Të martën e 18 shtatorit pasdite, në mes të sallës së
Kuvendit të Shqipërisë u krye një vrasje. Ekzekutorët ishin 130 deputetë ushtarë
me 130 vota-plumbat e tyre. Urdhëruesit në prapaskenë, dy kryetarë partish që
komandojnë në sinkronizim me njëri-tjetrin zjarrin e pushkatimit të armikut që
qëndron me duar të lidhura përballë togës.
Ky armik i dënuar me vdekje është vullneti qytetar. Një
vullnet, të cilin me dredhi e kanë shtrënguar të shprehet me votime vetëm një
herë në katër vjet, por edhe atëherë mundësisht sa më rrëmujshëm, sa më në vija
të përgjithshme dhe sa më paqartësisht. Vini re sesi thuajse çdo vend nga ata që
shqiptarët e marrin për model mirëqenieje, i drejtohet pa kurrfarë frike referendumit
popullor. Kudo qytetarët e lirë të një vendi demokratik votojnë gati çdo javë për
një temë të caktuar me qëllimin e vetëm: si ta bëjmë më legjitime demokracinë?
Si ta bëjmë atë më përfaqësuese dhe qytetarët më pjesëmarrës në qeverisjen e
tyre?
Nga ana tjetër, shikoni sesi përgjatë 22 viteve të fundit,
shqiptarëve u është lejuar vetëm dy herë e vetëm in-extremis të votojnë në një
referendum. Herën e parë për të vendosur formën e regjimit. Dhe herën e dytë për
të votuar kushtetutën. Në çdo rast tjetër, referendumi në Shqipëri ka qenë –
dhe vazhdon të jetë – një vijë e kuqe, e pakalueshme dhe e frikshme. Në çdo
rast që qytetarët e kanë kërkuar këtë të drejtë përmes mbledhjes së 50 mijë
firmave të kërkuara nga Kushtetuta, i kanë zmbrapsur pa shumë ceremoni. Opozita
si rregull ka heshtur si bashkëfajtore në përpjekjen burracake të politikës
shqiptare për të mbajtur ekskluzivitetin në çdo vendimmarrje të rëndësishme në
vend.
Ajo që u leverdis dy forcave politike pa asnjë dallim, është
mbajtja në fuqi e këtij varianti ekstrem, një lloj stalinizmi të kapitalizmit,
që të dy palët kanë instaluar në Shqipëri. Duke e kufizuar dhe ngushtuar qëllimisht
hapësirën e shprehjes së vullnetit qytetar në një ditë të vetme gjatë
zgjedhjeve, ata janë në gjendje ta kontrollojnë, administrojnë dhe
potencialisht edhe ta manipulojnë këtë vullnet. Historia jonë e re është plot
me shembuj për këtë. Çfarë do të ndodhte nëse çdo vit do të ishte referendumi i
qytetarëve ai që do të vendoste për mënyrën sesi duhet ndarë buxheti, apo se
kush duhet të jetë prokurori i republikës, a kreu i aksh gjykate, a nëse duhen
lejuar importe plehërash, a nëse duhet negociuar me Greqinë kufiri detar, e kështu
me radhë? Çfarë pushteti do t’i mbetej qeverisë për të abuzuar? Çfarë
justifikimi do t’i mbetej opozitës për të thënë se ajo kërkon drejtësi për
shqiptarët, por ç’e do që s’e lënë?
E vërteta është se të dyja palët, bëjnë gjithçka për t’i
mbajtur qytetarët sa më larg mundësisë për të shprehur mendimin e tyre në
referendume a votime të tjera çfarëdo që janë jashtë sistemit elektoral të kontrolluar
prej tyre. Gjithë përligjja që ato i bëjnë praktikave të tyre sunduese kur vijnë
në pushtet, është marrja një herë në katër vjet në zgjedhje e të drejtës për të
qeverisur vendin. Ato valëvisin si liçenca disa programe aspak politike, aspak
të shtjelluara dhe aspak të qarta, të mbushura me retorikë boshe, fjalë të
forta e pa asnjë kontent të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë, ato mund t’i lënë
dorë të lirë vetes më pas të manipulojnë me besimin popullor duke përdorur
justifikimin se për çdonjërën nga prapësitë që po bëjnë, janë votuar një herë,
edhe pse e vërteta është ndryshe.
Politikanët e të dyja krahëve preferojnë që edhe kur janë në
opozitë të mos e thërrasin për ndihmë gjykimin e popullit me referendum. Qëllimisht
ata injorojnë duke e shndërruar në një tallje të vërtetë nenin 150 të kushtetutës
që sanksionon se 1 e pesta e deputetëve mund të kërkojnë thirrjen e një
referendumi. Ata janë gati të durojnë për 4 apo 8 vjet qëndrimin në opozitë,
por ama kurrë të mos u mësojnë shqiptarëve rrugën sesi me anë të demokracisë
direkte mund t’i japin qeverisjes së përditshme formën që ata duan. PS dëshiron
më mirë të postojë mesazhe në twitter apo të ngrejë çadra serumesh në bulevard
për të ruajtur protagonizmin e saj egoist sesa t’u delegojë shqiptarëve - të
cilët ajo thotë se i përfaqëson - të drejtën për të vendosur për çdo çështje që
ata e proklamojnë si me rëndësi jetike. Ajo zgjedh më mirë të luajë teatër sesa
të kërkojë me vetëm 28 deputetë nga të sajët, që çështje të rëndësishme për të (si
psh. ndryshimet kushtetuese për gjykatat), të hidhen për votim popullor me
referendum. E çfarë pastaj se qeveria bllofon duke “kërcënuar” me hedhje në
referendum për ligjin e imuniteteve? Çfarë e tremb “të majtën” shqiptare nga
referendumi dhe e shtyn deri aty sa ta konsiderojë atë një shantazh duke iu
dorëzuar çdo teke të mazhorancës?
Shikoni sesi deri edhe deputetë të shquar të PS-së s’e
fshehin se sa gati janë që më mirë të pranojnë kufizimin e përfaqësimit të
popullit sesa asgjësimin e imunitetit të vetes. Fatmir Xhafa fjala vjen,
jurist, përfaqësues i lartë ligjor i opozitës “së majtë” thoshte hapur në mes të
Kuvendit se sapo PD t’i bënte partisë së tij disa koncensione, ata do të
uleshin së bashku për të shmangur një praktikë kaq të shtrenjtë siç është
referendumi. Kështu pra, më 18 shtator, pasi e kishin përdorur referendumin si
një gogol për të trembur e tallur njëri tjetrin, politikanët - siç xhanëm
pritej - nuk e bënë gabimin që t’i lejonin shqiptarët të shprehen me anë të
demokracisë direkte për temën e imuniteteve. Një temë, e cila u tha se do të
ndryshonte jetën e të gjithëve. Por privimi i shqiptarëve nga e drejta e tyre për
të marrë pjesë në politikë është vetëm rezultati i një loje të gjatë të politikës
me ta. Historia përsëritet dhe ja përshembull, katrahura e imuniteteve që mund
të shërbejë si një ilustrim par-excellence, ka një zanafillë disi më të
hershme.
Ashtu si edhe për raste të tjera analoge, a s’janë zhvilluar
ngjarjet pak a shumë kështu? Më 12 korrik, Partia Socialiste dhe ajo
Demokratike nënshkruajnë një armëpushim duke vendosur së bashku sesi do ta
administrojnë militantët e tyre vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo ujdi quhet si përherë me emrin kumbues: “reformë zgjedhore”. Ky s’është
fare lajm pasi këtë ato e bëjnë në mënyrë periodike, në prag të çdo fushate
elektorale. Me mjeshtëri ato paraprakisht kanë krijuar idenë se kodi zgjedhor në
fuqi dhe Kushtetuta kanë probleme të rënda që po e na e mbysin demokracinë në
shpërgënj. Më pas, sipas manualit, PS dhe PD aktrojnë për dy tre muaj, kinse
nuk po gjejnë llafin me njëra tjetrën për ta riparuar këtë anomali të
tmerrshme. Ato bombardojnë median me idenë se nëse nuk gjendet një zgjidhje atëherë
kjo do të thotë shfarosje e qytetërimit njerëzor në trajtën që ne sot njohim. Në
fund, pasi djegin dy tri drafte propozimesh e raunde negociatash që vetë i
shpallin e vetë i shkelin, në limitin e fundit të një afati që e caktojnë po
vetë, ulen në një mbledhje maratonë. Dhe gjithmonë aty, fap, ndodh mrekullia –
mosmarrëveshjet zhduken sikur s’kanë ekzistuar, kodi ndryshohet dhe kushtetuta
pëson shformimin e radhës.
E njëjta gjë ndodhi edhe më 12 korrik të këtij viti. PS dhe
PD e ndryshuan prapë kodin zgjedhor dhe akti i komedisë ku ato shtiren sikur
janë gati t’i shkulin rropullitë njëra tjetrës, u konsiderua që mbaroi.
Megjithatë, duhej një artific për të përligjur idenë se këto dy forca politike
mbeten armike të betuara me njëra tjetrën dhe se “lufta” gjithsesi, vazhdon.
Ndaj u ngrit miti i imuniteteve. Dikush në PS dhe PD duhet të jetë shqyer gazit
për dy muaj rresht duke parë edicionet e lajmeve, artikujt e gazetave e madje
edhe opinionet e qytetarëve në rrugë rreth kësaj stuhie në gotë. Shqipëria u
nda në dy kampe. Rufjanët propagandistë të partive, sa s’u asfiksuan duke u
fryrë borive të apokalipsit nga faqet e shtypit. Ditët ishin të stuhishme si një
kinematografi luftarake. Tymin e dekorit e garantonin pyjet që digjeshin. Në
Kuvend zhvilloheshin seanca epike. Njerëzit mendonin se PS e PD për pak do të
rroknin shpatat për t’u therrur me njëra tjetrën. Adrenalina e rivalitetit
dukej se ishte kthyer prapë për t’i dehur të gjithë me shijen e saj.
Por ndërkohë, nga ana tjetër e perdes, askush as që e përmendte
fare marrëveshjen e 12 korrikut ku dy “kundërshtarët” kishin pirë gjak ortakërie
duke u bërë vëllam me njëri tjetrin. E ky cak final për të arritur perceptimin
publik se “ata janë të ndryshëm” ishte në të vërtetë arsyeja e gjithë kësaj
komedie të zhurmshme verore. Por ata nuk janë të ndryshëm. Pavarësisht çdo kundërshtie
e divergjence, ata i bashkon konspiracioni i urrejtjes së qytetarëve. I bashkon
etja për të sunduar pa shqetësime kurdoherë që t’u vijë radha. Ata i bën njësh
grykësia për të mbretëruar pa lejuar askënd të hedhë sytë gjatë kohës kur
marrin vendimet, kur shesin resurset e atdheut, kur emërojnë tarafet, kur
shtrembërojnë ligjet, kur shpërdorojnë taksat dhe kur privilegjojnë të
ngjashmit.
***
Teksa u mësua se të dy liderët e çetave partive
politike kishin lënë vendin tri ditë më parë, në 21 shtator, për vizita të përkohëshme
jashtë shtetit, Shqipëria kaloi pa u kuptuar një nga 24 orëshat e saj më normalë
të tranzicionit. Konsultoni raportet policore: asnjë shqiptar nuk vrau ndonjë
shqiptar tjetër të premten e fundit. Nuk u regjistrua asnjë konflikt. Asnjë
plagosje. Asnjë grabitje. Asnjë pengmarrje. Asnjë aksident, e çuditërisht deri
as edhe ndonjë bllokim trafiku.
Njëlloj si të ishte mbajtur një referendum me të cilin
shqiptarët vendosnin deportimin e gjithë mjeshtrave të pushtetit, paqja e plotë
mbizotëronte në rrugë dhe në ekranet televizive. Peizazhi u kompletua ndërkohë
që u dha edhe lajmi se bashkë me dy përgjegjësit kryesorë për injektimin e tensionit
konstant që ushtrohet mbi shqiptarët, jashtë territorit të vendit ndodheshin
edhe presidenti i Republikës me kryetaren e Kuvendit (të gjithë me nga një
justifikim për të shëtitur edhe pak me paratë e qytetarëve).
Kundrejt jetës që rrodhi normalisht e qetësisë që mbizotëroi
paradoksalisht mbi gjithë qytetet dhe fshatrat e vendit vetëm për një ditë, ka
një çelës tek ky shembull i vogël e i mirë që ndihmon të kalosh tinëz nga
mjerimi i mendimit tek mendimi rreth mjerimit. Një fjalëkalim për të zbërthyer
sesi Shqipëria ja që funksionon më mirë pa ta, sesa me ta brenda. Sesi politika
aktuale nga çdo kah që ta shohësh, operon si një laborator anomalish. PS dhe
PD, së bashku me dy njerëzit që lëvizin ingranazhet e tyre, mbajnë në punë
mekanizmin e një inxhenierie që e moleps heshturazi ndërgjegjen sociale me një
gjendje kushtrimi të përhershëm. Ata ushqejnë përditë pa u ndalur suksesin e
mossuksesit shqiptar si një parakusht për t’u vetëproklamuar të dy si shansi i
vetëm që gjërat të kenë kuptim në këtë vend. E megjithatë, të lodhur nga
sundimi e manipulimi i dyanshëm, me të ndjerë qoftë edhe rastësisht, ajrin e
lirisë që befas fryn në jetët e të gjithëve, shqiptarët… marrin frymë.
Sokol Shameti
Gazeta "Shqip" 25 shtator 2012
No comments:
Post a Comment