Nga Sokol Shameti
E pandalshme seria e profkave që vetë Partia Socialiste
po i kurdis Partisë Socialiste për ta çuar këtë të fundit drejt humbjes. A do
aleancë turpi më 1 prill? A do kryetarin që shkon e bën skandal në Vjenë? A do
Koçon në listën e Vlorës? A do autobusin e luksit që shet tangërllëk mes
mjerimit të përgjithshëm? S’kalon javë pa një surprizë. Megjithatë kemi arritur
në orën kur ithtarëve të rotacionit, u ka mbetur vetëm një flamur për ta valëvitur
si arsyen pse duhet të ndodhë rotacioni.
Siç është kapur edhe nga sensorët e shumë vëzhguesve të
tjerë - arsyeja tepër bindëse që rrotullojnë tani në ajër rotacionistët është:
“Le ta provojmë një herë qeverisjen e Ramës. Po doli për hajër, veç nesh fitoni
edhe ju. Po ishte e keqe, ju humbisni ne bëjmë pallë”. Me pak fjalë, opozita që
e ka zakon ta quajë vetveten të majtë, po i fton shqiptarët të luajnë lloto më
23 qershor. Një lloj bixhozi ku vetë ata, në të dyja rastet, e kanë të
garantuar fitoren dhe ku populli investon qorrazi të ardhmen e fëmijëve të vet.
Ka megjithatë edhe një mënyrë tjetër sesi ne, populli i thjeshtë, mund ta
filtrojmë këtë lojë e kuqe-e zezë ku po na nxisin të përfshihemi.
Ajo çka nuk fshihet dot është se nëse Partia Socialiste
humbet, kjo do të jetë një humbje që ajo vetë ia ka shkaktuar vetvetes. Nëse përballë
një kundërshtari të diskredituar i cili është ezauruar për 8 vjet në pushtet e
që është gërryer nën erozionin e çdo skandali të mundshëm, përsëri kjo biçim
opozite nuk arrin të fitojë, nuk ka më gojë askush të qortojë prapë pushtetin. Vetëm
herën e parë e kanë fajin hajdutët në të grabitshin shtëpinë. Po ndodhi për herë
të dytë, të tretë e të katërt, fajin mbaje vetë, pasi me shumë gjasë, mund të
jetë duke të të lezetuar ky lloj përdhunimi i përsëritur. Në këtë rast i mbetet
vetë Partisë Socialiste ta lokalizojë vatrën e saj të infeksionit dhe ta kurojë
atë.
Nga ana tjetër, nëse kjo parti fiton kjo do të jetë një
nga fitoret më të rrezikshme për shqiptarët që do të qeverisen prej saj. E
rrezikshme sepse ajo do të jetë një fitore që kjo lloj opozite e ka arritur pa
begenisur madje as të pretendojë se ajo është e mira por thjesht sepse kundërshtari
i vet qëllon që është dordoleci i ngulur në arë për të kallur datën dhe për t’u
urryer nga të gjithë. Poshtëruese, sepse njerëzit që do t’i blatojnë fitoren një
krushqie si kjo që vetëquhet sot “e majta”, do të shikohen pasandaj prej Ramës
me shokë, si një tufë gomerësh. Si ca leshko që arritën deri aty sa t’ua
dhurojnë pushtetin kur këta vetë po bënin çmos për të treguar se nuk ishin ata
njerëzit që do t’i shpëtonin nga varfëria që buron prej paaftësisë së qeverisë
për të ndalur grykësinë e biznesit.
Sigurisht që shumë njerëz të përndezur nga zjarrmia e
fushatës dhe që e duan me zemër të majtën do të rrudhin buzët dhe do ta
rendisin autorin e këtyre radhëve në stanin e atij Nastradini që sundon sot
Shqipërinë (zaten, edhe për shkak se përballë tij ka një karikaturë të së majtës
siç është Edi Rama). Por po të gjykojmë paksa më me realizëm e të shohim një
renditje të fakteve, do të na rezultojë se vërtet një fitore eventuale e Partisë
Socialiste në këto zgjedhje s’do të ishte thjesht një nga grushtet më të rënda
që e majta do të merrte përfundimisht në Shqipëri. Ajo do të ishte edhe një
cunami i vërtetë për gjithë shoqërinë dhe shpresën tonë për një demokraci
funksionale.
Kjo do të ishte një fitore që PS do ta arrinte pasi është
tallur për tetë vjet rëndshëm me idealizmin e njerëzve. Një fitore e partisë e
cila u shtir se qau kur plasi Gërdeci dhe pastaj shkon e na cakton si kandidat të
sajin një garant të mos-hetimit të Gërdecit. Partisë që ulëriti “na vranë” më
21 janar e që pastaj u shtri lakuriq në krevat me sponsorin gjeneral të 21
janarit. Partisë që për 8 vjet akuzoi modelin zhvatës të qeveritarëve dhe që
pastaj në mënyrë donkishoteske vajti e përzgjodhi Sançon më të babëzitur midis
qeveritarëve si shqytar e ndihmës për të rrëzuar ç’ka tepruar nga karabinaja e
qeverisë. Partisë e cila në një vend fukarenjsh dhe punëtorësh krenohet se është
në aleancë me biznesmenët dhe milionerët. Partisë së cilës të paktën 10 persona
i figurojnë në dy lista: edhe në atë të kandidatëve të saj për deputetë, edhe në
atë të të kërkuarve të Interpolit. Partisë që ka për kryetar një personazh i
cili me grushtin diktatorial sesi po qeveris brenda selisë së tij sot, s’po lë
gjë pa bërë që të na paralajmërojë sesi do të jetë qeverisja e tij në ekzekutiv
nesër. Çdo element në këtë Parti Socialiste thërret: Ruajuni!
***
Skenari i një fitoreje të Edi Ramës në këto zgjedhje është
mjerisht ai më i keqi. Nëse ai realizohet, të gjithë ata që mendojnë se klasa
politike ka skaduar dhe se demiurgët e saj duhen zëvendësuar, do të zhgënjehen.
Si Rama si Berisha do të mbeten në lojë. Rama, si kryeministri që ia nënshtroi
përdhunshëm popullin e së majtës idesë së tij apolitike për një parti të depolitizuar
që s’ka ideale, s’ka principe, s’ka ndjeshmëri, por që ka vetëm batuta
autobuzi, ortakë biznesi, servilë që e gëlltisin aragostën që u jep Rama
ndonëse ai ka pështyrë në të, si dhe disa sharlatanë marketingu tregtar.
Po ky skenar, nga ana tjetër, e përjetëson Berishën si një
baba kombëtar. Si një Gorbaçov me një portret dikur të përgjakur por tashmë të
shpëlarë nga detergjenti fisnik i dorëzimit paqësor të pushtetit. Si një Les
Valesë me një cv të stolisur prej anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave. E
madje edhe si një Ataturk tunelesh brenda të cilëve brezat e urithëve do ta përmendin
emrin e tij siç bënin me emrin e Zogut udhëtarët e urës italiane mbi lumin Mat.
Modeli i tij do të nderohet dhe ndiqet dhe edhe nëse Berisha ikën fizikisht, ai
do të mbetet këtu, trashëgimia e tij do të vijojë të na mundojë.
Të vetmit që dalin të humbur nga kjo histori, janë
shqiptarët. Vetëm përmbysja e këtij skenari mund të sjellë shpëtimin. Një ndëshkim
i Edi Ramës me votat e të majtëve që ai nuk i përfaqëson do të ishte një karton
i kuq që të majtët ia japin asaj partie që ka rrëshqitur nga binarët, si dhe një
shans që ajo të korrigjojë shënjestrën, udhëheqjen dhe kursin e saj. Një disfatë
e PS-së më 23 qershor do të ishte realisht jo një disfatë e PS-së por vetëm një
disfatë e projektit të Edi Ramës për ta de-socializuar Partinë Socialiste e për
të legalizuar ndikimin e kapitalit të madh mbi të. Ajo do t’i jepte fund një
epoke që nisi me Fatos Nanon: epokës së çmontimit të ideologjisë së majtë nga
partitë e majta dhe zëvendësimit të saj me taktikat e menaxherëve dhe
specialistëve të Marrdhënieve Publike që rreken të të shesin sapunin për djathë
apo erashkat për programe politike.
Vetëm një rikthim majtas i Partisë Socialiste, pas dëbimit
të brejtësve që sot kanë ngritur koloninë atje, do t’i jepte asaj argumentet
dhe aftësinë për të ringjallur frymën për të cilën kanë nevojë njerëzit. Ai do
të gjeneronte bashkimin e vërtetë të të gjithë të majtëve, për të mundësuar një
përmbysje të shpejtë e përfundimtare të sistemit të instaluar të biznesmenëve që
shtrëngojnë për testikujsh cilindo kryeministër që vjen në pushtet. Të humbë “e
majta” për të shpëtuar të majtën, kjo është penincilina. Por a është e sigurtë
se pas humbjes do të vijë shpëtimi i saj përmes reformimit? Kjo është një e
panjohur e madhe. Një mister që do të zgjidhet gjithsesi prej dialektikës së kalitur
nga disfata në disfatë, pas gjithë modeleve të saj të dështuara jo-socialiste
deri tani.
Pa fjalë, një qeverisje e tretë e Sali Berishës do të
ishte po ajo përmbledhje vuajtjesh, lëngate ekonomike, arrogance me pushtetin,
shpërdorimi me buxhetin dhe degjenerimi të krejt konceptit të publikes në
përgjithësi. Por fitorja e Berishës qoftë edhe përkohësisht në këto zgjedhje
deri në një palë të tjera të parakohëshme, është ironikisht zgjidhja e vetme
për të shpëtuar të majtën nga klonimi në pushtet i berishizmit me sigël socialiste.
“Historia – kanë vënë re njerëz me mend – përsërit
vetveten. Herën e parë si tragjedi, të dytën si farsë”. Por jemi në Shqipëri.
Një vend ku deri edhe telashet shtjellohen së prapthi. I kemi kaluar mjerisht
tejpërtej farsës së atij që më 2005-ën deshi të hyjë në histori teksa kishte dhënë
gjithë provat se do të ishte një tiran. Ajo që po na e bën me sy kërcënueshëm përtej
reve në horizont, është vetë tragjedia. Disfata e një populli të vogël, pa përvojë,
që e tërheqin për hunde.
Gazeta "Shqip", 19 maj 2013
No comments:
Post a Comment