Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Saturday, January 22, 2011

Këmbanë zgjimi

Teksa dje pasdite një i ri i binte pa u ndalur “Këmbanës së Paqes” të varur në sheshin përpara Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, pak metra më tej po zhvillohej një skenë kuptimplotë. Qytetarë të zemëruar po i rezervonin një injorim të posaçëm si të shtënave që vinin nga kordonët e ngjeshur të policisë përpara kryeministrisë, ashtu edhe thirrjeve të dëshpëruara për qetësi nga ana e deputetëve socialistë. Makinave të shumta u ishte vënë flaka dhe pllakat prej guri të sheshit po shkuleshin për të organizuar një tjetër ofensivë drejt hyrjes brenda godinës totalitare të qeverisë.
Tingujt e asaj këmbane mund të shërbejnë si një sinjal për të dhënë mesazhe të rëndësishme në këto ditë tragjike për Shqipërinë. Lidershipi i opozitës më në fund u zgjua dhe e pa se ka dështuar që t’u imponojë qytetarëve kauzën e vet personale. Për këtë arsye ai u dorëzua dhe dje pamë sesi ai iu vu pas si një ndjekës i heshtur kauzës së qytetarëve. Një kauzë, që do të shohim më poshtë, krejt ndryshe nga llafollogjia shterpe e imponuar për muaj me radhë gjatë mpleksjes së pseudo-lëmshit politik, ka gjithë motivet dhe frymëzimet për të qenë radikale, e ashpër dhe dramatike.
Ajo që ndodhi dje pasdite në rrugët e Tiranës nuk mund të kalojë thjesht si një raportim i thatë gazetaresk pa iu nënshtruar një procesi skrupuloz analize nga të gjithë ne. Forcat politike gjithashtu nuk mund të lajnë duart përballë rrëkeve të gjakut të qytetarëve shqiptarë që vaditën qendrën e kryeqytetit, duke hedhur në unison mesazhe të trembura qetësuese e keqardhëse pasi katrahura tashmë është bërë e pakontrollueshme.
Momenti i kësaj përplasjeje të dhunshme mes qytetarëve dhe stabilimentit politik duhet të shërbejë si një moment reflektimi të thellë e të ftohtë. Si arritëm deri këtu? Le të jemi të sinqertë. Skenat e guerriljes urbane të pasuara nga brutaliteti policor që pamë të gjithë ditën e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ishin shkarkimi i stresit të ndonjë ngërçi politik siç i kanë rënë legenit këtu e gati dy vjet rresht përfaqësuesit e opozitës në Shqipëri. Ky ishte identikiti i një mërie të thellë. I një mërie që vjen për arsye jetike siç nuk mund të jetë pakënaqësia për atë mosmarrëveshjen e numërimit të votave mes PS-së dhe PD-së dhe dy deputetët që i dalin mangut opozitës. Nuk është këmbimi i një mbreti spathi me një mbret maç arsyeja që mund të shtynte qindra e mijëra qytetarë t’u vërsuleshin me atë akumulim vrulli forcave të rendit e duke marrë më pas edhe përgjigje të ekzagjeruara nga ato që i vendosën një çmim të përgjakshëm manifestimit të djeshëm.
Gjërat duhen quajtur me emrin e tyre të vërtetë. Ata që organizuan këtë protestë e dinë më mirë se kushdo këtë. Protesta e djeshme brenda dhunës në të cilën u pagëzua, ishte nga ato me një karakter gjeneralist kërkesash. Brenda tyre gjetën befas veten shumë njerëz të zemëruar në këtë vend. Më shumë se për njerëz thjesht të zemëruar dhe kaq, këtu bëhet fjalë për prindër të flakur nga puna, për pensionistë të shtyrë në margjinat e mbijetesës si dhe për të rinj të periferive të dëbuar nga shansi për një të ardhme të shkëlqyeshme si ajo që shohin në reklamat e televizorit apo billboard-et e bulevardit. Ndaj politika duhet të mbajë shënime se sa larg janë interesat e saj nga ato të qytetarëve.
Është pikërisht zhvlerësimi apo ashtu siç e quajti vetë kryetari socialist Rama, “defaktorizimi i opozitës” ai që ka çelur këtë faqe kaq frenetike të përballjes mes shoqërisë shqiptare me sistemin që mban në këmbë institucione bashkëvepruese me njëra tjetrën si qeverinë, policinë, opozitën, provokatorët fanatikë apo agjentët civilë.
Secili prej këtyre elementëve në përpjekjen e vet për të qëndruar në sipërfaqe, ka damkën e vet të fajit për atë që ndodhi dje. Njëra palë për instrumentalizimin e pakënaqësisë së njerëzve duke e hedhur mbi zjarrin e papërgjegjshmërisë qeveritare si një jorgan ku fle pleshti i krizës politike. Pala tjetër për benzinën pasionante dhe të shproporcionuar që i hodhi këtij zjarri. Ata që janë viktimat e vërteta që u ndodhën në mes të kësaj loje perverse, ishin vetë njerëzit, me arsyet e tyre të thjeshta e të qarta. Intensiteti i ngjarjeve të djeshme dëshmon më fort se gjithçka një të vërtetë të hidhur. Kriza në këtë vend, nuk është aspak politike. Ajo është dramatikisht sociale.
Shqiptarët e sotëm e kanë të gjatë listën e arsyeve për t’u revoltuar nëse ndodhen përpara një institucioni shtetëror. Nuk është manipulimi i votës ai që e bën një bashkëqytetarin tonë të shtrëngojë grushtat kur ndjehet i nëpërkëmbur apo shpresëhumbur përballë një të sotmeje të zymtë e një të ardhmeje pa perspektivë. Jemi në rreshtin e fundit të të ardhurave për frymë në kontinent, varfëria historike e këtij populli është një realitet gërryes për shumë e shumë familje në ditët ku jetojmë. Është thënë shpesh, por duhet përsëritur, nëse nuk e besoni dilni e shikoni sesi jetohet jashtë perimetrit të unazës së Tiranës. Interesat e korporatave të huaja nuk lejojnë zhvillimin e asnjë aktiviteti prodhimi industrial vendas ndaj të rinjtë shqiptarë i nënshtrohen papunësisë, keqedukimit e disa edhe huliganizmit. Ndërkohë paratë që mblidhen me taksa shkojnë në një përqindje të lartë në xhepat e burokracisë së korruptuar, shërbimet publike janë në një kuotë vdekjeje, lagjet ku jetojnë shumica e shqiptarëve u përngjajnë kolonive të termiteve në mbivendosjen e tyre kriminale pa lënë hapësirë për një jetë normale, si në ekranizimet kinematografike të favelave braziliane.
Nuk mund të themi se fajtore për këtë situatë që ka arritur pikën e tejngopjes, është një qeveri e vetme. Trupat tona qeverisëse prej vitesh vazhdojnë të pashqetësuara të çimentojnë themelet e një sistemi anti-social që mundëson mbërritjen deri në ekstrem të kësaj gjendjeje që është rezultati i ditur nga vendosja në punë e neoliberalizmit ekonomik. Tifoze e këtij sistemi mjerues ishte deri dje edhe vetë “e majta” shqiptare.
Njerëzit ndodhen brenda një flluske në fryrje e sipër të pakënaqësisë sociale. Dje, ajo flluskë plasi. Unë isha dje në rrugët e Tiranës gjatë orëve të përleshjes, fola me pjesëmarrës në protestë dhe askush prej tyre, edhe ata më të irrituarit nuk sillnin si arsye të pranisë së tyre në manifestim pakënaqësinë nga ndonjë anomali konjukturale politike. Përkundrazi, papunësia, varfëria, shtrenjtimi i përgjithshëm i çmimeve dhe padrejtësi të ndryshme sociale që ndikonin direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve ishin ato që i bënin shumë prej tyre të godisnin dhunshëm me gurë ndaj trupave të institucioneve represive të shtetit.
Më pas turma degradoi ashtu si edhe përgjigja e policisë e cila veproi edhe ajo si një turmë me kërbaç në dorë. Psikologjia e turmës pa kontroll është dhuna dhe dje e pamë me sytë tanë vërtetimin fatkeq të kësaj që ndodhi. Opozita shërbeu thjesht si një ndërmjetësuese logjistike e kësaj drame pa skenar. Ajo nuk mund të ngrohë tanimë duart në zjarrin që ndezi vetë. Lypset që më në fund njerëzve t’u thuhet e vërteta ashtu siç ata duan ta dëgjojnë. Jo këmbimi i një qeverie të korruptuar për shkak të sistemit - me një tjetër qeveri që do të përfundojë po e zhytur në korrupsion për shkak të mbrapshtisë endemike që ia mundëson asaj këtë. Ajo që duhet është një korrektim i fortë dhe rrënjësor i mënyrës sesi kemi ndërtuar jetën në këtë vend. Taksa të rënda për ata që inkurajojnë tregtimin e produkteve të huaja duke frenuar kësisoj prodhimin tek ne duke na çuar pastaj në dramat sociale me të cilat ajo shoqërohet. Inkurajim me subvencione të posaçme ndaj atyre që punësojnë shqiptarët dhe që ndihmojnë në çrrënjosjen e sëmundjes më të rëndë, krimit më të egër, vuajtjes më tragjike që kanë sot njerëzit e këtij vendi: varfërisë. Drejtësi sociale, punë për të gjithë. Më shumë se hartime me emra të përveçëm dhe metafora mediatike, njerëzit presin të dëgjojnë pikërisht këtë nga ata që predikojnë ndryshimin. Dhe ndoshta atëherë do të kujtojmë se e premtja e përgjakshme e këtij janari, do të jetë vetëm një datë për t’u kujtuar me nderim.

Sokol Shameti
Gazeta “Shqip” 22 janar 2011

No comments:

Post a Comment