Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Saturday, October 2, 2010

Dy karafila

Si të ishte shpallje e ndonjë amnistie të përgjithshme apo e ndonjë lloj shpërblimi a llotarie kombëtare, turmës së shqiptarëve iu kumtua vendimi se ende pa mbushur 100 vjet sovranitet në shtetin e tyre, për dy gjëra nuk do t’u duhet ta vrasin më trurin. E para, ndeshjet e futbollit do t’i shohin si gjithë dynjaja në një stadium modern dhe e dyta, deputetët do të rrihen tashmë si njerëz gjatë kampionatit të tyre boksit, në një sallë Kuvendi për të qenë.

Asnjë koment. Kamuflazhi i këtyre dy karafilave që u flakën bujarisht nga tribuna e pushtetit mbi publikun “entuziast” aty poshtë, përmban të shpjeguar në etiketë nga njëra anë informatën alarmuese për rrezikun e skadencës të farës nga mbinë – çezarët romakë shpallnin lojëra sa herë që situata u dilte duarsh - dhe nga ana tjetër ironinë militante para padjallëzisë së njerëzve të cilët s’bëjnë gëk kur i tallin sy për sy.

Nisma në fjalë, shpallet jo fort larg 99-vjetorit të pavarësisë. Ndonëse s’ka ndonjë arsye të posaçme se pse pikërisht tani e pse pikërisht stadium e Kuvend – thua ta ketë parandjerë vallë Ismail Qemali se në vend të një ceremonie mallëngjyese e solemne do ta brohorisnin me një bataré shkelmash a grushtash – po aq sa miti i “99-shit” si hero modern i kudogjindshëm e i pakuptueshëm i Shqipërisë së re, edhe projektimi i deleguar i 99-shave në qeverinë që s’po del dot përtej kësaj holografie fatale, s’ka shumë nevojë të japë shpjegime. Të paktën nga ato të logjikshmet.

Vendimmarrja impulsive, pa partiturë, krejt me veshë e me kinse “sy të lirë”, si vazhdim i përjetimit të një momenti, e ka megjithatë të garantuar një fije mirëkuptimi. Pas gjakmarrjes futbollistike shqiptare mbi vonuesit luksemburgas të liberalizimit të vizave apo oreksit që vjen duke ngrënë llokumet e rimobilimit të sallës së Kuvendit, shfajësohet njëfarë naiviteti tek maketet që iu bënë në ëndërr Kryeministrit i cili në krejt Evropën është ai më i dedikuari për popullin. Veçse ka gjithmonë një qeder djegës që aktivizohet posa mes imagjinares dhe reales nis e plasaritet ai hendeku që përbën transhenë ku bën mirë të fortifikohet guerrilja polemiste dhe kritika sociale.

Më lejoni të shoh tek simbolika e gjestit kryeministror gjatë shpalljes së ndërtimit të këtyre veprave masive, thjesht ironinë politike në çaste pune. Nuk është e para herë që publikun shqiptar e vendosin përpara faktit të kryer pa ia marrë fare parasysh - shijet jo e jo - por as ekzigjencat më elementare. Me justifikimin e fitores në një palë zgjedhje pa program (zgjodha njeriun), këtu tek ne konsumohen për katër vjet rresht mynxyra nga më të parrëfyeshmet.

Demokracia e deleguar, mund të thotë dikush, i ka këto kusure, por pikërisht për shkak të këtij risku shqiptarët kanë miratuar më 1998 një kushtetutë e cila u lë atyre në dorë siguresat që mund të ndezin në çdo moment dritën jeshile për të zbatuar formën më të afërt me demokracinë e vërtetë, që quhet demokraci direkte e që njihet me pseudonimin referendum. Arsye për referendum në Shqipëri ka pasur nga 1998-a e tëhu sa të duash, por e vërteta mediokre është se qysh aherë, as edhe një herë të vetme shqiptarëve nuk u është lejuar zbatimi i kësaj të drejte. Injorimi i përsëritur dhe zhvlerësimi i referendumit, është kthyer dalëngadalë në një zanafillë nga ku burojnë shpesh ngërçe, tensione e madje edhe kriza artificiale.

Çdo nismë qytetare për mbledhjen e 50 mijë firmave që ligjërojnë mbajtjen e një referendumi, ka ndeshur në murin kundërshtues të KQZ-ve të të gjitha kohërave. Qeveritë janë lënë të qeta në abuzimin me besimin e njerëzve. Por problemi kryesor nuk qëndron këtu. Problemi kryesor qëndron në faktin se ndërsa deputetë e politikanë e forca të tëra politike janë përbetuar gjithë kohës sikur luftojnë për çështje që nëse nuk triumfojnë do të thotë fundi i civilizimit në formën që ne njohim (është arritur deri në disiplina autodestruktive si rrahje me shokët apo greva urie), nga ana tjetër asnjëherë nuk kanë qenë të gatshëm që përballë dështimit me numrat e demokracisë së deleguar, ta dërgojnë çështjen e tyre për vërtetim popullor tek numrat e demokracisë direkte.

Opozita është shndërruar në një replikë prozaike dhe bajate të redaksisë së emisionit “Fiks Fare” me Ed Shalësin e Saimir Tahirin si mëtonjës të Doktorit dhe Saimirit dhe me Vasilika Hysin e Olta Xhaçkën versus Velinës bionde dhe Velinës brune. Parlamenti ynë është populluar nga një Seleçao krijesash të leshta, antropomorfe, pa gjak, pa iniciativë dhe pa interes për të dëgjuar dhe luftuar për njerëzit që i kanë dërguar në atë sallë. As edhe një nismë e vetme, as edhe një “përfaqësues” i vetëm i popullit nuk e ka plotësuar kurrë detyrën e vet deri në fund a thua maksimumi që mund të japin ata për të mbrojtur interesat e njerëzve janë ca mimika, nja dy metafora dhe pak gjimnastikë në sallë. Asnjë prej tyre nuk ka marrë mundimin për të konsumuar me këmbëngulje e vendosmëri çdo mundësi për të vënë në jetë idealet e tyre (ç’ideale mor aman) deri përmes referendumit. Për ta, ruajtja e ekskluzivitetit të vendimmarrjes është kështu më e shtrenjtë se zgjidhja konkrete e problemeve në të mirë të popullit.

Rreth evitimit të referendumit duket sikur ekziston një marrëveshje misterioze që i paqëton sa hap e mbyll sytë gjakrat e ndezur të rivalëve politikë. Ky konspiracion i heshtjes i mban gjatë gjithë kohës esëll “të majtë” e të djathtë e i shndërron nga opozitarë në vëllezër për një kauzë të madhe kundërshtarët që deri në atë moment sa s’po nxirrnin kamat nga brezi. Prej 12 vjetësh politikanët në këtë vend, kanë pengmarrë vullnetin e popullit, duke bërë siç duan e duke sajdisur veten me 4 vjeçarë pas 4 vjeçarësh rehatllëku, pa frikën se mund të thirren në çdo moment në raport.

Institucioni i shumicës së dalë nga zgjedhjet – në raste kur demokracia bëhet edhe më e kufizuar merret vesh se këtë rol nis ta luajë jo më Kuvendi por vetëm qeveritë, e kur i afrohemi protofashizmit, thjesht individët në krye të qeverive – mundohet të jetë diçka e ngjashme me Magazinat Popullore të kohës së Enverit, ku në mënyrë parodike “gjen gjithçka” që supozohet si e domosdoshme për njerëzit: që nga marmallata deri tek oturakët. Kështu “shumica”, shitet se mund të marrë me mend se çfarë u intereson milionave të masave dhe e realizon atë pa e vrarë mendjen shumë, qoftë ajo një rrugë kombi apo konçension hidrocentralesh mbi përrenj. Nganjëherë kjo shumicë e pakicës së njerëzve të këtij vendi, mund të mundohet t’i sajojë gjërat në mënyrë të atillë që të privilegjojë ata që kanë në dorë përjetësimin e saj në pushtet. Për këtë arsye është e nevojshme kritika nga ana e pakicës së pakicës. Kur kjo kritikë duket se nuk pi më ujë, si rregull do të duhej të thirrej për të dhënë gjykim ajo shumica e vërtetë dhe e pagabueshme, të cilën zakonisht e marrin për dekor kur duan të bëjnë gara kush mbledh më shumë ushtarë në shesh.

Më shumë liri, a s’do të ishte më mirë për të gjithë? Njëzetë vjet pasi shqiptarët u ankuan për herë të parë se donin një sistem më demokratik, demokracia që u është vënë në dispozicion duket se s’është më e mjaftueshme.Veçse imagjinoni se sa më të lehtësuar do të ishin të gjithë sikur ta dinin se për çdo mosmarrëveshje në dukje epike, ka një zgjidhje të thjeshtë siç është verdikti i sovranit. Me një dorë referendumesh, shqiptarët do t’i kishin hequr nga zemra vetes aq shumë pengje e do të kishin kursyer aq shumë kriza, para të shpenzuara kot, vonesa në integrimin europian e debate parlamentare, sa s’mund të merret me mend.

Thuajse në secilin vend demokratik të Europës, s’ka fundjavë që nuk zhvillohet në nivele të ndryshme ndonjë referendum. Disa të tjerë e kanë të organizuar në mënyrë praktike zhvillimin e referendumeve në ditën që përkon me thirrjen e popullit në kutitë e votimit për zgjedhje kombëtare a lokale. Si rregull, italiani, apo britaniku, apo zvicerani, apo skandinavi, bashkë me fletën e votimit, krejt pa ndonjë ceremoni të posaçme, merr në dorë edhe një fletë tjetër, fletën e referendumit ku janë rreshtuar gjithë çështjet që kanë ngrënë debat gjatë kësaj kohe, dhe ku fjala e fundit i lihet popullit. Diapazoni i këtyre çështjeve është aq i gjerë saqë ai përfshin gjithçka, nga pikëpamja për Kushtetutën europiane e deri tek normat e preferuara të emisionit të gazit karbonik nga makinat.

Përfytyroni tani në Shqipëri, sikur befas ndonjë burrë shteti që do të meritojë ta përkujtojnë në të ardhmen si Ismail Qemalin në ndonjë tip Rotonda de los Illustres, të propozojë që 8 majin e ardhshëm, shqiptarët bashkë me kryebashkiakët të zgjidhin edhe ca pikëpyetje që i mundojnë prej kohësh. Dikush më me shumë mend mund të hartojë një listë më të përpiktë, por mbase midis çështjeve të rreshtuara më poshtë, ka nga ato që mund të shërbejnë si një bazë fillestare. Do të ishte bukur sikur qytetari përveç rockstarëve të PD-së e PS-së, të kishte mundësi të vendoste edhe nëse i do taksat të sheshta apo progresive. Nëse preferon t’ia shpenzojnë më shumë paratë për infrastrukturë apo për arsim e shëndetësi. E kështu me radhë le të vendosë po populli edhe për zgjedhjen e presidentit nga populli, për aplikimin e dënimit me vdekje, për kalimin e SHISH-it në varësi të qeverisë, për ligjin e lustracionit, e madje edhe për hapjen e kutive zgjedhore nëse këtë e kërkon qoftë një qytetar i vetëm. Idealja do të ishte sikur për referendum të kalojë gjithçka që politikanët nuk e kanë shpjeguar në mënyrë eksplicite gjatë prezantimit së programeve të tyre zgjedhore e që mundohen ta kalojnë sikur e kanë të drejtë natyrore, krejt pa pyetur njeri sapo marrin pushtetin.

Në fund, meqenëse të gjitha këto çështje të mundimshme e të akumuluara prej kaq shumë kohësh do të mund të merrnin një përgjigje të padiskutueshme si vetë demokracia direkte, për t’i hequr merakun kryeministrit e për t’i dhënë njëfarë lezeti trendy buqetës shumëngjyrëshe të halleve që do të zgjidheshin, le të shtoheshin edhe ata dy karafilat e fundit: a të ndërtojmë një stadium të tretë në Tiranë? Dhe a t’i bëjmë më në fund deputetët e varfër me një shtëpi të re?

(Gazeta "Shqip", 15 Shtator 2010)

Shqipëria pa bikini

Më në fund çadrat e plazhit janë palosur, tavernat verore kanë ulur qepenat, hotelierët po numërojnë fitimet në valutë të fortë, politikanët janë kthyer përfundimisht nga Sardenja për të rifilluar “krizën” dhe populli shqiptar pas imitimit për plot tre muaj të turistit gjerman me abronxaturë, kripëzim, jodizim dhe shpenzime milionëshe, mund të rinisë të zbulojë se në këtë anë të kontinentit jeta s’vesh përditë bikini.
Në këtë pikë, është mbase momenti për të hedhur një shikim vetëm paksa më kritik se zakonisht në marrdhënien e re midis shqiptarëve dhe asaj që përherë e më shumë po afishohet si “mrekullia turistike” e Shqipërisë – një thesar i ri, i sapozbuluar, një lloj çeku i bardhë çudibërës apo sënduk florinjsh që e hasim aksidentalisht në kopshtin ku e kishin groposur gjyshërit.
Ajo që ndodhi këtë verë në Shqipëri – dhe që zaten ka nisur tinëz dy a tri sezone më herët – është manifestimi i parë arrogant i një retorike me të cilën do të na ushqejnë deri sa të na e nxjerrin për hundësh për disa vite në vijim. Shqipëria sapo ka gjetur Kepin e saj të ri të Shpresës së Mirë, ky kep quhet turizëm dhe të gjitha busullat, velat, antenat, spirancat dhe anija e përbashkët ku lundrojmë të gjithë si popull e ka drejtuar tani për atje kursin e saj.
Ky është destinacioni ynë i ri i një mbrothtësie financiare që arrihet pa mundim, një ishull i lumtur ku ne jo vetëm mbrohemi nga stuhia në këto kohë krize globale, por ku i dalim përanash edhe atij gjestit të sikletshëm e të lodhshëm që quhet punë krahu. Një mënyrë fitimi që duket si e prerë për kokën tonë: pak ose aspak lodhje (ka punuar Zoti për t’i qëndisur plazhet tona të virgjëra) dhe shumë kënaqësi (mbetet që këto delikatesa thjesht t’i zhvirgjërojmë e ndërzejmë siç dimë ne, domethënë vendshe).
Krejt për arsye sinqeriteti, atdhedashurie pa kushte apo cektësie intelektuale, kësaj teorie po i qepen symbyllurazi – e përsëris, në mënyrë fare të sinqertë e naive – edhe shumë nga ata që përballë rrezikut të shndërrimit të turizmit në një fe tonën integraliste, do të duhej të përbënin avantgardën e një trupe kritike dhe të pamanipulueshme të intelektualëve të këtij vendi.
Të jesh sot në Shqipëri kundër zhvillimit të turizmit, a thjesht të mos këndosh me devocionin e duhur strofën tënde në korin e madh panshqiptar të lumturisë marinare, klasifikohet gati gati si diçka që lëkundet nga mëkati i mohimit të Zotit deri tek veprimtaria subversive antikushtetuese. Që Shqipëria ka një të ardhme tek turizmi i diellit dhe i detit është këtu tek ne, një aksiomë gjerësisht e pranuar dhe për ta bërë atë më të palëkundur, ka një makineri të tërë propagande shtetërore dhe kolaboracionizmi opozitar që punon ditë e natë.
Pritat sporadike kaçake midis të djathtëve e “të majtëve” shqiptarë kur bënin adetin e sherrit mes tyre në ditë vape e përtese, ia arritën me lehtësi të krijojnë idenë qetësuese se sidoqoftë, të dyja palët s’janë tërësisht dakord dhe ne, mirë a keq, i kemi dy palë. Kjo divergjencë “e thellë” në sektorin zbavitës të turizmit me dy fjalë konsiston në faktin se teksa qeveritarët mburren se turizmi sivjet në Shqipëri shkoi vaj (ajo rima: më shumë vizitorë se banorë), opozitarët thjesht ankohen se qeveria ishte e paaftë ta bënte Shqipërinë një vend ku turizmi bën namin. Kështu, duke asistuar të gjithë në shpalljen e pandalshme të ideologjisë që e ka emëruar turizmin si shpëtimtarin ekonomik të vendit, sapo kemi hyrë në një edicion të ri iluzionesh.
Por brenda koncertit melodioz ku sot po festohet Shqipëria ekskursioniste e viteve ’10 të këtij shekulli, mjerisht fle klithma e mbytur e një instikti vrasës. Kulti i turizmit si një rekonkuistë ekonomike që do të sjellë begatinë, mban brenda vazhdimin e një seriali kriminalistik. Të investosh gjithë energjinë kombëtare drejt zhvillimit të një sektori si turizmi (një resurs që s’varet thuajse fare nga veprimtaria njerëzore, por kryesisht nga gjeografia dhe meteorologjia) si dhe ta venerosh atë si të ishte eksplorimi përfundimtar i rrugës sonë drejt së ardhmes, është më e pakta një atentat ndaj konstruksionit social të shqiptarëve të cilëve u ndalohet kështu përfundimisht të jenë seriozë.
Në një vend si yni ku aktiviteti i mirëfilltë prodhues është ende i pakrahasueshëm as me atë të ditëve më të zeza të epokës së diktaturës, duket sikur bëhet gjithçka për të na mbajtur larg nga e vërteta. E vërteta është se nuk mund të ketë një zhvillim real nëse nuk i rikthehemi seriozisht punës, veprimtarisë konkrete prodhuese, zhvillimit industrial, avancimit teknologjik dhe nxitjes së progresit të shëndoshë shoqëror. Për këtë s’ka kompromis. Gjithçka tjetër që s’ngjan me këtë, është thjesht një mashtrim.
Shqiptarët nuk do të mund të shërohen nga sëmundjet e tyre të vërteta kombëtare që janë varfëria, papunësia dhe prapambetja shoqërore, për sa kohë do të përqafojnë symbyllurazi lloj lloj palaçollëqesh të maskuara si metoda alternative shërimi. Këto metoda që premtonin të sillnin para të lehta tek shqiptarët kanë tashmë itinerarin e tyre të diskredituar që nis nga shock terapia deri aty nga vitet ’95, firmat rentiere deri më ’97, privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha publike deri më 2005 apo anomalia tumorale e biznesit të ndërtimit deri më 2008.
Të gjitha këto “strategji të mëdha” vuanin nga e njëjta defiçencë: mospërfshirja brenda tyre e elementit bazë për zhvillimin e një ekonomie me themele gjenuine – prodhimit industrial. Në rastin më të keq, ato ofronin formula magjike drejt lumturisë e në rastin më të mirë, ishin thjesht veprimtari anormale ofrimi shërbimesh, duke u krijuar artificialisht treg produkteve të importuara a duke qarkulluar kapitale të një zot e di se ç’origjine. Për 20 vjet, të gjitha “lokomotivat” e zhvillimit të shqiptarëve, teksa zëvendësonin njëra tjetrën nga stacioni në stacion, karakterizoheshin nga krejt koleksioni i promovimit të dembelizmit, moskokëçarjes, pritjes nga të tjerët, ezaurimit të resurseve natyrore dhe abuzimit me to.
Fizionomia e individit të asociuar me këtë lloj zhvillimi është ajo e një krijese antisociale që ngjan shumë me portretin modern të turistit shëtitës. Ekzistenca e këtij lloj njeriu që reklamohet si model shoqëror mbështetet mbi të njëjtat principe si ato të kolonive të bakterieve: zhvendosu nga një vend në tjetrin, konsumo ç’të mundesh dhe ik. Përballë një bote që po bëhet përherë e më kompetitive, oferta jonë kombëtare e dirigjuar nga një klasë udhëheqëse që alternon vetveten në të dy kahjet e spektrit politik, është në pikën e saj më të ulët.
Duke mos u dhënë shqiptarëve qëllimisht mundësinë për t’iu rikthyer punës dhe prodhimit, duke i mbajtur të ndrydhura dhunshëm energjitë e tyre krijuese, ligjvënësit tanë thjesht sa i sigurojnë vetvetes dhe sojit të tyre një qeverisje pa andrallat e qëndresës së organizuar shoqërore që mund të vinte nga ekzistenca e një popullsie me aktivitet dinamik prodhues. Gjithashtu ata i garantojnë vetes një rreth të përhershëm militantësh nevojtarë që në kushtet e mungesës së alternativave të tjera për të ecur përpara, e varin ekzistencën tek shkëmbimi i përjetshëm i favoreve. Nëse ashtu si në vendet e tjera përreth edhe Shqipëria do të njihte një zhvillim normal të ekonomisë atëherë një nga elementët kryesorë lëvizës në shoqërinë tonë do të ishte një klasë e cila në këtë moment kur flasim është tërësisht e injoruar, e paralizuar, e dekurajuar dhe deri e përzënë nga ky vend. Kjo klasë ka emrin që sot përçmohet më shumë se kurrë në Shqipëri dhe është “punëtoria”, apo siç njihet sot në gjithë botën perëndimore “the working class”.
Punëtorët janë njerëz të ndaluar në këtë vend. Të rinjtë shqiptarë nxiten përmes një bigbrotheri të përditshëm kinematografiko-politik t’i investojnë jetët e tyre për t’u bërë të gjithë avokatë, mjekë, artistë, agjentë marketingu apo thjesht parazitë me lekët e babit. Me një fjalë gjithçka përveçse punëtorë. Shkollat e mesme profesionale janë fshirë pa nam e nishan nga faqja e dheut. Vegjetimi, vetëkënaqja e nënproduktet e tyre imediate: kriminaliteti juvenil, vagabondazhi, sfidimi i legalitetit, mbeten rrugëdalja e vetme e çlirimit të energjive për shumë njerëz.
Të jesh thjesht punëtor sot është një lloj turpi dhe ata që fundja janë punëtorë prodhues s’gjejnë asnjë mundësi jetese në këtë vend ndaj shërbejnë si numërorë plotësues për armatat e proletariatit perëndimor për t’u kthyer në atdhe vetëm pasi kanë harxhuar energjitë e rinisë dhe tashmë të konvertuar pas ca kursimesh në specien e parrezikshme të biznesmenit të vogël. Veprimtaritë kryesore fitimrurëse këtu – përveç të bashkëjetuarit me ndonjë deputete me konçensione në pajë - janë ato që gërryejnë dhe shesin pa përpunim pasuritë tona natyrore, ato që ofrojnë shërbime ndër më baziket, apo ato që operojnë në sektorin tregtar apo thjesht shitblerjes, dyqaneve, lokaleve e restoranteve, me një fjalë shpërndarës të të mirave që përpunimin industrial e kanë kaluar kryesisht jashtë vendit e që na shiten ne të gatshme.
Rëndësia politike e punëtorisë së gjymtuar që angazhohet në këto ndërmarrje është afër zeros dhe kësisoj edhe partitë politike që veprojnë sot tek ne, s’kanë as interesin më të vogël jo vetëm të mbrojtjes së të drejtave të kësaj shtrese, por as të dhënies së mundësisë që kjo shtresë të funksionojë normalisht. Sindikalizmi është një parodi e vazhdueshme, krahu i punës është në kufijtë e skllavërimit total dhe portreti i punëtorit shqiptar është sot i ngjashëm me atë të çifutit në Rajhun e Tretë: i nëpërkëmbur, i keqpaguar, i përjashtuar nga skemat e sigurimeve dhe i ridikulizuar deri në kufijtë e përndjekjes.
Partitë tona të djathta neoliberale duhen respektuar dhe përshëndetur në këtë rast, për shkak të sinqeritetit dhe çiltërsisë me të cilën duke ruajtur këtë status-quo po bëjnë thjesht detyrën e tyre si organizata politike që nuk e bazojnë hegjemoninë tek interesat e punëtorisë por tek ato të pronarëve dhe kapitalit. Ata që meritojnë të mbajnë damkën e turpit janë ata që guxojnë deri edhe të vetëquhen “të majtët” tek ne dhe që i tremben më shumë se kushdo punës nga frika se mos i quajnë parti e saj. Në mënyrën sesi këto deformacione monstruoze politike vazhdojnë të gjallojnë, të gjenerohen dhe përkundër asaj që ndodh me betonimin e vazhdueshëm solid të së djathtës, të shtohen e riprodhohen në formë mikrobi, ka një referencë të qartë tek ajo që ndodh në segmente të shoqërisë ku ky lloj parazitizmi kërpudhash është në ambientin e vet natyral. Sipas logjikës normale, këto lloj partish në mos do të duhej të mbështeteshin tek punëtoria, së paku duhej të luftonin për të krijuar pre-rekuizitat e rilindjes së kësaj shtrese tek ne. Duke mos e bërë këtë, ata jo vetëm sharrojnë pa pushim degët e pemëve mbi të cilat vënë të ndenjurat, por japin kontributin e tyre në degjenerimin e fizionomisë sociale të shqiptarëve sipas shëmbëlltyrës së degjenerimit të tyre të brendshëm e kështu qerthulli vazhdon rrotullimin e vet në mënyrë të pambarimtë ciklike.
Duke i dhënë një dorë kështu krijimit të një kombi konsumator, një kombi-virus, që po profilizohet pak nga pak si një komunitet njerëzish që ofron thjesht disa shërbime qejfi dhe ku nuk lulëzon asnjë lloj veprimtarie prodhuese përveç aksesorëve të asaj që nuk i tremben konkurrentët tanë: hoteleri, kamerierë, restorante dhe shkollim i përciptë.
Ja pse pas një sezoni “gala” pushimesh dhe kënaqësish turistike po asistojmë në celebrimin zyrtar të martesës së radhës mes shqiptarëve dhe kultit të ri të dembelizmit. Dhe ja pse është ndoshta momenti për ta ndalur më në fund këtë festë të shfrenuar marrëzie e për t’i rikthyer gjërat në vendin e vet natyral. Për t’ia zhveshur forcërisht Shqipërisë bikini-t e një lumturie iluzive, e për ta dërguar krejt lakuriq e të turpëruar si Gjermania një ditë pas lufte, drejt asaj nga ku do t’i vijë shpëtimi: punës.

(Gazeta "Shqip", 7 Shtator 2010)

Ky nuk është një shkrim për grevën

Mënyra më praktike për t’u shfrytëzuar që mund t’i sajojë vetes në këto ditë greve një njeri me mend në kokë dhe laps në dorë, do të ishte: t’i shtojë ndonjë çikë emocion, tension e zhurmë nga e vetja asaj resë së dendur të propagandistëve që zhurmojnë rreth grevës. Për këtë arsye, ky nuk është një shkrim për perimetrin e brendshëm të çadrës së urisë, por për perimetrin e asaj çka ndodh jashtë saj. Ky nuk është një shkrim për ato që Rama thotë në patetizmin e përditshëm të kopjuar nga uebsajti online i rrjetit underground Fronti i Rezistencës Sociale, por për ato që Rama nuk thotë rreth mënyrës sesi shkojnë punët brenda partisë së tij. Ky nuk është një shkrim për t’u rreshtuar me listat e intelektualëve, gazetarëve dhe velinave të secilës palë, por për t’u rreshtuar me listat e bukës dhe të papunëve që do të vazhdojnë të jenë po aq të uritur dhe të papunë edhe pasi Rama t’i ketë identifikuar me emër dhe mbiemër komisionerët e tij që blenë bukë për fëmijët kur shitën me para votat ngaqë deri as tek ata nuk ndizte frymëzim të mjaftueshëm kryetari socialist.
Si unë, ka shumë të tjerë që dëshirojnë ta shohin me ftohtësi neutrale gjithë skenografinë ku duan të na vendosin me detyrim si figurantë pasionantë. Disa nuk mund të rrinë pa folur ngaqë kanë frikë se mos u shpëton momenti historik për të pasur siç thotë Andy Warhol “15 minutëshin e vet të famës”. Disa të tjerë druajnë se mos duke mos folur do i damkosin direkt si mercenarë të krahut tjetër. Ka disa madje, që janë të detyruar të flasin me entuziazëm për aktivitetin e fundit politik të PS-së, pasi nëse nuk e bëjnë, mediat ku paguhen mund t’i flakin ata në rrugë, pikë për pikë siç ndodh në disa media a zyra pune të kontrolluara nga partia në pushtet.
Por ka një të vërtetë të shndritshme brenda shpalljes së mërzitshme të kësaj që le ta quajmë grevë rreshtimi, apo refuzim për të kënduar në kor. Braktisja që po i bëjnë të ngrënit të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste dhe aleatët njëri pas tjetrit (për shkak se janë të zemëruar që s’po u del e tyrja në një mosmarrëveshje me një parti tjetër) është një çështje që nuk u takon njerëzve të thjeshtë. Ai është një sherr i brendshëm midis dy organizatave politike, kësaj specieje të huaj e gati gati aliene për sytë e shqiptarit të zakonshëm. Një problem personal brenda llojit të tyre armiqësor ndaj qytetarit. Problem i cili po u imponohet njerëzve të tjerë të këtij vendi me një arrogancë dhe një metodikë propagandistike që i ka të gjitha shenjat dalluese të një diktature informative. Ai është një hall i tyri që ata kërkojnë me çdo mënyrë që ta bëjnë edhe tonin dhe që pikërisht për shkak të grykësisë dhe euforisë fëminore me të cilën po serviret në marrdhëniet me publikun, po shkon drejt një çngjyrosjeje të shpejtë e të garantuar.
Nuk bëj pjesë tek cinikët që dyshojnë deri mbi faktin nëse 200 anëtarë të flaktë të një partie mund të mbajnë dy javë ramazan politik apo jo. Kjo, jo sepse më mungon skepticizmi i nevojshëm për ta bërë këtë, por sepse kjo është një çështje që sinqerisht nuk më intereson aspak, pasi lufta e militantëve partiakë (e për më tepër, e këtyre lloj militantëve të këtij lloji partish) nuk është lufta ime. Nuk më intereson fare nëse ata që u kushton ora e dorës sa gjithë të ardhurat vjetore të një pjesëmarrësi në protestat e tyre, po i bojkotojnë vërtet vaktet apo thjesht po marrin pjesë në ndonjë variant glamour të Big Brother Albania si banorë të çadrës më të famshme në Shqipëri, ku vëllai i gjatë “is watching you”, ku për ta bërë sa më televiziv dhe sa më intrigues spektaklin, ka romanca, lule, lotë, debate, surpriza dhe vizitorë brenda shtëpisë, ku ka sfidë të javës dhe nominime për ata që duhet apo s’duhet ta lënë menjëherë lojën.
Me një fjalë, asgjë kundër motiveve të grevës dhe asaj nëse pjesëmarrësit në të i quajnë këto motive të drejta apo jo. Kushdo ka të drejtë të shprehë protestën e tij në mënyrën e tij dhe ta quajë të drejtë kauzën që mbron. Kur deri për ballistët ka një farë indulgjence ngaqë besonin se lufta e tyre ishte e drejtë, imagjino më pastaj për ata që deri edhe hapjen e kutisë së Erion Velisë e binjakëzojnë direkt me antifashizmin e partizanëve ashtu siç Berisha lidhte përkrenaren e Skënderbeut me samitin e Bukureshtit.
Por ajo që nga ana e organizatorëve të këtij aktiviteti partiak përbën një shkelje flagrante të dinjitetit të njerëzve dhe lirisë së tyre për të mos iu nënshtruar propagandës politike është dhuna me të cilën armatura e kësaj greve po i mvishet problematikës që i intereson realisht qytetarit shqiptar. Është këmbëngulja moskokëçarëse me të cilën pakënaqësitë teknike të një subjekti politik ndër dhjetëra të tillë që popullojnë konstelacionin e organizatave tona politike po i ngarkohen si një tjegull shtesë çatisë së telasheve që edhe pa telashin e socialistëve, njerëzit e kanë vetvetiu mbi supe. Kjo mbivendosje është pak ta quash prepotente. Deri edhe lajmin e qindra të helmuarve në Ballsh (ku s’u mor vesh se pse s’pati kamera), apo të aktit kriminal pa dëshmitarë mediatikë në gjimnazin e Elbasanit, shumë media e pozicionuan poshtë në hitparade-n e tyre të lajmeve të ditës, pasi ndodheshin nën artilerinë propagandistike të grevës. Këto ngjarje vërtet shokuese ishin në momentin e parë shumë mbrapa në listën e lajmeve kryesore, pasi vendin kryesor e zunë mimikat kinematografike të Ramës apo efektet speciale të ambulancave që transportojnë grevistë partiakë në gjendje të rëndë drejt spitalit, si përherë nën histerinë e kamerave, mikrofonëve dhe komentatorëve. Në fjalimin e tij të radhës, Edi Rama ua atashoi me një lehtësi ofenduese edhe këto dy situata tragjike që ranë mbi kurrizin e njerëzve që s’ishin në grevën e tij –arsyes së ndërmarrjes së grevës së tij. Kjo vetëshpallje prej Mesie është jo vetëm e pa kërkuar nga askush, por mbi të gjitha e pamerituar dhe të paktën për këto dy plagë të freskëta që ende kullojnë gjak nga trupi i popullit të thjeshtë, lideri i asaj partie që synon të vijë në pushtet duhet të kërkojë falje që deshi t’i përdorë për të ndezur ndonjë emocion më shumë në sheshin e protestës së tij të radhës.
Sikurse Fatos Lubonja vëren në një shkrim të tijin rreth simbolikës së grevës, kur organizatorët e grevës bllokojnë bulevardin me çadra e podiume, apo kur bëjnë kaps me militantë që ulen këmbëkryq rrugët që çojnë në punët tona jo-politike secilin prej nesh, ata as që e vënë ujin në zjarr për atë se çfarë u ndodh jetëve të thjeshta e të zakonshme të njerëzve që nuk i përqafojnë qëllimet e tyre politike. Ata kanë vendosur se, ajo çka është shqetësim për ta, me domosdo quhet shqetësim edhe për ne të tjerët dhe s’marrin mundimin as të pyesin nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ata thjesht superpozojnë gjullurdinë e tyre të zhurmshme mbi gumëzhimën e problemeve të përditshme brenda kokës së çdo shqiptari duke shpresuar të krijojnë aty harmoninë e tyre përmes kaosit. Ky lloj eksperimenti kryhet në mënyrë agresive, arrogante e fyese dhe është një shenjë e qartë se sa i ha meraku këta aparatçikë partiakë për problemet reale të njerëzve.
Kjo po i shndërron ata që betohen se po luftojnë për një Shqipëri më të mirë në emër të ne të gjithëve, në shëmbëlltyra ekzakte të një tjetër subjekti politik - atij që sot ka pushtetin tek ne, e që kritikohet se i mungon deri modestia më bazike për të mos i trazuar në mosangazhimin e tyre ata që mendojnë ndryshe. Edi Rama dhe Sali Berisha, tashmë janë bërë si dy shishe vere që po t’i degustosh me sy mbyllur pa ua parë etiketën, i ngatërron me njëra tjetrën. Nuk ka ndonjë dallim të madh midis Ramës që fare i paautorizuar nga ne, qytetarët e këtij vendi, shpall se s’do hajë bukë për hatër të interesave që ai supozon se janë tonat dhe Berishës që shkon më larg dhe vendos që jo vetëm të bëjë gjëra në emrin tonë por edhe të përcaktojë si jemi ne. Jo më larg se tri ditë më parë mund të shihje vetëkënaqësinë e djallëzuar të kryeministrit që për të justifikuar anti-mitingjet e kurdisura nën rrogoz nga ai vetë, sapo kishte marrë vendimin që “shqiptarët janë populli më politik” në gjithë Evropën a rrezik në mbarë botën.
E parë në një kontekst më të distancuar, e gjithë kjo që po ndodh është pjesë e një anomalie të madhe. Pjesë e një deformimi që i ka themelet të hedhura vite më parë dhe rrënjët të zhytura në një kulturë të egër western e cila ushqehet nga sistemi ku jetojmë. Një sistem që nxit pakënaqësinë e gjithsecilit me atë që i ka rënë për pjesë. Në sajë të kësaj anomalie, në këtë vend askush nuk bën punën për të cilën është destinuar duke u munduar madje që ta bëjë mirë atë, por beson se ekziston një plan i madh hyjnor komplet i personalizuar për të. Në sajë të kësaj anomalie që mitizon macho-t dhe të fortët, kemi që nga 1996-a e tëhu, që vetëm për të mos pranuar damkën kompleksive të humbësit, vendi futet në kriza ciklike nga liderët partiakë që dështojnë në zgjedhje. Dhe prej këtu buron edhe panorama trishtuese që shohim sot para syve në këtë Shqipëri përherë nervoze, ku doktori mendon se është gaztor, piktori kujton se është pastor, biznesmeni pretendon se është martir, çuni i mamit vendos të jetë Che Guevar-ë dhe gazetari beson se është ushtar.


(Gazeta "Shqip", 13 maj 2010)

Rivali i Maqos

Në një skeç piktoresk të viteve ‘80, një mysafir nga qyteti u kishte deklaruar mikpritësve të tij në fshat se vizitës së tij të stërzgjatur dhe të lodhshme do t‘i vinte fundi vetëm pasi ata t‘ia kishin gatuar të gjitha pulat e ekonomisë së tyre të vogël shtëpiake. Në mëngjesin e shumëpritur të lamtumirës, kënga e një gjeli që shërbente me sa dukej si sahat me zile, lajmëron se erdhi ora 4, koha kur nisej edhe treni. Me të dëgjuar gjelin, i prekur si të kishte bërë një zbulim tepër indinjues, mysafiri u thotë të zotëve të shtëpisë se prapë nuk ka ndërmend të ikë nëse nuk ia therin edhe zhurmuesin e fundit me pupla të oborrit dhe me këto fjalë, kthehet në krahun tjetër dhe vazhdon gjumin e ndërprerë.


Tej komikes, historia e shkurtër ka edhe disa detaje të ngjyrosura që rrëfejnë sikletin e familjarëve përballë këtij mysafiri të papërgjegjshëm. Hallin e tyre në gjetjen e një mënyre delikate për t‘i kumtuar atij se e tepëroi. Një koleksion pengesash të mirëkuptueshme, rregullat e mikpritjes shtuar me ato të mirësjelljes, bezdia e turpit, njëfarë hipokrizie e kompleksuar për të mos publikuar vështirësitë e jetës familjare që në sytë e mikut duhej të afishohej me gjithë begatinë e një vitrine të certifikuar nga pseudosocializmi i sistemit. Të gjitha këto së bashku po e zgjasnin deri në agoni zgjidhjen e dilemës se çfarë është më e turpshme, kryerja e një gjesti të padenjë apo ankesa për të.


Nëse shoqërohesh këto ditë me socialistin e thjeshtë që luftën e "të mëdhenjve" po e sheh nga televizori, s‘ka sesi mos të të kujtohet ky skeç i gjelit dhe mysafirit. Ti mund të dëgjosh këto ditë perceptime nga më prekëset, të cilat madje përshkohen deri edhe nga një humor i zi i tipit: "Rama do të luftojë për kreun e PS-së deri në socialistin e fundit". Sikundër aktorëve të filmave apo të humorit që shpesh u mbetet stampa e përjetshme e emrit të një personazhi të suksesshëm që ata e luajtën me zell vetëmohues (kujto kunatin e shokut Xhemal), edhe Rama s‘po pyet më nëse tani e tutje në një Parti Socialiste ku konkurrenca e ndershme është vetëm një kujtim, ai do të mbahet mend si "rivali i Maqo Lakrorit".


E gjithë kjo, sepse shfaqja e Kongresit të fundit socialist ku "kënga" paralajmëruese e Blushit i ngjau mjerisht asaj të gjelit që i prishte gjumin turistit nga qyteti, gjeti kundërparrullën e saj të menjëhershme tek retorika e mysafirit Rama. "Kam një mision", ishte refreni justifikues i Ramës dhe për hir të këtij misioni misterioz, u dha edhe mandata se vizita e tij në shtëpinë socialiste është ende larg fundit. Kjo vizitë s‘do të mbarojë me sa duket, pa u asgjësuar edhe zëri i fundit i demokracisë, edhe sinjali më i zbehtë i alarmit, edhe siguresa finale para rrëshqitjes në terrin e autokracisë. Por kjo vizitë ka nga ana tjetër problemin se duhet të ngjajë si e merituar, dhe në televizor s‘do të dukej bukur sikur meritori i saj te mos dilte nga ndonjë biçim gare, nga ndonjë përpjekje titanësh, nga ndonjë konkurrencë epike.


Ndaj profesor Maqoja duhet të gatitet për ditë të lavdishme. Duhet të jetë gati teksa do ta citojnë si një klasik marksizmi këto ditë, do ta ngrenë në qiell dhe do t‘i hapin faqe të tëra gazetash ku ai të shtjellojë pikëpamjet e veta dhe papajtueshmërinë me rivalin e tij. Profesor Maqoja është kësisoj heroi i ditës - një Macho zemërmirë, gjigand i madh naiv, i zgjedhuri për t‘u lejuar të rivalizojë kryetarin, pasi përmes këtij karshillëku, ai e njeh dhe e certifikon atë si Zot. Problemi i vetëm i tij është se në oborrin e madh të socialistëve ku ka rënë mysafiri që s‘ikën pa ngrënë gjithë shpezët, ai s‘është dot një gjel.


Ka një arsye të fortë pse Edi Rama dhe njerëzit e tij bezdisen nga kënga e vërtetë e gjelit. Kjo këngë i kujton Edi Ramës dhe ekipit të tij të menaxherëve që bujtën brenda Partisë Socialiste me qëllimin për ta shndërruar atë në një ndërmarrje apolitike, se ata i harxhuan ditët që kishin në dispozicion dhe qyl-pilafi i këtij ansambli mysafirësh brenda së majtës tani s‘mban më ujë. Një kongres edhe mund të manipulohet me metoda marketingu dhe me retorikë të kopjuar nga "Social-Democratic Party of USA", por kjo lojë prestigjiatorësh nuk e eliminon dot të vërtetën e pashmangshme se një tren pret për t‘i dërguar ata andej nga erdhën dhe për ta rikthyer një realitet të shtrembëruar dhe abuzuar, në formën e tij të mëparshme.


Manipulimi i rëndë i imazhit dhe perceptimit mund të aplikohet edhe mbi një mbledhje partie të zhvilluar me dyer të mbyllura - për turpin e atyre që edhe nëse s‘po mundohen të fshehin një krim, nuk po denjojnë më as të provojnë "ndershmërinë" e tyre. Por pavarësisht këtij zelli të paepur për të shtrembëruar të vërtetën, ka një dimension të kësaj të vërtete të cilën s‘ka censurë, kor servilësh të kurdisur, grusht bolshevikësh që dërrmon pakicën menshevike, apo patetizëm teatral, që mund ta errësojë.


Populli i majtë i Shqipërisë tha më 28 qershor se ata që kanë pengmarrë përfaqësimin e tij, nuk e meritojnë këtë besim. Se ky vend i gjunjëzuar nga dramat e qeverisjes së djathtë, ky popull që nuk ka punë, që i merren paratë e nuk i jepen shërbimet, ky popull që në mes të Europës më 2009, deri deri ka uri, nuk fitohet me një dorë slloganesh freestyle të tipit: një, dy, tre - kërceni bashkë me ne. Ky popull e bëri përfundimisht të qartë se nuk e mashtrojnë efektet speciale televizive dhe se retorika e huazuar nga uebsajtet e seksioneve te PD-së amerikane të Obamës apo shndërrimi i fushatës nga podium debati në skenë festive shumëngjyrëshe, janë të pamjaftueshme për t‘i bërë ata të besojnë një brendi bosh.


Edi Rama është mysafir tek PS, tek kjo pasuri për të cilën ai dhe një grusht njerëzish flasin si ta kishin pronë familjare (shikoni sa shpesh i referohet Rama dhe njerëz afër tij PS-së me termin siçilian: "Familja" socialiste). Në të vërtetë PS ashtu si çdo organizatë tjetër politike është një pronë publike për të cilën qindra e mijëra njerëz - edhe ndër ata që s‘kanë milituar kurrë formalisht në atë parti - e kanë vënë nga një gur me punën e tyre jashtë saj. Ata janë mjedisi ku merr frymë dhe bën sens identiteti i organizatave politike ndaj ata kanë aksionet, aspiratat, kontributet dhe shpresën tek një institucion që garanton se liria në këtë vend është ende gjallë.


Edi Rama dështoi të administrojë këtë aset që iu besua. Në vend që të tërhiqet me qytetari e modesti, ai po mbahet me anë të një palë thonjve proverbialë pas ankesave se ata që po i kujtojnë se ora e tij kaloi, po tregohen të paduruar, të pamoralshëm, ambiciozë apo diçka tjetër. Ai akuzon qeverinë e djathtë për metoda diktatoriale të mbajtjes së pushtetit dhe plaçkitjes së votës me anë të përdorimit të hijes së rëndë të shtetit, por ndërkohë vetë Rama po përdor deri në ezaurim të gjithë municionin e autoritetit dhe presionit që të jep pushteti në krye të partisë për të bërë brenda saj të njëjtën gjë që PD bëri me votën e qytetarëve jashtë.


Për t‘u rikthyer tek skeçi i gjelit, në Shqipërinë post-moderniste të ditëve tona, ku zhvillohen Kongrese në të cilat mysafiri bëhet vetë zot shtëpie, mbase s‘ka rrugë tjetër. Kur harxhohen të gjitha mënyrat, kur s‘ka mbetur më asnjë metodë, takt apo batutë larg e larg për të bërë të ditur fundin e vizitës, mbase s‘ka alternativë tjetër për ta bindur një mysafir që të mbledhë plaçkat, përveçse duke ikur vetë të zotët e shtëpisë dhe duke e lënë atë të vetëm në shtëpinë e huaj. Ah po, bashkë me shokun Maqo.


(Gazeta "Shqip" 31 gusht, 2009)

Rifillojme nga e para

Sa herë një ngjarje tragjike me natyrë policore ndodh në Shqipëri - një atentat, një masakër, një krim makabër brenda familjes - vendi përshkohet nga valë të reja kërkesash për një rikthim në ashpërsinë e vjetër që ndëshkon me vdekje shkaktarët e vdekjes. Mediat organizojnë vox pop-s, shoqatat joqeveritare përpilojnë raporte, ekspertët japin intervista, deri politikanët- përgjegjësit e parë për avaritë në sistemin e drejtësisë së dizajnuar nga vetë ata, shfaqen me maska dëshpërimi para publikut duke kërkuar me populizëm oportunist: ndëshkim maksimal. Fryma e përgjithshme thuajse sa s‘eksplodon në formën e saj më konvulsive: "Në djall proceset e integrimit europian. Të kthejmë dënimin me vdekje".

Mjerisht, ky është konteksti i vetëm ku mund të konstatohet një farë revoltimi i angazhuar i trupës shoqërore shqiptare. Është po kjo trupë e cila në shumicën e rasteve i përcjell me një topitje të posaçme "atentatet" e tjera në lëmenj të tjerë, aty ku pësojnë karambol sot formatimi sheshues globalist (ndalim i dënimit me vdekje si në gjithë Europën. Rehabilitim), me autenticitetin kombëtar (të kthejmë dënimin me vdekje në kushtet e Shqipërisë. Ndëshkim). Përsëri mjerisht, sado e çuditshme të duket në krye, ky është gjithashtu një shembull që garanton se klasa politike në Shqipëri nuk do ta ketë kurrë guximin që të ndalë një proces shkatërrues që është paralajmëruar edhe më herët nga të tjerë njerëz të mendimit. Procesin vetëvrasës i cili mund të pikturohet edhe kështu: "ekziston rreziku që me vrullin mendjelehtë për t‘u kredhur me kokë në thellësitë e detit të gjerë e mikpritës të kapitalizmit global, shqiptarët të hasin në taban të fortë".

Arsyet mund të jenë të shumta. Për shkak të amatorizmit, mungesës së vizionit, grykësisë që mund të nginjet vetëm në një atmosferë kaotike etj., etj., klasa politike shqiptare nuk do të mundë kurrë të ketë kurajën të ndalë vrapin tonë drejt greminës. Krizat thjesht sa do të menaxhohen rast pas rasti dhe me kriza kam parasysh "rebelimet" shoqërore, zgjimet e përkohshme, bërjen esëll për një moment. Vetë sistemi i krijuar në këtë vend, i cili për të mos e lënë të mendojë, e mban qytetarin e këtushëm të mbërthyer në një sugjestion të pandalshëm skandalistik, spektakli, informacioni dhe pop-kulture, do ta gjejë vetvetiu metodën për ta mpakur zjarrminë që doli për një çast jashtë kontrollit.

Kjo po ndodh edhe ditët e fundit. Teksa të shtënat në stacionin e "Ilirisë" në Durrës ndalën dhe katër policë vdiqën nga dora e një të akuzuari për vrasje, indinjata - të paktën ditët e para - shkumëzonte haptas në sipërfaqe. Pak ditë më vonë, momentumi kur të gjithë ishin në një mendje kishte humbur, dhe ju mund të dalloni sesi tashmë jo gjetja dhe shkulja e rrënjëve të dukurisë së kriminalitetit si një i tërë, por shtjellimi i ideve të konspiracionit për rastin konkret të vrasjes së katër policëve, ka zënë me dhunë rrezen e shikimit të publikut. Revolta e momentit të parë (e shfaqur qoftë edhe thjesht në formën e një mendimi të sinkronizuar) është fashitur tashmë. Kjo e ka një arsye, pasi kjo pakënaqësi e parë kishte të bënte me fenomenin dhe kësisoj kishte të gjithë potencialin për ta vënë në lëvizje "shqiptarinë" si një kompleks social. Por tashmë vëmendja e njerëzve është zhvendosur me një mjeshtëri marketingu drejt diçkaje tjetër më pak të rrezikshme, e cila garanton mungesë diskursi dhe paqe sociale. Ajo është orientuar drejt thashethemit, terminologjisë spektakolare, efekteve speciale, rikonstruksionit të skenave të krimit, e deri ideve të nëndheshme sesi gjithsesi "drejtësia do të funksionojë" dhe qoftë edhe në mënyrë subversive, haka do të shkojë tek i zoti. Sesi do të gjendet një dorë magjike (si ajo e Adam Smithit) që do të heqë këmbëzën e kobures a tubin e oksigjenit në spitalin ku dergjet fajtori i plagosur. Loja tashmë është shtyrë shumë larg dhe vëmendja e qytetarit është dërguar përtej cakut të nevojshëm për një njeri, që ky njeri të fillojë të mendojë si pjesëtar i ndonjë grupi shoqëror. Në rastin konkret, përkufizimi për këtë grup do të ishte ky: "populli shqiptar i cili është i papërgatitur dhe aspak i gatshëm për të aplikuar një drejtësi rehabilituese në vend të drejtësisë ndëshkimore që i përshtatet më shumë konditave sociale ku ky popull ndodhet në gushtin e vitit 2009".

Drejtësia është vetëm njëri aspekt, por gjëja më interesante është se të njëjtit popull shqiptar, shumica e elementëve të realitetit ku jeton sot në gushtin e vitit 2009, i janë imponuar më herët, pa qenë nevoja të tijat konkrete. Kësisoj, sa herë që ndodhin eksese ai zbulon se ato janë të huaja, të papërshtatshme me kushtet ku ai jeton dhe shërbejnë vetëm si një stof propagandistik a një makijazh maskues që do ta bënte atë në sipërfaqe të dukej "i konvertueshëm" me Europën fqinje dhe mjedisin e kapitalizmit global rrethues. Kështu ka ndodhur në politikën që aplikon ky popull, e cila formalisht funksionon në trajtën e një demokracie liberale vetëm sepse kështu është standardi i botës që na rrethon. Në formën e saj "të egër" dhe të pamonitoruar, ajo shfaq fytyrën e saj prej diktature autoritariste të lidershipit të fortë. Prej këtu lindin edhe anomalitë e sistemit tonë politik, lindin kode zgjedhore që kërkojnë ekzistencën e partive me substancë të fortë ideologjike ndërkohë që organizatat tona politike s‘kanë kurrfarë brendie të tillë dhe tërë "doktrina" e tyre është e kufizuar në një luftë të pandalshme lidershipi, pasi "ora biologjike" e trupit tonë politik është ende në primitivitetin e adoleshencës pavarësisht se i kërkohet të veshë kostum burrash të pjekur. Kjo është arsyeja pse pikturimi me ngjyra demonike i liderit të partisë konkurrente shërben si oferta e vetme për qytetarët dhe pse politika jonë pothuajse kurrë s‘ofron debat konstruktiv alternativash zhvillimi.

Për të mos u zgjatur, anomali të ngjashme janë lehtësisht të konstatueshme edhe në sistemin e marrëdhënieve tona ekonomike, ku "mosha" reale e tyre nuk përputhet me sjelljen e saj. Ajo nuk përputhet as me standardin e nevojshëm që kjo ekonomi të jetë e aftë për të përballuar konkurrencën në kushtet e një tregu global. Pavarësisht kësaj diskordance, performanca që konstatohet nga kjo ekonomi është tërësisht autodestruktive dhe pasojat, tragjike (shih procesin agresiv të degradimit dhe më pas privatizimit të pronës publike, efektet dërrmuese të marrëveshjes së tregtisë së lirë etj). E njëjta gjë edhe në skedën identitare kombëtare. Teksa në të vërtetë shqiptarët janë në fazën kur u nevojitet më parë krijimi i entitetit të shtetit-komb që më pas të ndjekin rrugën normale të shkrirjes në struktura më të mëdha transnacionale, ata i paraqesin gabimisht si të dizinteresuar për bashkimin e vet kombëtar a si dashnorë të bashkëjetesës multietnike.

Është bërë zakon t‘i shtrohen detyra klasës politike, por është ndoshta koha që vetë shoqëria shqiptare të nisë të vrasë mendjen për të gjetur rrugëzgjidhjet drejt shpëtimit. Janë një rresht masash që mund të sillnin dobi dhe drejt së cilave ia vlen ndoshta të mendohet për t‘u gjetur zbatimin. Përtej agresivitetit, përbërësi më i nevojshëm për të cilin ato do të kishin nevojë do të ishte kuraja. Mes tyre mund të ishte pse jo: një riformatim i sistemit politik që do të nxiste debatin ideologjik, nëpërmjet një moratoriumi a deri suspendimi të organizatave aktuale politike për t‘i rikrijuar ato nga themelet në njëfarë lloj marrëveshjeje katharsisi të përgjithshëm reformator. Gjithashtu, do të ishte tani momenti kur duhet të kërkohet një rivlerësim i sistemit ekonomik, për ta rindërtuar atë në mënyrë që të priret kah prodhimi dhe jo kah tregtia e shkëmbimi i asgjësë apo parasë iluzive të kreditimit, nga përpjekja për administrim publik dhe jo privatizimi galopant i pronës publike. Po ashtu, ky mund të ishte momenti i përshtatshëm edhe për një riformatim të sistemit të drejtësisë duke i shtuar atij dozën e ndëshkimit përkrah asaj të rehabilitimit. Në të njëjtin kontekst, shoqëria shqiptare duhet të gjejë rrugët drejt një rikonstruksioni të plotë të strategjisë diplomatike, kulturore dhe arsimore me prirje kah krijimi i shtetësisë kombëtare. Dhe në fund, ajo që duhet bërë është një rivlerësim dhe riformatim i gjithë procesit të integrimit shqiptar në strukturat më të gjera transnacionale (BE, NATO, etj), me prirjen për të eliminuar rrënjët që e bëjnë të perceptohet këtë integrim si kjo lypje e tejzgjatur mëshirë-ndjellëse që ofrojmë ne sot.

Ky do të ishte një proces rivlerësimi objektiv që duhet kryer me vendosmërinë, saktësinë dhe gjakftohtësinë e një lufte për ekzistencë, pasi në të vërtetë ajo është një luftë për ekzistencë. Si në restorantet që pezullojnë aktivitetin për shkak të rikonstruksionit, Shqipëria ka nevojë të varë te dera tabelën: Rifillojmë së shpejti! Megjithatë, është gabim që kjo të konsiderohet si lufta heroike e një vendi kundër efekteve gllabëruese të globalizmit që e merr një komb punëtorësh që prodhojnë mendim, mallra e vlera konkrete dhe e shndërron në një masë që thjesht konsumon mendimet, mallrat a vlerat e të tjerëve ndërkohë që vetë, prodhon tashmë thjesht publik televiziv. Siç Hardt dhe Negri vërejnë tek "Empire" i tyre, ky është tranzicioni i mirëpritur nga shteti-komb për te perandoria globale, andaj si një proces i natyrshëm i pjekurisë së sistemit, s‘ka kuptim t‘i bësh rezistencë. Përkundrazi. Integrimi i vendeve si Shqipëria në sistemin e përbotshëm të kapitalizmit global ia vlen të inkurajohet, e madje edhe të mirëmbahet në mënyrë që fuzioni të jetë sa më i plotë, "dasma" sa më e arrirë dhe si rrjedhim, edhe finalja sa më e afërt. Kjo është arsyeja pse duhen gatitur më parë kushtet që ky bashkim të jetë i natyrshëm dhe produktiv dhe jo shtypës e traumatik. Diçka që do të ngjante më shumë me një fushatë eliminimi eksesesh dhe standardizimi përpara shkrirjes me "të ngjashmit" dhe përballjes me të keqen e domosdoshme të globalizmit.

Ky do të ishte një operacion korrigjues për një anomali të madhe në një shtet si yni që është shndërruar në karikaturën e një shteti ku asgjë s‘është më në vendin e vet: ku as kryetari i së djathtës s‘është i djathtë dhe as lideri i së majtës s‘është i majtë, ku as kryetari i sindikatave s‘është punëtor, as kryetari i pronarëve s‘është pronar dhe as kryetari i të përndjekurve s‘është i përndjekur. Ku vota s‘është përfaqësuese, ku ekonomia s‘është prodhuese, ku media s‘është e lirë, ku tregu s‘është i ndershëm, ku drejtësia s‘është e drejtë, ku arsimi s‘është edukues, ku pasaporta s‘është e vlefshme, ku puna s‘është shpërblyese, ku arti s‘është frymëzues, ku sporti s‘është konkurrues dhe ku mjedisi s‘është i jetueshëm. Ku e kaluara s‘është e hidhur, e tashmja s‘është e denjë dhe e ardhmja s‘është premtuese.

Mund t‘i vlente diçka nga të gjithë të mëposhtmit, por ky yni NUK do të duhej të ishte një revolucion si ai i francezëve që dikur e quanin revolucion "borgjez", apo si ai i anglezëve që e quajtën "industrial". Ai nuk do të ngjante as me luftën e pavarësisë amerikane nga kolonializmi britanik dhe as me revolucionin e rusëve që u shpall "proletar". Revolucioni ynë nuk do të ishte madje as si ai i polakëve që u quajt "i kadifenjtë". Ky do të ishte një revolucion për konsum të brendshëm. Një revolucion STANDARDIZUES tërësisht shqiptar.

(Gazeta "Shqip" 12 gusht, 2009)

Thursday, September 30, 2010

REARTIKULACIJA!

Jetojmë në një epokë cinizmi të përzier me kapitullim. Gjithë mbrapshtësitë që ndodhin tek ne, i referohen një rasti flagrant, virus që erdhi nga tjetërkund dhe si rrjedhojë - tepër i ndërlikuar për t’u mposhtur. Çdo histori suksesi nga gjetkë ekspozohet si karrotë zilepsjeje për ne gomerët e dënuar të jetojmë në këtë vend. Rrëzohen dekretet e Presidentit në Tiranë dhe na kujtojnë Rajhshtagun në Berlin, Hitlerin dhe presidentin Hindenburg. Fatmir Sejdiu jep dorëheqjen në protektoratin e Kosovës dhe në Shqipëri vendosim se diktatorëve tanë sovjetikë u është bërë lëkura shollë. Fund.
Puna e vetme që bën opozita në këtë vend është thjesht të ndjehet e indinjuar thellë për cënim nderi dhe ta shesë këtë ojnë femërore për qëndresë heroike. Por kjo është më e pakta. Shumica e lëndës që ofrohet nga mendimi i pavarur kritik, limitohet në një retorikë amatoreske hartimesh plot konstatime patetike dhe referenca pa kufizim në kohë dhe hapësirë. Sa më inkompetent kritikuesi, aq më qesharake, banale dhe e mbështjellë me terma të konsumuar e të përgjithshëm kritika.
Dalëngadalë përmes kësaj mefshtësie irrituese të ngritur në art, po përgatitet një krim hiç më i vogël se sabotimi i armëve të një populli të varfër pak ditë përpara një agresioni. Kjo rrokopujë budallallëqesh i ngjan një ofiçine ku po farkëtohet një monstër e inxhinerisë sociale: ndjenja e dorëzimit të shqiptarëve përpara fataliteteve madhore.
Këtë prototip artizanal e mbajnë në lëvizje të përhershme këmborët shurdhuese të agjitatorëve që shesin përditë sapunin për djathë dhe që përmbytin hapësirën publike me përpjekjen për ta bërë popullin që i dhemb stomaku, të besojë se në të vërtetë vuan nga jetlag-u modern që ndodh kur spostimet në hapësirë të shkatërrojnë sinkronizimin me kohën tënde biologjike.
Ndërkohë telashet shqiptare janë të sinkronizuara që ç’ke me të me kohën ku jetojmë. Vendi është braktisur në fatin e tij përballë një bote ku tregu global në krizë e sipër dërrmon në mokrat e tij të pamëshirshme çdo ekonomi të vogël duke skllavëruar në mënyrë moderne kombe të tëra, duke u grabitur atyre punën dhe duke u predikuar në këmbim iluzionin e jetës moderne.
Të të marrësh tregun e punës sot nuk është më të ofrosh produkte më cilësore për një çmim më kompetitiv. Të të marrësh punën në kohëra krizash si sot është edhe të të parandalosh ty të të shkojë mendja fare për të punuar dhe prodhuar diçka. Kasta të korruptuara politikëbërësish në vende të ndryshme, përballë kësaj situate u dorëzojnë pa luftë çelësat e qyteteve koorporatave që janë në kërkim të dëshpëruar të cave si puna e tyre, pa principe morale, pa përgjegjësi kombëtare dhe pa skrupuj ideologjikë.
E djathta në pushtet ashtu dhe “e majta” në opozitë janë thjesht dy etiketa të ndryshme të të njëjtit kavanoz ullinjsh dhe kjo racë politikëbërësish interesin e popullit të vet e ka të tretin në listë pas interesave të padronëve nga ‘jashtështeti’ dhe pas interesave të llogarive të veta bankare.
Kjo kastë është e gatshme ta përpunojë si një poçe balte opinionin publik. Ajo është në gjendje ta mbajë të zënë me punë mendjen e masave, përmes një alternimi mes lumturisë dhe makthit. Ata janë në gjendje të fabrikojnë gjendje lufte e demaskimesh, spektaklesh parlamentare, krizash të padurueshme kutish dhe stuhish politike. Të shpikin suksese, statistika dhe destinacione të largëta e të shndritshme integruese të cilat për t’i arritur kërkojnë sakrifica. Ata kanë oratorët e vet, tribunë të artikuluar që i sheh shpesh në podiume të mbajnë fjalime të mbushura me fjalët: “integrimi, kombi ynë, aspiratat dhe sakrificat tona”. Por siç thotë nobelisti Paul Krugman kur i referohet të njëjtës racë baballarësh të kombit të tij: “kur ata thonë ‘ne’, ata ju kanë parasysh ‘ju’. Sakrificat janë për vegjëlinë”.
Po cili është qëllimi i kësaj ndjenje kapitullimi që injektohet pafundësisht përmes lodhjes së veshëve të publikut me sherre të burokracisë partiake që – prit një sekondë – qytetarit s’i interesojnë direkt? Qëllimi është mbajtja sa më lart e piacës së kësaj klase politike që ç’është e vërteta paraqet një gjenialitet kriminal në këtë drejtim.
Qëllimi është parandalimi i ndonjë përmendjeje kombëtare nga kjo anestezi e kontrolluar. Nga ky gjumë që po shkon drejt vdekjes klinike dhe që tanimë për shkak të rëndimit drastik të situatës do të mund të shkundej përfundimisht vetëm me masa drastike. Diçka që popuj të tjerë të dalë nga i njëjti gjumë vdekjeje kanë ditur t’ia gjejnë rrugëdaljen. Të vjen ndërmend nisma sllovene “Reartikulacija”. Një ndërhyrje direkte dhe preçize në konstruktin politik të vendit përmes mjeteve të kritikës, aktivizmit, vetë-organizimit por sidomos formulimit të një kredoje të re për politikën. Një proces edukimi i pandalshëm i masave me termat e diskursit politik bashkëkohor. Në fund të fundit, duke e parë nga syri i një kombi që ka humbur busullën - në kontekstin e një perspektive shpresëdhënëse, një shembull për t’u ndjekur.
E mbase kemi vërtet nevojë për një “Riartikulim” shqiptar të politikës. Në një mjedis ku politika ka ndalur të menduarit për qytetarët, është ndoshta momenti që qytetarët të nisin ta rimendojnë politikën duke “i pezulluar” nga detyra përmes pezullimit nga vëmendja protagonistët e saj aktualë.

(Gazeta "Shqip" - 30/09/2010)

Thursday, December 3, 2009

Kurajo!

Nga bjerrakohësi më i thjeshtë tek intelektuali më i ndërlikuar, gjithsecili në këtë vend e ka kuptuar tashmë në mënyrën e vet se prej tyre po kërkohet të ndjejnë frikë. Frikë nga trazirat politike, frikë nga një 97-ë e dytë, frikë nga marshi indietro, frikë nga dhuna policore, kallashët nëpër duar, terrori i bardhë, arrestimet, atentatet, gjendja e luftës civile, e gjithë ato të tjerat. Kjo është një ndjenjë paranoje kolektive e cila po injektohet në mënyrë të pamëshirshme, konstante dhe cinike, a thua ndjellësit e saj janë mjekë me grada shkencore, ndërsa masa së cilës i destinohet kjo gjendje janë kavie për motive eksperimentale. Gjithë çështja tani është nëse njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi do të pranojnë t'i dorëzohen këtij shantazhi arrogant dhe të tërhiqen në gjeratoren thithëse të konsumit politik apo do të organizojnë qëndresën e tyre. Një rezistencë të fortë morale për të cilën ka sot kaq shumë nevojë që të zhvillohet në forumet e mendimit, faqet e publicistikës dhe kudo ku emocioni ka për detyrë t'i ulet në gjunjë logjikës.
Përtej britmave luftarake, kanosjeve me shkulje dhëmbësh, hakërrimeve për escalation të situatës, guerrilje urbane, thirrjen në ndihmë të figurave letrare nga Adolf Hitleri e deri tek Mikhail Shakashvili, përtej atyre që dështimin personal kërkojnë ta kthejnë në përshpirtje evangjelizmi kombëtar, ka disa arsye pse kjo psikozë e re paniku nuk do të ngjisë në mendjen e shqiptarëve. Arsyeja kryesore është se ajo po gjenerohet nga njerëzit e gabuar. Liderët politikë të vendit, të cilët janë angazhuar në këtë fushatë frikësimi social, janë tashmë thjesht dy kokat simetrike të së njëjtës kartë të diskredituar bixhozi. Si një ndër nxitësit kryesorë të klimaksit pseudorevolucionar, Edi Rama i cili deri para pak kohësh mund edhe të merrej si një kreaturë kurioze dhe e pazakontë e politikës, tashmë s’është gjë tjetër veçse “njëri prej tyre”. Ndaj për këtë arsye kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm. Me një seri sjelljesh të tijat, si refuzimin violent për të pranuar humbjen, tutkallizimin mbi kolltukun e kryetarit të partisë apo eleminimin politik të kundërshtarëve, ai i ka dhënë gjatë këtyre muajve, dorën kryesore transformimit të tij në krijesën e urryer që simbolizon sot në mendjen e shqiptarit të zakonshëm figura e politikanit tradicional. Nga ana tjetër me sulmin e fundit banal ndaj Edi Ramës, kryeministri i vendit dhe kryetari i partisë në pushtet i bëri atij edhe shërbimin e parë pas kaq kohësh. Edi Rama u çertifikua dhe u njoh në këtë mënyrë si kundërshtari i tij legjitim. Një njeri që është sjellë në mënyrë shembullore sipas normave që pranon sot politika në Shqipëri dhe që meriton për këtë arsye t’i jepet betejë. Fantazma e Fatos Nanos, apo orvatja e Ben Blushit quhen tani kapituj të mbyllur, rekluziviteti i gjatë, injorimi, tallja, mosmarrja seriozisht dhe karnevalizmi ndaj Edi Ramës mbaruan, dhe përmes një pagëzimi në baltë, ashtu siç e do zakoni i lashtë i politikës shqiptare, ai u emërua nga e djathta në postin e nderuar të armikut zyrtar të kryetarit. Ky shërbim kaq i shumëpritur që Sali Berisha bëri ndaj Edi Ramës duke kryer legalizimin e tij faktik si kryesues i opozitës si dhe hyrja e këtij të fundit në mënyrë fare të parashikueshme dhe me dëshirë në lojën e gërr-mërrit, është në anën tjetër edhe një nga dëmet më të mëdha që ai nuk e kupton se sapo iu bënë imazhit të tij. Një imazh deri dikur interesant sepse kontroversial. Për shumë aparatçikë, xhaketa gri, kope partiakësh apo servilë fondesh ai tashmë mund të ketë fituar staturën definitive të shefit. Për miliona të tjerët që takimin me politikën e kanë një temë përherë e më të bezdisshme, ai është tashmë një gur më shumë në koleksionin e tyre personal të skepticizmit. Qindra mijëra të rinjtë apolitikë të këtij vendi - të cilëve edhe pse ai s’i pati kurrë, të paktën mund t’u zgjonte shkëndija të rralla interesi - ai i humbi përfundimisht dhe për këtë duhet t’ia dijë për nder kolegut Berisha. Për këtë arsye, tromboni i rebelimit që Rama po sforcohet kaq shumë për t’i fryrë ditët e fundit, do të kumbojë në një tingull të trashë, të vjetëruar dhe komik për veshët e tyre. Ai nuk do të arrijë të zgjojë kurrë atë vrull përndezës, atë frymë “uprising” dhe atë efekt spektakolar që gjenitë e kreativitetit afër Ramës e kanë parë në youtube nga protestat e Otpor-it serb apo Pora-s ukrainase.
Këtu dalim vetvetiu tek një arsye tjetër përse psikoza e frikës që po mundohen të mbjellin liderët politikë, nuk do të gjejë një truall miqësor në asnjë mendje tjetër përveçse atyre të militantëve të thekur. Kjo nuk është një frikë reale, por plagjatura e një frike. Sikurse e gjithë platforma zgjedhore e Partisë Socialiste ishte një masë boshe e lyer me varak retorike impresionuese të kopjuar nga interneti (për të cilën tani madje edhe indinjohen pse nuk fitoi mbështetje), po kështu edhe metodat e marketimit të indinjatës, madje dhe indinjata vetë, janë një mall i importuar konsumi, tërësisht i huaj për shqiptarët. Deri para pak kohësh mund të ndodhte që të gjendeshin mjaftueshëm njerëz në Shqipëri që t’u bënte përshtypje një fjalim i flaktë me figuracion të pasur. Por ja që shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të dikurshmit dhe kërkesa e tyre është paksa më e lartë nga sa mendojnë shpërfillshëm ata që prodhojnë ofertën politike sot në këtë vend. Skepticizmi siç shkruante në një artikull të vetin Fatos Lubonja, mund të jetë veç të tjerash edhe ilaç. Nuk ka sesi të jetë gjenuine indinjata e lidershipit socialist për vjedhjen e votës dhe as kërkesa e tij për hapje kutish. Kjo është një kërkesë që nuk vjen aspak si një nevojë organike për demokraci, pasi nëse do të ishte e tillë do të kishte ardhur menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve tregoi se “politikës së re” i vodhën fitoren. Dhe vërtet, ndonëse nuk thuhet, ndjehet ngërçi që kanë agjitatorët socialistë për të mobilizuar masat, të cilave është vështirë sot gjysmë viti pas zgjedhjeve t’u thuhet se duhet të revoltohen që kryetari socialist të mos ndjehet i vetmuar. Se ata duhet të shpenzohen si mish për top pasi kryetari socialist që e hartoi vetë kodin zgjedhor, që e hartoi vetë barceletën me programin 1000 faqësh për zgjedhjet të cilin askush nuk e pa kurrë, që i emëroi vetë komisionerët në qendrat zgjedhore, që i quajti këto zgjedhje si më të mirat në histori dhe që tani, pas larjes së hesapeve me çdo zë kritik brenda partisë, gjashtë muaj pasi këto zgjedhje mbaruan, deri edhe pas pushimeve verore “abbronzato ed arrabiato” - siç e quan një mik sindikalist italian - ai kujtohet të ndjehet i ofenduar.
Prandaj, skenat teatrale të Berishës nga foltorja e Kuvendit, janë dhurata më e mirë që njëra gjysmë e kartës së bixhozit i bën siamezit të gjysmës tjetër. Janë thjesht një lojë mes dy ortakësh ku njëra dorë ndyn tjetrën në emër të një partneriteti të ri që duket se do të vazhdojë gjatë. Një partneritet të ngjashmish, që shqetësimin e vet real nuk ka aspak akuzat personale, por jetëgjatësinë e një sistemi të padrejtë që e ka katandisur Shqipërinë në vendin më të varfër, më të shfrytëzuar, më të korruptuar dhe më të padëshiruar të Evropës. Një partneritet i cili kujdeset që ky sistem i paskrupullt ekonomik që i detyron fëmijët të shërbejnë si qentë e gjahut të të huajve, të mbetet pa opozitë. Dhe që politika të mos ofrojë kurrë një alternativë shprese, por thjesht spektakël televiziv me sharje nga “robt e shpisë”. Është koha kur shqiptarët të kuptojnë se nuk mund të trajtohen më si masa pa tru, se ka një atdhe për ata që që nuk dorëzohen dhe se po rilind Shqipëria që refuzon shantazhin. Prandaj, kurajo!


* Botuar ne gazeten "Shqip", 04/12/2009

Thursday, November 5, 2009

Albania rocks

Nga Sokol Shameti

Si nën anestezi. Në epokat e mpirjes morale është e kollajshme të kryhen operacione të vështira. Këto kohë mund të na dhimbte një dhëmb tjetër: ngacmimi gjer në pushim zemre i nervit të nacionalizmit. Por pas krizave të shkuara me shpërnguljet e mëdha, holokaustin tonë personal, Mitrovicën e Veriut, kasaphanën çame, natën e kristaltë të Manastirit a dorëzimin e Himarës, asgjë e këtij lloji tashmë të harxhuar në mizorinë e vet, s’bën më efekt.
Shqiptarët po i stërvisin që të indinjohen tani nga gjëra më surreale, nga padrejtësi që meqenëse vetëm sa i afrohen konceptit të padrejtësisë deri në minimumin e vet, nuk janë tamam padrejtësi. Nga disa thuajse-mashtrime, apo imitacione mashtrimi, të cilat po t’i vësh veshin Sllavoj Zhizhekut, përbëjnë shenjën e zvetënimit të kohëve ku jetojmë. Shpërfillja për njerëzit është tashmë aq e thellë, saqë edhe të keqen kursehen t’ua servirin pa hile. Ndërsa nacionalizmi shtetëror kufizohet vetëm në inkursionet komike për të pajisur me pasaportizim në Tiranë ndonjë kockë nga ato të legenit të Fan Nolit apo Nënë Terezës, “fushëbetejat” popullore, ato ku është vendi të pësojmë disfatat tona kombëtare janë tërësisht fantazmagorike, jo-konkrete dhe shpesh fare të pakonceptueshme.
Shikoni se me çfarë abstraksionesh orvaten t’i acarojnë kohët e fundit shqiptarët: me ca gërma cirilike që na quajnë pikërisht ashtu siç e quajmë ne vetveten jetë e mot: malësorë. Me burgosje kolektive brenda pamundësisë për të shëtitur mbi copën e tokës që përkon pikërisht me gjeografinë tonë natyrore. Dhe mbi të gjitha, me vjedhjen e një koordinate të largët detare, që a thua se do të kishim se çfarë të bënim me të po të mos na e kishin “vjedhur”. Sistemi po perfeksionon kështu llojin e krizave që auto-gjeneron, në përpjekje për t’i mbajtur njerëzit në limbon fatale të pafuqisë.
Mjetet janë të gjitha aty. Organizatat politike që i ngrenë topin njëra-tjetrës, dordolecët joqeveritarë që recitojnë fjalë të cilave s’ua dinë kuptimin, mediat në pushimin midis dy spazmave politike që caktojnë dozën e pavarur të injeksionit me “qetësuesin” shqetësues për masat. Pas pak nis reaksioni zinxhir. Një nga një shtrëngohen radhët, tubime, revoltë e brendshme, lumë artikujsh e deri grupe facebook-u “A mund t’i bëjmë 1 milionë shqiptarë që i thonë ‘JO’ kufirit detar me Greqinë”.
Gjithnjë e më rrallë gjendet dikush që të ndalet për të menduar: Padrejtësi vërtet, por a ka një arsye pse ndodhi e gjithë kjo? Pse duhet të na revoltojë fakti që Greqia ka aftësi më të mira negociuese se Shqipëria? Pavarësisht nga koha kur ka ndodhur, a nuk është gjithçka në diplomaci apo luftë, rezultat i dy qëndrimeve të pabarabarta? A nuk ekziston sot Shqipëria vetëm sepse në momentin vendimtar ata që ishin rrotull nuk influencuan dot deri në dominimin e atyre që e banonin këtë hapësirë? A nuk ekziston secili nga vendet fqinjë si kompromis në pikën ku lodhet rivaliteti, e kështu me radhë fqinj pas fqinji në një qark të mbyllur ekuilibrash deri në plotësimin e krejt puzzle-it administrativ të planetit? A nuk është hapësira e ajrit që kontrollojmë rezultat i të njëjtës lojë force? Dikush s’mundi të kontrollojë këtë që kemi ngase aty mbaronte forca e vet dhe ja ku u krijua hapësira që mbushëm ne. Nëse s’do të ishte këtu ku është, do të shtyhej pak më tutje. Kështu edhe për ujërat. Fillojmë aty ku mbaron graviteti i të tjerëve dhe aty ku zbehet pushteti ynë nis të sundojë dikush tjetër. Asgjë tragjike s’ka në këtë sistem universal ekuilibri dhe asgjë fatale gjithashtu. Të 300 kilometrat katrorë që “u falën” ishin thjesht një hapësirë ujore që më parë s’i takonte askujt dhe që Greqia përfitoi ta merrte pa shumë mundim ngaqë ne s’rezistuam.
Ne të gjithë dështuam të meritojmë më shumë. Produkti ynë politik, forca jonë ekonomike, dhuntia jonë diplomatike, cilësia jonë e gazetarisë, mprehtësia e kritikës sonë e gjithçka nga kreativiteti i fizikës deri tek melodia e muzikës. Gjithçka ne bëjmë s’ishte në lartësinë e duhur për të krijuar atë situatë fatlume ku fjala jonë ka peshë, kur ndikimi ynë bën efekt dhe kur mëria jonë shkakton stres. Të dashur shqiptarë të momentit, është kaq e thjeshtë. Ne s’ishim gati dhe humbëm përsëri.
Dhe tani hajt të shkojmë të pijmë e të dëfrehemi përsëri. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe oburra ta shprehim sa fort e besojmë këtë duke trazuar eshtrat e të vdekurve jashtë shtetit a duke i hedhur një dorë bronz të shkrirë kallëpit standard që shërben për bustet tip “karafil me flokët me vizë anash” që u ngjajnë të gjithëve, nga Bill Klintoni e Xhon Kenedi, deri tek Pandi Majko dhe Erjon Veliaj.

***

Ajo ishte epoka e betejave të braktisura - tranzicioni ynë, nga një disfatë e vogël e përditshme me motive shqiptare. Tashmë ne jemi të gjunjëzuar. Një nga një i humbëm të gjitha çka mund të humbasë një komb i vogël që s’ka ç’të ekspozojë tjetër veç romantizmit të emrit dhe impresionizmit të peizazhit. Kujtohet një epokë e tingullt marrëzie e mbushur me eksploratorë yjesh tashmë të shuar dhe akullnajash imagjinare atje ku flamujt tanë s’arritën dot kurrë. Ishte koha e gëzimit të të tjerëve që si çdo dëshirë që ka nevojë për mungesë, të vret ngadalë teksa ia heton dritat e largëta të festës që nga mërzia e vetmisë tënde. Fill e për pe i deshëm të gjitha Amerikat, ato me metrazh të gjatë që na porositën t’i donim. Ç’të mbajmë mend nga ëndrra e keqe e këtyre 20 viteve kalimtarë ku miliona prej nesh dogjën adoleshencën, rininë e deri edhe pjekurinë e plotë? Ne do të mbajmë mend një pabesi të madhe. Do të mbajmë mend sesi vendi i shpërdoruar ku na lanë të jetojmë nuk ishte ai që dikur u mor në dorëzim me inventar.
Sindromë suicidale e albanicidit kronik, dhe këtu askush nuk ndjehet më rehat që nga intelektuali depresiv e deri tek kaubojsi (ç)etnik i bunkerizuar brenda offroad-it të vet, që ndonëse kokëtrashë ndjen befas të njëjtin shqetësim. E teksa një gjeneratë e re gatitet me neveri t’i zërë vendin të vjetrës, ja dhe Shqipëria që derdhet me shpejtësinë e çakërdisur të një treni të dalë jashtë kontrollit, nga tuneli i erës së zbulesave drejt një askundi tërësisht të ri.

Gazeta "Shqip", 5 Nentor, 2009

Thursday, March 5, 2009

Viva il Pango, Viva il Re!

Teksa në orët e mbrëmjes u mësua se kryeministri Berisha shkarkoi me telefon ministrin Ylli Pango nuk kishte sesi të mos përshkoheshe nga një ndjenjë komike keqardhjeje për viktimën e këtij blitzkrieg-u puritan. Kjo jo vetëm për efektin dramatizues që krijojnë ca terma me tinguj revolucioni si: “shkarkim në vend”, “pa një pa dy”, “automatikisht” etj etj.
Gjithashtu, keqardhja nuk buronte as nga fati i keq i ministrit Ylli Pango, të cilit s’iu la as luksi fiktiv i të qenurit “ylli i mbrëmjes” të paktën për një natë, derisa të nesërmen të mblidhej ndonjë ekip qeveritar që do t’i organizonte ndonjë shkarkim për të qenë. Yllin e Pangos e shoi vetëm një njeri që s’i pëlqeu videoja në televizor, dhe për ta zhveshur atë nga spaletat nuk u ndoq ndonjë procedurë formale ashtu siç shkarkohen zyrtarët në një vend normal, ku kryeministri nuk është mbreti absolut që u pret kokat oborrtarëve në varësi të humorit ose të problemeve me urthin. Pangos së gjorë s’ia lejuan as këtë kënaqësi të vogël dhe vëmendja e opinionit publik u zhvendos nga debati për videon e sikletshme dhe fenomenin trishtues që ajo demaskon, tek skrupulli i pakompromis dhe pastërtia e panjollë e moralit të qeverisë në përgjithësi dhe kryeministrit në veçanti si rojtar vigjilent i një liste imagjinare principesh mbi të cilat është themeluar gjithë konstrukti i kombit.
Por teksa kjo lloj keqardhjeje me nota – ta pranojmë – melodramatike, mbetet një përjetim kryesisht personal, në një vështrim më të tërësishëm të pikturës s’ka sesi të mos dallohen disa defekte të paanashkalueshme që marrin kuptim me rastin e shkarkimit të një ministri për çështje nderi.
Kryeministrit Berisha, të sulmuar rëndë pikërisht në territorin ku ai s’duron dot sulme, pra në nder, kjo “proçka” e Pangos mund t’i ketë ardhur si një dhuratë për ditëlindje. Një mundësi e artë, që në pragun e një fushate që parashikohet e ashpër, ai t’i shtojë portretit të vet të çngjyrosur disa penelata shpëtimtare për rekuperimin e imazhit të kampionit të ndershmërisë. Dhe jo të ndonjë tip ndershmërie nga ato që mezi shpjegohen për shqiptarin e thjeshtë dhe që kanë nevojë për statistika, si për shembull ndershmëria në administrimin e fondeve publike apo në kalkulimin e raporteve politike. Jo. Kjo është ndershmëria e thjeshtë si buka, ajo e drejtpërdrejta. Ndershmëria e moralit, e virtytit dhe e vlerave të familjes. Kjo është një gjuhë që e flet mirë shqiptari i zakonshëm dhe kryeministri diti me sukses sesi të dërgojë një mesazh të përshtatshëm për këto lloj veshësh. Një mjerim i vërtetë ky, nëse do të kemi parasysh se i njëjti kryeministër në raport me të njëjtin ministër, ka miratuar pa asnjë hezitim një vargmal “proçkash” edhe më me zarar se kjo e fundit që kishte fundja fundit një sfond tërësisht njerëzoro-seksual. Në këto vite qeverisjeje demokrate, ministri Pango ishte në fokus të kritikave të opinionit për një seri vendimesh. Nuk e shkarkoi njeri Pangon për asnjë nga shqetësimet që ai direkt apo indirekt i krijoi qeverisë dhe kryeministrit në këto vite. Menyja ishte shumë e pasur. Që nga mësymja mbi Federatën e Futbollit e deri tek shpërndarja revoltuese e trojeve turistike për ngritje mullinjsh me erë, nga kufizimi i gjithë politikave nxitëse të turizmit kulturor në një projekt 40 hanesh e në shndërrimin e vetë ministrisë në hanin e 41-të të këtij projekti e për të arritur deri tek bëma më e fundit, ajo e paaftësisë për të zgjidhur në mënyrë burrërore, civile e të argumentuar debatin etik nëse iniciativat private me karakter kulturor duhen lejuar ta shkelin pakëz ligjin apo jo. Ndjekës më sistematikë të ecurisë së dikasterit të kulturës nën udhëheqjen e tij sigurisht mund të kenë lista më të gjata. Ajo që i mbetet një vëzhguesi të paangazhuar, është artikulimi i një shijeje të keqe që të mbetet në gojë nga lajmi i heqjes për arsye sa banale aq edhe qiellore të një zyrtari të lakuar për plot zullume fare konkrete e tokësore. Si dhe selektiviteti spektakolar dhe tërësisht televiziv i shkarkimit të tij dhe vetëm të tij midis një repertori të larmishëm ministrash e zyrtarësh nga më të lartët në orkestrën qeveritare, të cilët, sikur ta kishte vërtet namuzin kaq të ndjeshëm zoti kryeministër, do të duhej të ishin tashmë duke i hapur një vend Pangos në një qeli burgu me krevat marinari.

*Gazeta Shekulli, 5 Mars 2009

Monday, February 23, 2009

Ç'kërkoi shqiptari në shekuj?

Më në fund dje, vendosa të ulem dhe ta zbardh regjistrimin e hershëm të një dialogu të interceptuar në distancë përmes mureve të holla të një moteli periferie, aty nga ora 4 e mëngjesit pas një nate relativisht alkoolike. Një prove e pakundërshtueshme për vërtetësinë e legjendave rreth hakmarrjes seksual-politike të çunave prodhim 100% shqiptar, me shumë namuz dhe pa asnjë prezervativ :)

***

- Ajo: Uh çfarë nate!

- Shqiptari: Lëri përsiatjet. Do vijnë komshinjtë të ankohen: "keni ngatërruar derë, kjo s'është biblioteka kombëtare".

- Ajo: Atëherë?

- Shqiptari (duke i hedhur nga koka tek këmbët një vështrim të ngrysur nga ata që të kallin datën dhe me nervin që dalëngadalë merr trajtë kaçurreli diku sipër vetullës së majtë): Zhvishu. Shpeeeeeeeejt.

- Ajo: Ua, sa i paduruar ky.

- Shqiptari: Ta tregoj unë ty.....bushtër, mafioze, okupatore, tradhtare e atdheut. Do të t'i shkatërroj kordat zanore. Do të t'i heq dilemat për jetën. Zhvishu të thashë, naaa....(dëgjohet flakërima e një shpulle ekspress-makiato).

- Ajo: (mes dënesash) Ti qenke një përbindësh. Kafshë.

- Shqiptari: (hungërimë e patranskriptueshme).

Në këtë pikë pason një heshtje e mundimshme e ndërprerë nga disa si punë ofshamash dhe gurgullitjesh nga më të ndryshmet, zhurmë zinxhirësh pantallonash apo kushediseçfarëveshjejetjetër, zhvendosje mobiljesh, grisje pëlhurash dhe në përgjithësi efektet e plota zanore nga repertori i një përleshjeje të heshtur por njëkohësisht edhe mjaft shprehëse. Pas pak teksa situata duket se ka mbërritur në një rrugë pa kthim, rikthehet dialogu. Ose më saktë monologu.

- Shqiptari (me një ton prej barbari të uritur vizigot të cilit sapo i ka rënë në dorë një tortë elegante e gatitur enkas për ditëlindjen e ndonjë fisniku të Europës në periudhën baroke): Na. Na. Na. Bushtër. Na, këtë për rrethimin e parë të Krujës. Këtë për të dytin. Këtë për
tradhtinë e Hamza Kastriotit. Na. Na.Na...

Gjithçka shoqërohet me një bum-bum-bum ritmik si koka e një njeriu që përplaset pas një tavoline dërrase në çaste dëshperimi. Dhe monologu vazhdon gjatë gjithë natës. Padrejtësitë ndaj kombit shqiptar s'paskan pasur të numëruar. Aty nga ora 8 e mëngjesit kemi arritur tek kapitulli i firmave piramidale (dhe bum-bumi që kishte pësuar një zbehje të përkohshme aty tek pjesa e pushtimit të 7 prillit dhe tek atentati i Vasil Laçit, merr një intensitet të ri).

- Shqiptari: Na...na...na, këtë për Vefën, këtë për Suden, na...këtë për Gjallicën. Këtë për rojen e repartit ushtarak numër 321 që s'na la të futeshim tek depoja ku ruheshin sntitankët. Këtë për vrasjen e Azemit dhe këtë...të fundit....për sistemin elektoral të Dushkut. Uhhhh. Sa është ora darling?

Ajo: zzzZZZzzZZZZzzzzZZZzzZZ

This is (not) BBC

Ora 15.30. Dimër. Tiranë. E martë. Ose e premte. S'ka pikë rëndësie. Një shqiptar i ndershëm (dhe njëkohësisht skeptik) sapo ka ngrënë drekë dhe, në këtë orë, ka një nevojë fiziologjike për lajme - një lëndë kjo e njohur dhe efikase mesdhetare tretjeje.

Lajmet ndodhen brenda një kutie ambalazhi të blerë me paret e tij ose të ndonjë të afërmi që punon si distributor "farmaceutik" në Bashkimin Evropian.

Por, kutia televizive në fjalë nuk është thjesht një kuti që bën lajme të ndërprera çdo pesë minuta, nga 30 lepuj publicitarë, që dalin duke kërcyer në tentativë për të të shitur ty detergjentë enësh. Ajo është edhe një aparat ëndërrimi.

Disa e quanin "dritare", atëherë kur Shqipëria s'kishte as derë. Shqiptari vërtet i mirë, i ndershëm dhe i lodhur, por gjithmonë skeptik, fiks në orën 15.30 nis seancën e tij të përditshme spirituale të ëndërrimit përballë dritares prej xhami.

Ëndërrimet e çojnë larg. Sigla e njohur ku lexohen inicialet e TVSH-së publike, nis e i valëzohet ndër sy, me anë të disa efekteve vizuale magjike, që përdoreshin në fëmijërinë e kinemasë fantastiko-shkencore, duke iu shndërruar në BBC.

Ora 15.30 e dimrit të tij tiranas, në atë të martë apo të premte - kjo s'ka pikë rëndësie - i zhvendoset në orën 15.30 të një dimri tjetër, kësaj radhe londinez, në një të martë a të premte paralele - të cilat sërish s'kanë pikë rëndësie.

Shqiptari i mirë dhe skeptik, shpreson se në këtë realitet të ri, ai do të jetë dikush tjetër. Dikush pa këto cilësi kaq të thjeshta për këto kohëra të ndërlikuara. Ai është tani një britanik. Por, përsëri i mirë. Skeptik? Këtë do ta shohim.

Çfarë bën një britanik i mirë në ekuivalentin e orës 15.30 të shqiptarit të mirë? Sigurisht, edhe ai përgatitet të shohë lajmet tretëse pas "british lunch"-it të tij. Për aperitiv, urdhëro nja dhjetë minuta spot i Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme. Meqenëse kjo është BBC-ja britanike, edhe spoti është sajuar me humor ishullor:

"Lajm sensacional. Qeveria e di se kush je ti. Pas 18 vjetësh bashkëpunimi të mundimshëm mes Home Office-it (Ministria e Brendshme) dhe Department for Local Government-it (Ministria e Pushtetit Vendor), u arrit suksesi më i madh i të gjitha kohërave.

Britaniku nuk është më një qenie pa identitet, pa emër, pa fytyrë dhe pa adresë. Qeverisë i ra bretku dhe më në fund arriti ta zbulojë se kush është shtetasi i vet dhe për të mos e humbur prapë, i dha atij një kartë identiteti".

Anglezi i mirë teleshikues merr frymë thellë dhe nis të krijojë një mendim më pozitiv se ç'duhet për qeverinë e tij. Por, pastaj përmendet nga ky mendim i rrezikshëm: "Prit një moment. Po a s'është kjo puna e zakonshme e qeverisë?

Pse duhet bërë reklamë për këtë punë? Reklamë bëjnë kompanitë komerciale për produktet që duan t'i shesin. U reklamohet klientëve dhe jo zgjedhësve".

Sidoqoftë, ai s'ka kohë të vazhdojë me revoltën e vet. BBC-ja, në këtë moment, e bombardon me tingujt e disa fanfarave triumfale, që pikërisht në orën me audiencën më të lartë, kur anglezi i mirë dhe skeptik ka ngrënë drekë dhe ka ngritur receptorët, i shpallin se "Her Majesty's treasury" (Ministria e Financave) ka bërë kërdinë me dogana e taksa dhe ka mbledhur 7348003759284538,3402434 sterlina, pra 229,32 mijë herë më tepër se në kohën kur në pushtet ishin opozitarët e urryer dhe të paaftë, ata lapangjozët e Dejvid Kameronit, që tani kanë fytyrë të kërkojnë prapë pushtetin, që kështu të mbledhin sërish 229,32 mijë herë më pak sterlina si të ardhura doganore apo nga taksat, duke i marrë në qafë qytetarët anembanë ishullit, nga Skocia deri në Dover.

Britaniku i mirë, si fillim kujton se mos ka filluar edicioni i lajmeve dhe kjo s'është reklamë, por ndonjë reportazh nga ata të paanshmit dhe profesionalët, me të cilët është mësuar jet' e mot. Për këtë arsye, si fillim pëson një tjetër ofensivë nderimi solemn për heronjtë kokulur të qeverisë së tij, që ngrysin jetët e tyre aty në labirintet e pashpirta të Thesarit Mbretëror.

Por pastaj i kujtohet se, përveçse një shtetas mirënjohës, ai është njëkohësisht edhe skeptik i pashërueshëm dhe i rikthehet buzëqeshjes së vet cinike. Pas pak kutia televizive shndërrohet në "rrugë drejt ferrit".

Chris Rea shfaqet aty bashkë me kitarën e tij, në një fushatë sensibilizuese të "Department of Transport"-it. Pikërisht në momentin kur kënga kulmon me vargun "this is the road to hell" (kjo është rruga drejt ferrit), Chris-i qesh në ekran, ul syzet me një gjest teatral dhe fiks atëherë kur askujt s'ia pret mendja, deklaron: "Në fakt, kjo është rruga drejt integrimit evropian.

Qeveria ka ndërtuar në katër vjet, aq rrugë sa nuk janë ndërtuar që nga koha e Oliver Kromuellit. Madje, edhe disa hekurudha. Mos ngurro. Bashkohu edhe ti me ne".

Në këtë pikë, britaniku i mirë, ngrihet në këmbë me një respekt të ndarë 50 me 50 midis muzikës rock të viteve '80 dhe heroizmit të dragonjve qeveritarë, që po çajnë një tunel në Murin e Hadrianit për ndërtimin e autostradës Birmingham - Glasgow.

Por, qëndrimi gatitu nuk zgjat shumë. Pas pak, ëndrra merr fund. Fillojnë lajmet. "This is not BBC". Anglezi shkund gjumin, rikthehet shqiptar, merr telekomandën dhe ndërron kanalin.

Gazeta "Shekulli", 13 shkurt 2009

Manual përdorimi për orën e koprifuokos

Nuk kemi kohë. Këtë fillimvit, këtu përmblidhet gjithë kredoja politike e kombit. Opozita është e shqetësuar rreth pamjaftueshmërisë së kohës për t’u marrë shenjat e duarve gjithë votuesve. Mazhoranca thotë se kemi humbur shumë kohë duke i lënë kaq gjatë në detyrë zyrtarë të drejtësisë me duart të përlyera në “komunizëm”. Nikollë Lesi nuk ka kohë për të humbur me ministra të paaftë të cilët thotë se i ka votuar po vetë. Deri edhe Eduard Shalësi thotë se koha për realizimin e tërë atyre projekteve për Tiranën, skadoi, ngaqë Berisha dhe Meta i ngulën thikën buxhetit të Bashkisë.

Në përgjithësi, ne si shoqëri shqiptare kur na kap ndonjë moment i rrallë kthjellimi mendojmë se, netëve mes grackash dhe batakçillëqesh të vogla që pamë në rrugën e pafundme deri këtu, shumë kohë kemi humbur me këtë tranzicionin. Njëzetë janari, thonë, ishte dita më e trishtuar e historisë, kriza ekonomike që pak vetë e kuptojnë po na gllabëron, dimri është i ashpër dhe në përgjithësi të gjithë kanë një ndjenjë pesimizmi për jetët e çuara dëm në pritje të një dite të bardhë që s’erdhi kurrë.

Gjithkush në mënyrën e vet, përtej nevojave personale nga ato më proletaret për bukë, ujë e drita e deri tek shqetësimet intelektuale që mezi shpjegohen, ndjen këto ditë një si mungesë kohe. I vetmi në këtë vend që duket se nuk e ka problem kohën pa kthim është Skënderbeu dhe kali i tij, që sivjet festuan me një indiferencë prej bronxi deri 541 vjetorin e asaj vdekjes që u garantoi atyre përjetësinë.

Kjo psikozë frike për mungesë kohe, nuk është më një gjë e re për shqiptarët. Si rregull kjo ndodh sa herë që proceset zgjedhore janë në prag. Në qarqe të kalitura militantësh por edhe zgjedhësish – nga ata lehtësisht të manipulueshmit - atmosfera e “koprifuokos” politike është thuajse një stil jetese për të cilën në kohëra paqeje ka deri deri nostalgji. Shumë njerëz kanë mall për adrenalinën që të jep rreziku, suspansën si në filmat hollivudianë dhe në përgjithësi, të jetuarit nën alarm.

Por vërtet, teksa thellë në shpirt të gjithë shqiptarët normalë ëndërrojnë që më në fund të kemi ato zgjedhjet e vërteta të lira, të drejta, pa asnjë cen dhe pa asnjë arsye ku të kapen kundërshtuesit e rezultatit të tyre, a mos është gjithë kjo frymë nxitimi që po na proklamojnë në televizor, thjesht një parapërgatitje për skenarë që të gjithë u druhemi?

Ku ka vullnet gjendet një rrugëzgjidhje, thonë të mençurit. Nëse qëllimi ynë final është të zhvillojmë gjallë a vdekur një palë zgjedhje që të mos kenë të sharë, atëherë çdo vendim, proces apo afat institucional do të duhet ta lërë peng përkohësisht sublimitetin e vet. Arsyeja është madhore.

28 qershor? Dekret presidencial? Afat kushtetues? Po ç’janë këto pallavra. Ne që Kushtetutën e kemi shndërruar në topth plasteline edhe për çështje absolutisht banale, a thua e quajmë atë një tabu të paprekshme për një motiv ekzistencial? Si fjala vjen, nëse vjen puna për të ndryshuar datën e zgjedhjeve po u shndërrua në një pengesë që këto zgjedhje të jenë sipas atij qëllimit kryesor që thamë në fillim. Dhe të mos dalë njeri e të na thotë, ne, shqiptarëve që lamë peng 18 vitet e fundit të jetës sonë mbi altarin e iluzionit për dritën në horizont, se agonia jonë do të zgjatet për shkak të një hollësie administrative. Sepse, e thamë: ku ka vullnet politik, do të gjendet një rrugëzgjidhje institucionale.

Ja sesi edhe alarmi se s’kemi kohë të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të mira është kallp dhe gjithë kjo klimë false tensioni e induktuar në mendjet e shqiptarëve për t’i bindur ata se zgjedhjet e lira mund të na shkasin prapë për duarsh, është fund e krye artificiale.

E përçarë, e dobët, e paqartë dhe kompleksive, e majta shqiptare përbën në këtë teatër, shëmbëlltyrën e atyre personazheve që në festivalet e filmit marrin zakonisht çmimin “aktori më i mirë jo-protagonist”. Një alternativë që duhet të gjenerojë shpresë dhe të rizgjojë ëndrrat e humbura të një kombi, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë vetes rolin e tellallit të fatkeqësive. Jo demokraci me çdo çmim. Jo shansi i fundit i shqiptarëve për të shpëtuar nga e keqja – e cila jo domosdoshmërisht ka një emër frymori por që sigurisht është një mënyrë inferiore të menduari. Në kushtet e tanishme, hiq “vallen e shpatave” Rama-Meta, e majta në këtë vend duket se preokupim kryesor ka krijimtarinë e një terminologjie të re tek e cila më parë ka nevojë që të nisë të besojë vetë ajo.

Por kurrë s’është vonë për të qëmtuar mes rreshtave kaotikë të urgjencave të ditës mesazhin e palëvizshëm të aspiratave që kanë njerëzit e tu. Nëse ka barriera për t’u kapërcyer dhe sfida për t’u vënë gjoksin, nuk është koha ajo që përbën problem për një popull të duruar si yni që e ka çuar dëm atë edhe për marrëzira e jo më për shpëtimin e vet. Nëse ekziston një aspiratë që ka sot nevojë për artikulim, është pikërisht kjo. Për çështje të mëdha që na kanë bërë ta humbim kohën në trajtën e saj më tragjike të shprehur në jetë njerëzore, shanse që s’kthehen më, lumturi të varrosura një herë e përgjithmonë dhe një gjeneratë pa shpresë e rrugëdalje, të dashur njerëz që kurdisni orën e kombit, ne s’e kemi luksin e të mos paturit kohë.

Gazeta "Shekulli" 21 janar 2009

Rroftë kriza

Ajo që për pjesën tjetër të botës po projektohet tashmë si një tragjedi e paralajmëruar – kriza e afërt ekonomike në horizont – për Shqipërinë mund të shndërrohet befas në një ngushëllim qetësues.

Qeveria, e cila s’është më në gjendje të reklamojë efikasitetin e vet si çelësin që e shpëtoi Shqipërinë nga kriza, tani që kriza u bë aq e madhe saqë s’do të na kursejë as ne, mbase do ta përdorë atë si sebepin pse s’ia doli dot kurrë të sillte në Shqipëri parajsën e premtuar ekonomike.

Kjo fatkeqësi “qiellore”, tërësisht jashtë kontrollit qeveritar, mund të binjakëzohet fare lehtë me kujtesën e krizës së fundit energjetike kur u justifikua me thatësirën më të ashpër që nga koha e Skënderbeut, para një viti, nëse e mbani mend.

Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku gjashtë muaj që zhvillohet. Në fillim qarkullonte teoria e tri “mungesave” për të dëshmuar arsyet se pse kjo sëmundje importi nuk do ta prekte vendin e rreth 3,5 milionë banorëve - shkëmb graniti mes Adriatikut.

Ato ishin: mungesa e çdo industrie të rëndësishme prodhuese, që mund të goditej nga kriza në fjalë, mungesa e ndonjë lidhjeje thelbësore e tregut financiar shqiptar me atë ndërkombëtar, por sidomos, sidomos, mungesa e premisës bazë të kësaj krize që po i tërbon teoricienët anekënd botës – aplikimi, pjekuria dhe kalbëzimi i sistemit ekonomik neoliberal në formën e tij funksionale.

Shqipëria s’trashëgonte asgjë nga ky luks dhe për sa kohë ky mjerim në terren shitej si një avantazh nga ata që qeverisin, ishim të gjithë më të lumtur. Të varfër dhe të poshtëruar vërtet, por të ndërgjegjshëm dhe fare të qetë, absolutisht të qetë.

Këto dhe plot mungesa të tjera ulërinin shqip “jo krizë”, në fazën kur kriza sapo nisi të lulëzonte me naivitet filizat e saj të parë. “Jo” këndonte me bindje të plotë edhe orkestra ekzekutive në krye të vendit. Qeveria që administron paratë e mbledhura në trajtë taksash nga puna e shqiptarëve, Banka Qendrore që bën sinoptikën tonë financiare, bankat e nivelit të dytë që i xhirojnë këto para, a ju kujtohen?

Të gjithë në fillim tundnin kokën urtësisht dhe pasi rreshtonin ose nënkuptonin tri mungesat e mëdha, na jepnin sigurinë relaksuese, se të paktën vuajtjet tona një të mirë e kishin: krizën globale as që do ta ndjenim hiç.

Një ekspert çek, të cilin unë e takova vjeshtën e shkuar, teksa po flisnim për mundësinë që edhe Shqipëria të përfshihej nga kriza në horizont, hodhi sytë në rrugën pranë restorantit ku ndodheshim dhe tha: “Që të hysh në një krizë, duhet që më parë të kesh qenë jashtë saj”.

Por ndërkohë, prej afro një muaji, mund të konstatohet një ndryshim thelbësor kursi, të paktën nga sa kuptohet në deklaratat e autoriteteve. Kriza ekonomike globale këtu, nuk do të kalokërka edhe aq lehtë. Në fillim mbërritën deklaratat për një rënie eksponenciale të remitancave. Emigrantët, bletët punëtore që Shqipëria ka dërguar për të mbledhur nektar në lëndina jashtë vendit, sikur e prishën pak dorën.

Nga 1 miliard euroshi i përvitshëm, Shqipëria arriti të arkëtojë vetëm 70% sivjet, sipas vlerësimeve. Por, paratë e ndershme nuk janë i vetmi burim prurës në Shqipëri. S’ka ndonjë statistikë, por rënia botërore e fuqisë blerëse duhet t’ua ketë dhjetuar fitimet edhe trafikantëve të drogës, prostitucionit dhe armëve, ndër të cilët, patriotët tanë kanë edhe ata hisen e vet.

Dërgesat financiare s’mund të fshihet më se kanë firuar ndjeshëm dhe, dikush, dikur, u kujtua të thotë se ky është një aspekt i krizës ekonomike globale që, tërthorazi vërtet, por po e prek edhe Shqipërinë. Kriza financiare globale, në mos dukshëm, së paku heshturazi po shihet edhe tek rënia e ndjeshme e kredive, që bankat e nivelit të dytë po japin për qytetarët.

Si pa u ndier dhe pa publicitet, mund të thuhet se po vërehet një tendencë që këta të fundit të tërheqin kursimet nga bankat, të prekur nga një krizë besimi për sigurinë e parave të e tyre të investuara në banka vendore, të cilat në të vërtetë janë thjesht degë bankash të huaja që i investojnë këto para në vendet e tyre, andej nga zona e krizës.

Qeveritarë, autoritete financiare, ekspertë që më parë bënin be se siujdhesa jonë do t’i dilte përanash stuhisë financiare botërore, tani po detyrohen të pranojnë se sidoqoftë, Shqipëria do të ndjejë disa pasoja. Duke ndjekur kurbën e qëndrimeve të tyre pakmujore, nga garancia absolute për imunitetin shqiptar ndaj epidemisë globale e deri tek aktet e tanishme të kapitullimit, mund të besohet se ky është vetëm fillimi.

Shqipëria do të preket sigurisht nga ajo që pritet të ndodhë në vitin problematik 2009, por në ç’masë e deri në ç’nivel, kjo mbetet një mister, pasi askush s’është në gjendje ta thotë. Dinamika e deritanishme tregon se në radhët e ekzekutivit dhe ekspertëve që merren me prognozat tek ne, mbizotëron një inkompetencë aq e lartë, saqë gjithçka është lënë në mëshirë të fatit dhe vendi po ecën qorrazi në një monopat pa krye.

Teksa të gjitha vendet e botës po përgatiten të injektojnë shuma të mëdha që i ndajnë nga buxhetet e tyre për këtë ditë të zezë, në Shqipëri, ky proces i ndërlikuar u katandis në një fjali fare ekspres në një mbledhje rutinore qeveritare, ku u shpall premtimi se paratë e siguruara nga disa privatizime të pritshme, mbase do të mund të përdoreshin për të kuruar krizën. A thua ajo është thjesht një proces krejt i zakonshëm, ashtu si ndarja e përvitshme e çmimeve “Penda e artë” në letërsi.

Në këtë vit elektoral, kur organizatat tona politike do të duhet të shpalosin platformat e tyre, të cilat do të duhet doemos të kenë disa ingredientë të fortë ekonomikë, nëse duan të kenë vëmendjen popullore, lypsen të thuhen hapur disa të vërteta. Qeveria e djathtë në pushtet, por edhe e majta në opozitë, duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që ndoshta për shkak të inercisë së entuziazmit tonë post-komunist, s’kemi pasur kurrë kohë ta mendojmë, të bindur se gjithçka, veç ekonomisë së centralizuar, ecën. Por vërtet, teksa kapitalizmi tip far west po jeton orën e tij të zezë, cili është modeli ekonomik që do të ndjekim?

Gazeta "Shekulli", 7 janar 2009

Çështje këpucësh

Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo prapësi liderët tanë të hanin nga një këpucë kokës, atëherë 3 milionë e ca banorët e këtij vendi do të ishin sot një popull që ecën zbathur. Por ja që Shqipëria nuk është një vend ku të zënë me këpucë as atëherë kur vret njerëz, kur i lë ata pa shkollë, pa punë ose kur u shet cave nga Milano a Beogradi deri edhe oksigjenin që u takon fëmijëve të tu për hise.

Këtu në vend që të vënë përpara me këpucë si Bushin në Irak, të durojnë 4 vjet rresht të shesësh dëngla e të këpusësh mufka. Pse të mos kesh qejf të ngulesh në kolltukun e pushtetit në Shqipëri, të hedhësh rrënjë aty e të mos shkulesh prej andej, jo sikur të të votojnë kundër në zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe sikur bomba atomike të bjerë? Sikur Shqipëria të ishte një vend ku për çdo Aleksandros Grigoropulos që bie viktimë e antiqytetarisë shtetërore të kishim nga një reagim qytetar, atëherë sheshi “Skënderbej do ta kishte popullsinë rezidente më të dendur edhe se Manhatani. Por shqiptarët e racës së sotme, janë shndërruar në ca njerëz që rrinë përpara televizorit duke soditur dokumentarët me ngjyra të këqia nga vitet ’90, ku po këta shqiptarë por të veshur si kinezë dhe të krehur me favorite teksane, mbushnin sheshet me dallgëzime aq masive sa të bëjnë edhe sot të të përshkojnë të dridhura. Po. Mjerisht është e vërtetë. Shqiptari i sotëm, është më në fund një individualist kronik. Një njeri që po ta lësh në dëshirën e tij, nuk e shikon më veten të asociuar kurrkund. Një krijesë që duket tërësisht e dorëzuar përballë nevojave të veta strikte personale, aspak e gatshme të sakrifikojë diçka qoftë edhe të vogël e të parëndësishme në emër të një qëllimi të madh e të përbashkët. Ca njerëz që kanë frikë nga vetja, nga e kaluara dhe që në emër të kësaj frike deri edhe gjuhën e tyre e kanë transformuar, deri edhe fjalorin e kanë censuruar duke i eliminuar fare prej andej terma si solidariteti, vullnetarizmi apo interesi shoqëror e duke bërë që nga frika se mos i quajnë komunistë, të shndërrohen në anti-qytetarë. Shqiptari është një njeri që mbahet nën një shantazh të përditshëm verbal, për ta bërë të mendojë se s’ka fare të bëjë me epokën e zezë 1944-1992. Dhe ndonëse të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ajo ishte një kohë në të cilën të gjithë ishin nga pak bashkëpunëtorë dhe viktima njëherësh, shqiptarët përsëri kanë frikë ta pranojnë këtë, duke vetë injektuar përditë drogën me iluzionin turpërues dhe çburrërues se një njeri i vetëm bashkë me një grusht maskarenjsh rreth tij, arritën t’i vënë ata në rresht si delet dhe t’i përdhunojnë për 50 vjet. Askush nuk flet për këtë dhe të gjithë përdorin një gjuhë të kripur në klishé, që ngjan aq shumë me parrullat dogmatike të po asaj epoke të zezë, tullat e së cilës shqiptarët i ngritën së bashku, disa nga frika e shumica nga padituria. Sepse moskokëçarja e përgjithshme në këtë vend, lidhet më shumë se me dorëzimin e njerëzve përballë realitetit të pandryshueshëm, me mungesën e tmerrshme të informacionit për atë që ndodh jashtë kufijve tanë, qoftë edhe fare pranë nesh. Kjo ndodhte gjatë komunizmit. Për këtë kujdesen posaçërisht që të ndodhë edhe tani, ndonëse me metoda më të kamufluara, se helbete, jemi vend demokratik. Shqiptarëve u thonë se jemi prapë një vend i lumtur, se “Shqipëria po ndryshon”, se rritja jonë ekonomike është me dy shifra. Por ama nuk u thonë se mesatarisht në Shqipëri një banor i ka të ardhurat vjetore rreth 5.800 dollarë (që do të thotë rreth 48.000 lekë të reja në muaj), ndërsa deri edhe Maqedonia i ka 8.400 USD, e Serbia 10.400 USD. Çfarë kanë më shumë se Shqipëria këto vende pa dalje në det, të zhuritura nga luftërat, konfliktet etnike dhe fetare, të kontestuara ndërkombëtarisht dhe me dilema të brendshme ekzistenciale? Përgjigjja është e thjeshtë. Ato kanë qeverisjen që meritojnë qytetarët e atjeshëm. Si minimum këto vende kanë një qytetari të tillë që u kall datën qeverisjeve të tyre. Kjo frikë i frenon ato deri në atë pikë sa ato të mos i shkelin interesat e vendit me të dyja këpucët. Në të kundërt në mos 1 milion njerëz do i kenë në shesh me daulle e bomba molotov, së paku, nga një këpucë kokës do e kenë të garantuar. Sepse demokratike janë ato vende ku këpucët s’përdoren vetëm për shëtitje.

Gazeta "Korrieri", 18 dhjetor, 2008

Mbi turizmin mediatik

Se çfarë ndikimi do kenë në Shqipëri zgjedhjet amerikane, këtë është herët ta thuash, ndonëse s’duhet diplomë Harvardi për të kuptuar se rrota e historisë botërore mund të marrë një kthesë te re nga data e sotme – varësisht se kush merr çelësat në zyrën ovale. Por ja që ne në Shqipëri – një vend i varfër, pa ndikim, i vogël dhe pothuajse i parëndësishëm për nga kualiteti i gazetarisë që ofrojmë në tregun global – po zhvillojmë së fundi edhe një nga paradat më donkishoteske që mund të ketë parë historia kryesisht e medias vizive por e ndjekur këmba këmbës edhe nga disa pinjoj të kamur, të llastuar dhe të vetëkënaqur të shtypit të shkruar. Kjo është parada, apo më mirë gjuetia e destinacioneve mediatikisht ekzotike. Ka një garë të ethshme deri në migrenë për të imituar gjithçka që bëjnë mediat e mëdha, ato, artileritë e rënda, byrotë mediatike ku punon Kristianë Amanpuri apo Timoti Garton Eshi. Shqipëria mund të mos ketë mbase CNN apo BBC por ama ka edhe ajo miniaturat e veta të Anderson Kuperit të famshëm të CNN-it apo Alan Xhonstonit korrespondent nga Gaza i BBC-së. Një televizion që ka mendim të mirë për vetveten në Shqipëri, nuk quhet i tillë nëse nuk është në gjendje që pavarësisht kostove marramendëse financiare, të dërgojë njeriun e vet aty ku është syri i ciklonit. Por e gjithë kjo histori nuk është edhe kaq e simplifikuar. Ka edhe ajo ndërlikimet e veta. Syri i ciklonit, vendi i ngjarjes, vëmendja e botës, bën mirë të bjerë në ndonjë shtet me tingëllimë moderne, ndonjë qytet i kualifikueshëm për të dërguar atje jo gazetarin e thjeshtë, atë që gris këpucët nëpër konferenca shtypi në Tiranë apo në ndonjë zonë të humbur elektorale kur ka zgjedhje në Shqipëri. Jo. Destinacioni i turizmit mediatik është zakonisht Amerika, ose Franca ose Brukseli, ose Old Trafordi ose Grand Prix of Formula 1. Turisti mediatik është zakonisht kryeredaktori ose vetë drejtori që shndërrohet në ekspert të gjithçkaje. Dhe ja ku mbërritëm si pa e kuptuar nga shkolla e “analizmit” të Bar Westit të vjetër tek ish-Blloku, direkt e në raportimin live, via satellite nga gjellëtorja përbri hotel Uotërgejtit. Sepse, ti s’futesh tek kasta e zgjedhur nëse ti si minimum s’po interviston ndonjë shofer taksie tek lulishtja 500 metra larg Shtëpisë së Bardhë në të njëjtën kohë kronometrikisht ekzakte kur edhe Kristianë Amanpuri po interviston brenda vetë Zyrës Ovale vetë Obamën të cilin fshehtaz, gjithkush nga “korrespondentët e luksit” ëndërron ta çarmatosë një ditë prej ditësh gjatë intervistimit me kundërmimin e vet të parfumit, me orën firmato apo qoftë edhe me aksentin e shkujdesur të anglishtes. Për të justifikuar pastaj gjithë këtë kotni euforike pa bereqet, mbërrijnë edhe ato gjysmë-raportime gjysmë-analizat të cilat nëse ka ndonjë shqiptar që ka interes për zgjedhjet amerikane, hiç s’ka pse lodh kokën me klonet shqiptare, por i ndjek nga vetë origjinali CNN apo FOX news. E gjithë kjo përndjekje informative alla filmat western, më kujtoi mua kohën kur duke jetuar në Shtetet e Bashkuara gjendesha shpesh viktimë i hiper-mbulimit mediatik, super-raportimit të çdo hollësie, nga çdo kënd, të çdo detaji të çdo ngjarjeje që ty mund të të rrente mendja se s’kishte ndonjë ndikim për jetën tënde. Por teksa i mbijetoja heroikisht bombardimit që të ofronte bollëku i ultra-kualifikuar mediatik që udhëheq sot botën moderne të shtypit, mbërrinte pas pak edhe ideja qetësuese se kjo ishte Amerika, vendi i madh, konkurrenca e fortë, potenciali global ekonomik, intelektual dhe ushtarak, ndikimi në fatet e botës. Një babëzi e tillë mediatike, tok me faturën e vet financiare, e kish sigurisht edhe një arsye. Zakonisht njerëzit që dalin në televizor nuk para shohin televizor ngaqë televizori janë vetë ata. Por në Shqipëri televizorët shohin televizora dhe jo vetëm i shohin, por nëse televizori që shohin kap ndonjë stacion amerikan, italian, francez a britanik, ata nisin e reflektojnë pamjen që shohin. Ky s’është ndonjë malinjizim i punës vërtet simpatike që bëjnë shumë kolegë që sjellin për publikun shqiptar formate të suksesshme të provuara në mediat ndërkombëtare. Por kjo është një parodi për gjithë atë zell të pajustifikuar, absurd dhe deridiku hipokrit për të imituar rrjetet ndërkombëtare me një papagallizëm që është kokë e këmbë dhe kurrgjë tjetër veçse, qesharak.

Gazeta "Korrieri", 6 Nentor 2008