S’ka një javë, në afërsi të stacionit hekurudhor të
Tiranës, konsumohej një skenë e denjë për një akt teatri absurd. Capak dhjetëra
persona, kryesisht adoleshentë, të shtrënguar rreth flamurit të një organizate
të së djathtës nacionaliste, brohorisnin pa kuptuar asgjë, fjalimin e një përfaqësuesi
të punëtorëve të hekurudhave.
Ky rast, si shumë të ngjashëm, është edhe një tjetër
dëshmi për “peshkimin” e çështjeve që tradicionalisht përbëjnë tekstilin
ideologjik të së majtës, nga ana e grupimeve a organizatave të tjera që kurrfarë
lidhjeje nuk kanë me të majtën. Ajo çka po ndodh, s’vjen si shkak i ndonjë aftësimi
të papritur të këtyre grupimeve për të perceptuar shqetësimet publike që sot
mundojnë shoqërinë në Shqipëri. Arsyeja pse herë pas here del dikush në rrugën
e braktisur të interesave të të pambrojturve dhe të nëpërkëmburve të këtij
vendi dhe flet në emër të tyre, është lënia e kauzës së majtë në mes të rrugës
nga ata që duhej të ishin njerëzit që i dalin asaj për zot: të majtët
institucionalë shqiptarë.
Më shumë sesa përvetësim i padrejtë i retorikës që
pretendohet prej saj, kjo që po i ngjet Partisë Socialiste – si në rastin e çështjes
së hekurudhave, ashtu edhe në dhjetëra raste të tjera – është thjesht plotësim nga
të tjerët, i hapësirës publike të lënë bosh prej mospranisë së saj.
Shpesh ato që i rrëmbejnë bukën nga dora PS-së nuk
janë as tamam forca të mirëfillta politike. Mes tyre gjen madje edhe organizata
të përkohëshme të tipit ‘brigadë ndërtimi’ që s’kanë as ndonjë substrat
ideologjik. Deri në fjalimet e qëndrimet politike që ato mbajnë ti mund të argëtohesh
me inkoherencën e retorikës së tyre dhe fantazmën e mendimit të majtë që i përndjek
pa armëpushim ngaqë, normal, i kanë shkelur territorin. Fare haptaz, mund të të
rastisë të dëgjosh një sekretar të Aleancës Kuqezi që citon Antonio Gramsci-n si
pikë reference në çështjen e konfliktit mes individualizmit dhe solidaritetit,
ose teksa premton konfiskime masive te pronave të të pasurve në zonat
rezidenciale dhe shpërndarjen e tyre për kompensimin e shtresave të dëmtuara
nga sistemi i kaluar.
Të kthehemi tek tubimi nacional-hekurudhor; sigurisht
që gjendja e sistemit të këtij shërbimi është aq e degraduar tashmë, saqë gjithçka
që mund të propozosh për ndryshimin e tij s’ka asnjë shans ta përkeqësojë atë. Çështja
është se, disa e marrin mundimin të paktën të ngrenë shqetësime e të mobilizojnë
opinionin publik, qoftë edhe me një aksion modest. Disa të tjerë që e kanë edhe
për mision politik, përkundrazi, jo.
“E kemi ngritur zërin për këtë çështje”, të thonë përfaqësuesit
socialistë nëse i kritikon për mungesë veprimi në iks apo ypsilon problematikë
shqetësuese për njerëzit. Në të vërtetë “ngritje zëri” ata quajnë larjen e
duarve me ndonjë status të revoltuar në rrjetet-pezhishka robëruese sociale,
ndonjë fjalim në mbledhjen e radhës të partisë, ja maksimumi ndonjë referat teatral
midis gogësitjesh në Kuvend.
Me kaq është i kufizuar prej kohësh shërbimi i majtë
opozitar për qytetarët në këto vite të qeverisjes së djathtë. Për standardin e
vendosur prej tyre, kjo është ajo që quhet “mision i plotësuar” ose “detyrë e
kryer”. Rrallë e tek, në trajtën e vet kulmore të revoltimit që ndjejnë të majtët
për problemet e të majtëve, shfaqet ndonjë letër drejtuar kryeministrit (por
gjithmonë për dijeni medias, e cila me këtë rast, ofron falas 5-minutësha
fame). Përveç kësaj mase dembele asgjëje, nuk ka tjetër përpjekje për të ndryshuar
diçka në terren.
Sa greva punëtorësh të sektorëve më shfrytëzues janë
organizuar me thirrjen e PS? Llogaritë dalin keq. Si i ka mbështetur kjo parti
“e majtë” iniciativat nga poshtë që kundërshtojnë abuzimin nga ana e
korporatave si në rastin e depozitave të naftës në Fier apo pushtimet e nënstacioneve
elektrike në disa zona të vendit? Kush duhet ta bëjë tjetër këtë punë përveçse
opozitës (sidomos kur vetëreklamohet si e majtë)?
Mendimi pa veprim, ose veprimi pa mendim janë
mjerisht mallkimi që ka pllakosur në këto vite të majtën shqiptare. Nuk ka mes saj
njerëz që flasin me njerëz, por vetëm eprorë që urdhërojnë vartës. Nuk ka
takime që synojnë diçka tjetër, veç të shërbejnë si dekor televiziv. Nuk ka propagandistë
që grisin përunjësisht këpucë nëpër lagje të varfra e kalojnë orë me punëtorët
dhe familjet e tyre. Nuk ka rini që shpërndan nëpër qytete, ndërmarrje e
universitete, manifestet e aspiratave të saj politike. As makar materiale
informuese, lexime, referenca nga bota e qytetëruar a dritë çfarëdo. Nuk ka
nxitje të mobilizimit qytetar, solidaritetit vëllazëror a të vetëdijes së kërkesës
publike. Nuk ka bashkëpunim të sinqertë me lëvizjen sindikale e as përpjekje për
ta zgjuar, fuqizuar e mbështetur atë. Nuk ka frymëzim e as identifikim me
kauzat e njerëzve që janë atje poshtë në pritje të një lidershipi përfaqësues.
Nuk ka, me ç’duket, as aftësi, e as interes për të ngacmuar
çlirimin e energjisë opozitare përveçse kur bëhet fjalë për të shërbyer si numërorë
topi atëherë kur jep urdhër kryetari. Flitet shumë për impotencën e së majtës
sot në Shqipëri, por ky rast ashtu si shumë të tjerë më shumë se për defiçitin,
dëshmon për defiçencën e saj.
Kjo defiçencë konsiston në paaftësinë për t’i bërë
qeverisë një opozitë serioze. Në formën e saj aktuale ajo është provokacion i
hapur ndaj atij që duhej të ishte opozitarizmi real në një vend me liri të
shtypura. Sidomos, kjo e majtë zyrtare, është fajtore se e ka lënë vendin pa
mundësinë e zgjedhjes midis dy të ndryshmeve karshi kundërshtares së vet
politike. Për t’i qëndruar terminologjisë së hekurudhave, organizata politike që
drejton sot lokomotivën përfaqësuese të së majtës, e ka nxjerrë këtë të fundit
nga binarët e ideologjisë për ta vërvitur rrokapjekthi në fushën e huaj e
kundërshtare të interesit rastësor.
Prej muajsh tashmë, shqiptarë të pashpresë e të
lodhur nga keqqverisja e djathtë në pushtet, pyesin dhe ankohen për kritikën që
një pjesë e shtypit dhe opinionistëve të pavarur i adresojnë opozitës. Shumë
prej tyre duan dëshpërueshëm ta shohin këtë opozitë dhe drejtuesin e saj si
shpresën e vetme për shpëtim ndaj e quajnë çdo prishje të vogël qetësie të tijën
nga të pabindurit e shtypit, si një akt të pastër sabotimi të kurdisur në
komplot me Saliun. Disa prej tyre janë aq të terrorizuar nga ideja e një shpimi
peniciline në mollaqe saqë refuzojnë me këmbëngulje të besojnë se kritika ndaj
mënyrës së deritanishme të opozitimit është një antibiotik i detyrueshëm vetëpastrues
i së majtës. Një mision që ajo vetë duhet ta kryejë së brendshmi nëse kërkon me
tërë mend të konfirmohet si një forcë që ngjall inspirime të cilat sot nuk i ka.
Për shumë shqiptarë të cilët sot ajo i ka kthyer
kundër vetes dhe e shohin si një bashkëqeverisëse hije apo si kandidate të
sigurt për të abuzuar nesër me pushtetin, kjo është mundësia e vetme sesi kjo
opozitë mund t’i rifitojë ata sërish.
Në një sondazh të kryer ditët e fundit nga gazeta
“Shqip” ku lexuesve u kërkohej të tregonin përkatësinë e tyre politike, ata që
u deklaruan si “të majtë pa parti” apo “të pavarur” ishin afro 35% e pjesëmarrësve
(20% pa parti, 15% të pavarur). Ata që identifikoheshin si “të majtë me PS”,
rreth 19%. Vetëkuptohet që shumica e atyre të përfshirëve në përqindjen e të
papërfaqësuarve, janë potencialisht vota që PS i ka humbur përfundimisht dhe
duhet t’i harrojë.
Ky refuzim civil, tok me rezistencën intelektuale që
ajo gjeneron në shtyp kundrejt alternativës përfaqësuese të së majtës në
institucionet politike është i destinuar të mos ndalet. Presioni i tij do të
sjellë të paktën hyrjen e detyrueshme në binarë të organizatave politike të
majta përmes reformimit, rishpalljes dhe madje, rithemelimit të tyre. Në të
kundërt, e gjithë kjo energji njerëzish të margjinalizuar e të lënë pa mundësi
përfaqësimi politik, ka për ta gjetur rrugën e vet. Mbase me trenin e ndonjë
linje tjetër.
SOKOL SHAMETI
SOKOL SHAMETI
Gazeta "Shqip", 3 shtator 2012
No comments:
Post a Comment