjen e brinjëve
të kryqit. Janë me qindra rastet kur vota të shkarravitura, “të qëndisura” me
fjalë të ndyra, karikatura, përqeshje, organe gjenitale etj, janë lexuar si
vota të vlefshme në favor të atij apo këtij kandidat – në varësi të kujt kishte
marrë në kontroll komisionin zonal në fjalë. Për këtë arsye, votimi i protestës
me kryq është edhe ai një vakt i shijshëm dhe i gatshëm, që qytetarët mund t’i
blatojnë ujqërve të politikës.
IV
Zgjidhja duhet të jetë diçka tjetër. Pavarësisht pengesave të
këtij sistemi armiqësor dhe plot gracka që politikanët kanë ngritur në dëm të
qytetarëve, këta duhet të gjejnë mënyrën e tyre për t’u thënë të gjithëve se
kupa u mbush.
Qytetarët duhet të gjejnë rrugëdaljen që të kuantifikojnë
forcën e vërtetë të atyre që duan realisht shpëtimin nga kjo klasë politike që
promovon rotacionin pushtet-opozitë duke u rrotulluar në formën e një rrote që
po e rrokullis në greminë qerren e të gjithëve. Dhe duhet të mbjellin, ashtu siç
të gjithë shpresojnë, farën e një bime të re në truallin e dhunuar të
demokracisë sonë tashmë tërësisht jopërfaqësuese: farën e demokracisë direkte të
qytetarëve. Bimën e atij sistemi i cili kur politikanët dalin nga binarët dhe
prodhojnë më shumë dëm sesa dobi, ua kthen pushtetin qytetarëve, pronarëve të
tij të vërtetë.
(Gazeta "Shqip", 12 qershor 2013)