Shënim: Ky
artikull ka për ta lënduar militantin besnik të partisë. Ndonjërin që ka
arritur tashmë në stadin e dashnorit platonik e të pashpresë të liderit
partiak, ky shkrim deri ka për ta sforcuar të provojë shanset në ndonjë intifadë
gojore anonime (sikurse ngjau sporadikisht me një artikull të 21 gushtit, ku mëtohej
të shpjegohej sesi qeveria e opozita shfaqeshin njëlloj të paskrupullta për të
përfituar nga imagjinari ynë kolektiv karshi Europës).
Nuk ka lexim të pakompromentuar sikurse s’ka as mendim qindpërqind
të pafajshëm. Gjithsesi qëllimi i parë i këtij artikulli është të kursejë
vuajtjet për viktimat e lehta. Si të ruhet shëndeti i atyre skllevërve që
skllavopronarin e vet e kanë institucion? Po ekuilibri i atyre që “s’e mbajnë
dot presionin” e vënies së tij në dyshim?
Ndaj ashtu si në TV, ku në programet e sikletshme për moshat
e njoma kujdesen lloj lloj tabelash alarmante për t’i mbajtur larg kontigjentet
e syve vulnerabël, është mirë që edhe në rastin kontret t’i lihet vend i dukshëm
një demarshi të këtillë paralajmërues. Thënë me dy fjalë: Ky artikull është një
“program” për moshat përtej adoleshencës politike.
***
Adorno me Horkheimer-in hulumtojnë në veprën e tyre
“Dialektika e iluminizmit”, marrdhënien problematike mes mitit dhe arsyes
moderne të shkencës. Ata përshkruajnë se edhe pse kontradiktore me shkencën,
mitologjia nuk duhet marrë për fare jo-shkencore. Pak a shumë bëhet fjalë për
një oksimoron (harmoni e të kundërtave): mitologjia është fundja shkencë e
mbetur në orvatje; ajo tenton rrugëdaljet e arsyes njerëzore për atë shkallë të
zhvillimit ku ndodhet kjo arsye në momentin e fermentimit të miteve. Pas
shekujsh, me gjasë, arsyetimi i sotshëm modern, për sa konkret dhe racional na
duket, do të kumbojë po aq mitologjik sa edhe eposi i klasicizmit grek.
Në këtë artikull do ta ulim disi nivelin e diskursit, duke
folur pikërisht për të kundërtën e këtij fenomeni. Do të mundohemi të hedhim një
sy tek ajo sesi deri edhe ndonjë e vërtetë e pretenduar si e padiskutueshme në
arsyetimin tonë aktual shoqëror - siç është teza e antagonizmit politik mes Ramës
e Berishës - është realisht një mit banal. Një mit i vaditur kryesisht nga
kapitullimi i ndërgjegjes sonë politike dhe vetë asaj çka ne quajmë “politikë”.
Por ama, i mbjellë nga korruptimi i furnitorëve të opinionit publik me
interpretime lajmesh të freskëta nga Olimpi.
Kur flasim për Ramën dhe Berishën si suplemente të njëri-tjetrit,
kjo nuk është një sipërmarrje që kërkon ndonjë çarje transgresive të
realitetit. Përkundrazi, është si një shëtitje disaminutëshe nëpër fëmijëri. Një
rifrekuentim i përrallës së mbretit që parakalon pa rroba teksa gjithë nënshtetasit
sabotojnë vullnetarisht lakuriqësinë e mesazhit që sytë e tyre i japin trurit.
(Vini re sesi kjo shëmbëlltyrë merr trajektore interesante kur mbajmë parasysh
se, për shembull, të dy personazhet tanë shqiptarë ndajnë një mirëkuptim vëllazëror
për sektorin e veshur lehtë të plazhit, etj).
Ka njerëz këtu në Shqipëri që e konsiderojnë një ide subversive
përpjesëtimin me njëri tjetrin në mëkat mes dy drejtuesve të organizatave më të
popullarizuara politike në vend për këtë periudhë të historisë. Drama e çdo
epoke qëndron jo tek mosleximi i shenjave të kohës, por tek leximi i gabuar i
tyre. Duke refuzuar të pranojnë këtë realitet që manifestohet madje me
brutalitet, për ta është më e domosdoshme ta gjejnë anomalinë jo te armiqësia e
kundërshtarëve, por tek jo-miqësia e neutralëve. Këta të fundit, me “diversionin”
e tyre vënë më shumë se kushdo në pikëpyetje vërtetësinë e mitit të papajtueshmërisë
false Rama-Berisha e bashkë me të, edhe arsyen e ekzistencës së tyre të
kombinuar. Shigjetat e mërisë synojnë kësisoj, kah atyre reaksionarëve që
shprehin një indiferencë të barabartë injoruese ndaj këtyre dy palëve njëlloj të
diskredituara.
Ky këndvështrim kategorik ndaj mundësisë së ngjashmërisë mes
këtyre dy “armiqve” për jetë a vdekje (pra edhe të mundësisë së shfaqjes së
Mesisë në personin e ndonjërit prej tyre), mbart në radhë të parë në vetvete një
problem të paneglizhueshëm. Ai injoron kontekstin në të cilin zhvillohet në
realitetin tonë njeriu politik.
Homo politicus-ët
shqiptarë janë gjitarë të dënuar t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Ata rriten në një
mjedis të ashpër që nuk të lë shumë alternativa. Të ngjitesh në karrierën
politike të një vendi si Shqipëria është një sfidë që kërkon kompromise të
forta. Sidomos morale. Ndër to, kryesorja është rënia dakord së brendshmi për
faktin që ti s’vjen nga ndonjë shkollë tradite politike dhe që madje s’je fare
politikan. Që ky është një profesion part-time për ty. Një lloj instrumenti
muzikor i mësuar me veshë, i cili gjithmonë do ta mbajë të ndrydhur në vetvete
kompleksin e sazexhiut cigan ambulant që s’e frekuentoi dot kurrë një
konservator. Rama dhe Berisha, janë të dy, njerëz me po këtë handikap.
Dhe vërtet, nga të gjithë lëmenjtë e profesioneve, politika është
në Shqipëri ajo më pak e furnizuara me profesionistë. Zakonisht profesionet që
kanë në dorë peshën e fateve të panumërta njerëzore, kalojnë qëllimisht (kuptohet
pse) nëpër një golgotë raskapitëse përgatitjesh teknike, seleksionimi akademik,
specializimesh, leximesh e liçencimesh. Kështu, ndërkohë që pavarësisht
problemeve në Shqipëri, mjekësinë e bëjnë mjekët, arkitekturën arkitektët dhe
gazetarinë të paktën ish-studentët e letërsisë - politikën e bëjnë kalimtarë
rastësorë.
Duke qenë të dy “handmade men”, politikanë “fai da te” (në një term tregtar të masivizuar në Shqipëri,
mund të quheshin “politikanë bëje vetë, bëje mirë”) Sali Berisha dhe Edi
Rama vijnë nga e njëjta origjinë koinçidence në politikë. Kjo i bën ata njëlloj
kompleksivë e me ndjenjë faji kundrejt këtij profesioni që e ushtrojnë të dy pa
liçencë. Dhe këtu qëndron një nga pikat kryesore që bashkon fatin e këtyre dy
replikave.
Vija e demarkacionit mungon mes Ramës dhe Berishës edhe për
shumicën e sjelljeve që e bëjnë një lider gjenuin të dallojë nga një spekullant
ordiner. Me gjithë ekseset e veta, ata komportohen në thelb njëlloj nëse
vendosen përballë të njëjtës situatë ku kërkohet të dalë në pah prej tyre altruizmi,
largpamësia apo interesi i së tërës.
Fatkeqësisht, kërkesa politike në Shqipëri, ashtu emotive
dhe njëkanatëshe siç është, nuk para e çan kokën për të analizuar në plan të
gjerë panoramën që ka para syve. Nga ana tjetër, skuadriljet e opinionistëve në
shtyp vazhdojnë prej vitesh të bombardojnë me propagandë ajrore popullsinë
civile, duke i shitur mosmarrëveshjet dypalëshe Rama-Berisha për ndarje plaçke
(të cilat vijnë si pasojë e karakteristikave që ata i kanë të përbashkëta) si të
ishin beteja finale të ndarjes së dy botëve aliene.
Kjo bën që shumë shqiptarë të mendojnë realisht, se kulmi i
politikës quhet debati nëse është më mirë që imunitetet të hiqen më 6 gusht,
apo ndonjë ditë tjetër jo aq të nxehtë. Që ministër i brendshëm të jetë Flamur
Noka apo të themi, në një të ardhme Ilir Beqja. Që votat t’i numërojë Arben
Ristani apo Ilirian Celibashi. Pesë vota plus Rama, apo dhjetë vota plus Basha.
Se çfarë këndvështrimesh kanë liderët partiakë që udhëheqin
me pasion debatet e zjarrta të mësipërme, në çështje që mund të ndikonin direkt
në përmirësimin e jetës së njerëzve, për këtë nuk e vret mendjen njeri. Zaten,
ato janë çështje që qëllimisht mbahen në një nivel debati ose të ulët, ose ekskluzivisht
të ndërlikuar. Një lloj errësimi i detyruar, shtetrrethim informativ, brenda të
cilit është mirë të mos hedhë sytë dyshues njeri sepse ose është e rrezikshme, ose
është e panevojshme, ose është e parëndësishme.
Liderët politikë janë maska të njerëzve të tjerë, thotë
filozofia politike. Ata janë pseudonime të interesave që përfaqësojnë. Duke qenë
se si Rama si Berisha në thelb janë përfaqësues të shtresave të mesme e të
pasura që janë përfituesit direktë të aksioneve të tyre politike, qëndrimet e
tyre janë të kushtëzuara nga interesat që i mbështesin, financojnë dhe i mbrojnë
ata në pushtet. Retorika e tyre në raport me masat e të varfërve (të cilët
fatkeqësisht janë edhe shumica e elektoratit në partitë e tyre) është mbi të
gjitha demagogjike dhe e udhëhequr nga improvizime të momentit sa për të fituar
kredit të përkohshëm në garën se cili grup mbështetësish të pasur do të marrë në
dorë frenat e qeverisjes së vendit.
Kështu, nuk ka ndarje midis PS dhe PD (lexo: Ramës dhe
Berishës) në diskutimin nëse duhen privatizuar apo jo ndërmarrjet publike. Kundërshtitë
mes tyre mbahen qëllimisht vetëm në nivele teknike, nëse privatizimet janë duke
u kryer me procedura të ndershme apo privatizimi po dëmtohet nga korruptimi.
Por, a i intereson qytetarit t’i shiten ndërmarrjet që mund t’i jepnin atij
produkte më të lira e që njëkohësisht nëse do të menaxhoheshin mirë brenda
ekonomisë së tregut, t’i jepnin edhe punë e dinjitet? Këtë Rama me Berishën as
që e vënë fare në diskutim.
Nuk ka ndarje midis Ramës e Berishës as për mënyrën sesi shpërndahen
të ardhurat e buxhetit. A duhet orientuar paraja e mbledhur me taksa, në
drejtim të forcimit të sektorit publik, apo duhet vërtitur në mënyrë që të pikojë
në formë “projektesh investimesh” në xhepat e kontraktorëve privatë, këtë s’e përmend
njeri. PS nuk e ngre zërin pse paratë e shqiptarëve bëhen pagesa firmash që ndërtojnë
përvit rrugë që ri-shkatërrohen tashmë me ritmikë muajsh, por për procedurat
sesi këto pagesa shkojnë për këtë firmë fantazmë e jo për atë tjetrën.
Kështu, uniteti i heshtur sundon edhe kundrejt ofensivës së
shëndetësisë private mbi atë universale. Unitet për ekzaltimin e arsimit shfrytëzues
privat dhe degradimin e atij publik, për strehimin, për transportin e gjithçka
tjetër. Mosmarrëveshjet e vetme, mbeten ato teknike dhe proceduriale dhe asnjëherë
nuk diskutohet thelbi: I shërben apo jo qytetarit të varfër që ne të ndërmarrim
këtë hap, apo që ne ta bëjmë këtë lëshim?
“Ne”-ja përfaqësuese e të varfërve mungon në vetëdijen e
lidershipit të të dyja krahëve dhe provë për këtë, është ngadhnjimi i interesave
të një “ne”-je tjetër, sa herë që duhet të ndërmerret një veprim, të miratohet
një ligj, apo të kalojë një reformë. Është “ne”-ja e të pasurve.
Ky është opozitarizmi midis PS dhe PD sot. I shpjeguar me anë
të një parabole që e kishte për zemër një ish-aktivist social, sot burokrat
partiak: debati nuk është: a ta dënojmë interesin publik me vdekje apo jo.
Debati është: a ta vrasim me injeksion intravenoz, apo ta djegim në karrige
elektrike?
Në realitet, ndarja në çështje që përbëjnë themelin e
diversitetit politik kudo në botën demokratike dhe që do të ishin shprehja e vërtetë
e antagonizmit mes Ramës dhe Berishës, mungon tërësisht. Të dy liderët politikë
duket se funksionojnë në një kolaboracionizëm të heshtur për t’i lënë njëri
tjetrit trashëgim ekskluzivitetin mbi brejtjen e ngadaltë të vendit.
Ka studime tepër serioze që shtjellojnë sesi për të kuptuar
sesa aspak qesharak është realisht Charlie Chaplin duhet kuptuar më parë
Marksi, e para tij Hegeli, e para tij Adam Smithi, e para tij Descartes, e para
tij Aristoteli, e para tij Platoni.
Është qesharake se sa boshe dhe pa sens është trajektorja që
duhet të ndjekë mendimi i zgjedhësit shqiptar për të zbërthyer kuptimin e liderëve
të vet fytyrëngrysur në politikë. Atyre s’u gjen dot asnjë referencë, as
filozofi jete, as ideologji politike, as histori mendimi e as fare mendim. Aty
ka vetëm moskokëçarje revoltuese dhe aspak seriozitet.
when idealism had a good name
when idealism had a good name
Gazeta "Shqip", 29 gusht 2012