Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Tuesday, September 25, 2012

Dum-dum referendum



Të martën e 18 shtatorit pasdite, në mes të sallës së Kuvendit të Shqipërisë u krye një vrasje. Ekzekutorët ishin 130 deputetë ushtarë me 130 vota-plumbat e tyre. Urdhëruesit në prapaskenë, dy kryetarë partish që komandojnë në sinkronizim me njëri-tjetrin zjarrin e pushkatimit të armikut që qëndron me duar të lidhura përballë togës. 

Ky armik i dënuar me vdekje është vullneti qytetar. Një vullnet, të cilin me dredhi e kanë shtrënguar të shprehet me votime vetëm një herë në katër vjet, por edhe atëherë mundësisht sa më rrëmujshëm, sa më në vija të përgjithshme dhe sa më paqartësisht. Vini re sesi thuajse çdo vend nga ata që shqiptarët e marrin për model mirëqenieje, i drejtohet pa kurrfarë frike referendumit popullor. Kudo qytetarët e lirë të një vendi demokratik votojnë gati çdo javë për një temë të caktuar me qëllimin e vetëm: si ta bëjmë më legjitime demokracinë? Si ta bëjmë atë më përfaqësuese dhe qytetarët më pjesëmarrës në qeverisjen e tyre?

Nga ana tjetër, shikoni sesi përgjatë 22 viteve të fundit, shqiptarëve u është lejuar vetëm dy herë e vetëm in-extremis të votojnë në një referendum. Herën e parë për të vendosur formën e regjimit. Dhe herën e dytë për të votuar kushtetutën. Në çdo rast tjetër, referendumi në Shqipëri ka qenë – dhe vazhdon të jetë – një vijë e kuqe, e pakalueshme dhe e frikshme. Në çdo rast që qytetarët e kanë kërkuar këtë të drejtë përmes mbledhjes së 50 mijë firmave të kërkuara nga Kushtetuta, i kanë zmbrapsur pa shumë ceremoni. Opozita si rregull ka heshtur si bashkëfajtore në përpjekjen burracake të politikës shqiptare për të mbajtur ekskluzivitetin në çdo vendimmarrje të rëndësishme në vend.

Ajo që u leverdis dy forcave politike pa asnjë dallim, është mbajtja në fuqi e këtij varianti ekstrem, një lloj stalinizmi të kapitalizmit, që të dy palët kanë instaluar në Shqipëri. Duke e kufizuar dhe ngushtuar qëllimisht hapësirën e shprehjes së vullnetit qytetar në një ditë të vetme gjatë zgjedhjeve, ata janë në gjendje ta kontrollojnë, administrojnë dhe potencialisht edhe ta manipulojnë këtë vullnet. Historia jonë e re është plot me shembuj për këtë. Çfarë do të ndodhte nëse çdo vit do të ishte referendumi i qytetarëve ai që do të vendoste për mënyrën sesi duhet ndarë buxheti, apo se kush duhet të jetë prokurori i republikës, a kreu i aksh gjykate, a nëse duhen lejuar importe plehërash, a nëse duhet negociuar me Greqinë kufiri detar, e kështu me radhë? Çfarë pushteti do t’i mbetej qeverisë për të abuzuar? Çfarë justifikimi do t’i mbetej opozitës për të thënë se ajo kërkon drejtësi për shqiptarët, por ç’e do që s’e lënë?

E vërteta është se të dyja palët, bëjnë gjithçka për t’i mbajtur qytetarët sa më larg mundësisë për të shprehur mendimin e tyre në referendume a votime të tjera çfarëdo që janë jashtë sistemit elektoral të kontrolluar prej tyre. Gjithë përligjja që ato i bëjnë praktikave të tyre sunduese kur vijnë në pushtet, është marrja një herë në katër vjet në zgjedhje e të drejtës për të qeverisur vendin. Ato valëvisin si liçenca disa programe aspak politike, aspak të shtjelluara dhe aspak të qarta, të mbushura me retorikë boshe, fjalë të forta e pa asnjë kontent të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë, ato mund t’i lënë dorë të lirë vetes më pas të manipulojnë me besimin popullor duke përdorur justifikimin se për çdonjërën nga prapësitë që po bëjnë, janë votuar një herë, edhe pse e vërteta është ndryshe.

Politikanët e të dyja krahëve preferojnë që edhe kur janë në opozitë të mos e thërrasin për ndihmë gjykimin e popullit me referendum. Qëllimisht ata injorojnë duke e shndërruar në një tallje të vërtetë nenin 150 të kushtetutës që sanksionon se 1 e pesta e deputetëve mund të kërkojnë thirrjen e një referendumi. Ata janë gati të durojnë për 4 apo 8 vjet qëndrimin në opozitë, por ama kurrë të mos u mësojnë shqiptarëve rrugën sesi me anë të demokracisë direkte mund t’i japin qeverisjes së përditshme formën që ata duan. PS dëshiron më mirë të postojë mesazhe në twitter apo të ngrejë çadra serumesh në bulevard për të ruajtur protagonizmin e saj egoist sesa t’u delegojë shqiptarëve - të cilët ajo thotë se i përfaqëson - të drejtën për të vendosur për çdo çështje që ata e proklamojnë si me rëndësi jetike. Ajo zgjedh më mirë të luajë teatër sesa të kërkojë me vetëm 28 deputetë nga të sajët, që çështje të rëndësishme për të (si psh. ndryshimet kushtetuese për gjykatat), të hidhen për votim popullor me referendum. E çfarë pastaj se qeveria bllofon duke “kërcënuar” me hedhje në referendum për ligjin e imuniteteve? Çfarë e tremb “të majtën” shqiptare nga referendumi dhe e shtyn deri aty sa ta konsiderojë atë një shantazh duke iu dorëzuar çdo teke të mazhorancës?

Shikoni sesi deri edhe deputetë të shquar të PS-së s’e fshehin se sa gati janë që më mirë të pranojnë kufizimin e përfaqësimit të popullit sesa asgjësimin e imunitetit të vetes. Fatmir Xhafa fjala vjen, jurist, përfaqësues i lartë ligjor i opozitës “së majtë” thoshte hapur në mes të Kuvendit se sapo PD t’i bënte partisë së tij disa koncensione, ata do të uleshin së bashku për të shmangur një praktikë kaq të shtrenjtë siç është referendumi. Kështu pra, më 18 shtator, pasi e kishin përdorur referendumin si një gogol për të trembur e tallur njëri tjetrin, politikanët - siç xhanëm pritej - nuk e bënë gabimin që t’i lejonin shqiptarët të shprehen me anë të demokracisë direkte për temën e imuniteteve. Një temë, e cila u tha se do të ndryshonte jetën e të gjithëve. Por privimi i shqiptarëve nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në politikë është vetëm rezultati i një loje të gjatë të politikës me ta. Historia përsëritet dhe ja përshembull, katrahura e imuniteteve që mund të shërbejë si një ilustrim par-excellence, ka një zanafillë disi më të hershme.

Ashtu si edhe për raste të tjera analoge, a s’janë zhvilluar ngjarjet pak a shumë kështu? Më 12 korrik, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nënshkruajnë një armëpushim duke vendosur së bashku sesi do ta administrojnë militantët e tyre vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ujdi quhet si përherë me emrin kumbues: “reformë zgjedhore”. Ky s’është fare lajm pasi këtë ato e bëjnë në mënyrë periodike, në prag të çdo fushate elektorale. Me mjeshtëri ato paraprakisht kanë krijuar idenë se kodi zgjedhor në fuqi dhe Kushtetuta kanë probleme të rënda që po e na e mbysin demokracinë në shpërgënj. Më pas, sipas manualit, PS dhe PD aktrojnë për dy tre muaj, kinse nuk po gjejnë llafin me njëra tjetrën për ta riparuar këtë anomali të tmerrshme. Ato bombardojnë median me idenë se nëse nuk gjendet një zgjidhje atëherë kjo do të thotë shfarosje e qytetërimit njerëzor në trajtën që ne sot njohim. Në fund, pasi djegin dy tri drafte propozimesh e raunde negociatash që vetë i shpallin e vetë i shkelin, në limitin e fundit të një afati që e caktojnë po vetë, ulen në një mbledhje maratonë. Dhe gjithmonë aty, fap, ndodh mrekullia – mosmarrëveshjet zhduken sikur s’kanë ekzistuar, kodi ndryshohet dhe kushtetuta pëson shformimin e radhës.

E njëjta gjë ndodhi edhe më 12 korrik të këtij viti. PS dhe PD e ndryshuan prapë kodin zgjedhor dhe akti i komedisë ku ato shtiren sikur janë gati t’i shkulin rropullitë njëra tjetrës, u konsiderua që mbaroi. Megjithatë, duhej një artific për të përligjur idenë se këto dy forca politike mbeten armike të betuara me njëra tjetrën dhe se “lufta” gjithsesi, vazhdon. Ndaj u ngrit miti i imuniteteve. Dikush në PS dhe PD duhet të jetë shqyer gazit për dy muaj rresht duke parë edicionet e lajmeve, artikujt e gazetave e madje edhe opinionet e qytetarëve në rrugë rreth kësaj stuhie në gotë. Shqipëria u nda në dy kampe. Rufjanët propagandistë të partive, sa s’u asfiksuan duke u fryrë borive të apokalipsit nga faqet e shtypit. Ditët ishin të stuhishme si një kinematografi luftarake. Tymin e dekorit e garantonin pyjet që digjeshin. Në Kuvend zhvilloheshin seanca epike. Njerëzit mendonin se PS e PD për pak do të rroknin shpatat për t’u therrur me njëra tjetrën. Adrenalina e rivalitetit dukej se ishte kthyer prapë për t’i dehur të gjithë me shijen e saj.

Por ndërkohë, nga ana tjetër e perdes, askush as që e përmendte fare marrëveshjen e 12 korrikut ku dy “kundërshtarët” kishin pirë gjak ortakërie duke u bërë vëllam me njëri tjetrin. E ky cak final për të arritur perceptimin publik se “ata janë të ndryshëm” ishte në të vërtetë arsyeja e gjithë kësaj komedie të zhurmshme verore. Por ata nuk janë të ndryshëm. Pavarësisht çdo kundërshtie e divergjence, ata i bashkon konspiracioni i urrejtjes së qytetarëve. I bashkon etja për të sunduar pa shqetësime kurdoherë që t’u vijë radha. Ata i bën njësh grykësia për të mbretëruar pa lejuar askënd të hedhë sytë gjatë kohës kur marrin vendimet, kur shesin resurset e atdheut, kur emërojnë tarafet, kur shtrembërojnë ligjet, kur shpërdorojnë taksat dhe kur privilegjojnë të ngjashmit.

***

Teksa u mësua se të dy liderët e çetave partive politike kishin lënë vendin tri ditë më parë, në 21 shtator, për vizita të përkohëshme jashtë shtetit, Shqipëria kaloi pa u kuptuar një nga 24 orëshat e saj më normalë të tranzicionit. Konsultoni raportet policore: asnjë shqiptar nuk vrau ndonjë shqiptar tjetër të premten e fundit. Nuk u regjistrua asnjë konflikt. Asnjë plagosje. Asnjë grabitje. Asnjë pengmarrje. Asnjë aksident, e çuditërisht deri as edhe ndonjë bllokim trafiku.

Njëlloj si të ishte mbajtur një referendum me të cilin shqiptarët vendosnin deportimin e gjithë mjeshtrave të pushtetit, paqja e plotë mbizotëronte në rrugë dhe në ekranet televizive. Peizazhi u kompletua ndërkohë që u dha edhe lajmi se bashkë me dy përgjegjësit kryesorë për injektimin e tensionit konstant që ushtrohet mbi shqiptarët, jashtë territorit të vendit ndodheshin edhe presidenti i Republikës me kryetaren e Kuvendit (të gjithë me nga një justifikim për të shëtitur edhe pak me paratë e qytetarëve).

Kundrejt jetës që rrodhi normalisht e qetësisë që mbizotëroi paradoksalisht mbi gjithë qytetet dhe fshatrat e vendit vetëm për një ditë, ka një çelës tek ky shembull i vogël e i mirë që ndihmon të kalosh tinëz nga mjerimi i mendimit tek mendimi rreth mjerimit. Një fjalëkalim për të zbërthyer sesi Shqipëria ja që funksionon më mirë pa ta, sesa me ta brenda. Sesi politika aktuale nga çdo kah që ta shohësh, operon si një laborator anomalish. PS dhe PD, së bashku me dy njerëzit që lëvizin ingranazhet e tyre, mbajnë në punë mekanizmin e një inxhenierie që e moleps heshturazi ndërgjegjen sociale me një gjendje kushtrimi të përhershëm. Ata ushqejnë përditë pa u ndalur suksesin e mossuksesit shqiptar si një parakusht për t’u vetëproklamuar të dy si shansi i vetëm që gjërat të kenë kuptim në këtë vend. E megjithatë, të lodhur nga sundimi e manipulimi i dyanshëm, me të ndjerë qoftë edhe rastësisht, ajrin e lirisë që befas fryn në jetët e të gjithëve, shqiptarët… marrin frymë.
Sokol Shameti
Gazeta "Shqip" 25 shtator 2012

Monday, September 3, 2012

Pa binarë


S’ka një javë, në afërsi të stacionit hekurudhor të Tiranës, konsumohej një skenë e denjë për një akt teatri absurd. Capak dhjetëra persona, kryesisht adoleshentë, të shtrënguar rreth flamurit të një organizate të së djathtës nacionaliste, brohorisnin pa kuptuar asgjë, fjalimin e një përfaqësuesi të punëtorëve të hekurudhave.
Ky rast, si shumë të ngjashëm, është edhe një tjetër dëshmi për “peshkimin” e çështjeve që tradicionalisht përbëjnë tekstilin ideologjik të së majtës, nga ana e  grupimeve a organizatave të tjera që kurrfarë lidhjeje nuk kanë me të majtën. Ajo çka po ndodh, s’vjen si shkak i ndonjë aftësimi të papritur të këtyre grupimeve për të perceptuar shqetësimet publike që sot mundojnë shoqërinë në Shqipëri. Arsyeja pse herë pas here del dikush në rrugën e braktisur të interesave të të pambrojturve dhe të nëpërkëmburve të këtij vendi dhe flet në emër të tyre, është lënia e kauzës së majtë në mes të rrugës nga ata që duhej të ishin njerëzit që i dalin asaj për zot: të majtët institucionalë shqiptarë.
Më shumë sesa përvetësim i padrejtë i retorikës që pretendohet prej saj, kjo që po i ngjet Partisë Socialiste – si në rastin e çështjes së hekurudhave, ashtu edhe në dhjetëra raste të tjera – është thjesht plotësim nga të tjerët, i hapësirës publike të lënë bosh prej mospranisë së saj.
Shpesh ato që i rrëmbejnë bukën nga dora PS-së nuk janë as tamam forca të mirëfillta politike. Mes tyre gjen madje edhe organizata të përkohëshme të tipit ‘brigadë ndërtimi’ që s’kanë as ndonjë substrat ideologjik. Deri në fjalimet e qëndrimet politike që ato mbajnë ti mund të argëtohesh me inkoherencën e retorikës së tyre dhe fantazmën e mendimit të majtë që i përndjek pa armëpushim ngaqë, normal, i kanë shkelur territorin. Fare haptaz, mund të të rastisë të dëgjosh një sekretar të Aleancës Kuqezi që citon Antonio Gramsci-n si pikë reference në çështjen e konfliktit mes individualizmit dhe solidaritetit, ose teksa premton konfiskime masive te pronave të të pasurve në zonat rezidenciale dhe shpërndarjen e tyre për kompensimin e shtresave të dëmtuara nga sistemi i kaluar.
Të kthehemi tek tubimi nacional-hekurudhor; sigurisht që gjendja e sistemit të këtij shërbimi është aq e degraduar tashmë, saqë gjithçka që mund të propozosh për ndryshimin e tij s’ka asnjë shans ta përkeqësojë atë. Çështja është se, disa e marrin mundimin të paktën të ngrenë shqetësime e të mobilizojnë opinionin publik, qoftë edhe me një aksion modest. Disa të tjerë që e kanë edhe për mision politik, përkundrazi, jo.
“E kemi ngritur zërin për këtë çështje”, të thonë përfaqësuesit socialistë nëse i kritikon për mungesë veprimi në iks apo ypsilon problematikë shqetësuese për njerëzit. Në të vërtetë “ngritje zëri” ata quajnë larjen e duarve me ndonjë status të revoltuar në rrjetet-pezhishka robëruese sociale, ndonjë fjalim në mbledhjen e radhës të partisë, ja maksimumi ndonjë referat teatral midis gogësitjesh në Kuvend.
Me kaq është i kufizuar prej kohësh shërbimi i majtë opozitar për qytetarët në këto vite të qeverisjes së djathtë. Për standardin e vendosur prej tyre, kjo është ajo që quhet “mision i plotësuar” ose “detyrë e kryer”. Rrallë e tek, në trajtën e vet kulmore të revoltimit që ndjejnë të majtët për problemet e të majtëve, shfaqet ndonjë letër drejtuar kryeministrit (por gjithmonë për dijeni medias, e cila me këtë rast, ofron falas 5-minutësha fame). Përveç kësaj mase dembele asgjëje, nuk ka tjetër përpjekje për të ndryshuar diçka në terren.
Sa greva punëtorësh të sektorëve më shfrytëzues janë organizuar me thirrjen e PS? Llogaritë dalin keq. Si i ka mbështetur kjo parti “e majtë” iniciativat nga poshtë që kundërshtojnë abuzimin nga ana e korporatave si në rastin e depozitave të naftës në Fier apo pushtimet e nënstacioneve elektrike në disa zona të vendit? Kush duhet ta bëjë tjetër këtë punë përveçse opozitës (sidomos kur vetëreklamohet si e majtë)?
Mendimi pa veprim, ose veprimi pa mendim janë mjerisht mallkimi që ka pllakosur në këto vite të majtën shqiptare. Nuk ka mes saj njerëz që flasin me njerëz, por vetëm eprorë që urdhërojnë vartës. Nuk ka takime që synojnë diçka tjetër, veç të shërbejnë si dekor televiziv. Nuk ka propagandistë që grisin përunjësisht këpucë nëpër lagje të varfra e kalojnë orë me punëtorët dhe familjet e tyre. Nuk ka rini që shpërndan nëpër qytete, ndërmarrje e universitete, manifestet e aspiratave të saj politike. As makar materiale informuese, lexime, referenca nga bota e qytetëruar a dritë çfarëdo. Nuk ka nxitje të mobilizimit qytetar, solidaritetit vëllazëror a të vetëdijes së kërkesës publike. Nuk ka bashkëpunim të sinqertë me lëvizjen sindikale e as përpjekje për ta zgjuar, fuqizuar e mbështetur atë. Nuk ka frymëzim e as identifikim me kauzat e njerëzve që janë atje poshtë në pritje të një lidershipi përfaqësues.
Nuk ka, me ç’duket, as aftësi, e as interes për të ngacmuar çlirimin e energjisë opozitare përveçse kur bëhet fjalë për të shërbyer si numërorë topi atëherë kur jep urdhër kryetari. Flitet shumë për impotencën e së majtës sot në Shqipëri, por ky rast ashtu si shumë të tjerë më shumë se për defiçitin, dëshmon për defiçencën e saj.
Kjo defiçencë konsiston në paaftësinë për t’i bërë qeverisë një opozitë serioze. Në formën e saj aktuale ajo është provokacion i hapur ndaj atij që duhej të ishte opozitarizmi real në një vend me liri të shtypura. Sidomos, kjo e majtë zyrtare, është fajtore se e ka lënë vendin pa mundësinë e zgjedhjes midis dy të ndryshmeve karshi kundërshtares së vet politike. Për t’i qëndruar terminologjisë së hekurudhave, organizata politike që drejton sot lokomotivën përfaqësuese të së majtës, e ka nxjerrë këtë të fundit nga binarët e ideologjisë për ta vërvitur rrokapjekthi në fushën e huaj e kundërshtare të interesit rastësor.
Prej muajsh tashmë, shqiptarë të pashpresë e të lodhur nga keqqverisja e djathtë në pushtet, pyesin dhe ankohen për kritikën që një pjesë e shtypit dhe opinionistëve të pavarur i adresojnë opozitës. Shumë prej tyre duan dëshpërueshëm ta shohin këtë opozitë dhe drejtuesin e saj si shpresën e vetme për shpëtim ndaj e quajnë çdo prishje të vogël qetësie të tijën nga të pabindurit e shtypit, si një akt të pastër sabotimi të kurdisur në komplot me Saliun. Disa prej tyre janë aq të terrorizuar nga ideja e një shpimi peniciline në mollaqe saqë refuzojnë me këmbëngulje të besojnë se kritika ndaj mënyrës së deritanishme të opozitimit është një antibiotik i detyrueshëm vetëpastrues i së majtës. Një mision që ajo vetë duhet ta kryejë së brendshmi nëse kërkon me tërë mend të konfirmohet si një forcë që ngjall inspirime të cilat sot nuk i ka.
Për shumë shqiptarë të cilët sot ajo i ka kthyer kundër vetes dhe e shohin si një bashkëqeverisëse hije apo si kandidate të sigurt për të abuzuar nesër me pushtetin, kjo është mundësia e vetme sesi kjo opozitë mund t’i rifitojë ata sërish.
Në një sondazh të kryer ditët e fundit nga gazeta “Shqip” ku lexuesve u kërkohej të tregonin përkatësinë e tyre politike, ata që u deklaruan si “të majtë pa parti” apo “të pavarur” ishin afro 35% e pjesëmarrësve (20% pa parti, 15% të pavarur). Ata që identifikoheshin si “të majtë me PS”, rreth 19%. Vetëkuptohet që shumica e atyre të përfshirëve në përqindjen e të papërfaqësuarve, janë potencialisht vota që PS i ka humbur përfundimisht dhe duhet t’i harrojë.
Ky refuzim civil, tok me rezistencën intelektuale që ajo gjeneron në shtyp kundrejt alternativës përfaqësuese të së majtës në institucionet politike është i destinuar të mos ndalet. Presioni i tij do të sjellë të paktën hyrjen e detyrueshme në binarë të organizatave politike të majta përmes reformimit, rishpalljes dhe madje, rithemelimit të tyre. Në të kundërt, e gjithë kjo energji njerëzish të margjinalizuar e të lënë pa mundësi përfaqësimi politik, ka për ta gjetur rrugën e vet. Mbase me trenin e ndonjë linje tjetër.

SOKOL SHAMETI
Gazeta "Shqip", 3 shtator 2012

Wednesday, August 29, 2012

Opozitarizëm si mit, kolaboracionizëm si fakt


Shënim: Ky artikull ka për ta lënduar militantin besnik të partisë. Ndonjërin që ka arritur tashmë në stadin e dashnorit platonik e të pashpresë të liderit partiak, ky shkrim deri ka për ta sforcuar të provojë shanset në ndonjë intifadë gojore anonime (sikurse ngjau sporadikisht me një artikull të 21 gushtit, ku mëtohej të shpjegohej sesi qeveria e opozita shfaqeshin njëlloj të paskrupullta për të përfituar nga imagjinari ynë kolektiv karshi Europës).
Nuk ka lexim të pakompromentuar sikurse s’ka as mendim qindpërqind të pafajshëm. Gjithsesi qëllimi i parë i këtij artikulli është të kursejë vuajtjet për viktimat e lehta. Si të ruhet shëndeti i atyre skllevërve që skllavopronarin e vet e kanë institucion? Po ekuilibri i atyre që “s’e mbajnë dot presionin” e vënies së tij në dyshim?
Ndaj ashtu si në TV, ku në programet e sikletshme për moshat e njoma kujdesen lloj lloj tabelash alarmante për t’i mbajtur larg kontigjentet e syve vulnerabël, është mirë që edhe në rastin kontret t’i lihet vend i dukshëm një demarshi të këtillë paralajmërues. Thënë me dy fjalë: Ky artikull është një “program” për moshat përtej adoleshencës politike.

***
Adorno me Horkheimer-in hulumtojnë në veprën e tyre “Dialektika e iluminizmit”, marrdhënien problematike mes mitit dhe arsyes moderne të shkencës. Ata përshkruajnë se edhe pse kontradiktore me shkencën, mitologjia nuk duhet marrë për fare jo-shkencore. Pak a shumë bëhet fjalë për një oksimoron (harmoni e të kundërtave): mitologjia është fundja shkencë e mbetur në orvatje; ajo tenton rrugëdaljet e arsyes njerëzore për atë shkallë të zhvillimit ku ndodhet kjo arsye në momentin e fermentimit të miteve. Pas shekujsh, me gjasë, arsyetimi i sotshëm modern, për sa konkret dhe racional na duket, do të kumbojë po aq mitologjik sa edhe eposi i klasicizmit grek.
Në këtë artikull do ta ulim disi nivelin e diskursit, duke folur pikërisht për të kundërtën e këtij fenomeni. Do të mundohemi të hedhim një sy tek ajo sesi deri edhe ndonjë e vërtetë e pretenduar si e padiskutueshme në arsyetimin tonë aktual shoqëror - siç është teza e antagonizmit politik mes Ramës e Berishës - është realisht një mit banal. Një mit i vaditur kryesisht nga kapitullimi i ndërgjegjes sonë politike dhe vetë asaj çka ne quajmë “politikë”. Por ama, i mbjellë nga korruptimi i furnitorëve të opinionit publik me interpretime lajmesh të freskëta nga Olimpi.
Kur flasim për Ramën dhe Berishën si suplemente të njëri-tjetrit, kjo nuk është një sipërmarrje që kërkon ndonjë çarje transgresive të realitetit. Përkundrazi, është si një shëtitje disaminutëshe nëpër fëmijëri. Një rifrekuentim i përrallës së mbretit që parakalon pa rroba teksa gjithë nënshtetasit sabotojnë vullnetarisht lakuriqësinë e mesazhit që sytë e tyre i japin trurit. (Vini re sesi kjo shëmbëlltyrë merr trajektore interesante kur mbajmë parasysh se, për shembull, të dy personazhet tanë shqiptarë ndajnë një mirëkuptim vëllazëror për sektorin e veshur lehtë të plazhit, etj).
Ka njerëz këtu në Shqipëri që e konsiderojnë një ide subversive përpjesëtimin me njëri tjetrin në mëkat mes dy drejtuesve të organizatave më të popullarizuara politike në vend për këtë periudhë të historisë. Drama e çdo epoke qëndron jo tek mosleximi i shenjave të kohës, por tek leximi i gabuar i tyre. Duke refuzuar të pranojnë këtë realitet që manifestohet madje me brutalitet, për ta është më e domosdoshme ta gjejnë anomalinë jo te armiqësia e kundërshtarëve, por tek jo-miqësia e neutralëve. Këta të fundit, me “diversionin” e tyre vënë më shumë se kushdo në pikëpyetje vërtetësinë e mitit të papajtueshmërisë false Rama-Berisha e bashkë me të, edhe arsyen e ekzistencës së tyre të kombinuar. Shigjetat e mërisë synojnë kësisoj, kah atyre reaksionarëve që shprehin një indiferencë të barabartë injoruese ndaj këtyre dy palëve njëlloj të diskredituara.
Ky këndvështrim kategorik ndaj mundësisë së ngjashmërisë mes këtyre dy “armiqve” për jetë a vdekje (pra edhe të mundësisë së shfaqjes së Mesisë në personin e ndonjërit prej tyre), mbart në radhë të parë në vetvete një problem të paneglizhueshëm. Ai injoron kontekstin në të cilin zhvillohet në realitetin tonë njeriu politik.
Homo politicus-ët shqiptarë janë gjitarë të dënuar t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Ata rriten në një mjedis të ashpër që nuk të lë shumë alternativa. Të ngjitesh në karrierën politike të një vendi si Shqipëria është një sfidë që kërkon kompromise të forta. Sidomos morale. Ndër to, kryesorja është rënia dakord së brendshmi për faktin që ti s’vjen nga ndonjë shkollë tradite politike dhe që madje s’je fare politikan. Që ky është një profesion part-time për ty. Një lloj instrumenti muzikor i mësuar me veshë, i cili gjithmonë do ta mbajë të ndrydhur në vetvete kompleksin e sazexhiut cigan ambulant që s’e frekuentoi dot kurrë një konservator. Rama dhe Berisha, janë të dy, njerëz me po këtë handikap.
Dhe vërtet, nga të gjithë lëmenjtë e profesioneve, politika është në Shqipëri ajo më pak e furnizuara me profesionistë. Zakonisht profesionet që kanë në dorë peshën e fateve të panumërta njerëzore, kalojnë qëllimisht (kuptohet pse) nëpër një golgotë raskapitëse përgatitjesh teknike, seleksionimi akademik, specializimesh, leximesh e liçencimesh. Kështu, ndërkohë që pavarësisht problemeve në Shqipëri, mjekësinë e bëjnë mjekët, arkitekturën arkitektët dhe gazetarinë të paktën ish-studentët e letërsisë - politikën e bëjnë kalimtarë rastësorë.
Duke qenë të dy “handmade men”, politikanë “fai da te” (në një term tregtar të masivizuar në Shqipëri, mund të quheshin “politikanë bëje vetë, bëje mirë”) Sali Berisha dhe Edi Rama vijnë nga e njëjta origjinë koinçidence në politikë. Kjo i bën ata njëlloj kompleksivë e me ndjenjë faji kundrejt këtij profesioni që e ushtrojnë të dy pa liçencë. Dhe këtu qëndron një nga pikat kryesore që bashkon fatin e këtyre dy replikave.
Vija e demarkacionit mungon mes Ramës dhe Berishës edhe për shumicën e sjelljeve që e bëjnë një lider gjenuin të dallojë nga një spekullant ordiner. Me gjithë ekseset e veta, ata komportohen në thelb njëlloj nëse vendosen përballë të njëjtës situatë ku kërkohet të dalë në pah prej tyre altruizmi, largpamësia apo interesi i së tërës.
Fatkeqësisht, kërkesa politike në Shqipëri, ashtu emotive dhe njëkanatëshe siç është, nuk para e çan kokën për të analizuar në plan të gjerë panoramën që ka para syve. Nga ana tjetër, skuadriljet e opinionistëve në shtyp vazhdojnë prej vitesh të bombardojnë me propagandë ajrore popullsinë civile, duke i shitur mosmarrëveshjet dypalëshe Rama-Berisha për ndarje plaçke (të cilat vijnë si pasojë e karakteristikave që ata i kanë të përbashkëta) si të ishin beteja finale të ndarjes së dy botëve aliene.
Kjo bën që shumë shqiptarë të mendojnë realisht, se kulmi i politikës quhet debati nëse është më mirë që imunitetet të hiqen më 6 gusht, apo ndonjë ditë tjetër jo aq të nxehtë. Që ministër i brendshëm të jetë Flamur Noka apo të themi, në një të ardhme Ilir Beqja. Që votat t’i numërojë Arben Ristani apo Ilirian Celibashi. Pesë vota plus Rama, apo dhjetë vota plus Basha.
Se çfarë këndvështrimesh kanë liderët partiakë që udhëheqin me pasion debatet e zjarrta të mësipërme, në çështje që mund të ndikonin direkt në përmirësimin e jetës së njerëzve, për këtë nuk e vret mendjen njeri. Zaten, ato janë çështje që qëllimisht mbahen në një nivel debati ose të ulët, ose ekskluzivisht të ndërlikuar. Një lloj errësimi i detyruar, shtetrrethim informativ, brenda të cilit është mirë të mos hedhë sytë dyshues njeri sepse ose është e rrezikshme, ose është e panevojshme, ose është e parëndësishme.
Liderët politikë janë maska të njerëzve të tjerë, thotë filozofia politike. Ata janë pseudonime të interesave që përfaqësojnë. Duke qenë se si Rama si Berisha në thelb janë përfaqësues të shtresave të mesme e të pasura që janë përfituesit direktë të aksioneve të tyre politike, qëndrimet e tyre janë të kushtëzuara nga interesat që i mbështesin, financojnë dhe i mbrojnë ata në pushtet. Retorika e tyre në raport me masat e të varfërve (të cilët fatkeqësisht janë edhe shumica e elektoratit në partitë e tyre) është mbi të gjitha demagogjike dhe e udhëhequr nga improvizime të momentit sa për të fituar kredit të përkohshëm në garën se cili grup mbështetësish të pasur do të marrë në dorë frenat e qeverisjes së vendit.
Kështu, nuk ka ndarje midis PS dhe PD (lexo: Ramës dhe Berishës) në diskutimin nëse duhen privatizuar apo jo ndërmarrjet publike. Kundërshtitë mes tyre mbahen qëllimisht vetëm në nivele teknike, nëse privatizimet janë duke u kryer me procedura të ndershme apo privatizimi po dëmtohet nga korruptimi. Por, a i intereson qytetarit t’i shiten ndërmarrjet që mund t’i jepnin atij produkte më të lira e që njëkohësisht nëse do të menaxhoheshin mirë brenda ekonomisë së tregut, t’i jepnin edhe punë e dinjitet? Këtë Rama me Berishën as që e vënë fare në diskutim.
Nuk ka ndarje midis Ramës e Berishës as për mënyrën sesi shpërndahen të ardhurat e buxhetit. A duhet orientuar paraja e mbledhur me taksa, në drejtim të forcimit të sektorit publik, apo duhet vërtitur në mënyrë që të pikojë në formë “projektesh investimesh” në xhepat e kontraktorëve privatë, këtë s’e përmend njeri. PS nuk e ngre zërin pse paratë e shqiptarëve bëhen pagesa firmash që ndërtojnë përvit rrugë që ri-shkatërrohen tashmë me ritmikë muajsh, por për procedurat sesi këto pagesa shkojnë për këtë firmë fantazmë e jo për atë tjetrën.
Kështu, uniteti i heshtur sundon edhe kundrejt ofensivës së shëndetësisë private mbi atë universale. Unitet për ekzaltimin e arsimit shfrytëzues privat dhe degradimin e atij publik, për strehimin, për transportin e gjithçka tjetër. Mosmarrëveshjet e vetme, mbeten ato teknike dhe proceduriale dhe asnjëherë nuk diskutohet thelbi: I shërben apo jo qytetarit të varfër që ne të ndërmarrim këtë hap, apo që ne ta bëjmë këtë lëshim?
“Ne”-ja përfaqësuese e të varfërve mungon në vetëdijen e lidershipit të të dyja krahëve dhe provë për këtë, është ngadhnjimi i interesave të një “ne”-je tjetër, sa herë që duhet të ndërmerret një veprim, të miratohet një ligj, apo të kalojë një reformë. Është “ne”-ja e të pasurve.
Ky është opozitarizmi midis PS dhe PD sot. I shpjeguar me anë të një parabole që e kishte për zemër një ish-aktivist social, sot burokrat partiak: debati nuk është: a ta dënojmë interesin publik me vdekje apo jo. Debati është: a ta vrasim me injeksion intravenoz, apo ta djegim në karrige elektrike?
Në realitet, ndarja në çështje që përbëjnë themelin e diversitetit politik kudo në botën demokratike dhe që do të ishin shprehja e vërtetë e antagonizmit mes Ramës dhe Berishës, mungon tërësisht. Të dy liderët politikë duket se funksionojnë në një kolaboracionizëm të heshtur për t’i lënë njëri tjetrit trashëgim ekskluzivitetin mbi brejtjen e ngadaltë të vendit.
Ka studime tepër serioze që shtjellojnë sesi për të kuptuar sesa aspak qesharak është realisht Charlie Chaplin duhet kuptuar më parë Marksi, e para tij Hegeli, e para tij Adam Smithi, e para tij Descartes, e para tij Aristoteli, e para tij Platoni.
Është qesharake se sa boshe dhe pa sens është trajektorja që duhet të ndjekë mendimi i zgjedhësit shqiptar për të zbërthyer kuptimin e liderëve të vet fytyrëngrysur në politikë. Atyre s’u gjen dot asnjë referencë, as filozofi jete, as ideologji politike, as histori mendimi e as fare mendim. Aty ka vetëm moskokëçarje revoltuese dhe aspak seriozitet.
when idealism had a good name 
Gazeta "Shqip", 29 gusht 2012

Tuesday, August 21, 2012

Mbi rrezikun e jashtëm dhe bandën e hajdutëve fotografë

Lajmi më vendimtar politik i javës së fundit: mbyllja me sukses e pushimeve nga ATA të dy. Përmes një çelësi sekret nënkuptues, mbarimi i ekspeditave të tyre veruese i jep njëherësh fund edhe sezonit të pushimit të detyrueshëm në media.
Udhëheqësit iu kthyen punës, ndaj s’ka më sens të vazhdojë as fashitja e opinionbërjes as rënia e nivelit të saj. E kjo, ngase edhe komentariati (ndryshe: lumpenproletariati propagandistik) siç ndjek gjatë vitit të njëjtën kurbë humori dhe revoltimi të brendshëm me ventrilokët e vet në politikë, ashtu edhe kujdeset posaçërisht për të pasur të njëjtën orë biologjike me ta, për ca pauza të shëndetshme mirëmbajtjeje truri.
Harmonikë dhe kompatibël. Simon Berisha & Garfunkel Rama are back again. Pra, të gjithë mund të rivizitojnë idetë e vjetra aty ku i lanë. Entuziastët e mazhorancës që vazhdon e pashqetësuar projektin e saj për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj, mund të devijojnë vëmendjen drejt debatit për “kufizimin e imunitetit”. Ndërsa entuziastët e opozitës mund të revoltohen duke thënë: “A, jo. Ne jemi për kufizimin e imunitetit, plus një jastëk ortopedik falas”, duke synuar fshehtaz që kështu ta marrin ata në dorë timonin e projektit për demontimin e shtetit dhe shitjen e tij për skrap tek privati vendas e i huaj.
Në të dyja rastet, veç një mungese të lavdërueshme morali është e domosdoshme megjithatë edhe ndonjë lloj mase mbrojtëse psikologjike. Një fashë sanitare kundrejt irritimit a ndërgjegjësimit të papritur të atij ndaj të cilit do të ushtrohet ky pezullim morali: pra popullit. Lypset me një llaf, pakëz lubrifikant.
***
Nderin e veçantë të gomarllëkut më sublim të kohëve të fundit në botën e errët krimimale, e meritoi rasti i atyre që u bënë të njohur si “hajdutët fotografë”. Të përfshirë në plaçkitjen e një vile të pasurish, ata ranë në një aparat fotografik i cili u ndezi trillin teveqel të përjetësimit të vetes në poza triumfale mbi gjënë e huaj. Ku të veshur me petka luksoze e ku të krekosur mbi mobilje të shtrenjta, pak më vonë në konfuzionin e ikjes zotërinjtë hajdutë u kujdesën – për surprizën e detektivëve - ta harrojnë me sukses në shtëpinë e plaçkitur, aparatin fotografik. Tok me të, edhe provën shkatërrimtare të çdo alibie që mund t’u kishte shpëtuar ndoshta kokën.
Për pesëdhjetë a më shumë vjet me radhë gjatë periudhës socialiste, edhe shoqëria shqiptare kështu e ka “fotografuar” vetveten brenda banesës së kësaj ideologjie të huaj e të pamerituar prej saj. Fotografia ceremoniale nuk tregon thjesht atë që jemi, por përmes sforcimit të buzëqeshjes, qëndrimit a veshjeve më të bukura se ato të jetës sonë normale, ajo është në vetvete edhe një farsë.
Në rastin e shoqërisë shqiptare, kjo shëmbëlltyrë paraqiste perversitetin e ekzaltimit të atyre tipareve që e bënin atë të ishte pikërisht ajo që ishte (dhe vazhdon të jetë): një shoqëri e dominuar nga hipokrizia që këtej e quajnë inteligjencë, nga mungesa e disiplinës që shitet për vitalitet, intoleranca që përkthehet në pagabueshmëri dhe vrazhdësia që mban vendin kryesor nën siglën e një lloj trimërie të krisur.
Kjo sapere aude e shoqërisë ishte arsyeja e kohës, misioni epokal i natyrës. Por si çdo fotografi që merr kuptim vetëm nëse dikush jashtë nesh e konstaton atë, ashtu edhe vlerat e auto-pretenduara të shoqërisë shqiptare ishin një mall për konsum të jashtëm. Një panoramë piktoreske e asaj si shqiptarët duan të perceptohen. Qëllimi i saj është i drejtuar së jashtmi.
Në i vënçim veshin Kantit tek “Fillimi i hamendësuar i historisë njerëzore”, do të konstatojmë se “të këqiat më të mëdha që shtypin popujt e edukuar, vijnë nga lufta, por jo pikërisht nga lufta në zhvillim e sipër… sesa nga armatimi (pra ideja)…për luftën e mundshme”. Zaten asokohë, edhe ne thuheshim të rrethuar nga armiq të jashtëm e pikërisht këtyre armiqve u adresohet mirazhi ynë shoqëror.
Kanti argumenton se në kushtet e rrezikut konstant i cili jo gjithmonë përputhet me realitetin e që në shumë raste fabrikohet nga klasat sunduese, “liria cënohet fuqishëm” dhe “kujdesi prej nëne i shtetit për anëtarët e tij, shndërrohet në një ashpërsi të paepur kërkesash, megjithatë duke e justifikuar këtë me frikën prej një rreziku të jashtëm”. Një tren me destinacion komunizmin ikte vazhdimisht nga stacioni ynë dhe për të na bërë të rendnim për ta arritur në orar, armiku i jashtëm ishte përherë aty duke përgjuar pas ndonjë prite.
Koha xhanëm kërkon në çdo epokë sakrificat e veta në formën e një lloj haraçi të pashmangshëm për avancimin drejt progresit shoqëror. Kur armiku i jashtëm zhvleftësohet ngaqë ne zbulojmë ngjashmërinë tonë me të, atëherë shoqëria i vihet punës për krijimin e ndonjë forme të re armiku që të na bëjë të rimarrim marshimin.
Kështu kjo dogmë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në një format të përditësuar. I konstatuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme, “armiku i jashtëm” tani fshihet tek stadet e njëpasnjëshme e të pambarimta në rrugën drejt integrimit europian. Te kriteret. Lista me 12 pika e pyetësorit të BE-së. Kriza greke. Banka Europiane. Komisioneri i paepur (dhe gati gati cinik) për zgjerimin. Standardet europiane të mbikëqyrura nga ambasadorët e pakuptueshëm guru, që flasin duke mos thënë asgjë.
Ky destinacion i paarritshëm e pajis shoqërinë me një vetëdije në gjendje kushtrimi. Një formë gatishmërie numër një a gjendje lufte të përhershme e të ftohtë. Rreziku i jashtëm tani është një trajtë pasigurie vajzërore se “s’do të pëlqehemi” e si pasojë edhe s’do të pranohemi nga Europa. Një lloj paranoje problematike e ngjashme me ankthin sportiv të një skuadre që i kanoset skualifikimi. Rrezikojmë pra, të jemi të papreferueshëm.
Fatkeqësisht, pas kalimit nga etapa kur rrezikonim të mos meritonim trenin për komunizëm, ky rrezik i ri i jashtëm është edhe kërcënimi tjetër me anë të të cilit anullohen tani të drejtat dhe suspendohet demokracia nga ana e qeverisë. Privatizimet masive të pronës publike dhe shpenzimi i të ardhurave të tyre për majmjen e sektorit privat, kryhen nën retorikën e arritjes së standardeve europiane.
E njëjta logjikë qëndron prapa inferioritetit ndaj interesave të koorporatave shfrytëzuese shumëkombëshe apo subkontraktorëve të vet vendorë. Varfërimi i pandalshëm i masave është rezultat direkt ndaj edhe rreziku i pakënaqësisë popullore shfaqet në horizont. Kësisoj vjen miratimi arbitrar i legjislacionit që centralizon pushtetin apo rrit kontrollin e autoriteteve, i cili përligjet me qëllimin e sakrificave të dhimbshme por të domosdoshme në emër të integrimit. Po ky qëllim shërben si mesazh i nënkuptuar dhe i padiskutueshëm për klimën që ngushton dhe korrupton hapësirën e debatit, frymën kritike dhe mendimin progresiv.
Për shumë kohë, filozofitë politike i mundon pyetja se si shpjegohet ekzistenca e përhershme e një elektorati mbështetës ndaj qeverive abuzive. Kjo ndodh kur gjendja e jashtëzakonshme kthehet në një situatë të natyrshme e normale të shoqërisë e cila dorëzon armët, braktis rezistencën, ul kërkesat dhe i lë rrugë të lirë abuzimit të pashmangshëm me pushtetin në emër të një synimi madhor. Pajtimi me abuzimin bëhet akti vetëflijues nga ana e shoqërisë për të pranuar statuskuo-në dhe për ta legjitimuar atë me bindjen se qëllimi i justifikon mjetet. Një lloj LSD-je nën efektin e së cilës vetë viktima vajis gijotinën nën të cilën do të vendosë kryet.
Por përveç rrezikut të jashtëm që përdoret si energji për kalitjen e vetëpërmbajtjes shoqërore, në Shqipëri ky është gjithashtu edhe justifikimi për ç’demokratizimin e opozitës. Pakënaqësia se Shqipëria e qeverisur kështu do të jetë e papranueshme nga Europa, shërben si forca motorre që indinjon dhe mobilizon masat. “Nuk bën kështu – ankohen “të majtët” shqiptarë – qeveria po na le mbrapa e po na diskrediton në rrugën drejt integrimit”.
Sipas saj, ritmet depesonalizuese të shoqërisë shqiptare nuk janë ato të duhurat dhe kjo është arsyeja përse vendet mes pushtetit dhe opozitës duhen këmbyer. Rreziku i jashtëm që i kanoset Shqipërisë nëse nuk ndërron qeverisjen, shërben kësisoj si lënda djegëse që mban në lëvizje frymën kundërshtuese ndaj mënyrës sesi e bën detyrën qeveria. Sipas opozitës, ajo e bën keq dhe kjo anomali po lë përshtypje negative tek të huajt të cilëve duhet t’u reklamohemi si të pranueshëm. E gjithë kjo, e bën më të madh rrezikun e jashtëm që të mos i pëlqejmë Evropës, ndaj koha na thërret për sakrifica më të mëdha. Si për shembull, zëvendësimin e atyre që e kanë korruptuar sistemin kapitalist, me këta të tjerët që do ta bëjnë këtë sistem të funksionojë ashtu siç duhet.
Si përfundim mund të thuhet se edhe pse me shkak të brendshëm, pasojat e kësaj frike nga armiku i radhës, janë të drejtuara nga jashtë brenda. Ja pse Europa si utopi posthumaniste është edhe destinacioni i kartolinave nga “banda” jonë e “fotografëve”. Kjo forcë e mbinatyrshme policore (pra “armike” si çdo autoritet që pengon natyrshmërinë), kontrollon me lupë zmadhuese gjenuinitetin tonë të krekosur me petkat moderne me të cilat jemi vetë-fotografuar brenda shtëpisë tjetër të plaçkitur. Shtëpi, që kësaj radhe është ajo e demokracisë neoliberale.
(Gazeta "Shqip", 21 gusht 2012)