Ideas are also weapons...

random selection of articles by Sokol Shameti

Sokol Shameti is just another guy. He's been around bothering with his writings since 1996. He spends most of the time
thinking, writing and aging. If you have nothing better to do, you can dig for other articles by him in the archives of few Albanian and foreign papers, such as "Gazeta Shqiptare" daily newspaper (1996-1998), "Courier International" weekly magazine (1999-2000), "Klan" weekly magazine (1998-2007), "Korrieri" daily newspaper (2007-2009) and "Shqip" daily newspaper (since 2009).

Saturday, October 30, 2010

Operacion plastik


Sa e vështirë mund të jetë për një shoqëri që të gatisë antitrupat e vetë të qëndresës? Vite të tëra apatie, politikë mospërfaqësuese, promovim i individualitetit dhe përçmim i së përbashkëtës, media dhe shoqëri civile e kontaminuar nga klientelizmi, arsim dekurajues që prodhon tulla pas tullash për murin e indiferencës. E megjithatë, shpresat s’vdesin kurrë tërësisht.
Opinioni publik po e distilon gjithë vëmendjen e vet te Piramida dhe te këmbëngulja e qeverisë për ta kthyer atë në një Rosinant beteje në luftën e saj kundër fantazmës së komunizmit. Megjithatë vitrina publike e Tiranës përjetoi këto ditë disa ngjarje më të vogla por domethënëse për atë që po ndodh me reagimin civil ndaj trasgresionit politik.
Mëngjesin e së enjtes, fytyra e Muzeut Kombëtar u zgjua me një operacion tjetër plastik. Një bisturi e panjohur, kishte amputuar fragmentin e banderolës gjigande që njofton në mënyrë të shproporcionuar se viti i Nënë Terezës mundësohet nën kujdesin e Sali Berishës.
Ndërhyrja prerëse që dukej sikur ishte kryer nën anestezinë lokale të ndonjë doze të fortë alkooli pas mesnate, kishte pasur ndërkaq syçeltësinë e duhur për të kursyer bamirësen por për të nxjerrë jashtë loje “mundësuesin” e saj.
Qytetarët kishin ndjekur episodet e njëpasnjëshme të përndjekjes politike ndaj mozaikut “komunist” që përbën edhe shtresën e parë të propagandës në fasadën e këtij institucioni publik. Projektet për shkatërrimin e puzzle-t me partizanë dhe punëtorë kishin vite që qarkullonin. Mes tyre kishte pasur edhe ide disi më inovative, për shndërrimin e tij në ndonjë lloj pikture kubiste duke përdorur të njëjtët gurë nga të partizanëve dhe punëtorëve.
Ndërsa vitet iknin me këtë debat, në skenë kishte dalë një magji e re. Si Circja në epin e Uliksit merrte detarët e i kthente në gica, kjo magji i merrte hapësirat publike e i shndërronte në publicitet (me figurën e femrës të pamungueshme e joshëse nëpër të). Kjo ishte faza kalimtare. Mozaiku heroik, u mbulua me një grim të përkohshëm dhe me xixa reklame dhe kjo ishte shtresa e dytë e propagandës mbi fasadën e vjetër të mozaikut.
Shoqëria shqiptare e zënë në kllapinë e tregut të lirë dhe krenar, po i tregonte botës nga sheshi i saj më i madh, fytyrën e saj të re. Dikur e përbërë nga vetulla të ashpra proletarësh dhe grash heroina. Tashmë, e trukuar nën fytyrën joshëse të koketës që bën me sy: “mund të më kesh, nëse paguan”.
Por kjo ishte një histori që s’zgjati. Shumë shpejt, mbi shtresën e dytë dhe kalimtare, u nder shtresa e tretë, e rëndë dhe arrogante. Shtresa e slloganit totalitar politik që vinte nën një përzierje mistike dhe divine, në një simbiozë të çuditshme dhe domethënse shtet-fe.
Ky ishte anëtarësimi i parë në një parti politike i Nënë Terezës, një personazhi tepër të dashur për shqiptarët më shumë për shkak të etnisë së saj, sesa për shkak të besimit. Për ne, qytetarët që e ndiqnim me retina gjithë këtë ndërrim “lëkurërash” mbi fytyrën e Muzeut, ky ishte një përjetim i llojit të veçantë. Kjo ishte gara për të na fituar ne dhe vëmendjen tonë. Një tabletë përgjumëse me brenda të tria shtresat narkotike të epokës ku jetojmë: politikë, ekonomi, religjion.
E ndërsa në opinionin publik ngrihej vazhdimisht shqetësimi i sigurt dhe i sterilizuar verbal ndaj kësaj që po ndodhte, asgjë që të provonte se njerëzit bezdisen nga kjo dhunë vizive nuk po shfaqej. Ndaj në këtë kuadër, sllogangrisja e së enjtes, mbetet ndoshta një nga gjestet e para dhe të brishta që tregojnë se reagim qytetar, realisht ka.
Ky mbetet gjithsesi një reagim në kushte primitive, instiktiv dhe i kompleksuar. Por është një veprim selektiv proteste dhe pakënaqësie që ç’ke me të.
Politika do të mundohet pas pak që përmes një kombinati të sofistikuar retorike ta kthejë gjithsesi këtë akt, në një vepër të sajën. Do të ketë politikanë që do të duan ta përvetësojnë atë duke e quajtur një gjest mbështetjeje ndaj partisë së tyre, e do të ketë të tjerë që do t’ia faturojnë këtë “akt vandal” kolegëve nga ana tjetër e peshores. E rëndësishme për ta është që ashtu si Nënë Tereza, edhe kirurgu anonim dhe i dehur i pasmesnatës, të mos mbetet pa teser partie.
Sulmi me preçizion të lartë ndaj politikës së slloganeve, duhet parë ndërkohë edhe si një koordinatë shpjeguese për psikën e shqiptarit të shqetësuar të ditëve tona. Shqiptari i nervozuar i vitit 2010, mund ta durojë dhe nuk ndjehet i bezdisur nga trashëgimia real-socialiste në veprat publike. Ai i quan ato pjesë të së kaluarës së tij dhe asgjësimi apo fshehja e tyre është e njëjta gjë si mohimi apo fshehja e kushërinjve të sikletshëm nga fshati.
Shqiptari në fjalë, s’ka gjë as me simbolet kombëtare dhe etnike, e po të doni, as me ato fetare, ndaj Nënë Tereza e Kalkutës mund të qëndrojë e qetë. Ai madje, shpërfill e s’e quan agresion ndaj lirisë së shijes së tij, as përpjekjen publicitare për t’i shitur pikërisht atë që ai s’ka ndërmend të blejë.
Kësisoj, mund të themi se urrejtja është e përqëndruar në një drejtim të vetëm. Ajo është një sinjal alarmues me sens unik për klasën politike shqiptare, kundër së cilës personalizohet gjithë dëshira për heqje qafe, eleminim, fshirje emri apo amputacion.
Mbase një shenjë e qartë se e kanë tepruar.
Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip”, 30 tetor 2010)

Tuesday, October 26, 2010

Listë e zezë

Disa njerëz këtu në Shqipëri janë mërzitur pse qytetarët nuk e kanë më entuziazmin e dikurshëm ndaj kauzës së tyre. Dhe për këtë arsye kanë vendosur të imponohen me çdo kusht.
Zaten, këto lloj misionesh realizohen përmes ndonjë gjesti të zhurmshëm, të dukshëm dhe të ndjeshëm. Dhe jo. Nuk është fjala për dasmën e Edi Ramës. Është fjala për gjestin e zhurmshëm të shkatërrimit të një godine të njohur dhe të rëndësishme për kujtesën e kryeqytetit. Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Asaj godinës në formë piramide ku fotografohen zakonisht turistët, e cila u ndërtua për të inkurajuar kultin e diktatorit të sapovdekur Enver Hoxha çerek shekulli më parë, por që qëndron sot aty ku është edhe si një provë se përballë një të ardhmeje “të ndritur” kohët e errëta kanë ekzistuar vërtet.
“Të mërziturit” nuk janë të persekutuarit nga komunizmi që ende ëndërrojnë sikur marrin nga shteti ndonjë kompensim për vuajtjet që shteti u shkaktoi atyre. Është fjala për Njerëzit Tepër të Rëndësishëm që rrotullojnë çikrikët e shtetit dhe që po u dhurojnë të persekutuarve, në vend të kompensimeve, ca pllaka të thyera mermeri.
Ofensiva e tyre e radhës mbi pronën publike - në këtë rast mbi Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës – po manifestohet së fundi më hapur, më pa cipë dhe ç’është e vërteta, më krenarisht. Deri edhe motivacioni për prishjen e Piramidës ka mbërritur tani në kufijtë e një talljeje. Përfaqësues të së djathtës marrin poza nga foltoret duke bërë ca sy dinakë: “na duhet një Parlament i ri. Të mos e kenë shqiptarët një tempull modern të demokracisë”? Por ky recitim i ngjan shantazhit të kujdestarit të strehës vorfnore tek “Lulëkuqe mbi mure” teksa i kërkon jetimit Sulo t’i kallëzojë emrat e atyre që e rrëzuan nga shkallët: “Hë fol, a e do ti kujdestarin tënd?”.
Nën vështrimin e hutuar dhe apatisë endemike që ka gozhduar qytetarinë e cila është tamam në syrin e këtij cikloni që kërcënon esencën e saj – qytetarisë – është duke u zhvilluar heshturazi, një proces tragjik. Ajo që po ndodh, është lufta e egër dhe e pamëshirshme midis dy aspekteve të natyrës njerëzore: principit politik dhe principit social.
Po ndodh pikërisht ajo që vëren Martin Buber kur flet për rivalitetin mes dy formave të sjelljes njerëzore: politikes dhe sociales. Por ku dallon Njeriu politik nga Njeriu social? Filozofët në këtë pikë bien dakord. Është njeriu gjahtar, asgjësues dhe konsumues nga njëra anë dhe njeriu kultivues, ndërtues dhe produktiv nga ana tjetër. Individi në konfirmim përballë individit në solidaritet. Karakteristikat e principit politik janë pushteti, autoriteti, hierarkia dhe dominimi. Karakteristikë e principit social është solidariteti spontan përreth një nevoje apo interesi të përbashkët.
Këto dy kahje në konflikt ndodhen vetvetiu brenda shoqërisë shqiptare si brenda çdo shoqërie tjetër. Por antagonizmi midis tyre, përpjekja që njëra palë të dominojë tjetrën ka hyrë së fundi në një fazë ku vërtet janë kapërcyer disa caqe. Sigurisht nuk mund të pretendohet që këto dy fytyra, politikja dhe socialja, që njeriu i tregon vetvetes në kushte të caktuara të tijat në shoqëri, të funksionojnë në harmoni. S’ka sesi, për shkak se në thelb ato janë të kundërtat e njëra tjetrës. Por megjithatë, ajo që ndodh si rregull është ngritja krye e njërës prej këtyre dy palëve të një shoqërie, në momentin kur pala tjetër merr revanshin dhe ushtron trysni.
Në gjithë këtë histori primitive, përfshihet edhe një paradoks modern. Ata që po sulmojnë, janë Njerëzit Tepër të Rëndësishëm. Ata të sjelljes politike.
Shikoni, për shumë njerëz në këtë vend, këto janë kohë të rënda. Çmimet rriten e rriten dhe leku vlen tani shumë më pak. Pensionistët dhe ata më të varfërit janë të parët që e ndjejnë. Emigrantët e kanë rrudhur qesen. Industritë e vetme që dikur rriteshin në këtë vend, si ajo e ndërtimit, kanë pezulluar punën për shkak të stoqeve të mëdha të apartamenteve të pashitura dhe masa më e madhe e punëtorisë aktive shqiptare është sot në kërkim të dëshpëruar për qoftë edhe një ditë të vetme punë me kohë të pjesshme.
Sigurisht, në arkën e shtetit shkojnë më pak para, për faktin e thjeshtë se para ka vërtet më pak. Qeveria po detyrohet të nxjerrë lekë deri edhe nga plehërat italiane. Investimet publike janë pakësuar dhe kjo s’mund të injorohet. E gjithë kjo, ka një kosto sociale. Shkurtimet, fjalë e ditës në çdo ndërmarrje private por sidomos publike. Qindra mësues janë hedhur në rrugë. Kryengritje të vogla lokale të shkollave publike të mbingarkuara me nxënës, shtypen pa zhurmë gati përditë. Javën e kaluar ishte radha e “Ismail Qemalit”. Javës tjetër ku i dihet. Të jesh qytetar shqiptar sot nuk është aspak e lehtë, por ky nuk është një realitet që e sheh shumë në televizorin për të cilin madje ka ankesa – edhe këtu në shtyp – për zell të tepërt në pasqyrimin e “punëve” të Njerëzve Tepër të Rëndësishëm dhe për kalimin në plan të dytë të Njerëzve Krejt të Parëndësishëm.
E megjithatë ndonëse i kanë të gjitha arsyet, nuk janë qytetarët, fytyra sociale e shoqërisë ata që u ndjehet zëri teksa po i shkelin. Elementi njerëzor dhe social mungon në çdo formë të organizuar proteste. E kundërta ndodh. Masat njerëzore, ndonëse të vendosura nën morsën e atij presioni të fortë të përshkruar më sipër, pajtohen të demonstrojnë solidaritet për votën, kutitë, sukseset e qeverisë dhe të tjera forma të shprehjes së veprimtarisë politike në këtë vend.
Përmes hedhjes në akte destruktive siç është shembja apo përvetësimi i Piramidës, pala politike po tregon se tanimë ka arritur në fazën ku aq i bën për ndjeshmërinë dhe shqetësimin social të publikut.
Dhe e gjithë kjo është një luftë e pajustifikuar, pasi siç thamë, arsyet për të qenë të pakënaqur, nuk i kanë politikanët, por qytetarët. E megjithatë, po shohim ata të parët teksa luftojnë të faktorizohen përmes një fushate tjetër frikësimi.
Hakërrimet dhe madje edhe legjitimimi i hakërrimeve përmes pudrosjes së tyre me një lloj formalizmi institucional siç është votimi në Kuvend për ndezjen e fadromave që duhet të rrafshojnë QNK-në, janë thjesht dëshmia se kjo kontradiktë primitive është ashpërsuar në Shqipëri. Thonjtë, kthetrat, brirët dhe dhëmbët primordialë politikë kanë marrë revanshin përballë evolucionit logjik, racionalizmit dhe të menduarit social në përgjithësi.
Dhe me tërë mend, ku janë qytetarët? Në një luftë si kjo midis instiktit kafshëror dhe arsyes njerëzore, ku janë njerëzit? Apo mos ndoshta kemi mbërritur në momentin fatkeq kur duhet t’i nxjerrim këta nga inventari që përfshin shoqëria shqiptare dhe t’i përkushtohemi sëbashku shkatërrimit.
Nëse është kështu, kemi punë plot përpara ndaj le të përvishen mëngët, le të vringëllijnë çekanët dhe matrapikët, le të hartohen listat e zeza të ekzekutimit me vdekje të hapësirave publike me njollë në biografi. Pushtimi otoman, i dhunshëm, i egër, antishqiptar si çdo pushtim. Le t’ia fillojmë nga ndonjë hamam apo çezmë. Pushtimi fashist? Ç’bën ajo kuestura e maskuar si Universitet publik? T’i vëmë kazmën. Po kompleksi i ministrive? Po teatri kombëtar? Tutela sovjetike dhe guri i Nikita Hrushovit në themelet e Teatrit të Operas. Kryeministria, Kryesia e Kuvendit. S’ka tullë në këtë qytet që nuk është pagëzuar më herët në propagandë. Le të vazhdojmë kështu duke ngritur pirgje gërmadhash. E në fund, kur të mos ketë mbetur më gur mbi gur e lëre më ndonjë mur ku të mund të pushojë shikimi, të presim me durim sesi brezat e rinj që do të vijnë pas nesh, të zbulojnë me arkeologjinë e tyre rrënimin tonë, tok me mbishkrimin e vizatuar me urinë mbi pluhurin e rrënojave: Nën kujdesin e veçantë të Neronit.

Sokol Shameti
(Gazeta “Shqip” – 26 Tetor 2010)

Thursday, October 21, 2010

Lojë luftash

Këtu tek ne kanë filluar të ankohen se populli nuk e kupton politikën. Dhe jo vetëm kaq. Po thonë gjithashtu me përbuzje se edhe një numër i madh kontribuuesish në opinionin publik kanë rënë në nivelin e popullit. PS dhe PD (dhe LSI, dhe PR, e të tjerë, e të tjerë…) nuk janë vërtet aq njëlloj sa ç’shfaqen, por këtë s’mund ta dallojë dot një sy dosido.
Imazhi që opinioni publik ftohet të braktisë në këmbim të këtij iluzioni optik, është ai që shohin të gjithë me sytë e tyre dhe ndjejnë të gjithë në xhepat e tyre.
Me fjalë të tjera, është degradimi i pandalshëm dhe i pafshehshëm i këtij ekuipazhi njerëzish që kanë vendosur të quhen “politikanët” e Shqipërisë, të cilët prej inkompetencës profesionale dhe zvetënimit të tyre moral, e kanë degjeneruar punën që bëjnë në thjesht grabitje ordinere dhe sharje banale të sho-shoqit.
Po kush janë predikuesit e kësaj dogme të re që i fajëson njerëzit se s’janë të denjë për politikanët që kanë? Për këtë, mjafton një vëzhgim i shpejtë por i kujdesshëm i who’s who’s-it të teoricienëve të ditëve të fundit në shtyp dhe jo vetëm. Bëhet fjalë ose për një shtresë të re analistësh të parashutuar me mision në fushëbetejën e opinionit drejt e nga ai avioni i prishur që është vetë politika, ose për analistë dikur të pavarur por të hyrë ndërkaq si kollovarë po në politikë. Me pak fjalë, politika vetë po i dikton opinionit këndvështrimin e vet mbi politikën.
Megjithatë në pamje të parë, teoria që ata po na ftojnë të përvetësojmë, ngjan deridiku si e bazuar në një arsyetim të kuptueshëm.
Në debate televizive ju mund t‘i dëgjoni ata sesi shtjellojnë idenë se partitë tona politike të akuzuara për falimentim, në realitet s’janë dhe aq keq. Ato fshehin veçori ideologjike, taktika zgjidhjesh dhe rezerva intelektuale të bollshme brenda tyre, por imazhi që paraqesin para publikut është lënë kasten prej tyre kaq prozaik.
Partitë e bëjnë këtë me kalkulim dhe ndërgjegje të plotë, me qëllimin për ta dekurajuar qytetarin të votojë dhe për të yshtur militantin të shtrëngojë radhët. Në këtë mënyrë, duke i neveritur qëllimisht njerëzit me imazhin e vet, pretendohet se partitë po ndjekin ndonjë skenar të ri të politikës postmoderne. Ndonjë variant ende të paeksploruar gjetiu por që duket si shpikje gjeniale shqiptare ku subjektet politike e shkëpusin fatin e tyre nga ndjeshmëritë publike duke e bërë publikun me marifetet e tyre, që t’i urrejë ato – subjektet politike.
Vetë karakteri suicidal i kësaj teorie flet qartë për dëshpërimin e thellë që mund të ketë shërbyer si mjedis ku ajo është mbrujtur. Por le të supozojmë se ajo është e vërtetë dhe kemi të bëjmë me një strategji të menduar. Cilat do të duhej të ishin simptomat që do të na bindnin se këtu kemi të bëjmë me një situatë reale?
Në radhë të parë, nëse arrijmë deri në pikën kur partitë vetë mundohen t’i shfaqin publikut një pamje të përthyer të vetvetes, ky quhet një mashtrim. Kjo quhet afishim i një gënjeshtre dhe përpjekje për ta mburrur madje atë. Ky skenar mund të ndodhë vetëm në kushtet kur mashtrimi është përjashtuar nga lista e zezë e amoralitetit për t’u rreshtuar tek ajo e vlerave. Kjo ende s’ka ndodhur në Shqipëri (dhe me sa di unë, në asnjë shoqëri tjetër njerëzore). Një parti politike që mashtron publikun rreth përmbajtjes dhe qëllimeve të saj, edhe nëse ato janë të mira, meriton të skualifikohet direkt dhe të ndëshkohet siç ndëshkohet çdo mashtrues. Ky paradoks i parë, është thjesht një pikëpyetje e madhe mbi gjithë strukturën me të cilën ekspertët e politikës po mundohen të na mbushin mendjen se funksionon strategjia e stërholluar e partive ndaj elektoratit.
Një rekuizitë e dytë, që do të shërbente për të na bindur se partitë janë të sinqerta në përpjekjen për t’u dukur si pjesë e së njëjtës lojë, është që ato më herët të kenë qenë qartësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Vetëm si nevojë e kësaj situate, ato mund të fillonin të gdhendnin imazhin e tyre të ri, të kundërt nga i pari. Shumë e thjeshtë: më parë ishim të ndryshëm? Tani në ndryshim nga më parë, jemi njëlloj. Për ta urbanizuar paksa diskursin, kjo është pakashumë një zgjatim në politikë i poezive hermetike të Hatibit (tip: krejt ndryshe nga të tjerët, vetëm unë s’kam ndryshuar – etj, etj.)
Por pamja reale është tërësisht e përmbysur. Në të paktën 13 vjetët e fundit forcat kryesore politike kanë shpalosur vetëm e vetëm një mënyrë të bëri politikë, një mënyrë të vetme e të përbashkët qeverisjeje, një mënyrë të vetme e të përbashkët të bëri fushata elektorale, një mënyrë të vetme e të përbashkët të bëri opozitë.
Do të ishte vërtet bukur sikur të përjetonim një situatë idilike, kur pas betejash të ashpra politike të së kaluarës, politikanët, me një kujdes prekës për popullin e shokuar nga gjëmimet, ta bënin veten palaço duke improvizuar lojëra luftash mes vedi në mënyrë që populli t’i shohë me ç’maskarenj ka të bëjë dhe t’u japë duart. Por problemi është se kjo lojë luftash është e vetmja partiturë që ata kanë ditur të luajnë. Shëmtueshëm dhe keq. Për vite e vite me radhë.
Njeriu ka të njëjtët armiq me librin: ujin, zjarrin dhe përmbajtjen e vet. Një arsye tjetër përse s’mund të jetë e vërtetë që partitë politike fshehin një përmbajtje origjinale teksa shfaqin një fytyrë uniforme, janë pikërisht ata. Njerëzit e tyre. Më saktë, përmbajtja e tyre. Historia e vjetër dhe e re e “politikës” shqiptare njeh rritjen dhe lulëzimin e një biznesi tregtar aq të zhvilluar, ku lëndë e parë kanë qenë vetë politikanët dhe shitblerës partitë e të gjitha kahjeve, saqë është e panevojshme të komentosh më tej. Tipologjia e politikanit shqiptar nuk është aspak ajo e njeriut që e njeh politikën, që e ka profesion atë, që mundohet të zgjidhë problemet praktike të njerëzve përmes aplikimit të teorive të ndryshme idealiste ku ai beson, e të tjerë. Portreti i politikanit shqiptar është thjesht ai i një zanatçiu çfarëdo (vitet e fundit, ai i përket përherë e më shumë “zanatit” të biznesmenit), që i bie llotaria të jetë katër vjet në karrigen e deputetit.
Oh, dhe kush do ishin ato partitë që nuk i duan më votat e popullit? Partia Demokratike e cila në zgjedhjet e fundit nga babëzia për çdo votë ndërtoi një koalicion aq heterogjen dhe surreal saqë rrallëherë e ka parë historia? Ku u mblodhën me kuç e me maç pa asnjë fije seleksionimi deri edhe organizata inekzistente me dy anëtarë, vetëm që të mos shkonin dëm ato dy vota? Ku u gjendën bashkë në një sahan edhe republikanë edhe monarkistë, edhe ballistë edhe antifashistë, edhe ish-pronarë edhe reformistë agrarë, edhe çamë edhe grekë (pa harruar këtu romët)?
Apo Partia Socialiste që pasi i pa anëtarët e koalicionit të vet t’i ngrinin pusira e stërkëmbësha njëri tjetrit nëpër skërka e qendra të humbura votimi, e futi më pas edhe veten në një krizë imagjinare ku tani ajo beson edhe vetë se ndodhet realisht, pikërisht në emër të hipotezës që s’ka nevojë për vërtetim se në një sistem jo-demokratik votat tjetërsohen? Kjo është vërtet një shaka pa kripë.
Me tërë mend, më shumë se një taktikë e llogaritur e organizatave politike që ndodhen sot në kuotat e tyre më të ulëta të popullaritetit, i gjithë ky operacion është vetëm një përpjekje qesharake për të mbrojtur nderin e politikanëve nga kolegë të tyret të veshur tebdil si gazetarë. Mbreti dykokësh i bixhozit politik është krejtësisht lakuriq dhe s’ka më asnjë gjethe fiku që mund t’ia fshehë hallatet.
Përballë faktit se organizatat tona politike kanë dështuar që t’u përgjigjen kërkesave të votuesve të vet, ato po mundohen të na bindin se kjo është pjesë e një loje që s’e rrokin dot mendjet tona. Ok. Që t’i kursejmë që të gjithë vetes kohë dhe nerva: kjo përpjekje s’funksionon. Ka ndonjë tjetër?

(Gazeta "Shqip" - 21 tetor 2010)

Saturday, October 9, 2010

Shqipëria natyrale dhe një tezë fashiste

Një njoftim i gëzueshëm për gjithë vëllezërit tanë patriotë nga Ballkani: ky gadishull nuk është epiqendra e sistemit diellor. Këtë dukuri natyrore mund ta shohësh me sy të lirë edhe nga kjo gjerësi gjeografike ku ndodhemi, por ama disa luftojnë me çdo kusht që të mos ta shohin. Megjithatë prova se siujdhesa jonë është thjesht një rrethinë e lënë pas dore dhe e mosmarrë seriozisht disponon baza të forta. Fjala vjen, si pasojë e këtij fakti, atje artikulohen me lehtësinë më të madhe teori nga më monstruozet të likuiduara kahmot në kontinentin dikur të vjetër e tashmë të modernizuar, të Europës. Por çmenduria vazhdon më tej. Këto lloj marrëzish me afat të kaluar skadence, pasi nuk gjejnë kritikën e duhur nga padituria apo thjesht dembelizmi për të nxënë, nisin madje të imponohen si me qenë ideologji të pranuara gjerësisht. Se ç’mund të përftohet në fund nga ky festival sharlatanizmi të ngritur në nivel serioziteti, mund ta sodisim të ilustruar me ngjyra të forta, në kasaphanat përkatëse të ish-Jugosllavisë. Siç thotë Noam Chomsky tek Liberating the mind from Orthodoxies, “tirania aplikohet atëherë kur i përvetësojnë legjitimitetin”.
Debati konstant – por më mirë, monologu - mbi Shqipërinë natyrale, (siç ndodh me debate të ngjashme në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari e Kroaci) është për shembull, një nga temat e preferuara të një turlie amatorësh folklorikë, historianësh të përciptë dhe atdhetarësh të minutës së fundit edhe këtu në Tiranë. E parë me një sy praktik, Shqipëria natyrale mund edhe të mos merret fare seriozisht. Ajo lindi në panik e sipër më 1999 pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, si një përgjigje qetësuese ndaj kritikëve të shumtë që pas asaj që ndodhi në Kosovë rindezën alarmin e Shqipërisë së Madhe. Vetë Shqipëria e Madhe është një lloj krijese maksimaliste me themelet në kohën e Lidhjes (apo më saktë Lodhjes) së Prizrenit, por më 1999 ajo u ripaketua si një referencë e qartë e kohës së Großdeutschland-it nazist, nën kujdesin e posaçëm të të cilit u krijua për herë të vetme në histori një shtet i përbashkët i gjithë shqiptarëve (që koinçidon pikë për pikë edhe me hartën e Shqipërisë natyrale). Megjithatë, duket sikur kjo e fundit, e mbështjellë me këtë ambalazh kaq bio, kaq ekologjik dhe kaq pranë virgjërisë së egjër të natyrës, shpreh qartë si prirjet artistike të shpikësit të saj ashtu edhe një ironi tallëse ndaj atyre që me daljen në qarkullim të Shqipërisë natyrale do t’u ngecej në dorë “derri maç” i Shqipërisë së Madhe. Në këtë kontekst, krijesa metaforike e Shqipërisë natyrale, e ka realizuar misionin e vet. Problemi është se ka njerëz këtu në Shqipërinë “artificiale” që e kanë marrë atë seriozisht dhe që vazhdojnë të merren me të ende sot më 2010-ën. Dikush mund të justifikohet: të mos kapemi pas termave. Por termat janë të rëndësishëm. Ata përcaktojnë mënyrën e të menduarit të atyre që i përdorin.
Cili është koncepti i Shqipërisë Natyrale? E përmbledhur në dy fjalë, ajo është po aq “luftë territoresh” sa edhe Shqipëria e Madhe. Ky koncept nënkupton faktin se Republika e Shqipërisë me përmasat aktuale, është një lloj anomalie apo çrregullimi. Territori i saj i momentit është lënë gabimisht i vogël, i pamjaftueshëm dhe jo fizibël, pasi përfaqëson vetëm atë çka mbeti pas një gjymtimi të padrejtë më 1913. Rrjedhimisht, ky produkt defektoz duhet riparuar. Shqipëria duhet të bëhet natyrale dhe kjo arrihet duke përfshirë brenda saj edhe territore të tjera (mundësisht etnikisht të pastra) me shpresën, madje bindjen, se kështu ajo do të nisë të funksionojë normalisht si një trup i shëndetshëm. Sesi mund të ndreqet një mekanizëm që s’funksionon duke i montuar përsipër një vegël tjetër që gjithashtu s’funksionon, kjo i takon ndonjë studimi me natyrë psikiatrike, megjithatë, kjo lloj gjetjeje gjeniale prej 1999-ës e tëhu është hedhur në treg si alternativa e vetme pa konkurrentë e Shqipërisë së Madhe. Fatkeqësisht, ky formulim, mban të maskuar në nëntekstin e saj, disa klishe naive si dhe një kërcënim serioz. Këmbëngulja tek Shqipëria Natyrale, ka në themel të saj mbi të gjitha, një ankesë. Ajo është ankesa ndaj një Shqipërie anormale, të denatyralizuar dhe problematike. Përpjekja drejt Shqipërisë natyrale, është rrugëdalja imagjinare nga këto probleme. Është një shteg i shkurtër drejt një parajse të ëndërruar. Ekziston vetëm një sjellje tjetër politike që shënohet nga ky preokupim obsesiv ndaj zvetënimit të shoqërisë, çnderimit dhe viktimizimit të saj si dhe që krijon kulte kompensuese uniteti, energjie dhe pastërtie. Sipas përkufizimit të Paxtonit, kjo filozofi s’është asgjë më pak se fashizmi.
Disa nga klishetë që përfshihen brenda konceptit të Shqipërisë natyrale, qëndrojnë qysh në mënyrën e formulimit të terminologjisë që e përshkruan atë. Fjalorthi i xhepit me termat që gërmëzojnë për publikun atë që ndodhi derisa mbërritëm tek kjo Shqipëri jo-natyrale dhe e padurueshme ku jetojmë sot, i përket një prodhimi të tejkaluar me kohë e vakt nga diskursi modern i gjeopolitikës. Një nga këto terma për shembull është ai i “padrejtësisë historike”. Ky togfjalësh është në vetvete një paradoks tepër qesharak. Në disa plane. Së pari, drejtësia është një nocion mjaft relativ. Çfarë konsiderohet veprim i drejtë për dikë, për dikë tjetër është t’ia kesh bërë borxh. S’ka sot asnjë komb në Ballkan që s’është i bindur se ndaj tij s’është bërë ndonjë padrejtësi në të kaluarën.
Gjithashtu, koncepti i “padrejtësisë historike”, vuan edhe nga problemi i atrofizimit dhe shkëputjes nga konteksti. Një vendim i 1913-ës i gjykuar në rrethanat dhe sofistikimet e viteve 2000, mund të duket i habitshëm, i padrejtë dhe deri çnjerëzor. Por shoqëria e organizuar njerëzore është rrekur të krijojë ekuilibra në çdo fazë të sajën të historisë. Në çdo formë me të cilën ajo ka ekzistuar sado e palogjikshme të duket sot, ka pasur një argumentim logjik që është konsideruar i mjaftueshëm për kohën në të cilën është krijuar ky ekuilibër.
Ajo që mund të përbënte një diskurs më të përditësuar me logjikën dhe zhvillimin e mendimit të shoqërisë bashkëkohore referuar ndryshimit të statuskuo-ve të shumta “të padrejta” trashëguar nga e kaluara, do të ishte një terminologji evolucioniste që e përshkruan kombformimin dhe shtetformimin si një proces në zhvillim të pandalshëm kah ndonjë drejtimi që mund të jetë pozitiv ose negativ. Vetëm përmes kësaj optike, mund të shihnim më qartë dhe më pa emocion mbi pikturën që kemi para syve.
Piktura që kemi para syve është e thjeshtë. Në dekadën e parë të shekullit të XXI, teksa gjithë bota është zvogëluar, bashkësitë e njerëzve që e banojnë atë, po ndajnë dita ditës fate më të përbashkëta. Të gjithë po jetojmë përherë e më njëlloj, po mendojmë përherë e më njëlloj, po mrekullohemi apo indinjohemi nga të njëjtat dukuri dhe teksa edhe informohemi të gjithë në të njëjtën mënyrë, po ndjehemi përherë e më shumë pjesë e një identiteti të përbashkët. Zhvillimi i teknologjisë, influencat kulturore, robërimi përmes kapitalit, madje edhe krizat ekonomike, janë përherë e më të përbotshme dhe të tilla sa vijnë e po bëhen edhe perceptimet e njerëzve.
Njësitë e vjetra shtetërore sa vijnë e po e humbasin sovranitetin e tyre, duke shthurur format e vjetra të organizimit federal apo unitar e duke u shkrirë dalëngadalë, në një proces që sapo ka nisur, në struktura më të sofistikuara. Njësia brenda së cilës organizohen shoqëritë tashmë, është detyrimisht më e madhe sesa ajo e shtetit-komb të dikurshëm, edhe pse shteti-komb është një hap kalimtar drejt këtyre strukturave. Vini re sesi deri edhe Zvicra shkon e anëtarësohet në OKB. Sesi deri edhe Shqipëria me Kroacinë bëhen pjesë e NATO-s apo e procesit të liberalizimit të vizave që paraprin dorëzimin e sovranitetit të tyre në një strukturë më të madhe që quhet BE. Simptomat janë të shumta dhe ky shkrim s’ka për qëllim të trajtojë format sesi po rendim me shpejtësi drejt realizimit të profecisë për krijimin e Shtetit Global. Ajo që ndodhi me shqiptarët në fund të shekullit të kaluar e që po vazhdon pandalshëm edhe këtë shekull, është thjesht pjesë e një procesi më të madh e më të ndërlikuar se një rapsodi e vjetër me lahutë që këndon baladën e Shqipërisë së Madhe, asaj natyrale apo qoftë edhe të asaj shkencores. Shqiptarët këtu s’kanë ndonjë rol apo meritë, përveç favorit që mund t’i bënin vetes, duke u çliruar një herë e mirë nga praktikat mburravece dhe ksenofobe, e duke e parë veten siç janë realisht. Në sfondin e madh të një bote që po i transformon pa i pyetur, si plastelinë.

Sokol Shameti
(Gazeta "Shqip", 9 tetor 2010)

Wednesday, October 6, 2010

Secilit karrigen e vet

Përkundër ç’sugjerojnë bookmakers-at, ndërrimi i vrullshëm i fanellave që po ndodh këto ditë mes lojtarëve në dy kampet e politikës në Shqipëri ka mbërritur në finale. Ndeshja e realizoi qëllimin e saj dhe s’ka më ndonjë shans real që të vazhdojë në kohën shtesë. Kush kishte për të marrë leksione i mori, kush thjesht kishte dëshirë të demonstronte muskulaturën, e demonstroi.
PS, PD dhe LSI qarkulluan lojtarët, i shënuan secila njëra tjetrës nga një gol dhe ajo çka rezulton tani në tabelën përfundimtare është një pikavarazh aritmetikisht identik me atë që kishim në fillim. Situata iu rikthye gjendjes së mëparshme pasi ofensiva e PS-së u zmbraps pas një kundërsulmi me të njëjtën “monedhë” nga ana e mazhorancës. Kjo e fundit, me shumë gjasë do t’ia kursejë vetes bezdinë e vazhdimit të avazit, më shumë për arsye strategjike sesa për mungesë mundësie apo epshi. Për këtë arsye, kampionati mund të deklarohet formalisht i mbyllur.
Por kjo lojë në dukje e thjeshtë, e drejtë dhe e barabartë, pati edhe të humburit e vet. Nga gjithë kjo histori, socialistët, ata që predikojnë një moral dhe një alternativë më të mirë përballë pikturimit të kundërshtarëve si një çetë banditësh, ishin ata që dolën më të diskredituarit. Anipse numrat në Kuvend sugjerojnë se numerikisht ata janë po aq sa ç’ishin në fillim të censusit. Kjo i ngjan konstatimit tragjikomik të një statisticieni shqiptar të vitit 1990 në kulmin e eksodit të desperados-ve vendas drejt Italisë: “Para një viti ishim 3 milionë banorë. Sivjet jemi 1 milionë më pak, por si kilogramë jemi po aq sa vjet”. Sipas një logjike të ngjashme, humbjet e “së majtës” nga spekullimet e fundit në bursën e deputetëve, janë mbi të gjitha një disfatë cilësie dhe imazhi.
Ironikisht, PS vazhdon të ketë po aq popullsi parlamentare sa kishte në fillim të kësaj Vaterloje vetëvrasëse. Por e gjithë retorika opozitare, si dhe përpjekja për ta shitur përmbajtjen e saj si cilësisht sipërore ndaj rropullive që thuhet se përmban plënci i pushtetit, përfunduan me një lëvizje të vetme fëminore, drejt e në kosh të plehërave. Dhe pavarësisht mundimeve të punditëve “të pavarur” për t’i dhënë ndonjë parfumim disi më higjienik socialistëve e për t’i veçuar ata nga kutërbimi i kalbjes morale tërësore të klasës politike, hundët e shqiptarëve të mësuara ndër beteja me aroma kufomash politike janë në gjendje ta nuhasin sesi njëra kadavër s’dallon aspak nga tjetra. Korpusi ynë politik është dekompozuar i tëri si grup, sepse po në grup ai ka kullotur në grazhdin e helmatisur të degjenerimit. Parodia me tre akte e merkatos së deputetëve është një tjetër provë publike për këtë.
Përfundimi që mund të nxirret nga gjithë kjo aventurë e turpshme për të cilën sot lidershipi socialist s’ka më as kurajo e as gojë të flasë, është se dallimi midis të djathtës dhe “të majtës” këtu tek ne mjerisht është thjesht teatral. Njerëzit e ndjejnë këtë. Neveritja është e përgjithshme. Mjedisi ku gjallon ideja trans-socialiste e versionit të Ramës, është i tillë që në të është i mirëpritur dhe mund të notojë për bukuri si në elementin e vet çdo peshk që arratiset nga akuariumi i Berishës. Ujërat “politike” janë po aq të zeza në të dyja anët dhe fauna që vegjeton andej dhe këndej kësaj ene bashkuese, është e njëjtë. Këtë s’ka më asnjë lloj mashtrimi që mund ta mbulojë.
Organizatat politike dalin kështu para syve të publikut krejt lakuriq. Ashtu siç janë në të vërtetë. Një faliment politik. Por ama një projekt i suksesshëm shoqatash jo qeveritare, të cilat vërtet nuk denjojnë të përfaqësojnë vullnetin e popullit, por që u është lejuar me ligj të aplikojnë çdo katër vjet me stafet e tyre për marrë në dorëzim paratë që i mblidhen popullit me taksa. Që me pretekstin e ndërtimit të atdheut ua japin këto para atyre kompanive që u lyejnë atyre rrotën. Dhe që kur duan të vënë gjoba 20 përqindshe ose të bëjnë biznese akulloresh me ortakë puljezë, ia lidhin duart Kushtetutës dhe aparateve publike të ruajtjes së rendit dhe drejtësisë përmes një rrjete legjislacioni dhe rregullash loje që e thurin dhe e shthurin po vetë.
Këto shoqata joqeveritare të maskuara si shprehëse të vullnetit popullor, banohen nga e njëjta gjini hajdutësh dhe matrapazësh. Lufta e tyre politike është thjesht grindje për territore, ashtu si dikur banda e “Pesë dyqaneve” kacafytej me atë të “Çobenëve” në netët e thikave nëpër basifondet e viteve ’80.
Në këtë peizazh të përgjitshëm degradimi ngjyrë gri, bandat politike kanë rafinuar edhe ato metodat e veta të dominimit duke u specializuar në mënyrën sesi i zgjidhin punët e tyre. Ato ushtrojnë forca tërheqëse ndaj të ngjashmëve në karakter, interesa dhe aspirata. Kësisoj edhe qarkullimi i anëtarëve të tyre nga një celulë në tjetrën është thjesht rigjetje e vetvetes brenda sojit të të njëjtëve.
Po ta shikojmë në këtë kontekst, ajo që ndodhi me lëvizjen e deputetëve nga një grup parlamentar në tjetrin gjatë këtyre dy javëve të fundit, merr kuptim. Drejt Partisë Demokratike u afrua një pragmatist i akullt i përgatitur në shkollën e pashpirt anti-sociale të neoliberalizmit amerikan. Tek Partia Socialiste gjeti strehë një biznesmen pa ndonjë stërhollim politik por me përvojë të gjatë në disiplinat ekzibicioniste të sporteve të rënda dhe forcave speciale. Ndërsa drejt LSI-së thuhet se do të përfundojë një dishepull i shkollës së vjetër nanoiste të batutës dhe konjukturës. Gjërat shkuan në vendin e vet natyral njëlloj si të ishin ulëse të rezervuara mysafirësh në ndonjë darkë private në Durrës. Gjithçka duket për mrekulli.
Mungon vetëm një detaj. Të vetmit që ngjajnë se s’janë aspak rehat në ulëset e tyre, janë liderët e bandave (më falni, partive) politike që kontrollojnë sot punët në këtë vend. Nuk do të përbënte më asnjë çudi, madje përkundrazi, do të shërbente si një motiv i mirë për t’u tjerrë nëpër debate shqiptarësh, sikur edhe ata vetë t’i këpusnin ndonjë xhirim të shpejtë karrigeve të tyre. Pak a shumë si ajo loja që luanim kur ishim fëmijë. Të gjithë vrapojnë me ritmin e muzikës rrotull tri karrigeve të vendosura në formë rrethore. Kur muzika ndalon, kush të mundet ulet ku të mundet, sepse helbete, karriget janë identike. Si rregull, më i ngathëti mbetet në këmbë dhe largohet nga loja. Sepse, karrige ka gjithmonë një më pak se pjesëmarrës në lojë.

(Gazeta "Shqip", 6 Tetor 2010)

Saturday, October 2, 2010

Të martën

"A nation, no more than a woman, is excused for the unguarded hour when the first adventurer who comes along can do violence to her"

Në vend të zbukurimeve të festave të pafajshme, neutrale dhe unisex të fundvitit, Tirana është mbjellë me mijëra banderola blu të paguara nga taksat publike, të cilat synojnë të mbivendosin një festë që ende pret të marrë miratimin qytetar për t‘u pranuar si celebrim nacional. Në një status facebook-u të dikujt, mendimin e të cilit e vlerësoj, shkruhej me një sens pesimizmi gri: "They put slogans instead of Christmas lights" (Po vënë slogane në vend të dritave të Krishtlindjes). Por përveç avancimit deri në mërzi të një lufte të kotë yjesh që ka nisur qysh më 28 nëntor, 8 dhjetori i sivjetshëm i Shqipërisë do të jetë venerimi më i bujshëm i një tradhtie ndaj një gjesti heroik.
Në arkeologjinë politike, 8 dhjetori i shqiptarëve është manifestimi i dy momenteve me domethënie diametralisht të kundërt, ku njëri emblematizon robërimin e tjetri një akt lirie. Më 8 dhjetor 1912, ushtria greke pushtoi Korçën. Më 1990, në Tiranë u ndez flaka e rezistencës studentore kundër një "pushtimi" stalinist, i cili prej 45 vjetësh po shtypte çdo liri dhe çdo aspiratë progresiste të banorëve të këtij vendi dhe që po e bënte këtë përmes diskreditimit të pamëshirshëm të idealeve humaniste të barazisë, internacionalizmit, progresit shoqëror dhe madje edhe të vetë lirisë.
8 dhjetori i 1990-ës dhe lëvizja studentore që zuri fill në këtë ditë kanë meritën, se për herë të parë i shkulën idealizmin nga duart një klike nepotike, e cila e përdorte mjekrën e Marksit si maskë për terrorin, ashtu siç inkuizicioni përdorte gjakun e Krishtit si vinovil për kanonizimin e frikës. Lëvizja studentore e dhjetorit, sikurse çdo lëvizje revolucionare, kishte edhe ajo frymëzimet dhe heronjtë e saj. Pa shumë ndërlikim, të thjeshtë dhe popullorë, ata ishin libertinët e një bote që kapërcente zhurmuesit televiziv për të zbarkuar brenda burgut tonë të madh, tretur në muzikën e ndaluar të Jim Morrison-it apo John Lennon-it (ironi e fatit: i pari i lindur më 8 dhjetor, e i dyti i vdekur në po këtë datë). Një filozofi e cila përmes thirrjes "no countries - no religions - no possessions" promovonte zëvendësimin e një bote të mbërthyer nën armaturën e nacionalizmit, religjionit dhe materializmit, me një botë të re kozmopolitaniste, humane dhe idealiste.
19 vjet më vonë, është e pamundur të mos vësh re, se kjo aspiratë ka degjeneruar në instalimin e një sistemi në thelb po aq represiv dhe çnjerëzor sa edhe ai kundër të cilit ajo drejtohej. Shqipëria e 2009-ës është më nacionaliste, më e budallallepsur nga lloj-lloj disiplinash spirituale dhe shumë-shumë herë më materialiste se ajo e 1990-ës. Nacionalizmi krenar i Shqipërisë fanar ndriçimi është ndërruar me nacionalizmin folklorik në kufijtë e ksenofobisë, besimi integralist në fenë e komunizmit është zëvendësuar me atë në integrimet veriatlantike, ndërsa materializmi dialektik me obsesionin eksplicit ndaj fitimit. Nuk ka të internuar me urdhër nga lart në kampe pune, por ka të destinuar ta shtyjnë jetën në mjerimin më ekstrem të provincës apo periferive. Nuk ka të dënuar me vdekje me pushkatim, por ka të dënuar me dëshpërimin e vetëvrasjes për t‘i ikur jetës pa rrugëdalje. Të pasurit dhe të privilegjuarit janë edhe më të pasur e më të privilegjuar, ndërsa të varfrit, edhe më të varfër. Liria për të lëvizur në perëndim është po aq e cunguar dhe sistemi i votës së lirë po aq i diskredituar. Diktatura virtuale dhe teorike e proletariatit është zëvendësuar nga diktatura konkrete dhe e pamëshirshme e tregut. Nënshtrimi ndaj frikës është zëvendësuar nga servilizmi ndaj pushtetit dhe parasë, ndërsa rrjeti "inteligjent" i propagandës dhe spiunazhit të dikurshëm ngjan si një zeje amatorësh përballë sistemit të sofistikuar të manipulimit mediatik dhe të marketingut të sotëm, i cili garanton trushpëlarje efektive, të shpejtë dhe cilësore, pa pasur nevojën për t‘i ndyer duart fare me gjak në luftën e elitës sunduese për paqe sociale.
Te "Domethënia e Sarkozisë", filozofi bashkëkohor francez, Alain Badiou, flet për dy fytyrat e historisë. Ndodhte në Francë dhe ndoshta krejt fatalitet, por thuajse çdo arritje e madhe e lirisë dhe përparimit shoqëror është pasuar nga një kohë e errët terrori dhe privimi lirie, ironikisht po në emër të mbrojtjes së asaj që sapo ishte arritur. Kujtojmë termidorianët e përgjakshëm që pasuan Revolucionin Francez, shtypjen e Komunës nga Versaja dhe masakrën frenetike pas saj, apo kasaphanën shoviniste të luftërave botërore. Kjo diagramë represioni ciklik ngjan se ka referenca thuajse kudo në botë, ku një regjim shtypës provokon një revolucion, menjëherë pas të cilit dalin në dritë establishmente politike të gatshëm për të kamufluar me një gjuhë klishesh origjinare të revolucionit, formën e re të një përmbajtjeje të vjetër konservatore.
Revolucioni shqiptar i 1990-ës, i cili në thelb ishte anti-stalinist dhe socialdemokrat, është manipuluar për t‘u reklamuar si një lëvizje e së djathtës konservatore. E gjithë terminologjia, filozofia dhe aspiratat e tij, janë shndërruar sot në municion për të mbushur karikatorët e një ofensive neo-staliniste të shfaqur në trajtën e një "demokracie putiniane", si kjo që është instaluar sot në Shqipëri. Po njëlloj si në Shqipërinë staliniste, kemi sot të njëjtën gjuhë të dhunshme që dikur fliste në emër të pushtetit popullor dhe që sot flet në emër të vullnetit popullor. Pas faqes së ndritur të 8 dhjetorit 1990, kjo e sotmja është fytyra e dytë e Shqipërisë. Një histori e errësirës dhe shtypjes në emër të lirisë dhe progresit. Një formë terrorizmi shtetëror "demokratik" që e përdor kujtesën e revolucionit jo si motiv për të ecur përpara, por si moment frikësimi prej asaj që ndodhte më herët. "Frika s‘ka të ardhme tjetër veç terrorit", shkruan Alain Badiou dhe në një Shqipëri që sponsorizon histerinë kolektive duke inkurajuar frikën ndaj hipotezës marksiste dhe çdo lloj hipoteze tjetër që vë në diskutim lulëzimin e kësaj parajse gangsterësh që e quajnë madje "demokraci", është ndoshta momenti për t‘i thirrur djallit në emrin e vet të vërtetë.
Sivjet John Lennon do të tradhtohet për herë të nëntëmbëdhjetë në Tiranë. Shqiptarët do t‘i thërrasin për të gjetur në sheshin e festës njëri-tjetrin jo më si dikur vëllezër në fe a vëllezër në ideal, por tashmë si vëllezër në frikë. Do të ketë drita, rock dhe brohoritje. Do të jetë e martë.

(Gazeta "Shqip", 8 Dhjetor 2009)

Heronj të ndaluar

Kjo është një kohë pa heronj të gjallë. Dhe kjo, për arsye jo tërësisht subjektive. Sidoqoftë, ia vlen të radhisim pak statistikë: narrativa heroike nis përherë me Shqipërinë e Skënderbeut dhe qëndresës anti-okupatore. Dy hapa larg – Shqipëria e kryengritjeve dhe e burrave të vrerët me balle të gjera dhe mjekra të dendura, me papijonë rilindas dhe revolverë atentatorësh. Nëse për heroizmin prodhim kastriotas ka ende disa dyshime, për këta, të rilindjes, të dhënat janë të bollshme. Disponohen emra, mbiemra, fotografi, së fundi edhe emaila dhe adresa mitologjike interneti tip www.floknajetrimash.org, ose www.dykrismaneparis.net. Me një llaf, gjithçka që i domosduhet historisë qoftë konvencionale apo postmoderniste. Dhe prapëseprapë, historia s’mbaron kaq shpejt. Pas derës përgjon sakaq Shqipëria e iluzioneve të humbura me rezistencë antifashiste. Ajo me ndërtim rendesh të reja shoqërore që rënduan mbi lodhjen e shpatullave të heronjve të punës. Kjo ishte njëkohësisht edhe Shqipëria e disidencës së marrë me shpulla politike dhe e “heronjve” të heshtur. Heronjve të inteligjencës të vënë në shërbim të regjimit me bindjen se ky ishte një shërbim ndaj atdheut. Vijon Shqipëria e heronjve në formë pishtarësh të demokracisë. Zjarre të djegur në ngadalësinë intime dhe kritike të anonimatit. Për të mbërritur ashtu si në fund të edicioneve të lajmeve në një zonë të lehtë por po aq interesante si rubrika sportive, ku ka zënë pritë Shqipëria futbollistike e 2 me 1-shave kuqezi kundër Partizanit tepër serb të Beogradit dhe kampiones tmerrësisht greke të Europës. Tekefundit kjo është Shqipëria që ofron shumë për t’u mbajtur mend dhe krenuar me të.

Vitrina heroike është e kompletuar dhe asgjë nuk mungon në të për një komb që planifikon pavdekësinë duke e ndjellë atë me gjithçka, nga himni kombëtar deri tek humori urban. Industria heroike do të duhej ta mbaronte në këtë pikë misionin e vet. Atë të krijimit të infrastrukturës dhe furnizimit të lëndës së parë. Por mjerisht, heroizmit, ashtu si edhe programeve të kompjuterëve, i duhet të updat-ohet.

Skënderbe i padëshirueshëm

Qeveria polake publikoi javët e fundit një listë të përbërë nga personalitete historike vendase dhe të huaja të cilat do të duhej të zbriteshin nga piedestali i lavdisë së fituar me dhunë, diktat, vrasje dhe padrejtësi për t‘u skeduar në who’s who‘s-in e njerëzve për t’u evituar nga polaku i racës. Mes një dyzine aparatçikësh vendas ish-komunistë, në listë spikasnin edhe figura të huaja si për shembull Ernesto Che Guevara. Shpallja non grata e Che Guevarës në Poloni ndonëse pas vdekjes, është një shenjë e dukshme e asaj që po ndodh në botën e sotme ku heronjtë dhe modelet shpirtërore marketohen ose censurohen si të ishin produkte industriale. Në ekranin e reklamës së përnatshme thërritet me të njëjtën forcë decibelësh si “Always Coca Cola“ ashtu edhe “Duhani shkakton kancer“ ose “Ndal drogës“.

Ndonëse pa lista dhe formalizim, Shqipëria është një tjetër rast kuptimplotë sesi vetëm idealizmi i shitur me manual, të drejta përdorimi dhe kod personal mund të funksionojë ndërkohë që programet pirate ndalohen me ligjin që në Poloni është zyrtar e në Shqipëri siç ndodh përherë me ligjet morale, ekzekutimi është kanunor. Përndjekja shumëvjeçare e bronxit të monumenteve është vetëm pjesa e dukshme. Listës i shtohet gjuha letrare e nxjerrë në gjyq të përditshëm politik dhe e braktisur qëllimisht nën vrullin shkatërrimtar të injorancës. Pason demonizimi absurd dhe mendjelehtë i vlerave civile nën perceptimin idiotik se ishte komunizmi (???) ai që i prezantoi për herë të parë këto vlera në Shqipëri. Solidariteti midis të njëjtëve, nderimi për punën dhe heroin e saj të djersitur, ndjenja e përgjegjësisë për produktin publik të krijuar nga mundimi i përbashkët I kombit, kërkesa e llogarisë ndaj kastave administruese. Sistemi ka arritur në atë pikë që jo vetëm toleron, por tashmë edhe i inkurajon dhe legalizon epshet animale për të dehumanizuar dhe de-komunizuar bashkësinë kombëtare në Shqipëri. Dëshira pasionale për të fshirë ç’do gjurmë të aktivitetit human të prodhuar në Shqipërinë e periudhës nga viti 1944 deri më 1990 ngjan me tundimin e adoleshentit për të eleminuar me dhunë puçrrat identifikuese dhe të domosdoshme të fytyrës qoftë edhe nën koston e stigmimit të përjetshëm. Ç’instalimi i Vojo Kushëve, heronjve të Vigut, e deri Skënderbenjve nga piedestalet e lavdisë, teknikisht është një listë polake e ekzekutuar sipas mënyrës origjinale shqiptare. Eshtë komanda e çmontimit të programit kompjuterik që pësoi kolaps. Dëshmorët e markës komuniste mund të kenë vdekur vërtet pa ditur ç’regjim nepotik dhe pseudo-social po sponsorizonin me “rroftë parti”-në e tyre finale dhe idealiste, por 50 vite përvetësim dhe grabitje e sakrificës së tyre për ta shndërruar në kopertinën mashtruese të një diktature absurde janë një justifikim shumë i mirë për t‘i shitur edhe ata si vegla të tepërta të një mekanizmi që dështoi. Hipermitizimi i Skënderbeut gjatë së njëjtës periudhë, vuan nga e njëjta simptomë që e bën heroin vitet e fundit kaq vulnerabël ndaj përfshirjes në “death list“-at e pogromeve morale.

(Gazeta "Shqip", 10 maj 2009)

Pse jo?

Po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Është e mrekullueshme se ç’mund të bëjë urgjenca për të gjetur justifikim për të pajustifikueshmen. Prej disa javësh, teksa opinioni publik në Shqipëri vlon nga debati i sikletshëm rreth proklamatës së kryeministrit Berisha për legalizimin e martesave gay, veprimtarë të pashërueshëm të së djathtës po mundohen ta përshtasin këtë thagmë të paparë për çdo formacion politik të pavijonit të tyre me ndonjë logjikë, boll që ajo të mos duket ashtu siç është, domethënë, pa pikë logjike.

Shtypi po njeh këto ditë përpjekje të lavdërueshme për të mbuluar diellin me shoshë dhe për të gjetur ndonjë arsye përse martesa e burrit me një burrë tjetër s’bie ndesh me vlerat e familjes, traditën, kanunin, librat e shenjtë, atdheun, folkun, tregun e egjër, ligjin e xhunglës, shtetin e dobët, individualizmin dhe secilin nga gjithë ato avantazhet që na sjell ne njerëzve të thjeshtë mendimi i djathtë. Ndërsa militantët i kanë dhënë karar si përherë duke mos i vënë asnjë pikëpyetje vendimit të prijësit, një gjetje gjeniale që mund të haset sot rëndom në tryezat ku kritikë të djathtë e të majtë nuk shmangen dot pa ndeshur brirët, është edhe përgjigja: pse jo? Pse jo nëse tregu e kërkon këtë? Pse jo nëse këtë e kërkon shoqëria e cila në axhendën e vet tërësisht të pavarur nga mefshtësia e shtetit të hyrë në ujë, e ka legalizuar me kohë e vakt dukurinë në fjalë? A nuk ka në Shqipëri tashmë me shumicë homoseksualë të deklaruar? A nuk bashkëjetojnë ata në shumë raste në formë çiftesh të cilat s’hasin më madje as çudinë e dikurshme ndër fqinjët e tyre? Pse të mos pranohet fakti i kryer dhe të legalizohen pra edhe ata, ashtu siç u bë edhe me ndërtimet pa leje në Bathore të cilat e sfiduan aq kokëfortësisht shtetin sa që në një moment u shndërruan në një realitet të paneglizhueshëm me të cilin shteti deshi s’deshi e më në fund “u martua”? Madje, pse jo, shtyhen më tej më të pashërueshmit e sindromës së neoliberalizmit, pse të mos legalizohet edhe hashashi sipas po këtij principi?

Dhe është ky tamam momenti kur duhet përsëritur edhe një herë pyetja me të cilën zë fill ky shkrim: po prostitucioni, armëmbajtja, tortura, aborti madje edhe eutanazia? Pse jo? Imagjinoni pak tani këtë skenar që është vënë në lëvizje me t’u kurdisur mekanizmi i logjikës së mësipërme. A nuk është edhe prostitucioni një realitet i paneglizhueshëm në Shqipëri? Pse të mos legalizohet edhe ai, në qoftë se hashashi, kultivimi dhe tregtimi i tij mund të luftohen duke u formalizuar brenda tregut? Pse të mos i hiqet policisë barra e rëndë e gjurmimit të kodoshëve dhe shtëpive publike ilegale në mënyrë që oficerët të merren me gjëra më të rëndësishme? Pse të mos hapen fronte pune për vashat me cilësi të posaçme, nga të cilat shteti do të mblidhte taksa dhe nga të cilat Shqipëria do të fitonte brenda vitit famën e parajsës së seksit duke u shndërruar në ndonjë lloj “tigri turistik të Adriatikut”? Po armët, pse jo? A nuk janë ato të përhapura mjaftueshëm në duart e kriminelëve për t’u quajtur të paneglizhueshme? Pse të mos ligjërohen tërësisht, në mënyrë që ato të kenë të drejtë t’i vringëlljnë pa problem edhe qytetarët e ndershëm të cilët hë për hë konsiderojnë si armë Policinë (e cila – duhet pranuar – jo përherë “shkrep” në shenjë)? Kur të gjithë supozohohet se kanë armë, a nuk e ruan frika e përgjithshme vreshtin e rendit publik? Pse të mos jetë një vend çapajevësh si Shqipëria, Miçigani i Europës? Ç’është ky dënimi absurd për armëmbajtje pa leje? Pse të merret policia me këtë stres të përditshëm dhe të mos fokusohet aty ku vërtet duhej ta shkrinte tërë talentin e vet: domethënë në menaxhimin e trafikut rrugor dhe në parandalimin e zjarreve? Po për torturën? A nuk të rreh policia sa i dhemb dora nëse i bie në dorë? Pse të mos e formalizojmë me një ligj tërë këtë mishmashin: jo ushtrim dhune- jopo shkelje të drejtash? Po aborti pastaj? Kur dihet se të gjithë e bëjnë, pse të mos njihet dhe financohet nga shteti? Pse çiftet e varfra t’i flakin fshehurazi foshnjet e padëshiruara në kazanë plehërash? Po eutanazia apo vrasja klinike? Pse të mos u jepet dorë e lirë doktorëve dhe farmacistëve të të ujdisin ndonjë hape lehtësuese për t’i dhënë lamtumirën jetës e për të ngritur patkonjtë pa pengesa në momentin më të parë që do kesh ndonjë dilemë a përshtypjen se kjo botë s’është për ty, se lekët për kredinë s’mjaftojnë, se punë s’ka, se gruaja s’të do, se fëmijët s’të njohin dhe se vizë për jashtë shtetit s’merr dot? A nuk shitet lirshëm këtu fostoksina për po të njëjtat arsye? A nuk i japin fund halleve shqiptarët pa shumë formalitete nëpër plevica në cep të litarëve apo nëpër skuta duke shkumëzuar nga efekti i barit të miut?

Ky skenar anarkie të përgjithshme që sigurisht nuk ekziston as në imagjinatën më të çartur të çdo të djathti me taban është arsyeja pse janë kaq të dëshpëruara dhe pa sens përpjekjet për të marrë në mbrojtje vrullin revolucionar të një kryeministri të djathtë që zë e legalizon martesa gay dhe që kërcënon “borgjezinë” me fushata ndëshkimore. Kjo orvatje për justifikim është devijanca nga ideologjia për llogari të militantizmit, për të pranuar qorrazi çdo direktivë partiake a më keq akoma çdo vullnet të supozuar të udhëheqësit që në dalldinë e vet gjatë kalërimit të lirë majë pushtetit s’e vret shumë mendjen për liberalizmin, Keynes-in, laissez fair-in e limitime të tjera teorike.

Kjo është gjithashtu përpjekja për t’i hedhur velin e një mendjelehtësie argëtuese, një të vërtete trishtuese. Martesat gay nuk janë gjë tjetër veçse një faturë. Ato nuk kanë lidhje me ndonjë krizë të papritur emancipimi të Shqipërisë a kryeministrit të saj. Ato nuk janë gjithashtu as ndonjë krismë në drejtim të kundërt për të larguar vëmendjen e opinionit prej andej nga me të vërtetë po ndodh diçka që meriton vigjilencë.

Paaftësia për të qeverisur me dinjitet dhe për ta merituar integrimin në NATO a BE, e bën pushtetin në këtë vend të jetë i gatshëm për çdo koncension sado turpërues qoftë ai. Kjo është arsyeja pse me këtë rast Greqia s’e ka të vështirë ta shtyjë kufirin e saj detar deri në brigjet shqiptare dhe të instalojë kryqe varresh në territore betejash inekzistente në zemër të vendit. Kjo është arsyeja pse kompani të lidhura me zona gri të pushtetit në SHBA, Turqi, Francë a Hollandë fitojnë si me magji tenderat kryesorë ku shpenzohen shumica e milionave të buxhetit të shqiptarëve. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria jo vetëm i thotë “po” pa mëdyshje marrëveshjeve të ripaketimit të emigrantëve klandestinë, por teksa mijëra shqiptarë në Britani, Belgjikë e gjetkë në Europë autodeklarohen nga halli si gay për të fituar strehim, gjejeni se çfarë bën qeveria shqiptare? Legalizon martesat gay. Por fundja, pse jo? A nuk e kërkon këtë tregu europian i punës? Sikur Shqipëria tok me andrallat e saj befas të mos ekzistonte, atëherë Europa brenda natës do ta shpikte atë nga e para.

(Gazeta "Shqip", 20 Gusht 2009)

Mbi partitë menaxheriale dhe socializmin fast-food

Në vitin 2009, po rastise në edicione lajmesh plot fatkeqësi natyrore, aksidente, gjak, atentate, skandalistikë, vetëvrasje, pushtime, luftëra dhe diskordancë, mos bëj gabimin të mendosh se ky akumulim negativiteti është sinjali se fundi i botës është në prag. Gjithçka po shkon normalisht dhe alarmuese mund të ishin edicionet me lajme ekskluzivisht të mira plot paqe, begati e bilbila. “Kohët s’janë bërë aspak më të dhunshme”, thotë Merilyn Manson, “ato thjesht sa janë bërë më televizive”.

Në një spektakël prej të cilit mbërriti në publik vetëm një murmurimë nga matanë mureve, Partia Socialiste, ajo që sot do të duhej të ishte investimi më i madh i popullit të të pakënaqurve të këtij vendi, vendosi ta kthejë kohën mbrapsht drejt epokave të pa-televizuara, atyre të krimeve pa dëshmitarë dhe që pikërisht prej këtij keqkuptimi, gabimisht perceptohen si më paqësore. Por duke ua fshehur retinave të kamerave çrregullimin e vet, Asambleja socialiste krijoi me sukses pikërisht të kundërtën e përshtypjes që do të donte të linte.

Diçka nuk shkon mirë brenda këtij organizimi njerëzish që sikur edhe vetëm për arsye definicioni supozohej të ishte përfaqësues i atyre qindramijërave që sot qëndrojnë në disidencën vetëpërjashtuese të anës tjetër të gardhit militant; dorëzan teorik i atyre që shohin kah progresi përkundër konservimit, që përqafojnë kriticizmin dhe përbuzin rreshtimin; njerëzve që me idealizëm rreken të bëjnë realitet ëndërrat për një jetë më të mirë përkundër atyre që jetojnë me iluzionin e një realiteti më të mirë pas vdekjes, i atyre që nuk dorëzohen dhe që sërish duke perifrazuar dikë të famshëm: “preferojnë më mirë një rol këmbësori në luftë sesa një funksion drejtuesi në kafaz”.

Papajtueshmëria karakteristike e së majtës e cila qëndron në thelb të ekzistencës së saj, u mohua, u injorua dhe u konsiderua një stigmë turpi. Akti i fundit i amputacionit të së majtës si njëra nga dy gjymtyrët e nevojshme për një trup të shëndoshë shoqëror u krye nga vetë partia që do të duhej të ishte denoncuesja e kësaj anomalie që po vazhdon ta mbajë Shqipërinë të gozhduar në shtratin e invaliditetit politik dhe ekonomik. Por mjerisht, në një histori të gjatë e intensive po aq sa edhe të re, gjesti më i fundit i tradhtisë ndaj së majtës, nuk ishte as i pari.

Si një fenomen i bekuar në heshtje nga kujtimi i hidhur i diktaturës së deri ’90-ës partitë kryesore në Shqipëri po vazhdojnë shndërrimin e pandalshëm nga parti ideologjike, në disa agjenci menaxhimi. Nga furnizuese idesh të mëdha, në subjekte punëdhënëse. Nga mbrujtëse projektesh vizionare për përparimin e kombit, në zbatuese yçklash minore dhe pjesëmarrëse në tenderin më të madh publik që zhvillohet çdo katër vjet dhe për të cilin shpesh shkohet deri në kacafytje. Dëgjoni deri edhe Blushin, lexoni analizat e të indinjuarve nga disfata socialiste: kritika më e ashpër që këto lloj partish marrin nëse humbin zgjedhjet, është se lanë pa punë militantët e vet, që në një rast më fatlum do të duhej të mbushnin zyrat e boshatisura nga homologët e tyre opozitarë në një cikël të pambarim që po ia merr frymën lirisë dhe zhvillimit të këtij vendi.

Nëse për Partinë Demokratike si një përfaqësuese e së djathtës, ky transformim nga ideologjikja drejt menaxheriales mund të quhet një evolucion logjik nga parardhësja e frymëzimeve populiste të viteve ’90, në rastin e socialistëve nonsensi sa vjen e bëhet më absurd. Peshorja e ka humbur kuptimin e vet dhe tashmë në garat elektorale kjo po reflektohet edhe përmes votës. Në kandar po vihen përherë e më shpesh dy të djathta identike që duke qenë dy “të njëjta”, është normale që do të peshojnë po njëlloj. Ngërçi në të cilin është futur lidershipi socialist është kurthi ku ata kanë kallur vetveten që nga epoka kur heshtnin teksa Fatos Nano shpërndante tesera duke e mbushur partinë me drejtorët dhe menaxherët e suksesshëm të sh.p.k-ve të kohës, miqtë e batutës dhe të alkoolit dhe financuesit e luksit dehës të pushtetit.

Kjo ishte koha kur PS rreshti së qeni një parti dhe nisi të funksionojë si një ndërmarrje dhe kjo sëmundje që duhej kuruar nga pasardhësi i tij Rama, u shty më tej teksa ky e zëvendësoi, tjetërsoi ose e margjinalizoi këtë shtresë artizanale teknikësh që ai gjeti në parti, duke i mbivendosur asaj versionin e tij të menaxherëve me cv, zotërim anglishteje dhe mastera perëndimorë. Ky bord i ri administratorësh për një luftë të re territoresh e tregjesh me ndërmarrjen konkurrente, hyri me vrull në zyrat rozë me premtimin – e njëkohësisht edhe me paftësinë – për të zëvendësuar të vjetrën. Në thelb ai që duhej të ishte një ndryshim kursi me një ofertë më të mirë ideore, u bë thjesht një riciklim militantësh të brendshëm si ai që ndodhte me militantët në një plan më të gjerë kur pushteti ekzekutiv në shkallë vendi ndërronte duart. Ishte më se e pritshme që kjo skuadër menaxherësh të ishte e paaftë të ngjizte një program idesh, pasi menaxherët si rregull nuk krijojnë por thjesht menaxhojnë situata.

Ndërsa Shqipëria kishte nevojë për një ide të re, për një shpresë të re që do t’i tregonte rrugë alternative për të shëruar sëmundjen e saj të zgjatur të varfërisë, prapambetjes dhe papunësisë, asaj iu ofrua vetëm inflacionimi deri në velje i fjalës “ndryshim”. Një ambalazh të cilin “menaxherët” e tij e dinin që në zanafillë që ishte bosh përbrenda por që u rrekën me kokëfortësi ta shisnin si gjenuin deri në fund, me shpresën se shqiptari i 2009-ës do ta blinte si të ishte ai i 1989-ës. Një ambalazh të cilin duke qenë një skotë pa fantazi e pa pikë kreativiteti, menaxherët në fjalë e kishin edhe atë të huazuar siç bëjnë menaxherët e ndërmarrjeve të vogla tek aplikojnë modelet e suksesshme të menaxherëve të mëdhenj pasi janë impresionuar më parë për vdekje nga leximi i ndonjë libri komercial nga ata me tituj tejet amerikanë: “Si të bëhesh lider i suksesshëm brenda 12 ditëve”.

Gjithë ky sharlatanizëm i cili, për hir të së vëretës, ishte verifikuar si model humbës qysh më 2005, u vesh me një parafernali termash ku ai “politikë e re” tingëllonte më magjepsësi. Tok me matrapazët e rastit, rrotull këtij projekti që ishte i vetmi në ofertën socialiste u grumbulluan si naivët, ashtu edhe ata që s’ishin të verbër por që luteshin që problemi me këtë idenë moderne të de-ideologjizimit të partisë të kishte qenë vetëm tek paaftësia e ekipit të dikurshëm të Nanos.

Fjalët mënjanë, socializmi kapitalist tip fast-food nuk ekziston. Shqipëria nuk është Britania e Madhe eksperimentale apo shteti i Lousianës pas uraganit Katrina, Edi Rama nuk është Barak Obama dhe G99 s’mund të jetë dot NDI. Trazimet, krizat dhe dilemat e asaj bote nga vijnë këto modele janë shumë të largëta dhe të paadoptueshme me realitetin shqiptar që ka trazime, kriza dhe dilema të vetat që kërkojnë zgjidhjen e vet të përputhshme me karakterin e vet. Shmangia nga identiteti dhe huazimi i recetave nuk është rruga e duhur.

Kjo është arsyeja pse pavarësisht heshtjes së mëparshme, shënjestrës së tij nganjëherë të gabueshme dhe tundimit të vëzhguesve për ta parë kryqëzatën e tij postelektorale si një schadenfreude (perversiteti i gëzimit nga humbja e tjetrit), Ben Blushi i cili thotë se është Ben Blushi dhe se Partia Socialiste humbi ngaqë deshi të mos ishte socialiste, tingëllon sot si diagnoza më e saktë prej së cilës mund të dalë kura që mund të shërojë të majtën shqiptare.

(Gazeta "Shqip", 30 shtator 2009)

Hajde bacë

Teksa ora përparon drejt mesnatës, vezullimi i Aeroportit nga distanca nis e bëhet verbues. Zonat përreth nisin të kridhen në errësirë duke e theksuar edhe më tepër kontrastin mes asaj copëze tokësore të veshur me asfalt, mermer, alumin dhe qelq ku ulen avionë dhe flitet kryesisht në gjuhë të huaj dhe gjithçkaje tjetër përreth ku dominon balta, blegërijnë bagëti dhe ku ndërsa tashmë ka ngjarë gjithçka që kishte për të ngjarë brenda një dite, nuk flitet, por gërhitet shqip.

Shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se pikëtakimi kryesor ku përballemi “ne” dhe “Europa” janë kangjellat e ambasadës italiane, gjermane ose britanike. Duke qenë një derë që funksionon kryesisht vetëm në konceptin hyrës (shqiptarët që hyjnë atje për të kërkuar një vulë të vogël që do t’u mundësojë atyre të udhëtojnë për në perëndim), paradigma e ambasadës mbetet e cungët, ndaj unë vajta të shoh se çfarë ndodh tek një portë e afërt ku edhe merret edhe jepet, nje portë hyrëse dhe njëkohësisht dalëse, pritëse e njiherit përcjellëse. Në aeroport.

“Hajde bacë”, mërmërit nëpër dhëmbë me vete shoferi i paligjshëm i taksisë teksa shikon pasagjerin e hutuar që del nga salla e mbërritjeve në hollin gumëzhitës të aeroportit. Por “baca” kalon afër shoferit pa ia hedhur sytë. Pak çaste më pas, shoferi që pret “gjahun” sajon aty për aty një tjetër nofkë për pasagjerin e radhës që shfaqet në hyrje të sallës. “Hajde komandant” portretizon plot fantazi teksa flet me vete taksisti ilegal ndërsa vëren me kujdes lëvizjet e “komandantit”. “Bacët” dhe “komandantët” në fjalë janë kryesisht austriakë, gjermanë apo europianoqëndrorë të tjerë të skuqur të linjës Vienë-Tiranë, turistë, zyrtarë, biznesmenë, profesorë, tifozë të Rapid-it të Vienës. Shoferi u shkel syrin policëve apo punonjësve të aeroportit që vërdallosen përtueshëm në hapësirën midis shiritave që ndajnë mbërritësit nga pritësit. Ata nuk e shqetësojnë. Nëse “baca” apo “komandanti” i pikasur në fillim afrohet, ai stampon një buzëqeshje kinse babaxhane të stërvitur mirë dhe pyet me një ton krejt tjetër kësaj radhe plot familjaritet: “Taksi mister?”. Kjo e folur dyfytyrëshe, me ironi dhe tallje për përdorim vetjak apo brendashqiptar dhe gjithë përulje e servilizëm në sytë e perëndimit është një refren i gjatë. Teksa oferta refuzohet ose thjesht injorohet, kjo skenë përsëritet në dhjetëra e dhjetëra raste, e shumëfishuar në një mizëri shoferësh, lypësish apo spekullantësh të llojeve të ndryshme që bubrrojnë në sallën e madhe të aeroportit të Rinasit. Brenda shkëlqimit të pastër të mermerit dhe ftohtësisë moderne të këtij impianti ata, tok me fytyra të tjera të nxira nga dielli dhe takimet e rralla me sapunin, flokët e ngjitur nga djersa, dhëmbët e zverdhur, çehret e liga, veshjet e errëta e të zymta, bizhuteritë e rënda, shtatet e kërrusura dhe përherë abnormale (ose tejet obeze ose tejet thatime), si dhe mendimi trishtues për arsyen pse të gjitha këto detaje të vogla janë kaq të kudondodhura, të kujtojnë ty shqiptarit që mendon se je aq i civilizuar sa të mund të bësh vëzhgime të tilla, se sa artificiale dhe e papërshtatshme është kjo martesë midis “shqiptares” dhe “europianes”. Se sa të huaja dhe të largëta janë këto dy botë. Se çfarë ishulli i paadoptueshëm, i padëshirueshëm, i refuzueshëm dhe i injorueshëm është “shqiptarja” brenda kësaj miniature ku Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë shkrirë tashmë së bashku në një territor eksperimental-aeroportual që ngjan si një parathënie e sikletshme e asaj sesi do të dukej në realitet një shkrirje e tillë në përmasa më të gjera.

Të tillë shembuj të mospërshtatshmërisë sonë me mjedisin ku haset “Europa” janë të shumtë dhe i sheh ngado në jetën e përditshme. Nuk është thjesht fizionomia jonë tipari më i dukshëm dhe elementi më i dallueshëm në çdo kontakt fare rastësor midis “nesh” dhe “atyre” pasi ajo është thjesht produkt. Është një filozofi e tërë jetese të cilën krejt pa pasur as vullnetin më të vogël për ta ndryshuar ne synojmë ta legalizojmë si ndërtimet pa leje në Bathore të Tiranës. Është këmbëngulja psikopatike dhe e rrënjosur në mënyrë sugjestive në popull tek sistemi ekonomik që kemi adoptuar tok me varfërinë dhe injorancën që pjell ai, të cilin ne synojmë ta mbartim me vete brenda Europës me shpresën se me të hyrë atje “ata” do ta shërojnë. Është varianti shqiptar i tregut të lirë deri në çakërdisje përballë traditës së konsoliduar europiane të tregut të drejtë. Është mjerimi ynë i vrazhdë i “kompeticionit social” përballë historisë së gjatë europiane të “drejtësisë sociale”. Është korrupsioni dhe të menduarit korruptiv të shndërruar në mënyrë jetese sot ndër shumë shqiptarë ai që vetvetiu ushqen përmes rryshfetit dhe anashkalimit të devocionit dhe obligimit ndaj detyrës një ambient të infektuar dhe që ne synojmë ta transportojmë me vete në Europë pasi edhe këtë do ta kurojnë “ata”. Është vetë struktura dhe organizimi ynë shtetëror, institucionet jo-funksionale, rezultatet e zgjedhjeve që kurrë nuk pranohen nga humbësit, kultivimi i militantizmit si meritokracia e vetme, klientelizmi i imponuar politik i medias, kastrimi i artit dhe frymës kritike (përfshi këtu shoqërinë civile). Është mbjellja dhe ujitja e përditshme e një ndjenje pafuqie dhe dorëzimi përballë këtij realiteti. Është psikoza se ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjendje dhe shpresa e vetme mbeten të huajt të cilëve ndaj edhe u varemi, u servilosemi dhe u nënshtrohemi me shpresën se do binden një ditë se jemi të devotshëm aq sa duhet dhe do na lejojnë edhe ne një copëz vend në sofrën e tyre të begatë. Është ideja se “ata” japin detyra të cilat ne i plotësojmë dhe lutemi pastaj me ankth, shpresë e besim se do të shpërblehemi për këtë përkushtim. Askush nga lidershipi shqiptar nuk ka marrë ende guximin të thotë se inferioriteti është dera e gabuar nga mund të hyhet në Europë. Se fundja “Europa” është një koncept gjeografik ku shqiptarët bëjnë pjesë do apo s’do komisioneri i zgjerimit të BE-së. Se nëse ka disa standarde të organizimit shtetëror, ekonomik apo social që duhen përmbushur, këto duhen bërë për t’u përmirësuar jetën qytetarëve të këtij vendi dhe jo për të plotësuar progres-raportet e disa burokratëve nga Brukseli.

Shqipëria ka sot një nevojë urgjente që t’i rikthehet autoriteti dhe krenaria. Kjo është një nevojë e pavarur nga proceset integruese. Në momente të tilla dekadence të plotë kombëtare, më shumë se për qaravitje dhe ankesa është nevoja për një projekt kombëtar që duhet të çrrënjosë me themel këtë kompleks inferioriteti ndaj perëndimit dhe burimet nga ushqehet ky kompleks: varfërinë, injorancën, prapambetjen. Një projekt që mund të përfshijë deri një moratorium apo ngrirje të të gjithë procesit të integrimit në BE derisa ne të jemi gati. Një projekt kurajoje që do të kushtojë vërtet disa vite por që do t’i kthejë shqiptarët kësaj radhe seriozisht drejt punës, progresit dhe drejtësisë. Drejt dijes, kulturës dhe zhvillimit. Dhe që më në fund do ta kthejë integrimin tonë në familjen ku përkasim, nga një kërkesë mëshire në një të drejtë të pamohueshme.

(Gazeta "Shqip", 26 shtator 2009)

Porosi

Biletat janë prerë, valixhet janë përgatitur dhe prenotimet janë bërë të gjitha. Selia e PS-së kumbon në këto ditë dhjetori në një boshllëk shembullor që të kujton një klishe nga ato të kulturës pop: “all the lonely hearts in London, caught a plane and flew away” (gjithë vetmitarët e Londrës – në rastin tonë Tiranës – ia hipën avionit dhe fluturuan).

Ky paskësh qenë pra edhe “revolucioni portokalli” i kutive në Shqipëri. Një intifadë me kohë të pjesshme që shkon me pushime për Vit të Ri. Një rebelim part time ku në emër të popullit flitej kundër grykësisë së qeveritarëve që ishin gati të vinin dorë edhe mbi votat për të vazhduar të abuzonin. Ku më të zjarrtët sillnin madje në kujtesë edhe sheshin Tienanmen dhe “¡No Pasarán!”-in e luftës së Spanjës. E gjithë kjo nuk do të ndodhte nëse ata do ta kishin vërtet seriozisht dhe nëse gjendja këtë dimër do ishte aq tragjike sa ç’ishte – ta zemë – në dimrin e 1990-ës në Shqipëri, ose në dimrin e 2000-ës në Serbi, ose në dimrin e 2003-shit në Gjeorgji, ose në dimrin e 2004-ës në Ukrainë.

Por tashmë nuk ka më asnjë dyshim se lufta e ftohtë midis qeverisë dhe opozitës për çëshjten e zgjedhjeve të qershorit u mbyll me fitoren e të parës. Të dytët, opozitarët – nëse pranojmë t’i quajmë kështu socialistët për marrëveshje termash – i sheh të tërhequr tani në një pozicion rezervist duke e kufizuar gjithë aktivitetin e tyre thjesht në lëvrimin e një terminologjie ende të paftohur mirë si dhe në ca “atentate” të vogla verbale ndaj dështimeve të fituesve, siç guerriljet shtijnë në ajër e ikin pa dalë kurrë në front të gjerë. E parë në një kontekst më të gjerë, kjo do të duhej të quhej gjendja normale e politikës në Shqipëri sepse fundja kjo ka qenë prej vitesh e gjithë “lufta” e pseudo-opozitës shqiptare e cila kurrë nuk ka kritikuar sistemin e padrejtë që po e bën Shqipërinë të dështojë, por vetëm dështimet e herëpashershme të pozitës në aplikimin e përpiktë të këtij sistemi.

Në harkun e një muaji ndodhën të gjitha ato që mund të ndodhnin në një situatë të paqartë. Edhe karambolimi kokë më kokë mes dy protestave. Edhe thirrjet “tradhti” kundër aleatëve “të majtë”, edhe zbarkimi trullosës i Çiljetës në kuvendin e PD-së. Edhe qarja e Ramës tek presidenti i pallatit të Brigadave dhe ai i rrugës së Elbasanit. Edhe tonet atërore të Berishës e Topallit kundrejt plangprishësve të kuvendit. Si në një telenovelë të sforcuar në serinë e saj të 365-të, PS e PD vazhduan gjatë gjithë kohës njëra t’i hedhë benzinë e tjetra ujë zjarrit që ndezën vetë, duke ruajtur një audiencë të lartë të programit të tyre televiziv.

Dhe ç’mbeti si përfundim nga e gjithë kjo? Thjesht një zhgënjim më shumë. Thjesht zbërdhylja e mëtejshme e autoritetit të së majtës. Por po ta mendosh hollë hollë, rezultati final është edhe fakti se tanimë askush brenda PS-së nuk diskuton më se Rama i cili humbi zgjedhjet ka humbur njëkohësisht me to edhe të drejtën të qëndrojë në krye, pasi mendjet e tyre u zhvendosën me marifet dhe po mbahen të zëna me gjeagjëzën: si t’i hapim këto kutitë? Protestat qytet më qytet nisën me bujë dhe mbaruan siç pritej, me pëshpëritje, ndërkohë që nga ana e vet kreu i qeverisë duket se zbatoi me kënaqësi aksiomën e Bonapartit: mos e ndërprit kurrë armikun tënd kur ai është duke kryer një gabim.

Sepse ndonëse mendjeve tmerrësisht pjellore dhe tejet, tejet kreative vërdallë Ramës, kjo çështja e arritjes së çimentimit të tij të ballë të partisë mund t’u duket edhe si një mision i suksesshëm, kjo është njëherit edhe një nga disfatat më të rënda të së ashtuquajturës “e majta” shqiptare. Meqë po flisnim me terma napoleonike, në një plan afatgjatë kjo mund të quhet edhe Vaterloja e së majtës si asaj të institucionalizuar edhe asaj informale, që gjallon në këtë vend.

Kjo ishte një nga herët kur një masë e konsiderueshme e energjive, besueshmërisë dhe seriozitetit të së majtës u hodh në aventurë, u bë paçavure nëpër rrugë, u zvarrit në një mision të pamundur, utopik dhe të parealizueshëm si dhe u detyrua të ngarkohet si gomerët me gurë, thjesht për arsye marketingu. Siç thoshte jo krejt me takt por jo fare pa të drejtë një koleg intelektual i mendimit të majtë: ky ishte manuali si të përdorësh degën e PS-së Yrshek për të krijuar efektin special të betejës në filmin Lord of the Rings. Të gjithë u përdorën si figurantë për realizimin e një videoklipi jo edhe aq të suksesshëm televiziv, i cili shërbente për të krijuar përshtypjen se Rama ka të drejtë të qëndrojë në krye të partisë sepse zgjedhjet ndonëse nuk i ka fituar, gjithsesi ai as i ka humbur dhe se arkitekti i dështimit socialist është i pafajshëm derisa të provohet fajtor.

Ky mision manipulues po që mund të quhet i realizuar dhe ç’te realizuari madje. Kjo është arsyeja pse dinjitarët opozitarë janë tani të qetë. Në këto ujëra, ata në rastin më të keq kanë nisur pushimet e në rastin më të mirë po mbjellin fara kumbulle e po marrin poza para gazetarëve. Duke na bindur tashmë përfundimisht të gjithëve, se e gjithë zjarrmia e tyre revolucionare, hakërrimet dhe “qëndresa” ndaj revanshit të së djathtës, ishin thjesht një mizansenë e pështirë mashtruese. Dhe duke na dhënë të drejtë të gjithë ne kritikëve që e shprehëm qysh në nëntor skepticizmin ndaj acarimit artificial të retorikës së tyre dhe krijimit të një ndjenje fiktive paniku kolektiv me lejtmotivin tashmë bajat: të hapen kutitë.

Gjithçka mund të ndodhë në 365 ditët që do të vijojnë. Për shkak të vaktësisë së argumentave dhe impotencës së tyre krijuese, nuk do të arrijmë dot të asistojmë në ndonjë rekonkuistë socialiste, por një mbretërim i qetë i Berishës duket i pamundur. Kjo, jo krejt për shkak të efikasitetit të opozitës aktuale, por për shkak të nevojës së të dyja palëve për ta bërë show-n të vazhdojë duke kopjuar vetveten tek njëra tjetra si nën fletë identike karboni. Kësisoj Shqipëria politike do të kalojë edhe një tjetër vit nën lëkundjen midis diçkaje që s’do të dijë robi normal si ta quajë, luftë të ftohtë a paqe të ngrohtë.

Do të jetë po ajo situatë psikedelike ku burrat në xhaketë e kravatë do vazhdojnë të pështyhen nga podiumet respektive ndërkohë që masat e të papunëve, të pashpresëve dhe të paprivilegjuarve të këtij vendi do të lodhin qafën sa majtas djathtas si spektatorët e një derby pingpongu. Por gjithsesi, nëse një opozitë kaq pa përmbajtje dhe kaq manipuluese si kjo që kemi sot, do të ndodhë që të arrijë t’i bëjë varrin të njëllojtëve në pushtet dhe të marrë frenat e vendit, porosi personit të fundit që ikën nga Shqipëria: ju lutemi, fikni dritat.

(Gazeta "Shqip", 28 Dhjetor, 2009)

Gjithë ngjyrat e anarkisë

“Dekreti i Presidentit për projektligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave çorodit shumicën në Kuvend dhe ‘detyron’ kryeparlamentaren Jozefina Topalli ta hedhë këtë ligj dy herë në votim, duke shkelur rregulloren. 73 deputetët e mbetur në sallën e Kuvendit, pas braktisjes së godinës së Parlamentit nga opozita, kanë votuar dy herë mbi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke futur në një kaos mazhorancën, por mbi të gjitha deputetët, të cilët nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte në sallën e Kuvendit mbi mënyrën e votimit dhe leximit të votës së tyre”. (Gazeta “Shqip” – 17/09/10)

“Mesa duket, duhet – siç thotë Dino Buxati – një dyzinë infarktesh të shpërndara në mënyrë të drejtë nga Zoti mbi politikanët dhe liderët shtetërorë, që të mbërrijmë në një ditë të bekuar paqeje dhe qetësie”. Pak me humor, pak me fatalizëm, e ndamë mendjen në fund të emisionit të Adi Krastës “Krasta on Top” në Top Albania Radio, se kjo mund të ishte mënyra përfundimtare sesi mund t’u bënim fajde politikanëve që kanë hyrë në sezonin e ri të marrëzisë këtu në Shqipëri. Në fund, edhe një përshëndetje me “Not fair” nga Lily Allen për të arritur përzierjen e duhur ilaç-vitaminë ose diskurs politik – radioshow si dhe për të dhënë idenë e përpiktë të asaj për çka bëhet fjalë: e dashura që ankohet se i dashuri bën rregullisht fiasco në krevat. Siç shqiptarët stresohen se barinjtë e kombit s’po e bëjnë as ata siç duhet punën e tyre. Që edhe ajo është me një fjalë të vetme: shtypja.

Nuk ka shoqëri të sotme moderne ku anarkia nuk asociohet menjëherë me kaosin, shkatërrimin dhe degjenerimin e farës njerëzore. Një botë terrori ku grupe plaçkitëse ish-proletarësh, ish-të varfërish, ish-të paprivilegjuarish – e me radhë, një mishmash grupimesh shoqërore pa dallim – me anë të një spontaniteti vetëshkatërrues i japin liri vetes të marrin akses direkt tek të mirat materiale dhe intelektuale që janë krijuar nga puna e të gjithëve duke injoruar rrugës çdo lloj rregulli e ligji.

Konkurrenca dhe lufta për mbijetesë konsiderohen si gjendje normale e botës shtazore, prandaj duke i presupozuar edhe njerëzit si një biçim kafshe, gjendja e anarkisë përshkruhet zakonisht si një botë e përgjakshme ku mbizotëron ligji i xhunglës. Një pyll ku njerëzit janë ujqër për sho-shoqin, ku më të fortët gllabërojnë më të dobëtit dhe ku territoret ziejnë si skëterra të vogla lokale jashtë rregullave të tregut, ligjit dhe moralit si dhe jashtë pushtetit të politikës, bursës apo fesë.

Autorë të angazhuar në studimin e teorive politike (Godwin, Proudhon, Kropotkin, Goldman, Chomsky, etj) sugjerojnë një shpjegim disi më tokësor kundrejt këtij perceptimi apokaliptik rreth anarkisë. Por në shoqëri si ajo shqiptare ku shkenca dhe mendimi nuk merren më aq seriozisht sa ç’merreshin dikur, është në lulëzim përfytyrimi se anarkia nënkupton pikërisht ato gjërat e tmerrshme që thuhen për të. Në realitete të ngjashme me tonin – përfshirë edhe këtë tonin – versioni zyrtar i shpjegimit të anarkizmit imponohet si një dogmë fetare ndaj së cilës janë rojtarë jo priftërinjtë me veladon por “priftërinjtë” me kollare.

Si një ulçer e kahershme kronike, anarkizmi ka një traditë të lashtë përbuzjeje në Shqipëri. Për këtë arsye edhe retorika kundër tij është tashmë e kodifikuar dhe e korracuar shumë mirë. Të këqiat e tij, rreziqet dhe mbrapshtësia s’kanë nevojë të shtjellohen me detaje pasi tashmë ofrohen të gjitha të kondensuara në një tabletë të vetme, singëll, pa shpjegime anësore. Kjo tabletë përmban thjesht përmendjen e emrit të mallkuar “anarki” si një kod, një sinjal, një parrullë kuptimplotë që zgjon menjëherë ankth dhe ndjenjë paniku tek ai që e dëgjon.

Në fakt, kjo sëkëlldi e papërshkrueshme shfaqet e lidhur ekskluzivisht vetëm me një lloj anarkizmi. Ky është ai që quhet shpesh anarkizmi i kuq, ai që vjen nga poshtë, nga masat, kur këto të fundit vendosin të shkatërrojnë çdo lloj autoriteti e t’i zgjidhin punët pa ndihmën e shtetit, këtij institucioni rregullues të krijuar në lashtësi nga shoqëria njerëzore, por që hera herës i kthen armët kundër krijuesit të vet. Anarkia e aplikuar nga populli i organizuar si trupë shoqërore në terma zyrtarë përcaktohet si “përmbysje e rendit shoqëror” ose orvatje drejt saj dhe është i ndaluar me ligj.

Mjerisht, në të njëjtën Shqipëri ku anarkia e popullit është po aq e mallkuar sa edhe hipoteza marksiste, socializmi, komunizmi apo qoftë edhe ndonjë hije njerëzillëku e aplikuar në sistemin shtetëror, zhvillohen të pashqetësuara edhe disa varietete të tjera anarkie. Askush nuk i thërret ato me emrin e tyre të vërtetë. Po flasim këtu për versione të ndryshme të filozofisë liberale të shprehur në metodat e qeverisjes, marrdhëniet ekonomike apo edhe thjesht në komportimin e individit në shoqëri.

Ajo që ndodh realisht në sjelljen e establishmentit tonë politik nuk është fort larg idesë së anarkisë. Në dallim nga anarkia e kuqe, popullore, ku përfituese janë masat e të shtypurve dhe të përulurve, kjo tjetra është një lloj anarkie e bardhë, e heshtur, e parfumosur, ekskluzive dhe e fshehur pas termit “demokraci liberale” (në rastin shqiptar, në versionin e saj më të pafytyrë e më të korruptuar). Kasta shoqërore që mund të përfshihet brenda emrit “politikanët shqiptarë”, po jeton prej shumë kohësh brenda gjendjes së një anarkie të sajën personale. Ajo nuk i bindet asnjë lloj rregulli, nuk e zë asnjë lloj ligji, i lejon vetes të shtijë në dorë çdo lloj resursi që i vë syrin. Ajo shkruan rregulla e ligje formale të cilat duhet t’i zbatojnë të tjerët, masat, pasi mbi vetë atë – kastën, ato zakonisht nuk kanë kurrfarë ndikimi.

Nuk ka asnjë strukturë mbikëqyrëse, asnjë sovran para të cilit politikanët shqiptarë japin llogari, si dhe nuk ekziston tashmë as ndonjë ndjenjë turpi apo brerje ndërgjegje se po e privilegjojnë veten përtej çdo limiti. Mënyra e sjelljes së tyre kur marrin pushtetin është thjesht vazhdim apo shtojcë e anarkisë që mbretëron në foletë e tyre, partitë politike në të cilat ata organizohen për të zëvendësuar pas pak njëri tjetrin në hambarin e pushtetit. Në shumicën e këtyre partive, është ngritur në kult injorimi i vullnetit të zgjedhësit. Liderët dhe stafet drejtuese të këtyre partive caktohen si rezultat i interesave efemere të një grupi të vogël dhe aspak si rezultat i ndonjë procesi seleksionues cilësor. Oferta që këto parti dërgojnë në zgjedhje apo në pushtet, fekondohet në një mjedis që priret të pjellë krijesa që do të sfidojnë ligjin apo çdo lloj autoriteti (qoftë ky edhe autoriteti moral e imagjinar i sovranit zgjedhës).

Në një gjendje anarkie konstante ndodhet edhe biznesi dhe veprimtaritë që mbahen nga shfrytëzimi i resurseve të vendit. Të inkurajuara me ligj të veprojnë në kushtet e “shtetit të vogël” apo të dorëheqjes vullnetare të shtetit nga kontrolli i tregut, këto aktivitete të shoqërisë shqiptare e gjejnë veten non stop të tunduara të përfshihen në një armiqësi të hapur me publikun. Ky i fundit është vazhdimisht një prè e çarmatosur dhe me duar të lidhura përballë përbindshave koorporativë të fryrë në mënyrë artificiale nga lehtësirat anormale që u janë lënë nga shteti. Çmime produktesh që fluturojnë në stratosferë me pretekstin më të vogël, kontrata tërësisht diskriminuese në kurriz të konsumatorëve, shërbime skandaloze që u ofrohen njerëzve pa kurrfarë standardizimi apo penalizimi të abuzuesve. Nëse kjo nuk quhet anarki, atëherë edhe kjo letër e stampuar që ti po mban në duar nuk është gazetë por një tepsi byreku.

Kjo anarki që mban ngjyrën e gjelbërt të Benxhamin Frenklinit mbi banknotat e dollarit, gëzon një status të nderuar në Shqipëri. Ajo inkurajohet, nxitet dhe reklamohet si një mënyrë normale sesi duhet të funksionojë rendi i gjërave në botë. Kështu me politikën dhe biznesin që funksionojnë të dyja në kushtet e anarkive të tyre personale të pudrosura me grimin e “liberalizmës” si dhe me qytetarët të cilët frikësohen përditë me horrorin e anarkisë së kuqe plot peshkaqenë që hanë fëmijët e pasjellshëm, shqiptarët po hyjnë me gëzim në agimin e një epoke të re. Një epoke shtypjeje dhe errësire, por më keq se kaq, një epoke ku çdo anomali e këtij sistemi që dikton shtypje dhe abuzim, sjell pakënaqësinë e atyre që presupozohet se duhet të jenë të shtypurit e tij. Pak a shumë sikur xhelatin që e zë ndonjë krizë asfiksie përpara ekzekutimit, ta denoncojë për “paaftësi” vetë viktima që ka vënë kokën në gijotinë.

Por s’do të jetë gjithmonë kështu. Shembuj të së kaluarës na tregojnë se përpjekja për të ruajtur statuskuonë duke predikuar gjithë kohës një shoqëri të privuar nga sensi më elementar politik, nga forca morale dhe instiktet sociale s’mund të zgjasë pafundësisht. Pas një trysnie të gjatë, kufijtë e zemërimit mund të kaptohen shumë lehtë. Dhe atëherë…

(Gazeta "Shqip", 22 Shtator 2010)

Dy karafila

Si të ishte shpallje e ndonjë amnistie të përgjithshme apo e ndonjë lloj shpërblimi a llotarie kombëtare, turmës së shqiptarëve iu kumtua vendimi se ende pa mbushur 100 vjet sovranitet në shtetin e tyre, për dy gjëra nuk do t’u duhet ta vrasin më trurin. E para, ndeshjet e futbollit do t’i shohin si gjithë dynjaja në një stadium modern dhe e dyta, deputetët do të rrihen tashmë si njerëz gjatë kampionatit të tyre boksit, në një sallë Kuvendi për të qenë.

Asnjë koment. Kamuflazhi i këtyre dy karafilave që u flakën bujarisht nga tribuna e pushtetit mbi publikun “entuziast” aty poshtë, përmban të shpjeguar në etiketë nga njëra anë informatën alarmuese për rrezikun e skadencës të farës nga mbinë – çezarët romakë shpallnin lojëra sa herë që situata u dilte duarsh - dhe nga ana tjetër ironinë militante para padjallëzisë së njerëzve të cilët s’bëjnë gëk kur i tallin sy për sy.

Nisma në fjalë, shpallet jo fort larg 99-vjetorit të pavarësisë. Ndonëse s’ka ndonjë arsye të posaçme se pse pikërisht tani e pse pikërisht stadium e Kuvend – thua ta ketë parandjerë vallë Ismail Qemali se në vend të një ceremonie mallëngjyese e solemne do ta brohorisnin me një bataré shkelmash a grushtash – po aq sa miti i “99-shit” si hero modern i kudogjindshëm e i pakuptueshëm i Shqipërisë së re, edhe projektimi i deleguar i 99-shave në qeverinë që s’po del dot përtej kësaj holografie fatale, s’ka shumë nevojë të japë shpjegime. Të paktën nga ato të logjikshmet.

Vendimmarrja impulsive, pa partiturë, krejt me veshë e me kinse “sy të lirë”, si vazhdim i përjetimit të një momenti, e ka megjithatë të garantuar një fije mirëkuptimi. Pas gjakmarrjes futbollistike shqiptare mbi vonuesit luksemburgas të liberalizimit të vizave apo oreksit që vjen duke ngrënë llokumet e rimobilimit të sallës së Kuvendit, shfajësohet njëfarë naiviteti tek maketet që iu bënë në ëndërr Kryeministrit i cili në krejt Evropën është ai më i dedikuari për popullin. Veçse ka gjithmonë një qeder djegës që aktivizohet posa mes imagjinares dhe reales nis e plasaritet ai hendeku që përbën transhenë ku bën mirë të fortifikohet guerrilja polemiste dhe kritika sociale.

Më lejoni të shoh tek simbolika e gjestit kryeministror gjatë shpalljes së ndërtimit të këtyre veprave masive, thjesht ironinë politike në çaste pune. Nuk është e para herë që publikun shqiptar e vendosin përpara faktit të kryer pa ia marrë fare parasysh - shijet jo e jo - por as ekzigjencat më elementare. Me justifikimin e fitores në një palë zgjedhje pa program (zgjodha njeriun), këtu tek ne konsumohen për katër vjet rresht mynxyra nga më të parrëfyeshmet.

Demokracia e deleguar, mund të thotë dikush, i ka këto kusure, por pikërisht për shkak të këtij risku shqiptarët kanë miratuar më 1998 një kushtetutë e cila u lë atyre në dorë siguresat që mund të ndezin në çdo moment dritën jeshile për të zbatuar formën më të afërt me demokracinë e vërtetë, që quhet demokraci direkte e që njihet me pseudonimin referendum. Arsye për referendum në Shqipëri ka pasur nga 1998-a e tëhu sa të duash, por e vërteta mediokre është se qysh aherë, as edhe një herë të vetme shqiptarëve nuk u është lejuar zbatimi i kësaj të drejte. Injorimi i përsëritur dhe zhvlerësimi i referendumit, është kthyer dalëngadalë në një zanafillë nga ku burojnë shpesh ngërçe, tensione e madje edhe kriza artificiale.

Çdo nismë qytetare për mbledhjen e 50 mijë firmave që ligjërojnë mbajtjen e një referendumi, ka ndeshur në murin kundërshtues të KQZ-ve të të gjitha kohërave. Qeveritë janë lënë të qeta në abuzimin me besimin e njerëzve. Por problemi kryesor nuk qëndron këtu. Problemi kryesor qëndron në faktin se ndërsa deputetë e politikanë e forca të tëra politike janë përbetuar gjithë kohës sikur luftojnë për çështje që nëse nuk triumfojnë do të thotë fundi i civilizimit në formën që ne njohim (është arritur deri në disiplina autodestruktive si rrahje me shokët apo greva urie), nga ana tjetër asnjëherë nuk kanë qenë të gatshëm që përballë dështimit me numrat e demokracisë së deleguar, ta dërgojnë çështjen e tyre për vërtetim popullor tek numrat e demokracisë direkte.

Opozita është shndërruar në një replikë prozaike dhe bajate të redaksisë së emisionit “Fiks Fare” me Ed Shalësin e Saimir Tahirin si mëtonjës të Doktorit dhe Saimirit dhe me Vasilika Hysin e Olta Xhaçkën versus Velinës bionde dhe Velinës brune. Parlamenti ynë është populluar nga një Seleçao krijesash të leshta, antropomorfe, pa gjak, pa iniciativë dhe pa interes për të dëgjuar dhe luftuar për njerëzit që i kanë dërguar në atë sallë. As edhe një nismë e vetme, as edhe një “përfaqësues” i vetëm i popullit nuk e ka plotësuar kurrë detyrën e vet deri në fund a thua maksimumi që mund të japin ata për të mbrojtur interesat e njerëzve janë ca mimika, nja dy metafora dhe pak gjimnastikë në sallë. Asnjë prej tyre nuk ka marrë mundimin për të konsumuar me këmbëngulje e vendosmëri çdo mundësi për të vënë në jetë idealet e tyre (ç’ideale mor aman) deri përmes referendumit. Për ta, ruajtja e ekskluzivitetit të vendimmarrjes është kështu më e shtrenjtë se zgjidhja konkrete e problemeve në të mirë të popullit.

Rreth evitimit të referendumit duket sikur ekziston një marrëveshje misterioze që i paqëton sa hap e mbyll sytë gjakrat e ndezur të rivalëve politikë. Ky konspiracion i heshtjes i mban gjatë gjithë kohës esëll “të majtë” e të djathtë e i shndërron nga opozitarë në vëllezër për një kauzë të madhe kundërshtarët që deri në atë moment sa s’po nxirrnin kamat nga brezi. Prej 12 vjetësh politikanët në këtë vend, kanë pengmarrë vullnetin e popullit, duke bërë siç duan e duke sajdisur veten me 4 vjeçarë pas 4 vjeçarësh rehatllëku, pa frikën se mund të thirren në çdo moment në raport.

Institucioni i shumicës së dalë nga zgjedhjet – në raste kur demokracia bëhet edhe më e kufizuar merret vesh se këtë rol nis ta luajë jo më Kuvendi por vetëm qeveritë, e kur i afrohemi protofashizmit, thjesht individët në krye të qeverive – mundohet të jetë diçka e ngjashme me Magazinat Popullore të kohës së Enverit, ku në mënyrë parodike “gjen gjithçka” që supozohet si e domosdoshme për njerëzit: që nga marmallata deri tek oturakët. Kështu “shumica”, shitet se mund të marrë me mend se çfarë u intereson milionave të masave dhe e realizon atë pa e vrarë mendjen shumë, qoftë ajo një rrugë kombi apo konçension hidrocentralesh mbi përrenj. Nganjëherë kjo shumicë e pakicës së njerëzve të këtij vendi, mund të mundohet t’i sajojë gjërat në mënyrë të atillë që të privilegjojë ata që kanë në dorë përjetësimin e saj në pushtet. Për këtë arsye është e nevojshme kritika nga ana e pakicës së pakicës. Kur kjo kritikë duket se nuk pi më ujë, si rregull do të duhej të thirrej për të dhënë gjykim ajo shumica e vërtetë dhe e pagabueshme, të cilën zakonisht e marrin për dekor kur duan të bëjnë gara kush mbledh më shumë ushtarë në shesh.

Më shumë liri, a s’do të ishte më mirë për të gjithë? Njëzetë vjet pasi shqiptarët u ankuan për herë të parë se donin një sistem më demokratik, demokracia që u është vënë në dispozicion duket se s’është më e mjaftueshme.Veçse imagjinoni se sa më të lehtësuar do të ishin të gjithë sikur ta dinin se për çdo mosmarrëveshje në dukje epike, ka një zgjidhje të thjeshtë siç është verdikti i sovranit. Me një dorë referendumesh, shqiptarët do t’i kishin hequr nga zemra vetes aq shumë pengje e do të kishin kursyer aq shumë kriza, para të shpenzuara kot, vonesa në integrimin europian e debate parlamentare, sa s’mund të merret me mend.

Thuajse në secilin vend demokratik të Europës, s’ka fundjavë që nuk zhvillohet në nivele të ndryshme ndonjë referendum. Disa të tjerë e kanë të organizuar në mënyrë praktike zhvillimin e referendumeve në ditën që përkon me thirrjen e popullit në kutitë e votimit për zgjedhje kombëtare a lokale. Si rregull, italiani, apo britaniku, apo zvicerani, apo skandinavi, bashkë me fletën e votimit, krejt pa ndonjë ceremoni të posaçme, merr në dorë edhe një fletë tjetër, fletën e referendumit ku janë rreshtuar gjithë çështjet që kanë ngrënë debat gjatë kësaj kohe, dhe ku fjala e fundit i lihet popullit. Diapazoni i këtyre çështjeve është aq i gjerë saqë ai përfshin gjithçka, nga pikëpamja për Kushtetutën europiane e deri tek normat e preferuara të emisionit të gazit karbonik nga makinat.

Përfytyroni tani në Shqipëri, sikur befas ndonjë burrë shteti që do të meritojë ta përkujtojnë në të ardhmen si Ismail Qemalin në ndonjë tip Rotonda de los Illustres, të propozojë që 8 majin e ardhshëm, shqiptarët bashkë me kryebashkiakët të zgjidhin edhe ca pikëpyetje që i mundojnë prej kohësh. Dikush më me shumë mend mund të hartojë një listë më të përpiktë, por mbase midis çështjeve të rreshtuara më poshtë, ka nga ato që mund të shërbejnë si një bazë fillestare. Do të ishte bukur sikur qytetari përveç rockstarëve të PD-së e PS-së, të kishte mundësi të vendoste edhe nëse i do taksat të sheshta apo progresive. Nëse preferon t’ia shpenzojnë më shumë paratë për infrastrukturë apo për arsim e shëndetësi. E kështu me radhë le të vendosë po populli edhe për zgjedhjen e presidentit nga populli, për aplikimin e dënimit me vdekje, për kalimin e SHISH-it në varësi të qeverisë, për ligjin e lustracionit, e madje edhe për hapjen e kutive zgjedhore nëse këtë e kërkon qoftë një qytetar i vetëm. Idealja do të ishte sikur për referendum të kalojë gjithçka që politikanët nuk e kanë shpjeguar në mënyrë eksplicite gjatë prezantimit së programeve të tyre zgjedhore e që mundohen ta kalojnë sikur e kanë të drejtë natyrore, krejt pa pyetur njeri sapo marrin pushtetin.

Në fund, meqenëse të gjitha këto çështje të mundimshme e të akumuluara prej kaq shumë kohësh do të mund të merrnin një përgjigje të padiskutueshme si vetë demokracia direkte, për t’i hequr merakun kryeministrit e për t’i dhënë njëfarë lezeti trendy buqetës shumëngjyrëshe të halleve që do të zgjidheshin, le të shtoheshin edhe ata dy karafilat e fundit: a të ndërtojmë një stadium të tretë në Tiranë? Dhe a t’i bëjmë më në fund deputetët e varfër me një shtëpi të re?

(Gazeta "Shqip", 15 Shtator 2010)

Shqipëria pa bikini

Më në fund çadrat e plazhit janë palosur, tavernat verore kanë ulur qepenat, hotelierët po numërojnë fitimet në valutë të fortë, politikanët janë kthyer përfundimisht nga Sardenja për të rifilluar “krizën” dhe populli shqiptar pas imitimit për plot tre muaj të turistit gjerman me abronxaturë, kripëzim, jodizim dhe shpenzime milionëshe, mund të rinisë të zbulojë se në këtë anë të kontinentit jeta s’vesh përditë bikini.
Në këtë pikë, është mbase momenti për të hedhur një shikim vetëm paksa më kritik se zakonisht në marrdhënien e re midis shqiptarëve dhe asaj që përherë e më shumë po afishohet si “mrekullia turistike” e Shqipërisë – një thesar i ri, i sapozbuluar, një lloj çeku i bardhë çudibërës apo sënduk florinjsh që e hasim aksidentalisht në kopshtin ku e kishin groposur gjyshërit.
Ajo që ndodhi këtë verë në Shqipëri – dhe që zaten ka nisur tinëz dy a tri sezone më herët – është manifestimi i parë arrogant i një retorike me të cilën do të na ushqejnë deri sa të na e nxjerrin për hundësh për disa vite në vijim. Shqipëria sapo ka gjetur Kepin e saj të ri të Shpresës së Mirë, ky kep quhet turizëm dhe të gjitha busullat, velat, antenat, spirancat dhe anija e përbashkët ku lundrojmë të gjithë si popull e ka drejtuar tani për atje kursin e saj.
Ky është destinacioni ynë i ri i një mbrothtësie financiare që arrihet pa mundim, një ishull i lumtur ku ne jo vetëm mbrohemi nga stuhia në këto kohë krize globale, por ku i dalim përanash edhe atij gjestit të sikletshëm e të lodhshëm që quhet punë krahu. Një mënyrë fitimi që duket si e prerë për kokën tonë: pak ose aspak lodhje (ka punuar Zoti për t’i qëndisur plazhet tona të virgjëra) dhe shumë kënaqësi (mbetet që këto delikatesa thjesht t’i zhvirgjërojmë e ndërzejmë siç dimë ne, domethënë vendshe).
Krejt për arsye sinqeriteti, atdhedashurie pa kushte apo cektësie intelektuale, kësaj teorie po i qepen symbyllurazi – e përsëris, në mënyrë fare të sinqertë e naive – edhe shumë nga ata që përballë rrezikut të shndërrimit të turizmit në një fe tonën integraliste, do të duhej të përbënin avantgardën e një trupe kritike dhe të pamanipulueshme të intelektualëve të këtij vendi.
Të jesh sot në Shqipëri kundër zhvillimit të turizmit, a thjesht të mos këndosh me devocionin e duhur strofën tënde në korin e madh panshqiptar të lumturisë marinare, klasifikohet gati gati si diçka që lëkundet nga mëkati i mohimit të Zotit deri tek veprimtaria subversive antikushtetuese. Që Shqipëria ka një të ardhme tek turizmi i diellit dhe i detit është këtu tek ne, një aksiomë gjerësisht e pranuar dhe për ta bërë atë më të palëkundur, ka një makineri të tërë propagande shtetërore dhe kolaboracionizmi opozitar që punon ditë e natë.
Pritat sporadike kaçake midis të djathtëve e “të majtëve” shqiptarë kur bënin adetin e sherrit mes tyre në ditë vape e përtese, ia arritën me lehtësi të krijojnë idenë qetësuese se sidoqoftë, të dyja palët s’janë tërësisht dakord dhe ne, mirë a keq, i kemi dy palë. Kjo divergjencë “e thellë” në sektorin zbavitës të turizmit me dy fjalë konsiston në faktin se teksa qeveritarët mburren se turizmi sivjet në Shqipëri shkoi vaj (ajo rima: më shumë vizitorë se banorë), opozitarët thjesht ankohen se qeveria ishte e paaftë ta bënte Shqipërinë një vend ku turizmi bën namin. Kështu, duke asistuar të gjithë në shpalljen e pandalshme të ideologjisë që e ka emëruar turizmin si shpëtimtarin ekonomik të vendit, sapo kemi hyrë në një edicion të ri iluzionesh.
Por brenda koncertit melodioz ku sot po festohet Shqipëria ekskursioniste e viteve ’10 të këtij shekulli, mjerisht fle klithma e mbytur e një instikti vrasës. Kulti i turizmit si një rekonkuistë ekonomike që do të sjellë begatinë, mban brenda vazhdimin e një seriali kriminalistik. Të investosh gjithë energjinë kombëtare drejt zhvillimit të një sektori si turizmi (një resurs që s’varet thuajse fare nga veprimtaria njerëzore, por kryesisht nga gjeografia dhe meteorologjia) si dhe ta venerosh atë si të ishte eksplorimi përfundimtar i rrugës sonë drejt së ardhmes, është më e pakta një atentat ndaj konstruksionit social të shqiptarëve të cilëve u ndalohet kështu përfundimisht të jenë seriozë.
Në një vend si yni ku aktiviteti i mirëfilltë prodhues është ende i pakrahasueshëm as me atë të ditëve më të zeza të epokës së diktaturës, duket sikur bëhet gjithçka për të na mbajtur larg nga e vërteta. E vërteta është se nuk mund të ketë një zhvillim real nëse nuk i rikthehemi seriozisht punës, veprimtarisë konkrete prodhuese, zhvillimit industrial, avancimit teknologjik dhe nxitjes së progresit të shëndoshë shoqëror. Për këtë s’ka kompromis. Gjithçka tjetër që s’ngjan me këtë, është thjesht një mashtrim.
Shqiptarët nuk do të mund të shërohen nga sëmundjet e tyre të vërteta kombëtare që janë varfëria, papunësia dhe prapambetja shoqërore, për sa kohë do të përqafojnë symbyllurazi lloj lloj palaçollëqesh të maskuara si metoda alternative shërimi. Këto metoda që premtonin të sillnin para të lehta tek shqiptarët kanë tashmë itinerarin e tyre të diskredituar që nis nga shock terapia deri aty nga vitet ’95, firmat rentiere deri më ’97, privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha publike deri më 2005 apo anomalia tumorale e biznesit të ndërtimit deri më 2008.
Të gjitha këto “strategji të mëdha” vuanin nga e njëjta defiçencë: mospërfshirja brenda tyre e elementit bazë për zhvillimin e një ekonomie me themele gjenuine – prodhimit industrial. Në rastin më të keq, ato ofronin formula magjike drejt lumturisë e në rastin më të mirë, ishin thjesht veprimtari anormale ofrimi shërbimesh, duke u krijuar artificialisht treg produkteve të importuara a duke qarkulluar kapitale të një zot e di se ç’origjine. Për 20 vjet, të gjitha “lokomotivat” e zhvillimit të shqiptarëve, teksa zëvendësonin njëra tjetrën nga stacioni në stacion, karakterizoheshin nga krejt koleksioni i promovimit të dembelizmit, moskokëçarjes, pritjes nga të tjerët, ezaurimit të resurseve natyrore dhe abuzimit me to.
Fizionomia e individit të asociuar me këtë lloj zhvillimi është ajo e një krijese antisociale që ngjan shumë me portretin modern të turistit shëtitës. Ekzistenca e këtij lloj njeriu që reklamohet si model shoqëror mbështetet mbi të njëjtat principe si ato të kolonive të bakterieve: zhvendosu nga një vend në tjetrin, konsumo ç’të mundesh dhe ik. Përballë një bote që po bëhet përherë e më kompetitive, oferta jonë kombëtare e dirigjuar nga një klasë udhëheqëse që alternon vetveten në të dy kahjet e spektrit politik, është në pikën e saj më të ulët.
Duke mos u dhënë shqiptarëve qëllimisht mundësinë për t’iu rikthyer punës dhe prodhimit, duke i mbajtur të ndrydhura dhunshëm energjitë e tyre krijuese, ligjvënësit tanë thjesht sa i sigurojnë vetvetes dhe sojit të tyre një qeverisje pa andrallat e qëndresës së organizuar shoqërore që mund të vinte nga ekzistenca e një popullsie me aktivitet dinamik prodhues. Gjithashtu ata i garantojnë vetes një rreth të përhershëm militantësh nevojtarë që në kushtet e mungesës së alternativave të tjera për të ecur përpara, e varin ekzistencën tek shkëmbimi i përjetshëm i favoreve. Nëse ashtu si në vendet e tjera përreth edhe Shqipëria do të njihte një zhvillim normal të ekonomisë atëherë një nga elementët kryesorë lëvizës në shoqërinë tonë do të ishte një klasë e cila në këtë moment kur flasim është tërësisht e injoruar, e paralizuar, e dekurajuar dhe deri e përzënë nga ky vend. Kjo klasë ka emrin që sot përçmohet më shumë se kurrë në Shqipëri dhe është “punëtoria”, apo siç njihet sot në gjithë botën perëndimore “the working class”.
Punëtorët janë njerëz të ndaluar në këtë vend. Të rinjtë shqiptarë nxiten përmes një bigbrotheri të përditshëm kinematografiko-politik t’i investojnë jetët e tyre për t’u bërë të gjithë avokatë, mjekë, artistë, agjentë marketingu apo thjesht parazitë me lekët e babit. Me një fjalë gjithçka përveçse punëtorë. Shkollat e mesme profesionale janë fshirë pa nam e nishan nga faqja e dheut. Vegjetimi, vetëkënaqja e nënproduktet e tyre imediate: kriminaliteti juvenil, vagabondazhi, sfidimi i legalitetit, mbeten rrugëdalja e vetme e çlirimit të energjive për shumë njerëz.
Të jesh thjesht punëtor sot është një lloj turpi dhe ata që fundja janë punëtorë prodhues s’gjejnë asnjë mundësi jetese në këtë vend ndaj shërbejnë si numërorë plotësues për armatat e proletariatit perëndimor për t’u kthyer në atdhe vetëm pasi kanë harxhuar energjitë e rinisë dhe tashmë të konvertuar pas ca kursimesh në specien e parrezikshme të biznesmenit të vogël. Veprimtaritë kryesore fitimrurëse këtu – përveç të bashkëjetuarit me ndonjë deputete me konçensione në pajë - janë ato që gërryejnë dhe shesin pa përpunim pasuritë tona natyrore, ato që ofrojnë shërbime ndër më baziket, apo ato që operojnë në sektorin tregtar apo thjesht shitblerjes, dyqaneve, lokaleve e restoranteve, me një fjalë shpërndarës të të mirave që përpunimin industrial e kanë kaluar kryesisht jashtë vendit e që na shiten ne të gatshme.
Rëndësia politike e punëtorisë së gjymtuar që angazhohet në këto ndërmarrje është afër zeros dhe kësisoj edhe partitë politike që veprojnë sot tek ne, s’kanë as interesin më të vogël jo vetëm të mbrojtjes së të drejtave të kësaj shtrese, por as të dhënies së mundësisë që kjo shtresë të funksionojë normalisht. Sindikalizmi është një parodi e vazhdueshme, krahu i punës është në kufijtë e skllavërimit total dhe portreti i punëtorit shqiptar është sot i ngjashëm me atë të çifutit në Rajhun e Tretë: i nëpërkëmbur, i keqpaguar, i përjashtuar nga skemat e sigurimeve dhe i ridikulizuar deri në kufijtë e përndjekjes.
Partitë tona të djathta neoliberale duhen respektuar dhe përshëndetur në këtë rast, për shkak të sinqeritetit dhe çiltërsisë me të cilën duke ruajtur këtë status-quo po bëjnë thjesht detyrën e tyre si organizata politike që nuk e bazojnë hegjemoninë tek interesat e punëtorisë por tek ato të pronarëve dhe kapitalit. Ata që meritojnë të mbajnë damkën e turpit janë ata që guxojnë deri edhe të vetëquhen “të majtët” tek ne dhe që i tremben më shumë se kushdo punës nga frika se mos i quajnë parti e saj. Në mënyrën sesi këto deformacione monstruoze politike vazhdojnë të gjallojnë, të gjenerohen dhe përkundër asaj që ndodh me betonimin e vazhdueshëm solid të së djathtës, të shtohen e riprodhohen në formë mikrobi, ka një referencë të qartë tek ajo që ndodh në segmente të shoqërisë ku ky lloj parazitizmi kërpudhash është në ambientin e vet natyral. Sipas logjikës normale, këto lloj partish në mos do të duhej të mbështeteshin tek punëtoria, së paku duhej të luftonin për të krijuar pre-rekuizitat e rilindjes së kësaj shtrese tek ne. Duke mos e bërë këtë, ata jo vetëm sharrojnë pa pushim degët e pemëve mbi të cilat vënë të ndenjurat, por japin kontributin e tyre në degjenerimin e fizionomisë sociale të shqiptarëve sipas shëmbëlltyrës së degjenerimit të tyre të brendshëm e kështu qerthulli vazhdon rrotullimin e vet në mënyrë të pambarimtë ciklike.
Duke i dhënë një dorë kështu krijimit të një kombi konsumator, një kombi-virus, që po profilizohet pak nga pak si një komunitet njerëzish që ofron thjesht disa shërbime qejfi dhe ku nuk lulëzon asnjë lloj veprimtarie prodhuese përveç aksesorëve të asaj që nuk i tremben konkurrentët tanë: hoteleri, kamerierë, restorante dhe shkollim i përciptë.
Ja pse pas një sezoni “gala” pushimesh dhe kënaqësish turistike po asistojmë në celebrimin zyrtar të martesës së radhës mes shqiptarëve dhe kultit të ri të dembelizmit. Dhe ja pse është ndoshta momenti për ta ndalur më në fund këtë festë të shfrenuar marrëzie e për t’i rikthyer gjërat në vendin e vet natyral. Për t’ia zhveshur forcërisht Shqipërisë bikini-t e një lumturie iluzive, e për ta dërguar krejt lakuriq e të turpëruar si Gjermania një ditë pas lufte, drejt asaj nga ku do t’i vijë shpëtimi: punës.

(Gazeta "Shqip", 7 Shtator 2010)