Lajmi më vendimtar politik i javës së fundit: mbyllja me
sukses e pushimeve nga ATA të dy. Përmes një çelësi sekret nënkuptues, mbarimi i
ekspeditave të tyre veruese i jep njëherësh fund edhe sezonit të pushimit të
detyrueshëm në media.
Udhëheqësit iu kthyen punës, ndaj s’ka më sens të vazhdojë
as fashitja e opinionbërjes as rënia e nivelit të saj. E kjo, ngase edhe komentariati (ndryshe:
lumpenproletariati propagandistik) siç ndjek gjatë vitit të njëjtën kurbë
humori dhe revoltimi të brendshëm me ventrilokët e vet në politikë, ashtu edhe
kujdeset posaçërisht për të pasur të njëjtën orë biologjike me ta, për ca pauza
të shëndetshme mirëmbajtjeje truri.
Harmonikë dhe kompatibël. Simon Berisha & Garfunkel
Rama are back again. Pra, të gjithë mund të rivizitojnë idetë e vjetra aty ku i
lanë. Entuziastët e mazhorancës që vazhdon e pashqetësuar projektin e saj për
demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj,
mund të devijojnë vëmendjen drejt debatit për “kufizimin e imunitetit”. Ndërsa
entuziastët e opozitës mund të revoltohen duke thënë: “A, jo. Ne jemi për
kufizimin e imunitetit, plus një jastëk ortopedik falas”, duke synuar fshehtaz që
kështu ta marrin ata në dorë timonin e projektit për demontimin e shtetit dhe
shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj.
Në të dyja rastet, veç një mungese të lavdërueshme morali është
e domosdoshme megjithatë edhe ndonjë lloj mase mbrojtëse psikologjike. Një fashë
sanitare kundrejt irritimit a ndërgjegjësimit të papritur të atij ndaj të cilit
do të ushtrohet ky pezullim morali: pra popullit. Lypset me një llaf, pakëz
lubrifikant.
***
Nderin e veçantë të gomarllëkut më sublim të kohëve të
fundit në botën e errët krimimale, e meritoi rasti i atyre që u bënë të njohur
si “hajdutët fotografë”. Të përfshirë në plaçkitjen e një vile të pasurish, ata
ranë në një aparat fotografik i cili u ndezi trillin teveqel të përjetësimit të
vetes në poza triumfale mbi gjënë e huaj. Ku të veshur me petka luksoze e ku të
krekosur mbi mobilje të shtrenjta, pak më vonë në konfuzionin e ikjes zotërinjtë
hajdutë u kujdesën – për surprizën e detektivëve - ta harrojnë me sukses në shtëpinë
e plaçkitur, aparatin fotografik. Tok me të, edhe provën shkatërrimtare të çdo
alibie që mund t’u kishte shpëtuar ndoshta kokën.
Për pesëdhjetë a më shumë vjet me radhë gjatë periudhës
socialiste, edhe shoqëria shqiptare kështu e ka “fotografuar” vetveten brenda
banesës së kësaj ideologjie të huaj e të pamerituar prej saj. Fotografia ceremoniale
nuk tregon thjesht atë që jemi, por përmes sforcimit të buzëqeshjes, qëndrimit
a veshjeve më të bukura se ato të jetës sonë normale, ajo është në vetvete edhe
një farsë.
Në rastin e shoqërisë shqiptare, kjo shëmbëlltyrë paraqiste
perversitetin e ekzaltimit të atyre tipareve që e bënin atë të ishte pikërisht ajo
që ishte (dhe vazhdon të jetë): një shoqëri e dominuar nga hipokrizia që këtej
e quajnë inteligjencë, nga mungesa e disiplinës që shitet për vitalitet, intoleranca
që përkthehet në pagabueshmëri dhe vrazhdësia që mban vendin kryesor nën siglën
e një lloj trimërie të krisur.
Kjo sapere aude e
shoqërisë ishte arsyeja e kohës, misioni epokal i natyrës. Por si çdo fotografi
që merr kuptim vetëm nëse dikush jashtë nesh e konstaton atë, ashtu edhe vlerat
e auto-pretenduara të shoqërisë shqiptare ishin një mall për konsum të jashtëm.
Një panoramë piktoreske e asaj si shqiptarët duan të perceptohen. Qëllimi i saj
është i drejtuar së jashtmi.
Në i vënçim veshin Kantit tek “Fillimi i hamendësuar i
historisë njerëzore”, do të konstatojmë se “të
këqiat më të mëdha që shtypin popujt e edukuar, vijnë nga lufta, por jo pikërisht
nga lufta në zhvillim e sipër… sesa nga armatimi (pra ideja)…për luftën e mundshme”.
Zaten asokohë, edhe ne thuheshim të rrethuar nga armiq të jashtëm e pikërisht këtyre
armiqve u adresohet mirazhi ynë shoqëror.
Kanti argumenton se në kushtet e rrezikut konstant i cili jo
gjithmonë përputhet me realitetin e që në shumë raste fabrikohet nga klasat
sunduese, “liria cënohet fuqishëm”
dhe “kujdesi prej nëne i shtetit për anëtarët
e tij, shndërrohet në një ashpërsi të paepur kërkesash, megjithatë duke e
justifikuar këtë me frikën prej një rreziku të jashtëm”. Një tren me
destinacion komunizmin ikte vazhdimisht nga stacioni ynë dhe për të na bërë të
rendnim për ta arritur në orar, armiku i jashtëm ishte përherë aty duke përgjuar
pas ndonjë prite.
Koha xhanëm kërkon në çdo epokë sakrificat e veta në formën
e një lloj haraçi të pashmangshëm për avancimin drejt progresit shoqëror. Kur
armiku i jashtëm zhvleftësohet ngaqë ne zbulojmë ngjashmërinë tonë me të, atëherë
shoqëria i vihet punës për krijimin e ndonjë forme të re armiku që të na bëjë të
rimarrim marshimin.
Kështu kjo dogmë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në një
format të përditësuar. I konstatuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme, “armiku
i jashtëm” tani fshihet tek stadet e njëpasnjëshme e të pambarimta në rrugën
drejt integrimit europian. Te kriteret. Lista me 12 pika e pyetësorit të BE-së.
Kriza greke. Banka Europiane. Komisioneri i paepur (dhe gati gati cinik) për
zgjerimin. Standardet europiane të mbikëqyrura nga ambasadorët e pakuptueshëm guru,
që flasin duke mos thënë asgjë.
Ky destinacion i paarritshëm e pajis shoqërinë me një vetëdije
në gjendje kushtrimi. Një formë gatishmërie numër një a gjendje lufte të përhershme
e të ftohtë. Rreziku i jashtëm tani është një trajtë pasigurie vajzërore se “s’do
të pëlqehemi” e si pasojë edhe s’do të pranohemi nga Europa. Një lloj paranoje
problematike e ngjashme me ankthin sportiv të një skuadre që i kanoset
skualifikimi. Rrezikojmë pra, të jemi të papreferueshëm.
Fatkeqësisht, pas kalimit nga etapa kur rrezikonim të mos
meritonim trenin për komunizëm, ky rrezik i ri i jashtëm është edhe kërcënimi tjetër
me anë të të cilit anullohen tani të drejtat dhe suspendohet demokracia nga ana
e qeverisë. Privatizimet masive të pronës publike dhe shpenzimi i të ardhurave
të tyre për majmjen e sektorit privat, kryhen nën retorikën e arritjes së
standardeve europiane.
E njëjta logjikë qëndron prapa inferioritetit ndaj
interesave të koorporatave shfrytëzuese shumëkombëshe apo subkontraktorëve të
vet vendorë. Varfërimi i pandalshëm i masave është rezultat direkt ndaj edhe
rreziku i pakënaqësisë popullore shfaqet në horizont. Kësisoj vjen miratimi
arbitrar i legjislacionit që centralizon pushtetin apo rrit kontrollin e
autoriteteve, i cili përligjet me qëllimin e sakrificave të dhimbshme por të
domosdoshme në emër të integrimit. Po ky qëllim shërben si mesazh i nënkuptuar
dhe i padiskutueshëm për klimën që ngushton dhe korrupton hapësirën e debatit,
frymën kritike dhe mendimin progresiv.
Për shumë kohë, filozofitë politike i mundon pyetja se si
shpjegohet ekzistenca e përhershme e një elektorati mbështetës ndaj qeverive
abuzive. Kjo ndodh kur gjendja e jashtëzakonshme kthehet në një situatë të
natyrshme e normale të shoqërisë e cila dorëzon armët, braktis rezistencën, ul
kërkesat dhe i lë rrugë të lirë abuzimit të pashmangshëm me pushtetin në emër të
një synimi madhor. Pajtimi me abuzimin bëhet akti vetëflijues nga ana e shoqërisë
për të pranuar statuskuo-në dhe për ta legjitimuar atë me bindjen se qëllimi i
justifikon mjetet. Një lloj LSD-je nën efektin e së cilës vetë viktima vajis
gijotinën nën të cilën do të vendosë kryet.
Por përveç rrezikut të jashtëm që përdoret si energji për kalitjen
e vetëpërmbajtjes shoqërore, në Shqipëri ky është gjithashtu edhe justifikimi për
ç’demokratizimin e opozitës. Pakënaqësia se Shqipëria e qeverisur kështu do të jetë
e papranueshme nga Europa, shërben si forca motorre që indinjon dhe mobilizon
masat. “Nuk bën kështu – ankohen “të majtët” shqiptarë – qeveria po na le
mbrapa e po na diskrediton në rrugën drejt integrimit”.
Sipas saj, ritmet depesonalizuese të shoqërisë shqiptare nuk
janë ato të duhurat dhe kjo është arsyeja përse vendet mes pushtetit dhe opozitës
duhen këmbyer. Rreziku i jashtëm që i kanoset Shqipërisë nëse nuk ndërron
qeverisjen, shërben kësisoj si lënda djegëse që mban në lëvizje frymën kundërshtuese
ndaj mënyrës sesi e bën detyrën qeveria. Sipas opozitës, ajo e bën keq dhe kjo
anomali po lë përshtypje negative tek të huajt të cilëve duhet t’u reklamohemi
si të pranueshëm. E gjithë kjo, e bën më të madh rrezikun e jashtëm që të mos i
pëlqejmë Evropës, ndaj koha na thërret për sakrifica më të mëdha. Si për
shembull, zëvendësimin e atyre që e kanë korruptuar sistemin kapitalist, me këta
të tjerët që do ta bëjnë këtë sistem të funksionojë ashtu siç duhet.
Si përfundim mund të thuhet se edhe pse me shkak të brendshëm,
pasojat e kësaj frike nga armiku i radhës, janë të drejtuara nga jashtë brenda.
Ja pse Europa si utopi posthumaniste është edhe destinacioni i kartolinave nga
“banda” jonë e “fotografëve”. Kjo forcë e mbinatyrshme policore (pra “armike”
si çdo autoritet që pengon natyrshmërinë), kontrollon me lupë zmadhuese
gjenuinitetin tonë të krekosur me petkat moderne me të cilat jemi vetë-fotografuar
brenda shtëpisë tjetër të plaçkitur. Shtëpi, që kësaj radhe është ajo e
demokracisë neoliberale.
(Gazeta "Shqip", 21 gusht 2012)
No comments:
Post a Comment