Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Tuesday, December 2, 2008

Shqipëri – Itali, dashuria që vret

Nga Sokol Shameti

Pesë orët e Silvio Berluskonit në Tiranë, krejt ndryshe nga sa pritej, nuk sollën asnjë të papritur. Kavalieri erdhi, u soll siç i thanë: “si në shtëpinë e vet”, tha batutat e tij të famshme shoqëruar me gjithë gjestikulacionin solar prej latin-loveri dhe në fund ia hypi prapë avionit dhe iku.
Të gjithë sigurisht i ngulën sytë tek figura e tij, duke harruar se, në fakt, ashtu siç ndodh me cilindo lider, personazhi që shfaqet para kamerave, ai që mban gjithë gradat, titujt dhe nofkat është thjesht një poster, një personazh marrdhëniesh me publikun, fundja, një spiker. Një zëdhënës i interesave të distiluara të një shoqërie që e ka caktuar atë të jetë konferencieri i vet në sytë e gjithë botës duke projektuar përmes tij tërë repertorin e perceptimeve, aspiratave dhe karakterit nacional. Kështu teksa Berluskoni bënte humor me anëtarët e kabinetit qeveritar të Shqipërisë që i përgjigjeshin atij përulësisht në italisht, ai nuk ishte Berluskoni. Ishte vetë Italia. Teksa ai na kujtoi të gjithëve pikë për pikë vizitën e Nikita Hrushovit në Shqipërinë e viteve ’60 tok me servilizmin e liderëve lokalë të kohës, ai nuk ishte më thjesht kryeministri zulmëmadh i gadishullit apenin që vizitonte kopshtin e pasmë mbjellë me ullinj vaji dhe mullinj ere. Ishte vetë çizmja italike që bash kështu e sheh tokën e shqiponjave. Italia, fqinji ynë i përjetshëm i matanëdetit. Vendi i madh, kultura rrezatuese, futbolli, Ferrari, spageti, Dante Aligieri dhe Adriano Çelentano. Por ai ishte edhe fëmija problematik i familjes së të mëdhenjve të Europës. Memoria e “Vinçeremo”-s dhe 7 prillit. Korrupsioni i papërfytyrueshëm për botën anglosaksone, vrasja e Aldo Moros dhe Xhovani Falkones, Koza Nostra dhe tanxhentopoli, anti-aborti dhe katekizmi shkollor. Por mbi të gjitha, ai ishte një lloj vëllai i madh kujdestar. Big brotheri ynë qysh nga koha kur anijet pirate të ilirëve i bezdisën aq shumë romakët saqë këta t’i përvisheshin atij që sot është e paqartë nëse duhej quajtur pushtim apo de-barbarizim. Valvula jonë shkarkuese e krizave të mëdha kombëtare. Atdheu shpëtimtar i arbëreshëve të përndjekur nga otomanët. Destinacioni i anijeve me klandestinë të viteve ‘90. Prapashtesa jonë e pashmangshme shpjeguese gjeografike (në çdo guidë turistike rreth Shqipërisë, nuk harrohet të përmendet se ajo është ai vendi i vogëlth, ngjitur me Italinë e famshme).
Në këtë marrdhënie të vjetër dhe të ndërlikuar, tradita historike është vetëm njëri përbërës i panoramës. Tjetri lidhet me natyrën a më saktë me karakterin tonë. Dhe teksa është e kuptueshme mënyra e të sjellurit të Italisë karshi nesh falë perceptimit global për të si një vend i madh e i pasur, por gjithsesi jo aq i fuqishëm dhe influent sa kolegët e vet të tryezës së të mëdhenjve, shqetësuese dhe tërësisht jashtë natyre, mbetet sjellja jonë, e shqiptarëve. Këtu bëhet fjalë jo thjesht për atë që do të duhej të ishte sjellja e popullit që krenohet se u bëri rezistencë të gjithëve nga romakët gjer te fashistët, atij të cilit Italia i ka ende borxh një apologji dhe shumë reparacione për agresionin e 1939-ës, ose atij që për 50 vjet komunizëm qëndronte përballë, misterioz, arrogant dhe kërcënues me bazat e veta të nëndetëseve të trashëguara nga Traktati i Varshavës. Këtu bëhet fjalë edhe për atë vetinë e natyrshme ekzistenciale të popullit të vogël që rrezikon të eklipsohet dhe përthithet brenda rrezatimit të të madhit. Ai mekanizëm proteksionizmi dhe vetëmbrojtjeje që shkrep vetvetiu sa herë që përqafimi plot dashuri i ca krahëve të fuqishëm, rrezikon të të lërë pa frymë. Por kjo nuk ndodh dhe Shqipëria i jepet vullnetarisht dhe plot gëzim këtij përqafimi ekonomiko-politik, për të cilin qysh sot shumë zëra thonë se në mos do ta mbysë atë përfare, do ta shndërrojë në një apendicit brenda aparatit tretës të Italisë.
Marrdhënia e kompleksuar e Shqipërisë kundrejt Italisë, është sigurisht e kushtëzuar nga pozitat e pabarabarta kryesisht të potencialit ekonomik. Por auto-fataliteti dhe ndjenja e nënshtrimit që Shqipëria politike tregon sot në marrdhënien me Italinë (sigurisht që jo vetëm me Italinë, por kryesisht me të), është përveçse një fakt elokuent rreth integritetit moral të klasës sonë përfaqësuese, por edhe një tregues sesa mbrapsht po shkojnë gjërat tek ne. Italia është sigurisht vendi që marrim për shembull. Ai me të cilin kemi marrdhëniet më të ngushta dhe të ngrohta. Një farë figure ilustruese a letër lakmusi për të demonstruar se për çfarë bëhet fjalë. Shqipëria është sot po aq e nënshtruar dhe inferiore ndaj Italisë, në mos më shumë, sesa në vitet e errëta 1990, në epokën e urisë, kolerës dhe skafeve. Nëse një vend nis ta kapërcejë orën e vet të ligë dhe i drejtohet me guxim dhe siguri mbrothtësisë, prosperitetit dhe begatisë, teorikisht do të duhej të merrnin fund frikërat e tij, komplekset e veta ndaj të mëdhenjve, do të duhej të mbërrinte vetësiguria dhe ndjenja e vasalitetit duhej t’i linte vendin dëshirës për partneritet. Por teksa kavalier Berluskoni përshkonte dje me galopin e vet triumfal bulevardin tiranas dizenjuar nga patriotët e tij të viteve ’30 por të pikësuar me rrokaqiejt e shekullit të ri, Shqipëria që ai shikonte përreth, ishte sigurisht, ajo e vjetra.

Gazeta "Korrieri", 3 dhjetor 2008