Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Saturday, October 2, 2010

Porosi

Biletat janë prerë, valixhet janë përgatitur dhe prenotimet janë bërë të gjitha. Selia e PS-së kumbon në këto ditë dhjetori në një boshllëk shembullor që të kujton një klishe nga ato të kulturës pop: “all the lonely hearts in London, caught a plane and flew away” (gjithë vetmitarët e Londrës – në rastin tonë Tiranës – ia hipën avionit dhe fluturuan).

Ky paskësh qenë pra edhe “revolucioni portokalli” i kutive në Shqipëri. Një intifadë me kohë të pjesshme që shkon me pushime për Vit të Ri. Një rebelim part time ku në emër të popullit flitej kundër grykësisë së qeveritarëve që ishin gati të vinin dorë edhe mbi votat për të vazhduar të abuzonin. Ku më të zjarrtët sillnin madje në kujtesë edhe sheshin Tienanmen dhe “¡No Pasarán!”-in e luftës së Spanjës. E gjithë kjo nuk do të ndodhte nëse ata do ta kishin vërtet seriozisht dhe nëse gjendja këtë dimër do ishte aq tragjike sa ç’ishte – ta zemë – në dimrin e 1990-ës në Shqipëri, ose në dimrin e 2000-ës në Serbi, ose në dimrin e 2003-shit në Gjeorgji, ose në dimrin e 2004-ës në Ukrainë.

Por tashmë nuk ka më asnjë dyshim se lufta e ftohtë midis qeverisë dhe opozitës për çëshjten e zgjedhjeve të qershorit u mbyll me fitoren e të parës. Të dytët, opozitarët – nëse pranojmë t’i quajmë kështu socialistët për marrëveshje termash – i sheh të tërhequr tani në një pozicion rezervist duke e kufizuar gjithë aktivitetin e tyre thjesht në lëvrimin e një terminologjie ende të paftohur mirë si dhe në ca “atentate” të vogla verbale ndaj dështimeve të fituesve, siç guerriljet shtijnë në ajër e ikin pa dalë kurrë në front të gjerë. E parë në një kontekst më të gjerë, kjo do të duhej të quhej gjendja normale e politikës në Shqipëri sepse fundja kjo ka qenë prej vitesh e gjithë “lufta” e pseudo-opozitës shqiptare e cila kurrë nuk ka kritikuar sistemin e padrejtë që po e bën Shqipërinë të dështojë, por vetëm dështimet e herëpashershme të pozitës në aplikimin e përpiktë të këtij sistemi.

Në harkun e një muaji ndodhën të gjitha ato që mund të ndodhnin në një situatë të paqartë. Edhe karambolimi kokë më kokë mes dy protestave. Edhe thirrjet “tradhti” kundër aleatëve “të majtë”, edhe zbarkimi trullosës i Çiljetës në kuvendin e PD-së. Edhe qarja e Ramës tek presidenti i pallatit të Brigadave dhe ai i rrugës së Elbasanit. Edhe tonet atërore të Berishës e Topallit kundrejt plangprishësve të kuvendit. Si në një telenovelë të sforcuar në serinë e saj të 365-të, PS e PD vazhduan gjatë gjithë kohës njëra t’i hedhë benzinë e tjetra ujë zjarrit që ndezën vetë, duke ruajtur një audiencë të lartë të programit të tyre televiziv.

Dhe ç’mbeti si përfundim nga e gjithë kjo? Thjesht një zhgënjim më shumë. Thjesht zbërdhylja e mëtejshme e autoritetit të së majtës. Por po ta mendosh hollë hollë, rezultati final është edhe fakti se tanimë askush brenda PS-së nuk diskuton më se Rama i cili humbi zgjedhjet ka humbur njëkohësisht me to edhe të drejtën të qëndrojë në krye, pasi mendjet e tyre u zhvendosën me marifet dhe po mbahen të zëna me gjeagjëzën: si t’i hapim këto kutitë? Protestat qytet më qytet nisën me bujë dhe mbaruan siç pritej, me pëshpëritje, ndërkohë që nga ana e vet kreu i qeverisë duket se zbatoi me kënaqësi aksiomën e Bonapartit: mos e ndërprit kurrë armikun tënd kur ai është duke kryer një gabim.

Sepse ndonëse mendjeve tmerrësisht pjellore dhe tejet, tejet kreative vërdallë Ramës, kjo çështja e arritjes së çimentimit të tij të ballë të partisë mund t’u duket edhe si një mision i suksesshëm, kjo është njëherit edhe një nga disfatat më të rënda të së ashtuquajturës “e majta” shqiptare. Meqë po flisnim me terma napoleonike, në një plan afatgjatë kjo mund të quhet edhe Vaterloja e së majtës si asaj të institucionalizuar edhe asaj informale, që gjallon në këtë vend.

Kjo ishte një nga herët kur një masë e konsiderueshme e energjive, besueshmërisë dhe seriozitetit të së majtës u hodh në aventurë, u bë paçavure nëpër rrugë, u zvarrit në një mision të pamundur, utopik dhe të parealizueshëm si dhe u detyrua të ngarkohet si gomerët me gurë, thjesht për arsye marketingu. Siç thoshte jo krejt me takt por jo fare pa të drejtë një koleg intelektual i mendimit të majtë: ky ishte manuali si të përdorësh degën e PS-së Yrshek për të krijuar efektin special të betejës në filmin Lord of the Rings. Të gjithë u përdorën si figurantë për realizimin e një videoklipi jo edhe aq të suksesshëm televiziv, i cili shërbente për të krijuar përshtypjen se Rama ka të drejtë të qëndrojë në krye të partisë sepse zgjedhjet ndonëse nuk i ka fituar, gjithsesi ai as i ka humbur dhe se arkitekti i dështimit socialist është i pafajshëm derisa të provohet fajtor.

Ky mision manipulues po që mund të quhet i realizuar dhe ç’te realizuari madje. Kjo është arsyeja pse dinjitarët opozitarë janë tani të qetë. Në këto ujëra, ata në rastin më të keq kanë nisur pushimet e në rastin më të mirë po mbjellin fara kumbulle e po marrin poza para gazetarëve. Duke na bindur tashmë përfundimisht të gjithëve, se e gjithë zjarrmia e tyre revolucionare, hakërrimet dhe “qëndresa” ndaj revanshit të së djathtës, ishin thjesht një mizansenë e pështirë mashtruese. Dhe duke na dhënë të drejtë të gjithë ne kritikëve që e shprehëm qysh në nëntor skepticizmin ndaj acarimit artificial të retorikës së tyre dhe krijimit të një ndjenje fiktive paniku kolektiv me lejtmotivin tashmë bajat: të hapen kutitë.

Gjithçka mund të ndodhë në 365 ditët që do të vijojnë. Për shkak të vaktësisë së argumentave dhe impotencës së tyre krijuese, nuk do të arrijmë dot të asistojmë në ndonjë rekonkuistë socialiste, por një mbretërim i qetë i Berishës duket i pamundur. Kjo, jo krejt për shkak të efikasitetit të opozitës aktuale, por për shkak të nevojës së të dyja palëve për ta bërë show-n të vazhdojë duke kopjuar vetveten tek njëra tjetra si nën fletë identike karboni. Kësisoj Shqipëria politike do të kalojë edhe një tjetër vit nën lëkundjen midis diçkaje që s’do të dijë robi normal si ta quajë, luftë të ftohtë a paqe të ngrohtë.

Do të jetë po ajo situatë psikedelike ku burrat në xhaketë e kravatë do vazhdojnë të pështyhen nga podiumet respektive ndërkohë që masat e të papunëve, të pashpresëve dhe të paprivilegjuarve të këtij vendi do të lodhin qafën sa majtas djathtas si spektatorët e një derby pingpongu. Por gjithsesi, nëse një opozitë kaq pa përmbajtje dhe kaq manipuluese si kjo që kemi sot, do të ndodhë që të arrijë t’i bëjë varrin të njëllojtëve në pushtet dhe të marrë frenat e vendit, porosi personit të fundit që ikën nga Shqipëria: ju lutemi, fikni dritat.

(Gazeta "Shqip", 28 Dhjetor, 2009)

No comments:

Post a Comment