Nga Sokol Shameti
Gjëja më e vështirë sot është të
mos kritikosh qeverinë. Gjysma e dytë e pushtetit të socialistëve
në pushtet po gjen një Shqipëri të gjunjëzuar nga lodhja e
pritjes. Më tragjikisht akoma, shpresat kanë humbur nga zbulimi se
me këtë farë qeverie, pritja është e kotë. Shumë nga premtimet
pompoze që i dhanë tagji galopit triumfal të Ramës drejt zyrës
së ekzekutivit, tashmë është bërë e qartë që paskëshin qenë
në rastin më të mirë papërgjegjshmëri, në më të keqin
mashtrime.
Viti i ri 2015 i gjeti tryezat e
shqiptarëve më të zbrazëta. Varfëria e cila po këndon mirë
është tashmë e pamundur të stoliset. Nëse pika jote e referencës
nuk është qendra e Tiranës, peizazhi që të zinte syri në atë
që duhej të ishte një natë gëzimi, ishte trishtues: lagje të
tëra të pllakosura nën errësirën e mungesës së energjisë,
njerëz të mardhur që ndiznin zjarre rrugëve në temperatura
minus, festime të kursyera familjare, një heshtje e zezë
pikëlluese në qindra hyrje pallatesh e lagjesh. Qendra ndihme
sociale ku shteti të shpërndajë një vakt të ngrohtë a një
shtrat për skamnorët janë utopi – një telajo tërësisht në
kontradiktë me shfaqjet e neveritshme e mburravece të ministrit të
asaj që madje ai e quan “mirëqenie”. Dështimi është fjala e
vetme që mund të përshkruajë gjymtyrën sociale e cila në një
shtet në duar vërtet të majta duhej të gjeneronte pa pushim –
jo fjalë e spërdredhje, por vepra konkrete. Një spekullim i
thjeshtë për punësim në Gjermani, mjaftoi për të yshtur drejt
porteve qindra shqiptarë në një eksod të ngjashëm me atë të
para çerek shekulli. Niveli i pagave dhe pensioneve mbetet i
krahasueshëm vetëm me atë të Moldavisë në Evropë, sepse
qeveria kujdeset t'i dërgojë paratë që mbledh nga taksat e
qytetarëve për të shpërblyer bizneset për shërbime të dyshimta
shpesh të panevojshme. Sektori shtetëror ndërkohë vazhdon të
jetë i gërryer jo vetëm nga pagat e ulëta, demotivimi i
punonjësve e punësimet partiake, por edhe nga mos-pajisja e
qëllimshme me logjistikën e duhur apo stafin e domosdoshëm, për
t'i lënë hapësirë supremacisë së një sektori privat vetëm një
fije më pak rakitik se ai shtetëror.
Iluzioni i rendit dhe qetësisë është
një nga pompat më të fryra të propagandës. Kriminaliteti mbetet
po aq i përhapur sa edhe më parë. Qytetari vazhdon të jetë i
vetëm përballë pasigurisë dhe polici nuk është i kudondodhur
për ta ndihmuar atë, por për ta përndjekur dhe gjobitur. Përditë
ndodhin vrasje në shproporcion me numrin e banorëve të këtij
vendi, grabitjet po ashtu nuk njohin ditë festash. Kjo është
normale në një shoqëri në këtë gjendje krize të përhershme
ekonomike ku e kanë shtrënguar të mbijetojë. Nëse nuk do të
ekzistonte përpjekja manipuluese për ta paraqitur situatën si oaz
bilbilash të gjithë do ta mirëkuptonin pamundësinë e policisë
për të bërë diçka në këtë skenë tragjike mjerimi. Por ja që
supermenët nuk po e justifikojnë dot reklamën që u bëhet në
kinema.
Zelli qeveritar, së fundi s'ka dyshim
se është fokusuar për ta diskredituar edhe më tej imazhin e
shtetit duke e prezantuar atë vetëm si një organ represiv. Si një
kërbaç që të ndëshkon nëse ti mundohesh t'u bësh bisht
detyrimeve, pagesave a taksave. Nga ana tjetër përballë mungesës
së shërbimeve, shteti shfaqet si një justifikator që lan duart
kalimthi, që nuk mban asnjë përgjegjësi dhe që jo vetëm nuk
vuan asnjë sanksion, por e quan normale këtë padrejtësi. Çdo
shqiptar që nuk u përgjigjet detyrimeve kontraktore të energjisë
dërgohet fishek në burg. Në çdo rast kur është pala tjetër –
qeveria – ajo që nuk respekton detyrimin kontraktor të furnizimit
me energji duke lënë në errësirë lagje e qytete të tjera,
gjithçka kapërcehet me një “sorry lal”. Të drejtat e tjera,
ato civilet janë gjithashtu në një dishezë të rrëpirtë. Liria
e medias ndodhet nën mësymje konkrete edhe pse jo të dukshme. Jo
më informacion, por informacion të favorshëm. Është
vetë produkti që del prej mediave ai që dëshmon se ajo ndodhet
nën agresion prej grupit të kanakarëve në zyrën e marrdhënieve
publike në qeveri të cilët rreken të maskojnë me teknika
groteske gëbelsiane raportimin e të vërtetave të hidhura.
Punësimi? Një barceletë. Njëlloj si
qeveritë djathtiste, edhe kjo e sotmja quan krijim vendesh pune, një
lloj larjeje higjienike duarsh që nis e mbaron me fërkimin e kokës
së bizneseve dhe pagëzimin e tyre si “bletë e artë”. Mesazhi
është i qartë: këta janë të dobishmit e shoqërisë, të tjerët
janë parazitë. Edhe në rastin e atyre që e kanë në punë,
peizazhi është i zymtë. Punëtorët shtypen barbarisht në këtë
vend. Ajo që duhej të mbronte interesat e tyre, qeveria, nuk është
aty përkrah tyre ndërkohë që kjo ndodh. Kryeministri më së
shumti krekoset përkrah (skllavo)pronarëve teksa inspekton si
oficer kuesture salla pune të detyrueshme ku shqiptarë kokëulur i
nënshtrohen kërcënimit të zgjedhjes mes shfytëzimit dhe urisë.
Kontratat kolektive – për çfarë po flisni ju lutem? Inekzistenca
e një mjedisi për gjallimin e lëvizjeve sindikale është
shndërruar në një nga atraksionet vendore me të cilat
kryeministri “socialist” marketon avantazhet tona turistike tek
vizitorët e huaj.
Nuk ka një drejtim të vetëm të
veprimtarisë së qeverisë që nuk mund të kritikohet aktualisht në
Shqipëri. Njerëzit po shohin se pikërisht ato që qeveria
sforcohet t'i shesë si suksese të padiskutueshme janë në të
vërtetë prova të gjalla të dështimit të saj katastrofik.
Shprehja e parë e Edi Ramës ditën e mbërritjes në pushtet ishte:
“Puna e opozitës është fjala dhe fjala e qeverisë është
puna”. Tani, kryeministri e kalon kohën o duke kaluar në revistë
ç'kanë bërë privatët, o duke u marrë me fjalë si adoleshent
brenda botës virtuale ku duket se ai jeton me iluzionin se ajo është
bota reale. Një botë e kollajshme ku për dështimet e tua ka
përherë një shkaktar jashtë teje. Po. Është
e vërtetë. Në dimrin e këtij fillim 2015-e, të mos e kritikosh
qeverinë, është me tërë mend e pamundur.
***
Tregu i kritikës është ndërkohë i
mbipopulluar këtu tek ne. Kushdo e ka një llaf kritike ndaj
qeverisë. Madje edhe vetë njerëzit pranë saj nuk duan ta humbasin
trenin duke synuar që përmes komercializimit të kritikës, të
nxjerrin sadopak përfitim në horizontin e kohërave me stuhi që
mund t'ia behin. Ekziston edhe një përpjekje tinzare për
inflacionim të kritikës, humbje të vlerës përmes shndërrimit të
saj në një sport popullor ku për shkak të zhurmës së
përgjithshme të mos zërë vend asnjë mendim me dobi.
Një kritikë nuk është thjesht
kritikë por edhe një informatë. Ajo na flet shumë për
koordinatën sociale dhe politike të atij që e formulon atë. Këtu
do të mundohemi të përshkruajmë aspak mendimet konkrete apo
listën e kritikave që mund t'i bëhen qeverisë, por metodologjinë
e tyre, teknikën sesi një kritikë e mirëfilltë dhe efikase mund
të ndërtohet ndaj saj. Por më parë, le të shohim se si
aktualisht funksionon kritika ndaj pushtetit tek ne.
Ka sot tri mënyra sesi mund të
artikulohet kritika e situatës ku ndodhemi. Kritika e parë është
ajo më joseriozja. Ajo shënjestron personat por jo sistemin. Kjo
lloj kritike bazohet mbi premisën se konteksti shoqëror, politik
dhe ekonomik mbi të cilën po operon sot qeveria në Shqipëri është
ai i duhuri. Çka
mungon sipas saj është virtuoziteti teknik i zbatuesve. Kjo kritikë
nuk e sheh problemin e varfërisë, mungesës së shtetit social,
punësimit apo rendit si një produkt i sistemit të ekonomisë së
tregut së cilës i mëshohet sot aq fort nga qeveria. Për të,
fajin pse gjërat nuk ecin nuk e ka sistemi por aplikuesit e tij, pra
emrat, individët. Artikuluesit e kësaj lloj kritike janë kryesisht
partiakë apo njerëz të afërt me partitë e djathta që tani janë
në opozitë.
Shikoni konferencat për shtyp apo
ligjërimin e tyre publik. Klisheja e dikurshme “Fajin e ka Saliu”
është kthyer mbrapsht pa asnjë vështirësi duke e adresuar gjithë
ngarkesën e problematikës tek zoti Rama apo emrat përreth tij, tek
deputetët me të kaluar kriminale, tek drejtorët e korruptuar apo
me precedentë, tek ministrat e paaftë, etj. Duke e ridikulizuar
kështu dhe zhveshur nga çdo fije serioziteti kritikën që mund t'i
bëhej situatës e duke zhdukur çdo lloj perspektive për zgjidhjen,
ata shërbejnë si një lloj sigurese. Si një garanci se sikurse
kurrgjë nuk ndryshoi me rotacionin e dy viteve më parë, edhe në
rast përsëritjeje të rotacionit ndryshimi do të jetë një zero
me xhufkë e shumëzuar me emrat e rinj të “shpëtimtarëve” që
vetëofrohen si zgjidhje.
Kritika e dytë është ajo në dukje
më naivja por njëherit, më djallëzorja. Ajo e përqendron sulmin
e saj mbi sistemin duke u munduar të nxjerrë të larë personat e
përfshirë në implementimin e tij. Në vetvete ajo manifestohet si
një lloj kritike e detyruar prej errupsionit të herëpashershëm të
skandaleve qeveritare apo pasojave shpesh tragjike të keqqeverisjes.
Për këtë arsye ajo synon të kryejë një ndarje anatomike midis
fatalitetit teorik, të pakapshëm dhe të pashpjegueshëm të një
sistemi që prodhon vetëm fatkeqësi nga njëra anë dhe nga ana
tjetër teknicienëve të tij që vazhdimisht synohet të shtyhen
prej kritikës, së paku në periferinë e mbrojtur të rrebeshit.
Ku i gjejmë artikuluesit e kësaj
kritike? Oh, ata janë të shumtë dhe të kultivuar me kujdes.
Kritizer sistemi është sot vetë deputeti socialist që shtiret si
“zë kundra” brenda partisë duke u munduar të adresojë
probleme të cilave duhet t'u vënë gjoksin ata “të tijtë”.
Kritizer i këtij kallëpi është edhe simpatizanti i pushtetit i
kamufluar si gazetar. Ai jo vetëm trafikon me lezet në çdo rast që
i jepet klishe për ndershmërinë e iks-ministri, për përkorjen e
atij tjetrit në dasëm, apo fajësinë naive pra të falshme të
iks-ministri tjetër. Ky kritizer jo vetëm maskohet herë si
komentator me pseudonim, ose infermiere seksi e turnit të tretë. Ai
është një specie e përhershme edhe në studiot e debateve në
prajm tajm. Në momentet e rralla kur nuk e harxhon kohën e çmuar
televizive për debat shterp konjukturash partiake, ai trash zërin
sikur po e vë me shpatulla për muri të ftuarin e tij qeveritar apo
kryeministër teksa i ankohet për aksh fenomen. Si rastësisht, në
fund të retorikës përherë qeveritari del nga situata me një
përshkrim të sistemit, të trashëgimisë së tij ose të imponimit
ndërkombëtar. Të gjithë dalin të fituar nga ky shkëmbim i
lëngshëm favoresh: gazetari fiton kredite rezervë profesionisti të
pakompromis, pushtetari ezauron situata të sikletshme të cilat në
një mjedis të pafavorshëm do t'i kryenin atentat politik.
Ku e gjejmë tjetër këtë lloj
kritizeri? Ai vesh bluzën kullere të aktivistit, lidh shallin
tekstil palestinez të protestës, citon batuta të qëmtuara në
google nga Marksi, Valter Benjamini ose deri Hegeli dhe shtiret se po
punon për revolucionin në ilegalitet. Për këtë kritizer që e
kupton Çe
Gevarën vetëm si një masë flokësh, gjithashtu, Rama, Veliaj dhe
këshilltarët e tyre nuk duhen parë si artizanë të së keqes por
si vegla të verbra në duart e historisë së marrë peng nga e
keqja e sistemit kapitalist. Këta kritizerë madje nuk mungojnë as
ta shprehin me vepra devocionin e tyre tek kauza. Ama në këtë
sektor me zarar befas kritika nuk adresohet më tek personat jo e jo,
por as tek vetë sistemi. Kritika këtu zë e bëhet kritikë
incidentale, kritikë transaksioni: nuk jemi dakord me këto tarifa
(pra nëse ato janë të tjera, ne jemi dakord), nuk jemi dakord me
këtë trajtim ndaj kësaj çështjeje (pra nëse e trajtoni më butë
do të zbutemi dhe ne), etj etj. Në fund, ajo që mbetet është një
vërë në ujë si dhe injeksioni jetëdhënës që u ngul me
dashamirësi në tulet e shokëve të pushtetit. Ata e hodhën edhe
këtë hendek teksa njerëzit e shfrynë dufin në një valvul që
atyre iu servir kaq e drejtë, kaq kull, kaq e kuqe.
***
Por a mund të ketë një kritikë
autentike dhe serioze mbi këtë rrjedhë ngjarjesh që duket se
rrezikojnë sërish të na reduktojnë të gjithëve në pësues për
të kushedisesatën herë, pa nxjerrë kurrë një mësim?
Mënyra e vetme sesi mund të
kritikohet sot me ndershmëri dhe seriozitet pushteti i degraduar në
një spirale terrorizmi ekonomik, manipulimi dhe represioni mund të
jetë ajo që denoncon pa mëshirë të dy elementët e së keqes: si
sistemin që gjeneron këtë frenezi çnjerëzore, ashtu edhe
zbatuesit e tij të zellshëm, demiurgët e tij. Ata të cilët kanë
emra, fajësi personale dhe veprimtari publike. Vetëm duke e
refuzuar në tërësi këtë kombinim rrethanash dhe individësh, pa
e pranuar kompromisin as me të parat e as me të dytët mund të
arrihet sot të shënjestrohet mu në zemër vatra e infeksionit. Në
çdo rast tjetër, do të kishim të bënim në mos me një
bashkëpunim të qëllimshëm në faj, në një paaftësi për të
rrokur përmasën e vërtetë të së keqes. Një problematizim i
tillë dialektik i cili nuk do të kursente as vetë artikuluesit e
vet, është i vetmi që mund të sjellë për herë të parë atë
shërbim që aq shumë u mungon përgjigjeve tona deri tash të
gabuara. Ajo mund të ofrojë pyetjet e duhura për këto përgjigje.
Fajin nuk e ka thjesht Rama. Fajin nuk e ka thjesht sistemi. Fajin e
ka Rama, Berisha, Meta e të tjerët të cilët i pjell, mirëmbajnë
e mund të funksionojnë vetëm në një sistem ku të pasurit
pasurohen dhe të varfrit veçse varfërohen dhe ndëshkohen nëse e
refuzojnë këtë fat. Tani e dimë se ç'kanë ndër mend e kujt i
shërbejnë ata që kinse kritikojnë njërën përmasë të së
keqes duke konservuar tjetrën. Shkulja e tyre nga rrënjët mund të
vlejë vetëm nëse marrin me vete edhe humusin ushqyes ku
vegjetojnë. Çdo
devijim e vonesë na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi.
(Gazeta "Shqip" - 5 janar, 2015)