Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Monday, March 31, 2014

Kur pushteti bën vetëvrasje



Dita e 1 prillit për Shqipërinë shënon ironikisht një nga momentet e kontaktit më të afërt me sinqeritetin në politikë. Të dy kahjet angazhohen vetë apo përmes veglave të veta në parodizimin e tjetrit apo ridikulizimin e kundërshtarit. E gjithë kjo, shpesh përmes gjetjesh kreative që dëshmojnë praninë e trurit brenda kokave, shumicën e kohës boshe, mbi supet e politikanëve. Me pak fjalë, për 1 prill, politikanët shqiptarë vërtet prodhojnë diçka që ngjan me politikën si akt kritik dhe ofertë alternativash.
Por nga ana tjetër, e gjithë kjo situatë na dëften për një mjerim të pashoq në produktin e sotëm politik që u ofrohet shqiptarëve. Teksa gradualisht po i afrohemi qershorit që shënjon njëvjetorin e ndërrimit të të ndënjurave në pushtet, vendi po përballet nga njëra anë me një qeverisje të paaftë të qeverisë siç premtoi dhe nga ana tjetër me një opozitë të paaftë të bëjë opozitë siç do të ishte e udhës. Arsyeja e këtij ngërçi është në radhë të parë rezultat i një anomalie ideologjike. Të dyja partitë që duhet të shërbejnë si kundërbalancë e njëra-tjetrës, jo vetëm që përbëhen teorikisht nga i njëjti stof, siç ishte paralajmëruar më herët gjatë fushatës nga kritikët, por edhe praktikisht ato s’dinë të gatuajnë veçse receta të ndryshme të së njëjtës çorbë. E gjithë kjo situatë psikotike, na ofron përballë imazhin e një sistemi vetëshkatërrues që ka ezauruar tashmë gjithë rezervën e tij të energjisë, duke hyrë në fazën finale. Atë më qesharaken.
Ja fjala vjen: PD e ka të pamundur të bëjë opozitë dinjitoze sot dhe të kritikojë PS-në për punësimet militante në administratë apo arbitraritetin e shkarkimeve të nëpunësve. PS mund t’i përgjigjet duke i thënë se ajo thjesht po përsërit të njëjtën përvojë që vetë PD çimentoi gjatë qeverisjes së saj nga 2005 deri qershorin e fundit. Si përfundim, PS mund të vazhdojë të rrëmihë qetësisht themelet e administratës publike, pa pasur frikë se dikush mund të ketë fytyrë t’i thotë “mjaft”. Ata që e pësojnë këtu janë shqiptarët dhe shpresa e tyre që një ditë mund të kenë edhe ata një sektor publik të fortifikuar përballë militantizmit.
Gjithashtu, tonalitetet e zërit me të cilat PD mund të ankohet se qeveria po kërkon të shtijë në dorë shërbimin informativ, janë fëminore. A s’është ajo një parti e cila gjatë 8 vjeçarit të fundit në pushtet nuk reshti një moment së orvaturi për të bërë të njëjtën gjë me pretekste po aq absurde sa edhe ato të Saimir Tahirit sot? Është shumë e vështirë për të, që të ketë kurajon t’i shohë në sy shqiptarët e t’u thotë se vërtet po kërkon të mbrojë interesin e tyre për të pasur institucione të balancuara përballë oreksit gllabërues të pushtetit. Do të ishte thjesht një hipokrizi. Hipokrizi edhe pa të cilën PS po bën sot pikërisht atë që kishte kritikuar dje.
Por situata është surreale jo vetëm për këto dy çështje. Është e pamundur që sot të dëgjosh në Kuvend kritikë serioze nga opozita ndaj mazhorancës për çështje si për shembull: sakrifikimi i interesave publike dhe klientelizmi ekonomik privat, apo për ndjenjën e inferioritetit diplomatik përballë arrogancës së fqinjëve. Në të gjitha rastet, PS mund të përgjigjej duke pyetur me ironi: “si thatë?”. Pastaj ajo mund të shpluhuroste fët e fët albumin e kujtimeve nga koncesionet në favor të fazlliçëve që nëse ishin të preferuar dje, pse të mos jenë të tillë edhe sot; apo për marrëveshjet detare me Greqinë që dje u çuan deri në një pikë ndaj pse të mos shkojnë sot pak më tej, etj.
Po kështu, PD-ja s’mund të merret dot seriozisht kur kritikon qeverinë se po ofron thjesht një spektakël televiziv inaugurimesh dhe restaurimesh zyrash. Kjo është gjë që s’bëhet teksa ende qarkullojnë hijet e Berishës me gërshërë në dorë që pret çdo shirit rruge apo rrugice të vjetër a të re, për së gjati a për së gjeri e duke gjurmuar si lunatik çdo objektiv kamere televizive me të njëjtën babëzi si Rama a Veliaj sot. S’mund të qeshësh ende me të madhe sot kur PD tregon bëmat karikatureske të Endri Fugës në oborrin qeveritar pink, kur ende është i freskët kujtimi emblematik i alter-egos së tij, Mul Nokës brenda pallatit blu. Nuk mund të ruajë seriozitetin deri në fund PD-ja që ankohet për Ramën që derdh të shara në Kuvend, kur Berisha dhe Topalli janë ende në të njëjtën sallë që mban në memorien e saj sentenca më të ububushme se “karrota” e Ramës.
I gjithë ky bagazh faji dhe kusuresh ia pamundëson sot PD-së titullin e një opozite serioze duke e shndërruar atë në një rast kronik impotence strukturore që e pengon ta çojë gjer në fund çdo lloj argumenti kritik. Ajo ka dezertuar nga territori i të bërit opozitë konkrete. Koordinata e saj gjendet tashmë e vetë-deportuar në zonën epike të njësimit të mazhorancës me komunizmin romantik të shekullit të shkuar a më herët akoma – aty ku s’ka fare asnjë mundësi serioze debati.
Nga ana e vet, përballë këtij boshllëku diskursi, socialistët e Ramës kanë pasur mendjelehtësinë ta harxhojnë me nxitim dhe grykësi gjithë ç’ishte për t’u harxhuar nga demonizimi frenetik i individit, në këtë rast, Berishës. Për ta, nëse Berisha s’do të ekzistonte, ai do të duhej të ishte shpikur me çdo kusht. Berisha i vjetër e mistrec është heroi kryesor në një mitologji ku personazhi i përbindëshit përmbledh me një emër të vetëm gjithë atë varg prapësirash që do të duheshin shumë aftësi artikulative për t’i shpjeguar.
Por, idolatria nostalgjike e socialistëve për Berishën ofron jo vetëm një justifikim për dështimin por edhe pretekst për teprimin, çuarjen në ekstrem të berishizmit si metodë qeverisjeje. Kjo po bëhet e lodhshme për popullin. Njerëzit KONKRETISHT nuk mund të ushqehen më me krahasime nga një e shkuar paradoksalisht po aq e zymtë se e tashmja. Dhe lidershipi socialist po mundohet të gjejë një rrugëdalje prej këtej, sepse tashmë është e qartë që pikat e fundit të këtij limoni po shtrydhen. Kupa vërtet po mbushet dhe kjo retorikë bajate s’mund të mbajë pafundësisht. Jo pa koston e shndërrimit të dordolecë të paktën.
Së shpejti justifikimi i inefiçencës së tashme me sabotazhin diversant të Berishës së djeshëm do të jetë inefektiv. Dhe mbërritja e një momenti të tillë mund të sinjalizojë një bombë të paparashikueshme sociale. Ai mund të shënojë ndezjen e një fitili kryengritës të atillë që do ta bënte 21 janarin të ngjante shëtitje paqësore. Po kaq alarmueshëm, përfundimi i bombulës justifikuese të markës “Berisha” parashtron edhe një tjetër perspektivë subversive për pushtetin. Nëse gjatë qeverisjes së pikturuar përzishëm të Berishës shqiptarët jetonin keq, të paktën PS-ja asokohe dëshirohej në mënyrë të dëshpëruar të përfaqësonte një iluzion. Një mirazh shprese për një të ardhme të afërt, të arritshme dhe të matshme përparimi. Tani ky mirazh është shembur. Shqiptarët po shohin se bipolaritet partiak nuk do të thotë detyrimisht edhe bipolaritet ideor. E gjithë kasta dypartiake dhe institucionet e saj, po zbulohet të jenë thjesht forma politike e sistemit defektoz që shkakton anomalinë. Perdja ka rënë dhe përtej saj kishte qëndruar fshehur thjesht ana tjetër e të njëjtit banalitet.
Në këto kushte, ka një arsye të fortë pse Ilir Meta është sot për qeverinë e vetëquajtur “të majtë” një xhevahir i vogël, i rrallë e i domosdoshëm. Nëse flasim me karta të hapura: jo vetëm për opozitën e djathtë, por edhe për secilin nga 700 mijë votuesit e thjeshtë socialistë sot në Shqipëri, Ilir Meta është sinonimi i një ujku që momentalisht ka ndërruar qimen. Ai pranohet në pushtet vetëm nga e keqja. Tahmaja e madhe e LSI-së shërben qysh tani si tabelë qitjeje e shumë propagandistëve të afërt me pushtetin. Ndaj saj orientohet sot edhe opozitarizmi i telekomanduar i “revolucionarëve” të serës së pushtetit. Atyre që duan të luajnë rolin teatral të bolshevikëve brenda një lëvizjeje të gjerë socialdemokrate e cila po bashkëjeton me menshevizmin e detyruar vetëm prej interesit suprem të kauzës.
Në një vështrim më komercial dhe pragmatik si ai që Rama ka adoptuar për llojin e vet të qeverisjes, Ilir Meta është e keqja e domosdoshme e përfshirë në një produkt tregtar. Ai është substanca konservuese apo prezervativi brenda një çokollate të shijshme. Një gomë rezervë – sfungjer thithës i tërë vrerit ndaj anomalisë së përgjithshme. Meta manifestohet si defekti i nënkuptueshëm dhe i pashmangshëm i sistemit. Por njëkohësisht, Meta është edhe një lloj garancie shfajësuese e së nesërmes. Përveçse një deriçkë e pasme shpëtimi ai është edhe një depozitë furnizimi që do t’i jape nesër PS-së luksin të hartojë fjalime të mbushura me shprehjen “po, por”, në të njëjtën sasi sa ç’po i dëgjojmë edhe sot nga goja e PD-së. Nëse sot e akuzojnë qeverinë e shkuar demokrate për punësimin militantesk, agresionin mbi drejtësinë, sakrifikimin publik për interesat private, etj etj, përgjigjja e tyre justifikuese shoqëruar me një buzëqeshëse qesëndisëse është pikërisht: “po, por LSI-ja…”.
Ekzistenca e vetëdijshme e Ilir Metës brenda qeverisjes socialiste shëmbëllen me vendosjen nga vetë bujku, të një predhe luftarake brenda një are e cila dihet që s’jep prodhim. Sigurisht nesër, kur dynjaja do të kritikojë bujkun për dembelizëm apo paaftësi, ai shumë kollaj do t’i zmbrapsë ankesat duke shpallur se djerrina ishte e minuar, se dikush e kishte vënë këtë minë atje, se ky dikush është një armik, se ai duhet gjendur dhe demaskuar dhe se vetëm pasi të shpëtojmë nga kjo e keqe, mund të mendojmë për një katërvjeçar tjetër – atë të vërtetin tashmë – të të korrave serioze dhe prosperitetit.
E gjithë kjo situatë vetë-minimi skizofrenik të qeverisë socialiste në Shqipëri, të kujton spastrimet e famshme staliniste sovjetike të viteve 30 dhe ruletën e çmendur ruse mes liderit paranojak në krye të nomenklaturës dhe anëtarëve të vetë nomenklaturës. E përshkruar mjeshtërisht në esenë “Kur partia bën vetëvrasje” të Zhizhekut, situata na rrëfen ekzistencën e një simptome psikiatrike pasigurie dhe paniku tek zbatuesit e kësaj fryme. Të kësaj gjendjeje alarmi të përhershëm që na këshillon se jo vetëm që armiku është midis nesh, por ne duhet të luftojmë që ai të jetë përherë midis nesh. Vetëm prania e së keqes brenda nesh, na e mban dinjitetin imun ndaj çdo kritike dhe – largqoftë – diskreditimit.
Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip”, 1 prill 2014)

No comments:

Post a Comment