Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Tuesday, November 11, 2008

Vjeshtë spathì

Në fund të viteve 80, fëmijëritë e rrotull njëzet e pesëvjeçarëve të sotëm vazhdonin të populloheshin nga një dyzinë heterogjene heronjsh dhe heroinash që mbërrinin të fabrikuar rrëmujshëm e shpesh jashtë standardit, direkt e nga transmetimet televizive dhe radiofonike. Sidomos këto të fundit, radiofoniket, përmes ca aparatesh polietileni prodhim Durrësi përbënin engledisjen më intensive gjatë orëve të gjata kur ekranët e TVSH-së emetonin thjesht xixa, ndërsa Rai jepte lajme ende të pakuptueshme. E kush s’i mban mend radiodramatizimet me përherë të njëjtët aktorë, të njëjtët regjisorë dhe tmerrësisht të njëjtët formulues muzike. Kujt s’i kujtohen anketat muzikore për fëmijë, të furnizuara nga një rrjet pabesueshmërisht i dendur aktivitetesh pionierike apo fatosiane, matanë trysnisë së të cilave koagulohej brezi i ri i një të ardhmeje që pritej lëre sa e lumtur. Një makineri e tërë katekizmi moralo-politik e vënë në lëvizje përmes një inxhinerie muzikore, një vepër e vërtetë frymëzimi për të gjithë spin doctor-ët e shteteve të ardhshme totalitare.

E meqë jemi tek këngët, por njëkohësisht meqë edhe vitet tetëdhjetë ishin në agoni, peizazhit s’mund t’i mungojnë as anomalitë e veta. Asokohe ato vinin përmes shtegtimeve të para në territoret tona artistike – me një itinerar për mua ende të pashpjegueshëm - të këngëve nga repertori i variantit kosovar të pionierëve tanë. Këngë fëmijësh ato, të ngjashme me tonat – për më tepër edhe ato shqip – por që me tingëllimën e tyre, tematikën, efektet zanore dhe fjalorin u afroheshin më tepër trazimeve të një bote të panjohur. Një bote që s’përbëhej më nga meraku hipokrit për mësuesen e sëmurë, ankthi ndaj vonesës në orën e diturisë së natyrës, apo eksitimi nga nota dhjetë e një shoku, broçkulla këto me të cilat ishin dingaz lirikat e racionit tonë muzikor. Këngët e kosovarëve të vegjël ishin ku e ku më ndryshe dhe flisnin për realitete të paeksploruara prej nesh; me prapësi mëkatare, dashuriçka fëminore, marka perëndimore atletesh apo aktorë hollivudianë.

Njëra prej tyre, e cila fitoi famë mjaft shpejt në radhët e vogëlushëve politikisht korrektë të Shqipërisë relativisht komuniste të atyre viteve, këndohej nga një showgirl e së ardhmes, Adelina Ismajli. Ajo ishte asokohe vetëm një vibrim brenda altoparlantëve rrëzë veshëve tanë, një mjegull pa fytyrë, një irritim që pothuajse askush s’besonte se mund të ekzistonte realisht por që po sipas kësaj feje, mund të ishte edhe ndonjë perestrojkë estetike e sajuar enkas prej ndonjë gorbaçovi low-level nga kolektivi elektroteknik i Radio Tiranës. Dhe kjo, sepse teksti fliste për diçka të pakonceptueshme për një këngë fëmijësh të një vendi komunist ose makar, socialist. Ajo i këndonte parasë. Por jo thjesht parasë, monedhës si institucion utilitar dhe ekuilibrues, por kultit të saj, epshit për ta shpenzuar, shfrytëzuar dhe shpërdoruar pa mëshirë, talljes me prindërit ndoshta hallexhinj që rrekeshin të ekonomizonin të ardhurat apo me gjyshërit ndoshta të rrahur me vaj e uthull që paraqiteshin si kurrnacë të pandreqshëm nga ata që zgjohen pagdhirë vetëm që të mbyllin çelësin e dritave të shkallës me të zbardhur agimi.
Të gjitha këto, Adelinës fëmijë ndoshta të llastuar apo ndoshta aspak të tillë por thjesht të rritur në një tjetër botë me ligjësi të ndryshme prej atyre tonave që flisnin për bllokada dhe rrethime, të gjitha këto pra, asaj i dukeshin të mjaftueshme për t’u deklaruar të rriturve se po shndërroheshin në qesharakë. “Do të bëhemi milionerë”, i qesëndiste ajo. Gjithçka në këtë shfrim babëzie trupore dukej kriminalisht e bukur. Të ishe i pangopur, befas s’përbënte më një faj.

E teksa vitet ’80 me iluzione dhe libra po gatiteshin t’u lironin vendin ’90-ave plot trauma dhe hemorragji, ja tek merrte udhë edhe riformatimi i gjithë kushtetutës morale brenda kokave tona të paditura që ende e shihnin me kuriozitet botën, në pritje për të mësuar sesi të silleshin me të. Kjo ishte vetëm nisja e epokës së shpalljeve indirekte të dështimit në teori dhe në praktikë të komunizmit model shqiptar. Dëshmi që ndoshta diku tjetër po trajtoheshin mes kalkulimesh apo projektesh për tranzicione të buta a të ashpra. Por që për ne, ish-fëmijët e papërkëdhelur të asaj kohe, ato vinin nën zhaurimën e diodave dhe tranzistorëve të radiove tona Iliria dhe nëpër llamburitjen e atyre miliona ekranëve daltonikë me emra vendorë malesh e liqenesh; bebëza sysh që shihnin së brendshmi duke zbehur përditë heronjtë tanë dhe vlerat e deriatëhershme, për të na i zëvendësuar sakaq ata me modelet e reja televizive të një konsumizmi tanimë jo edhe aq të huaj që shumonte vetveten si qelizë prolifere nën ofensivën e pashmangshme të pop-artit dhe materializmit prej konkuistadorësh të filmave amerikanë me dhunë, seks & happy end. Dhe tok me frikërat propagandistike për kapitalizmin njeringrënës, për urinë dhe për triumfin e individualizmit, e gjithë stuhia e transfuzionit moral që po avitej me revan në horizont, paralajmëronte kështu se do të merrte përpara edhe ato vlera që hiç fare s’kishin të bënin me diktaturën e proletariatit. Modestia? Solidariteti? Ndershmëria? Ndjenja e komunitetit? Puna? Se ku i kemi dëgjuar tërë këto fjalë. “Mirësevdiqët fëmijë të së djeshmes. Mirëselindët kaubojsa të së ardhmes”. Kështu dukej sikur na fliste gjithçka asokohe.

***
Në Tiranën që vazhdon të dekulturalizohet siç dehidratohen pilotët e Formula 1, qytet ku pas letrave higjienike, letërsia më e përhapur është ende ajo e kartave të bixhozit dhe ku s’ka më asnjë fëmijë që të dijë të shpjegojë me një fjali se ç’do të thotë “bibliotekë lagjeje” ne ngritëm piedestalin e Joly-t të letrave. Një mega-kazino. Ndërkohë, është shekulli i XXI-të dhe kazino të tilla vezullojnë me dhjetëra e qindra kudo që nga Las Vegasi, Parisi, Londra, Roma apo Athina. Por kjo është po aq e vërtetë sa edhe fakti se fjalavjen më 1878, ndërsa Sharl Kros, shkencëtar francez, shpikte gramafonin e salloneve aristokratike, Abdyl Frashëri po merrej me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

***

Në Shqipërinë që rropatet të ndryshojë imazhin, të disiplinojë kaosin dhe të rigjejë vlerat njerëzore, ngritja e një hymni të ri për babëzinë, ç’të mirë mund të parathotë? Paratë sërish mund të fitohen pa punuar, a s’është ky keqkuptimi më i madh dhe qerthulli i brengave tona postkomuniste? Por paratë mund të fitohen edhe në lojë, mund të thonë partizanët e hapjes së kazinove. Ashtu vërtet. A nuk nisën tamam kështu, si një lojë e vogël, e brishtë, e mirë, edhe fondacionet mashtruese që u shndërruan për pak kohë në insektet që e zgavruan në kuptimin e plotë të fjalës Shqipërinë e mes ’90-ës?
“Ta lemë konkurrencën e lirë të vrapojë pa frena. Do të jetë tregu që do ta rregullojë vetë nëse kazinoja do të mbijetojë apo do të falimentojë”, këshillojnë opinionistët eksperiment-dashës të libertarianizmit dhe të laissez faire-it. Dakord. Madje, oburra t’i japim tregut të varfër shqiptar edhe mundësi të tjera eksploruese. Imagjino me këtë rast, sikur të jetë po ai, tregu, që të vendosë nëse duhet të kemi përbri kazinosë në fjalë edhe – ta zëmë - një supermarket instrumentesh torture, një shitore bari (nga ai më "aromatiku"), tri-katër shtëpi publike, e madje edhe ndonjë poligon raketash tokë– tokë. Vërtet që do të vdesin disa qindra e do të lëndohen, plagosen, varfërohen apo do të infektohen nga një turli sëmundjesh disa mijëra të tjerë, por më në fund ata më të qëndrueshmit, më fisnikët dhe më të aftët do të mbijetojnë në një shoqëri tundimesh ku vetëm të fortët ia dalin t’u bëjnë ballë tallazeve të kohërave.
Pse disa njerëz janë më të lëkundshëm se të tjerët para tundimit të lojërave me fitim të shpejtë? Faji i keqformimit? Vese të ulëta njerëzish të ulët? Por shteti (pavarësisht kush e administron atë çdo katër vjet) s’mund t’i ikë kaq pa u lagur një ndjenje faji ngaqë s’bëri sa duhet për ata që kurrë s’e patën mundësinë të shkollohen aq sa për të ditur të jenë diçka më e mirë se një macho bosh – banor pa emër i popullit ruleto-dipendent, për ata që kurrë s’e panë një dritë në fund të qorrsokakut të vetmisë ku i dërguan marrëzitë e atyre që qeverisën në vite.

Lidhja e gjakut shkak-pasojë, i ngjan një inçesti që pjell deformimet e veta. T’u hedhim sytë 60 viteve të fundit të historisë sonë, do të gjejmë aty vetëm pak gjëra me të cilat të krenohemi. Inventari përmban: copë 1 (një) “diktaturë të proletariatit” ku proletarët ishin ata që e hanin më së shumti; copë 1 (një) “demokraci” jodemokratike plot me fondamentalizëm McCarthy-ist e shtypje të të drejtave të njeriut; si dhe copë 1 (një) “socializëm” antisocial me korrupsion, privatizime agresive pronash publike dhe mbajtje me hatër të koorporatave duke shpërfillur qytetarët.

Teorikisht, vendimmarrësit duhet të shohin tek lejimi apo jo i hapjes së një kazinoje të përbindshme në qendër të Shqipërisë, jo thjesht aktin robotik të zbatimit të një ligji apo rregulloreje liçencash për aktivitet privat. Ky duhet të jetë procesi me anë të cilit politikëbërja, veç privilegjit të vetos ka mbi shpinë edhe përgjegjësinë e skicimit përmes vendimeve të përditshme, të rrugës së gjatë ku do të ecë shoqëria jonë e ardhshme. Kjo do të thotë t’i japësh formë sot asaj që do të përbëjë nesër korpusin moral të shqiptarit të rëndomtë. Të atij që sot na vjen turp ta dëgjojmë tek portretizohet si bandit gjysmëprimitiv për shkak se i zhgënjyer nga format e shkuara të jetës komunitare - fillimisht asaj brenda fisit, e me radhë pastaj: mes çetës irredentiste, batalionit partizan apo frontit të lagjes – i mërzitur pra me të gjithë këto, ai i është rikthyer vetmisë së tij. Asaj vetmie antishoqërore e cila, në ndryshim nga gjithë popujt e tjerë përreth, i bën shqiptarin që t’i mungojë brenda rradakes ajo siguresa e fundit frenuese e momentit fatal kur i kërcen damari për të bërë ndonjë prapësi foshnjore nga ato që mund të damkosin tërë të ngjashmit e tij. Mendimi bastexhi “të dalë ku të dalë” rrjedh në mënyrë të pavullnetshme brenda truve të shumë prej atyre që sot gëlojnë jo thjesht në kronikat e zeza, por nga pak kudo duke nisur nga basketbollistët amatorë të tripikëshave me qese plehërash nga ballkoni e deri tek pedagogët universitarë të cilët çdo vjeshtë i vënë nga një indeks çmimesh fatit të mijëra të rinjve.

Një filozofi e tërë të jetuari kjo, që është plazma e vërtetë e korruptimit deri në palcë të sistemit që kemi ndërtuar. Një filozofi së cilës s’do të ketë program 100 ditor apo ministri të brendshme që t’ia krasitë degët, përderisa rrënjët do të vazhdojnë të mbeten të ngulura fort e që të përparojnë edhe më tej, do të ushqehen përmes shembujsh si kazinotë. Kabull besëprerjen paraelektorale të kohërave kur pushtetarët e sotëm indinjoheshin me paskrupulltësinë e socialistëve të cilët në vend të ndërtimit të mjediseve shtesë për fakultetet tona përjashtuese, rindërtimit të ndonjë kompleksi për të qenë për Teatrin kompensato-Kombëtar, Bibliotekës së pluhurosur Kombëtare, sallës vorfnore të Parlamentit, apo të ndonjë stadiumi më së fundi të mjaftueshëm për të gjithë ata që i blejnë me të shtrenjë biletat e Kombëtares në treg të zi – në vend të të gjitha këtyre pra – bënin pazarllëqe për hapje sallash me lojëra fati.

Pranimi i tanishëm heshturazi i hapjes së kazinove (të dalë ku të dalë?), është thjesht shenja e parë e mosseriozitetit dhe talljes me opinionin publik para të cilëve një herë ke marrë pozën e kryeëngjëllit ndëshkimor Mikael. Por dorëzania shtetërore që i del për zot eksperimenteve nga ato me pasoja ekonomike, është keqkuptuar përherë në këtë vend vesvelinjsh ku ashtu siç të besojnë symbyllurazi po t’i quash të pastra paratë e ardhura nga loja me zara, ashtu edhe të vënë drurin kur zbulojnë se i gjithi ishte vetëm një marifet zhvatës. E ka thënë dhe Honoré de Balzac, “Pas çdo pasurie përrallore, fshihet gjithmonë një krim”. Por sikur s’ka lezet t’i citosh kaq hapur shkrimtarët e vdekur. I gjithë ky duhej të ishte një shkrim për diçka tjetër. Një orvatje për të treguar marrdhënien mes shpartallimit moral të gjeneratave të fundit dhe lehtësisë së padurueshme me të cilën vetë shteti ose forma më e organizuar e shoqërisë, investon për të rinovuar këto mokra vrastare ku bluhet tash sa vjet gjithë ç’ende mbijeton nën koracën e atyre vlerave që lidhin brishtaz fijet e qenësisë sonë të përbashkët. Kjo ishte arsyeja pse m’u ndërmendën vitet prej plasteline kur në përfytyrimet radiofonike, po niste të vizatohej topografia e ardhshme morale e brezit tim. Ishin të gjitha pjesë e një radioshoë ku je i lirë të imagjinosh gjithçka si të duash pasi gjithçka është e mundur. Pionierët kosovarë, milionat që duheshin bërë rrush e kumbulla, kazinotë, aktorët amerikanë, xholi buzagaz, atletet e ndaluara dhe mirëqenia e shtirur rrinin rreshtuar bri njëra tjetrës si në kolorin e një bllofi loje bixhozi. Dhe në fund, të gjitha së bashku ishin lulet spathi të një vjeshte që i solli tek ne të vyshkura si vetë mbarësinë e tyre e mbrapshtë.

Përshtatur me shkurtime nga gazeta "Shekulli", 2005

No comments:

Post a Comment