Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Wednesday, August 29, 2012

Opozitarizëm si mit, kolaboracionizëm si fakt


Shënim: Ky artikull ka për ta lënduar militantin besnik të partisë. Ndonjërin që ka arritur tashmë në stadin e dashnorit platonik e të pashpresë të liderit partiak, ky shkrim deri ka për ta sforcuar të provojë shanset në ndonjë intifadë gojore anonime (sikurse ngjau sporadikisht me një artikull të 21 gushtit, ku mëtohej të shpjegohej sesi qeveria e opozita shfaqeshin njëlloj të paskrupullta për të përfituar nga imagjinari ynë kolektiv karshi Europës).
Nuk ka lexim të pakompromentuar sikurse s’ka as mendim qindpërqind të pafajshëm. Gjithsesi qëllimi i parë i këtij artikulli është të kursejë vuajtjet për viktimat e lehta. Si të ruhet shëndeti i atyre skllevërve që skllavopronarin e vet e kanë institucion? Po ekuilibri i atyre që “s’e mbajnë dot presionin” e vënies së tij në dyshim?
Ndaj ashtu si në TV, ku në programet e sikletshme për moshat e njoma kujdesen lloj lloj tabelash alarmante për t’i mbajtur larg kontigjentet e syve vulnerabël, është mirë që edhe në rastin kontret t’i lihet vend i dukshëm një demarshi të këtillë paralajmërues. Thënë me dy fjalë: Ky artikull është një “program” për moshat përtej adoleshencës politike.

***
Adorno me Horkheimer-in hulumtojnë në veprën e tyre “Dialektika e iluminizmit”, marrdhënien problematike mes mitit dhe arsyes moderne të shkencës. Ata përshkruajnë se edhe pse kontradiktore me shkencën, mitologjia nuk duhet marrë për fare jo-shkencore. Pak a shumë bëhet fjalë për një oksimoron (harmoni e të kundërtave): mitologjia është fundja shkencë e mbetur në orvatje; ajo tenton rrugëdaljet e arsyes njerëzore për atë shkallë të zhvillimit ku ndodhet kjo arsye në momentin e fermentimit të miteve. Pas shekujsh, me gjasë, arsyetimi i sotshëm modern, për sa konkret dhe racional na duket, do të kumbojë po aq mitologjik sa edhe eposi i klasicizmit grek.
Në këtë artikull do ta ulim disi nivelin e diskursit, duke folur pikërisht për të kundërtën e këtij fenomeni. Do të mundohemi të hedhim një sy tek ajo sesi deri edhe ndonjë e vërtetë e pretenduar si e padiskutueshme në arsyetimin tonë aktual shoqëror - siç është teza e antagonizmit politik mes Ramës e Berishës - është realisht një mit banal. Një mit i vaditur kryesisht nga kapitullimi i ndërgjegjes sonë politike dhe vetë asaj çka ne quajmë “politikë”. Por ama, i mbjellë nga korruptimi i furnitorëve të opinionit publik me interpretime lajmesh të freskëta nga Olimpi.
Kur flasim për Ramën dhe Berishën si suplemente të njëri-tjetrit, kjo nuk është një sipërmarrje që kërkon ndonjë çarje transgresive të realitetit. Përkundrazi, është si një shëtitje disaminutëshe nëpër fëmijëri. Një rifrekuentim i përrallës së mbretit që parakalon pa rroba teksa gjithë nënshtetasit sabotojnë vullnetarisht lakuriqësinë e mesazhit që sytë e tyre i japin trurit. (Vini re sesi kjo shëmbëlltyrë merr trajektore interesante kur mbajmë parasysh se, për shembull, të dy personazhet tanë shqiptarë ndajnë një mirëkuptim vëllazëror për sektorin e veshur lehtë të plazhit, etj).
Ka njerëz këtu në Shqipëri që e konsiderojnë një ide subversive përpjesëtimin me njëri tjetrin në mëkat mes dy drejtuesve të organizatave më të popullarizuara politike në vend për këtë periudhë të historisë. Drama e çdo epoke qëndron jo tek mosleximi i shenjave të kohës, por tek leximi i gabuar i tyre. Duke refuzuar të pranojnë këtë realitet që manifestohet madje me brutalitet, për ta është më e domosdoshme ta gjejnë anomalinë jo te armiqësia e kundërshtarëve, por tek jo-miqësia e neutralëve. Këta të fundit, me “diversionin” e tyre vënë më shumë se kushdo në pikëpyetje vërtetësinë e mitit të papajtueshmërisë false Rama-Berisha e bashkë me të, edhe arsyen e ekzistencës së tyre të kombinuar. Shigjetat e mërisë synojnë kësisoj, kah atyre reaksionarëve që shprehin një indiferencë të barabartë injoruese ndaj këtyre dy palëve njëlloj të diskredituara.
Ky këndvështrim kategorik ndaj mundësisë së ngjashmërisë mes këtyre dy “armiqve” për jetë a vdekje (pra edhe të mundësisë së shfaqjes së Mesisë në personin e ndonjërit prej tyre), mbart në radhë të parë në vetvete një problem të paneglizhueshëm. Ai injoron kontekstin në të cilin zhvillohet në realitetin tonë njeriu politik.
Homo politicus-ët shqiptarë janë gjitarë të dënuar t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Ata rriten në një mjedis të ashpër që nuk të lë shumë alternativa. Të ngjitesh në karrierën politike të një vendi si Shqipëria është një sfidë që kërkon kompromise të forta. Sidomos morale. Ndër to, kryesorja është rënia dakord së brendshmi për faktin që ti s’vjen nga ndonjë shkollë tradite politike dhe që madje s’je fare politikan. Që ky është një profesion part-time për ty. Një lloj instrumenti muzikor i mësuar me veshë, i cili gjithmonë do ta mbajë të ndrydhur në vetvete kompleksin e sazexhiut cigan ambulant që s’e frekuentoi dot kurrë një konservator. Rama dhe Berisha, janë të dy, njerëz me po këtë handikap.
Dhe vërtet, nga të gjithë lëmenjtë e profesioneve, politika është në Shqipëri ajo më pak e furnizuara me profesionistë. Zakonisht profesionet që kanë në dorë peshën e fateve të panumërta njerëzore, kalojnë qëllimisht (kuptohet pse) nëpër një golgotë raskapitëse përgatitjesh teknike, seleksionimi akademik, specializimesh, leximesh e liçencimesh. Kështu, ndërkohë që pavarësisht problemeve në Shqipëri, mjekësinë e bëjnë mjekët, arkitekturën arkitektët dhe gazetarinë të paktën ish-studentët e letërsisë - politikën e bëjnë kalimtarë rastësorë.
Duke qenë të dy “handmade men”, politikanë “fai da te” (në një term tregtar të masivizuar në Shqipëri, mund të quheshin “politikanë bëje vetë, bëje mirë”) Sali Berisha dhe Edi Rama vijnë nga e njëjta origjinë koinçidence në politikë. Kjo i bën ata njëlloj kompleksivë e me ndjenjë faji kundrejt këtij profesioni që e ushtrojnë të dy pa liçencë. Dhe këtu qëndron një nga pikat kryesore që bashkon fatin e këtyre dy replikave.
Vija e demarkacionit mungon mes Ramës dhe Berishës edhe për shumicën e sjelljeve që e bëjnë një lider gjenuin të dallojë nga një spekullant ordiner. Me gjithë ekseset e veta, ata komportohen në thelb njëlloj nëse vendosen përballë të njëjtës situatë ku kërkohet të dalë në pah prej tyre altruizmi, largpamësia apo interesi i së tërës.
Fatkeqësisht, kërkesa politike në Shqipëri, ashtu emotive dhe njëkanatëshe siç është, nuk para e çan kokën për të analizuar në plan të gjerë panoramën që ka para syve. Nga ana tjetër, skuadriljet e opinionistëve në shtyp vazhdojnë prej vitesh të bombardojnë me propagandë ajrore popullsinë civile, duke i shitur mosmarrëveshjet dypalëshe Rama-Berisha për ndarje plaçke (të cilat vijnë si pasojë e karakteristikave që ata i kanë të përbashkëta) si të ishin beteja finale të ndarjes së dy botëve aliene.
Kjo bën që shumë shqiptarë të mendojnë realisht, se kulmi i politikës quhet debati nëse është më mirë që imunitetet të hiqen më 6 gusht, apo ndonjë ditë tjetër jo aq të nxehtë. Që ministër i brendshëm të jetë Flamur Noka apo të themi, në një të ardhme Ilir Beqja. Që votat t’i numërojë Arben Ristani apo Ilirian Celibashi. Pesë vota plus Rama, apo dhjetë vota plus Basha.
Se çfarë këndvështrimesh kanë liderët partiakë që udhëheqin me pasion debatet e zjarrta të mësipërme, në çështje që mund të ndikonin direkt në përmirësimin e jetës së njerëzve, për këtë nuk e vret mendjen njeri. Zaten, ato janë çështje që qëllimisht mbahen në një nivel debati ose të ulët, ose ekskluzivisht të ndërlikuar. Një lloj errësimi i detyruar, shtetrrethim informativ, brenda të cilit është mirë të mos hedhë sytë dyshues njeri sepse ose është e rrezikshme, ose është e panevojshme, ose është e parëndësishme.
Liderët politikë janë maska të njerëzve të tjerë, thotë filozofia politike. Ata janë pseudonime të interesave që përfaqësojnë. Duke qenë se si Rama si Berisha në thelb janë përfaqësues të shtresave të mesme e të pasura që janë përfituesit direktë të aksioneve të tyre politike, qëndrimet e tyre janë të kushtëzuara nga interesat që i mbështesin, financojnë dhe i mbrojnë ata në pushtet. Retorika e tyre në raport me masat e të varfërve (të cilët fatkeqësisht janë edhe shumica e elektoratit në partitë e tyre) është mbi të gjitha demagogjike dhe e udhëhequr nga improvizime të momentit sa për të fituar kredit të përkohshëm në garën se cili grup mbështetësish të pasur do të marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit.
Kështu, nuk ka ndarje midis PS dhe PD (lexo: Ramës dhe Berishës) në diskutimin nëse duhen privatizuar apo jo ndërmarrjet publike. Kundërshtitë mes tyre mbahen qëllimisht vetëm në nivele teknike, nëse privatizimet janë duke u kryer me procedura të ndershme apo privatizimi po dëmtohet nga korruptimi. Por, a i intereson qytetarit t’i shiten ndërmarrjet që mund t’i jepnin atij produkte më të lira e që njëkohësisht nëse do të menaxhoheshin mirë brenda ekonomisë së tregut, t’i jepnin edhe punë e dinjitet? Këtë Rama me Berishën as që e vënë fare në diskutim.
Nuk ka ndarje midis Ramës e Berishës as për mënyrën sesi shpërndahen të ardhurat e buxhetit. A duhet orientuar paraja e mbledhur me taksa, në drejtim të forcimit të sektorit publik, apo duhet vërtitur në mënyrë që të pikojë në formë “projektesh investimesh” në xhepat e kontraktorëve privatë, këtë s’e përmend njeri. PS nuk e ngre zërin pse paratë e shqiptarëve bëhen pagesa firmash që ndërtojnë përvit rrugë që ri-shkatërrohen tashmë me ritmikë muajsh, por për procedurat sesi këto pagesa shkojnë për këtë firmë fantazmë e jo për atë tjetrën.
Kështu, uniteti i heshtur sundon edhe kundrejt ofensivës së shëndetësisë private mbi atë universale. Unitet për ekzaltimin e arsimit shfrytëzues privat dhe degradimin e atij publik, për strehimin, për transportin e gjithçka tjetër. Mosmarrëveshjet e vetme, mbeten ato teknike dhe proceduriale dhe asnjëherë nuk diskutohet thelbi: I shërben apo jo qytetarit të varfër që ne të ndërmarrim këtë hap, apo që ne ta bëjmë këtë lëshim?
“Ne”-ja përfaqësuese e të varfërve mungon në vetëdijen e lidershipit të të dyja krahëve dhe provë për këtë, është ngadhnjimi i interesave të një “ne”-je tjetër, sa herë që duhet të ndërmerret një veprim, të miratohet një ligj, apo të kalojë një reformë. Është “ne”-ja e të pasurve.
Ky është opozitarizmi midis PS dhe PD sot. I shpjeguar me anë të një parabole që e kishte për zemër një ish-aktivist social, sot burokrat partiak: debati nuk është: a ta dënojmë interesin publik me vdekje apo jo. Debati është: a ta vrasim me injeksion intravenoz, apo ta djegim në karrige elektrike?
Në realitet, ndarja në çështje që përbëjnë themelin e diversitetit politik kudo në botën demokratike dhe që do të ishin shprehja e vërtetë e antagonizmit mes Ramës dhe Berishës, mungon tërësisht. Të dy liderët politikë duket se funksionojnë në një kolaboracionizëm të heshtur për t’i lënë njëri tjetrit trashëgim ekskluzivitetin mbi brejtjen e ngadaltë të vendit.
Ka studime tepër serioze që shtjellojnë sesi për të kuptuar sesa aspak qesharak është realisht Charlie Chaplin duhet kuptuar më parë Marksi, e para tij Hegeli, e para tij Adam Smithi, e para tij Descartes, e para tij Aristoteli, e para tij Platoni.
Është qesharake se sa boshe dhe pa sens është trajektorja që duhet të ndjekë mendimi i zgjedhësit shqiptar për të zbërthyer kuptimin e liderëve të vet fytyrëngrysur në politikë. Atyre s’u gjen dot asnjë referencë, as filozofi jete, as ideologji politike, as histori mendimi e as fare mendim. Aty ka vetëm moskokëçarje revoltuese dhe aspak seriozitet.
when idealism had a good name 
Gazeta "Shqip", 29 gusht 2012

Tuesday, August 21, 2012

Mbi rrezikun e jashtëm dhe bandën e hajdutëve fotografë

Lajmi më vendimtar politik i javës së fundit: mbyllja me sukses e pushimeve nga ATA të dy. Përmes një çelësi sekret nënkuptues, mbarimi i ekspeditave të tyre veruese i jep njëherësh fund edhe sezonit të pushimit të detyrueshëm në media.
Udhëheqësit iu kthyen punës, ndaj s’ka më sens të vazhdojë as fashitja e opinionbërjes as rënia e nivelit të saj. E kjo, ngase edhe komentariati (ndryshe: lumpenproletariati propagandistik) siç ndjek gjatë vitit të njëjtën kurbë humori dhe revoltimi të brendshëm me ventrilokët e vet në politikë, ashtu edhe kujdeset posaçërisht për të pasur të njëjtën orë biologjike me ta, për ca pauza të shëndetshme mirëmbajtjeje truri.
Harmonikë dhe kompatibël. Simon Berisha & Garfunkel Rama are back again. Pra, të gjithë mund të rivizitojnë idetë e vjetra aty ku i lanë. Entuziastët e mazhorancës që vazhdon e pashqetësuar projektin e saj për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj, mund të devijojnë vëmendjen drejt debatit për “kufizimin e imunitetit”. Ndërsa entuziastët e opozitës mund të revoltohen duke thënë: “A, jo. Ne jemi për kufizimin e imunitetit, plus një jastëk ortopedik falas”, duke synuar fshehtaz që kështu ta marrin ata në dorë timonin e projektit për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj.
Në të dyja rastet, veç një mungese të lavdërueshme morali është e domosdoshme megjithatë edhe ndonjë lloj mase mbrojtëse psikologjike. Një fashë sanitare kundrejt irritimit a ndërgjegjësimit të papritur të atij ndaj të cilit do të ushtrohet ky pezullim morali: pra popullit. Lypset me një llaf, pakëz lubrifikant.
***
Nderin e veçantë të gomarllëkut më sublim të kohëve të fundit në botën e errët krimimale, e meritoi rasti i atyre që u bënë të njohur si “hajdutët fotografë”. Të përfshirë në plaçkitjen e një vile të pasurish, ata ranë në një aparat fotografik i cili u ndezi trillin teveqel të përjetësimit të vetes në poza triumfale mbi gjënë e huaj. Ku të veshur me petka luksoze e ku të krekosur mbi mobilje të shtrenjta, pak më vonë në konfuzionin e ikjes zotërinjtë hajdutë u kujdesën – për surprizën e detektivëve - ta harrojnë me sukses në shtëpinë e plaçkitur, aparatin fotografik. Tok me të, edhe provën shkatërrimtare të çdo alibie që mund t’u kishte shpëtuar ndoshta kokën.
Për pesëdhjetë a më shumë vjet me radhë gjatë periudhës socialiste, edhe shoqëria shqiptare kështu e ka “fotografuar” vetveten brenda banesës së kësaj ideologjie të huaj e të pamerituar prej saj. Fotografia ceremoniale nuk tregon thjesht atë që jemi, por përmes sforcimit të buzëqeshjes, qëndrimit a veshjeve më të bukura se ato të jetës sonë normale, ajo është në vetvete edhe një farsë.
Në rastin e shoqërisë shqiptare, kjo shëmbëlltyrë paraqiste perversitetin e ekzaltimit të atyre tipareve që e bënin atë të ishte pikërisht ajo që ishte (dhe vazhdon të jetë): një shoqëri e dominuar nga hipokrizia që këtej e quajnë inteligjencë, nga mungesa e disiplinës që shitet për vitalitet, intoleranca që përkthehet në pagabueshmëri dhe vrazhdësia që mban vendin kryesor nën siglën e një lloj trimërie të krisur.
Kjo sapere aude e shoqërisë ishte arsyeja e kohës, misioni epokal i natyrës. Por si çdo fotografi që merr kuptim vetëm nëse dikush jashtë nesh e konstaton atë, ashtu edhe vlerat e auto-pretenduara të shoqërisë shqiptare ishin një mall për konsum të jashtëm. Një panoramë piktoreske e asaj si shqiptarët duan të perceptohen. Qëllimi i saj është i drejtuar së jashtmi.
Në i vënçim veshin Kantit tek “Fillimi i hamendësuar i historisë njerëzore”, do të konstatojmë se “të këqiat më të mëdha që shtypin popujt e edukuar, vijnë nga lufta, por jo pikërisht nga lufta në zhvillim e sipër… sesa nga armatimi (pra ideja)…për luftën e mundshme”. Zaten asokohë, edhe ne thuheshim të rrethuar nga armiq të jashtëm e pikërisht këtyre armiqve u adresohet mirazhi ynë shoqëror.
Kanti argumenton se në kushtet e rrezikut konstant i cili jo gjithmonë përputhet me realitetin e që në shumë raste fabrikohet nga klasat sunduese, “liria cënohet fuqishëm” dhe “kujdesi prej nëne i shtetit për anëtarët e tij, shndërrohet në një ashpërsi të paepur kërkesash, megjithatë duke e justifikuar këtë me frikën prej një rreziku të jashtëm”. Një tren me destinacion komunizmin ikte vazhdimisht nga stacioni ynë dhe për të na bërë të rendnim për ta arritur në orar, armiku i jashtëm ishte përherë aty duke përgjuar pas ndonjë prite.
Koha xhanëm kërkon në çdo epokë sakrificat e veta në formën e një lloj haraçi të pashmangshëm për avancimin drejt progresit shoqëror. Kur armiku i jashtëm zhvleftësohet ngaqë ne zbulojmë ngjashmërinë tonë me të, atëherë shoqëria i vihet punës për krijimin e ndonjë forme të re armiku që të na bëjë të rimarrim marshimin.
Kështu kjo dogmë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në një format të përditësuar. I konstatuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme, “armiku i jashtëm” tani fshihet tek stadet e njëpasnjëshme e të pambarimta në rrugën drejt integrimit europian. Te kriteret. Lista me 12 pika e pyetësorit të BE-së. Kriza greke. Banka Europiane. Komisioneri i paepur (dhe gati gati cinik) për zgjerimin. Standardet europiane të mbikëqyrura nga ambasadorët e pakuptueshëm guru, që flasin duke mos thënë asgjë.
Ky destinacion i paarritshëm e pajis shoqërinë me një vetëdije në gjendje kushtrimi. Një formë gatishmërie numër një a gjendje lufte të përhershme e të ftohtë. Rreziku i jashtëm tani është një trajtë pasigurie vajzërore se “s’do të pëlqehemi” e si pasojë edhe s’do të pranohemi nga Europa. Një lloj paranoje problematike e ngjashme me ankthin sportiv të një skuadre që i kanoset skualifikimi. Rrezikojmë pra, të jemi të papreferueshëm.
Fatkeqësisht, pas kalimit nga etapa kur rrezikonim të mos meritonim trenin për komunizëm, ky rrezik i ri i jashtëm është edhe kërcënimi tjetër me anë të të cilit anullohen tani të drejtat dhe suspendohet demokracia nga ana e qeverisë. Privatizimet masive të pronës publike dhe shpenzimi i të ardhurave të tyre për majmjen e sektorit privat, kryhen nën retorikën e arritjes së standardeve europiane.
E njëjta logjikë qëndron prapa inferioritetit ndaj interesave të koorporatave shfrytëzuese shumëkombëshe apo subkontraktorëve të vet vendorë. Varfërimi i pandalshëm i masave është rezultat direkt ndaj edhe rreziku i pakënaqësisë popullore shfaqet në horizont. Kësisoj vjen miratimi arbitrar i legjislacionit që centralizon pushtetin apo rrit kontrollin e autoriteteve, i cili përligjet me qëllimin e sakrificave të dhimbshme por të domosdoshme në emër të integrimit. Po ky qëllim shërben si mesazh i nënkuptuar dhe i padiskutueshëm për klimën që ngushton dhe korrupton hapësirën e debatit, frymën kritike dhe mendimin progresiv.
Për shumë kohë, filozofitë politike i mundon pyetja se si shpjegohet ekzistenca e përhershme e një elektorati mbështetës ndaj qeverive abuzive. Kjo ndodh kur gjendja e jashtëzakonshme kthehet në një situatë të natyrshme e normale të shoqërisë e cila dorëzon armët, braktis rezistencën, ul kërkesat dhe i lë rrugë të lirë abuzimit të pashmangshëm me pushtetin në emër të një synimi madhor. Pajtimi me abuzimin bëhet akti vetëflijues nga ana e shoqërisë për të pranuar statuskuo-në dhe për ta legjitimuar atë me bindjen se qëllimi i justifikon mjetet. Një lloj LSD-je nën efektin e së cilës vetë viktima vajis gijotinën nën të cilën do të vendosë kryet.
Por përveç rrezikut të jashtëm që përdoret si energji për kalitjen e vetëpërmbajtjes shoqërore, në Shqipëri ky është gjithashtu edhe justifikimi për ç’demokratizimin e opozitës. Pakënaqësia se Shqipëria e qeverisur kështu do të jetë e papranueshme nga Europa, shërben si forca motorre që indinjon dhe mobilizon masat. “Nuk bën kështu – ankohen “të majtët” shqiptarë – qeveria po na le mbrapa e po na diskrediton në rrugën drejt integrimit”.
Sipas saj, ritmet depesonalizuese të shoqërisë shqiptare nuk janë ato të duhurat dhe kjo është arsyeja përse vendet mes pushtetit dhe opozitës duhen këmbyer. Rreziku i jashtëm që i kanoset Shqipërisë nëse nuk ndërron qeverisjen, shërben kësisoj si lënda djegëse që mban në lëvizje frymën kundërshtuese ndaj mënyrës sesi e bën detyrën qeveria. Sipas opozitës, ajo e bën keq dhe kjo anomali po lë përshtypje negative tek të huajt të cilëve duhet t’u reklamohemi si të pranueshëm. E gjithë kjo, e bën më të madh rrezikun e jashtëm që të mos i pëlqejmë Evropës, ndaj koha na thërret për sakrifica më të mëdha. Si për shembull, zëvendësimin e atyre që e kanë korruptuar sistemin kapitalist, me këta të tjerët që do ta bëjnë këtë sistem të funksionojë ashtu siç duhet.
Si përfundim mund të thuhet se edhe pse me shkak të brendshëm, pasojat e kësaj frike nga armiku i radhës, janë të drejtuara nga jashtë brenda. Ja pse Europa si utopi posthumaniste është edhe destinacioni i kartolinave nga “banda” jonë e “fotografëve”. Kjo forcë e mbinatyrshme policore (pra “armike” si çdo autoritet që pengon natyrshmërinë), kontrollon me lupë zmadhuese gjenuinitetin tonë të krekosur me petkat moderne me të cilat jemi vetë-fotografuar brenda shtëpisë tjetër të plaçkitur. Shtëpi, që kësaj radhe është ajo e demokracisë neoliberale.
(Gazeta "Shqip", 21 gusht 2012)

Thursday, June 23, 2011

FORUM (Dy pyetje nga Gazeta “Shqip”)

Si e shikoni situatën aktuale në KQZ, nisur nga hapja e një tjetër procesi rinumërimi?

Ajo që po ndodh në KQZ është një spektakël i sforcuar televiziv që fsheh një prapaskenë perverse. Pavarësisht dramacitetit me të cilin forcat politike dhe shërbëtorët e vet të kamufluar si opinionbërës po mundohen ta mveshin, kjo shfaqje meriton të shihet vetëm si një proces teknik nën interesin strikt të vetë organizatave politike. Shkurt: në KQZ të emëruarit e dy forcave politike po zbatojnë detyrat e tyre politike brenda një institucioni-instrument të vetë forcave politike. Nuk ka asnjë surprizë për këtë sjellje të KQZ-së. Atje, vendimmarrësit janë disa të punësuar të partive politike dhe jo profesionistë të pavarur në shërbim të interesit publik. Zanafilla e kësaj që po ndodh nuk është 8 maji. 8 maji dhe KQZ-ja politike në veprim, janë vetëm verifikimi i një krimi të vjetër. Ky krim ndaj interesit publik, kjo pengmarrje e një institucioni që normalisht duhej të ishte i pavarur, ka ndodhur me bekimin, bashkëpunimin dhe bashkëfajësinë e vetë PD dhe PS shumë kohë më parë. Për këtë arsye, sot, kur këto dy palë bashkëfajtore janë viktima të kurthit që vetë kanë ngritur kundër njëra-tjetrës, do të ishte ironike dhe intelektualisht jo-serioze të shfaqje interes ndaj mosmarrëveshjes mes tyre. Do të ishte njëlloj sikur një qytetar i ndershëm të ftohet të pranojë si të paanshëm një person me precedentë penalë që e kanë ngarkuar si gjykatës të vetin dy keqbërës që po zihen për plaçkë. KQZ e ka djegur karburantin e vet të besueshmërisë jo në momentin kur siç pritej nisi të anonte në favor të njërës palë. Diesel-i moral i KQZ-së ka marrë fund në ditën kur dy forcat politike e uzurpuan këtë institucion duke dëbuar prej andej nëpunësit teknikë dhe duke e populluar atë me militantët besnikë. Nuk u pyet populli për këtë vendim të marrë me arrogancë nga partitë ndaj edhe populli s’ka as edhe detyrimin më minimal për ta marrë seriozisht këtë luftë brenda llojit të së njëjtës specieje kafshësh ku bën pjesë PD, PS, LSI e gjitarë të tjerë të së njëjtës familje. Partitë politike e gatuan vetë këtë çorbë dhe sot që s’u pëlqen shija e saj, s’kanë pse presin që ndokujt që s’bën pjesë në oborrin e tyre t’i vijë keq për këtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në momente pune është sot demaskimi i plotë i skadencës së një produkti të vetë politikës në Shqipëri. Qytetarët duhet të mos bien në grackën e këtij spektakli që synon të legalizojë në mënyrë arrogante një institucion-vegël të politikës duke synuar ta shndërrojë atë në një institucion nga i cili duhet të kemi pritshmëri civile.

Si e parashikoni ecurinë e mëtejshme të çështjes së mandatit të Tiranës?

Kryetari i radhës në Bashkinë e Tiranës, kushdoqoftë ai, nuk do të jetë një individ për të cilin populli i këtij qyteti ushqen ndonjë respekt të veçantë. Zgjedhjet e 8 majit e thelluan edhe më shumë humnerën që qëndron midis interesave të qytetarëve dhe ofertave të politikës. Në një qytet me afro 1 milionë banorë, kryetari i Bashkisë do të jetë një njeri i zgjedhur me votat e vetëm 120 mijë qytetarëve. Shikoni sasitë e përbindshme të parave që harxhohen fushatë pas fushate për aspektin viziv të tyre, për të realizuar spote apo për të paguar militantë që mbushin mitingjet në mënyrë që të krijohet perceptimi fals i masivitetit përmes ekranit. Shikoni sesi ashpërsohet gjuha populiste e mbështetësve të tyre publikë dhe sesi ajo sa vjen e bëhet më ulëritëse, imponuese dhe e mbushur me terma bombastikë. Partitë politike në Shqipëri janë nën një pikiatë të vazhdueshme rënieje të besueshmërisë reale dhe kapacitetit të tyre përfaqësues. Në këtë kontekst, është për t’u dyshuar nëse vërtet ethet që shoqërojnë këto kohë në media problematikën tërësisht teknike të mandatit të Tiranës, përbëjnë vërtet një preokupim jetik për qytetarët. Fryma militariste që rrezatohet nga politika në përplasjen e saj të radhës në kërkim të pushtetit, e ka dukshëm shumë më të vështirë që të zerë ndonjë vend nderi në hitparade-n e interesave të njerëzve. Në fund, brenda katrahurës dhe mishmashit të paragrafëve, neneve e rregulloreve të zhgarravitura prej vetë organizatave politike që konkurrojnë me njëra tjetrën, njëra nga këto organizata politike do të dalë fituese. Pavarësisht psikozës apokaliptike që do të mundohet të përhapë pala humbëse, sistemi do të vazhdojë të funksionojë normalisht pasi edhe në rast të një rotacioni nominal, me këto forca politike njëlloj të babëzitura për të shkelur me këmbë principet e interesave qytetare në favor të pushtetit të tyre, nuk do të arrijmë dot të shohim në Tiranë e në Shqipëri ndonjë rotacion të vërtetë që sjell ndryshim të ndjeshëm në jetën e njerëzve.

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 23 Qershor 2011

Tuesday, June 14, 2011

Sheraton Party

Ndodhi vetëm tri ditë më parë dhe sa për t’ua hequr merakun atyre që e kishin këtë merak: po, u duk sexy në televizor. Një nga party-t më mondane të muajve të fundit, ajo e SP (që në këtë rast duhet lexuar jo si “Sheraton” por si “Socialist” Party) of Albania, u kremtua në një moment kur opozita shqiptare ndjen se ka prekur realisht fundin.
Të marrë tek e tek, shumë nga përfaqësuesit socialistë flasin këto ditë të zymta qershori për një klimë të rrënuar moralisht brenda organizatës së tyre, për diçka të thyer, për një lloj zie që mbahet për dyzetë ditë pasi vdes dikush, për helmim përfundimtar të atmosferës, për këputje të shpresave. Janë zhdukur nga ekrani propagandistët kinse të pavarur. Janë tretur trumpetat luftarake të dekorit të aleatëve. Mbeten ende teknicienët juridikë që i thërrasin në skenë vetëm në raste pazarllëqesh të pamundura apo tentativash për të interpretuar të zezën për të bardhë. Gjithsesi në Sheraton gjithçka shkëlqente para tri ditësh, fytyrat, buzëqeshjet, kostumet madje edhe orët e florinjta, duke të kujtuar ty pakashumë atë që ndodhi vitin që shkoi për Krishtlindje, kur në mes të “krizës” së hapjes së kutive, befas kupola socialiste shpalli një ndërprerje publicitare, sa për të lejuar udhëheqjen e saj të kalonte disa ditë pushime. Jashtë shtetit, sigurisht.
Të kthehemi tek party i Sheratonit: gjithçka ishte ujdisur kasten për të ofruar pak relaks në pauzën kur luanët socialistë duhej të shkonin pas pak sërish të përlesheshin në mbrojtje të votës nga sistemi i korrupsionit. Dukej se një dorë e kujdesshme dhe nikoqire kishte marrë masat me merak atje për çdo detaj. Edhe për pijet e shtrenjta, edhe për ceremonialin dhe radhën e kronometruar të lëvizjeve, edhe për këndin e kalkuluar të objektivit të kamerave e deri edhe për një fashë dritash rozë që derdhej gjithë lezet mbi sallë duke krijuar një dekor fluoreshent që ishte adapt për të bërë efekt tek teleshikuesi i lajmeve të darkës. Nën këtë kujdes prej gruaje, imperfeksionet s’binin fare në sy dhe shkëlqimi ekzaltohej në maksimum. Fjalë të mira thuheshin nga të gjithë. Në parkingun e hotelit më luksoz të Shqipërisë mund të prezantoheshe në ato momente të paharrueshme me katalogun më të fundit të automjeteve më potente, më të kushtueshme dhe më të zeza të ndoshta mbarë gadishullit ballkanik. Por, me tërë mend? A është kjo Partia Socialiste? A janë këta njerëzit që lypin solidaritet nga shtresa e të pa-privilegjuarve të këtij vendi? Një muaj pas zgjedhjeve vendore të cilat Partia Socialiste i fitoi, do të ishte i mirëkuptueshëm gjithsesi ky entuziazëm dhe ky afishim brutal arsenali pasuror si ai i tri ditëve më parë në Sheraton.
Por kujdes. Në Partinë Socialiste nuk flasin aspak për fitore. Atje këto zgjedhje konsiderohen të vjedhura e të manipuluara. Ndaj më shumë sesa një manifestim i bujshëm luksi, kremtimi në Sheraton duhet parë thjesht si një stil i rëndomtë jetese, si një ritual i zakonshëm i lidershipit rozë, që s’ka të bëjë aspak me gëzimin e fitores a hidhërimin e humbjes. Socialistët kremtojnë dolce vita-n, e kjo e Sheratonit është mënyra sesi ata e bëjnë këtë, ndonëse siç thotë një proverb skocez, një festë është vendi ku secili shfaqet si njeriu që do donte të ishte. Në këto vite të modelit socialist Rama, kjo ka qenë në të vërtetë Partia Socialiste. Një spekullim festiv me detaje të kuruara vizualisht që ngjan bukur nga jashtë, ndonëse përmban asgjënë përbrenda.
E megjithatë, pavarësisht imponimit të këtij modeli piktural, nuk mund të themi se në rastin e Partisë Socialiste kemi të bëjmë me asgjënë perfekte në ekspozim të plotë. Anëtarësisë e shumë prej militantëve të thjeshtë anekënd, sivjet u doli prapanica vendit dhe kjo u shpërblye: Partia Socialiste fitoi për herë të parë në një shkallë aq të gjerë qytetesh saqë 8 maji mund të arkivohet si një datë suksesi për ta. Kandidatë që kësaj partie që garonin për herë të tretë a të katërt korrën fitore edhe më të thella se në zgjedhjet e kaluara në bastionet e tyre tradicionale. Njerëzit tejpërtej Shqipërisë thanë se duan të qeverisen në mënyrë socialiste, se ua besojnë atyre pushtetin dhe ua delegojnë atyre administrimin e të ardhurave në nivel lokal në shumicën e qyteteve të mëdha e të vogla.
Krejt ndryshe ndodhi me njërin prej kandidatëve socialistë, që përkon edhe me kryetarin e kësaj partie. Zoti Rama pavarësisht fushatës së nderë që udhëhoqi, pavarësisht gjuhës së ashpër, pavarësisht inkuadrimit shpesh edhe haptaz të një numri tmerrësisht të madh opinionbërësish që thuajse e “bënë” vërtet opinionin sikur fitorja e tij ishte e padiskutueshme, nuk e arriti dot këtë fitore të padiskutueshme. Pas shock-ut, zjarrmisë dhe skandalizimit të ditëve të para, më në fund duket se ka ardhur bashkë me davaritjen e zhurmës, edhe konfirmimi se sa pak e besonin edhe vetë mbështetësit e Ramës legjendën e fitores së merituar por të grabitur. Askush nuk del më në favor të tij sepse shumë nga ish-zyrtarët e administratës socialiste të dërguar në media me mision agjitatori e ndjejnë që Rama tashmë është i pambrojtshëm. Kauza e tij është e humbur ndaj dhe argumentet e mbështetësve janë përherë e më të zvargur. Njerëz të ndryshëm po ftohen ndaj tij për arsye të ndryshme. Industrialistë e biznesmenë të fuqishëm që e shihnin deri tani si një bashkëpunëtor dhe partner në punën e tyre, s’e shohin më si të tillë. Idealistë dhe dashnorë të rinisë së përjetshme në politikë, e quajnë atë tani një avaz të vjetër. Eksperimenti i tij për kapitalizimin e socializmit dështoi ndërkohë që të gjithë e dinë se ishte pikërisht e kundërta që ai duhej të advokonte. Bashkë me të humbi edhe shpresa për të ardhur në pushtet e për t’u shpërndarë nesër ofiqe sekretarësh ministrie shërbyesve të sotëm. Deri edhe Muç Nano ndjehet i ofenduar nga Edi Rama kur bën zbulimin (më mirë vonë se kurrë) se kryesocialisti është katandisur në atë derexhé saqë askush nuk e merr më seriozisht as kur shkruan letra të hapura.
S’ia vlente të tërhiqej edhe ky shkrim në katakombën miniatureske rreth numërimit të asaj a kësaj kutie, a të aq apo kaq votave, por diçka duhet thënë edhe për këtë histori të fryrë e të mitizuar këto kohë kaq shumë. Mendimi është pak a shumë i njëjtë dhe i hasur e i artikuluar në forma të ngjashme nga shumë e shumë njerëz të thjeshtë që e klasifikojnë veten përgjithësisht majtas: dhjetë votat e avantazhit të Ramës mbi Lul Bashën janë njolla më e turpshme që një lider opozite mund të mbartë mbi ndërgjegjen e tij. Dhjetë vota të mjera më shumë se një kandidat i konsideruar vrasës, hajdut ordiner, sahanlëpirës dhe tradhtar i atdheut, janë prova se kjo retorikë nuk të bind, ose më mirë akoma, se e thënë prej një lideri aq jo-frymëzues dhe jo të besueshëm sa Edi Rama, të nxisin vetvetiu të bësh të kundërtën. E nëse brenda katër vjetësh numri i atyre që kanë votuar kundër teje ka shkuar nga 75 mijë në thuajse dyfishin, para kësaj situate çdo njeri normal që ka lypur rikonfirmim me votë duhej të arratisej një orë e më parë nga sytë këmbët duke i vënë më pas edhe gishtin kokës për të zbuluar se çfarë u ka bërë këtyre njerëzve që e neverisin në këtë shkallë. Në të kundërt, Rama po na servir përrallën e ulët të “kosovarëve që janë shpërngulur në Tiranë për të votuar Bashën”, një shaka pa kripë dhe pa bazë për sa kohë askush ndër ne banorët e Tiranës s’ka qenë dëshmitar i haluçinacionit të këtij bumi kaq të madh demografik të qytetit, e për sa kohë pasaportizimet në këtë qytet i administron po ajo Bashki e kontrolluar gjatë gjithë kohës nga zoti Rama.
Partia Socialiste dhe e majta në Shqipëri, nuk kanë nevojë për një fitore të Tiranës me 10 a 100 vota plus, ose të përftuar përmes ankesave të pafundme në Kolegj Zgjedhor e zvarritjes deri në mërzi të një procesi tashmë të marrë vesh sesi do të jetë edhe pa kallauzin përkatës. Zgjedhjet morën fund ditën kur dy kandidatët rezultuan ngjitur me njëri tjetrin dhe të paktën për ata që i kishin mëshuar për dy vjet rresht teorisë së hendekut të thellë që ndante dy palët dhe “të vetmes rrugë”, ato, zgjedhjet, janë të humbura përfundimisht e pa kthim. Ky rezultat nuk është fitore e askujt por dëshmi sesa identik është kandidati i së majtës me atë: vrasësin, hajdutin ordiner, tradhtarin e atdheut. Ndaj largimi prej kësaj fitoreje do të ishte distancimi i vetëm që do ta ndante zotin Rama nga perceptimi i përbashkët me konkurrentin e tij.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë justifikim e asnjë qarje që mund ta shpëtojë kryetarin e Partisë socialiste nga fakti i hidhur se përkundër gjithë socialistëve të tjerë, ai është i vetmi që herë nuk guxon të konkurrojë fare në zgjedhje (si në ato të përgjithshmet parlamentare) e herë e humbet turpshëm mbështetjen popullore kur garon (si në këto vendoret për Tiranën). Ky nuk është lideri për të cilin e majta shqiptare ka nevojë dhe këtë është mirë të fillojnë ta kuptojnë të majtët e inkuadruar institucionalisht se sa për ata të parreshtuarit, kjo ka qenë e ditur me kohë e vakt.
Një lider i vërtetë i së majtës në Shqipëri do të ishte një burrë a një grua që do të sillte më në fund në skenë e do t’u jepte peshën që u takon debateve të rënda për të cilat çdo shqiptar që e sheh mirëqenien me dylbi vret mendjen përditë. Si ta bëjmë më të begatë jetën e çdo qytetari? Si ta ndalim hovin e ndërsyer të privatizimit që flak në rrugë njerëz, që ua merr atyre pasurinë e ndërtuar me djersë nga prindërit e ua shet pastaj po të njëjtëve njerëz me çmime ku shteti s’ndërhyn dot, se normale – ka hequr dorë nga administrimi i kësaj prone? Si ta bëjmë që të paguajë më shumë njeriun që përfiton më shumë nga shfrytëzimi i pasurisë së vendit, nga infrastruktura e tij, nga forca punëtore dhe krijuese e shqiptarëve? Si t’i orientojmë pastaj këto para drejt pagave të punëtorëve publikë? Drejt spitaleve të shtetit që sot ngjajnë si një rrjet barrakash përballë ofensivës arrogante të spitaleve private ku jeta shitet e blihet me çmime ligjërisht të pakontrollueshme? Si ta shpëtojmë arsimin dhe dijen që e ka krijuar njerëzimi nga paketimi dhe tregtimi i saj në shitoret private të dijes ku i pasuri blen gjithçka, e i varfëri lihet në paditurinë e magazinës popullore publike ku askush nuk interesohet për të derisa ai vetë t’ia bëjë bam e të shkojë edhe ai të shpenzojë kursimet tek privatët? Si t’i thërrasim njerëzit në rrugë sa herë secili prej këtyre interesave preket sadopak e si të bëhemi barrikadë trupash jo për të mbrojtur mandate deputetësh milionerë, por interesa shqiptarësh anonimë? E në fund, nëse sërish nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë atë energji që do ta shndërronte partinë e tij, opozitarizmin siç thotë Muç Nano, në një frymë e modë të përgjithshme, ky lider të kishte kurajon të telefononte kundërshtarin e tij për t’i uruar fitoren e të tërhiqej me dinjitet.
Këtë mision që zoti Rama e paraardhësi i tij nuk arritën ta përmbushin dot, duke iu dorëzuar ankthit burokratik të marrjes së pushtetit për veten e grupin përreth, është koha që ta marrë përsipër dikush tjetër që të ketë kurajon, dëshirën dhe energjinë për ta realizuar. Partia Socialiste ka një mision për të përmbushur dhe ofiqarët e saj teknikë janë thjesht të përkohshëm dhe të shkarkueshëm në rast dështimi. Ndaj edhe pse ekziston përpjekja për t’ia adresuar humbjen personale të zotit Rama gjithë Partisë Socialiste, e për t’i bërë thirrje zgjimit më në fund të gjenisë krijuese të këtij kryetari që vazhdojnë ta presin të zgjohet e që vazhdon të ofrojë artific pas artifici vetëm për të mos u gjykuar si humbës, është mirë që të bëhet përfundimisht leximi i duhur i asaj që ka ndodhur. Humbësi i vërtetë nuk është Partia Socialiste. Kjo parti i fitoi zgjedhjet. Shqiptarët nuk kanë asgjë kundër saj. Humbësi për herë të disatë qyshse ka marrë timonin e kësaj partie është kryetari i saj aktual. Shqipëria foli dhe ajo ka një problem personal me këtë lider dhe modelin e ofruar prej tij. Fajin nuk e ka kurrë populli dhe të ulësh qepenat e partisë së shndërruar në dyqan sa herë s’i del fitimi pronarit, është shantazhi më i ulët që një biznesmen mund t’i bëjë të majtës dhe pronës publike të një vendi ku bën pjesë edhe një Parti e deklaruar si Socialiste.
Ndaj Rama duhet të gjejë kurajon të zbulojë për herë të parë jo gabimet që të tjerët kanë ndaj tij, por ato që ai ka ndaj gjithë të tjerëve. E në fund, të hapë rrugën për shpëtimin e Partisë Socialiste që s’është pronë e tij, nga një epokë eksperimentimi që jo vetëm s’prodhoi sukses por po ka kosto të lartë për të gjithë shqiptarët që rrezikojnë të humbasin prej tij mundësinë e shenjtë të zgjedhjes mes dy të ndryshmeve.

Sokol Shameti (Gazeta "Shqip", 15 qershor 2011)

Thursday, April 28, 2011

Zdu!

Pse s’shkruan ndonjë gjë – thotë një mik, punëtor shtypi në një gazetë si shumë të tjera sot në Shqipëri – ku s’ka rëndësi a je një naim i vonë i Rilindjes, a veteran i Konferencës së Labinotit, a fare somelier birre të zezë - se njëlloj ta lënë në dorë faqen e parë, pa shumë llafe, si me qenë jo faqe e parë gazete po ndonjë nga ato gocat tmerrësisht mirëkuptuese të banhofit të Frankfurtit. Në shumicën e rasteve, kjo situatë pakashumë e sikletshme anashkalohet me një buzëqeshje pakashumë neutrale. Vërtet, s’është mirë të shkruash e botosh – zaten ç’t’i biesh daulles “ja ku jam” - në kohë si këto kur ka plot nga dynjaja që lektisjen e zakonshme pranverore e përjetojnë si kapje nga një dhunti e befasishme gjenialiteti. Përgjithësisht s’është mirë të shkruash e botosh kurdoherë, në mos paç diç të vlershme për të ndarë me atë që njëmend e çmon, sado specie e rrallë qoftë ai, e që mund të fshihet diku mes lexuesit aksidental të ca radhëve si puna e këtyre.
Situata kalohet me një buzëqeshje, por pastaj, të nesërmen, duke kryer prapë veprimtarinë aspak rekreative të punës së përditshme, takohesh sërish me mikun tënd punëtor shtypi në një gazetë si shumë të tjera e pyetja “pse s’shkruan ndonjë gjë” është dhe një herë aty, tek dilema: ka a s’ka vërtet diçka të vlershme për të thënë në këto kohë të zymta? Ç’të shkruash? – ngre supet ti dhe miku, punëtor shtypi, aq do: S’jeton këtu? Boll të hedhësh sytë vërdallë e të shohësh si po rrihen e po shuhen për fushatë. Ja ç’të shkruash. A s’e sheh sa seriozisht e kanë?
Por në fakt, të shohësh vërdallë, a ka vërtet diçka që mund ta bëjë gazetarin e opinionit ta ngjyejë pendën me vrull në bojë e të nxijë faqe të tëra për të shpjeguar atë diçkanë që s’ka ndodhur më parë a që s’pritej të ndodhte e që mund ta ndryshojë jetën tonë në atë farë feje që mos ta njohim më më vonë?
Ç’po ndodh? A nuk jemi në mes të një fushate kokë e këmbë të zakonshme si dhjetëra të tjerat në të kaluarën? Do të kishte diçka për të shkruar me indinjatë a emocion nëse s’do të kishte fushatë fare. Logjikisht, s’do të duhej të kishte. Por fushatë po ka që ç’ke me të. Dhe situata duket tërësisht zhgënjyese dhe dekurajuese, aq sa të mos e marrësh fare mundimin për të humbur kohë me të. Kush po shkon në zgjedhje? Një parti që ka mbi një vit që i bërtet botës me zhurmë, qaravitje, greva serumesh dhe deri ofensiva mbi bulevard, se sa herë shkon në zgjedhje ia vjedhin votën. Në këtë mes ka vetëm dy mundësi - të dyja të denja për t’u dënuar me injorim të plotë: ose një delir i shfrenuar madhështie, ose një gënjeshtër e ulët, e vockël dhe banale. Zgjidh e merr. Ose votat vidhen por s’ka problem se Partia e çunave modernë ka bërë palestër dhe kjo mjafton për të vënë nderin e demokracisë në vend. Ose votat s’vidhen por Partia e çunave modernë thjesht ka gënjyer për të justifikuar dështimin e shkuar.
T’i kthehemi edhe një herë pyetjes së mëparshme, ç’po ngjet? Asgjë që të ketë ndonjë lidhje logjike me ç’ka ndodhur përgjatë një viti. Dhe – të jemi të qartë - ky ka qenë një vit anormal. Një vit agonie. Krize. E përsëritën aq shumë fjalinë “krizë politike” saqë nisën ta besojnë edhe vetë. Por vërtet, ç’u bë kriza? Pse s’dëgjojmë më ta përmendin në mitingje, debate e intervista? Të na kenë gënjyer vallë se ishim mu në mes të krizës, sa për të na bindur të merrnim molotovët për 21 janar? Në qoftë kështu, një parti e cila e trajton opinionin publik si të ishte lepur eksperimentesh të cilit herë ia japin dietën me bazë karrotash e herë ia këmbejnë në speca djegës, vërtet s’meriton të merret seriozisht nga opinioni publik.
E gjithë anomalia e paneglizhueshme e këtyre zgjedhjeve, si dhe garancia qetësuese se në Partinë Socialiste e kuptojnë se këto janë zgjedhje në kushte të jashtëzakonshme, u përmblodh në një fjalë: do të bëjmë fushatë “politike”. Shkurt, pas gjithë atij lëmshi njëvjeçar u mbars mali e polli një mi. Por gjithsesi nga hiçi, është prapë diçka. Shumë njerëz shpresa s’i ka braktisur ende ndaj janë gati ta pranojnë “rezistencën” qoftë ajo edhe në formë fushate politike. Ç’të jetë, boll të jetë diçka e ndryshme. Ka nga ata që vërtet e ndjejnë sugjestionin e krizës sikur të jetë reale e jo krijesë e një zyre mediokre shtypi si ajo e Alastair Campbellit – më falni, e “strategjistëve” të PS-së - që ende ka probleme deri me ortografinë shqipe.
Fushatë politike? Një llaf goje. Kjo është në të vërtetë fushata e tramvajit. Ndër kryqëzime e vende të dukshme të Tiranës qysh tani kanë nisur të mbillen natën kunjat e shtyllave nga do kalojë treni me korrent që do na bredhë varavingo nga Qendra në Sauk e nga aty kushediseku. Njerëzit qesëndisin: kur paska qenë e mundur, pse s’u kujtuan nja katër vjet më parë? Fushatë politike kjo? Të jetë vërtet politik argumenti tram-Tirana që është kthyer në refrenin e kësaj fushate? Po xhirot me biçikleta në garën kush të duket më sporty, më sexy, më trendy dhe më chilly? Po një dorë basketboll me çunat? Po ndeshjet e Barcelonës, birra me klering e këngët e Vedatit “ke çadra” me drita? Po muhabetet vendshe nëpër lagje ku vihet këmbë vetëm një herë në katër vjet me një fytyrë aq të preokupuar e me barceleta në majë të gjuhës sa të të duket vetja ty - që banon atje po s’ke pasur kohë të engledisesh me komshinjtë – se je një turist i llastuar?
Me një fjalë, as nam e as nishan s’mbeti nga fushata “politike” e cila u tha vetëm sa për të larë gojën. S’do mend që Partia Socialiste po i rikthehet metodës së saj të të bërit fushatë dhe “politikë”, me denoncime të zgarës model emisioni investigativ dhe me makijazh modernist model emisioni fashion TV. Pavarësisht përbetimeve, kurrfarë fushate e argumentesh me tërë mend politike s’do të dëgjojmë realisht, pasi që ta mbash gjallë një debat politik është e nevojshme të kesh substratin politik të atyre bindjeve që socialistët e rinj s’i kanë dot.
Që të kryesh sot një debat politik në Tiranën e mërzitur dhe depresionuar nga kaosi urban, nga trafiku asfiksues, nga misioni i pamundur i të parkuarit apo i të lëvizurit me transport publik, nga mungesa e strehimit të bollshëm, të leverdisshëm e të mjaftueshëm për të gjithë, e nga mungesa e punës dinjitoze e të depolitizuar, është e nevojshme një përqasje ideologjike ndaj problemeve. Është e nevojshme të kuptosh se qyteti ku jetojmë është i pajetueshëm jo sepse prej tre vjetësh është bllokuar këshilli bashkiak, por sepse trupat tona të qeverisjes vendore prej të paktën dhjetë vjetësh e kanë lënë zgjidhjen e çdo problemi në dorë të “individit” të “tregut” dhe të “rastësisë”.
Si t’ia kthejmë publikut publiken e grabitur? Kjo duhej të ishte arena e betejës politike të këtyre zgjedhjeve – që fundja as që duhej të ishin bërë fare nëse divergjencat mes partive do të ishin aq të thella sa që përpak të na dërgonin drejt luftës civile. Por jo. Debati i tyre është: kush nga ne do të mbretërojë mbi këtë anarki gladiatorësh.
Siç trafiku bllokohet në një kryqëzim e janë vetë shoferët që ia gjejnë dermanin mishmashit, kështu edhe gjithçka tjetër në këtë qytet të rrëmujshëm. Koinçidencë, ligj xhungle e psikologji të forti. Për vite me radhë copat e qytetit janë hedhur për t’u shqyer mes tufave të uritura të ndërtuesve që s’kanë lënë centimetër katror pa i vënë një çmim. Rrugët u janë lënë sërish në dorë privatëve që zhvatin fondet publike e inaugurojnë ato rrypat e ngushtë ku është kursyer e vjedhur asfalti, forca punëtore, hapësira e parkimit, e si rezultat ne, të njëmiliontët e këtij qyteti shkumëzojmë përditë e gati vritemi me njëri tjetrin të rrasur brenda një ngushtice ku s’ka zot të të nxjerrë pa humbur tri kilogramë për rrotullim unaze. Parkingjet publike janë një pikë uji në një shkretëtirë sepse siç thamë, paratë që mund të shkonin për të krijuar këtë lehtësi për të gjithë, janë monedhat e çmueshme në xhepin e parkingjeve private që zënë çdo hapësirë mes pallateve e deri në mes të rrugës a trotuarit. Kështu edhe parqet për të moshuarit e lodrat për fëmijët. Kështu edhe fushat për të luajtur rinia basketboll a calcetto. Kështu edhe shkollat e kopështet e pakta, të pamjaftueshme e të degjeneruara publike. Kështu edhe gjithçka tjetër. Asgjë në favor e ndihmë të publikes. Çdo qindarkë, me marifet drejt biznesmenëve privatë.
Ky është qyteti i privatëve dhe jo i komunitetit dhe nëse dikur të zbarkuar nga totaliteti i “pronës socialiste” kjo punë sikur na vinte ëmbël, tani që po shqyejmë njëri tjetrin për pak hapësirë, për pak oksigjen e për pak dinjitet, prapë s’marrim kurajon t’i kapim për xhakete ata që na menaxhojnë paratë e t’i bëjmë t’i thërrasin mendjes.
E derisa të vazhdojë kështu prej nesh, kështu do të vazhdojnë edhe ata të luajnë teatër. Duke krijuar në laboratorë kriza false e duke na i shitur ato pastaj përmes televizorit, përmes analistëve të paguar e të lidhur me një mijë fije me interesa private, si të ishin drama të thella, të rënda e serioze që edhe ne duhet t’i marrim seriozisht. Teatër, film televiziv, show, kjo do të jetë edhe sjellja e tyre elektorale, tok me rrahjet e gjoksit dhe telendisjet e njëri tjetrit, tok me tritolin, grushtat, shpimet guerrilase të gomave e luftën “kush e ka më të madh” billboard-in dhe kush më të bardhë peroksidin e dhëmbëve. Ekzibicion do të jetë edhe gara e premtimeve futuriste dhe shpërndarja e valëve të panikut sikur humbja e secilës prej palëve do të sillte fashizmin, terrorin, luftën e tretë botërore si dhe fundin e civilizimit njerëzor në formën që ne njohim.
Ndaj, veç injorimit dhe indiferencës, s’mbetet shumë për të ofruar në këtë panoramë trishtuese ku nëse kontribuon qoftë edhe me një rresht, thjesht i jep një dorë blindimit të idesë se kjo luftë gjelash është domethënëse e vendimtare për ne. Pse s’shkruan ndonjë gjë – thotë miku punëtor shtypi, njëherazi viktimë dhe vajisës i sistemit që na ka zënë të gjithëve për fyti? Përgjigjja është e thatë, lakonike, deri diku edhe dembele për ta shkruar siç duhet: zdu!

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 28 Prill 2011

Friday, March 4, 2011

35 ditë


“Pozicioni ynë për zgjedhjet e 8 majit është edhe më i qartë seç ishte përpara vrasjeve barbare të 21 janarit, përpara nxjerrjes së policisë së shtetit nga kuadri ligjor dhe kushtetues i Shqipërisë, përpara sulmeve barbare dhe tipikisht fashiste ndaj Prokurores së Përgjithshme dhe përpara agresionit të patolerueshëm ndaj Presidentit të Republikës. Të gjitha këto janë arsye më shumë për të thënë se në këto kushte nuk mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri”. – Edi Rama, Gazeta “Shqip”, 29 janar 2011.

“Opozita kurrë s'ka thënë se do të bojkotojë zgjedhjet. Ky ishte një mit urban i krijuar nga koalicioni i diz-Integrimit që ende flet në mënyrë dëshirore. Të na falin kusarët që ua prishëm ëndrrën, por plani është që të garojmë e fitojmë zgjedhjet e ardhshme lokale në emër të një publiku, që po sfilitet nga skamja e gjuha e urrejtjes”. - Erion Veliaj, Gazeta “Shqip”, 3 mars 2011.

Vetëm 35 ditë më parë, të pajtohej me idenë se në Shqipëri mund të zhvilloheshin zgjedhje lokale ishte e papërfytyrueshme për opozitën e këtushme. Madje jo vetëm zgjedhje lokale, por siç thoshte edhe vetë Rama në atë kohë, nuk mund të bëheshin “MË” zgjedhje fare.
Pas 35 ditësh, Edi Rama që ka folur me këtë gjuhë dëshirore kundër zgjedhjeve supozohet nga vetë portmanteaux-të e tij të jetë një “krijues mitesh” e “kusar”.

Por le të mos bëhemi cinikë të pashpirt e të mos dalim nga konteksti i kohës kur e majta e vetëquajtur fliste kundër zhvillimit të zgjedhjeve. Skualifikimi nga ana e opozitës, i zgjedhjeve si një mundësi për 8 majin, ndodhte në një kohë kur vërtet mund të ishim të shqetësuar për demokracinë në këtë vend. Të mos harrojmë, bëhet fjalë për një epokë të errët e të largët arkeologjike: këtu e plot 35 ditë më parë.

Në qytetërimin antik shqiptar të para 35 ditëve, të vrarët e 21 janarit quheshin akoma të vrarë. Para 35 ditëve, policia e shtetit përdorej nga qeveria duke u nxjerrë jashtë misionit të saj. Para 35 ditëve prokurorja e përgjithshme quhej “lavire”, siç fashistët e filmave të Kinostudios shanin dëshmoren Margarita Tutulani vaktit. Para 35 ditëve, Presidenti i Republikës ishte edhe ai nën një agresion të patolerueshëm që s’krahasohet fare me agresionet normale dhe të tolerueshme ku ai duhet të ndodhet zakonisht.

Tani jemi 35 ditë më vonë. Të gjitha këto paradokse që e pamundësonin zhvillimin e zgjedhjeve shihen tani si një përmbledhje mitologjike e së kaluarës. Ato i bie të jenë riparuar (përfshi këtu ringjalljen e të vdekurve dhe shpëlarjen e nderit të kryeprokurores). Shkurt, duhet të kemi mbërritur pa u ndier në limanin e qetë të demokracisë. A nuk u bënë befas të mundshme edhe zgjedhjet në këtë vend? Kësodore është natyrale që opozita jo vetëm të marrë pjesë në to, por t’u grahë edhe kuajve e të shpejtojë për të caktuar slloganet, koordinatorët, kompanitë e sondazheve dhe kandidatët e vet kryesorë. Mbi të gjitha, kryekandidatin për Tiranën. Ky është procesi më normal në një vend tërësisht normal ku demokracia funksionon. Dhe për të përligjur këtë situatë, të gjitha këto, po ndodhin vërtet.

Por, ironinë mënjanë, le të ndalim një sekondë. A nuk është e gjithë kjo panoramë një tallje e madhe, e shëmtuar dhe e pafytyrë ndaj publikut? Nëse pozita e sotme akuzohet për mungesë sinqeriteti, ndershmërie dhe praktika totalitariste, paskemi mbërritur në ditën kur të gjitha këto mëkate u anulluan e u falën papritur? Epitetet e sofistikuar janë të shumtë, por në thelb kjo mbetet një tradhti dhe tradhtia ndoshta s’vret drejtpërdrejt por lejon të të vrasin. Në këtë fillim marsi të vitit 2011, shumë shqiptarë që kërkojnë drejtësi dhe një atdhe më të mirë, kanë të drejtë të ndjehen të tradhtuar për herë të dytë që nga 15 marsi i Gërdecit.

Si mund të akuzosh kundërshtarët e tu se gënjejnë 24 orë në 24 e të propozosh vetveten si zëvendësues të tyre, kur oferta jote është edhe ajo asgjë tjetër, veçse e themeluar në gënjeshtër? Si mund të presim një alternativë më të mirë në pushtet nga dikush që mashtron sy për sy edhe sot kur është në opozitë?

E vërtetë, pushtetari që mëkaton gjatë administrimit të pushtetit dhe gënjen për të mbrojtur fajin e vet, është një e keqe e madhe dhe një nga shkaqet kryesore pse sot kemi këto lloj qeverish që kemi, të cilat e humbasin legjitimitetin sapo e fitojnë atë. Por ama, obsesionimi me pagabueshmërinë e vetes dhe frika e tmerrshme përballë një procesi normal siç është të pranuarit e një gabimi, s’duken të jenë aspak një zeje e huaj edhe për të kundërtit e tyre në Shqipëri. Në këtë rast, rreziku është më i madh. Një e keqe kërkon të zëvendësojë të keqen ekzistuese e cila të paktën nuk e çan më kokën as të kamuflohet dhe manifestohet haptaz si e tillë.

Kjo mungesë shqetësuese konsistence është një sëmundje tashmë e gangrenizuar brenda opozitës shqiptare të viteve të fundit. Nuk e pranojnë shpesh troç, por tashmë në Shqipëri janë të shumtë ata që e mendojnë se Edi Rama dhe PS-ja sipas ungjillit të tij, është një ndërmarrje e keq-menaxhuar, e cila nuk është në gjendje të kontrollojë veprimet jo e jo, por as deklaratat e mbase as mendimet e veta.

Që kjo qeveri e ka sosur ujin e gamiljes së vet, kjo është tashmë një aksiomë e njohur gjerësisht. Pas dy mandatesh në pushtet, aferat s’mund të fshihen më, korrupsioni i maskuar pas kredos konservatore “privatizim dhe liri tregu” është bërë vrasës dhe realiteti virtual ku jeton shumica e lidershipit qeverisës dhe njerëzve-satelitë rreth saj është shkëputur vite dritë larg realitetit real ku ngrysin jetët qytetarët e thjeshtë.

Por nga ana tjetër, që opozita e sotme nuk ka as takatin, as vendosmërinë, as argumentet e as kurajon për t’u shpërfaqur si një alternativë më e mirë - kjo s’ka më nevojë për eksperimente të tjera për t’u verifikuar. Mjaftojnë dy palë zgjedhje rresht të humbura, administrimi i përsëritur fëminor i prapësive të qeverisjes dhe asgjësimi i demokracisë së brendshme në parti duke e shndërruar atë nga versioni “trup pa kokë”, siç ishte në kohën e ish-liderit çakërrqejf të epokës para-Rama, në një “kokë pa trup”, si kjo që shohim sot.
Realisht, një kokë, perimetrit të së cilës do i shkonte fiks përshtatja pezhorative e sloganit të një kompanie detergjentësh: “Ne nuk jemi më të dobëtit. Por më të dobët s’kemi parë”.

E meqë përmendëm më parë romuzet italo-fashiste ndaj ilegalëve komunistë të kinemasë bardh’e zi, është rasti mbase për të paraqitur para publikut edhe anën tjetër të medaljes në një realitet që siç dihet, si tani as atëherë, s’vinte kurrë njëdimensional. Mbase edhe një perifrazim më i sagllamtë me autorësi pop-antifashiste të viteve 1940 ndaj asaj që percepton sot në vitet 2010 qytetari substancialisht i majtë kur sheh në ç’duar rrotullohet timoni i institucionit që thotë se e përfaqëson atë politikisht:

“Galeazzo Ciano
un grande aviatore,
finita la benzina
pisciato sul motore”.

Sokol Shameti, Gazeta “Shqip”, 4 mars 2011

Saturday, January 29, 2011

Po tani?

Pas homazhit të djeshëm, pyetja që bëjnë me mendjen e tyre shumë njerëz është: po tani? Ç’do të ndodhë tani që gjendja duket se hyri me të shtyra (nga të huajt) në normalitet dhe kur palët iu larguan pa dëshirë, por gjithsesi dukshëm, konfrontimit fizik? Çfarë duhet të kuptojmë nga mesazhi thuajse përgjërues në anglisht i Edi Ramës drejtuar ndërkombëtarëve fill pas mbarimit të tubimit për të cilin ai ishte paralajmëruar më se një herë që ta anullonte? Po nga ofensiva me figuracion të ndezur luftarak plot me komplote, thika të helmatisura, kobure-stilolaps dhe çadra-kallash të kryeministrit Sali Berisha që siç sugjeronte një mik: të kujton arsenalin e ëndërruar të një adoleshenti të fiksuar pas lojës “Assassins creed”?
Për të arritur të kuptojmë sa më qartë prognozën e asaj që pritet të ndodhë, është ndoshta e dobishme të bëjmë një rikapitullim të asaj që ka ndodhur. Jemi në gjendje ta bëjmë këtë në mënyrë më të plotë dhe të ftohtë tani pasi edhe distanca kohore e edhe numri i elementëve që plotësojnë kuadrin, është më e mjaftueshme dhe komode.
Për 18 muaj me radhë, Partia Socialiste ka ushtruar një presion të formave të ndryshme mbi qeverinë për shkak të pretendimit se në zgjedhjet e fundit u tjetërsuan shumë fletë votimi që sipas saj përmbysën rezultatin. Por kjo është gjithsesi detyra legjitime e opozitës dhe pavarësisht akuzave militare se PS-ja e versionit të Ramës nuk zotëronte pasionin e duhur në të bërit opozitë, ata e kanë kryer njëfarësoj këtë detyrë.
Nga ana e saj, mazhoranca qeverisëse u ka rezervuar ankesave të opozitës një qëndrim tërësisht intrasigjent dhe deri diku sfidues. Përgjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij ngërçi, ajo ka angazhuar një retorikë agresive deri edhe ofenduese si dhe ka refuzuar me këmbëngulje çdo nisje hetimi për procesin zgjedhor.
Përveç intrasigjencës kokëfortë të mazhorancës, edhe kritikë të shumtë të pavarur të liderit socialist e kanë konsideruar si fals pretendimin socialist, pasi ata besojnë se Rama po e zhvillon gjithë këtë teatër për të mos zbatuar një pikë të statutit të partisë që e detyron kryetarin humbës të zgjedhjeve që të largohet nga lidershipi. Jo krejt pa të drejtë, ata gjithashtu nuk mendojnë se Rama është i sinqertë kur përgjërohet për vlerën e demokracisë dhe votave po të mbash parasysh mënyrën e dyshimtë sesi vetë zgjedhjet e brendshme u zhvilluan në PS, si dhe për t’i thirrur kujtesës, lehtësisë skandaloze me të cilën vetë Rama bashkëpunoi me Berishën për të ndryshuar Kushtetutën, për të hartuar një Kod zgjedhor të diskutueshëm e për të eleminuar parti të vogla që dikur gjallonin në spektrin politik shqiptar.
Nga ana tjetër, kritikat që u adresohen socialistëve të majtë në opozitë kanë të bëjnë edhe me faktin se ata po shndërrojnë në tragjedi diçka që qëndron shumë poshtë në listën e problemeve reale të qytetarëve ku hitparade kryesohet nga një papunësi epidemike dhe një varfëri skandaloze që ka pllakosur për shumë familje të thjeshta në këtë vend. Sinjalet e preokupimit opozitar për këto çështje kanë qenë të zbehta, të pamjaftueshme dhe jobindëse krahasuar me intensitetin e lartë të dramacitetit që po i rezervojnë luftës së tyre për pushtet.
Nga ana e vet, komuniteti ndërkombëtar, i zënë në kllapën e një krize botërore që s’po ndalet, trazirave në Greqi e më pas nuancave autoritariste që liderë të shumtë botërorë po shfaqin edhe në vende ku kriza e demokracisë s’mund të paramendohej si Italia e Franca (pa përmendur ankthin e përhershëm kinez, rus, bjellorus dhe reaksionet zinxhir që ato shkaktojnë), s’ia kanë pasur ngenë edhe një fronti tjetër të bezdisshëm në Tiranë. Institucionet janë pranuar si përgjithësisht demokratike, situata sociale si përgjithësisht paqësore dhe zhvillimi i kapitalit si përgjithësisht i qëndrueshëm. Në të vërtetë, kazani prej kohësh vlonte por për të krijuar iluzionin se gjithçka ishte nën kontroll kujdesej një fushatë e shfrenuar marketingu e qeverisë që për pak arriti të blejë me valutë të vlefshme në këto kohëra shtrëngice, imazhin e një Shqipërie të ngjashme me ishujt blu Cayman ku të gjithë kërcejnë, bëjnë seks e hanë shijshëm, por për këtë do të flasim pak më tej.
Pavarësisht të gjitha këtyre, presioni i Partisë Socialiste pësoi një kurbë të fortë ngritëse muajt e fundit dhe kulmoi me një valë demaskimi skandalesh të qeverisë – të cilat edhe pse në masë të madhe nuk përfunduan kurrë në prokurori - krijuan gjithsesi një psikozë të përgjithshme qytetare se karburanti legjitimues i kësaj qeverie ishte ezauruar me shpejtësi.
Siç thamë qytetari shqiptar përballej me dy realitete, njëri në televizorin e sponsorizuar nga pushteti ku flitej për një lumturi të gjithanshme, dhe një tjetër në vatrat e tyre familjare ku me zor arrinin të bashkonin fundet. Kësisoj, kur më në fund socialistët vendosën të eksperimentojnë me akumulimin e kësaj energjie të pakënaqurish dhe orientimin e saj si një armë me rreze lazer me përqendrim të lartë, drejt kangjellave të kryeministrisë, ndodhi një eksplozion që e shkundi Shqipërinë, mazhorancën, komunitetin ndërkombëtar dhe opozitën vetë nga themelet. Situata i ngjante skenave nga filmi “Back to the future” ku portreti i Edi Ramës me makinën e tij fantastikoshkencore që shkakton pa pritur e papandehur plasje, tërmete e zhvendosje në kohë, mund të imagjinohet si e ngjashme me fytyrën e tronditur të Doctor Brown.
Në këtë situatë, të gjithë aktorët u duk se dolën jashtë vetes dhe reaguan në një mënyrë që fare pak ka të bëjë me repertorin e përhershëm të sjelljeve të tyre, ose më mirë, shumë maska u hoqën dhe shumë qëndrime deri dje të buta e diplomatike, u shtynë në ekstrem. Policia dhe garda u lëshuan nga nervat dhe shkaktuan të vrarë, të plagosur dhe një valë terrori që i futi dridhmat gjithë Shqipërisë. Kryeministri u hodh në një ofensivë hakmarrëse që flet për puçe dhe komplotistë që flenë në zyrat e opozitës po e po, por edhe të prokurorisë, shërbimit sekret e deri presidencës. Diplomatët e huaj tërësisht të papërgatitur kaluan edhe ata në një valë presioni të cilit siç mund të imagjinohej, iu bind më tepër ai që kishte më tepër se çfarë të humbiste. Si rezultat, mbërritëm në anullimin e antimitingut të qeverisë dhe në transformimin e protestës së opozitës, nga tërësisht të mirëkuptueshme nëse do të ishte e mllefosur, në një ceremoni prekëse familjare për viktimat e trazirave të 21 janarit.
Së fundi, mund të shohim se zjarrit që u ndez më 21 janar iu hodh një sasi e tillë uji importi e cila e fiku jo vetëm atë, por edhe prushin e domosdoshëm të presionit opozitar mbi një qeveri që tashmë duket haptaz se nuk është në gjendje të jetë e sinqertë me askënd përfshi edhe veten.
Topi është tani në fushën e ndërkombëtarëve të cilët pasi e grabitën dhunshëm sovranitetin e Shqipërisë gjatë javës së fundit, në javën në vijim duhet të na provojnë se e bënë këtë për të hequr nga ky sovranitet vetëm sasinë e tepërt të helmit dhe marrëzisë, për të na e rikthyer të qëruar nga helmet por të pa-kastruar nga instikti ynë i nevojshëm kritik. Shpresa e vetme është që ndërkombëtarët nga të cilët tani pritet lëvizja e radhës, të kenë kuptuar një të vërtetë të madhe: në Shqipëri po zhvillohen paralelisht dy kriza. Njëra është kriza teknike e politikës dhe mosmarrëveshjeve të saj për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve. Tjetra është kriza e madhe dhe e rëndë e popullit që lëngon nën një situatë tragjike ekonomike e cila nuk mund të fshihet më, nuk mund të kamuflohet më dhe nuk mund të tjetërsohet më. Edhe nëse kriza politike do të gjejë zgjidhjen e saj në një tryezë të sforcuar burrash që aty puthen me pasion e aty shahen me rob shtëpie, kriza e vërtetë e njerëzve, do të gjejë rastin tjetër, më të parin dhe më të afërtin, për të shpërthyer tragjikisht dhe pa përmbajtshëm. Si më 21 janar.
Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 29 janar 2011

Saturday, January 22, 2011

Këmbanë zgjimi

Teksa dje pasdite një i ri i binte pa u ndalur “Këmbanës së Paqes” të varur në sheshin përpara Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, pak metra më tej po zhvillohej një skenë kuptimplotë. Qytetarë të zemëruar po i rezervonin një injorim të posaçëm si të shtënave që vinin nga kordonët e ngjeshur të policisë përpara kryeministrisë, ashtu edhe thirrjeve të dëshpëruara për qetësi nga ana e deputetëve socialistë. Makinave të shumta u ishte vënë flaka dhe pllakat prej guri të sheshit po shkuleshin për të organizuar një tjetër ofensivë drejt hyrjes brenda godinës totalitare të qeverisë.
Tingujt e asaj këmbane mund të shërbejnë si një sinjal për të dhënë mesazhe të rëndësishme në këto ditë tragjike për Shqipërinë. Lidershipi i opozitës më në fund u zgjua dhe e pa se ka dështuar që t’u imponojë qytetarëve kauzën e vet personale. Për këtë arsye ai u dorëzua dhe dje pamë sesi ai iu vu pas si një ndjekës i heshtur kauzës së qytetarëve. Një kauzë, që do të shohim më poshtë, krejt ndryshe nga llafollogjia shterpe e imponuar për muaj me radhë gjatë mpleksjes së pseudo-lëmshit politik, ka gjithë motivet dhe frymëzimet për të qenë radikale, e ashpër dhe dramatike.
Ajo që ndodhi dje pasdite në rrugët e Tiranës nuk mund të kalojë thjesht si një raportim i thatë gazetaresk pa iu nënshtruar një procesi skrupuloz analize nga të gjithë ne. Forcat politike gjithashtu nuk mund të lajnë duart përballë rrëkeve të gjakut të qytetarëve shqiptarë që vaditën qendrën e kryeqytetit, duke hedhur në unison mesazhe të trembura qetësuese e keqardhëse pasi katrahura tashmë është bërë e pakontrollueshme.
Momenti i kësaj përplasjeje të dhunshme mes qytetarëve dhe stabilimentit politik duhet të shërbejë si një moment reflektimi të thellë e të ftohtë. Si arritëm deri këtu? Le të jemi të sinqertë. Skenat e guerriljes urbane të pasuara nga brutaliteti policor që pamë të gjithë ditën e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ishin shkarkimi i stresit të ndonjë ngërçi politik siç i kanë rënë legenit këtu e gati dy vjet rresht përfaqësuesit e opozitës në Shqipëri. Ky ishte identikiti i një mërie të thellë. I një mërie që vjen për arsye jetike siç nuk mund të jetë pakënaqësia për atë mosmarrëveshjen e numërimit të votave mes PS-së dhe PD-së dhe dy deputetët që i dalin mangut opozitës. Nuk është këmbimi i një mbreti spathi me një mbret maç arsyeja që mund të shtynte qindra e mijëra qytetarë t’u vërsuleshin me atë akumulim vrulli forcave të rendit e duke marrë më pas edhe përgjigje të ekzagjeruara nga ato që i vendosën një çmim të përgjakshëm manifestimit të djeshëm.
Gjërat duhen quajtur me emrin e tyre të vërtetë. Ata që organizuan këtë protestë e dinë më mirë se kushdo këtë. Protesta e djeshme brenda dhunës në të cilën u pagëzua, ishte nga ato me një karakter gjeneralist kërkesash. Brenda tyre gjetën befas veten shumë njerëz të zemëruar në këtë vend. Më shumë se për njerëz thjesht të zemëruar dhe kaq, këtu bëhet fjalë për prindër të flakur nga puna, për pensionistë të shtyrë në margjinat e mbijetesës si dhe për të rinj të periferive të dëbuar nga shansi për një të ardhme të shkëlqyeshme si ajo që shohin në reklamat e televizorit apo billboard-et e bulevardit. Ndaj politika duhet të mbajë shënime se sa larg janë interesat e saj nga ato të qytetarëve.
Është pikërisht zhvlerësimi apo ashtu siç e quajti vetë kryetari socialist Rama, “defaktorizimi i opozitës” ai që ka çelur këtë faqe kaq frenetike të përballjes mes shoqërisë shqiptare me sistemin që mban në këmbë institucione bashkëvepruese me njëra tjetrën si qeverinë, policinë, opozitën, provokatorët fanatikë apo agjentët civilë.
Secili prej këtyre elementëve në përpjekjen e vet për të qëndruar në sipërfaqe, ka damkën e vet të fajit për atë që ndodhi dje. Njëra palë për instrumentalizimin e pakënaqësisë së njerëzve duke e hedhur mbi zjarrin e papërgjegjshmërisë qeveritare si një jorgan ku fle pleshti i krizës politike. Pala tjetër për benzinën pasionante dhe të shproporcionuar që i hodhi këtij zjarri. Ata që janë viktimat e vërteta që u ndodhën në mes të kësaj loje perverse, ishin vetë njerëzit, me arsyet e tyre të thjeshta e të qarta. Intensiteti i ngjarjeve të djeshme dëshmon më fort se gjithçka një të vërtetë të hidhur. Kriza në këtë vend, nuk është aspak politike. Ajo është dramatikisht sociale.
Shqiptarët e sotëm e kanë të gjatë listën e arsyeve për t’u revoltuar nëse ndodhen përpara një institucioni shtetëror. Nuk është manipulimi i votës ai që e bën një bashkëqytetarin tonë të shtrëngojë grushtat kur ndjehet i nëpërkëmbur apo shpresëhumbur përballë një të sotmeje të zymtë e një të ardhmeje pa perspektivë. Jemi në rreshtin e fundit të të ardhurave për frymë në kontinent, varfëria historike e këtij populli është një realitet gërryes për shumë e shumë familje në ditët ku jetojmë. Është thënë shpesh, por duhet përsëritur, nëse nuk e besoni dilni e shikoni sesi jetohet jashtë perimetrit të unazës së Tiranës. Interesat e korporatave të huaja nuk lejojnë zhvillimin e asnjë aktiviteti prodhimi industrial vendas ndaj të rinjtë shqiptarë i nënshtrohen papunësisë, keqedukimit e disa edhe huliganizmit. Ndërkohë paratë që mblidhen me taksa shkojnë në një përqindje të lartë në xhepat e burokracisë së korruptuar, shërbimet publike janë në një kuotë vdekjeje, lagjet ku jetojnë shumica e shqiptarëve u përngjajnë kolonive të termiteve në mbivendosjen e tyre kriminale pa lënë hapësirë për një jetë normale, si në ekranizimet kinematografike të favelave braziliane.
Nuk mund të themi se fajtore për këtë situatë që ka arritur pikën e tejngopjes, është një qeveri e vetme. Trupat tona qeverisëse prej vitesh vazhdojnë të pashqetësuara të çimentojnë themelet e një sistemi anti-social që mundëson mbërritjen deri në ekstrem të kësaj gjendjeje që është rezultati i ditur nga vendosja në punë e neoliberalizmit ekonomik. Tifoze e këtij sistemi mjerues ishte deri dje edhe vetë “e majta” shqiptare.
Njerëzit ndodhen brenda një flluske në fryrje e sipër të pakënaqësisë sociale. Dje, ajo flluskë plasi. Unë isha dje në rrugët e Tiranës gjatë orëve të përleshjes, fola me pjesëmarrës në protestë dhe askush prej tyre, edhe ata më të irrituarit nuk sillnin si arsye të pranisë së tyre në manifestim pakënaqësinë nga ndonjë anomali konjukturale politike. Përkundrazi, papunësia, varfëria, shtrenjtimi i përgjithshëm i çmimeve dhe padrejtësi të ndryshme sociale që ndikonin direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve ishin ato që i bënin shumë prej tyre të godisnin dhunshëm me gurë ndaj trupave të institucioneve represive të shtetit.
Më pas turma degradoi ashtu si edhe përgjigja e policisë e cila veproi edhe ajo si një turmë me kërbaç në dorë. Psikologjia e turmës pa kontroll është dhuna dhe dje e pamë me sytë tanë vërtetimin fatkeq të kësaj që ndodhi. Opozita shërbeu thjesht si një ndërmjetësuese logjistike e kësaj drame pa skenar. Ajo nuk mund të ngrohë tanimë duart në zjarrin që ndezi vetë. Lypset që më në fund njerëzve t’u thuhet e vërteta ashtu siç ata duan ta dëgjojnë. Jo këmbimi i një qeverie të korruptuar për shkak të sistemit - me një tjetër qeveri që do të përfundojë po e zhytur në korrupsion për shkak të mbrapshtisë endemike që ia mundëson asaj këtë. Ajo që duhet është një korrektim i fortë dhe rrënjësor i mënyrës sesi kemi ndërtuar jetën në këtë vend. Taksa të rënda për ata që inkurajojnë tregtimin e produkteve të huaja duke frenuar kësisoj prodhimin tek ne duke na çuar pastaj në dramat sociale me të cilat ajo shoqërohet. Inkurajim me subvencione të posaçme ndaj atyre që punësojnë shqiptarët dhe që ndihmojnë në çrrënjosjen e sëmundjes më të rëndë, krimit më të egër, vuajtjes më tragjike që kanë sot njerëzit e këtij vendi: varfërisë. Drejtësi sociale, punë për të gjithë. Më shumë se hartime me emra të përveçëm dhe metafora mediatike, njerëzit presin të dëgjojnë pikërisht këtë nga ata që predikojnë ndryshimin. Dhe ndoshta atëherë do të kujtojmë se e premtja e përgjakshme e këtij janari, do të jetë vetëm një datë për t’u kujtuar me nderim.

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip” 22 janar 2011

Saturday, January 15, 2011

Dy me zero

Gazetarët në Shqipëri i dhanë dje një mësim të mirë opozitës duke i treguar të paktën për herë të dytë që nga koha e njërit që hiqte mbërthecka, sesi veprohet kur ke përballë një qeveri të dyshimtë. Pa shumë llafe, vetëm me fakte. Pa përbetime, shkulme histerike në podium dhe viktimizëm grevash me serume e sirena, punëtorë kurajozë të medias shqiptare e vunë në pozitë të vështirë numrin dy të qeverisë vendase dhe e detyruan atë që në përpjekje për të dëshmuar pafajësinë përballë akuzave për korrupsion të dorëzojë imunitet deputeti, portofol zëvendëskryeministri e çelësa ministrie bashkë.
Qytetarët asistuan me sytë e tyre në një prej momenteve të rralla të funksionimit perfekt të ushtrimit të moralit qytetar. Nuk ishte opozita në mefshtësinë e saj kronike, por media që si katalizatore e gjithë kësaj pakënaqësie, luajti rolin vendimtar. Presioni i opinionit publik i filtruar në radhë të parë në formë ndjesie të përgjithshme e më pas si qindra e qindra mesazhe, komente, opinione dhe lënde përshtypjesh të qëmtuar ndershmërisht në terren e të ofruar bujarisht në ekran e faqe gazetash, e bëri të vetën. Një funksionar la detyrën prej kësaj. Euforistë profesionistë nga disa zyra ku po brohoritet për aleanca politikë-media bëjnë mirë të mbajnë parasysh se nëse paskëtaj edhe vetë qeverisë do t’i merren këmbët e do të ligështohet, tamam tamam kjo s’është një çështje që i takon radarit të misionit mediatik.
Por ama, qysh dje Shqipëria është zgjuar më e mirë dhe më e drejtë. Një gur më shumë u vu në murin me të cilin pesha e opinionit publik rëndon mbi të zgjedhurit. Një pikë djersë më shumë duhet të derdhin zyrtarë të zhytur në korrupsion për ta kapërcyer këtë barrikadë. Do të duhet shumë derisa ky mur të lartohet e të bëhet i pakapërcyeshëm, por dorëheqja e djeshme mund të arkëtohet tashmë lirisht si fitore e të gjithë qytetarëve pa dallim politik.
E gjithë kjo kryevepër qytetarizmi u krye përmes një serie veprimesh konkrete, të qeta, të ftohta dhe të pakundërshtueshme. Me një durim milingone, pas një pune të përditshme e këmbëngulëse, rezultati - dorëheqja e djeshme e zëvendëskryeministrit Meta - meriton të festohet nga qindra gazetarë shqiptarë (nga ata të emisionit Fiks Fare në Top Channel në radhë të parë) si një trofe suksesi. Nga opozitarët e modelit të Gërdecit që edhe kur shohin ujkun kërkojnë hutueshëm gjurmë në dëborë e më pas u jepen meditimeve e qarjeve patetike, kjo mund të shënohet në kalendar si një datë më afër fundit të tyre. Një moment i mirë për t’i thënë vetvetes në pasqyrë të vërtetën: që ashtu siç korruptohet e zhvatet buxheti publik, ashtu korruptohet e zhvatet edhe kapitali politik. Se ata janë zhytur kahmot personalisht në këtë pusetë korrupsioni dhe se ashtu siç ndodh me të akuzuarit për korrupsion financiar që lënë detyrat qeveritare, e njëjta gjë pritet nga të gjithë edhe prej tyre: zbythje me turp nga detyrat opozitare.
Dështim pas dështimi, fjalëve të të gjithë ne kritikëve të hershëm, po u jepet të drejtë sot nga përherë e më shumë zëra që kërkojnë një kapitull të ri në opozitimin shqiptar. Tashmë u bë e lodhshme dhe e pandershme që media të bëjë punën e opozitës duke hedhur knock-out qeverinë sa herë ajo kalon vijën e kuqe të interesit qytetar, dhe që opozita të bëjë punën e medias duke u marrë me pasojat, duke komentuar nga podiumet e studiot televizive si dhe duke e zëvendësuar rolin e ideatorit që mendon brenda një organizate politike me atë të folësit të lajmeve që del para prozhektorëve të dekorit dhe interpreton me ndjenjë një tekst të redaktuar.
Tashmë u bë edhe e qartë kristal si video-përgjim, se opozita e sotme ka rënë në kuotat më të ulëta të besimit të njerëzve të cilëve tashmë s’u ngacmohet asnjë tel pakënaqësie me ato ç’ka dëgjojnë nga Rama. Ia kemi arritur ditës që nëse një politikan do të lëshojë nga goja akuza të rënda për korrupsion e do të valëvisë fletë dosjesh nga një podium partiak, ka pak të ngjarë ta marrin seriozisht. Nëse këtë e bën një media, shikoni pak se çfarë ndodh. Për degjenerimin deri në këtë farë feje të integritetit të një partie politike – sidomos kur asaj i duhet të bëjë edhe opozitë – dikush duhet të mbajë përgjegjësi e të paguajë. Fatkeqësisht një proces i tillë imunizues brenda organizatave të sëmura politike mungon me gjithsej dhe siç mund të konstatohet nga këto radhë, është po media ajo që e ha meraku për antibiotikët.
Rruga megjithatë është e gjatë dhe mjerisht kjo është vetëm njëra gjysmë e historisë. Media shqiptare që siç thamë më sipër ka një rol lideri si një armë e qytetarëve të këtij vendi për të dalë me këmbët e tyre nga errësira, obskurantizmi, manipulueshmëria dhe përdorja, ka ende rastin të kryejë shërbime të dobishme për qytetarët e vet. Dy ministra të një qeverie u larguan si rezultat i denoncimeve të saj. Është e nevojshme që arma në një moment të ndjejë se është vërtet e vendosur në duart e njerëzve.
Pas largimit të Ilir Metës, a ka një proces reflektimi që duhet bërë për ta parë historinë me një sy të pavarur nga interesat politikë? A është e mjaftueshme që vetëm një zyrtar i akuzuar nga ish-vartësi i vet i shkarkuar të zhvishet nga funksionet e të dërgohet për hetim? A janë të gjithë të barabartë para ligjit? A dënohet heshtja dhe mosveprimi para korrupsionit njëlloj si veprimi para tij dhe a mund të rehabilitohet një “pentito” që dikur e hidhte vallen sipas ritmit të padronëve që sot denoncon, vetëm sepse për momentin ofron show?
Këto janë pyetje që mendjet e ftohta të opinionit publik dhe medias është mirë t’ia bëjnë vetes. Përballë qëndrojnë sfida për t’u fituar në të ardhmen. Sa për momentin, rezultati ende qëndron i gozhduar në dy me zero.

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip”, 15 janar 2011

Wednesday, December 8, 2010

Rrethimi i pestë

Këtu e një vit më parë, gjatë emergjencës së atëhershme të përmbytjes së Nënshkodrës, qeveria shqiptare u betua se për herë të parë pas 20 vjetësh gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriteshin. Do të ndërhyhej në shtretërit e lumenjve dhe rreziku i përmbytjeve të tjera do të minimizohej. Shqiptarët përballeshin me perspektivën e zhdukjes përfundimtare të kësaj dukurie që shkretonte ekonomitë e zonës dhe rrezikonte jetë njerëzish.
Javën e fundit ndodhi apokalipsi. Jo thjesht në disa toka bujqësore e disa ferma. Nënshkodra dhe Mbishkodra. Vetë qyteti u fundos thuajse i tëri nën ujë. Të 90 mijë banorët e tij u shndërruan befas në kandidatë për refugjatë. Por si arritëm deri këtu?
Shkalla e rëndimit të gjendjes erdhi në progresion. Gjatë shirave të parë të vjeshtës, lokaliteti martir quhej Obot. Ditët e fundit po flasim për lagje të qytetit të populluara nga mijëra banorë. Po flasim për evakuime masive, ikje nga sytë këmbët, sirena alarmi nëpër natë, forca ushtarake që marrin në dorë situatën dhe deri thirrje S.O.S drejt NATO-s e cila herën e fundit të ndërhyrjes në Ballkan e ka pasur gjatë luftës së Kosovës. Faturën ekonomike s’merr guximin njeri as ta llogarisë. Skenat që kemi parë të gjithë këto ditë, mjaftojnë për të na bërë të mendojmë se limiti është shtyrë shumë larg.
Ujërat e lumenjve shqiptarë janë tashmë të papërmbajtshëm dhe kërcënimi i një kolapsi total nderet mbi krejt ultësirën perëndimore ku jetojnë më shumë se dy të tretat e shqiptarëve, ku është instaluar industria jonë e paktë dhe shumica e qyteteve më të mëdha e prodhimtare, portet, autostradat, hekurudhat, aeroporti, bujqësia, bankat, e në një shikim më të përgjithshëm, masa dërrmuese e pasurisë së vendit. Edhe nëse vala e kësaj përmbytjeje do të kalojë siç po kalon, një fakt mbetet i pandryshueshëm: Shqipëria ka kapitulluar. Jemi tërësisht të pambrojtur përballë goditjes së radhës.
Dikur në pozicionin komod të opozitës që thjesht fajësonte kundërshtarët se s’bënin aq sa duhet për të ndalur përmbytjet, qeveritarët e sotëm po shohin se mes administrimit të prurjeve të ujit në kaskadat e hidrocentraleve dhe evitimit të përmbytjes poshtë në fushë, kjo s’qenka një punë edhe aq e lehtë.
Ky është tashmë një fakt i njohur dhe një formë e përsëritur mallkimi mbi çdo qeveri shqiptare. Mbi të gjitha, kjo është një fatkeqësi këmbëngulëse që rëndon mbi kokat e njerëzve. Politikanët i ndjejnë pasojat vetëm në formën e kostos elektorale. Por teksa ndërrojnë duart në pushtet, të zgjedhurit shqiptarë harrojnë se janë edhe ata rezidentë të Shqipërisë. Në dallim, ata vazhdojnë të tregojnë se thjesht s’kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të kuptuar se ky është një rrezik që i tejkalon ndasitë e tyre formale, se pavarësisht konfesionit politik jemi të gjithë brenda të njëjtës anije që ka marrë ujë dhe se të paktën në këtë rast, të gjithë duhet të jenë në një mendje së paku për ca kohë.
Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të natyrës, sistemi dështoi diku, mekanizmi nuk u përgjigj dhe fatkeqësia ndodhi. Përtej gjuhës pompoze të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe lirisë së tregut, diçka nuk funksionon realisht. Nevojitet një autopsi e vërtetë për të zbuluar shkaqet e kësaj vdekjeje klinike të sistemit të organizuar shtetëror që kemi ndërtuar të gjithë të majtë e të djathtë, në mënyrë që të ndërtojmë një tjetër më të mirë sa nuk është vonë.
Fenomeni është i njohur, i qartë, dhe të gëzohesh sa herë që kjo ndodh në periudhën kur skeptrin e përgjegjësisë e ka në dorë kundërshtari yt, është më keq se një krim që bëhet nga cinizmi - është një gabim i bërë nga budallallëku. Qeveria aktuale ka fajin kryesor për atë që ndodhi, por opozita e sotme me vetëdijen e pozitës së nesërme duhet të ndalë galopin e saj triumfal të “inspektimeve” dhe tundjen e gishtit denoncues mbi atë që bëri apo s’bëri qeveria. Përkundrazi, ajo lypset të ofrojë konkretisht idetë dhe bashkëpunimin e saj në një tryezë për herë të parë në shërbimin direkt të qytetarëve dhe jo të ndonjë konjukture të sistemit politik.
Shqipëria ka nevojë urgjente për t’u shpëtuar dhe nga ana e saj, qeveria e sotme duhet të mësojë nga gabimet e djeshme, të ndalë ekskluzivizmin krahinor, të kërkojë falje për ngazëllimin e dikurshëm dhe të shtrijë e para dorën për bashkëpunim dhe për të gjetur mënyrën sesi të arrihet shpëtimi.
Sigurisht ajo që ndodhi në Shkodër mund të shërbejë si një premisë për një diskutim të gjerë kombëtar. Një masë urgjente: refreni sipas të cilit Shkodra është një çështje e brendshme e PD-së dhe qeverisë së saj që i merr parasysh faturat është një nga shfaqjet më të turpshme dhe absurde që mund të dëgjojë veshi i një taksapaguesi shqiptar. Por të paktën ekziston shpresa që në qeveri të jenë të ndërgjegjshëm se nuk ka taksa demokrate dhe socialiste por taksa shqiptare. Askush s’ia ka për borxh askujt që të paguajë e të ripaguajë me lekët që i mblidhen për përmirësim të rrogave, pensioneve, shkollave e spitaleve publike të vitit 2010, riparimet e një dëmi që s’do bënte sens as nëse do të ndodhte në mesjetë. Nëse kjo s’është e qartë tek njerëzit që paguajmë për t’i pasur gjërat e qarta, atëherë kemi arsye të plota për të besuar se po cekim fundin.
Situata është periodikisht dramatike dhe çfarë ndodh konkretisht e di edhe një fëmijë që njeh fabulën e gjinkallës dhe milingonës. Gjatë verës basenet ujore që prodhojnë energji për njerëzit e këtij vendi goditen rregullisht nga thatësira dhe prurjet e pakta. Për këtë arsye i lejojmë vetes luksin për t’u sjellë si pasanikë. Eksportet frenohen, portat shkarkuese mbahen mbyllur dhe akumulohet sa më shumë ujë që të jetë e mundur. Por shirat e vjeshtës nisin me vrull dhe e tejkalojnë me shpejtësi nivelin që mund të mbajnë pritat e digave. Mbajtja e tyre në nivelin e duhur bëhet përmes shkarkimeve rregullisht të kontrolluara. Teknikët të vendosur nën urdhëra politikë, ashtu siç detyroheshin të bllokonin shkarkimet, janë tani të detyruar të shesin energji me grushte dhe me çmime qesharake, e jo vetëm kaq. Ata hapin dyert e digave duke çliruar poshtë në fusha tepricat e ujrave.
Së bashku me prurjet e mëdha natyrore që kanë zakonisht vetë lumenjtë që kalojnë përmes këtyre digave, sasia e ujit që rrjedh në fushë bëhet e papërballueshme për shtretërit e tyre. Lumenjtë vërshojnë në fushat përreth dhe aty nuk gjejnë asgjë nga rrjeti i dikurshëm drenazhues që do ta kanalizonte atë duke shmangur përmbytjen. Copëzimi i pronës dikur të përbashkët, ka sjellë edhe thërrmijëzimin e këtij sistemi. Dikush e mirëmban pjesëzën e vet të kanalit kullues. Shumë të tjerë nuk dinë, nuk duan, ose thjesht kanë emigruar. Nga këtu është vetëm një rrahje qepallash larg vargut të pandalshëm të katastrofave gjigandeske që vijojnë të godasin herë me një të tundur të bishtit e herë me tërë zemërimin e tyre duke i kthyer shkodranët në lagunarë e krutanët në bregdetarë.
Të ndara në pika, janë tri justifikimet që dëgjohen sot në Shqipëri si arsye pse ndodhin këto që ndodhin. a) Ky është një akumulim degradimi. Prej 20 vjetësh nuk ndërhyn askush në ruajtjen e performancës së rrjetit kullues, forcimin e argjinaturave dhe thellimit të shtretërve të lumenjve. b) Ky është një problem menaxhimi të kaskadave. Prej 20 vjetësh nuk ka një administrim largpamës të shkarkimeve në basenet ujore të hidrocentraleve. Nuk interesohet njeri për prognozat meteorologjike. Nuk e çon njeri nëpër mend se ka kosto më të lartë të përmbytësh qytetarët e vendit tënd sesa të shesësh energji me humbje. c) Situata ka qenë gjithnjë kështu dhe kjo që po ndodh sot ka ndodhur edhe në vitet e kaluara të tranzicionit. Thjesht tani skandalizohemi më shumë sepse jemi më të pjekur nga pikëpamja sociale, më të ndërgjegjshëm dhe patjetër më të informuar. Kohët, siç thotë Marilyn Manson, s’janë bërë aspak më të vrazhdëta. Ato thjesht sa janë bërë më televizive.
Sadoqë secili nga arsyetimet ka grimcën e vet të së vërtetës të përfshirë, asnjë nga këto pikëpamje nuk shpreh megjithatë qartë atë që përbën zemrën e problematikës. Struktura e organizimit shtetëror që kemi ngritur është një ndërmarrje që nuk i merr përsipër punët që nuk gjenerojnë ndonjë lloj fitimi, ekonomik apo politik. Në zanafillën e të gjitha aksioneve apo investimeve që kryhen në territorin shqiptar qëndron premisa se ky është një sistem që funksionon mbi logjikën e tregut.
Së pari, tregu duhet ta rregullonte vetë mënyrën për të mbajtur funksional rrjetin e kullimit. Do të duhej të ishin ngritur vetvetiu ndërmarrje private që ta ofronin këtë shërbim. Por e thamë, tregu funksionon me kriterin e përfitimit. Askush s’sheh përfitim në ndërtimin e një ndërmarrjeje të tillë që do ta kalonte vitin duke u endur poshtë e përpjetë fushave për të pastruar kanalet që vetë fshatarët nuk interesohen t’i pastrojnë. Po a s’duhet ta bëjë këtë qeveria? Hej, prej njëzetë vjetësh jetojmë në një sistem neoliberal. Shteti duhet të jetë i vogël. Mundësisht inekzistent.
Së dyti, tregu duhet të diktojë edhe mënyrën sesi menaxhohen prurjet në basenet ujore të hidrocentraleve e në prodhimin e energjisë elektrike. Nëse nuk nxirret fitim nga shitja e energjisë përmes eksportit, uji më mirë të derdhet në fushë paçka se përmbyt njerëz.
Së fundi, a është lajmi i përmbytjeve masive një përshtypje e pompuar nga tregu i medias dhe i informacionit që kërkon të shesë produktin e vet tek shikuesi? Teksa media forcohet dhe i mundëson vetes mjete më moderne teknike për mbulimin e ngjarjeve, a nuk tundohet ajo nga dëshira për ta dramatizuar artificialisht për sytë e publikut të largët një dukuri që mund të përbëjë thjesht një fenomen natyror për banorët lokalë? Nëse po, atëherë do të jetë vetë tregu i informacionit që pas pak do të tejngopet me këtë lloj raportimi dhe do ta zhvlerësojë dramacitetin e tij.
Siç mund të shohim, është diskutimi mbi terma tregtarë, kompromisi dhe besimi të verbër në fenë integraliste të tregut ai që përbën premisën mbi të cilën sot ulemi të diskutojmë deri mbi çështje jetike si ajo e rregullimit të regjimit të ujërave nga të cilat varet fati i një pjese të madhe të popullsisë së vendit.
E nëse siç thamë do të duhej të kishim më në fund një marrëveshje kombëtare mbi të cilat të hidhen themelet e ndërtimit të një sistemi të ri të mënyrës si e organizojmë jetën në këtë vend, i cili të ketë në thelb mbrojtjen e qytetarit nga kapriçiot e tregut, natyrës apo faktorëve të jashtëm, nga këtu do të duhej të niste edhe diskutimi.
Kur në momente dëshpërimi dhe fatkeqësie të gjithë i kthejnë sytë nga shteti dhe ndërhyrja e tij, kjo është një shenjë e qartë se qytetarët e duan shtetin, rolin e tij dhe forcën e tij rregulluese. Ky është një sinjal se përkundër shtetit të vogël dhe impotent, një shtet i madh, i fortë dhe dinjitoz është ai që kanë në mendje qytetarët e këtij vendi kur dorëzojnë taksat me të cilat paguhen burokratët. Të aplikosh sot në Shqipëri teori eksperimentale që i lënë dorës magjike të tregut (apo Zotit) fatin e miliona njerëzve të pambrojtur, ky është në rastin më të mirë një ekstremizëm që është e vështirë tanimë ta maskosh me terma properëndimorë. Kostot njerëzore janë të larta. E nëse dikush e dyshon këtë ende pas kësaj që ndodhi para syve tanë, është e kotë ta kërkojmë ende emrin e fajtorit për rrethimin e pestë të Shkodrës.

Sokol Shameti (Gazeta “Shqip”, 8 dhjetor 2010)