Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Tuesday, November 11, 2008

Vjeshtë spathì

Në fund të viteve 80, fëmijëritë e rrotull njëzet e pesëvjeçarëve të sotëm vazhdonin të populloheshin nga një dyzinë heterogjene heronjsh dhe heroinash që mbërrinin të fabrikuar rrëmujshëm e shpesh jashtë standardit, direkt e nga transmetimet televizive dhe radiofonike. Sidomos këto të fundit, radiofoniket, përmes ca aparatesh polietileni prodhim Durrësi përbënin engledisjen më intensive gjatë orëve të gjata kur ekranët e TVSH-së emetonin thjesht xixa, ndërsa Rai jepte lajme ende të pakuptueshme. E kush s’i mban mend radiodramatizimet me përherë të njëjtët aktorë, të njëjtët regjisorë dhe tmerrësisht të njëjtët formulues muzike. Kujt s’i kujtohen anketat muzikore për fëmijë, të furnizuara nga një rrjet pabesueshmërisht i dendur aktivitetesh pionierike apo fatosiane, matanë trysnisë së të cilave koagulohej brezi i ri i një të ardhmeje që pritej lëre sa e lumtur. Një makineri e tërë katekizmi moralo-politik e vënë në lëvizje përmes një inxhinerie muzikore, një vepër e vërtetë frymëzimi për të gjithë spin doctor-ët e shteteve të ardhshme totalitare.

E meqë jemi tek këngët, por njëkohësisht meqë edhe vitet tetëdhjetë ishin në agoni, peizazhit s’mund t’i mungojnë as anomalitë e veta. Asokohe ato vinin përmes shtegtimeve të para në territoret tona artistike – me një itinerar për mua ende të pashpjegueshëm - të këngëve nga repertori i variantit kosovar të pionierëve tanë. Këngë fëmijësh ato, të ngjashme me tonat – për më tepër edhe ato shqip – por që me tingëllimën e tyre, tematikën, efektet zanore dhe fjalorin u afroheshin më tepër trazimeve të një bote të panjohur. Një bote që s’përbëhej më nga meraku hipokrit për mësuesen e sëmurë, ankthi ndaj vonesës në orën e diturisë së natyrës, apo eksitimi nga nota dhjetë e një shoku, broçkulla këto me të cilat ishin dingaz lirikat e racionit tonë muzikor. Këngët e kosovarëve të vegjël ishin ku e ku më ndryshe dhe flisnin për realitete të paeksploruara prej nesh; me prapësi mëkatare, dashuriçka fëminore, marka perëndimore atletesh apo aktorë hollivudianë.

Njëra prej tyre, e cila fitoi famë mjaft shpejt në radhët e vogëlushëve politikisht korrektë të Shqipërisë relativisht komuniste të atyre viteve, këndohej nga një showgirl e së ardhmes, Adelina Ismajli. Ajo ishte asokohe vetëm një vibrim brenda altoparlantëve rrëzë veshëve tanë, një mjegull pa fytyrë, një irritim që pothuajse askush s’besonte se mund të ekzistonte realisht por që po sipas kësaj feje, mund të ishte edhe ndonjë perestrojkë estetike e sajuar enkas prej ndonjë gorbaçovi low-level nga kolektivi elektroteknik i Radio Tiranës. Dhe kjo, sepse teksti fliste për diçka të pakonceptueshme për një këngë fëmijësh të një vendi komunist ose makar, socialist. Ajo i këndonte parasë. Por jo thjesht parasë, monedhës si institucion utilitar dhe ekuilibrues, por kultit të saj, epshit për ta shpenzuar, shfrytëzuar dhe shpërdoruar pa mëshirë, talljes me prindërit ndoshta hallexhinj që rrekeshin të ekonomizonin të ardhurat apo me gjyshërit ndoshta të rrahur me vaj e uthull që paraqiteshin si kurrnacë të pandreqshëm nga ata që zgjohen pagdhirë vetëm që të mbyllin çelësin e dritave të shkallës me të zbardhur agimi.
Të gjitha këto, Adelinës fëmijë ndoshta të llastuar apo ndoshta aspak të tillë por thjesht të rritur në një tjetër botë me ligjësi të ndryshme prej atyre tonave që flisnin për bllokada dhe rrethime, të gjitha këto pra, asaj i dukeshin të mjaftueshme për t’u deklaruar të rriturve se po shndërroheshin në qesharakë. “Do të bëhemi milionerë”, i qesëndiste ajo. Gjithçka në këtë shfrim babëzie trupore dukej kriminalisht e bukur. Të ishe i pangopur, befas s’përbënte më një faj.

E teksa vitet ’80 me iluzione dhe libra po gatiteshin t’u lironin vendin ’90-ave plot trauma dhe hemorragji, ja tek merrte udhë edhe riformatimi i gjithë kushtetutës morale brenda kokave tona të paditura që ende e shihnin me kuriozitet botën, në pritje për të mësuar sesi të silleshin me të. Kjo ishte vetëm nisja e epokës së shpalljeve indirekte të dështimit në teori dhe në praktikë të komunizmit model shqiptar. Dëshmi që ndoshta diku tjetër po trajtoheshin mes kalkulimesh apo projektesh për tranzicione të buta a të ashpra. Por që për ne, ish-fëmijët e papërkëdhelur të asaj kohe, ato vinin nën zhaurimën e diodave dhe tranzistorëve të radiove tona Iliria dhe nëpër llamburitjen e atyre miliona ekranëve daltonikë me emra vendorë malesh e liqenesh; bebëza sysh që shihnin së brendshmi duke zbehur përditë heronjtë tanë dhe vlerat e deriatëhershme, për të na i zëvendësuar sakaq ata me modelet e reja televizive të një konsumizmi tanimë jo edhe aq të huaj që shumonte vetveten si qelizë prolifere nën ofensivën e pashmangshme të pop-artit dhe materializmit prej konkuistadorësh të filmave amerikanë me dhunë, seks & happy end. Dhe tok me frikërat propagandistike për kapitalizmin njeringrënës, për urinë dhe për triumfin e individualizmit, e gjithë stuhia e transfuzionit moral që po avitej me revan në horizont, paralajmëronte kështu se do të merrte përpara edhe ato vlera që hiç fare s’kishin të bënin me diktaturën e proletariatit. Modestia? Solidariteti? Ndershmëria? Ndjenja e komunitetit? Puna? Se ku i kemi dëgjuar tërë këto fjalë. “Mirësevdiqët fëmijë të së djeshmes. Mirëselindët kaubojsa të së ardhmes”. Kështu dukej sikur na fliste gjithçka asokohe.

***
Në Tiranën që vazhdon të dekulturalizohet siç dehidratohen pilotët e Formula 1, qytet ku pas letrave higjienike, letërsia më e përhapur është ende ajo e kartave të bixhozit dhe ku s’ka më asnjë fëmijë që të dijë të shpjegojë me një fjali se ç’do të thotë “bibliotekë lagjeje” ne ngritëm piedestalin e Joly-t të letrave. Një mega-kazino. Ndërkohë, është shekulli i XXI-të dhe kazino të tilla vezullojnë me dhjetëra e qindra kudo që nga Las Vegasi, Parisi, Londra, Roma apo Athina. Por kjo është po aq e vërtetë sa edhe fakti se fjalavjen më 1878, ndërsa Sharl Kros, shkencëtar francez, shpikte gramafonin e salloneve aristokratike, Abdyl Frashëri po merrej me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

***

Në Shqipërinë që rropatet të ndryshojë imazhin, të disiplinojë kaosin dhe të rigjejë vlerat njerëzore, ngritja e një hymni të ri për babëzinë, ç’të mirë mund të parathotë? Paratë sërish mund të fitohen pa punuar, a s’është ky keqkuptimi më i madh dhe qerthulli i brengave tona postkomuniste? Por paratë mund të fitohen edhe në lojë, mund të thonë partizanët e hapjes së kazinove. Ashtu vërtet. A nuk nisën tamam kështu, si një lojë e vogël, e brishtë, e mirë, edhe fondacionet mashtruese që u shndërruan për pak kohë në insektet që e zgavruan në kuptimin e plotë të fjalës Shqipërinë e mes ’90-ës?
“Ta lemë konkurrencën e lirë të vrapojë pa frena. Do të jetë tregu që do ta rregullojë vetë nëse kazinoja do të mbijetojë apo do të falimentojë”, këshillojnë opinionistët eksperiment-dashës të libertarianizmit dhe të laissez faire-it. Dakord. Madje, oburra t’i japim tregut të varfër shqiptar edhe mundësi të tjera eksploruese. Imagjino me këtë rast, sikur të jetë po ai, tregu, që të vendosë nëse duhet të kemi përbri kazinosë në fjalë edhe – ta zëmë - një supermarket instrumentesh torture, një shitore bari (nga ai më "aromatiku"), tri-katër shtëpi publike, e madje edhe ndonjë poligon raketash tokë– tokë. Vërtet që do të vdesin disa qindra e do të lëndohen, plagosen, varfërohen apo do të infektohen nga një turli sëmundjesh disa mijëra të tjerë, por më në fund ata më të qëndrueshmit, më fisnikët dhe më të aftët do të mbijetojnë në një shoqëri tundimesh ku vetëm të fortët ia dalin t’u bëjnë ballë tallazeve të kohërave.
Pse disa njerëz janë më të lëkundshëm se të tjerët para tundimit të lojërave me fitim të shpejtë? Faji i keqformimit? Vese të ulëta njerëzish të ulët? Por shteti (pavarësisht kush e administron atë çdo katër vjet) s’mund t’i ikë kaq pa u lagur një ndjenje faji ngaqë s’bëri sa duhet për ata që kurrë s’e patën mundësinë të shkollohen aq sa për të ditur të jenë diçka më e mirë se një macho bosh – banor pa emër i popullit ruleto-dipendent, për ata që kurrë s’e panë një dritë në fund të qorrsokakut të vetmisë ku i dërguan marrëzitë e atyre që qeverisën në vite.

Lidhja e gjakut shkak-pasojë, i ngjan një inçesti që pjell deformimet e veta. T’u hedhim sytë 60 viteve të fundit të historisë sonë, do të gjejmë aty vetëm pak gjëra me të cilat të krenohemi. Inventari përmban: copë 1 (një) “diktaturë të proletariatit” ku proletarët ishin ata që e hanin më së shumti; copë 1 (një) “demokraci” jodemokratike plot me fondamentalizëm McCarthy-ist e shtypje të të drejtave të njeriut; si dhe copë 1 (një) “socializëm” antisocial me korrupsion, privatizime agresive pronash publike dhe mbajtje me hatër të koorporatave duke shpërfillur qytetarët.

Teorikisht, vendimmarrësit duhet të shohin tek lejimi apo jo i hapjes së një kazinoje të përbindshme në qendër të Shqipërisë, jo thjesht aktin robotik të zbatimit të një ligji apo rregulloreje liçencash për aktivitet privat. Ky duhet të jetë procesi me anë të cilit politikëbërja, veç privilegjit të vetos ka mbi shpinë edhe përgjegjësinë e skicimit përmes vendimeve të përditshme, të rrugës së gjatë ku do të ecë shoqëria jonë e ardhshme. Kjo do të thotë t’i japësh formë sot asaj që do të përbëjë nesër korpusin moral të shqiptarit të rëndomtë. Të atij që sot na vjen turp ta dëgjojmë tek portretizohet si bandit gjysmëprimitiv për shkak se i zhgënjyer nga format e shkuara të jetës komunitare - fillimisht asaj brenda fisit, e me radhë pastaj: mes çetës irredentiste, batalionit partizan apo frontit të lagjes – i mërzitur pra me të gjithë këto, ai i është rikthyer vetmisë së tij. Asaj vetmie antishoqërore e cila, në ndryshim nga gjithë popujt e tjerë përreth, i bën shqiptarin që t’i mungojë brenda rradakes ajo siguresa e fundit frenuese e momentit fatal kur i kërcen damari për të bërë ndonjë prapësi foshnjore nga ato që mund të damkosin tërë të ngjashmit e tij. Mendimi bastexhi “të dalë ku të dalë” rrjedh në mënyrë të pavullnetshme brenda truve të shumë prej atyre që sot gëlojnë jo thjesht në kronikat e zeza, por nga pak kudo duke nisur nga basketbollistët amatorë të tripikëshave me qese plehërash nga ballkoni e deri tek pedagogët universitarë të cilët çdo vjeshtë i vënë nga një indeks çmimesh fatit të mijëra të rinjve.

Një filozofi e tërë të jetuari kjo, që është plazma e vërtetë e korruptimit deri në palcë të sistemit që kemi ndërtuar. Një filozofi së cilës s’do të ketë program 100 ditor apo ministri të brendshme që t’ia krasitë degët, përderisa rrënjët do të vazhdojnë të mbeten të ngulura fort e që të përparojnë edhe më tej, do të ushqehen përmes shembujsh si kazinotë. Kabull besëprerjen paraelektorale të kohërave kur pushtetarët e sotëm indinjoheshin me paskrupulltësinë e socialistëve të cilët në vend të ndërtimit të mjediseve shtesë për fakultetet tona përjashtuese, rindërtimit të ndonjë kompleksi për të qenë për Teatrin kompensato-Kombëtar, Bibliotekës së pluhurosur Kombëtare, sallës vorfnore të Parlamentit, apo të ndonjë stadiumi më së fundi të mjaftueshëm për të gjithë ata që i blejnë me të shtrenjë biletat e Kombëtares në treg të zi – në vend të të gjitha këtyre pra – bënin pazarllëqe për hapje sallash me lojëra fati.

Pranimi i tanishëm heshturazi i hapjes së kazinove (të dalë ku të dalë?), është thjesht shenja e parë e mosseriozitetit dhe talljes me opinionin publik para të cilëve një herë ke marrë pozën e kryeëngjëllit ndëshkimor Mikael. Por dorëzania shtetërore që i del për zot eksperimenteve nga ato me pasoja ekonomike, është keqkuptuar përherë në këtë vend vesvelinjsh ku ashtu siç të besojnë symbyllurazi po t’i quash të pastra paratë e ardhura nga loja me zara, ashtu edhe të vënë drurin kur zbulojnë se i gjithi ishte vetëm një marifet zhvatës. E ka thënë dhe Honoré de Balzac, “Pas çdo pasurie përrallore, fshihet gjithmonë një krim”. Por sikur s’ka lezet t’i citosh kaq hapur shkrimtarët e vdekur. I gjithë ky duhej të ishte një shkrim për diçka tjetër. Një orvatje për të treguar marrdhënien mes shpartallimit moral të gjeneratave të fundit dhe lehtësisë së padurueshme me të cilën vetë shteti ose forma më e organizuar e shoqërisë, investon për të rinovuar këto mokra vrastare ku bluhet tash sa vjet gjithë ç’ende mbijeton nën koracën e atyre vlerave që lidhin brishtaz fijet e qenësisë sonë të përbashkët. Kjo ishte arsyeja pse m’u ndërmendën vitet prej plasteline kur në përfytyrimet radiofonike, po niste të vizatohej topografia e ardhshme morale e brezit tim. Ishin të gjitha pjesë e një radioshoë ku je i lirë të imagjinosh gjithçka si të duash pasi gjithçka është e mundur. Pionierët kosovarë, milionat që duheshin bërë rrush e kumbulla, kazinotë, aktorët amerikanë, xholi buzagaz, atletet e ndaluara dhe mirëqenia e shtirur rrinin rreshtuar bri njëra tjetrës si në kolorin e një bllofi loje bixhozi. Dhe në fund, të gjitha së bashku ishin lulet spathi të një vjeshte që i solli tek ne të vyshkura si vetë mbarësinë e tyre e mbrapshtë.

Përshtatur me shkurtime nga gazeta "Shekulli", 2005

Wednesday, November 5, 2008

Rrofte Haxhi Qamili

Sokol Shameti

Kronika metropolitane e Tiranës publikoi pak ditë më parë lajmin sesi Policia kryeqytetase arrestoi andej nga Medreseja tre adoleshentë që krekoseshin rrugëve të veshur tebdil si policë e të cilët i kishte dërguar menjëherë më pas të “paketuar” drejt penitencës. Veshja - sado provokativ qoftë fashioni të cilit i mundësohet - përbën një formë lirie në një vend demokratik, qoftë ai deri edhe Shqipëria. Ama policët fallco, po trallisnin jo vetëm qytetarët që i pandehën për rojtarë të njëmendtë të rendit e nisën t’u bindeshin urdhrave surrealë, por po ngjallnin hutim edhe tek shumë uniforma blu që panë tek faqepadirsurit klonimin e vetvetes në format rock’n roll. “I gjithë populli ushtar. Na u mërzitën xhinset”, ishin deklaratat e axhaminjve që u bënë të famshëm vetëm për një ditë në tryezat e konsumit skandalistik të kryeqytetit.

***

Kur ti i përket diçkaje, nis të të mërzisë monotonia. Ti je një i ri shqiptar. Ose një punëtor shtypi. Ose një veprimtar shoqëror. Por kaq. Përkufizimi mbaron këtu. Ky është kostumi që ti vesh zakonisht dhe brenda të cilit ti je si në dhomën tënde të gjumit. Kjo është dieta me të cilën je ushqyer dhe s’e këmben dot aq kollaj mëngjesin model gjalpë&qumësht, me një kuzhinë japoneze prej filetash të paziera balene. Por nëse ti s’do mund t’i mbijetoje këtij këmbimi përnjëherësh e përgjithmonë, të paktën për ta provuar një ditë, tundimi është goxha i fortë. Dhe për ca raca nevrastenike si kjo jona, frenat morale në të tilla momente kritike s’bëjnë dot derman. Për ne, aventurat sikur tregojnë më anë tjetër, edhe përkushtim ndaj asaj përkatësisë së origjinës. Zaten këtë rrëfejnë edhe lojërat me identitete të Skenderbeut, alias Gjergj Kastriotit. Atij burrit me brirë me emër katolik, mbiemër epirot dhe nickname mysliman. Ishin këto kërcime nga identiteti në identitet ilustrimi i parë sesi shqiptarët pas eksplorimit në çdo çip të përkatësisë së tyre hermafrodite (por gjithsesi rrënjësisht evropiane) katoliko-bizantine, më në fund kishin shansin për një dozë shtesë adrenaline. Për pak provokacion. Fundja për pak aventurë. Reflekset e fshehta dritë-errësirë të orientit, tok me të mistikën e tij pak joshëse pak frikësuese, i ndillnin jo pak. Europa shihte me dhimbje bijtë e vet të harbonin me kripto-besimet e tyre nga shekulli në shekull, për ta gjetur veten papritur në agun e përlindjes kontinentale, të familjarizuar me poture poshtë dhe papijon lart (jo më kot gjithë bustet dhe gravurat e rilindësve s’i shfaqin kurrë viset “jugore” të atyre kurmeve fisnike). “I përkasim Evropës” ishte refreni i gjindjes gjatë rilindjes sonë të vonuar. Pas pesëqind vjetësh lojëra me orientin, kjo deklaratë ishte asokohe më surreale se kurrë. Ajo ishte dëshira për pak metaforë brenda një jetëshkrimi linear. Ishte provokim i së njëjtës racë me këtë shakanë e çunave të sotshëm civilë të “Medreses” që kuturisin me petka policore sa për të treguar se dinë të jenë më shumë nga ç’janë. E gjithë historia jonë e mëvonshme është e mbushur me të njëjtët shembuj nepsi që na grishnin drejt asaj çka s’ishim. Bizantinë që shiten për islamikë. Nacionalistë me fytyrë internacionalistësh proletarë. Shqiptari i shekulli të njëzetë ishte qenia e shqetësuar që s’gjen rehat brenda vetvetes. Më kalonin përpara syve armatat e njëpasnjëshme të elitave tona. Civilizimi perëndimor drejt së cilit prireshin të gjitha veprat e tyre qofshin politike, artistike apo fetare tradhtonte paq brendinë e tyre të vërtetë. Prej 1912-ës e tëhu, llogaritë më dilnin shumë keq. Europiani i mirë shqiptar, mesa duket s’kish ekzistuar kurrë.

***

Por duhej të ekzistonte diku patjetër edhe një shembull i kundërt. Dikush, që duke qenë rehat brenda vetvetes europiane, të mos e kish problem te proklamohej për oriental. Do më bënte punë një misionar qoftë edhe i pavullnetshëm. Një dele e zezë që kullot në vetmi për t’i bërë të bardhat të duken të përkora. Një smerald i errët që përmes ndriçimit të keq t’i shpallte botës tërësinë e çmuar të vetvetes apo atë të racës së tij. Dhe kështu dalëngadalë dhe pixel pas pixel-i, filloi të përvijohej në mendjen time fotografia e ndoshta europianit më naiv dhe të leshtë që arritëm të fabrikojmë si komb këto 100 vjetët e fundit. Imazhi ishte bardh’e zi dhe emri në fillim s’shquhej aq qartë nga sa do të kuptoja pak çaste më vonë me tmerr dhe mrekullim njëherësh. Por pas pak mjegulla u shpërnda. Një “An die Freude” nën soundtrack-un e Beethovenit nisi të kumbojë qetësisht brenda kokës sime dhe unë lexova duke gërmëzuar i çmeritur: “Rroftë Haxhi Qamili”.


Botuar ne "Fletore Shqiptare", SHBA, 2007

Shqiperia e enderrave

Nga Sokol Shameti*

Imagjino sikur neser ne mengjes te zgjohesh ne nje Shqiperi tjeter. Ne nje Shqiperi pa kujtime te keqija, ku buzeqeshja eshte rikthyer tek njerezit dhe ku askush nuk heton me vengthi tek cdo i panjohur nje armik te mundshem. Nje vend ku dielli ndrin perseri dhe ku kalimtaret i thone edhe nje here njeri-tjetrit “miremengjes”, pa e quajtur nje rudiment diktatorial kete abc njerzilleku. E gjithe kjo mund te duket si nje enderr e bukur alla John Lenon. Por le te guxojme me tej ne kete cmenduri.
Mendoje neser Shqiperine sikur kurre nuk eshte pllakosur nga kriza me e papare energjitike qysh nga perfundimi i elektrifikimit “komunist” te vendit ne vitin 1971. Sikur universiteti i Durresit nuk u mbyll vjeshten qe shkoi vetem ngaqe kishte leje ilegale socialiste per t’u hapur nje vit me vonese tashme teresisht i purifikuar nen lejen demokrate. Sikur hyrja e Tiranes prej gjashte muajsh nuk i ngjan ferrit tokesor dhe Zogu i Zi nuk eshte bllokuar per nje kunje politike.
Perfytyro pastaj sikur ne mes te Tiranes nuk ka hedhur tentakulat nje kazino per te cilen ata qe e donin te mbyllur ne vere, tani, ca muaj dhe miliona me vone thone: kush, une? Nje Shqiperi ku taksat per biznesin e vogel jane pergjysmuar pa i detyruar bizneset e vogla te rreshtohen perdhunshem tek te medhate. Sikur pagat jane dyfishuar. Sikur clirimi nga taksat per cdo biznes te ri nuk eshte harruar si te mos ishte premtuar kurre.
Mbyll syte dhe enderro sikur distanca Tirane-Durres pershkohet shpejt dhe lehte me trenin e projektit te paanuluar te General Electrics. Sikur ne Europen perendimore nuk kemi rifituar namin e filoislamikeve vetem per pako gje ngaqe qeveria jone rri e rri dhe ua ben me sy miqesisht vellezerve iraniane nderkohe qe Keshillin e Europes e quan OJQ. Sikur ne Kosove nuk kerkojne deri te shpikin nje identitet te ri joshqiptar si e si t’i ikin ketij tonit. E pra, ne kurre ndonjehere s’jemi deklaruar per kushtezime te pavaresise se Kosoves, duke i merzitur disi ne kete menyre vellezerit serbe. Konsideroje si perralle lajmin sikur ne zemer te Laberise eshte hapur nje shkolle greke per t’u dhene edhe me shume zemer atyre qe ne vend te thone “faleminderit” bertasin “Himara eshte Greqi”, ose atyre qe i perbuzin, i peshtyjne, i shkelin e ne fund edhe u ngulin pabesisht thiken ne zemer 17 vjecareve te braktisur shqiptare ne prapaskenat e ishujve te Egjeut.
Harroje boten qe te rrethon dhe shko me mendje ne nje fshat te Jugut duke pare skenen ku policet nuk i shtypin me dhune qytetaret e ketij vendi qe protestojne ne mbrojtje te ujit me te cilin u shuajne etjen femijeve. Sikur me kete rast, njerezit nen uniforma nuk i thyejne pakez dhembet edhe nje deputeti te Kuvendit qe rastisi atypari.
Hamendeso tani sikur askush nga qeveria nuk eshte gati qe Shqiperine edhe nga FIFA e UEFA ta perjashtoje, por vetem te dale e tija ne hesapet personale qe ka me drejtuesit e tanishem te futbollit kuqezi. Merre veten me te mire deri ne piken kur te nisesh te pandehesh sikur ne mes te salles se Kuvendit nuk iken dritat pikerisht ne momentin kur Shqiperia duhej te bente figuren me te mire te mundshme perpara zyrtarit me te larte te BE-se. Sikur shkopinjte policore te gomes nuk testuan nje dite me vone edhe fortesine e kokes se nje kolegu gazetar.
Vazhdo me imagjinaten tende ne kete ritem dhe bej mekatin e pafalshem duke supozuar sikur per emerimin e ambasadorit e Shqiperise ne Beograd nuk eshte me prioritar pelqimi i qeverise serbe, por bekimi i kreut te shtetit tone.
Kaperceje cdo limit dhe fantazo tashme nje qeveri “te shkelqyr”. Sikur sipas nje metodologjie kopjace e koke e kembe mediokre, aparatciket politike te marredhenieve me publikun, kur duan te arnojne me zor nje kryeminister demodé me pelhuren e nje moviestar-i metrosexual te shekullit XXI, nuk e vene ate te beje nje figure qesharake prej cuperline qe cucurit mesazhe mirekuptuese ne hot linjat e perveluara 0800. Sikur s’ka rendesi nese telefonuesit ia thone fjalet e ndyra nen stresin e mungeses se pronave apo asaj te seksit. Imagjino pak pasketaj, sikur e tere kjo s’eshte nje déja vu. Sikur i njejti kryeminister nuk eshte bere ndonjehere me pare gazi i botes fale te njejteve eksperte partizane qe ia vune ne goje me natyrshmerine me te madhe te njejtat fjalime te lexuara me pare prej paraardhesit te tij ish bandit, ish-hajdut, ish vrases dhe ish-tradhtar te kombit.
Shiko me syte e mendjes nje Shqiperi ku keshilltaret e kryeministrit qe era kibernetike i kapi ne moshe delikate, pasi flasin per leshimin ne orbite te nje sateliti qe do mbuloje tere vendin me vale interneti, nuk nxitojne te duartrokasin nenshkrimin ne emer te popullit dhe te luftes kunder mullinjve te korrupsionit te nje marreveshjeje skllaveruese me koorporatat nga Silicon Valley. Marreveshje e cila ne vendin me te mjere dhe sigurisht me te painformatizuar te Europes, nuk do ta dyfishoje brenda pak kohesh cmimin e blerjes se nje kompjuteri nga qytetari i rendomte.
Imagjino sikur me magji zhduket nevoja per opozite. Sikur deputete e ministra punojne nen nje paqe olimpike qe s’guxojne ta prishin me ankesat e tyre as organizatat e po atyre gay-ve te cilat nje vit me pare shkarkonin ministra socialiste. Por as turbulencat e shtypit te lire dhe shkarravinat nga gazetaret qe s’figurojne neper borderote e stafeve politike. Por s’ka asnje arsye per te prishur gjakun. Kjo eshte Shqiperia ideale. Nje Shqiperi me Kuvendin qe drejtohet plot “urtesi” dhe “paanshmeri” nga e njejta deputete e cila dy dite para zgjedhjeve, kritikonte live ne TV kreun e partise se saj qe nuk u kishte futur nga nje plumb ballit tere komunisteve. Nje Shqiperi pa shoqeri civile dhe pa forcen e saj te dobishme motore te rrahjes se mendimit te lire. Nje Shqiperi pa radio dhe pa televizione te pavarura. Askush ketu nuk ka hartuar projekte rrufjane per ta kthyer RTSH-ne ne ekranizimin e Rilindjes Demokratike, apo KKRT-ne ne nje polici televizive.
Mendo sikur kryeministri dhe stafi i tij nuk i shpallin befas te gjithe armiq dhe nuk mbyllen brenda nje kulle prej se ciles gjithcka ketu jashte ngjan e lumtur si ne kete artikull. Fantazo sikur ndryshe nga c’deklaron FMN ja, rritja ekonomike ne vend nuk ka bere prapakthehu, por progresi po ia kalon cdo parashikimi. Sikur te drejtat e njeriut, sipas te gjitha raporteve nderkombetare, i kane velur njerezit e kesaj toke. Sikur te varferit befas u zhduken me 4 korrik dhe qysh nga ajo dite s’ka me qyqare qe i ngrysin netet poshte urave te Lanes.
Imagjino per te gjitha keto dhe mendo per nje enderr te bukur dhe te paarritur kurre. Nje enderr teresisht shqiptare. Nje enderr te cilen sipas nje anekdote te perhapur se fundi: ti duhet te jesh ne gjume te plote qe ta shohesh tek realizohet.

*Autori NUK eshte staf i kryeministrit

----

Artikull i botuar ne gazeten "Shekulli", tetor 2005

Tolerantët

Unë nuk besoj më se ndonjë ditë do ta mësojmë emrin e atij që duhet të “falënderojmë” për Gërdecin. A ju kujtohet një varkë primitive që ishte toleruar të lundronte pa leje në një liqen pranë Tiranës dhe që mori në qafë 16 të pafajshëm? Të gjithë u pikëlluam ditën e parë dhe të nesërmen thamë: të dalin përgjegjësit. Përgjegjësit s’dolën kurrë dhe askush s’flet më për këtë tragjedi së cilës duket se iu vu kapaku.

Po dy fëmijët që u dogjën të gjallë një ditë më vonë në një shtëpizë në periferi të Tiranës ku s’kishte rrugë për zjarrfikëset? A ju kujtohen ata? A u bë shembull ndonjëri nga ata që i kanë shndërruar vendbanimet tona në ca koloni termitesh, ku nuk jetohet, por thjesht mbijetohet? Po për aksidentin në një fabrikë çimentoje, pak ditë pas kësaj ngjarjeje? A e kemi portretin e atij që duhet të pështyjmë ngase ka toleruar që kushtet e sigurisë teknike tek ne të jenë sipas standardeve më të ulëta afrikane?

Në të gjitha rastet e mësipërm flasim për “tolerime”. Kush e toleroi varkën në Farkë? Kush i toleron ndërtimet pa leje në katunde a periferi? Kush i toleron kushtet e sigurimit teknik? Kush e toleroi bombën me sahat në Gërdec?

Të gjitha këto histori “tolerimesh”, na ndodhën vetëm në harkun e shtatë ditëve, vetëm në rrezen e pesëmbëdhjetë kilometrave nga Sheshi “Skënderbej”. Të gjithë këta episode na tingëllojnë sot sikur kanë ndodhur kohë më parë, diku ku s’ka lidhje me ne. Një e nga një, këto janë drama mbase edhe të durueshme, por të bashkuara në një rrëfim kolektiv ato thonë një histori më të gjatë se ajo e tyrja. Historinë sesi në këtë vend, tolerohet me një lehtësi të frikshme që jetët tona, jetët e qytetarëve shqiptarë, të ikin pa shumë kokëçarje, pa ndonjë problem të madh. Sepse për to flitet nja dy ditë në raste tragjedish, por pastaj kurrë nuk merret vesh ç’u bë më pas. A u gjet ndonjë fajtor? A u dënua dikush? Jo, asgjë. Asnjëherë.

Dhe mos kujtoni se debati apo kërkesa e llogarisë mungon. Shikoni kujtesën dokumentare në faqet e shtypit. Presioni është përherë i madh – por si gjithmonë dhe gjithçka, edhe ky presion injorohet dhe më pas, thjesht harrohet. Deklarimet e atyre që kemi vënë në krye të menaxhojnë pushtetin tonë, mbeten përherë në një zonë flu ku gjithsecili shpreh solidaritet, bën ca gjeste prekëse, por në fund ditët kalojnë dhe historia mbyllet.

A s’jemi ne ata që akuzojmë shpesh klasën tonë udhëheqëse për papërgjegjshmëri? Peshku qelbet nga koka, kësisoj, papërgjegjshmëria e politikëbërësve projektohet si me fletë karboni në shtresat e mëposhtme të strukturave të shtetit duke na dhënë si rezultat një mekanizëm të shkurdisur, të korruptuar dhe (çfarë koinçidence) edhe të papërgjegjshëm.

Por tani t’i lëmë fjalët e tepërta. Kupa është mbushur. Ajo që ndodhi dy ditë më parë në Gërdec duhet të jetë një pikë kthese. Një mesazh për qeverinë shqiptare: dëgjojeni pak Shqipërinë. Banorët e këtij vendi u ngopën me deklarata, sigurime gojore dhe gjestikulacione garantuese. Njerëzit tani duan të shohin ca pranga. Njerëzit duan t’u tregohen ca shembuj në mënyrë që të rinisin të besojnë se shteti shqiptar, është vërtet i tyri. Një shtet i cili nuk i lë të vdesin nëpër varka të shpuara, që nuk i braktis teksa piqen nëpër xhungla kasollesh dhe që nuk i flak nëpër fabrika fantazmë ku gra shtatzëna dhe fëmijë të njomë zbërthejnë predha nga të Stalinit.

Nëse edhe këtë radhë askush s’bëhet shembull, tragjeditë do t’i zënë vendin njëra tjetrës, duke na transportuar të gjithëve nga një emergjencë tek tjetra, nga një gjendje shokuese tek ajo pasardhëse dhe shtresëzimi i tyre do të arrijë më në fund qëllimin duke na shndërruar ne në imunitarë ndaj fatkeqësisë, dhe ata, “tolerantët”, në imunitarë ndaj përgjegjësisë. Këtu s’ka vend më për shfajësime: kjo është mundësia e fundit, sepse Shqipëria po nis të kuptojë se s’ndodhet në Azi dhe qytetarët e këtij vendi po fillojnë të zbulojnë se gjithë këto tragjedi s’janë vetëm punë fati a “syri të keq” por se në një farë mënyre edhe ata janë treguar më tolerantë se ç’duhet me “tolerantët”. Seneka thotë: “Fat është ajo që ndodh kur përgatitja has mundësinë”. Fatkeqësi atëherë i bie të jetë ajo që ndodh kur mundësinë nuk e takon përgatitja, por e kundërta: papërgatitja, moskokëçarja dhe tolerimi. Nëse ndodh edhe një tolerim tjetër, ata e dinë, ne e dimë: do të jetë thjesht djepi i një fatkeqësie të re.

Botuar ne gazeten "Korrieri", mars 2008

Dilema kuqezi

nga Sokol Shameti

Data 19 qershor 2007. Santa Klausi po bën gjumin e drekës, ndërsa në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfaqësuesi rus sqaron se Moska kurrë nuk do të njohë një shtet të quajtur Kosovë. Më në fund, ai do të bindet të abstenojë një paketë të Marti Ahtisarit e cila suspendon sovranitetin serb mbi Kosovën. Një orë më vonë, në qendër të Prishtinës 1 milion njerëz janë grumbulluar për të pritur atë që ndoshta tetë vjet më parë as që e kishin çuar ndër mend. Shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti vendas, kryeministri, qeveria, përfaqësuesit e të gjitha partive dalin në një ballkon të improvizuar. Skenat zhvillohen pothuajse ashtu siç do të kishin ndodhur nëse filmi "Nëntori i Dytë" do të zhvillohej në shekullin e XXI-te. Hidhen fishekzjarrë. Hapen shampanja. Populli brohoret. Luhet muzikë bashkëkohore. Nënshkruhet akti i Pavarësisë që më vonë do të dërgohet në muze. Por, papritur, festa mbetet në mes. Kremtorët-si çdo shqiptar i vërtetë kur i hyn çështjeve të organizimit të ceremonive-po hasin probleme me aktin më simbolik të një shpalljeje pavarësie. Ngritjen e flamurit. Ç’flamur të vendosim në shtizën që pret tek ballkoni, ndërkohë që Pandeli Majko është nisur me 'trimat e tij' nga Tirana për në Prishtinë siç rendte Isa Boletini dikur për në Vlorë, i etur për të puthur atllasin e qëndisur nga Marigoja. Në Prishtinën e 2007-ës asnjë vashë nuk quhet Marigo, dhe si pasojë, asnjë flamur tjetër veç atij të vjetrit, të dashurit, të qëndisurit nga Marigoja vlonjate e 1912-ës nuk gjendet kurrkund.

***

Të gjesh një flamur për Kosovën, është sot për shumë njerëz një diskutim i fortë etik panshqiptar. Kur shteti i dytë shqiptar në botë të marrë çertifikatën e lindjes, moralisht do të marrë fund edhe ekskluziviteti i Republikës së Shqipërisë si përfaqësuese e interesave kombëtare shqiptare dhe manifestimeve të saj të ilustruara nga tërë garderoba e patriotizmës në shekuj, nga përkrenarja e Skënderbeut, e gjer tek të mbathurat e Luan Krasniqit. Duke qenë se flamuri zyrtar i kësaj njësie shtetërore është flamuri kombëtar i një populli që i kalon kufijtë administrativë të kësaj njësie, askush nuk mund t’ia mohojë paskëtaj Kosovës, një entiteti të ri që ka ndoshta po aq të drejta mbi simbolet kombëtare, sa edhe Shqipëria, që të kërkojë pronësinë e kësaj simbolike. Si rezultat, ose Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me marrëveshje do të vendosnin që të shpallnin si flamuj të tyret disa derivate të flamurit unik kombëtar. Ose Tirana zyrtare, as që do e bënte qejfin qeder, duke i lënë ata në Prishtinë të bëjnë shpikje surreale dhe t’i largohen edhe më tej identitetit shqiptar duke ecur nëpër një shteg të rrezikshëm ku i kanë drejtuar prej 1913-ës e deri më 1999-en. Ka edhe një mundësi tjetër hipotetike, dhe ajo është që çështja se i kujt është më shumë flamuri kuqezi të shndërrohej në mollën e parë të sherrit mes dy vendeve. Të tri skenarët janë kush më shumë, e kush më pak, të mundshëm, por problemi i përcaktimit të simboleve shtetërore të Kosovës, mbetet ende i hapur, ndonëse në Prishtinë thuhet se grupe akademikësh po punojnë me intensitet të lartë për t’i dhënë përgjigje kësaj pikëpyetjeje. Nën ethe duket se janë edhe patriotët kibernetikë të gjeneratës së tretë amerikane, apo të asaj të parës britanike. Disa oferta flamujsh të përpunuara në programet power point apo paint, po qarkullojnë online si për të provuar se kur vonojnë zgjidhjet zyrtare, gëlojnë ato humoristiket. Në një fushë të kuqe, shquhet kryqi i Saint George-t të Anglisë, por tashmë i zi, i ndërthurur me iksin kelt të skocezëve, simbole të cilat në kushte dhe sfonde të ndryshme, do të formonin thjesht flamurin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Por jo. Ky mund të jetë edhe flamuri i ri i Kosovës, Shqipërisë së re Veriore. Sigurisht, nëse ajo do të ishte një shtet virtual.

***

Dilema e madhe e zgjedhjes së një flamuri për shtetin e ri të Kosovës, nuk është thjesht një problem marketingu për përcaktimin e një trade mark-u me të cilin tërësia e vlerave të këtij shteti do të reklamohet para botës. Zgjedhja e një flamuri për Kosovën, është njëkohësisht edhe finalja e dukshme e luftës së gjatë të një gjymtyre tepër vitale të kombit shqiptar për të konfirmuar përkatësinë e vet etnike pas një shekulli diskutimesh ekzistenciale. Të një lufte që shpesh përkufizohet si lufta për pavarësinë e Kosovës. Por që në të vërtetë ka qenë më shumë se gjithçka, luftë për shqiptaritet të Kosovës. Të një lufte që nisi si një reagim shpjegueshmërisht i dhunshëm dhe emocional ndaj devijimit të zhvillimit natyror të kësaj gjymtyre si pjesë e një trungu me identitet të caktuar. Por që po përfundon si një eksperiment i ftohtë biologjik ku kavies i hiqen një nga një e pa u ndier resurset jetike, duke e dërguar në limitet e mbijetesës, por duke mos e lënë njëkohësisht as të vdesë si pasojë e këtyre kushteve të pajetueshme. Dhe ja sesi kësisoj arritja e qëllimit të saj: mbijetesa, shndërrohet në një rezultat më e pakta pa shije, për të mos thënë: i padëshirueshëm. Pas përplasjeve të përgjakshme të 10 shkurtit në Prishtinë mes "Vetëvendosjes" dhe UNMIK-ut, trupat e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, të vrarë nga policia ndërkombëtare, u dërguan nën dhe të mbuluar me flamurin kombëtar, që përdoret sot si flamur zyrtar i RSH. Do të ishte e pakonceptueshme që dy dëshmorët më të rinj të përpjekjes 100 vjeçare për shqiptaritet të Kosovës, të ishin mbuluar me ndonjë flamur të përpunuar në ndonjë seli partie, apo më keq akoma, në internet. Por flamuri i diktuar i Kosovës, pritet të jetë, fatkeqësisht, një produkt tërësisht laboratorik me të cilin s’do të kishte dëshmor të atjeshëm që do të pranonte ta mbulonin pas vdekjes. Do të jetë, ndoshta, ndër flamujt e parë në Europën e vjetër që krijohet në kushte akademiko-administrative, dhe që nuk lind a trashëgohet përmes procesit të errët të simbiozës mes mistikës dhe traditës. Të asaj simbioze të cilën u mundua pa sukses ta fabrikojë ish-poeti dhe ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova me kreatyrën e vet heraldike: një përzierje dehëse ngjyrash, shkronjash dhe simbolesh që bash për shkak të kësaj dendësie hasi në qëndresën e thjeshtë të refuzimit nga ana e shumicës së shqiptarëve të Kosovës, që prej njëqind vjetësh lindnin (por më shumë vdisnin) në emër të pikërisht atij flamuri që Rugova u mundua t’i shmangej. Kam takuar në Kosovë shumë njerëz që kur u përmendja flamurin e Dardanisë, siç u quajt flamuri i Rugovës, më tregonin mua sa afër qëndronte përpjekja e ish-presidentit për të servirur para mendjeve të shqiptarëve të atjeshëm idenë e identitetit të ndarë shqiptar-kosovar, me përpjekjen e vjetër jugosllave për të bërë të njëjtën gjë. Ata më kujtonin flamurin e krahinës autonome socialiste të Kosovës nën Jugosllavi, i cili ndonëse një shpikje serbe, ishte thjesht një retushim i vogël i flamurit të RPSSH-së armike. Flamuri i Rugovës ngjante aq larg edhe prej kësaj sajese antishqiptare, saqë shumë njerëz atje nervozoheshin nga kjo distancë që ndoshta burri nga Velania e shihte si mjetin e vetëm për t’i mbushur mendjen ndërkombëtarëve se irredentizmi i tij s’ishte nacionalist, se pavarësia që ai kërkonte s’forconte elementin shqiptar në dëm të atij serb, dhe se Kosova e tij nuk aspironte t’i atashohej Shqipërisë as përmes simbolikës. Një rrugë kjo, tërësisht e gabuar, sidomos po të mbahet parasysh reagimi i fortë që pasoi nga qytetarët, kur me rastin e 28 nëntorit të fundit që Rugova ishte gjallë, flamujt dardanë që stolisnin shtyllat e Prishtinës, u dogjën publikisht duke u zëvendësuar nga ata të Shqipërisë. Një flamur, ky i fundit, i cili përdoret sot gjerësisht në institucionet e Kosovës, në sallat e konferencave për shtyp, e deri nëpër ballkonet e qytetarëve të thjeshtë atje. Të gjesh një flamur tjetër për Kosovën e rikthyer në shqiptaritet, ka për të qenë me të vërtetë një sfidë.

Botuar ne "Fletore Shqiptare", SHBA, 2007

Politika e Re

nga Sokol Shameti

Deep Purple-at e plakur kanë një fan të ri. Ai është kryeministri jo edhe aq riosh i Shqipërisë. Pas eklipsit hënor të radhës, kjo i bie të jetë shenja e fundme se lufta për të drejtat e autorit të “Politikës së Re” ka hyrë në një fazë komiko-epike. Ta klasifikosh denatyrimin e lidershipit të vrenjtur të “së djathtës” si akt pjesëmarrjeje në këtë kontest, mbase është guxim i ekzagjeruar. Por seç mban një erë sikur Politika e Re prodhim shqiptar është kokë e këmbë thjesht marrdhënie me publikun, një titull rozë gazetash apo kronikë televizive me pak si tepër aksion. Sikurse rock’n rolli i viteve 70, ajo është kthyer tashmë pa u ndier në një stil jetese me moton: “gjeje ç’do e mërziste më shumë Adil Çarçanin”.
Sipas statistikave psikiatrike, çdo dhjetë shqiptarë, njëri është skizofren i pavullnetshëm. Për nëntë të tjerët efikasiteti me të cilin funksionojnë tek ne këto truke të mjera dhe të stërpërdorura, do të duhej të ishte acarues. Do të duhej të dukej si tallje e madhe qeramarrja në ditët tona e kostumeve të cilat në botën perëndimore të jepnin imazh progresisti si minimum, 20 vjet më parë. Një vepër përçmimi do të duhej të ishte edhe shitja e tyre si kulmi i kontroversialitetit midis primitivizmit total. Një eveniment tribal për lindjen tmerrësisht të largme shqiptare ku edhe grupet e zhdukura rock mbërrijnë me një vonesë më të madhe nga ajo me të cilën arrijnë në lindjen e largme japoneze veteranët italianë të futbollit kur vendosin të dalin në pension.
Mjerisht edhe “Politika e re” përbën lajm në Shqipëri atëherë kur e ka mbyllur me kohë e vakt ciklin në pjesën tjetër të botës. Por le të mos jemi destruktivë. Përballë qëllimeve ndoshta të mira të promovuesve të saj le të themi se ndoshta kemi këtu një problem definicioni. Më shumë se pyetja çfarë të quajmë “politikë të re”, le të themi se s’po dimë çfarë nuk quhet e tillë dhe çfarë kualifikohet këtu tek ne për “politikë të vjetër”.
“Politika e Re” shqiptare nuk është sigurisht “New Politics” amerikane e Adlai Stevenson-it të viteve 1950. Bashkim Fino apo Jozefina Topalli janë të pashndërrueshëm brenda natës nga aparatçikë të mërzitshëm, në veprimtarët e rrymës “beat” që furnizuan municionin intelektual për të dërguar në presidencë John Kennedy-n. Po ashtu, s’ka sot në Shqipëri një luftë për të drejtat civile, apo nevojë për një sjellje më pajtore ndaj totalitarizmit. Sot në Shqipëri ka një luftë guerrile thuajse artizanale për të drejtat publike përballë agresionit të privates. Gjithë ky regres ka ndodhur dalëngadalë e vit pas viti, kinse për faj të papërvojës sonë në punë demokracie. Por shikoni tani sesi deri edhe koorporatave shtetërore si KESH u kanë lejuar luksin që të vendosin një logjikë çnjerëzore bilancesh mbi detyrën për t’i shërbyer me çdo kusht publikut. Ti mendon se kjo është një vepër e kurdisur nga demokratët pseudokonservatorë? Jo, ky software vrasës është instaluar në sistemin e ndërmarrjeve tona publike nga nxënësit e Adam Smithit që iu bashkangjitën dhe modifikuan kaherë ADN-në e “së majtës” shqiptare.
Sot në Shqipëri ka gjithashtu nevojë për organizim të rezistencës ndaj zbarkimit globalist i cili siç Circja kthen detarët në derra, e merr një bashkësi shumëfunksionëshe kombëtare dhe e shndërron në një ingranazh specifik të makinerisë së vet fitimprurëse. Shpesh makineria ka nevojë për leva qorre, tip zorre apendicit që s’kryejnë asnjë funksion, por që me inaktivitetin e vet, thjesht s’u bëhen ferrë nëpër këmbë ingranazheve të tjera të dobishme. Zaten për vite me radhë eksporti më i inkurajuar shqiptar s’është ndonjë vepër e gjymtyrëve tona por vetë gjymtyra jonë punuese, e formuluar në trajtën trurit rrjedhës, shqyerjes së shpatullave apo ekspozimit të organeve seksuale. Investimet më të mëdha të kapitalit të huaj në këtë vend, janë gjithashtu thjesht disa facilitete për përpunimin e krahut të punëtorëve tanë të keqshpërblyer në ndërmarrjet italogreke të tekstileve a industrisë ushqimore.
Nga ana tjetër, “Politika e re” shqiptare s’ka sesi të përngjajë me atë të demokratëve amerikanë të viteve 50, përderisa s’flet për fillimin e ndonjë kapitulli të ri social. S’flet ajo për fundin e robërisë sonë ekonomike karshi trusteve koloniale, të cilat kanë gjetur tek politika e vjetër ortakë për krijimin e një mjedisi rigjenerues. Shikoni sesi lulëzojnë në Shqipëri kompani që s’do të pinin dot ujë në konkurrencën e shëndetshme të “Europës me fytyrë njeriu” e cila priret kah interesi qytetar. Proteksionizëm jo, por një sistem i qartë ligjor që do të mbante larg çdo zhvatës qoftë ai edhe me anglishte Oksfordi. Kjo do të ishte përgjigjja. Por në Shqipëri ju mund të dalloni sesi monopolet dhe kolonitë e oligopoleve kanë arritur tashmë të autogjenerohen duke thithur me qetësi nga shoqëria ku janë ngulur, maksimumin e përfitimit përmes ofrimit të minimumit të shërbimeve. Ky është një sistem i organizuar mirë. Ai mbrohet nga breza sanitarë ligjesh të sponsorizuara nga vetë sistemi. Një sistem që kontrollon zemrën e sistemit tonë politik i cili prodhon për llogari të tij “të zgjedhurit” e vet përmes procesesh gjithmonë të dyshimta elektorale. Pikërisht, kjo është Politika e Vjetër shqiptare a më saktë, vepra e saj në formën e Shqipërisë së padurueshme të viteve 2000.
Përballë këtij realiteti aspak shpresëdhënës, ja tek shpërfaqet edhe nevoja për një “Politikë të Re”. Një politikë e cila teorikisht do të duhej të ishte Partia Demokratike që sheshon sistemin e pabarazisë korruptive në konkurrencë, të krijuar nga pseudosocializmi tetëvjeçar i Fatos Nanos. Një politikë e cila do të duhej të ishte edhe Partia Socialiste që periodikisht i shton kësaj konkurrence përbërësin e interesit publik si kundërpeshën ekuilibruese të një lavjerrësi alternues. Nëse të djathtën e re do të duhej ta shijonim si “Liria mbi të gjitha”, e majta e re do të duhej të këndonte sot “Publiku mbi të gjitha”.
Por në realitet, politika e re shqiptare sot si majtas edhe djathtas është vetëm një repertor gjestesh teatrale, pa logjikë e aq më pak dobi. “Shqipëria një euro” thërret Berisha, duke e thelluar edhe më shumë pabarazinë diskriminuese në konkurrencën midis kapitalit të huaj dhe atij vendas dhe duke i zgjatur kësisoj jetën sistemit të ndërtuar nga politika e vjetër. Vendi nuk ka nevojë për reforma të majta a të djathta, reciton Edi Rama. Shqipëria ka nevojë për reforma standarde. Pesëmbëdhjetë vjet pas kalimit nga ekstremizmi i ekonomisë së superplanifikuar direkt e në legalizimin e ekonomisë së hiperçakërdisur, kjo pikëpamje oportuniste ngjan si minimum, mendjelehtë.
E ndërsa krahas këtyre klisheve populiste, liderët u injektojnë masave herë haptaz e herë me sy të mbyllur edhe ëndrrën për një “politikë të re”, e gjithë kjo përzierje shndërrohet në një përpjekje për t’i mbathur patkonj të rinj një gërdalle të vjetër. Më shumë se një update-im i sistemit, “Politika e Re” e politikës shqiptare duket se është një përpjekje për zbatim në praktikë të tezave të “New Politics Network”-ut britanik. Një shkollë mendimi (a më mirë një doracak praktik) që i mëson njerëzit të pjesëmarrin në politikë dhe të votojnë kandidatët bazuar në paraqitjen dhe karizmën e tyre. Por aspak në atë se ç’ideologji ata përfaqësojnë. Po, e saktë. Ne blejmë patatina të cilat na prishin mendjen me mënyrën sesi kërcasin në reklamën televizive. Por po ashtu, votojmë për kandidatin që na e mëkojnë tok me tabletat tona të përditshme mediatike të argëtimit tabloid. Politikani si produkt marketingu dhe jo si përkthyes i doktrinës standarde në aplikime shoqërore. Nuk ka dallime programatike mes PD dhe PS, por vetëm mënyra ekzekutimi të të njëjtit program. Kështu mendonin thuajse të gjithë pjesëmarrësit e intervistuar në një tryezë demek-dëgjimore të organizuar nga lidershipi socialist me shoqërinë civile në kërkim të një ideologjie për një të majtë under construction. Dhe ja sesi midis dizimpenjimit megalomaniak del në dritë se gara jonë politike përsëri nuk ka ndërmend të ndërtohet midis dy mendësive të ndryshme, por mbi atë se cila nga palët do të tregohet më efikase në ekzekutimin e një sistemi të gabuar nga natyra. Sistemi i shtrydhjes globaliste ka nevojë të përhershme për ortakë politikë dhe “Politika e Re” e politikës shqiptare përmes mungesës së alternativave për t’i bërë rezistencë këtij sistemi, po tregon se është thjesht një remont kapital i të njëjtit partneritet. Dhe ky është në të vërtetë vetë problemi. Shoqëria shqiptare nuk ka sot nevojë për variante të reja të së njëjtës anomali. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një listë reformash me fytyrë më njerëzore të cilat do ta meritonin plotësisht emrin “Politikë e re”. Kjo është një politikë e cila nuk do të mbërrijë të nesërmen e një vale shkarkimesh politike në administratë nga ana e qeverisë, apo pas një workshopi ku Rama mban leksione përpara tifozëve të tij të maskuar si gazetarë dhe aktivistë socialë. Ajo do të jetë një proces i gjatë ndërgjegjësimi përmes të cilit organizatat tona politike duhet të ecin me mundim çdo ditë. Dhe deri atëherë, “Politika e Re” shqiptare do të mbetet thjesht një togfjalësh impresiv që shqiptohet me theks të fortë anglosakson tek gërma “R” pikërisht për të krijuar iluzionin se ka lidhje me diçka së cilës nuk i përket. Një butafori e lyer me varak dhe ngjyra të forta nga jashtë, por bosh përbrenda. Ju do ta hasni atë në një formë të arrirë sa herë Edi Rama vesh xhinse, a kur përdor zhargon prej teen ager-i; kur këndon hip hop ose ndërsa reklamon si vepër mbinjerëzore faktin se thjesht kreu detyrën për të cilën paguhet. Ju do ta dalloni këtë pseudopolitikë teksa Berisha shtrëngohet pa sukses të adoptojë një imazh progresist teksa lancon KOP-in, teksa pret telefonata në dispeçerinë e antikorrupsionit, kur pi kafe (yes dear, coffee) me Ian Gillan-in e Deep Purple-ve apo kur bëhet lëmsh me terminologjinë kibernetike të moshës së Microsoftit. Duke na vërtetuar kështu se aplikuesit dhe promovuesit e këtij show mediatik janë heronjtë e boshatisur të një epoke të zbrazët. Bijtë e një kohe pa skrupuj, pa ideale dhe pa ideologji.
Por ndërkaq vitet fluturojnë dhe shqiptarët flenë e zgjohen përditë me iluzionin televiziv se po jetojnë më mirë se një ditë më parë. Në fakt pa u ndier dhe pa kuptuar, gjithsecili prej nesh është tashmë një bulon i vogël përbërës i makinerisë së mirkurdisur të shterpësisë sonë kombëtare, ndërsa koorporatat riprodhojnë gjymtyrët me të cilat kultivojnë skllavërinë tonë. Nganjëherë mendtë e grigjës së bindur turbullohen kur nga zelli i tepërt, doktorët tanë politiko-mediatikë, na ngatërrojnë kurën e trushpëlarjes sonë të përditshme. Kjo ndodh sa herë që në vend të pilulës së “politikës së re” me Deep Purple, lidera bluejeans dhe workshope aktiviste, na japin padashje atë të ushtarëve grekë që i këndojnë himne syleshësisë tonë. Dhe aty, aaa më fal, por ne s’të falim.

Botuar ne "Fletore Shqiptare", SHBA, mars 2007