Dita e 1 prillit për Shqipërinë shënon ironikisht një nga
momentet e kontaktit më të afërt me sinqeritetin në politikë. Të dy kahjet
angazhohen vetë apo përmes veglave të veta në parodizimin e tjetrit apo
ridikulizimin e kundërshtarit. E gjithë kjo, shpesh përmes gjetjesh kreative që
dëshmojnë praninë e trurit brenda kokave, shumicën e kohës boshe, mbi supet e
politikanëve. Me pak fjalë, për 1 prill, politikanët shqiptarë vërtet prodhojnë
diçka që ngjan me politikën si akt kritik dhe ofertë alternativash.
Por nga ana tjetër, e gjithë kjo situatë na dëften për një
mjerim të pashoq në produktin e sotëm politik që u ofrohet shqiptarëve. Teksa
gradualisht po i afrohemi qershorit që shënjon njëvjetorin e ndërrimit të të ndënjurave
në pushtet, vendi po përballet nga njëra anë me një qeverisje të paaftë të
qeverisë siç premtoi dhe nga ana tjetër me një opozitë të paaftë të bëjë opozitë
siç do të ishte e udhës. Arsyeja e këtij ngërçi është në radhë të parë rezultat
i një anomalie ideologjike. Të dyja partitë që duhet të shërbejnë si kundërbalancë
e njëra-tjetrës, jo vetëm që përbëhen teorikisht nga i njëjti stof, siç ishte
paralajmëruar më herët gjatë fushatës nga kritikët, por edhe praktikisht ato s’dinë
të gatuajnë veçse receta të ndryshme të së njëjtës çorbë. E gjithë kjo situatë
psikotike, na ofron përballë imazhin e një sistemi vetëshkatërrues që ka
ezauruar tashmë gjithë rezervën e tij të energjisë, duke hyrë në fazën finale.
Atë më qesharaken.
Ja fjala vjen: PD e ka të pamundur të bëjë opozitë dinjitoze
sot dhe të kritikojë PS-në për punësimet militante në administratë apo
arbitraritetin e shkarkimeve të nëpunësve. PS mund t’i përgjigjet duke i thënë
se ajo thjesht po përsërit të njëjtën përvojë që vetë PD çimentoi gjatë
qeverisjes së saj nga 2005 deri qershorin e fundit. Si përfundim, PS mund të
vazhdojë të rrëmihë qetësisht themelet e administratës publike, pa pasur frikë
se dikush mund të ketë fytyrë t’i thotë “mjaft”. Ata që e pësojnë këtu janë
shqiptarët dhe shpresa e tyre që një ditë mund të kenë edhe ata një sektor
publik të fortifikuar përballë militantizmit.
Gjithashtu, tonalitetet e zërit me të cilat PD mund të
ankohet se qeveria po kërkon të shtijë në dorë shërbimin informativ, janë fëminore.
A s’është ajo një parti e cila gjatë 8 vjeçarit të fundit në pushtet nuk reshti
një moment së orvaturi për të bërë të njëjtën gjë me pretekste po aq absurde sa
edhe ato të Saimir Tahirit sot? Është shumë e vështirë për të, që të ketë
kurajon t’i shohë në sy shqiptarët e t’u thotë se vërtet po kërkon të mbrojë
interesin e tyre për të pasur institucione të balancuara përballë oreksit gllabërues
të pushtetit. Do të ishte thjesht një hipokrizi. Hipokrizi edhe pa të cilën PS
po bën sot pikërisht atë që kishte kritikuar dje.
Por situata është surreale jo vetëm për këto dy çështje. Është
e pamundur që sot të dëgjosh në Kuvend kritikë serioze nga opozita ndaj
mazhorancës për çështje si për shembull: sakrifikimi i interesave publike dhe
klientelizmi ekonomik privat, apo për ndjenjën e inferioritetit diplomatik përballë
arrogancës së fqinjëve. Në të gjitha rastet, PS mund të përgjigjej duke pyetur
me ironi: “si thatë?”. Pastaj ajo mund të shpluhuroste fët e fët albumin e
kujtimeve nga koncesionet në favor të fazlliçëve që nëse ishin të preferuar
dje, pse të mos jenë të tillë edhe sot; apo për marrëveshjet detare me Greqinë
që dje u çuan deri në një pikë ndaj pse të mos shkojnë sot pak më tej, etj.
Po kështu, PD-ja s’mund të merret dot seriozisht kur kritikon
qeverinë se po ofron thjesht një spektakël televiziv inaugurimesh dhe
restaurimesh zyrash. Kjo është gjë që s’bëhet teksa ende qarkullojnë hijet e
Berishës me gërshërë në dorë që pret çdo shirit rruge apo rrugice të vjetër a të
re, për së gjati a për së gjeri e duke gjurmuar si lunatik çdo objektiv kamere
televizive me të njëjtën babëzi si Rama a Veliaj sot. S’mund të qeshësh ende me
të madhe sot kur PD tregon bëmat karikatureske të Endri Fugës në oborrin
qeveritar pink, kur ende është i freskët kujtimi emblematik i alter-egos së
tij, Mul Nokës brenda pallatit blu. Nuk mund të ruajë seriozitetin deri në fund
PD-ja që ankohet për Ramën që derdh të shara në Kuvend, kur Berisha dhe Topalli
janë ende në të njëjtën sallë që mban në memorien e saj sentenca më të
ububushme se “karrota” e Ramës.
I gjithë ky bagazh faji dhe kusuresh ia pamundëson sot PD-së
titullin e një opozite serioze duke e shndërruar atë në një rast kronik
impotence strukturore që e pengon ta çojë gjer në fund çdo lloj argumenti
kritik. Ajo ka dezertuar nga territori i të bërit opozitë konkrete. Koordinata
e saj gjendet tashmë e vetë-deportuar në zonën epike të njësimit të mazhorancës
me komunizmin romantik të shekullit të shkuar a më herët akoma – aty ku s’ka fare
asnjë mundësi serioze debati.
Nga ana e vet, përballë këtij boshllëku diskursi, socialistët
e Ramës kanë pasur mendjelehtësinë ta harxhojnë me nxitim dhe grykësi gjithë ç’ishte
për t’u harxhuar nga demonizimi frenetik i individit, në këtë rast, Berishës. Për
ta, nëse Berisha s’do të ekzistonte, ai do të duhej të ishte shpikur me çdo
kusht. Berisha i vjetër e mistrec është heroi kryesor në një mitologji ku
personazhi i përbindëshit përmbledh me një emër të vetëm gjithë atë varg prapësirash
që do të duheshin shumë aftësi artikulative për t’i shpjeguar.
Por, idolatria nostalgjike e socialistëve për Berishën ofron
jo vetëm një justifikim për dështimin por edhe pretekst për teprimin, çuarjen në
ekstrem të berishizmit si metodë qeverisjeje. Kjo po bëhet e lodhshme për
popullin. Njerëzit KONKRETISHT nuk mund të ushqehen më me krahasime nga një e
shkuar paradoksalisht po aq e zymtë se e tashmja. Dhe lidershipi socialist po mundohet
të gjejë një rrugëdalje prej këtej, sepse tashmë është e qartë që pikat e
fundit të këtij limoni po shtrydhen. Kupa vërtet po mbushet dhe kjo retorikë
bajate s’mund të mbajë pafundësisht. Jo pa koston e shndërrimit të dordolecë të
paktën.
Së shpejti justifikimi i inefiçencës së tashme me sabotazhin
diversant të Berishës së djeshëm do të jetë inefektiv. Dhe mbërritja e një
momenti të tillë mund të sinjalizojë një bombë të paparashikueshme sociale. Ai
mund të shënojë ndezjen e një fitili kryengritës të atillë që do ta bënte 21
janarin të ngjante shëtitje paqësore. Po kaq alarmueshëm, përfundimi i bombulës
justifikuese të markës “Berisha” parashtron edhe një tjetër perspektivë
subversive për pushtetin. Nëse gjatë qeverisjes së pikturuar përzishëm të
Berishës shqiptarët jetonin keq, të paktën PS-ja asokohe dëshirohej në mënyrë të
dëshpëruar të përfaqësonte një iluzion. Një mirazh shprese për një të ardhme të
afërt, të arritshme dhe të matshme përparimi. Tani ky mirazh është shembur. Shqiptarët
po shohin se bipolaritet partiak nuk do të thotë detyrimisht edhe bipolaritet
ideor. E gjithë kasta dypartiake dhe institucionet e saj, po zbulohet të jenë
thjesht forma politike e sistemit defektoz që shkakton anomalinë. Perdja ka rënë
dhe përtej saj kishte qëndruar fshehur thjesht ana tjetër e të njëjtit banalitet.
Në këto kushte, ka një arsye të fortë pse Ilir Meta është
sot për qeverinë e vetëquajtur “të majtë” një xhevahir i vogël, i rrallë e i
domosdoshëm. Nëse flasim me karta të hapura: jo vetëm për opozitën e djathtë,
por edhe për secilin nga 700 mijë votuesit e thjeshtë socialistë sot në Shqipëri,
Ilir Meta është sinonimi i një ujku që momentalisht ka ndërruar qimen. Ai
pranohet në pushtet vetëm nga e keqja. Tahmaja e madhe e LSI-së shërben qysh
tani si tabelë qitjeje e shumë propagandistëve të afërt me pushtetin. Ndaj saj
orientohet sot edhe opozitarizmi i telekomanduar i “revolucionarëve” të serës së
pushtetit. Atyre që duan të luajnë rolin teatral të bolshevikëve brenda një lëvizjeje
të gjerë socialdemokrate e cila po bashkëjeton me menshevizmin e detyruar vetëm
prej interesit suprem të kauzës.
Në një vështrim më komercial dhe pragmatik si ai që Rama ka
adoptuar për llojin e vet të qeverisjes, Ilir Meta është e keqja e domosdoshme
e përfshirë në një produkt tregtar. Ai është substanca konservuese apo
prezervativi brenda një çokollate të shijshme. Një gomë rezervë – sfungjer
thithës i tërë vrerit ndaj anomalisë së përgjithshme. Meta manifestohet si defekti
i nënkuptueshëm dhe i pashmangshëm i sistemit. Por njëkohësisht, Meta është
edhe një lloj garancie shfajësuese e së nesërmes. Përveçse një deriçkë e pasme
shpëtimi ai është edhe një depozitë furnizimi që do t’i jape nesër PS-së luksin
të hartojë fjalime të mbushura me shprehjen “po, por”, në të njëjtën sasi sa ç’po
i dëgjojmë edhe sot nga goja e PD-së. Nëse sot e akuzojnë qeverinë e shkuar
demokrate për punësimin militantesk, agresionin mbi drejtësinë, sakrifikimin
publik për interesat private, etj etj, përgjigjja e tyre justifikuese shoqëruar
me një buzëqeshëse qesëndisëse është pikërisht: “po, por LSI-ja…”.
Ekzistenca e vetëdijshme e Ilir Metës brenda qeverisjes
socialiste shëmbëllen me vendosjen nga vetë bujku, të një predhe luftarake
brenda një are e cila dihet që s’jep prodhim. Sigurisht nesër, kur dynjaja do
të kritikojë bujkun për dembelizëm apo paaftësi, ai shumë kollaj do t’i
zmbrapsë ankesat duke shpallur se djerrina ishte e minuar, se dikush e kishte vënë
këtë minë atje, se ky dikush është një armik, se ai duhet gjendur dhe demaskuar
dhe se vetëm pasi të shpëtojmë nga kjo e keqe, mund të mendojmë për një katërvjeçar
tjetër – atë të vërtetin tashmë – të të korrave serioze dhe prosperitetit.
E gjithë kjo situatë vetë-minimi skizofrenik të qeverisë
socialiste në Shqipëri, të kujton spastrimet e famshme staliniste sovjetike të
viteve 30 dhe ruletën e çmendur ruse mes liderit paranojak në krye të nomenklaturës
dhe anëtarëve të vetë nomenklaturës. E përshkruar mjeshtërisht në esenë “Kur
partia bën vetëvrasje” të Zhizhekut, situata na rrëfen ekzistencën e një
simptome psikiatrike pasigurie dhe paniku tek zbatuesit e kësaj fryme. Të kësaj
gjendjeje alarmi të përhershëm që na këshillon se jo vetëm që armiku është
midis nesh, por ne duhet të luftojmë që ai të jetë përherë midis nesh. Vetëm
prania e së keqes brenda nesh, na e mban dinjitetin imun ndaj çdo kritike dhe –
largqoftë – diskreditimit.
Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip”, 1 prill 2014)