Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Monday, January 21, 2013

Ikja prej televizionit

Nga Sokol Shameti

Gjenden ende njerëz që mendojnë se shoqëritë njerëzore e përmbajnë brenda natyrës së vet prirjen për auto-emancipim: sot jemi më të avancuar se dje; nesër do të jemi shumë më përpara shoqërisht, se sot. Ky pohim evokon fatkeqësisht një ftesë paralizuese. Një strukturë mendore që të zhvesh nga pjesëmarrja dhe të redukton në pësues. Një ftesë për të hequr dorë nga nxitja drejt përparimit dhe për ta lënë gjithçka në kompetencën e një agjencie supreme; diçkaje të pakontrollueshme siç është vetë koha apo karakteri i shoqërisë njerëzore.

Si një nga mrrokllat më të festuara në nxitjen e progresit të njeriut, televizioni dallon në këtë debat si parja e kuqe poetike mes një sfondi të mërzitshëm gri proze administrative. Televizioni është kopertina, rrufepritësja më e lartë, ajo që bie më tepër në sy; krejt si një aktor i pajtuar për të mbajtur një monolog dy orësh në një skenë, ai është pa rrugëdalje në fokusin e shikimit të të gjithëve. Por mbase edhe jo krejt padrejtësisht.

Dhe është e udhës të hiqet një verejtje e shkurtër historike këtu. A është televizioni që shohim sot, në lartësinë e misionit të tij emancipues sikundër ishte në vitet e rinisë së tij prej rockstari të zhvillimit, kampioni të çlirimit të mendjes, dhe Elvisi të good taste-it (për ta përshkruar përmes një figure mitike që u mundësua gjithsej prej vetë televizionit)? A është shëndeti i tij i painfektuar nga sëmundje vrasëse të sistemit të sotëm konsumist që josh kah paradoksi hedonistik dhe uniformizimi i të jetuarit?

Fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet më dhe tashmë loja e televizionit me teleshikuesin ka hyrë në dekadën e saj të dytë të një gjuetie të ndërsjelltë. Skena është e hapur për sytë dhe interpretimin e të gjithëve: mund të konstatojmë sesi teleshikuesi sa vjen e bëhet më absurd në kërkesat e veta përherë e më të paqarta ndaj tezgës televizive, ndërsa vetë televizioni i alarmuar përgjigjet duke eksperimentuar forma novatore përmes së cilave mungesa e gjësë brenda tezgës justifikohet me numrin e madh të tezgave apo shumëngjyrësinë e tyre.

Nuk është e paktë literatura që përshkruan robërinë e shoqërisë së sotme nën magjinë pushtuese të ekranëve xixëllues që siç i përshkruan Ervin Hatibi, janë vatrat moderne pa zjarr dhe tym të çdo shtëpie që kanë zëvendësuar vatrat e dikurshme rreth prushit të të cilave mblidhej gjithë familja në një ritual të përnatshëm nderimi. Ndërkaq është i paktë, pothuaj i pa pranishëm, sinjalizimi i televizionit si një skllav i imagjinatës përherë e më perverse të vetë shoqërisë së cilës i shërben. Të një shoqërie që funksionon në disa kushte sociale që ia zvetënojnë asaj karakterin duke e shtyrë drejt perversionit të pandalshëm, duke e kthyer kësisoj në një fëmijë të prapë, të pakënaqur e sidomos, të pakënaqshëm.

Një vështrim mbi ekranë. Kaq mjafton dhe mund të hetohet sesi përfundimisht, në këtë epokë historike, njerëzimi mund të thuhet pa frikë se e ka humbur shpatën e vet, kurën shëruese në formën e një televizioni të madh, përndritës dhe plotësues. Në vend të tij është televizioni që djersitet të ngjajë i denjë, të plotësojë rolin e tij, të bëjë figurë të mirë.

Por kjo disfatë ka ardhur sepse televizioni ka humbur koracën e vet, në formën e një shikuesi kritik, të qartë dhe të artikuluar në kërkesën e vet ndaj televizionit. Njeriu i ditëve tona është i paqetë, i frustruar dhe i papërqendruar. Televizioni i tij përmbledh të njëjtat epitete. Një marrdhënie psikiatrike torture reciproke. Në një referencë religjoze, sikurse Zoti krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, në rastin e televizionit kemi një “zot” të deformuar sipas shëmbëlltyrës së njeriut të sotëm.

***
Çfarë po ndodh me televizionin nuk është fare larg asaj që po ndodh me vetë audiencën e tij në jetën “jashtë” marrdhënies me televizionin. Teleshikuesi është në një proces transformues që po e shndërron nga një prodhues të specializuar e të domosdoshëm, në një qënie të vënë në pikëpyetje dhe pa themele solide përballë një ekonomie globale vazhdimisht në shndërrim. Edhe televizioni po reagon njëlloj. Edhe ai është tashmë i vënë në pikëpyetje dhe i konkurruar. Në një shtyrje më ekstreme, ai deri orvatet të ngjajë me konkurrentët e vet duke rezultuar në shembëlltyra transgresive herë të aparatit DVD, herë të televizorit pay per view të hotelit luksoz, e herë të deri vetë internetit.

Publiku po thërrmijëzohet në miliona e miliarda njësi ku joshja për uniformitet përjetohet në mënyrë individuale? Idem edhe televizioni që furnizon këtë lloj publiku. Ai po platformizohet njëkohësisht duke u atomizuar në specialitete e disiplina të ndara: një kanal vetëm për muzikën, një për lajme, një për sport, një kanal vetëm për aventurë, një tjetër vetëm për seks.

Njeriu i erës së re televizive shfaqet më i dobët cilësisht në edukim, nivel kulturor dhe uniteti social? E njëjta gjë me televizionin që krahasuar me vetëm pak dekada më parë, ofron gjithashtu produkte e personazhe cilësisht më defektive në bagazhin e vet edukues, kulturor apo frymëzues.

Karakteri josfidues i televizionit po përftohet si pjesë e denatyrimit të gjithçkaje në epokën ku jetojmë. Kërkesa për diçka radikalisht të ndryshme në kontent, ka shkaktuar një ofertë të boshatisur nga përmbajtja. Mjafton të shohim përreth dhe ajo që do të dallojmë nuk ndodh vetëm me televizionin: jetojmë në kohëra kur çmohet më shtrenjtë kafja e dekafeinuar, birra e dealkoolizuar, sheqeri i desheqerizuar dhe deri riprodhimi i defertilizuar.

Televizioni i një gjenerate është vitrina e saj. Ne s’jemi gjë tjetër veçse historia që i tregojmë vetes rreth vetes. Realisht, një akt auto-sabotazhi për të shënjuar pozicionin tonë social. Narrativë personale në trajtë ideologjie të pastër për konsum të brendshëm. Televizioni që shohim është ndërkaq mjeti difuziv i kësaj ideologjie sonës të ushtruar ndaj po nesh. Një propagandë e re, që na gërryen gjatë kohës kur ne s’jemi të ndërgjegjshëm rreth saj, për të na kthyer në kompatibël brenda këtij sistemi ku tregtohet asgjëja.

Shqetësimi është i pranishëm dhe shumë sensorë e kanë kapur prej kohësh. E konstaton edhe Ardian Vehbiu në artikullin “Efekti televiziv” të 19 nëntorit 2010: “Çuditërisht, televizioni i sotëm në Shqipëri po ndihmon për të rikrijuar një botë të mbyllur, të dominuar nga imazhi i kërthizës – kërthizës së botës, që është bërë tashmë Shqipëria virtuale e mediumit televiziv, dhe kërthizave të vetes, që shohin në ekranin-pasqyrë protagonistët e hiçit”. Dhe më tej: “…televizioni i sotëm shqiptar, me gjithë pluralitetin fals të materialit që ofron, po vjen duke e thelluar konsumin vetë-referencial nga publiku në përgjithësi dhe qytetarët në veçanti. Ndërsa elitat vështrojnë veten në ekranet, publiku tjetër zbavitet me reality shows, të cilat ushqejnë iluzionin se kushdo mund të ngjitet në majë të piramidës”.

Televizioni si qark i mbyllur, në një karusel personazhesh të selektuara nga kërkesa për të përfaqësuar të panevojshmen, boshen, të kotën, është megjithatë vetëm njëra anë e medaljes; thjesht përkufizimi gjenerik i asaj çka ofron si kontent kutia dikur e vogël dhe e mirë që tashmë edhe vizualisht është shndërruar në një pllakë pa volum. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Slavoj Zizek nënvizon deri praninë dërrmuese të karaktereve sociopatike midis heronjve më të duartrokitur të serialëve televizivë. “Këta pacientë patologjikë, janë kudo. Nga përbindësha gangsterë si Tony Soprano-ja, serial-killerë si Dexter-i, antiterroristë torturues si Jack Bauer-i e deri tek etër të dështuar dhe primitivë si Homer Simpson-i”. Të mos i hyjmë me themel përvojës shqiptare dhe “serialëve” tanë televizivë në trajtuar në formë superprodhimi lajmesh nga bota e kriminalitetit: s’është e vështirë të krijosh një hitparade të bollshëm sociopatësh nga who’s who’s-i i katalogut tonë të gangsterëve, vrasësve e hajdutëve të pranuar si pika reference e të turlilloj gomerëve të katapultuar pa asnjë seleksion, pa asnjë kontroll, pa asnjë frenim bash mu në pjatën e atyre që hanë bukën e përnatshme televizive.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për këtë dominancë modelesh asgjësuese të ngritur në lartësinë e emulacionit televiziv, përveç kalbëzimit të stofit tonë social në një teleologji makabriteti politik; një shoqëri e cila ka nevojë për sociopatët në mënyrë që të funksionojë normalisht në eskatologjinë e saj. Rregullat e shoqërisë duhet të dhunohen si një mënyrë e vetme për të shpëtuar përfundimisht vetë shoqërinë.

***

A po emigrojnë ndërkohë njerëzit larg prej televizionit? Shifrat janë kontradiktore, por edhe domethënëse: Në një javë një amerikan shikon rreth 28 orë televizion dhe bisedon 38 minuta me fëmijët e tij. Nëse një banor i tokës ka televizor në shtëpi ai e ndez atë mesatarisht 7 ditë në javë. Çdo fëmijë, përpara se të arrijë moshën shkollore ka parë tashmë të kryhen rreth 8000 vrasje në televizor. Rreth 75% e prindërve thonë se fëmijët e tyre shohin më shumë televizion se ç’duhet. Etj, etj.

Njerëzit ndërkohë, si sardelet prej dritës, thuhet se tërhiqen prej territoreve me përqendrim të lartë parash. Për herë të parë në histori, shpenzimet e sektorit të reklamave në internet kapërcyen televizionin në një ekonomi kryesore si ajo britanikja në vitin 2009. Prej atëherë prirja nuk ka ndryshuar. Çdo akt refuzimi, siç dihet, është nga pak edhe një shenjë e dërguar nga e ardhmja.

Televizioni që bota e sotme mban si pasqyrë përballë vetes, sikurse diskutohet në debatet më të mëdha intelektuale në Perëndim, rrezaton ekzistencën e një krize të fortë strukturore të sistemit kapitalist në të cilin funksionon kjo shoqëri. Që shoqëria kapitaliste e konsumit të funksionojë ka nevojë për dy kategori njerëzish. E para është kategoria e të inkuadruarve në sistemin e pagës (ti ke një punë përmes së cilës ti prodhon diçka më shumë sesa vlera me të cilën paguhesh). E dyta është kategoria e armatës së përhershme kërcënuese të kësaj kategorie (njerëz të lënë në mënyrë të përkohëshme jashtë sistemit të pagës, të cilët shërbejnë si një revolver i përhershëm në ndërgjegjen e kategorisë së parë).

Ky lloj sistemi në sofistikimin e tij për të mbajtur përherë në tension kategorinë e robërve të pagës, ka krijuar një varietet edhe më perfekt të kategorisë së dytë të të papunësuarve. Ky është varieteti i njerëzve të papunësueshëm. Ata janë fabrikuar që në gjenezë për të qenë jashtë sistemit të prodhimit. Jo thjesht “intelektualët” e dikurshëm, apo artistët, letrarët, politologët e filozofët. Sistemi superprodhon stoqe të rënda juristësh, ekonomistësh, menaxherësh, modelësh gjithëfarësoj. Askush prej tyre nuk di sesi gatuhet një bukë. Shumë prej tyre janë madje të ndërgjegjshëm që në vitet e shkollës, se punësimi i tyre do të jetë një fantazmë që do t’i përndjekë gjer në vdekje.

Televizioni ofron sot justifikimin për ekzistencën e kësaj kategorie. Në televizion, njerëzit e shkëputur nga puna janë në shtëpinë e vet. Televizioni sot është një nga elementët që mundohet të legalizojë në mënyrë kontrabandë pseudo-normalitetin e situatës. Përmes tij kryhet sot lartësimi i shoqërisë së punës absente dhe inkurajimi i njeriut që s’punon.

Jo rastësisht, sot është zakonshme të gjesh të portretizuar në televizion deri vrasësin, sociopatin, boshin dhe vanitozin. Ndërkohë është një nga fenomenet më të rralla të hasësh në televizionin e sotëm gjurmët e njeriut punues, atij prodhues, apo edhe thjesht referenca të një pune prodhuese që është në kryerje e sipër. Puna si proces është e padukshme në ekran, duke bërë që edhe në realitet ajo të mos ngjajë e domosdoshme.

Për botën e spektaklit, ç’të thuash? Në serialë dhe realizime të tjera të inskenuara televizive, personazhet duket sikur jetojnë me frymën e shenjtë. Femrat përherë të indinjuara të “Sex and the city” apo adoleshentët inoksidabël të “Friends” do të marrin nëpër gojë gjithçka që mund të prodhojë fantazia e njeriut, por kurrë shqetësimin se nga do të burojnë të ardhurat për të bërë atë lloj jete që ua kanë zili njerëzit që i shohin.

Personazhet e televizionit nuk punojnë. Ata thjesht jetojnë. Mirë ose keq. Ajo që mungon në këtë fotografi familjare është dimensioni i tyre ordiner; amputimi i procesit prodhues nga historia e tyre, ose kalimi i saj në një rol episodik krejt në funksion të argëtimit që propagandohet si gjendja natyrore e njeriut të sotëm edhe në specialitete televizive si reality show-s ku pjesëmarrësit thjesht vegjetojnë. Përmes shembullit të tyre ata ofrojnë sugjerimin që askush të mos e shohë tek puna a mungesa e saj, burimin e mirëqenies apo problemeve të tij. Duke na ndërhyrë kështu pa u ndier në strukturën tonë mendore e duke e bërë të logjikshëm këtë nonsens, televizioni na ushqen ngadalë me të vetmin ushqim që sistemi ynë shoqëror mund të prodhojë: kontentin e zbrazët ku ideologjia vjen e maskuar si zgjedhje personale.

Revista “AKT”
Vjeshtë-dimër 2012-2013

No comments:

Post a Comment